Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
May 26, 2014 Zani i Nalte Personalitete 0
nga Prof. dr. Njazi KAZAZI
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i Gjuhësisë
1. HYRJE:
Figurat e shquara të kombit që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare do të përkujtohen gjithnjë me respekt e mirënjohje të thellë. Vitet e fundit ato po nxirren edhe më shumë në dritë, po ridimensionohen dhe po u jepet vendi që meritojnë. Kështu ndodhi edhe me Daut Efendi Boriçin, “Mësues i Popullit” (1825-1896), që me rastin e 100-vjetorit të ndërrimit jetë u përkujtua në një veprimtari shkencore dhe me një botim prej 88 faqesh të Muzeut Historik të Shkodrës.[1]
Për hir të së vërtetës, për Daut Boriçin është shkruar jo pak. Ai ishte një nga atdhetarët e shquar të Rilindjes Kombëtare, mësues, inspektor arsimi, kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shkodrën. Por qe edhe didakt i njohur, dorës së të cilit i përkasin edhe tekstet shkollore: Gramatika, një fjalorth turqisht-shqip dhe tri abetare shqipe.
Për Daut Boriçin është shkruar që herët në revisten “Dituria”. Lumo Skëndo jep dy informacione të rëndësishme për krijimtarinë e Daut Boriçit në fushën e teksteve shkollore. Në rastin e parë në rubrikën “Biblografia shqiptare” në vitin 1927, boton të dhëna për abetaren që i ka dërguar z. Sheuqet Muka, drejtor i shkollës Plotore në Shkodër, si dhe pak të dhëna jetësore, kurse në rastin e dytë, në vitin 1928 në rubrikën “Letër nga këndonjësit” jepen përshkrime për tri broshura, dy abetare dhe një gramatikë e vogël shqipe, si dhe fletë e madhe me të dhëna biografike të shkruara nga dora e Daut Efendisë, të dërguara nga korrespondenti i revistës z. Hamdi Bushati.[2]
Punime për këtë personalitet janë bërë nga shumë figura, në mes të të cilëve përmendim: Xhafer Belegu, Prof. Dr. Jup Kastrati, Prof. Dhimitër Shuteriqi, Prof. Dr. Shefik Osmani, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, Prof. Gazmend Shpuza, Prof. Dr. Kujtim Bevapi, Prof. Kahreman Ulqini, Dr. Mikel Prennushi, Prof. Dr. Tomor Osmani, Prof. as. Dr. Ludovik Shllaku, Prof. Vehbi Bala, Xhevat Repishti, Prof. Dr. Vehbi Hoti, Prof. Bedri Dedja, Prof. Dr. Hysni Myzyri, Prof. Dr. Musa Kraja, Mentor Quku, Lec Zadeja, Anila Dushi dhe një shkrim pa emër autori në revistën DI (Dituria Islame), korrik, 2012 etj., etj.
E gjejmë edhe në botimin: “Encikopedi-100 personalitete shqiptare të kulturës Islame, shekulli XIX-XX”.[3]
2. Vështrim për abetaret shqipe
Daut Efendi Boriçi pati veprimtari të dendur në fushën e arsimit dhe të shkollës. E gjejmë si drejtor i shkollës Ruzhdije të Shkodrës më 1865 dhe si inspektor i arsimit fillor në zonën e Shkodrës, në vitet 1870-1879, ku fitoi autoritet dhe u bë popullor në sajë të qëndrimit të tij parimor dhe dha ndihmesë të veçantë për edukimin e nxënësve dhe të masave të popullit me ndjenjat atdhetare, si dhe për mbrojtjen e territorit shqiptar nga rreziku i copëtimit në mes të shteteve fqinjë.
Veprimtaria e gjerë organizative e konkretizuar me përpjekjet për të hapur shkolla në Lezhë, Tiranë, Kavajë, Krujë, Ulqin e Dibër, si dhe përgatitja e botimeve për mësimin e gjuhës shqipe, (kryesisht të Abetareve shqipe për të cilat po flasim) e fajësoi atë para Portës së Lartë e cila ndërmori një serë masash kundër tij. Me vendimin e gjyqit ai u internua në Amfihsar (Turqi), ku qëndroi nga viti 1880 deri më 1888.
Gjatë punës për hartimin e historisë së “Abetareve shqipe…” në bashkëpunim me Prof. Dr. Shefik Osmanin[4], ne jemi marrë edhe me abetaret e tij, por tani po japim në mënyrë të përmbledhur punën që ka bërë Daut Efendi Boriçi në këtë fushë.
“Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet”. Këtë deklaronte, si kredo politike, në librin e tij “Abetare shqip” më 1869.
Pas “Ëvetareve..” të Naum Veqilharxhit, pas abetareve të Kristoforidhit dhe atyre të Daut Efendi Boriçit, shpalosej programi i madh i zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe.
Boriçi në mes të 37 shkronjave, 7 i hartoi vetë, nga ato fonema që i korrespondonin shqipes. Me këtë hap që bëri, ai provoi se shqipja ka veçoritë e veta, se alfabetet e grafitë e tjera nuk i plotësonin kërkesat gjuhësore të saj, se nga ana didaktike duheshin hedhur hapa të tjerë. Ndaj vepra e Boriçit përputhet me atë të Veqilharxhit dhe me atë të Kristoforidhit, duke përbërë atë trinom, që ka për bazë abetaret e para, mbi të cilën është ndërtuar tërë fondi i artë e abetareve shqipe.
Në shtypin tonë janë dhënë mendime për abetaret dhe ribotimet e bëra nga ky autor[5].
Daut Efendi Boriçi hartoi dhe botoi këto abetare shqipe:
–“Abetare shqip” me shkronja arabo-turke, litografuar në Stamboll, më 1861. Ribotim i saj më 1869.
–“Abetare shqip”, e ndryshme prej së parës.
–“Abetare shqip” e ndryshme prej dy të parave.
Nga transkriptimi i plotë i abetares së parë të viteve 1861 dhe 1869, mund të themi se ajo është një abetare shqip-turqisht, me shkronja arabo-turke dhe me krijime origjinale të autorit, pa asnjë shënim në frontespic, pa vit e vend botimi, siç bëheshin nga një herë këto lloj botimesh në Lindje.
Abetarja e Daut Efendi Boriçit ka këto veçori themelore:
Është hartuar sipas metodës sintetike. Pikënisje janë marrë njësitë e vogla të gjuhës, tinguj-shkronjat. Kështu teksti me paraqitjen e të gjitha shkronjave të alfabetit të cilat vendosen në katër kolona ku shkronja është në pozicione të ndryshme: më vete, në fillim, në mes dhe në fund të fjalës. Alfabeti i kësaj abetareje ka 37 shkronja, nga të cilat 28 janë marrë të alfabetit arab, 2 i ka marrë nga osmanishtja dhe për të plotësuar nevojat e gjuhës sonë 7 shkronja i ka krijuar vetë. Si mësues dhe si didakt, mendojmë se ka bërë një punë të kujdesshme me shkronjat e reja që më tepër përdor shenja të vogla si: shtim ose heqje pikash, shenja didaktike etj. (Shih pasqyrën nr. 1).
Përpjekja e Boriçit për t’ua fëmijëve dhe më gjerë gjuhën shqipe me shkronja arabo-turke, duke qenë medresist i Stambollit dhe punonjës i administratës osmane, mendojmë se duhet konsideruar si përpjekje e madhe në kushtet e pushtimit, gjetje e një rruge efektive për të mbajtur gjallë dhe për të shkruar gjuhën shqipe.
Porosia e tij drejtuar nxënësve shqiptarë: “… xen me shkru shqip…” që lexojmë në faqen 32 të abetares, është vazhdim i kredos së tij politike, është plan-programi i punës së tij për ta bërë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi.
Për të arritur tek fjalët, autori përdor rrugën tradicionale, duke kaluar nga shkronjat në rrokjet. Kështu fillon me rrokje të thjeshta (po, jo, si, ku etj.), në fjalë njërrokëshe (mish, det, Reç-emër fshati) dhe vijon me fjalë, por më tepër se tre-katër dhe me bashkëtingëllore të njëpasnjëshme si: (shejt, mret).
Shkalla e vështirësisë vjen duke u rritur, por shembujt janë ndërtuar edhe me vlera edukative.
Për përvetësimin e mekanizmit të lexim-shkrimit, autori përdor rrugë që ndiqen edhe sot, leximi i fjalëve me çifte, me ngjashmëri ose nëpërmjet shëmbëllimit, si: bjeshk(ë)-pjeshk(ë); Pashk(ë)-bashk(ë); kumbull-kungull, krue-gzue etj.
Në abetaren e Daut Efendi Boriçit gjejmë kryesisht fjalë të fjalorit aktiv të moshave dhe mjediseve të ndryshme shkodrane.
Po konkretizojmë me fjalorin që përdor Boriçi në abetaren e tij, sipas fushave: – nga mjedisi i afërt, – nga mjedisi i largët, – nga bota e kafshëve, – nga bota e bimëve, – pjesë të trurit të njeriut, – mjete pune, – ushqime të njeriut etj.
Studiuesit e ndryshëm kanë dhënë mendime për gjuhën e autorit, vlerat e saj.[6]
Botimi i një abetareje shqipe në vitin 1861 (1869) është nga ngjarjet më të shënuara në historinë tonë për disa arsye:
Së pari: Me sa dimë deri tani, kjo është e para abetare shqipe që botohet në zonën e Veriut. Boriçi, me sa duket, nuk i njihte “Ëvetaret…” e Veqilharxhit. Po ashtu mendoj se nuk ishte në korrent të punës që sapo kishte bërë ose po bënte Kristoforidhi. Mungesa e ndonjë teksti pararendës ishte në dëm të punës së tij. Abetaret turke që i njihte mirë, i shërbenin fare pak, për arsye e veçori të tjera që ka gjuha shqipe.
Së dyti: Abetarja, ndonëse e botuar me alfabet arabo-turk, është me përmbajtje krejtësisht shqiptare dhe me krijime origjinale të autorit. Kjo dëshmon për një hop në fushën e arsimit kombëtar, me bazë gjuhën shqipe.
Së treti: Duke e parë në një vështrim më të gjerë, vërejmë se në fjalorin e saj përfshihen edhe emra të besimit katolik (Kel) si dhe emra të festave fetare të këtij besimi (Pashkë). Prania e këtyre emrave në një tekst të shkruar nga një klerik-mysliman, por që edhe më vonë do të kishte edhe postin e Kryetarit të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shkodrën, dëshmon për përpjekjet e bëra për ngritjen e rrjetit arsimor pa dallim feje.
Së katërti: Abetarja e Boriçit përshkohet nga fizionomia e edukatës morale të kohës. Mesazhet që ajo transmeton i përkasin moralit klasik, të cilat jepen në formë këshillash, shpesh kategorike, si: Mos rri pa punë, Shko n’shkollë, Mos prito, Ndigjo kshillat e mira, Kur t’flasish mendo, Mos rrej etj.
Së pesti: Në kuadrin e mësimeve për edukimin atdhetar, arsimor e qytetar, që përmban ky tekst mësimor, është edhe porosia e dhënë në mënyrë urdhërore: “…xen me shkrue shqip”.[7] Kjo do të thotë se Daut Efendi Boriçi njeh si gjuhë mësimi gjuhën amtare, shqipen. Kështu në atë kohë, kur Shqipëria ishte e pushtuar, ai vë turqishten si gjuhë të dytë duke shkruar: “…edhe turçen xen”. [8]
Së fundi: Botimi i një abetareje në gjuhën shqipe, më 1861 ose më 1869, si tekst i litografuar, me tirazh të konsiderueshëm, kopjet e të cilit i gjetëm pas më shumë se një shekulli në disa familje dhe në fondet e bibliotekave, të bindin se në shkollat e trevës së Shkodrës dhe territoreve që mbulonte D. Boriçi, si drejtues i vijaletit të Shkodrës, është përdorur abetarja e tij.
3. Përfundime:
Në përfundim mund të themi se i takon Daut Efendi Boriçit merita e realizimit të kësaj detyre të madhe të programit kulturor të shqiptarëve në agim të Rilindjes sonë Kombëtare.
[1] Muzeu Historik, Shkodër, 1996, U mbajtën këto kumtesa: 1. Nexhmi Bushati-Epok, mjedisi, familja dhe shkollimi. 2. Astrit Boriçi-Daut Boriçi dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. 3. Islam Dizdari- Daut Boriçi “Mësus i Popullit”. 4. Prof. dr. Tomor Osmani-Vëzhgime gjuhësore në veprat e Daut Boriçit. 5. Prof. dr. Shefik Osmani, Dr. Njazi Kazazi-Njëri nga të tre…6. Faik Luli “Mësues i Popullit”-Studime dhe vlerësime për Daut Boriçin.
[2] Cituar sipas Faik Lulit, në kumtesën e shënuar: “Biblografia shqiptare” në revistën “Dituria” nr. 4, vëll. II, Tiranë, 1927, fq. 190 dhe “Letër nga këndonjësit”, në rev. “Dituria”, nr. 5, mars 1928, vëll. III, fq. 193.
[3] Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Editor: Genti Kruja, Andrin Rasha e grup autorësh, Tiranë, 2012, fq. 307 (në faqet 37-41 për Daut Ef. Boriçin).
[4] Shih botimin: Prof. Dr. Shefik Osmani-Prof. as. Dr. Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historike-pedagogjike” , Botim i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno” , Tiranë, 2000, fq. 367.
[5] -Jup Kastrati, Figura të ndrituna të Rilindjes Kombëtare, Shkodër, 1963,fq. 130-133; “Abetarja shqipe e Daut Boriçit e viteve 1861 ose 1969”, në “Mësuesi”, 18. 04.1964.-Dhimitër Shuteriqi, Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Tiranë, 1976, fq. 281.-Vehbi Bala, “Nëntori”, 1978, Nr. 6, fq. 85. -Kujtim Bevapi, “Të dhëna mbi disa abetare shqipe të Rilindjes Kombëtare dhe alfabetet e tyre”, “Revista pedagogjike”, 1978, Nr. 4, fq. 134-140. -Tomor Osmani, Histori e alfabetit të gjuhës shqipe, Tiranë, 1987, fq. 150-151 dhe Udha e shkronjave shqipe-Histori e Alfabetit, Shkodër, 1999, fq. 254-259.
[6] Jup Kastati në art. e cituar ka theksuar se nga 296 fjalë, vetëm 5 janë turke: hajr, mejtep, okë, qejf, zor.
[7] “Abetare…” fq. 32.
[8] Po aty, fq. 32.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...