Perditësimi i fundit July 2nd, 2024 8:55 AM
Mar 21, 2014 Zani i Nalte Personalitete 0
1. Së pari, ju urojmë suksese në detyrën tuaj të re. Cila do të jetë strategjia juaj në drejtimin e komunitetit më të madh në Shqipëri, atij mysliman?
Faleminderit! Së pari jam i ndërgjegjshëm për peshën e rëndë të detyrës që më është besuar, një amanet i shenjtë i Zotit të Lartësuar dhe një përgjegjësi e madhe ndaj kombit shqiptar. Shërbimin tim ndaj këtyre qindra mijëra besimtarëve e vlerësoj si parësor dhe të paçmuar.
Patjetër që unë bashkë me stafin kam një platformë, që e kam paraqitur edhe para votëbesimit në Këshillin e Përgjithshëm, siç janë:
– Përfshirja e zërit të besimtarëve myslimanë në të gjitha shkallët e institucionit.
– Ngritja ekonomike dhe financiare e institucionit me anë të projekteve konkrete të zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
– Rritja e investimeve dhe përfitimeve nëpërmjet Ristrukturimit të Vakfit të KMSH-së.
– Lobimi për Amendimin për Mediat Elektronike dhe hapja e rrugës për ngritjen e një Radio-Televizioni zyrtar të KMSH-së.
– Zgjerimi i rrjetit arsimor të medreseve në nivelin parashkollor dhe fillor.
– Finalizimi në një kohë të shkurtër i projektit të kompleksit të Namazgjasë.
– Themelimi i Muzeut të Parë Islam në Ballkan, duke përfshirë trashëgiminë Islame botërore dhe atë shqiptare.
– Realizimi i një projekti madhor për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe dhe botimi zyrtar nga ana e KMSH-së, etj.
2. Po përsa i përket marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me fetë e tjera, prezente në vend, cila do të jetë strategjia juaj?
Ne si komunitet kemi qenë dhe do të jemi të ndjeshëm ndaj komuniteteve fetare tjera në vend, sepse këtë e kemi sa detyrë islame, aq edhe kombëtare. Ne së bashku dhe me Komitetin Shtetëror për Kultet dhe Ministrin z. Veliaj po përgatitemi të bëjmë një tur nëpër Europë për ta promovuar këtë vlerë të madhe të popullit shqiptar, siç është harmonia dhe mirëkuptimi ndërfetar ndër shekuj tek shqiptarët, një model unikal ndoshta dhe në botë. Për t’i dhënë rëndësinë e duhur ne si KMSH kemi edhe një drejtori, që mbulon dhe Dialogun Ndërfetar, ku here pas here ne si komunitete organizojmë programe të kësaj natyre. Mua s’më mbetet gjë tjetër vetëm se të bëhem një hallkë vazhdimësie e kësaj rruge që trashëgojmë ne sot.
3. Komuniteti Mysliman reagoi rreth arrestimit të imamëve, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që rekrutonin luftëtarë për në Siri. Ju i quajtët ata jo pjesë të institucionit. Po atëherë çfarë janë imamët, ilegalë, të paligjshëm? Mos ndoshta xhamitë janë jashtë juridiksionit të KMSH-së? Ju lutem a mund të më sqaroni diçka më shumë rreth kësaj çështje?
Ka një numër të vogël xhamish në shkallë republike siç janë edhe dy rastet në fjalë që pas ndërtimit të tyre nuk i janë dorëzuar KMSH-së dhe rrjedhimisht imamët e tyre nuk janë emëruar nga KMSH. Me anë të mosnjohjes ne nënkuptojmë, që nuk janë nën juridiksionin e KMSH-së, që do të thotë se xhamia ligjërisht nuk është në pronësinë e KMSH-së. Aktualisht ne kemi formuar disa grupe pune, që po punojnë për identifikimin e saktë të këtyre xhamive, si dhe hartimin e një plan-strategjie në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështjeje.
4. A ka ndonjë gjë për të bërë KMSH-ja përsa i përket këtij problemi, si mund t’i parandaloni, që të mos ketë më imamë që rekrutojnë luftëtarë për në Siri?
Qëndrimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e besimtareve myslimanë në luftën e Sirisë ka qenë shumë kohë më parë i njohur për opinionin publik. KMSH me anë të strukturave që posedon iu ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë t’i rrinë larg përfshirjes në konfliktin e Sirisë, sepse nuk është një luftë fetare dhe nuk zgjidhet, apo sillet paqja me pjesëmarrje individuale apo në grupe në konfliktet e armatosura në vende të tjera, pavarësisht ndjeshmërisë humane ndaj asaj që fatkeqësisht po ndodh atje. Një punë e madhe në këtë rast është bërë nga myftitë dhe imamët e gjithë Shqipërisë, në zbatim të qarkoreve të dërguara nga ana e KMSH-së.
5. Dhe meqë jemi te lufta në Siri, si e gjykoni ju këtë konflikt? Kush ka të drejtë sipas jush?
Ky është një konflikt që ka hyrë në vitin e katërt, është një katastrofë njerëzore, që ka marrë jetën e qindra mijëra njerëzve, ka nxjerrë nga shtëpitë e tyre miliona njerëz dhe edhe kur të pushojë lufta (që shpresojmë të ndodhë sa më shpejt), pasojat e saj do të ndihen edhe për shumë vite. Mendoj se zgjidhjet vijnë gjithmonë nga gjithpërfshirja, liria e mendimit dhe demokracia.
6. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me muxhahedinët iranianë që vijnë këtu?
Nuk kam ndonjë dijeni në lidhje me ta. Por edhe një herë theksoj rëndësinë e lirisë dhe demokracisë në çdo vend.
7. Si e shikon Komuniteti Mysliman hyrjen e Shqipërisë në BE?
Ashtu siç edhe e theksova më sipër në lidhje me turin nëpër Europë, sot vlerat e lirisë, përfaqësohen më së miri nga BE, prandaj edhe ne si popull shqiptar në përgjithësi dhe si myslimanë në veçanti, Zoti deshi që të jetonim në Europë, në një gjeografi që historikisht ka shërbyer si urë midis qytetërimeve dhe kulturave të ndryshme, duke bërë shpesh herë edhe sintezën e këtyre qytetërimeve. Prandaj hyrja jonë në BE është krejt e natyrshme dhe në pajtim me vlerat që ne përfaqësojmë.
8. Cilat janë synimet tuaja si kreu i KMSH-së?
Komuniteti Mysliman edhe pse tashmë mund të themi se e ka kaluar periudhën e tranzicionit postkomunist pas 23 vitesh rithemelim, akoma ka sfida të shumta që na dalin përpara. Problemi i pronave është një problem kyç, si për ne ashtu edhe për të gjithë ish-pronarët. Pronat vakëf të sekuestruara nga regjimi totalitar, ishin të gjitha prona të dhuruara nga gjyshërit tanë si vakëf, në dobi të besimit Islam. Nëpërmjet të ardhurave të tyre mbahej administrata e xhamive dhe mirëmbajtja e tyre, si dhe hapeshin shkolla e medrese, bëheshin bamirësi të shumta, ndihmoheshin familjet në nevojë, martoheshin vajzat jetime, etj.
Tani kur më shumë se 90% e pronave akoma nuk janë kthyer, na lë ne si institucion në vështirësi të mëdha ekonomike, gjë që bën që pagat e imamëve, por edhe të myftive dhe KMSH-së të jenë të ulëta, gjë që sjell pasoja, nganjëherë edhe jo të këndshme edhe për vetë imazhin dhe figurën jo vetëm të punonjësve tanë, por edhe të vendit tonë.
9. Çështja e xhamisë së Tiranës
Çështja e xhamisë së Tiranës, daton si problematikë që në vitin 1938, si një nevojë e madhe për kryeqytetin, ndërkohë që Tirana atëherë ishte shumë më e vogël se sot, por kishte 40 xhami. Sot kur Tirana po arrin 1 milion banorë, ka vetëm disa xhami të vogla të pamjaftueshme, gjë që shihet çdo të premte, kur besimtarët falen dhe jashtë, për të mos folur për bajrame që mbushet i gjithë bulevardi. Prandaj një prioritet do të ketë fillimi i punimeve dhe përfundimi sa më shpejt i kompleksit të Namazgjasë.
Xhamia e Namazgjasë tashmë ka ardhur në hallkën e fundit të zgjidhjes. Besojmë dhe kemi marrë garancinë e qeverisë, që në një kohë shumë të shkurtër do të fillojnë punimet, fondet e të cilave i kemi siguruar.
Intervistë e botuar në gazetë Telegraf me dt. 19 mars 2014.
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Jul 02, 2024 0
Mr. Habib Ebibi Hyrje Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...