Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 30, 2013 Zani i Nalte 90 vjet “ZANI I NALTË”, Studime 0
Shekulli i XX-të konsiderohet si fillimi i rregullt i periodikut islam shqiptar. Atë e gjejmë të gjallojë që me krijimin e shtetit shqiptar dhe mund të konsiderohet se mori fizionominë e u institucionalizua me formimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Këtij komuniteti qysh me themelimin e tij, duke vënë nën vartësi institucione arsimore e fetare, nga njëra anë, dhe duke u gjendur para kërkesave të grupeve të intelektualëve, si dhe të teologëve myslimanë nga ana tjetër, krahas botimit të literaturës fetare, që shërbente për kualifikimin e kuadrit fetar, iu bë domosdoshmëri botimi i një organi të mirëfilltë fetar, që do të bëhej tribuna e mendimit islam shqiptar dhe epiqendra e shtypit mysliman jo vetëm në Shqipëri, por sidomos për vitet e para, edhe në vende të tjera ku gjendeshin myslimanë shqiptarë. Kjo domosdoshmëri u kthye në detyrë imediate me vendimet e Kongresit të Parë Mysliman, të mbajtur në shkurtin e vitit 1923 dhe kështu, në tetor të po atij viti doli nr. 1 i revistës “Zani i Naltë”, e cila vazhdoi deri në fillim të vitit 1939, pra rreth 16 vjet.
Është vendi të përmendim se “Zani i Naltë” nuk ka qenë periodiku i parë islam në gjuhën shqipe. Fill pas Shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1913 në Shkodër u botua gazeta “Sedai Milet” (Zëri i Kombit), që dilte pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në turqisht, por me kalimin e kohës kjo gjendje ishte tejkaluar. Tani ishin rritur shumë edhe kërkesat në drejtim të përmbajtjes së këtij lloj shtypi, sigurisht, duke u bazuar në ndjenjën fetaro-atdhetare, duhej bërë përjashtimi i gjuhëve të huaja në botim, pra tani duhej jo vetëm botim më cilësor, por edhe vetëm shqip. Qenë këto nga shkaqet kryesore, që botuesi e mbylli vetë këtë gazetë që në 1914. Gjithashtu, duhet të pohojmë se myslimanët e Vaterbarysë të SHBA nxorën nëpërmjet shoqërisë fetare islame të kësaj qendre revistën fetare “Shqipëria”, që qarkulloi vetëm 1 numër dhe nuk vazhdoi më. Në këtë revistë gjejmë artikuj ku qysh në atë kohë spikat se shqiptarët e mërguar në Amerikë i ruajnë të pacenuara jo vetëm ndjenjat e zakonet kombëtare, por edhe ato fetare. Po kështu, gjejmë artikuj vlerësues për Kur’anin dhe rolin e tij në shoqërinë njerëzore.
Një gazetë tjetër islame në gjuhën shqipe, që filloi në këto kohë qe titulluar “Reforma” dhe doli në Gjirokastër, në tetor 1921 dhe vazhdoi të dalë deri në vitin 1923. Gazeta “Reforma” ka qenë organ dyjavor, por edhe kjo nuk ka pasur jetë të gjatë. Përveç lëndës fetare, aty u botuan edhe artikuj me karakter letrar, shoqëror dhe politik, duke u bërë kështu edhe tribunë për një numër të konsiderueshëm intelektualësh. Përveç temave me karakter fetar si dhe të atyre që trajtonin me dashamirësi problemet e tarikateve, ajo trajtoi me tolerancë edhe problemin e konsolidimit të shoqërisë shqiptare. Nga gazeta “Reforma” gjatë periudhës 1921–1923 u botuan vetëm 8 numra.
Është rastësi, por në tetor të 1923, kur Komuniteti Mysliman në Tiranë filloi të botojë “Zanin e Naltë”, në Shkodër u botua “Udha e s’vërtetës”, kryeredaktor i së cilës qe i mirënjohuri Hoxha Kadri Prishtina, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës. Qysh në numrin e parë kryeredaktori paraqiti në mënyrë koncize programin e revistës, ku përmblidheshin: mësim i parimeve të thjeshta të fesë islame për t’i shpëtuar njerëzit nga shkatërrimi i plotë; për të ngjallë në zemrat e tyre ndjenjat e bashkimit; për të jetuar tok në shoqërinë bashkëkohore. Gjithashtu aty kërkohej që të aktivizoheshin të gjithë dijetarët shqiptarë për t’iu bërë gjymtyrë të dobishme jetës kombëtare e shoqërore, se kështu, – theksohej në atë program, – do t’i japim një impuls zhvillimit mendor të të gjithë popullit. Aty nuk lihej pa përmendur se problemet do të shtriheshin edhe në fushë të filozofisë, sociologjisë e politikës. Edhe kjo revistë nuk pati jetë të gjatë, ajo doli vetëm 3 numra.
Ndërsa gjithçka që u botua para “Zanit të Naltë” dhe në kohën e daljes së tij, patën jetë të shkurtër, kjo nuk ndodhi me revistë të cilën e kemi bërë objekt e po flasim. Qysh në numrin e parë kjo revistë, nëpërmjet programit që shpall, ia bën të qartë lexuesit të vet qëllimin: 1) Me bashkue në një trup të vetëm, të fortë e të qëndrueshëm popullin musliman shqiptar; 2) Me përmirësue gjendjen e vakufeve, të xhamiave, të mesxhideve, të medreseve, të teqeve e të institucioneve të tjera të muslimanizmës; 3) Me i zbulue popullit musliman shqiptar të vërtetat e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikueme, duka ia ngrofun zemrën me dashnin për këtë të vërtetë; 4) Sipas Statutit me plotësue vllaznimin ndërmjet të gjithë elementëve në Shqipëri dhe 5) Me këto mjete, mandej me forcue edhe themelet e një politike thjesht kombëtare në shtetin tonë. Edhe sot po të themelohej në vendin tonë ndonjë revistë që të kishte këtë qëllim, mendoj se nuk do dilej jashtë këtij kuadri programor.
Për të zbatuar programin e shpallur, revista grumbulloi rreth vetes një staf bashkëpunëtorësh të kualifikuar, jo vetëm për problemet e çështjet fetare, por edhe për ato kombëtare e ndërmjet tyre mund të përmendim Hafiz Ali Korçën, Mehdi e Mit’hat Frashërin (Lumo Skëndon), Nebil Çikën e të tjerë dhe ky grup bashkëpunëtorësh erdhi gjithnjë duke u forcuar e freskuar, duke aktivizuar nga teologët, por edhe nga intelektualët më të përmendur të kohës. Meritë e redaksisë së kësaj reviste, duke filluar që nga drejtori i saj i parë, Ismail Maçi nga Tirana, e në vazhdim Hafiz Isa Domni nga Shkodra, Shyqyri Myftiu nga Peqini (vetëm për pak kohë) e Haki Sharofi nga Dibra, nuk është se u aktivizuan vetë për të shkruar apo përkthyer artikuj të rëndësishëm teologjikë e me përmbajtje morali atdhetar, përkundrazi, ata pak u dalluan në këtë drejtim, por meritë, ata kanë se përcaktuan temat kryesore, që do të rriheshin në faqet e saj dhe për këto tema zgjodhën dhe u lanë dorë të lirë njerëzve nga më kompetentët e kohës, të cilët temat i trajtuan me një origjinalitet, thjeshtësi e logjikë të mahnitshme. Gjithashtu ata kanë meritë për debatet e diskutimet që lejuan në revistën e tyre, si për çështjet fetare, por edhe për ato kombëtare. Ata, duke vënë në jetë programin e revistës, nuk qëndruan asnjëherë indiferentë për gjithçka ndodhte në vendin tonë, pra si për çështjet fetare, ashtu dhe për ato politike, morale, shoqërore etj. Po kështu, redaksia ua kishte lënë derën të hapur edhe të rinjve myslimanë që herë pas here provonin penat e tyre dhe qysh në numrin 2 të revistës shohim të botuar një poezi përshëndetëse nga i riu i asaj kohe, z. Ramadan Dema. Nuk duhet lënë pa përmendur se bashkëpunëtorët e revistës nuk ishin vetëm nga Tirana, ata sipas aftësive e cilësive që posedonin, kishin edhe një përhapje gjeografike nga i gjithë vendi.
Është më se e natyrshme që, si revistë fetare që ishte, të trajtonte, në radhë të parë, probleme të një spektri të gjerë, të cilat kishin lidhje me fenë në përgjithësi e me atë islame në veçanti, por, sigurish, pa lënë pas dore çështje të tjera që ishin në programin e saj.
Dihet se nga veçantitë e fesë islame është edhe parimi i qenies së saj e përhershme dhe e përgjithshme, pra për çdo kohë e për çdo vend dhe, me këto dy veti që ka Islami, është e natyrshme që mësimet e tij janë të vlefshme përgjithmonë dhe për çdo vend. Duke e parë në këtë prizëm, shumë lehtë mund të arrijmë në përfundim se gjithçka është botuar në të, sidomos në lidhje me fenë islame e me moralin, që ajo predikon është e vlefshme në çdo kohë, por ne në rastin e temës sonë, nuk kemi pasur parasysh vetëm këto veti. Në artikujt e botuar në të gjejmë komente të Kur’anit, hadithe të Hz. Muhamedit (a.s.), ngjarje të rëndësishme nga historia islame e të tjerë shkrime të këtillë të përafërt, karakteristikë e të cilave është se në të gjitha rastet çështjet jo vetëm që trajtohen me kompetencat e teologëve të pjekur, por ato kanë arritur një pikë shpjegimi logjik që, pavarësisht nga niveli i intelektit të atij që i studion, po të niset me bon sens, jo vetëm që do të vlerësojë patjetër punën e bërë, por e ka të vështirë të gjejë pjesë që duhen hequr apo, që duhen redaktuar shkencërisht. Kështu, p.sh., Hafiz Ali Korça, bashkëpunëtor shumë aktiv, boton në disa numra me radhë komente nga sure të ndryshme të Kur’anit. Komentimet që ai i ka bërë Kur’anit në atë kohë, janë konsideruar të vlefshme edhe në kohët e mëvonshme deri në ditët e sotme.
Sikurse e përmendëm, revista aktivizoi kuadrot më të njohur të fesë islame, përfshirë në ta edhe pjesëtarë përfaqësues të tarikateve të ndryshme të islamit, të cilët në “Zanin e Naltë” gjenin tribunën ku shpallnin e mbronin publikisht mendimet e idetë e tarikateve që përfaqësonin. Ndër ta gjejmë pena të baballarëve bektashinj, shehlerëve kadirinj, rrufai, halvetij, tixhanij e të tjerë, me një fjalë nga teologët e intelektualët më në zë të këtyre tarikateve në vendin tonë, siç qenë p.sh. Ferit Vokopola, sheh Muharrem Mitrovica e të tjerë me radhë.
Këtu vlen të përmendet debati, që u zhvillua në vitin 1937–1938 e që u botua i plotë në “Zanin e Naltë” nga klerikët e lartë bektashinj, si të ndjerët Selman Xhemal, Baba Ali Myrteza Kruja, Musa Qazim Baba nga Psalla e Thesalisë në Greqi e të tjerë ndaj revistës “Drita”, që kishte botuar një artikull të përkthyer ku pretendohej se bektashizmi jo vetëm nuk konsiderohet sekt i Islamit, por edhe mësimet e tij pretendoheshin se janë katërçipërisht kundra fesë Islame. Edhe sikur këtë debat të vetëm të marrim si shembull, do të arrijmë në përfundimin se tematika e “Zanit të Naltë” është aktuale edhe pse ngjarjet historike kanë linjën, apo spiralen e vet të përsëritjes. A nuk po pretendohet edhe sot e njëjta gjë nga njerëz që s’dinë se ç’është as Islami e as Bektashizmi?
Tematika e trajtuar në këtë revistë, e konsideruar edhe tani si bashkëkohore, mund të ndahet në tri grupe, sigurisht kjo lloj ndarjeje, megjithëse subjektive, bëhet për të parashtruar më drejt temat e trajtuara në këtë revistë:
1) Në të do të gjejmë artikuj të mirëfilltë fetarë të cilët në çdo numër zinin vendin kryesor. Në këtë grup do të futnim edhe rubrikat e rregullta, që ishin si një llogaridhënie e Komunitetit para besimtarëve myslimanë, e që bënin fjalë për të ardhurat e shpenzimet, si dhe për gjendjen e vakufeve të Shqipërisë, të dhëna me detaje për çdo rreth. Kjo tregon edhe se drejtuesit e atyre kohëve të Komuniteti Mysliman kanë komunikuar sidomos me popullin.
2) Në revistë do të gjejmë artikuj që kultivojnë atdhedashurinë, të bazuar në fe, por të aktualizuar me gjendjen që kalonte vendi ynë në atë kohë. Pra njëlloj përgjigjeje e mbajtjeje përgjegjësi për situatën e vendit tonë.
3) Artikuj moralë e shoqërorë. Këta lloj artikujsh kishin lidhje me trajtimin, që u bënte feja çështjeve të moralit dhe të shoqërisë, si dhe gjëra të ndryshme, si kritika, informacione nga bota etj.
Tani le t’i shohim një nga një këto grupe duke i ilustruar:
1) Është e natyrshme që në çdo revistë fetare vendin kryesor do ta zënë artikujt fetarë. Duke pasur parasysh se parimet bazë të fesë islame, të nxjerra nga Kur’ani e tradita profetike e Hz. Muhamedit (a.s.), si dhe nga historia islame, nuk kanë lëvizur që kur janë shpallur para 1400 vjetësh, sikurse e cekëm më parë, arrihet në përfundimin logjik se ato shkrime janë të vlefshme në çdo kohë. Këtu duhet pasur parasysh se niveli cilësor i çdo shkrimi, apo predikimi duhet përgatitur e analizuar në lidhje me nivelin e lexuesit që i drejtohet. Ndryshe mund të diskutosh me një intelektual, ndryshe me një qytetar të thjeshtë, e ndryshe me një fshatar, ose student dhe ndryshe do ta ndërtosh debatin me një afetar. Të para në këtë prizëm shkrimet për të cilat po flasim, mund të redaktohen në përshtatje me qëllimin tonë, por në asnjë mënyrë duke ndryshuar parimet, të cilat vetëm mund të pasurohen me argumente të reja. Sot p.sh. kanë shumë aktualë artikujt, apo predikimet e Hafiz Ismet Dibrës, të përmbledhur në kolonën: “A ka dyshim në qenien e Zotit?”, që kanë vazhduar në disa numra të “Zanit të Naltë”, sepse sot, sikurse dhe në kohën kur është shkruar ky material a mbajtur ky predikim, është përsëri çështje kryesore e parimore diskutimi, që bëhet ndërmjet idealistëve e materialistëve, apo më mirë ndërmjet teistëve e ateistëve për ekzistencën e Zotit. Sigurisht për trajtimin e një teme të tillë argumente variojnë nga më të thjeshtat, që sillen për popullin deri tek ata më bashkëkohoret, të cilat kombinohen edhe me mendimet e shkencëtarëve e të filozofëve të shquar idealistë. Në kohën kur janë bërë këto predikime, aty nga mesi i viteve 30-të, patën filluar të depërtojnë me vrull në vendin tonë idetë ateiste, sikurse qenë bërë të modës në mbarë Evropën.
Po kështu mund të themi edhe për Haxhi Vehbi Dibrën, i njohur si komentatori më kompetent, që ka nxjerrë vendi ynë, kolos i mendimit islam shqiptar, se komentimet e interpretimet, që ai i ka bërë Kur’anit, janë me të vërtetë të paimagjinueshme. Mjafton të themi se vetëm për kuptimin e sures “Fatiha”, e mbiquajtura “Hapja” apo “Çelja”, sepse është kaptina e parë me të cilën fillon Kur’ani dhe ka vetëm 6 fjali me 4-5 radhë gjithsej, ka dhënë shpjegime rreth 150 faqe të botuara në “Zanin e Naltë” dhe që i ka ribotuar të përmbledhura në libër të veçantë Imam Vehbi Ismaili në Nju Jork.
Në “Zanin e Naltë” gjenden edhe shumë artikuj të tjerë që dëshmojnë për një thesar të paçmueshëm kulturor, nëpërmjet të cilit vihet në dukje niveli i mendimit teologjik shqiptar gjatë periudhës së Pavarësisë. Pra, në këtë fushë në “Zanin e Naltë” janë botuar një tufë artikujsh perla, të hartuar nga hoxhallarët-teologë shqiptarë nga më të përgatiturit që njohim deri sot. Punë të mirë për ruajtjen e një pjese të tyre, ka bërë Imam Vehbi Ismaili i cili, pasi i ka nxjerrë nga “Zani i Naltë”, i ka ribotuar në libra të veçantë, duke u dhënë bashkatdhetarëve të vet mësime shumë të larta të Islamit. Njëkohësisht nuk duhet lënë pa vënë në dukje edhe puna voluminoze cilësore e Haki Sharofit, i cili një pjesë të madhe të tyre i ka bërë të botueshme me asistencën e tij në predikimet që kanë bërë autorët, me shënimet që ka mbajtur dhe me botimin e tyre si reporter në revistë. Sidoqoftë në këtë drejtim ka ende shumë për t’u thënë nga ana e studiuesve, sidomos, për t’u bërë nga ana e Komunitetit Mysliman për t’i rivënë edhe njëherë në dorë të besimtarëve myslimanë këto materiale të çmuara. Në ato shkrime është mendimi më i kualifikuar i një brezi teologësh e specialistësh nga më të aftit, mendimet e të cilëve tashmë janë bërë pjesë përbërëse e kulturës kombëtare islame. Teologët e asaj kohe, krahas gjuhëve orientale e studimeve të thella teologjike që zotëronin, ishin marrë dhe kishin arritur rezultate edhe në studimin e filozofëve të Greqisë së lashtë, prandaj në studimet e tyre, krahas argumentimeve kur’anore dhe të traditës profetike, duke cituar autorët më të njohur gjatë shekujve të botës islame, në trajtimin e temave që zbërthenin fusnin edhe logjikën. Prandaj edhe sot, çdo lexuesi që i bie në dorë rastësisht ndonjë numër i saj, e lexon me ëndje e kënaqësi të madhe. Si mund të lihen mënjanë nga ana e studiuesve, por edhe e besimtarëve teza të tilla si: “Mbi trupin dhe shpirtin”, të cilat tek këta teologë kolosë gjejnë shpjegime e interpretime të arsyeshme në kuadrin etik dhe të filozofisë islame? Kështu kemi predikime interesante si “Njeriu dhe feja”, “Kozmografia tej kaosit”, “Pavdekësia e njeriut”, “Njeriu dhe gjithësia”, “Edukata moderne” etj., etj, shkrime, predikime, ndonjëherë edhe ndonjë përkthim, të mbajtura nga të paharruarit H. Ali Korça, sheh Qazim Hoxha e të tjerë. Prandaj me të drejtë në këtë revistë mbrohet teza se “Zani i Naltë” është e vetmja fletore që përkrah e përhap filozofinë e fesë islame, sepse landa e saj është thelbi i Kur’anit, palsa e hadithit, dhe ajka e fjalëve të zotënive të mëdhenj”.
Me themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, dolën në pah edhe një sërë problemesh që në një formë a në një tjetër kishin lidhje me të ardhmen e këtij Komuniteti, pra kishin lidhje me reformat që duheshin bërë. Për këtë revista hapi një rubrikë të veçantë ku përfshiheshin diskutimet dhe polemika për problemet që shqetësonin besimtarët në atë kohë. Të tilla ishin problemet sfiduese emergjente që duheshin zgjidhur me kompetencë e largpamësi. Ndër këto probleme ishte ai i arsimimit dhe i edukimit laik e fetar, i mësimit të fesë në shkollat shtetërore, i statusit të gruas shqiptare në shoqëri etj.
Po përmendim, sa për ilustrim, vetëm njërin ndër këto probleme që u diskutua në atë kohë dhe që pasqyrohen në faqet e “Zanit të Naltë”, ku morën pjesë aktive shumë klerikë dhe dhanë mendime të vlefshme, pra është fjala për organizimin e rrjetit arsimor. Deri në atë kohë kishte një numër të pakufizuar medresesh, që as kontrolloheshin e as ndihmoheshin dot, nuk kishin programe dhe gjithçka aplikohej sipas metodave të dikurshme, subjektive që tashmë ishin tejkaluar. Ndër teologët e shquar, që mori pjesë në këtë debat ka qenë dhe ish-senatori Sali Vuçiterni, i cili ishte i mendimit për ta riorganizuar këtë arsim mbi baza centralizmi, duke themeluar Medresenë e Përgjithshme në Tiranë. Me këtë mendim ai ndeshë në rezistencën e disave, ku për më tepër, vazhdimësinë e gjendjes së trashëguar e mbronin me këmbëngulje, sepse u prekeshin interesat e veta. Kjo ishte një nga sfidat që shtrohej atëherë para Komunitetit e që u zgjidh me sukses.
2) Artikujt që kultivojnë atdhedashurinë i gjejmë më vete, por edhe të gërshetuara me mësimet e Islamit. Kështu, qysh ndër numrat e parë, janar 1924, Hafiz Ali Korça replikën me shkrimet e kohës se, Ç’është nacionalizma; sa për ilustrim po sjellim një shembull nga shkrimi me titull “Muslimanizma dhe nasionalizma” se si zhvillohej polemika:
Nacionalistët… shqiptarë, s’qenkan fetarë, aspak atdhetarë. Të tjerët i konsiderojnë nacionalistët të pafe.
Dini e vatani dy binjakë janë
Që të dy një rrënjë dhe një burim kanë
Ç’derd ka për atdhenë, kush ka flakur fenë?!
Përditë vagabondi e ndërron kiblenë
Nacionalist jam unë, por fetar si duhet
Le të thotë bota ashtu si t’i thuhet.
Mjafton të përmendim se si mësues të atdhedashurisë në “Zanin e Naltë” militonin firma të mirënjohura për atdhedashurinë e tyre, siç ishin Mehdi e Mit’hat Frashëri. Por, njëkohësisht ata ishin të njohur edhe për mendimet, që shfaqnin në faqet e revistës në lidhje me çështje të tjera si p.sh. me respektin që duhet të tregohet ndaj fesë. Kështu Mit’hat Frashëri ka shkruar: “Një fe lartësohet, nderohet dhe respektohet me lartësi, me nderim dhe me respektin që ka ai popull për vetvete”.
Sot në vendin tonë është problem mbarëkombëtar çështja e refugjatëve. Edhe në atë kohë kjo temë ka zënë vend të rëndësishëm në faqet e kësaj reviste, e trajtuar me mjeshtëri nga intelektualët, kolosët e njohur të patriotizmit, të kulturës e të mendimit shqiptar që u cituan më lart.
Por këtë temë në poezi e ka trajtuar me ngrohtësi e mallëngjim edhe H. Ali Korça, me rastin e bombardimit që serbët i bënë Drenicës ditën e Bajramit (Vini re: Drenica në ato kohë, Drenica sot – në 1999[1]) në “Vajtimet e atdheut” e shoqëruar me refrenin “Qani vëllezër Kosovën, qani / Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!/ Ja disa nga vargjet e spikatura të kësaj poezie:
Qytetërimi ku është, vallë?
Përse Europa nuk iu sheh hallë?!
Si s’po dëgjohet topi i shkretë?!
Si s’shihet flaka që del mbi retë?!
Si nuk dëgjohet rënkimi i shpirtit
… Kjo politikë racë mbaruese
Përditë grin plaka, pleq, trima, nuse
Kjo politikë lugate, shtrigë
Dhe për dinake kuçedër e ligë…
A nuk ka nota aktualiteti kjo poezi?
Revista u bë boshti kryesor i përhapjes së dijeve dhe i mendimeve islame. Diapazoni i tematikës që ajo trajtoi ka qenë i gjerë. Në të u rrahën çështje doktrinare, të atdhedashurisë, të politikës së kohës, çështje sociale, kulturore, ekonomike etj., etj.
Ajo që në numrat e parë e shtroi drejt, nevojën për një kulturë islame me karakteristika e tradita shqiptare me një qëllim të vetëm: “Që vendi ynë të mos binte në grackën e organizimit të mbrapshtë të shoqërisë moderne e të mos bëhej pre e kësaj shoqërie”, por nuk mund të lihet pa u evidentuar edhe domosdoshmëria e ecjes së vendit tonë me kohët moderne dhe kjo konsiderohej si pjesë përbërëse e Islamit, i cili gjithmonë është në evoluim pozitiv dhe për këtë revista i referohej Kur’anit të shenjtë se rruga e dijes së shëndoshë duhej kërkuar me çdo mjet, por duke pasur kujdes anët negative të zhvillimit, se “ne jemi vend evropian dhe si i tillë duhet të marrim nga qytetërimi botëror gjithçka të mirë dhe të lëmë gjithçka të keqe”.
Në faqet e revistës gjejmë mendime të tilla, p.sh.: “Qytetërimi i vërtetë formohet prej vetive të qëruara e ndjenjave të larta si dhe të shpirtbardhësisë … Ne mjeshtritë duhet t’i ndryshojmë, por shpirtin, moralin e zakonet e mira duhet t’i ruajmë si më mirë, se çdo popull që mundohet të ndërrojë shpirtin e moralin, vdes përjetë dhe për këtë historia na sjell shembuj të shumtë”.
Në revistë gjejmë tema shkencore të vulgarizuara ku shpjegohet se zënia e diellit dhe e hënës nuk kanë të bëjnë me fenë dhe, për më tepër, këto fenomene shpjegohen të bazuara edhe në mësimet e fesë islame. Nuk duhet lënë pa përmendur se atdhedashuria mësohet edhe në bazë të predikimeve të mirëfillta fetare, siç janë p.sh. hutbet apo predikimet e ditëve të premte. Të tilla, për tema të rëndësishme shoqërore ka shumë dhe të përgatitura shumë mirë, të gatshme për t’u përdorur nga predikuesit e rretheve të ndryshme të vendit. Në këtë drejtim herë pas here në revistë botoheshin udhëzime e programe të detajuara për imamët apo predikuesit e rretheve.
Për situatën që po i përgatitej botës edhe revista “Zani i Naltë” nuk ka qëndruar indiferente duke botuar shkrime si “Komunizma dhe feja”, apo njoftimet për aktet e dhunshme, që po ushtroheshin në ato kohë kundër fesë në Bashkimin Sovjetik. Por nuk lihen jashtë tematikës edhe “Fashistët dhe farmasonët”. Njëkohësisht tregon se ç’bëhet me fenë në përgjithësi në botë, kështu p.sh. mësojmë se kleri ortodoks grek qysh në vitin 1924, për t’i dalë përpara të papriturave, ka kërkuar që mësuesit e shkollave laike, pavarësisht nga lënda që do të jepnin në shkollë, duhet të ishin vetë patjetër besimtarë.
3) Artikuj për çështje morale e shoqërore. Në këto lloj artikujsh përfshiheshin mësime morale sipas fesë islame, por edhe çështje të tjera shoqërore që shfaqeshin në vendin tonë, të para po me syrin e predikimeve islame. gjithashtu, këtu inkludohen edhe rubrika të shpeshta me të dhëna historike rreth së kaluarës së vendit tonë, rreth përhapjes së Islamit tek ne, rreth problemeve të kësaj feje nëpër botë. Të gjitha këto e të tjera botoheshin për të edukuar besimtarët myslimanë me moralin e saj, sipas motos të gjithë myslimanët janë vëllezër. Në këtë prizëm duhet parë edhe informacioni që jepet për mbi një miliard myslimanë, që atëherë jetonin në botë. Ka shkrime për luftërat e tyre çlirimtare, siç ishin në atë kohë lufta, që zhvillohej në Indi kundër kolonizatorëve etj., etj. Këto lloj informacionesh siguroheshin nga lajmet, që vileshin e përktheheshin nga shtypi i kohës.
Qysh në vitin 1926 Lumo Skëndo, nëpërmjet artikullit “Një lutje këndonjësve”, u kërkon besimtarëve myslimanë, që të ndihmojnë revistën duke dorëzuar shkrime, përfshirë ilahi, vjersha, ngjarje të mbajtura shënim etj., të cilat mund të gjenden nëpër biblioteka personale, apo nëpër xhamia, teqe, tyrbe etj., se të gjitha këto lloj shkrimesh kanë rëndësi të madhe, prandaj në radhë të parë të kujdesemi, që të mos humbin se “janë pjesë e historisë dhe kulturës së popullit tonë”. Po të njëjtën gjë bën më vonë edhe H. Sharofi, i cili, pasi njofton lexuesit e revistës për zbulimin e Mevludit të Hafiz Ali Rizait në Shkodër, i shkruar me alfabet osman, kërkon ndihmën e tyre që të ndihmojnë në këtë drejtim për zbulimin e materialeve të tjera me vlerë të kësaj kategorie, që mund t’i kenë nëpër shtëpi etj.
Në këtë rubrikë do të futeshin edhe mendimet e shprehura për zhvillimin e qytetërimin islam, përhapjen e tij dhe shkrime të tjera të cilat venë në dukje rëndësinë e demokracisë sipas fesë islame. Këto ilustrohen me shembuj të qytetërimit islam dhe sidomos të shprehjes së demokracisë nga periudha e Hazreti Muhamedit (a.s.), Hz. Omerit, Hz. Aliut, Imam Jusufit, Omer Abdul Azizit etj., etj. Të gjitha këto lloj shkrimesh kishin për qëllim që të formonin njëlloj fronti apo barrikade kundër ideve komuniste, që gradualisht po depërtonin edhe në Shqipëri.
Nuk duhet lënë pa përmendur se krahas evidentimit të tolerancës islame, në revistën “Zani i Naltë” u botuan edhe replika të detyruara, kur shtypi i konfesioneve të tjera bënte sulme direkte ndaj Islamit. Kështu mund të përmendim “Një replikë të detyruar” ndaj “Hyllit të Dritës”, që kishte përkthyer e botuar një shkrim në të cilin sulmohej Kur’ani. Po në këtë kuadër mund të përmendim një shkrim kritik nga H. Ali Kraja (rreth 40 faqesh) për një “Histori Islame” të përkthyer nga italishtja prej Hysejn Xhahid Beut. Në këtë shkrim kritik Hafiz Ali Kraja mban qëndrim ndaj shpifjeve e sajimeve të autorit të këtij libri.
Po në këtë ndarje mund të përshihen edhe artikuj të ndryshëm, morali i të cilëve del sapo i lexon. Kështu mund të përmendim artikulli “Me qa e me qeshe”. Në të autori H. Ali Korça, bën aluzion për prishjen e gjuhës shqipe si rezultat i përdorimit vend e pavend të fjalëve të huaja. Ndër të tjera ai shkruan se në një letër prej 40 radhësh që kishte marrë, vetëm një fjalë kishte gjetur shqip, ndërsa të tjerat ishin frëngjisht, latinisht, anglisht, gjermanisht, greqisht dhe sllavisht, disa turqisht, 2 arabisht dhe vetëm 1 fjalë persisht. Këtu autori shpreh edhe tendencën e atyre që huazonin vend e pavend fjalë të huaja, sidomos nga Perëndimi dhe se nga cilat vende i huazonin. Në fund të artikullit pyet: “Po Samiu e Naimi a nuk dinin gjuhë e fjalë të huaja?!”
Edhe Lumo Skëndoja me shkrimet e veta thumbon njerëzit që krijojnë shqetësime në shoqërinë e kohës. Kështu mund të përmendim tek shkrimi “Edep, jahu”, shqetësimet që sillnin në atë kohë në tregun e Tiranës njerëzit që frekuentonin pijetoret.
Gjithçka që paraqita në këtë material është konstatuar me një sy që mund të hedhësh revistës “Zani i Naltë”. Por duke u nisur se kjo revistë pati për bashkëpunëtorë njerëz shumë të kualifikuar në lëmin e teologjisë e të moralit të fesë islame, vepra e të cilëve pati rezultate të mëdha në edukimin fetar në atë kohë, njëkohësisht shërbeu për rrënjosjen e ndjenjave atdhetare e kulturore ndër lexuesit e saj, shpjegoi e zhvilloi më tej moralin e qytetërimin islam dhe ndihmoi me të gjitha shkrimet e veta në qytetërimin e vendit, nga njëra anë dhe gjendjen e sotme të vendit tonë, kur sulmet ndaj doktrinës islame janë ngritur në potencë, nga brenda e nga jashtë, kur ndihet shumë mungesa e kuadrove të kualifikuar e me përvojë të fesë islame, jam i mendimit se në këtë revistë mund të zgjidhen e të nxirren shkrime, sikurse bëhet me ribotime librash të mirë dhe këto shkrime po të ribotoheshin herë pas here, do të bënin të njëjtin shërbim që kanë bërë kur janë botuar për herë që parë dhe prej tyre do të përfitonin, sidomos besimtarët e rinj që janë të etur për këtë lloj literature.[2]
[1] Viti 1999, shënim i redaksisë.
[2] Artikull i botuar në gazetën “Drita Islame”, nr. 23 (154), dhjetor 1998, fq. 1 dhe 4 me rastin e 75 vjetorit të themelimit të revistës “Zani i Naltë”. Zoti e mëshiroftë autorin z. Ali Bashën.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...