Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Nov 03, 2013 Zani i Nalte Sociologji 0
nga Dr. Genti Kruja
Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta kanë hyrë në vitin jubilar të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit, shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Kështu është një fat që bashkësitë islame shqiptare ndërmorën nismën e organizimit të kësaj konference shkencore, për të ndriçuar jo pak historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim dhe aspirata në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore te shqiptarët, nëpërmjet figurave të ndritura të prijësve myslimanë shqiptarë.
Kur hulumtojmë mbi librat e historisë shqiptare, por fatkeqësisht jo shumë asaj të botuar dhe zyrtare, por asaj arkivore dhe që akoma nuk njihet shumë, e flet për këto lëvizje dhe përpjekje mbarëkombëtare, kupton se një rol të jashtëzakonshëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët në shumë raste ishin prijës myslimanë me detyra të larta fetare, ku në kushtet dhe rrethana të ndryshme dhe shpesh herë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit tonë.
Periudha e Rilindjes, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Dibrës, i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, e në vazhdimësi përbëjnë kauzën shekullore shqiptare në mbrojtje të vlerave kombëtare. Dhe padyshim se kësaj epoke të vështirë iu bashkëngjitën edhe dijetarët myslimanë shqiptarë, madje në shumë raste roli i tyre ishte vendimtar.
1.1.
Me shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912, krahas figurave patriotike të të gjitha besimeve në vendin tonë, do të ishin pikërisht prijësit myslimanë, hoxhallarë, myderrizë, imamë, pedagogë e studiues, të cilët të brumosur me kulturën e lartë islame dhe atdhedashurinë ndaj vendit të tyre, shkruan me jetën dhe veprat e tyre historinë e lavdishme të vendit tonë.
Në fakt, liria e fesë është më e vjetra ndër të drejtat e njeriut të njohura ndërkombëtarisht dhe çdo ditë e më shumë vërtetohet fakti se, jeta fetare nuk venitet. Argumenti më i fuqishëm për ta mbrojtur atë është se liria e ndërgjegjes, feja dhe besimi mbështeten në thelbin e dinjitetit njerëzor. Periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë dhe e luftërave të ndryshme në mbrojtje të trojeve shqiptare, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të atyre kohërave, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit, duke u vlerësuar se diversiteti fetar ka qenë dhe është një pasuri kombëtare, falë kjo prijësve të shquar fetarë. Një realitet ky i cili herë pas here vlerësohet edhe nga opinioni ndërkombëtar. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, klerikët myslimanë, së bashku me ata të besimeve të tjera, radhiteshin mes personaliteteve politike e shoqërore dhe krah përpjekjeve të lëvizjes kombëtare.
Shqipëria përgjatë historisë së saj ka qenë një shembull se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin.
Periudha e Rilindjes, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Dibrës, i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, përbëjnë kauzën shekullore shqiptare në mbrojtje të vlerave kombëtare. Padyshim se kësaj epoke të vështirë iu bashkëngjit dhe kleri mysliman shqiptar, madje në shumë raste ai ishte vendimtar.
I zgjedhur në krye të Pleqësisë më 1912 me propozim të Luigj Gurakuqit, H. Vehbi Dibra u ngarkua nga kuvendi me detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë për organizimin e Komunitetit Mysliman në maj 1913 dhe më 24 shkurt 1923 në Kongresin e Parë Mysliman, mbajtur në Tiranë, ku kishte një përfaqësi mbarëkombëtare, Kryemyftiu i Shqipërisë i emëruar nga qeveria e Vlorës, do të zgjidhej si kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Në muajin mars të vitit 1924, me vendim të Kongresit të Parë Mysliman, u hap Medreseja e Naltë, e më vonë u quajt Medreseja e Përgjithshme e Tiranës. Këtë shkollë, e cila shumë shpejt u bë djepi i dijes dhe kulturës kombëtare, e kanë drejtuar personalitete të shquara si: Qamil Bala, Hafiz Ismet Dibra, Jonuz Buliqi, Haki Sharofi, Esat Myftia, Sherif Putra etj.
Më pas shkrimet kundër ideve komuniste vijnë te revista “Zani i Naltë” që në numrat e parë të botimit të saj më 1923. Kurse gjatë kohës së komunizmit, të gjithë ata hoxhallarë dhe atdhetarë, që kundërshtuan idetë shkatërrimtare të këtij regjimi, u përndoqën, u burgosën, u internuan dhe u vranë, por as kjo nuk mundi të shkulë rrënjët e besimit në vendin tonë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, për herë të parë në këtë lloj, me rastin edhe të 100 vjetorit të pavarësisë ka hartuar një enciklopedi të përbërë prej 100 personaliteteve të shquara shqiptare të kulturës islame, të cilët kryesisht janë dijetarë dhe prijës fetarë, por nuk mungojnë edhe myderrizë, profesorë katedrash universitare, udhëheqës politikë, deputetë, senatorë, ministra, mjekë, kryetarë parlamenti, kryetarë bashkish, liderë dhe udhëheqës të lartë të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, në trojet tona dhe diasporë. E përbashkëta e këtyre është se ishin të brumosur me besimin e lartë islam dhe me dashurinë për atdheun dhe shërbimin ndaj vendit dhe popullit shqiptar, por jo vetëm.
Shumica e këtyre figurave të ndritura janë shkolluar dhe diplomuar në universitetet e shquara të botës islame të asaj kohe, si në Stamboll, Kajro, e vende të tjera dhe në mjaft raste, disa prej tyre për shumë kohë kanë qenë pjesë e stafit akademik të atyre katedrave, që dikur kishin qenë vetë studentë. Një prej figurave më të shquara mund të përmendet edhe Hoxha Hasan Tahsini, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si dhe shumë të tjerë, të cilët shërbyen si pedagogë në universitetet dhe medresetë e Stambollit, Edirnesë, Kajros, etj.
Në këtë enciklopedi, këto figura historike shtrihen nga mesi i shekullit të XIX deri në fund të shekullit XX, por kryesisht i përkasin plejadës së rilindësve dhe dijetarëve të një fillimshekulli, si ai XX, plot dallgë historie dhe ngjarjesh të shumta në përpjekje për krijimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve zyrtare, qofshin ato shtetërore, apo fetare.
Disa prej figurave më të shquara shqiptare të kulturës islame:
1.2. H. Vehbi Dibra
Me shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912, krahas figurave patriotike të të gjitha besimeve në vendin tonë, do të ishin pikërisht prijësit myslimanë, hoxhallarë, myderrizë, imamë, pedagogë e studiues, të cilët të brumosur me kulturën e lartë islame dhe atdhedashurinë ndaj vendit të tyre, shkruan me jetën dhe veprat e tyre historinë e lavdishme të vendit tonë. Në krye të tyre vjen Haxhi Vehbi Dibra, i cili do të firmoste aktin e pavarësisë, duke i dhënë një shtysë të fortë themelimit të shtetit shqiptar. Ai ishte gjithashtu kryetari i parë i Pleqësisë (Kuvendit, apo Senatit) Shqiptar.
H. Vehbi Dibra njihet edhe si komentuesi më i mirë i Kur’anit në gjuhën shqipe.
Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit.
Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit.
Në Qeverinë e Parë të Shqipërisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë.
Kur Ismail Qemali për ndonjë arsye, mungonte, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte.
Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Në vitin 1916, nuk qe e rastit kur ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit.
Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1929.
Komuniteti që fitoi njohjen juridike, filloi të botojë revistën e përmuajshme “Zani i Naltë”. Ai ndikoi në hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë. Më 1935 H. Vehbi Dibra shkon për herë të dytë në Haxh.
Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë.
Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari.
Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939.
H. Dibra ishte një nga komentuesit më të shkëlqyer të Kur’anit në gjuhën shqipe. Këto ligjërata të mbajtura në xhami janë botuar në revistën “Zani i Naltë”. Ndërsa në vitin 1993 botohen të plota në Detroitit, SHBA nga Imam Vehbi Ismaili, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani?”
Të gjitha cilësitë e teologut mysliman përsonifikoheshin te Vehbi Dibra, imam dhe haxhi, kryemyfti dhe kryetar senati, vaiz dhe komentator i Kur’anit. Kryesoi dhe drejtoi për vite me radhë teologët më të shquar shqiptarë.
Në komentin që i bënte Haxhi Vehbiu disa citateve Kur’anore thoshte:
“Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye, me drejtësi…”
Në planin politik te Haxhi Vehbiu gjejmë një propagandist të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut. Në unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë. Ai do të thoshte në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 se “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”; “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.
Vehbi Dibra për çdo veprim mbështeti Ismail Qemalin. Kur u nis në krye të delegacionit, Ismail Qemali, la në krye të Qeverisë së Përkohshme Vehbi Agollin (Dibrën), i cili nga data 30 mars 1913, për dy muaj rresht kryesoi qeverinë në mbledhjet e saj, madje përballoi lakmitë serbe e malazeze dhe organizoi kryengritje shqiptare në mbrojtje të trojeve, që udhëhiqeshin nga Bajram Curri, Elez Isufi, Hasan Prishtina etj. dhe se mbajtja e tërësisë tokësore mund të bëhet vetëm me armë dhe se kryengritësit patën mbështetjen e qeverisë së përkohshme dhe veçanërisht të Vehbi Dibrës.
Vlen të theksohet se pas vitit 1925, Vehbi Dibra i përkushtohet tërësisht punëve të Komunitetit Mysliman dhe u shkëput nga veprimtaria e drejtpërdrejtë politike, sido që deri në frymën e fundit ai pati për moto Fe – Atdhe, këtë binom.
Haxhi Vehbi Dibra u nda nga kjo jetë, kaloi në jetën e vërtetë, më 24 mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare…
Në fjalën e Imzot Vissarionit, kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mbajtur me rastin e ceremonisë mortore të Haxhi Vehbi Dibrës, shihet vlerësimi maksimal që i bën lideri ortodoks një lideri mysliman, duke e thënë edhe vetë, se mund të jetë ndoshta rasti i vetëm dhe unikal në botë, sidomos për atë kohë, kur një kryeprift mban një ligjëratë në varrimin e një kryehoxhe.
Ndër figurat të tjera më të spikatura mund të përmendim shkurtimisht disa prej tyre:
Hafiz Ali Korça (1873-1957)
Publicist dhe shkrimtar, atdhetar i shquar.
Hasan Tahsini (1811-1881)
Rektor i parë i universitetit të Stambollit. I dekoruar me titujt:
Mësues i Popullit” (1961), Urdhrat “Për veprimtari patriotike” të kl. II-të (1962), dhe “Naim Frashëri”, kl. I-rë (1995)
Sheh Ibrahim Karbunara (1879-1947)
Klerik, patriot e politikan i pushkatuar nga komunizmi.
Hafiz Ibrahim Repishti (1882-1943)
Deputet, klerik, politikan
Personalitet i shquar i jetës qytetare, politike, shoqërore e fetare, luftëtar në mbrojtje të trojeve tona dhe kontribuues në arsim, si kryetar i Këshillit Arsimor të Bashkisë Shkodër (1919), anëtar i Asamblesë Kombëtare e deputet, klerik i përkushtuar për Fe e Atdhe.
Hoxha Kadri Prishtina (1878-1925)
Avokat, Deputet, Ministër i Drejtësisë në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Mahmud Hastopalli
Myderriz, Atdhetar i Rilindjes Kombëtare, i dekoruar me medaljen “Për kontributin patriotik që ka dhënë, për propagandimin e tij aktiv në klubet patriotike që punonin për çlirimin e Shqipërisë”.
Vildan Faik Dibra (?-1925)
Mbrojtësi i Alfabetit Shqip.
Hafiz Xhemal Mullaj (1881-1959)
Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi”, Stamboll, Deputet, Nënkryetar i Asamblesë.
Xhemal Naipi (1887-1955)
Kadi, kryetar komisioni i arsimit, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, senator, deputet, kryetari i parë i parlamentit pluralist, intelektual i shquar fetar e atdhetar. I dekoruar me Urdhërin “Për veprimtari patriotike të Klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”.
Ymer Haxhi Prizreni (1826-1886)
Myderriz, Myfti, Udhëheqës i qeverisë së Lidhjes së Prizrenit.
H. Hafiz Abaz Golemi (1870-1925)
Drejtor i parë i shkollës shtetërore të Parrucës (1913-1925)
MËSUES I POPULLIT (1993), me këtë motivacion:
Mësues dhe drejtor i shquar që punoi me pasion tërë jetën për edukimin dhe formimin moral e qytetar të nxënësve, për ngritjen e përparimin shoqëror, shembull devotshmërie e përkushtimi ndaj idealeve njerëzore për mirëkuptim, bashkëpunim e drejtësi shoqërore, që themeloi e drejtoi plot autoritet shkollën e Parrucës në agimet e arsimit tonë shtetëror.
Haxhi Ali Derhemi (1850-1938)
Kryetar i Bashkisë së Tiranës (1923-1924). I dekoruar me urdhërin “Skënderbeu”, Klasi I”, 1937.
Haxhi Ali Elbasani (1835-1928)
Patriot dhe predikues, Kryetar i Klubit “Bashkimi” dhe “Komiteti i zgjimit dhe i besës shqiptare”.
Hafiz Ali Podgorica (1855-1929)
Kryetar i parë i Bashkisë Durrës (1909-1912), Kadi e Myfti i Durrësit, Ngritës i Flamurit në Durrës. I dekoruar me urdhërin e Klasit I në vitin 1992, “Qytetar nderi i Durrësit” 1996, “Mirënjohje e qytetit të Durrësit” 2005.
Daut efendi Boriçi (1825-1896)
Drejtor Arsimi, Kryetar i Lidhjes së Prizrenit – Dega Shkodër, Gjuhëtar, Autor Abetaresh dhe Fjalorësh.
Ferit Vokopola (1887-1967)
Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, Deputet në Vlorë e Berat, Ministër i Bujqësisë (1927-1928), Teolog, Ekonomist, Poet, Publicist, Themelues i Organizatës “Drita Hyjnore”, Drejtor i Revistës “Njeriu”.
Hoxhë Hasan Moglica (1852-1915)
Atdhetar me përmasa mbarëkombëtare, klerik, luftëtar dhe dijetar i shquar.
Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952)
Dijetar dhe publicist, iniciues në hapjen e shkollave të vajzave në Tiranë.
Haxhi Ibrahim Kaduku (1869-1949)
Myfti, pedagog universiteti në Stamboll dhe Kajro, drejtor i parë i medresesë Shkodër. I dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri të Klasit I” me këtë motivacion: “Klerik që iu kushtua tërë jetën çështjes së lartë të edukimit fetar dhe atdhetar të popullit, i devotshmërisë së lartë, i formimit intelektual, mësues dhe edukator i nderuar”, si dhe “Qytetar Nderi” i Shkodrës, më 2012.
Ismail efendi Ndroqi (1876-1944)
Myderriz, hoxhë, pedagog, kadi, myfti, gjuhëtar, atdhetar, Kryetari i parë i Bashkisë Tiranë, si kryeqytet.
Mytesim Këlliçi (1866-1924)
Myfti, Kadi në Kavajë, Durrës e Tiranë.
Qamil Bala (1878-1933)
Drejtor i Arsimit në Bagdat, Inspektor i Përgjithshëm i Arsimit në Siri, Drejtor i Gjimnazit në Jeruzalem, mësues në Manastir e Selanik, Drejtor i parë i Medresesë së Tiranës, Deputet 1924.
Rexhep Voka (1847-1917)
Myfti i Vilajetit të Manastirit
I dekoruar me Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë, me motivacion:
“Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”, Tiranë, 1993.
Said Najdeni “Hoxhë Voka (Vogli)” (1864-1903)
“Nuk vuaj për para e për grada por për komb e atdhe”.
Hafiz Sherif Langu (1877-1956)
Patriot i shquar, aktivist në çështjet kombëtare, kryetar i Komunitetit Mysliman në vitet 1942-1945.
Zyber Hallulli (1842-1927)
Atdhetar i shquar, kryetar bashkie i Tiranës, hapës i shkollave shqipe dhe i jetimores së parë në Shqipëri, që edhe sot Shtëpia e Fëmijës e Tiranës mban emrin e tij.
Hafiz Adem Kazazi (1880-1944)
“Klerik i përkushtuar në shërbim të njerëzve, atdhedashës, humanitar dhe promotor i përdorimit të gjuhës shqipe në ligjërata dhe tubime qytetare.”
Jusuf efendi Tabaku (1797-1904)
Myfti që hapi dinastinë e myftive në Shkodër, drejtues i Komisionit të Ndihmave për ulqinakët e ardhur gjatë luftës, personalitet i shquar me një kontribut të veçantë në jetën kulturore, arsimore, shkencore e fetare të vendit.
Haxhi Muhamed Shaban Efendi Domnori (1868 -1934)
Shembull i ndritur për të gjithë besimtarët, prijës islam i Tarikatit Tixhani, përhapës i kulturës, qytetarisë dhe virtyteve më të larta në Shkodër dhe mbarë trojet shqiptare.
Hafiz Musa Dërguti (1888-1961)
Pishtar i Demokracisë, hoxhë i nderuar, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, në ndihmë të nevojtarit, atdhetar e antikomunist, promovues i tolerancës dhe bashkëjetesës.
Sheh Qazim Hoxha (1893-1959)
Klerik i përkushtuar në edukimin e brezave me moralin e lartë shpirtëror, interpretues i Kur’anit Famëlartë, kontribuues i shquar në ngritjen e institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Haxhi Hasan Alia (Sheh Shamia) (1814 -1891)
Reformator i gjendjes social-kulturore dhe administrativo-politike të qytetit të Shkodrës, aktiv i çështjes kombëtare, prijës i shquar islam.
Vehbi Ismaili (1919-2008)
Themelues i Qendrës së parë Islame Shqiptare në Amerikë, patriot i shquar dhe prijës i lartë islam, edukues me moral islam dhe atdhetar i mijëra emigrantëve shqiptarë në SHBA dhe më gjerë.
Xhemal Naipi (1887-1955)
Kadi, kryetar komisioni i arsimit, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, senator, deputet, kryetari i parë i parlamentit pluralist, intelektual i shquar islam.
Dhe qindra e qindra të tjerë..
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 30, 2022 0
Dec 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...