Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 27, 2014 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi, Studime 0
UNIVERSITETI I SHKODRËS
“Luigj Gurakuqi”
Abstrakt
Samiu qe njëkohësisht autor i idesë dhe zbatues i veprës. Tek abetarja ai shihte librin bazë për shqiptarët e asaj kohe, atmosfera përreth të cilëve mbizotërohej nga shkollat e huaja. Tek abetarja ai nuk shikonte vetëm tekstin mësimor që do t’u jepte shqiptarëve shprehitë e lexim-shkrimit në gjuhën amtare, por shikonte edhe konsolidimin e mësonjëtoreve shqipe të asaj kohe, shikonte gurin e themelit në formimin e brezave që do të ngrinin shtetin shqiptar.
Sami Frashëri ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare jo vetëm si ideolog, enciklopedist, përkthyes, erudit, filozof e sociolog, por edhe si pedagog, didakt dhe autor tekstesh shkollore.[1] Tashmë janë të njohura idetë e tij për zhvillimin e arsimit kombëtar, hapjen e shkollave dhe deri te universitetet shqiptare që u shpalosën në veprën-program të Rilindjes Kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhetë” (Bukuresht, më 1899).
Rëndësinë e shkollës, rolin dhe funksionin e saj Samiu e shprehu edhe në “Emsalet” (Fjalët e urta) e tij që i botoi më 1879. Të tilla si: “Nuk ka jetë njerëzore pa arsim”, “Fëmija duhet të marrë mësim para se të bëhet 7 vjeç dhe edukimi i tij duhet të fillojë ditën që lind”, tregojnë domosdoshmërinë që ndjente Samiu për ngritjen e arsimit të organizuar si dhe moshën shkollore kur duhet të fillojë ky arsimim. Në tërësi, ato shpallin synimet e përparuara të Samiut në fushën e arsimimit dhe të edukimit të fëmijëve të moshës shkollore.
Është fakt i njohur dhe tepër domethënës që në mësonjëtoret shqipe, që nga viti 1879 e deri më 1909, pra për tridhjetë vjet me radhë, u përdorën, veç të tjerave, edhe abetaret e Sami Frashërit, gjithsej pesë. Ai ndoqi kështu rrugën e hapur nga Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi dhe Daut Boriçi dhe çoi me tej traditën e krijuar prej tyre.
Në “Historinë e abetareve shqipe…”, në radhën e rreth 225 botimeve, që janë bërë për abetaret, S. Frashëri zë vendin e nderit për numrin e botimeve të tij.
E para prej tyre “Alfabetare e gluhësë shqip” (Ndë Konstandinopojë, mbë 1879, ndë shkronjështypjet të A. Zeliçit, 136 fq.), është fryt i një pune kolektive. Samiu aty përfaqësohet, veç të tjerave, edhe me pjesën: “Gjuha Shqip” vlera atdhetare, mësimore dhe edukative e së cilës është se transmeton ide programatike, ushqen bindje me vlera kombëtare, jep nocione të reja të cilat kanë të bëjnë me formimin e botëkuptimit të ri për kombin, për gjuhën, për fenë. Në kushtet e pushtimit turk, ai shtron çështjen e mësimit të gjuhës amtare, si shenjë dalluese e kombit, dhe shkrimit të saj me një alfabet të ri etj., sepse, “Sot është dita, -shkruante Samiu,- q’edhe Shqipëtarëtë të zënë të shkruajën’ e të këndojënë gjuhën’ e tyre, që të mundinë të ruajënë kombinë”.[2]
Në veprën që përmendëm “Alfebetare e gluhësë shqip”, Samiu ka hartuar edhe tekstin e abetares, ku paraqet idetë e tij për mësimin e gjuhës shqipe.
Në mbulojën e “Alfabetres…” Samiu nuk harron të vendosë citatin e Naum Veqiharxhit : Kurrkush me mend të vet / mos mburret se diç gjet / pa dashtun i Madhi Zot / fletë pema s’lëshon dot. /
Për rilindësit, ngritja e mësonjëtoreve kombëtare, krahas krijimit të një sistemi arsimor në të gjithë vendin, ishte një kusht i domosdoshëm për realizimin e programit të ngjeshur në fushën e kulturës.
Në këtë kuadër hartimi dhe botimi i abetareve shqipe ishte një ndër rrugët më të sigurta për përvetësimin e gjuhës së shkruar shqipe nga masat e popullit. Rruga për çlirimin kombëtar për atdhetarët – rilindës, kalonte nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare, sepse: “Kombetë mbahen nga gjuhëtë; një komb që humbet gjuhën’ e vet ësht’ i humbur dhe i harruar edhe ay vetë…Kështu janë humbur shumë kombe të vjetëra që shohim nëpër istorirat e s’i gjejmë sot mbi dhe”.[3]
Përveç vlerave atdhetare e qytetare që përmban kjo abetare, veçohet për disa parametra që e bëjnë të dallueshme, ndër të cilat theksojmë:
Tirazhi: prej 20 mijë kopjesh (kujtojmë se ajo u botua 135 vite më parë) që përbën një shifër rekord për çdo lloj botimi, deri në vitet ’40 të shek. të kaluar.
Sasia e faqeve, 136: Është tregues tjetër sasior dhe cilësor i saj. Një vëllim i tillë është ndeshur rrallë në historinë e abetareve shqipe.
Përhapja e saj e gjerë: Teksti u shpërnda të mënyrë të rrufeshme në të gjitha trojet etnike shqiptare, 10 mijë kopje u shpërndanë vetëm në Kosovë. Teksti u botua për shkollat shqipe që do të hapeshin në vazhdim në Shqipëri, por u dërgua dhe në kolonitë shqiptare si në Sofje, Bukuresht, Egjipt etj. Qenia e këtij teksti edhe në shumë biblioteka shtetërore dhe vetjake, është një treguar i përhapjes së gjerë, është tregues i shërbimeve që i solli gjuhës dhe shkollës shqipe.
Përdorimi: Disa shkrime të “Alfabeteres…” u drejtoheshin edhe shqiptarëve të çdo moshe, pa dallim krahine, ideje e feje, për të arritur synimet e mëdha në fushën atdhetare e arsimore- kulturore.
Ndikimi në tekstet e mëvonshme dhe tradita që krijoi: Ajo ndikoi fuqishëm në hartimin e abetareve të mëvonshme, hodhi themelet e teksteve shkollore [4]
Më 1886, ai botoi në Bukuresht tekstin mësimor për klasën e parë “Abetare e gjuhësë shqip” (82 faqe). Nga ana didaktike, teksti i përmbahet metodës fono-silabike. Një sistem i tërë ushtrimesh dhe përsëritjesh i hartuar nga didakti Sami Frashëri, prej 40 njësish mësimore i kushtohen kësaj faze të parë të përvetësimit të mekanizmit të të lexuarit. Nga ana e përmbajtjes abetarja përfshin pjesë të përpunuara didaskalike. Ato janë nga prozat e para artistike të letërsisë për fëmijë. Shumë prej tyre i kanë qëndruar kohës dhe kanë hyrë në fondin klasik të kësaj letërsie, sepse kanë strukturë të thjeshtë, fjalor të zgjedhur e ngarkesë emocionale në përshtatje me moshën. Të tilla, si: “Dheu është flori”, “Mbollën të tjerët, hëngre ti, mbill ti, të hanë të tjerët”, “S’ka gogol”, “Mos e fshih fajin” etj., i kemi ndeshur në shumë abetare të mëvonshme.
Po në vitin 1886, Samiu përgatiti dhe botoi edhe tekstin tjetër mësimor “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”. Gramatika dhe abetarja përfaqësonin në atë kohë dy tekste bazë për mbajtjen në këmbë të një mësonjëtoreje të parë (fillore) kombëtare: njëra për mësimin e lexim-shkrimit, tjetra për mësimin e gjuhës së shkruar dhe të folur shqipe.
Si pedagog, ai na jep rrugët dhe mjetet e punës për konkretizimin e ideve të tij, forca e të cilave do të çonte në përgatitjen dhe formimin e breznive me idealet e çlirimit kombëtar dhe shoqëror. Ndaj në këto tekste mësimore ndeshemi me përkufizime të nocioneve të tilla si: komb, gjuhë shqipe, shqiptar etj. Një numër i madh termash gjuhësore që praktikohen në gjuhën e shkollës, janë rreshtuar në këtë vepër.
Më 1888, vetëm dy vjet pas botimit të parë, u bë ribotimi i saj po në Bukuresht, nga Shtypshkronja e Shoqërisë “Dituri” (81 faqe).
Më 1900, u bë ribotimi i tretë i kësaj abetareje, përsëri nga e njëjta shoqëri, po në Bukuresht, por vetëm me një ndryshim të vogël faqesh (79 faqe).
Pas vdekjes së Samiut, abetarja e tij u botua për të katërtën herë. Kësaj radhe jo me nistoret S. H. F., por me emrin e tij të plotë /ABETARE e gjuhësë shqip/ Prej SAMI BEJ FRASHËRIT/ dhe jo më në Bukuresht, ku ishte shtypur tri herë, por në /Konstandinopojë/ Në shtypëshkronjët “Rrufeja”/, 1909 (63 faqe).
Nuk kemi rënë në gjurmë se kush e ndoqi ribotimin e saj. Në këtë botim bie në sy heqja e pjesëve të leximit “Kristofor Kolombi” dhe “Jakobi e Josifi” e në vend të tyre janë zëvendësuar me dy të reja. Në këtë botim është shtuar gjithashtu “Abeceja shqip”, shoqëruar me shpjegime të shkronjave në përqasje me frëngjishten dhe turqishten. Tirazhi i abetareve të Samiut mendojmë të ketë qenë i madh dhe përdormi i gjerë, mbasi kopje të tyre kemi ndeshur në të gjitha trevat e Shqipërisë. Teksti nuk ka as parathënie, as pasthënie. Me siguri që botimin e saj e ka shtyrë nevoja që u ndje për abetare pas vitit 1908, kur lëvizja për hapjen e mësonjëtoreve mori një shtrirje të gjerë.
Në korpusin e plotë[5] të veprave të Sami Frashërit ka këtë shënim bibiografik: “Sa ishte gjallë autori vepra “Abetare e gjuhësë shqipe është botuar tri herë (1886, 1888,1900 në Bukuresht). Pas vdekjes është ribotuar përsëri më 1909 (në Kostandinopojë).”[6]
Nga krahasimi i variantit të fundit me tri botimet e mëparshme, vëmë re disa ndryshime në përmbajtje që enti botues, duke dashur ta bëjë të përdorshme edhe në zonat veriore, ka zëvendësuar disa pjesë me të reja, si: një prozë “Mësim gegnisht” dhe një poezi “Djali dhe bilbili”. E para është me fjalë të urta, të përshtatura nga fondi i “Emsalet” të Samiut. Ato përshkohen nga morali klasik dhe edukata teiste.
Abetaret e Samiut u shkruan të gjitha me alfabetin e Stambollit dhe ndikuan shumë në përhapjen dhe afirmimin e tij në masat e gjera të popullit dhe veçanërisht të rinisë shqiptare të kohës. Ato ushtruan gjithashtu një ndikim të fuqishëm në edukimin e ndjenjave atdhetare të autodidaktëve dhe masës së nxënësve. Përmbajtja e tyre dëshmon për kulturën pedagogjike, për qëndrimin konsekuent e pa luhatje të tij.
Këto si dhe veprat e tjera që përmendëm, bashkë me të gjitha shkrimet e tjera të tij me subjekt arsimin dhe edukatën, përbëjnë një trashëgimi të vyer në fondin e zgjedhur të historisë së arsimit tonë kombëtar.
Po çfarë e shtyu Samiun, këtë shkencëtar të madh, këtë enciklopedik filozof, historian, sociolog, autor të “Enciklopedisë historiko-gjeografike” në 6 vëllime, të shpenzonte kohën e tij të çmuar dhe, krahas veprave madhore, të merrej edhe me hartimin e një teksti të arsimit fillor, siç ishte abetarja ?
Së pari, duhet pasur parasysh se Samiu ishte ndër mendimtarët-filozofë të rrallë shqiptarë, që ideoi të ardhmen e Shqipërisë, që përcaktoi rrugët dhe mjetet e realizimit të objektivave të kësaj ideje, duke vlerësuar në radhë të parë arsimin.
Së dyti, Samiu qe njëkohësisht autor i idesë dhe zbatues i veprës. Tek abetarja ai shihte librin bazë për shqiptarët e asaj kohe, atmosfera përreth të cilëve mbizotërohej nga shkollat e huaja. Tek abetarja ai nuk shikonte vetëm tekstin mësimor që do t’u jepte shqiptarëve shprehitë e lexim-shkrimit në gjuhën amtare, por shikonte edhe konsolidimin e mësonjëtoreve shqipe të asaj kohe, shikonte gurin e themelit në formimin e brezave që do të ngrinin shtetin shqiptar.
[1]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, botim i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000, f. 93.
[2]. Sami Frashëri, “Gjuha Shqip” në “Alfabetare…”, f. 29.
[3]. Po aty, f. 27-28.
[4]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe…”, f. 98-99.
[5]. Për Sami Frashërin janë botuar, veç të tjerave, edhe: -Rilindja, Prishtinë në 4 vëllime që përfshin edhe monografinë e Zija Xholit, 1978; -Esad Reso, Pikëpamjet filozofike, politike dhe shoqërore të Sami Frashërit. Tiranë, 1980; -Zyber Hasan Bakiu (Kruja), Bibiografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit. Tiranë 1982; -ASH, I. Historisë, Shaban Çollaku, Mendimi iluminist i Sami Frashërit. Tiranë, 1986; ASH, I. Historisë, Trashëgimia kulturore e popullit shqiptar (S. Frashëri). Tiranë, 1988; -Gazmend Shpuza, Bota iraniane në veprën e Sami Frashërit. “Onufri”, 2004 dhe -Shtëpia botuese LOGUS-A, korpusin e plotë të veprave të Sami Frashërit në 20 vëllime: nga “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet” e deri tek “Mitologjitë”, 2004.
[6]. Shënime bibliografike në fund të “Abetare e gjuhës shqipe” (1886) Logus-A, f. 96.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...