Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Mar 12, 2014 Zani i Nalte Retrospektivë 0
Dalja në dritë e revistës “Zani i Naltë” ka qenë një ngjarje e shënuar, një shprehje dhe tregues i qytetërimit.
“Zani i Naltë” u lind kur ende vazhdonin paqartësitë, kur lufta dhe progresi nuk zhvillohej në terren të butë, kur u shfaqën një mori rrymash mes të cilave vetëtinin vlera të vërteta e të guximshme për kohën, të cilat nxitnin progresin, duke u mbështetur në vlerat më aktive të mendimit islam dhe të atij shqiptar.
“Zani i Naltë” i shpërndau këto vlera të seleksionuara dhe të përshtatshme për psikologjinë, moralin dhe idealet e shoqërisë shqiptare. Me informacionin e gjerë polemizues revista shpejtoi ritmet drejt përparimit. Kështu “Zani i Naltë” u kthye në një vend takimi, në një derë, në një fushë, në një rrugë që të çonte drejt progresit.
Në fushën e veprimtarisë shoqërore “Zani i Naltë” me shumë kurajë civile hapi tribunën e debatit për koncepte e praktika vërtet të diskutueshme për shumë probleme, që koha i shtronte për zgjidhje. Kësisoj “Zani i Naltë” lexuesit i zgjeroi vizionin demokratik me joshjen drejt zhvillimeve shoqërore.
Me artikujt – manifest, revista dha edhe shpresë, edhe besim, edhe siguri për brezat e ardhshëm, kur pohonte: “Mos të kujtojë brezi i ri se për përparimin e njerëzisë, për mbarëvajtjen e jetës sociale brenda në kufij të moralit, nuk jemi përkrahësit e zhvillimit të gjithmbarshëm”.
“Neve e dimë më shumë se të tjerët se me përdredhjen e kohës, ndryshohen edhe urdhërat, por këto urdhëra lëndorë duhet të përputhen kurdoherë me nevojat zhvillimtare tue mbrojtun shtyllën e moralit” (nr. 3/1926).
Shkrimet me temë shoqërore shtruan terrenin ku hidheshin themelet e reformave me synimin, që zhvillimet shoqërore të bëheshin pa sforcime, natyrshëm e në rrugë të ndershme. Kështu “Zani i Naltë” u shndërrua në një zëdhënëse të progresit, për të mos e lënë Shqipërinë të binte atje, ku e keqja rrezikonte të shndërrohej në një institucion kombëtar.
Shkrimet e “Zanit të Naltë” synonin çlirimin e shqiptarit nga pesha e rëndë e jetës: nga injoranca, nga varfëria dhe nga zakonet e mbrapshta dhe shkatërrimtare.
Me një pendë gjithë zemërimi H. Ali Korça godet krenarinë false të ushqyer nga traditat kur shkruan: “Një që s’ushqen dot fëminë e vet, marton gocën i jep 400-500 napolona pajë, prej të cilave më të shumta janë lecka që t’u frysh i merr era. Ç’duhen gjithë ato lecka, pra? Përse ajy që qit gocën e vet të shesë shtëpinë? Ç’duhet ky luks i qelbët për këtë komb që s’ngopet dot me bukë? Ç’duhet kjo fantazi për këtë popull të ngratë që s’ka as dituri, as mjeshtri?” (5/28)
Në momente kyçe “Zani i Naltë” ftonte për bashkëpunim personalitete të shquara, që mendimi i tyre përparimtar të imponohej mbi frymën mbytëse të pasionantëve fanatikë. Në nr. 6 të vitit 1932 Mehdi Frashëri shkruante: “Jemi të rrethuem me popuj që duen me na hup, prandaj përparimi i shpejtë për ne shqiptarët asht nji nevojë jetese. Ai popull që rrëzohet me kambët e veta, s’ka të drejtë të ankohet”.
Kishte ardhur koha e thirrjes së madhe për reforma, duke ngritur zërin kundër pasioneve të nxehta… “Zani i Naltë” mori në supet e veta këtë mision të rëndësishëm dhe me zë të lartë propagandoi idetë e nismëtarëve të Kongresit Mysliman Shqiptar: “Një ndryshim të tillë – shkruanin ata – neve shqiptarët duhet ta ndiejmë me shumë për nevojë … se nuk mund të qëndrojmë indiferentë para ndryshimeve sociale, se ashtë frikë që harmonia qytetare na hedh jasht rrethit të saj dhe kështu fati ynë do të qëndrojë në errësirë dhe demoralizim”.
H. Ali Korça është ndër më të shquarit e thirrjes për ndryshime. Në shkrimet e tija kërkonte “të mirësohet bujqësia … të shtohej mbjellja e orizit, pambukut, linit. Të mirësojmë farnat e drithnave, – shkruante ai – të bashkojmë kapitalin dhe të bajmë fabrika shoqënisht … disa zot tokash të bashkohen e të bajnë machina – përfundonte ai. E këto H. Ali Korça i shkruante më 1926. Këtu e gjen rrugën e shpëtimit social demokrati i madh kur përfundon: “…kësi soj pak nga pak populli shqiptar fillon me u shkundë prej varfënisë. Në qoftë se do çohemi prej këtij gjumi kaq të rëndë, do të mundemi të jetojmë edhe pak”.
Kështu zëri për reforma nuk mbeti një “zë në shkretëtirë”. Do të dalë S. Vuçiterni e do të lëshojë kushtrimin “… për me mujtë me rrojtë e me sigurue ekzistencën tonë, ma tepër se kush do kemi nevojë të bajmë reforma, me ndihmën e të cilave të mundemi me përmirësue gjendjen tonë shoqërore”.
Qenë zërat e patriotëve, që bënë çmos për të drejtuar shoqërinë shqiptare drejt progresit… Prandaj e hodhën vështrimin drejt Evropës: “Ne jemi një vend europian, – shkruhej në Zanin e Naltë – dhe si i tillë duhet të marrim nga qytetnimi perëndimor ç’ka asht ma e mirë, por jo ç’ka asht e keqe”.
Një vend të veçantë në “Zanin e Naltë” i është kushtuar raporteve të shtetit me shoqërinë, duke e shikuar shtetin si një arritje të rëndësishme për kombin. Prandaj reformat shtetërore për ndryshimet politiko-juridike-sociale, “Zani i Naltë” i mbështeti si përpjekje pozitive të shtetit të ri shqiptar. Kësisoj “Zani i Naltë” rrezaton përgjegjshmëri të plotë ndaj problemeve sociale që kalonte kombi. Këto shanse drejt progresit, “Zani i Naltë” i kishte të frymëzuara nga i shquari Vehbi Dibra, që hapi dyert e mendimit përparimtar kundër formulave të fanatizmit, kur me fjalën e hapjes së Kongresit, tha: “… dera e pikëpamjeve nuk asht e mbyllun dhe jemi gati për me i mejtue disa çashtje fetare, se me ndërrimin e kohës ndërrojnë edhe gjykimet, tue bamë reforma, pa i prekë themelet fetare”.
Në këtë kuadër u projektuan në Shqipërinë tonë një varg zhvillimesh të rëndësishme, ku shquhen prirjet progresiste të “lëvizjes feministe” që u shfaq si një shqetësim i shoqërisë së kohës për një rol dhe vlerësim më njerëzor të femrës shqiptare. Në nr. 3, më 1926 “Zani i Naltë” do t’i thurte himn figurës dhe personalitetit të gruas: “Gruaja asht krijuem me një fuqi madhështore të cilën mund ta përdorim edhe në një mënyrë të dobishme për të gjithë, kaq sa vlefta e një kombi bazohet me atë të grave”, – shkruhej atje.
“Zani i Naltë” trajtoi me forcë të drejtën e pamohueshme të femrës shqiptare për arsimin: “… të hapim shkolla varfnore mashkullore e femnore, – shkruan S. Vuçiterni – që të mësohen e të edukohen e mbasi të kenë krem shkollën të jenë të zot secili prej tyre m’u marrë me lloj mjeshtrije qi asht si gjymtyrë të dobishme të bahen të dejun m’u përzi me shoqninë njerzore.”
E vazhdon: “Asht detyrë e domosdoshme të mejtohemi jo pak, por shumë, edhe për mirërritjen e varzave tona, në prehen të cilave nesër do të rritet e do të marrë mësimet ma para, shpresa sa e njomë, aq e gjallë e ardhshmerisë”.
“Zani i Naltë” ka ngritur zërin që, gruas shqiptare t’i sigurohet e drejta e punës si realitet i rolit parësor të saj në shoqëri, si nënë dhe grua. “Asht për t’u përmend, – shkruan “Zani i Naltë” – se nuk ka ndalim për gratë e reja me mësue dituni e mjeshtri… si dhe me shkue me ushtrue mjeshtrinë ndër vendet e punimeve”.
Pa dyshim, një ndër problemet më të rëndësishme, që është trajtuar në “Zanin e Naltë” ka qenë pasqyrimi i atyre përpjekjeve kolosale, që kanë bërë forcat përparimtar në luftën për emancipimin e femrës myslimane shqiptare. Kurse F. Vokopola, në nr. 3, 1937 shkruante: “Le të shpresojmë se me marrjen pjesë të grues në lamën e aktivitetit njerëzues, atdheu i jonë do të përparojë me hapa gjigande drejt sferave të lumnisë landore e shpirtnore”. Në nr. 6 të revistës, F. Vokopola në “Zanin e Naltë” do të shkruante me frymë aq liberale sa do t’ia kishte lakmi edhe çdo revistë laike e kohës: “… të rinjtë e të rejat që janë kandidate për martesë, të kenë kujdes me zgjedhë të dashunin e tyne e të mos të gabohen nga influenca e parë e pasionit”. “Zani i Naltë” po merrte përsipër edhe thirrje të tilla.
Në shumë artikuj të revistës është ngritur si problem për zgjidhje parimi Islam i barazisë së plotë të gruas me burrin, atë që sot e quajmë “e drejta politike” e personit, deri në të drejtën e gruas për të marrë pjesë në drejtim. “Nuk ka dallim për një grua, m’u bamë njeri i shteti – shkruante “Zani i Naltë” – dhe tue u interesue në punë politike, me dhanë mendimin e vet për modifikimet që duhen me u bamë në formulim të ligjeve”.
“Zani i Naltë” me një luftë pa kompromis e kërkoi progresin…
Ata që në “Zanin e Naltë” hodhën firmën e përparimit, kurrë nuk do të harrohen. Më të shquarit shkëlqyen si frymëzues, si pararendës dhe si bartës ndryshimesh të mëdha. Ata e kryen në mënyrë të shkëlqyer detyrën e tyre, duke e pasuruar biografinë, traditën dhe historinë e shtypit shqiptar, duke bërë që bashkëkohësit, ne sot, por edhe brezat e ardhshëm t’i nderojnë me respekt për atë që bënë dhe për atë që lanë.[1]
[1] Artikull i botuar në gazetën “Drita Islame”, nr. 23 (154), dhjetor 1998, fq. 2 dhe 4 dhe në revistën Zani i Naltë, nr. 6 (159), janar, shkurt, mars 2014.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...