Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Nov 15, 2013 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi 0
USH “Luigj Gurakuqi”
Departamenti i Gjuhësisë
“Hafiz Ali Korça i përket atij brezi ideologësh e organizatorësh, që më veprimtarinë e tyre i bënë një shërbim të denjë çështjes së zgjimit dhe bashkimit kombëtar, çështjes së tërësisë dhe pavarësisë së Atdheut dhe çështjes së përparimit të kombit”.[1]
“Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre është edhe Hafiz Ali Korça”, shkruan Dr. Ramiz Zeka në librin e tij: “Zhvillimi i kulturës Islame te shqiptarët gjatë shekullit XX”, ribotim, Tiranë, 2002, dhe vazhdon “…i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime, që e ngritën lart emrin e tij”.[2]
Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si “Gjylistani”, “Rubairat”, si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin në shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O. Kajamin etj., siç la një kontribut të shquar me veprat origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike në një periudhë të gjatë kohore mes viteve 1900-1942.[3]
Duke folur për jetën e tij, autorët thonë se Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash, që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.
Kujtojmë se më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”, ku shprehu pikëpamjet e tij për komunizmin.
Dr. Zeka duke vazhduar thotë se ai na ka lënë një numër të konsiderueshëm veprash, në mes të cilave me një rëndësi të veçantë edhe tekstet shkollore, si: “Abetare shqip” (1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914), “Gramatika, Sintaksa shqip-arabisht dhe fjalime” (1916) etj.
Ne do të ndalemi pikërisht për këtë tekst, në një këndvështrim të ri ndryshe (nga ajo që kemi shkruar më parë).[4]
Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, në prag të Pavarësisë, forcat intelektuale shqiptare u angazhuan me nisma konkrete për krijimin e një shtetit të pavarur shqiptar me mësonjëtore shqipe, tekste në gjuhën amtare, mësues shqiptarë, alfabet të përbashkët.
Botimi i abetareve shqip ishte një ndër rrugët më konkrete dhe më popullore për realizimin e këtyre ideve.
Një nga autoritetet e kohës që mori pjesë aktive në këto ndërmarrje qe edhe Hafiz Ali Korça, i njohur si erudit, poliglot, mësues i “Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës”, (…“bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e kësaj shkolle… Aty dha pa pagesë Edukatën Islame.”[5] përfaqësues i nacionalizmit shqiptar, i dënuar me vdekje për pikëpamjet e tij.
Hafiz Ali Korça siç duket i njihte dhe i kishte parasysh abetaret e deriatëhershme që nga Veqilharxhi, Mjeda, Gurakuqi, Boriçi, S. Frashëri, abetaret anonime etj., të botuara deri në atë kohë dhe ndikohet prej tyre.
Hafiz Ali Korça u radhit në radhët e ithtarëve të përdorimit të alfabetit latin. Me këtë alfabet ai botoi tekstin shkollor “Abetare”[6].
Abetarja, botuar më 1910, është shtypur në shtypshkronjën “Korça” në Korçë, gjeti miratim të përgjithshëm në publik, sepse ishte në korrent të lëvizjes arsimore-kulturore për alfabetin shqip.
Botimi kësaj abetareje për mësimin e gjuhës shqipe me alfabetin latin nga një përfaqësues i klerokracisë myslimane ishte një sukses për çështjen kombëtare, sepse dilte në mbrojtje të alfabetit të përbashkët dhe përjashtonte përdorimin e alfabeteve të tjera.
Në këtë tekst autori përdori dy alfabete: Alfabetin e Stambollit (variantin e vitit 1884) dhe alfabetin e Kongresit të Manastirit (1908). Kështu autori bëri i pari publikimin e këtij alfabeti në një abetare dhe është meritë e Hafiz Ali Korçës.
Po cila është përmbajtja e kësaj abetareje dhe nga ç’metodë niset ajo?
Kjo abetare nuk sjell ndonjë gjë të re. Ajo është e tipit të zakonshëm dhe i përmbahet thuajse njëlloj traditës së abetareve të mëparshme.
H. Ali Korça e ndërtoi abetaren e tij sipas metodës fonetike dhe e ndau lëndën në njësi mësimore, duke u mbështetur në renditjen alfabetike të shkronjave të vogla të shtypit. Në 17 njësi mësimore ajo bën objekt përvetësimin e 36 tinguj-shkronjave të gjuhës sonë. Çdo njësi mësimore është mjaft e ngarkuar, sepse numri i fonemave të përfshira në secilën është 8-9, por ato rimerren në mësimet në vazhdim, me qëllim që të përvetësohen sa më mirë.
Copat e leximit që vijnë menjëherë pas pjesës së shkronjave, janë të gjitha në prozë. Ato përshkohen nga edukimi moral dhe janë të lidhura me problemet e jetës së përditshme dhe synojnë t’i edukojnë nxënësit me vetitë e mira morale, si: dashurinë për Allahun (xh.sh.), mirësjelljen, dashurinë për prindërit dhe njëri-tjetrin etj. Fjalët e urta të nxjerra nga folklori popullor dhe që janë vendosur në fund të tekstit, ia shtojnë vlerat edukative të saj.
Përmbajtja e disa pjesëve ndonëse është e vështirë për moshat e mitura, por mendojmë se autori e ka bërë edhe për moshat e rritura, që kishin nevojë edhe ato për një tekst të tillë dhe u ka shërbyer edhe të rriturve.
Botimi i kësaj abetareje përbën një kontribut të madh në kushtet e pushtimit, mungesës së librave në gjuhën shqipe, në prag të Pavarësisë. Teksti ka përmbajtje pa asnjë dallim fetar, gjë që përçon platformën e rilindësve në planin e edukimit atdhetar dhe arsimor.
Abetarja ka një vëllim të konsiderueshëm dhe shërbeu për disa vite me radhë për mësimin e lexim-shkrimit të gjuhës shqipe nga masat e popullit.
Ndryshe nga shumë abetare të tjera, mësimi i shkronjave të dorës jepet në fund të tekstit. Këtu jepet edhe një pasqyrë përmbledhëse e tyre, me shkronja të vogla e të mëdha, përkatësisht sipas dy alfabeteve të përdoruara në abetare.
Vlerat e kësaj abetareje janë të veçanta sepse është i pari ndër shqiptarët, autorë të Abetareve shqipe që ka botuar një tekst me Alfabetin e Kongresit të Manastirit, 1908. Hafiz Ali Korça, vazhdon punën e filluar rreth 50 vjet më parë H. Daut Boriçi, më 1861, që hyri si atdhetar, didakt, tekstolog dhe si organizator i arsimit popullor (për të cilin do të flasim në një shkrim tjetër) dhe zë vend të nderuar në rreth 220 abetaret e botuara në gjithë historinë e abetareve shqipe, brenda dhe jashtë vendit, si: në Bukuresht, Stamboll, Bruksel, Sofje, Vjenë, Napoli, Selanik, Athinë, Paris, Milano, Bari, Worçester, Lajpcig, Konstancë dhe Aleksandri të Egjiptit.
[1] Hafiz Ali Korça në Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Enciklopedi, 100- personalitete shqiptare të kulturës Islame, shekulli XIX-XX, Editor Genti Kruja, Andrin Rasha, Tiranë, 2012, fq. 24-27
[2] Hafiz Ali Korça (1874-1957) Shih: Sadik Bega, “Hfz. Ali Korça” në rev. “Kultura Islame” 1941/ Nr. 3-4, fq. 102-107.
[3] Shih më gjatë librat në fjalë.
[4] Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”. Botim i MASH, Shtëpia botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000, fq. 366.
[5] Dr. Ramiz Zeka,“Zhvillimi i kulturës Islame te shqiptarët gjatë shekullit XX”, Ribotim, Tiranë, 2002, fq. 318
[6] Shih frontespicin e librit në fjalë.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 03, 2020 0
Oct 26, 2020 0
Jul 10, 2020 0
Nov 21, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...