Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Mar 24, 2014 Zani i Nalte Histori 0
nga Prof. Dr. Avzi Mustafa – Shkup
Abstrakt
Në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve gjatë historisë, pa dyshim, gjejnë vend të merituar edhe ulemaja shqiptare nga territori i Maqedonisë së sotme, që duhet të zënë vend në analet e historisë, që është pjesë e kontributit e të lavdisë shqiptare.
Në rrethanat e ndryshme, ulematë shqiptarë, që në shumicën dërmuese të rasteve ishin edhe mësues në shkollat e kategorive të ndryshme, shquhen për një qëndrim dinjitar, ata kurrë nuk lejuan që besimi, feja të bëheshin pengesë në përparimin e popullit tonë. Ata e kishin kuptuar shumë mirë edhe hadithin e Pejgamberit tonë, që kudo ata e përsëritnin në dy gjuhë arabisht dhe shqip “Hubul vatan min el iman” (“Dashuria për atdheun është prej besimit”). Sidomos periudha e Rilindjes kombëtare, që ishte edhe një lëvizje iluministe, që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare, ndikoi që feja të mos bëhet pengesë, por përkundrazi të vihet në shërbim të kombit.
Në gjithë rrjedhën e ngjarjeve qe përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve gjatë historisë, pa dyshim, gjejnë vend të merituar edhe ulemaja shqiptare nga territori i Maqedonisë së sotme që duhet të zënë vend në analet e historisë, që është pjesë e kontributit e të lavdisë shqiptare, që gjithsesi në çdo përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë duhet të kujtohen e të nderohen.
Në Maqedoni që nga shekulli XV që kur hapen edhe xhamitë e para si objekte kulti për popullatën që predikonin Islamin, jo si besim fisi, por si një qytetërim kohe. Edhe pse Islami për nga koncepti predikon vëllazërim botëror, në asnjë çast kjo fe nuk i cenon instinktet e mira të natyrës së njeriut, por përkundrazi i forcon dhe i drejton.
Instinktet natyrore janë nga më të ndryshmit, por instinkti i dashurisë ndaj atdheut, gjuhës me të cilën lindesh dhe vdes me ato dhe se janë tipare të identiteti të çdo kombi. Ulematë fetare shqiptare këtë më së miri e kuptuan në momentet më të vështira kur popullit tonë i kanosej rreziku i asimilimit nga sllavët e helenët, ruajtja e gjuhës dhe kombit ishte një refren i lutjeve të përditshme.
Shkollimi kudo që shtrihej Perandoria Osmane ishte në gjuhën e perandorisë dhe nuk kishte dyshim se hoxhallarët që kryenin edhe profesionin e mualimëve nëpër shkolla, në fillim vinin nga viset e perandorisë. Kështu që me nevojën e madhe që e kërkonte koha ishin të detyruar që të hapnin shkolla edhe në trevat ku banorët ishin të kombësive të ndryshme.
Në zhvillimin e shkollës dhe arsimit nën Perandorinë qartë dallohen dy periudha. Periudha e parë që kap kohën prej vendosjes së Perandorisë në këto treva, e deri në gjysmën e shekullit XIX, që shkollat mbartin po të njëjtat tipare të sistemit feudalo – skolastik në aspektin pedagogjik, në zbatimin e metodave të punës, që bazohej ekskluzivisht në përmbajtjet religjioze. Periudha e dytë që nga shumë historianë të arsimit quhet periudha e “modernizimit” të shkollave ku në plan-programet krahas përmbajtjes religjioze – shoqërore hyjnë edhe përmbajtje nga lëndët natyrore.
Perandoria Osmane nuk e kishte të rregulluar me ligje jetën arsimore deri në vitet 40 të shekullit XIX. Të gjitha shkollat ishin në dorë të konfesionit, por kjo nuk do të thotë se sulltanati nuk mbante llogari për këto shkolla që ishin produkt i tyre.
Shkollat më masive që u hapen me ardhjen e Perandorisë ishin shkollat e ashtuquajtura mejtepe. Në fillim hapeshin në qytete e pastaj edhe në vendbanimet më të mëdha e vonë edhe pranë çdo xhamie. Krahas mejtepeve në qytetet e mëdha hapeshin edhe shkolla të quajtur shkolla të rangut të lartë, si ruzhdijet e medresetë. Shkollat islame që i hapi pushteti osman me përhapje më të madhe ishin mejtepet, ku mësimin zhvillohej zakonisht nga imamët që quheshin nga populli mulla ose hafiz[1].
Mejtepet sipas disa të dhënave nga Salnamet (vjetarët), por edhe Evlia Çelebija udhëpërshkruesi më i madh i Perandorisë na sjell informacione edhe për territorin e sotëm të Maqedonisë. Vetëm në Shkup kanë punuar 70 mejtepe, 9 shkolla për përvetësimin e Kur’anit dhe 6 medrese, 9 imarete. Medresetë më të njohura kanë qenë ajo e Sulltan Muratit, Jahja Pashës, Isak Pashës, Isa Pashës, Mustafa Pashës dhe Zadesë dhe ishin ndërtuar “në pjesën më e madhe të qytetit të banorëve që flasin gjuhën e Rumelisë dhe gjuhën shqipe”.[2] Përveç Shkupit edhe Kumanova ka pasur xhami, teqe e medrese, Velesi një xhami e një mejtep, Prilepi dy xhami mejtepe e medrese.[3]
Po ashtu edhe Manastiri si qendër administrative, e ekonomike dhe kulturore arsimore përmend 9 medrese, prej të cilave më e madhja dhe më e bukura ka qenë ajo e Dylbend-kadiut. Të dhëna ka edhe për Tetovën, Gostivarin, Kërçovën Resnjën, Dibrën, Ohrin, Strugën , Krushevën etj. të cilat kanë kryer një veprimtari të pasur kulturo-arsimore[4]
Në mejtepe mësimin e organizonin vetë imamët e xhamive që në fillim vinin hoxhë-mualimë që nga populli quheshin ixhazetli ose “Hoxhallarë të Stambollit”.[5] Këto shkolla vetëfinancoheshin nga njerëz të vendit dhe vakëfet. Medresetë po ashtu vetëfinancoheshin me ndihmën e njerëzve të pasur e të vakëfeve.
Shkollat fillore (iptidaije) turqisht në bazë të një vjetari lëshuar nga ministri i arsimit të përgjithshëm (Merif selnamase 1898) në vilajetin e Manastirit kanë funksionuar 451 shkolla të tilla, në vilajetin e Kosovës vetëm në Shkup kanë funksionuar 24 ruzhdije, në Manastir 17, kurse shkolla të mesme (idadije) 2 brenda në Manastir dhe një në Shkup. Këto të dhëna i dhashë me të vetmin qëllim që të tregoj se të gjithë mualimët kishin ndjekur medresetë nëpër qytetet e ndryshme të vendit, kurse dikush edhe studimet e larta në Stamboll.
Në këto rrethana ulematë shqiptarë që në shumicën dërmuese të rasteve ishin edhe mësues në shkollat e kategorive të ndryshme, shquhen për një qëndrim dinjitar, ata kurrë nuk lejuan që besimi, feja të bëheshin pengesë në përparimin e popullit tonë. Ata e kishin kuptuar shumë mirë edhe hadithin e Pejgamberit tonë që kudo ata e përsëritnin në dy gjuhë arabisht dhe shqip “HUBUL VATAN MIN EL IMAN” (“Dashuria për atdheun është prej besimit”). Sidomos periudha e Rilindjes kombëtare që ishte edhe një lëvizje iluministe që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare ndikoi që feja të mos bëhet pengesë, por përkundrazi të vihet në shërbim të kombit.
Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se pa rrokur armën e shkrimit nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë.
Pas kushtetutës 1846, dhe si rrjedhojë e dekretit sulltanor, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, çka i hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. “Duke qenë se për pjesën myslimane lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët shqiptarë myslimanë të kohës u munduan që përmes këtij alfabeti të përhapnin mësimin e gjuhës shqipe, si mjet të përparimit dhe të ngritjes kulturore”.[6]
Që në vitin 1868 u mblodhën patriotët shqiptarë mu në qendër të Perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin më lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”[7]. Për këtë arsye Sami Frashëri shkruan: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat të mësohet shqipja”.[8]
Në një gazetë të periudhës së Rilindjes kombëtare me titull “Zëri i Shqipërisë” që botohej në Athinë në vitin 1879 me titull: “Për gjuhën shqipe” do të shkruaj kështu: “….shqiptarët duhet të fitojnë më parë lirinë e tyre që të veprojnë si të duan ata vetë dhe si është e drejta e tyre, e pastaj ato do të kenë lehtësi dhe kohë që të ia vënë mendjen zhvillimit të tyre dhe në përgjithësi edukimit të tyre.”[9]
Personalitetet e kulturës sonë islame edhe pse ishin në vëmendje të përhershme në ligjërata e me fetvatë e tyre, ato dhanë kontribut të çmueshëm ku shumica dërmuese e myderrizëve ishin shqiptarë, të cilët pavarësisht nga kultura e tyre orientale, punonin me nxënës shqiptarë, që dinin vetëm gjuhën amtare. “Prandaj, siç e kanë vënë në dukje edhe studiues të ndryshëm, diskutimet, bisedat, shpjegimet bëheshin në gjuhën shqipe. E nuk kishte si të ngjiste ndryshe në një mjedis krejt shqiptar, ku nuk ka pasur asnjëherë asnjë komunitet të huaj”.[10]
Edhe pse shumica e fetarëve ishin shkolluar në institutet e larta fetare në Stamboll, ato kurrë nuk e mohuan kombin dhe gjuhën dhe sot përmenden, si shkrimtarë, teologë e filozofë të rafinuar. Mendoj se mjafton të përmendim disa nga ata që mbi supet e tyre mbanin fatin e kombit e të gjuhës siç ishin: Hoxhë Tahsini, Hoxhë Kadria, Vehbi Efendia, Hafiz Ali Korça, Jusuf Oruçi e shumë të tjerë.
Gjuha shqipe kurrë nuk është ndalur nga goja e ulemave, ajo ka pas jetë të gjallë si nëpër xhamitë ashtu edhe nëpër mejtepet, sepse nuk kishte si të ishte ndryshe kur besimi dhe dituritë nuk mund të hyjnë në zemër e të transformohen në njohje intuitive pa gjuhën amtare. Këtë na e dokumenton Jashar Erebara shënuar në “Kulturën Islame” nëpërmjet një rrëfimi që daton aty kah vitet 1871. Në një xhami në Elbasan një hoxhë ka dhënë këshilla për gra gjatë vaazit të tij. Një tregtar venecian që do të shkonte për në Stamboll, qëlloi që nja dy net të qëndronte në Elbasan. Duke shëtitur me përkthyesin nëpër rrugët e Elbasanit vërejti shumë gra pranë një xhamie dhe pyeti çka janë këto gra në xhami? Përkthyesi sikur deshi t’ia humb vëmendjen duke i treguar diçka tjetër, por ai insistonte dhe më në fund i tha “Janë tue ndigjue këshilla fetare”, ai përsëri pyeti në ç’gjuhë? Përgjigja ishte në gjuhë shqipe.[11]
Në mungesë të shkollave në gjuhën amtare e të shkrimit shqip, hoxhallarët nëpërmjet fjalës së gjallë, kudo nëpër odat shqiptare, që ishte një universitet, krahas shembujve të cituar arabisht ato bënin edhe përkthimin edhe në gjuhën shqipe, shumë hadithe që i komentonin e i lidhshin me zakonet e me traditën e shqiptarëve. Ato që kryenin punën e mualimëve dhe u mësonin fëmijëve shkronjat arabe, apo për t’i konkretizuar dhe për t’i mbajtur mend më lehtë fëmijëve ua shpjegonin me shumë figura që u përngjanin sendeve e ua thonin shqip[12]. Në xhamitë kur ato flisnin në gjuhën e Pejgamberit tonë ua këndonin këtë gjuhë edhe në gjuhën shqipe, në vaazet e tyre nga shumë hoxhallarë është derdhë atdhedashuria.
Këto ishin faktorët që gjuha dhe shkollimi në shkollat e perandorisë ishin përpjekjet për t’ia përshtatur popullit shqiptar në gjuhën e vetë. Pas viteve 30 të shekullit XIX filluan të hapen edhe shkollat shtetërore turke, si iptidaijet (fillore), ruzhdijet (gjimnazet e ulëta), idadijet (gjimnazet e mesme), daruh mualimin (shkollat normale)[13]. Po në këtë kohë kemi edhe kërkesa e sidomos në Sulltanijet, që edhe gjuha shqipe të mësohej në shkolla krahas gjuhës osmane.
Periudha e viteve 1908-1912 është ajo më e rëndësishme për gjuhën dhe shkollën shqipe. Në këtë periudhë kemi kërkesa haptazi si nga nxënësit, ashtu edhe nga disa besimtarë myslimanë, që kërkonin që gjuha shqipe të mësohej në shkollë. Si në çdo vend të Shqipërisë, ashtu edhe në Shqipërinë Lindore, gjegjësisht në pjesët e Maqedonisë së sotme dolën disa patriotë myslimanë, që kërkonin që gjuha shqipe jo të mësohej si lëndë mësimore, por i gjithë mësimi të zhvillohej në gjuhën shqipe.
Nga kjo që kemi hulumtuar dhe nga ajo që është shkruar dalin se ulemaja shqiptare në Maqedoni ndahej në dy taborë, në ulema që kërkonin shkollë në gjuhë shqipe me alfabetin latin dhe ulema që kërkonte shkollë dhe gjuhë shqipe me alfabetin osman.
Në këtë kohë si çështje e pazgjidhur ishte alfabeti i gjuhës shqipe. Kjo ngjarje kulturore e shqiptarëve pa marrë parasysh e kujt profili i takon ishte një ndër çështjet shumë me rëndësi. Fanatikët në çdo mënyrë mundonin që të luajnë kartën e fesë mbanin qëndrim se “shkronjat latine janë në kundërshtim me fenë islame”. U munduan në çdo mënyrë që të pengojnë dhe të dezinformojnë popullatën e pashkolluar. Mirëpo kjo nuk u shkoi për dore sepse një pjesë e ulemasë fetare u ngritën dhe me argumente e mbrojtën ABC-në shqipe.
Krahas trajtimeve të besimit Islam shumë personalitete të kësaj fushe vepronin për ngritjen e vetëdijes kombëtare, në bashkimin e popullit pa dallim feje, për shërbesë fetare në gjuhën shqipe, pavarësi të plotë etj.
Një personalitet nga Rimnica e Rekës së Dibrës me emrin Vildan Faik, i cili një kohë të gjatë ka vepruar në Üsküdar, në një lagje të Stambollit. Më vonë kthehet ne Dibër dhe aty e kryen punën e hoxhës, ndërsa bëhet edhe një ndër anëtarët aktivë të klubit “Bashkimi”, madje merr pjesë në Kongresin e Alfabetit në Manastir dhe është përkrahës i shkronjave latine. Sipas Dr. Hasan Kaleshit, ai njihet me një fjalim të zjarrtë dhe patriotik, që e mbajti para delegatëve të Kongresit të Manastirit ku tha: “Kur’ani nuk ka asnjë lidhje me alfabetin” [14].
Haxhi Vildan efendiu pasi e demaskoi sundimin e Portës së Lartë dhe e lëvdoi kushtetutën, ai e thkesoi nevojën e bashkimit të shqiptarëve, të cilat tani do të bashkohen edhe me një alfabet, e alfabeti – tha haxhi Vildani – është një vegël e fuqishme që i përshtatet më së miri gjuhës së tij, prandaj shqiptarët e zgjedhin alfabetin shqip. Turqit gjithashtu nuk kishin shkronja për ta shkruar gjuhën e tyre – ata i kanë adaptuar shkronjat arabe. Sa për drejtimin se si lypsej të shkruhej – nga e majta në të djathtë, apo nga e djathta në të majtë – kjo nuk është punë me rëndësi. Sa i përket fesë, ajo i takon zemrës së njeriut, kështu që secili është i lirë t’i ketë pikëpamjet e veta.
Një prej përfaqësuesve të ulemas shqiptare është tetovari Rexhep Xhudi, i biri i Nuredin Vokës. Voka që kërkonte në shkollat shqipe të përdorej alfabetit latin, dhe bashkë me klubin e oficerëve të Vlorës ndërmerr një fushatë të gjerë në favor të alfabetit arab. Voka e adaptoi alfabetin arab për shqipen dhe mund të themi me sukses të plotë. Por ky nuk është kundër gjuhës dhe shkollës amtare. Këtë më së miri e dëshon në faqen e parë që është shkruar turqisht se alfabeti i kushtohet “popullit të zgjuar shqiptar që fëmijët të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e vet amnore, kështuqë të arrihet një përparim material e shpirtëror”. Në fund të librit kemi fjalët: “Është konstatuar se me këto germa, që janë rezultat i studimeve të gjata, mund të lexohet shumë mirë”. Vetëm duhet një përvojë. Fundi i fundit, a nuk ndodhi kështu me çdo gjuhë tjetër. Për ta përhapur sa më tepër alfabetin e tij, Voka boton më 1911, prapë në Stamboll librin “Arnavutça mufesal ilmihal” (Libri i hollësishëm i mësimeve fetare në shqip).
Mirëpo, vepra më interesante e më e rëndësishme e Vokës është padyshim Mendime, botuar në Stamboll më 1911. “Meqtevet t’i hapim, ene në mos mundshim me mbarue binaja të mëdhaja, kolibe me kashtue, veç fëminë me e mbledh e me e këndue:
“Mos rrim, mos rrim, po i madh e i vogël me vrap të këndojm e të mëcojm”.
“Sot dynjaja osh ba qetir, sall me pushk e me thik nuk po fitohet, po po lihet edhe kalem e kndim, fjal e mendim”.[15]
Voka nëse ishte për alfabetin turko-arab ai nuk ishte kundër shkollës e gjuhës shqipe e as kundër popullit shqiptar. Unë do të përmend edhe një mendim të Vokës në lidhje me fenë dhe etnopsikologjinë e shqiptarëve ku ky bënë një duel shumë të aspër me delegatin e serbëve të osmanlinjve të Vilajetit të Kosovës Glisha Elezoviqin në Parlamentin Osman rreth rolit të besës te shqiptarët[16].
Gjithashtu mjaft me rëndësi është edhe anekdota që e kamë shënuar nga një ish-nxënës i Rexhep Vokës, kur ai e mbron kombin shqiptar si komb më vete. “Një mik turk i Rexhep Vokës vjen në Tetovë, shëtisin tërë Tetovën, takohej me njerëz bisedonin. Kur kthehet në Stamboll këtë e pyesin për përshtypjet e tij në Tetovë. Ai tregon dhe e përshkruan Tetovën ashtu siç është e bukur, por ai ka vërejtur diçka që nuk i ka pëlqyer, populli në shumicë nuk ishte mysliman sepse ato nuk dinin turqisht. Atëherë Rexhep Voka luan pak prej vendit dhe me një kollitje të hollë e pyet mikun, o mik sipas teje edhe Muhamedi (a.s.) nuk na paska qenë mysliman se edhe ai nuk ka ditë turçe”.[17]
Kjo anekdotë tregon se gjuhën amtare shqipe dhe shkollën asnjë herë nuk i ka injoruar. Çështja e shkronjave është si te të gjithë që kanë krijuar alfabete. Te ai nuk kemi as edhe mendimin e pedagogëve të shekullit XX që kërkonin se feja nuk duhet të bëjë dallime; arsimi është arsim, ngado që të vijë, nga Lindja apo Perëndimi”[18]
Islami asnjëherë nuk ka qenë pengesë e dijes dhe përparimit, por përkundrazi ka ndihmuar dhe mobilizuar pjesën më të shëndoshë të popullit shqiptar. Një kontribut të veçantë në ndërtimin e shtetit shqiptar kanë dhënë ulematë islam dhe pikërisht ka qenë i madh ndikimi i tyre në kulturën kombëtare.
Said Najdeni ose siç e quanin bashkëqytetarët Hoxh Vogëli (Voka) sepse me fjalët e ëmbla ua vokte zemrat shqiptarëve, arsimimin në gjuhën amtare dhe përhapjen e diturive çdo herë e përsëriste para xhematit dhe kudo që ndodhej. “Me dituri të mendjes t’u vijmë kundër armiqve që i kemi rreth e rrotull, d.m.th. me lartësinë e diturisë t’i presim e t’ua lëmë zbrazët armët, që janë duke u përdor kundër nesh”[19] Ky fetar patriot për përhapjen e gjuhës dhe shkollës shqipe botoi një “Abetare të gjuhës shqipe” në vitin 1900, adaptuar në të “folmen gegnisht” në Sofje. Po ashtu hapi edhe një shkollë klandestinë në gjuhën shqipe ku i mësoi shumë dibranë. I edukuar në urtësinë e Kur’anit dhe në dhe me patriotizmin shqiptar atij i ofronin shumë poste e para, por ai publikisht deklaronte se “nuk vuan për poste e para, por për shqiptari”.[20]
Një fetar patriot mysliman shqiptar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme është edhe Vehbi Dibra (Agolli) që dallohej si një nga mendimtarët e mëdhenj, një njeri me intuitë largpamëse dhe njeri i mexhliseve dhe odave. Ky nuk nguronte ta thotë të drejtën dhe të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhur. Në Dibër kishin ardhur pesë pashallarë e hafizllarë turq dhe ishin mbledhur në Dibër të gjithë burrat e përmendur, midis të cilëve merrte pjesë edhe Vehbi Dibra. Në mes bisedimeve e pyetjeve, që u bënë dibranëve në mexhlis u prek edhe çështja e alfabetit. Për këtë ata iu drejtuan Vehbi efendiut se çfarë mendimi ka për shkronjat shqipe. Ai e kuptoi nga pyetja qëllimin e turqve, por ai pa ndrojtje dhe me qetësi u foli edhe për gjuhën shqipe dhe për alfabetin, “duke thënë se tashmë ekziston alfabeti i Stambollit që doli në mars të vitit 1879”, të cilin ai e njihte mirë. Nga fjalët e tij turqit u mahnitën dhe njëri prej tyre u shpreh kështu: Byjuk Dibradan çok ulema var, ama bu kyçyk iji ular (Në Dibër të madhe ka shumë dijetar, por ky më i vogëli qenka më i miri)[21]. Kontributi i këtij patrioti të ulemasë shqiptare është i madh gjatë Shpalljes së Pavarësisë e më pas.
Hafiz Lila i lindur nga Golloborda, por aktivitetin e vet e bën në Dibër dhe më vonë në Gostivar dhe Strugë. Para pavarësisë së Shqipërisë kryen detyrën e drejtorit të “idadijes” në Dibër. Idadija e tij ishte mbushur plor me libra shqip. Në vaaze e ndeja propagandonte dije islame e kulturë kombëtare. Ishte përkrahës i shkronjave shqipe sidomos para mbajtjes së Kongresit të Dibrës, ku e bindte masën e gjerë se vetëm shkronjat që krijojnë shkrimin shqip do të mund të përparojnë shqiptarët. “Ju e dini sa vështirë këndohet e mësohen shkronjat arabçe sa vite u duhet atyre që të lexojnë dhe përsëri nuk mund ta mësojnë.”
Po ashtu nga Dibra vjen edhe një fetar e filozof ku propagandonte besim fetar dhe kulturë kombëtare, Haxhi Hafiz Ismet Dibra. Në Kongresin e Dibrës ai mori pjesë si anëtar i thjeshtë. Thuhet se ishte një nacionalist i madh, edhe studentët e tij i mësonte me ndjenjat e dashurisë për Shqipërinë[22].
Një tjetër nga qyteti i Dibrës është edhe Haki Sharofi. Ishte njëri nga dishepujt e Said Najdenit. Fshehurazi e mësoi gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Ishte një nga kuadrot e para të Normales së Elbasanit. Mori pjesë aktive në veprimtarit atdhetare. Qysh në vitin 1909 hapi vullnetarisht kursin e gjuhës shqipe për shokët e lagjes së tij në livadhin e Qeranicës afër Dibrës. Në verë të vitit 1912 Haki Sharofi është në ballë të 50 studentëve që nënshkruan kërkesën drejtuar organeve lokale të qeverisë osmane për të mësuar në shkollë gjuhën shqipe me alfabetin latin, si pasojë e së cilës Shefqet Daiu nga Elbasani u emërua në Dibër mësues i gjuhës shqipe.[23]
Kontribut të veçantë nga Dibra e Reka e Dibrës kanë dhënë edhe Hfz. Maliq Tanusha, nga Tanusha e Rekës, ithtar i zjarrtë i Klubit të Stambollit, Hfz. Abdurrahim Dauti, propagandues dhe mësues i gjuhës shqipe, Sherif Langu etj.
Një personalitet mjaft interesant nga ulemaja shqiptare, e cila kishte për qëllim përhapjen e shqipes me shkronja arabe është edhe Abdylaqim Dogani nga Gostivari. Autor i shumë librave dhe një abetareje me shkronja turko arabe e konceptuar sipas parimit të gjuhës turke, lëvrues i teorisë së mësimit etj. Edhe pse na duket si njeri kontrovers, ai kërkonte me maturi t’i zgjidhë problemet. Unë do të jap vetëm një shembull kur atë e sjellin si profesor në Idadijen e Shkupit dhe zëvendëson patriotin e shquar Salih Gjuka nga Peja. Drejtori Sabri Xhemili, gjithashtu shqiptar – tregon Baba Qazim – na thirri dhe na tha se kemi marrë urdhër t’ju mësojmë shqip, por nuk kemi vend. Një gjakovar – Murat Gjakova – i tha drejtorit: “A nuk ka mundësi të na jepni zyrën tuaj e ju të kaloni në zyrën e profesorëve”. Na thamë: “Duam vetëm me këndue shqip, shkojmë edhe në akull”, mbas ditësh erdhi ministri i brendshëm i Perandorisë Haxhi Adil beu dhe apostafat për me na trembë, na e prunë në klasën tonë. Në prezencën e tij na pyeti drejtori: “Kush asht prej jush që do me këndue shqip me alfabet kaurr”. Na u çuam ma shumë se gjysma e klasës. Mësimet e shqipes vazhduan, por jashtë orarit zyrtar. Deri në kryengritje kemi këndue shqip. Por, na prunë si mësues Abdulhakim Himetin nga Gostivari, por ai ma tepër fliste turqisht. Shokët më shtynë mue me u çue kundër tij se isha ma i ri e nuk më kapte ligji dhe kërkova që mos të vijë ma se nuk e dinte shqipen dhe mbas 4-5 mësimesh nuk erdhi ma.”[24]
Mos ardhja e tij lidhet pikërisht me mos largimin e nxënësit Qazim të cilin e ka mbrojtur rreptësisht dhe si revolt për atë e lëshon shkollën[25]. Po edhe ky si Rexhep Voka, abetaren e përgatiti për nxënësit shqiptarë për shkollën shqipe.
Po ashtu kontribut të veçantë ka dhënë edhe ulemaja e Shkupit me rrethinë. Këtu do të përmendi hoxhën e Patishka Rekës nga rrethi i Shkupit me emrin Hoxhë babë Musliu që talebeve (nxënësve) të vet ua mësonte shkronjat e gjuhës shqipe. Ky shkronjat i kishte shkruar në lëkurën e dhisë dhe e përdorte si postiqe, por kur u mbante mësimin atë postiqe ai ua tregonte shkronjat shqipe[26]. Ky i kishte bindur edhe xhematin që të rrinë urtë dhe se u kishte thëne se nuk prishet feja me harfet (shkronjat). Krahas shërbesës fetare organizoi fëmijët e fshatit që të hapte një shkollë në gjuhën shqipe. Këtu nuk duhet ta anashkalojmë edhe Ataullah ef. Kurtishin nga fshati Studeniçan i Shkupit që vitet 1908 e pas të aftësohet dhe të mendojë edhe politikisht[27], kur nuk pranoi që në bazë të fesë të identifikohet populli shqiptar me turqit. Ai thoshte se edhe në Kur’an mbi 70 herë përmendet fjala “komb”e kombet janë të ndryshëm, kurse feja mund të jetë e përbashkët. Ai kundërshtonte ligjet e Perandorisë që u njihte vetëm identitetin fetar mysliman e të krishterë.
Sipas një dokumenti që gjendet në arkivin e Maqedonisë, dokumenti mban nr. 74 të 18 frorit (shkurtit) 1910, ku thuhet se “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë protestë kundër shkronjave latine të arnautëve. Nga shumë qytete kjo protestë nuk ishte e mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër, atje janë mbledhur 3.000 frymë”.[28] Mirëpo në këtë protestë ishin mbledhur nga gjithë qytetet, kurse mospërkrahje dhe kundërshtime pikërisht kishin gjetur nga ulemaja e Strugës. Qerim hoxha, Nexhip hoxha, Tasim hoxha (imami), që nëpër xhamitë kishin kundërshtuar dhe kishin udhëzuar xhematin se “Zoti më parë popujve të tjerë nëpërmes të Dërguarit të vet u drejtohej në gjuhë të vet”.[29] Ata kishin përsërit thënien e Hafiz Ali Korçës se “Shkronjat nuk kanë të bëjnë as me fenë e as me halifenë”. Hyrrijeti dështoi tani ne duhet të jemi të bashkuar për të mbrojtur e udhëzuar popullin në rrugë të drejtë.”
Në vargun e ulemave shqiptare nga trevat e Maqedonisë ka edhe shumë të tjerë që i kanë dhënë fizionominë kombit dhe e kanë mbajtur gjallë në momentet më delikate e më të vështira. Kjo dëshmon se gjatë ndërtimit të shtetit shqiptar nuk kemi pasur ndonjë kundërshtim me karakter masiv antishqiptar kur dihej se ata kishin xhematë njerëz të shtresave e të kulturave të ndryshme, kur atyre që u besonin më shumë nuk e keqpërdorën fenë për kundërshtime, por duke u udhëhequr nga parimet Kur’anore, ato treguan urtësi, tolerancë e respekt për gjuhën e shkollën shqipe. Ata në vazet e tyre nuk predikonin vetëm Njësimin e Zotit, por përgjithësimin e Tij se Zoti është i të gjithëve. Zoti është Krijuesi i botërave dhe i kombeve që do të thotë edhe i shqiptarëve.
Pra edhe ulemaja shqiptare, që ishte ushqyer me ndjenjat kombëtare në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë, kanë pjesën e vet të historisë, janë edhe ata pjesë e lavdisë shqiptare, kanë hyrë edhe ata në vargjet e lahutës shqiptare, kanë zënë edhe ata vendin e tyre në mozaikun e nderit kombëtar. Mjafton të kujtojmë këtu vargjet e Fishtës te “Lahuta e Malsise“. Ja si këndon Homeri Shqiptar:
“Shtrine te ngratin hafiz Myslimin, dhe ne dru e rrahen trimin
Sado qe ishte një “ hafiz”“Jam shqiptar me gjuhe e fis”
Jam Shqiptar përgjigjet Hafizi deri qe ashti i kambes i kris.”[30]
[1] Shefik Osmani, Fjalor i pedagogjisë, botoi “8 Nëntori” 1983, 416.
[2] Evlija Çelebija Putopis, Odlomci o Jugoslovenskim yemljama, Sarajevo, 1979, f. 288
[3] Po aty, f. 304-305.
[4] Shih :Nexhat Abazi, Zhvillimi arsimit dhe i mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912, Tetovë, 1997, f. 26-28.
[5] Feti Mehdiu, Kërçovarët për Kërçoven, Asdereni, Shkup, 2009, f. 10
[6] Islam Dizdari, po aty,
[7] Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISHM, 2012, Shkup.
[8] Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Tiranë, 1962, f . 68.
[9] “Zëri i Shqipërisë, Athinë, 1879, nr. 4, (shih Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, vëllimi I (1879-1908).
[10] Islam Dizdari, Kontributi i ulemasë shqiptare për shkollën, për gjuhën dhe për shkrimin shqip.
[11] Kultura islame,organ i komuniteti shqiptar mysliman, nr. 5,6,7 1942, f. 191.
[12] Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISHM, Shkup, 2012.
[13] Shih Jashar Rexhepagiq, Zhvillimi i arsimit dhe sistemit shkollor të kombësisë shqiptare ne terrtzorin e Jugosllavisë së sotme deri më 1018, Prishtinë, 1968, f. 114
[14] Dr. Hasan Kaleshi, Neki problem izucuvanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda, I Nucnen sobir, Gostivar, 22-23.10.1971, f. 186.
[15] Rexhep Voka, Mendime, f. 14.
[16] Hasan Kaleshi, Albanska alamiada knizhevnost, Prilozi za orientalnu filologiju, Sarajevë,1970, f. 49-62.
[17] Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptar, I, BKSH, Tetovë, 1975.
[18] Cit. sipas Jashar Rexhepagiqit, vep. e cit. f. 30.
[19] Cit. sipas Nexhat Abazit, Zhvillimi arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912), Tetovë, 1977, f. 269.
[20] Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptarë, I. BKSH, Tetovë, 1975.
[21] Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare, albin,Tiranë 1998, f. 24.
[22] Disa fetar patriot mysliman shqiptarë, Michigan USA, 1993, f. 106.
[23] Vepër e cit. Disa fetar….faqe 152.
[24] Hasan Kaleshi, Disa aspekte të alfabetit të Stambollit.
[25] Informatë nga Talat Afçe, gazetar në RTM në gjuhën shqipe dhe është i pari që shkroi një punim mbi Doganin.
[26] Avzi Mustafa, Përpekja e shqiptarëve të Maqedonisë në mbrojtjen e alfabetit dhe shkollës shqipe, referat me rastin e 100-vjetorit të ABC-së shqipe, Shkup, 2008 (shih Avzi Mustafa, ww.ylli prees, www.zemra shqiptare.net.)
[27] Mutalip Ademi, Atullah ef. Kurtishi, Hëna e Re, 1 shkurt 1994, f. 30.
[28] Arkivi i Maqedonisë, dokumenti 1.19.173/207-208
[29] Informatë që është përcjell brez pas brezi. (Q.D)
[30] Dh. Diriazi “Christianity in Albania” 2000.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...