Perditësimi i fundit July 2nd, 2024 8:55 AM
Sep 19, 2013 Zani i Nalte Histori, Retrospektivë 0
nga Ali Basha
“Sot protokollet e zhvillimit të gjyqeve, sipas udhëzimeve të Këshillit të Naltë të Sheriatit mbahen në gjuhën shqipe. Gjithashtu edhe fjalimet dhe kundërfjalimet, paditë, peticionet e palëve, si: lutjet, paditë, ankesat etj. duhet të përpilohen në gjuhën shqipe”.[1]
Për sa i përket organizimit të brendshëm të fesë islame, qeveria e Vlorës
aplikoi statukuonë e trashëguar, tradicionale, por duke likuiduar de facto varësinë
institucionale nga Shejhul islami me qendër në Stamboll dhe për herë të parë
Shqipëria kishte Myftiun e vet të Përgjithshëm të emëruar nga qeveria shqiptare.
Administrata fetare u krijua nën shembullin e asaj shtetërore-prefekturës
i përgjigjej myftinia, nënprefekturës-nënmyftinia etj. Kjo administratë ishte
nën varësi të qeverisë. Me Shpalljen e Pavarësisë edhe Gjyqi i Naltë i Sheriatit,
i trashëguar nga koha e sundimit osman, i shkëputi automatikisht lidhjet me
Halifatin.
Si në Kuvendin e Vlorës, ashtu dhe në Kongresin e Lushnjës nuk u shfaqën probleme fetare; dhe tek ne nuk ka qenë komentuar zgjedhja e elementeve të përkatësive të ndryshme fetare në përbërjen e drejtuesve të vendit, në qendër e në bazë.[2]
Reformat që duhej të realizonte shteti i saposhpallur, filluan që më 5 maj 1913 kur Këshilli i Ministrave vendosi suprimimin e kadilerëve dhe shikimin e padive fetare nga myftinjtë.[3] Gjykatat civile të shtetit, që vareshin prej Ministrisë së Drejtësisë, administroheshin prej kadilerëve dhe vepronin me legjislaturën islame.
Por, sipas vendimit të mëvonshëm të Këshillit të Ministrave, atë të 1 dhjetorit 1920 kadilerët e mitropolitët nuk do të merrnin pjesë më në këshillat administrative. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të veprimtarisë së shtetit shqiptar (1920-1939) institucionet e ndryshme fetare u riorganizuan në themel.
Duhet thënë se qysh gjatë viteve 1916-1917, ndonëse periudhë lufte, u bënë disa hapa të rëndësishëm për riorganizimin dhe ristrukturimin e punëve të fesë islame. Në këtë kohë u krijua institucioni i Gjyqit të Naltë të Sheriatit të Shqipërisë, që pa dyshim, është një eveniment me rëndësi. Në një raport që i drejtohej Vjenës nga Shkodra në prill të vitit 1917 mbi çështjen kulturore e konfesionale në Shqipëri, bëhej e ditur se në Shkodër në tetor të 1916-ës, qe krijuar Gjyqi i Naltë i Sheriatit për të drejtuar gjyqet e sheriatit të qarqeve dhe ky gjyq, i sapoformuar, përbëhej prej kryemyftiut, H. Vehbi Dibra dhe dy anëtarëve, prej kryesekretarit si dhe prej dy shkrueseve.[4]
Në shkresën nr. 326, datë 1 dhjetor 1919 të Gjyqit të Naltë të Sheriatit, drejtuar qeverisë shqiptare në Durrës, midis të tjerash thuhej se “Gjyqi i Naltë i Sheriatit, që kur u formua në Shkodër dhe duke u mbështetur në nenin 29 të Parashkresës së Organizimit të Sheriatit, ka emëruar dhe një gjyqtar të fetvave me një rrogë 320 korona të përmuajshme, detyra e tij është të shqyrtojë aktet e davanave etj. Duke qenë se kemi nevojë të madhe për një gjyqtar fetfanash (fetvash-red.) dhe ai vend sot gjendet i zbrazët, ky gjyq e sheh fort të arsyeshme që të emërohet kadi-myftiu i Elbasanit Raif Efendiu”.[5]
Në këtë dokument gjejmë të shprehur qartë se në vitin 1917 qe hartuar një “Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri”, duke ndriçuar kështu faktin se organizimi dhe funksionimi i Sherisë në Shqipëri, qenka qysh nga viti 1917. Parashkresa përbëhet nga 43 nene dhe deri në vitin 1923 ka luajtur rolin e një statuti. Sipas Parashkresës në krye të bashkësisë islame dhe të organizimit të Sherisë ishte Myftiu i Përgjithshëm (kadil-el’kuda – Kadiu i kadive, kryegjyqtari). Nën kryesinë e tij ishin të gjithë hoxhallarët dhe gjyqtarët e Sherisë (myftinjtë, kaditë, naibët etj.), sikurse dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të Sherisë. Myftiu i Përgjithshëm kishte drejtimin dhe kontrollin e epërt mbi të gjitha çështjet e myslimanëve dhe të instituteve bamirëse dhe të arsimimit të myslimanëve. Së bashku me Myftiun e Përgjithshëm, pranë tij, si ndihmës e këshillues qëndronin dy ulema. Njëri prej tyre do të kishte titullin “këshilltar”, tjetri “i besueshmi i fetvasë”. Këta të dy së bashku me Myftiun e Përgjithshëm përbënin Këshillin e Naltë ose Gjyqin e Naltë të Sherisë. Ky Këshill ishte shkalla më e lartë për çështjet e besimit dhe të gjyqësisë. Ai kishte të drejtë të zgjidhte gjyqtarët e sherisë, imamët, hatibët, hoxhallarët në përgjithësi, mësuesit e besimit dhe nëpunësit e tjerë të Sherisë.
Në Parashkresë përcaktoheshin edhe detyrat e Myftiut të Përgjithshëm dhe të Këshillit të Naltë të Sherisë, të myfti-kadive, të naibëve, te vaizëve etj. Sipas nenit 18 të parashkresës vazet (predikimet), si dhe të gjitha këshillat e tjera, duhet të mbaheshin në gjuhën shqipe, të ilustruara me ajete dhe hadithe në arabisht, t’u përgjigjeshin nevojave të kohës dhe urdhrave të qeverisë. Vendimeve gjyqësore do t’u ngjitej përherë një shkurtim në gjuhën shqipe. Myftiu i Përgjithshëm ose Gjyqi i Naltë i Sheriatit kishte nën kontroll të gjitha vakfet.[6]
Një dokument tjetër që flet shumë qartë për organizmin dhe institucionalizimin e islamit në Shqipëri në këtë periudhë, është “Parashkresa e Përkohshme për organizimin dhe administrimin e Vakfeve të Shqipërisë”. Sipas saj, për drejtimin, organizimin dhe administrimin e vakfeve të Shqipërisë krijohej Drejtoria e Përgjithshme e Vakfeve, Komisioni i Përgjithshëm i Vakfeve dhe komisionet e vakfeve të qarqeve. Myftiu i Përgjithshëm (Kryetari i Gjyqit të Naltë të Sheriatit) ishte njëkohësisht drejtor i Drejtorisë së Vakfeve.[7] Të 29 nenet e Parashkresës përmbajnë detyrat e këtyre institucioneve.
Këtyre dokumenteve bazë – “Parashkresës për organizimin e sherive” dhe asaj për organizimin e administrimin e vakfeve do t’u shtohej në këtë kohë edhe “Rregullorja mbi organizimin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit”. Për t’u vënë në dukje është se këto dokumente ishin të miratuara nga Komanda Mb. e R. XIX Trup. Ush. gjë që flet për ndërhyrje të administratës austriake edhe në punët e fesë.
Në sajë të kujdesit të H. Vehbi Dibrës, puna për organizimin e sherive dhe vakfeve
në Shqipëri kishte shënuar hapa të rëndësishëm. Sipas raporteve administrative të Korparmatës XIX, dërguar Vjenës më 14 qershor 1918, rezulton se organizimi i gjyqeve të sheriatit kishte kohë që kishte përfunduar dhe se ata në pjesën më të madhe të vendit ishin bërë tani një institucion i njohur që çmohej e respektohej nga popullsia.[8]
Kështu gjykatat civile të shtetit administroheshin prej kadilerëve dhe vepronin sipas legjislaturës islame. Në një telegram që Gjyqi i Naltë i Sheriatit i drejtohet Gjyqit të Sheriatit Shkodër, e njofton: “Për çështjen e kompetencave të gjyqeve të sheries jemi në marrëveshje me Kryeministrinë. Përfundimi ju lajmërohet më vonë”.[9] Ndërsa Ministria e Drejtësisë në vitin 1922 njoftonte rrethet se, sipas nenit 14 të organizimit të Sheriatit, “…ju është caktuar detyrë vetëm të shikoni çështjet e kurorës (nikah), shfuqizimin e kurorës (talak), ushqimin që rrjedh prej çështjeve të treguara; por disa gjyqe të sheriatit, duke kaluar detyrën e tyre, gjykojnë ndër çështje të tjera të cilat i përkasin gjyqit civil. Në rast se ju paraqitet për aksektim një gjykim jashtë detyrës së caktuar me ligj, të mos ekzekutohet dhe të interesuarit të njoftohen që të drejtohen para gjyqit civil”.[10]
Më datë 22 qershor 1922 Ministri i Drejtësisë, kryeministri dhe Këshilli i Naltë i Shtetit urdhëronin që të zbatohej “Shtojca mbi nenin 14 të ligjit të Organizimit të gjyqeve”: “Çështjet e kurorëzimit, të shkurorëzimit e të ushqimit, të rrjedhura prej tyre, zgjidhen e gjykohen me anë të klerit të çdo feje d.m.th. për muhamedanet është kompetence e klerit muhamedan, për ortodoksët është kompetence e klerit ortodoks dhe për katoliket e klerit katolik”.[11]
Në shkresën nr. 1482/III datë 29.VI.1922 të Kryeministrisë, që i drejtohet Gjyqit të Naltë të Sheriatit, ndër të tjera thuhet: “Duke qenë se qeveria ka vendosur, sikurse i është komunikuar atij Gjyqi të Naltë, kufizimin e kompetencës së tij, pikat e shënuara nga ajo zyrë, u janë dhënë gjyqeve civile dhe shihet e tepërt të jepen ngahera shpjegime mbi këto pika. Për pikën që transferohet në gjykatore, si testamenti (vasije), është mbaruar formimi i ligjit të vet; sa për pikat e tjera janë duke u studiuar që të marrin edhe ato formën ligjore, gjithmonë duke pasur parasysh moslargimin nga bazat e nyjeve, librat e fikh-ut[12] dhe të feraiz-it[13], të cilat e kanë burimin nga librat e shenjtë. Gjithçka bëhet për të mos i dhënë shtetit në administratën e përgjithshme të vet mungesa dhe ngatërresa, duke trazuar çdo degë fetare në të drejtat civile të popullit, e cila si politikisht dhe administrativisht ka sjellë çrregullim dhe shfaqet qeveri brenda një qeverie dhe për përfundim do të ketë vetëm shkatërrimin e harmonisë së njësisë shtetërore. Pra, meqë çështja e lartpërmendur ka marrë vendimin e Këshillit Ministerial, plotësuar me dekretin e Këshillit të Naltë, duhet t’u komunikoni të gjitha zyrave që mvaren nga ju, vendimin e sipërpërmendur, sa për dijeni”.[14]
Në këtë kohë Komuniteti mbante emrin Gjyqi i Naltë i Sheriatit dhe përbëhej prej një Këshilli të Naltë të Sheriatit me pesë anëtarë, në krye të të cilëve qëndronte Myftiu i Përgjithshëm. Këshilli i Naltë zgjidhej për pesë vjet, ndërsa Kongresi studionte veprimet fetare dhe financiare të Këshillit të Naltë e të qarqeve. Vartësit e Këshillit të Naltë të Sheriatit ishin: l) Myftinjtë e qarqeve; 2) Sekretarët e vakfeve, që merreshin me administrimin e të ardhurave vakfnore, 3) Sekretarët e sherisë, të cilët merreshin me martesat, shkurorëzimet etj. 4) Mytevelijtë (administratorët), që administronin dhe kujdeseshin për mirëmbajtjen e pasurive vakfnore dhe të faltoreve. Detyra e Këshillit të Naltë të Sheriatit ishte emërimi i myftinjve dhe i klerikëve të tjerë, si: imamë, vaizë, myderrizë, si dhe emërimi i sekretarëve të qendrës dhe të qarqeve. Këshilli i Naltë kontrollonte veprimet e myftinjve dhe të administratës financiare, në krye të së cilës qëndronte një drejtor vakfi. Para Kongresit të 1923 kjo administratë ishte Drejtori e veçantë pranë Ministrisë së Financave[15]: “Lypset që zotnija juaj të na paraqesë një orë e sa më parë një listë në të cilën të gjenden sasitë e nëpunësve të vakfeve, rrogat që i janë larë dhe i lahen prej arkave të financave të shtetit shqiptar. Duhet të na paraqitet edhe mënyra e organizimit që zotnija Juaj doni t’i jepni kësaj Dege, me qëllim që të mund të hyjë në trajtimin e buxhetit të shtetit shqiptar. Ministri. . .”[16]
Për sa u përket aktiviteteve atdhetare, ato realizoheshin me përkushtueshmëri, p.sh. kryetari i Bashkisë njoftonte nga qyteti i Elbasanit: “Sot më 17 shkurt 1919, në orën 9 në xhaminë e Ballies u bë ceremonia solemne fetare për paqen e shpirtit të të madhit shqiptar, Ismail Qemal bej Vlora. Gjithë populli i këtij qyteti… mori pjesë. Ndërkohë sheshi qëndronte i mbyllur në shenjë zie. Mbas mbarimit të ceremonisë, u mbajtën fjalime për jetën dhe veprën patriotike të të vdekurit tonë të madh.”[17]
Përveç Drejtorisë së Përgjithshme të Vakfeve, ishin ngritur në qendrat kryesore të vendit drejtoritë dhe komisionet e vakfeve që në vitin 1918 numëroheshin 20. Pasuritë e vakfeve në Shqipëri përbëheshin prej godinave e objekteve të destinuara për kultin, prej objekteve të tjera si: shtëpi, dyqane, mullinj etj. dhe pjesërisht prej tokave: kullota, ara, ullishte, pyje. Një pjesë e kësaj formonte fondin qëndror të vakfit dhe administrohej prej drejtorisë së vakfit të vendit. Në fund të vitit 1917 ky fond ishte 118 mijë korona pasuri e patundur; 15 mijë korona kapital dhe pasuri e tundshme 133 mijë korona.[18]
PËRDORIMI I GJUHËS SHQIPE RRETH SIMBOLEVE TË FESË
“Si për çështjet e sheriatit e të tjera, me qenë se korrespondenca do të bahet në gjuhën kombëtare, Gjyqi i Naltë i Sheriatit e shef të nevojshme që edhe gjyqtarët e zyrave të kadi-myftiut e të naibave të dinë me këndue e me shkrue mirë gjuhën shqipe. Prandaj u bajmë me ditë se që nga data e këtij urdhëri, (do nëpunës sheri ka me qenë i detyruem për mësimin e gjuhës amtare si me shkrim, ashtu dhe me këndim. Të gjithë nëpunsit do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës që do të kontrollohet nga inspektimi…”.[19]
“Jeni të porositun nga ana e këtij gjyqi se pas sodi të mos përdorni fare vulat turqisht ndër aktet zyrtare e të mbaroni sa më parë një vulë me shqiponjë”.[20]
Duke marrë parasysh përparimet e mëdha që kishte bërë gjuha shqipe në vitet e fundit për sa i përket terminologjisë dhe frazeologjisë, përdorimi i gjuhës turke në gjyqet e sheriatit u kufizua edhe më tej në mënyrën më të rreptë. Tani protokollet e zhvillimit të gjyqeve, sipas udhëzimeve të Këshillit të Naltë të Sheriatit, mbahen në gjuhën shqipe. Gjithashtu edhe fjalimet dhe kundërfjalimet, paditë, peticionet e palëve, si: lutjet, paditë, ankesat etj., duhet të përpilohen në gjuhën shqipe. Proceseve organizative dhe administrative të fesë islame në vendin tonë u kundërviheshin edhe qarqe të caktuara shoqërore brenda vendit, me koncepte e mentalitete konservatore të trashëguara nga e kaluara.
Këto shfaqje e detyruan Myftiun e Përgjithshëm, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Sheriatit, H. Vehbi Dibrën t’u dërgonte në qershor të 1917-ës një qarkore zyrave të sherive në qarqe, ku tërhiqte vëmendjen dhe urdhëronte që t’u jepej fund këtyre praktikave: “Tue qenë se sot Shqipëria është një shtet më vete dhe nuk ka ndonjë të përpjekur shtetëror me qeverinë turke – nënvizonte ai, – të luturat të mos bëhen në gjuhën turke, por në shqip dhe sulltani të mos përmendet si mbret i vendit tonë”.[21]
Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e fesë islame qe një detyrë që Këshilli i Naltë i Sheriatit i kishte vënë vetes për të futur elementet kombëtare në administrimin e fesë. Këshilli i Naltë i Sheriatit ngulte këmbë që të gjithë nëpunësit dhe kleri mysliman që ishin në shërbim të popullit, ta mësonin gjuhën shqipe me shkrim dhe lexim dhe ta përdornin atë në kontaktet, predikimet dhe korrespondencën, që mund të kishin në çështjet e përditshme. Kjo kërkesë pasqyrohet në shumë dokumente, si: qarkore, urdhra e udhëzime, dërguar zyrave të sheriatit në qarqe, prefektura e nënprefektura dhe shtypit të kohës. “Ndër të gjitha zyrat e sheriatit, do të përdoret gjuha kombëtare, si në korrespondencën zyrtare, ashtu dhe ndër akte e regjistra të tjera jashtë gjyqeve. Prandaj jeni të urdhëruar mos me përdorë gjuhën turqishte ndër akte zyrtare, – udhëzonte urdhri i datës 14 dhjetor 1920. Nga ky shkak sekretaret ashtu dhe shkruesit e gjyqeve sheri janë të detyruem me ditë gjuhën kombëtare mirë, si me shkrim, ashtu dhe me këndim. Veç kësaj ilameve (vendimeve) sheri përherë do t’u ngjitet një shkurtim në gjuhën shqipe”.
Në një urdhër tjetër, qe u dërgohej gjyqeve të sheriatit të Tiranës, të Korçës, të Shkodrës, të Gjirokastrës, të Elbasanit, të Vlorës dhe të Beratit thuhej: “Si për çështjet e sheriatit e të tjera, me qenë se korrespondenca do të bahet në gjuhën kombëtare, Gjyqi i Naltë i Sheriatit e shef të nevojshme që edhe gjyqtarët e zyrave të kadi-myftiut e naibave të dinë me këndue e me shkrue mirë gjuhën shqipe. Prandaj u bajmë me ditë se që nga data e këtij urdhri, çdo nëpunës sheri ka me qenë i detyruem për mësimin e gjuhës amtare si me shkrim, ashtu dhe me këndim. Të gjithë nëpunësit do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës që do të kontrollohet nga inspektimi që do të organizohet nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit”.[22]
Insistimi i H. Vehbi Dibrës për këtë çështje ishte i vazhdueshëm dhe këmbëngulës. Në dhjetor 1921, ai u shkruante gjyqeve të Sheriatit në prefektura: “Nga shumë lutje dhe akte që i paraqiten Gjyqit të Naltë të Sheriatit, ashtu dhe gjyqeve që varen prej tij, shihet se po shkruhen turqisht. Si populli që u sillet këtyre gjyqeve, ashtu dhe nëpunësit e tyre, me qenë se janë shtetas shqiptarë dhe flasin të gjithë një gjuhë (shqipen), me qenë se gjykatat e sheriatit mbështesin qeverisjen e shtetit, i cili përdor zyrtarisht gjuhën kombëtare, ju porositim rreptësisht ndalimin e akteve dhe të lutjeve të sipërpërmendura në gjuhën turke dhe ju urdhërojmë mos me pranue fare si ato që iu paraqiten këtij Gjyqi. Janë të ndaluar nëpunësit sheri me përdorë gjuhën turke mbi çdo akt zyrtar”. Gazeta “Mbrojtja Kombëtare” e datës 12 maj 1921, duke botuar këtë qarkore të plotë, nën firmën e H. Vehbi Dibrës, nënvizonte shënimin e vet: ” Zotit Myfti të Përgjithshëm i drejtojmë duartrokitjet tona”.[23]
Vlen të theksohet se H. Vehbi Dibra ndoqi dhe kontrolloi vetë zbatimin e këtij urdhri. Në një korrespondencë me Gjyqin e Tiranës, ai shkruante: “Ngjitun u kthehet shkresa nr. 37, 21 shkurt 1922, dërguar Gjyqit të Naltë të Sheriatit, për shkak se është shkrue në gjuhën turqisht. Meqenëse korrespondenca duhet ba në shqipen zyrtare, jeni të porositun për të dytën herë që të mos i dërgoni këtij gjyqi shkresa të shkrueme në gjuhën turqisht, se nuk do të kryhet asnjë formalitet mbi ta”.[24]
Deri sot nuk është trajtuar çështja e simboleve të fesë islame, sidomos historiografia e tyre. Në dokumente rezulton se krahas punës për ndërtimin dhe organizimin e institucioneve dhe të dikastereve të fesë islame pas Shpalljes së Pavarësisë, H. Vehbi Dibra i kushtoi vëmendje edhe punës me simbolet e fesë, me qëllim që edhe ato të kishin tipare krejtësisht kombëtare. Këtë e konstatojmë qysh në krijimin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit më 1916, për të cilën u përdor një vulë, e cila në fillim ishte e thjeshtë, por që ndryshonte dhe nuk shëmbëllente aspak me vulat e përdorura në kohën e sundimit osman. Ndërsa në vitin 1921 vula do të përsosej dhe do të fitonte tipare të reja kombëtare, si në përmbajtje ashtu dhe në formë, me vendosjen në të të shkabës dykrenare të flamurit tonë kombëtar.
Në vitin 1921 ai i shkruante Gjyqit të Sherisë së Vlorës: “Jeni të porositun nga ana e këtij gjyqi se pas sodi të mos përdorni fare vulat turqisht ndër aktet zyrtare e të mbaroni sa më parë një vulë me shqiponjë”.[25] Në këtë mënyrë H. Vehbi Dibra futi praktikisht edhe në institucionet fetare simbole të marra nga flamuri kombëtar. Pas këtij urdhri të gjitha zyrat e sherive në prefektura përgatitën vula me shqiponjën dykrenare. Por meraku i H. Vehbi Dibrës shkonte edhe më tutje; ai ishte njeri skrupuloz për ruajtjen deri në detaje të përmbajtjes e të formës së këtyre simboleve. Kjo duket në faktin se kur në një shkresë që i dërgonin atij sheritë konstatoi se shqiponja e vulës paraqitej e deformuar dhe nuk i shëmbëllente plotësisht shqiponjës së flamurit, ai e bëri këtë gjë problem dhe kërkoi që nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Legatës Shqiptare në Londër, të prodhoheshin atje modele të shqiponjës për t’i marrë si model në vulat e sherive. Lidhur me këtë H. Vehbi Dibra i shkruante Gjyqit të Naltë të Sheriatit në Shkodër në korrik të vitit 1922: “Tue qenë se forma e shkabës së flamurit kombëtar dhe ajo e vulave nuk u ngjajnë njëra-tjetrës, mbasi nëpër disa vende shkaba i ka krahët përpjetë e në disa të tjera përposhtë, për t’i dhënë fund kësaj çështjeje me rëndësi… ndër katër shkabat e zografisura në Londër të pranohet ajo që përmban nr. 3, kopjen e së cilës po jua dërgojmë, me lutje që t’u komunikohet për veprim gjithë degëve të sherive që mvaren prej asaj zyre”.[26][27]
[1] Arkivi i Institutit të Historisë. Materiale të Arkivit të Vjenës, dosje 28 – 68.
[2] Fan S. Noli si kryetar i Dergates Shqiptare, ne fjalen e mbajtur me 25 qershor 1921 e preku
kete çeshtje per t’ju kundervene shpifjeve antishqiptare: “Mbas statistikave t’autoriteteve ushtrore
franceze, ne Korçe ka 41,070 te krishtere e 82,245 myslimane; keta te’ fundit, mbas shumice’s
së tyne do te kishin te drejte me zgjedhe edhe nje here ma shume deputete se te paret, e pra
qene zgjedhe 5 deputete myslimane. N’Elbasan, ku te krishtenet nga shkaku i numrit te tyne,
nuk e kishin te drejten me zgjedhe asnji deputet, qene zgjedhe dy deputete te krishtene! Nder
vise te Dibres, ku nuk ndodhet asnji familje e krishtene, zgjedhesit myslimane t’asaj krahine
zgjodhne dy deputete te krishtene, nga Shqypnija e Jugut. Pra çdo kritike’ mbi kete çeshtje asht e tepert… Parlamenti i Shqypnise asht i perbame prej 78 perfaqsuesvet, prej te cilevet 32 jane te krishtene, qe i bjen 41 perqind. Deri Kryetari e Sekretari i Parlamentit qene zgjedhe te krishtene. Nji harmoni e tillë e brendshme a thua valle duket nder te gjitha shtetet?” (Fjala e Emzot Nolit, përk. Hile Mosi, “Agimi” – Shkodër, 4, 1921: 73-74; Kahreman Ulqini, 1999: 104 – 105).
[3] Shih: Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj. 1963, fq. 130.
[4] AIH. Materiale te Arkivit te Vjenës, viti 1916, dosja 116, dok. 2189, fq. 735.
[5] AQSh. Fondi 482, viti 1917, dosja 19, fleta 30.
[6] Po aty, dosja 2.
[7] Po aty, viti 1919, dosja 10.
[8] AIH. Materiale te Arkivit te Vjenës, dosje 28 – 68.
[9] AQSh. Fondi 482, viti 1922, dosja 8, fleta 11.
[10] AQSh. Fondi 155, viti 1922, dosja 8.
[11] AQSh. Fondi 482, viti 1922, dosja 8.
[12] Shkenca e vlerësimit juridik islam.
[13] Shkenca e aplikimit te trashëgimisë, sipas fesë islame.
[14] AQSh. Fondi 482, viti 1922, dosja 8, fleta 32.
[15] Protokoll: Sot me 10 fruer 1918, ditën e djelë në ora 9 para dite, u mblodh Komisioni i Vakufit të krahinës së Shkodrës nën kryesine e Molla Rustem Begut . . . mbasi populli i kësaj lagjeje (është fjala për meremetimin e xhamisë së Dërgutit – shenim i A. Bashës) nuk ep asnjë ndihmë, u vendos që t’i shkruhet Drejtorisë së Përgjithshme të Vakufeve për deftesat e mytevelisë… (AQSh. Fondi 482, viti 1917, dosja 5).
[16] AQSh. Fondi 178, viti 1920 ; dosja I -33. Shkresa nr. 664, dt. 29.III.1920.
[17] Drejtoria e Pergjithshme e Arkivave te Shtetit. 1982, fq. 398, dok. 371.
[18] AIH. Materiale të Arkivit të Vjenës. Viti 1918. Dosja 28 – 69, fq. 55 .
[19] AQSh. Fondi 482, viti 1921, dosja 9, fleta 1.
[20] Po aty, dosja 14 fleta 2.
[21] Po aty, viti 1917, dosja 39, fleta 1.
[22] Po aty, viti 1921, dosja 9, fleta 1.
[23] “Mbrojtja Kombëtare”, 21 maj 1921.
[24] AQSh. Fondi 482, viti 1922, dosje nr. 7 fleta 3.
[25] Po aty, viti 1921, dosja 14 fleta 2.
[26] Po aty, viti 1922, dosja 3, fl. 5.
[27] Material i shkëputur nga Basha, Ali, “Rrugëtimi i fesë Islame në Shqipëri” (1912-1267), Tiranë 2011: 20-27.
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Jul 02, 2024 0
Mr. Habib Ebibi Hyrje Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...