Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
May 24, 2014 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Eja ndigjo, ndër qiellna si është ngjitë,
N’qofsh ashik, n’zjarrm t’ashkut mos u digj!
Sa çel e mbyll sytë, menjëherë ai Padisha,
N’Kudsi Sherif erdh, ia mbrrini e pa.
Shpirtrat e pejgamberëve gjithë kur e panë,
Para i dolën dhe shumë ikram i banë.
Doli në mihrab, të gjithë tabi iu banë,
Gjithë atyne iu prini e iu bë imam.
Zoti urdhënoj e tha t’vijn me pa,
Arsh e Qyrs, hem edhe Mue, ja Mustafa!
Ty të kallzon sonte gjithë çka jeretisë,
Dhe të diftohet Xhemali i Perëndisë.
(marrë nga MEVLUDI në gjuhën shqipe)
Kishte afro 12 vite që pejgamberi Muhamed a.s. predikonte fenë Islame, që i ftonte banorët e Mekës dhe të rrethinave, të besonin në një Zot të Vetëm e ta adhuronin Atë – Krijuesin e gjithçkaje, pa shok e ndërmjetësues, të besonin në Ditën e Gjykimit, ditën kur do të paraqiten para Zotit për t’u ballafaquar me punët e tyre të regjistruara, sado të vogla të kenë qenë ato. Parimi i Teuhidit (Njësimit) që po predikonte profeti Muhamed, normat e larta morale që po praktikonte dhe hapat e vegjël, por të sigurt e të suksesshëm, që kishte hedhur në formimin e një grupi shoqëror të përkushtuar dhe solid besimtarësh, bëri që në zonën e Mekës së shekullit VII (e.j.) të lëkundeshin qartësisht zakonet dhe marrëdhëniet sociale të ndërtuara mbi bazën e skllavërimit, rrëmbimit të pasurisë, forcës së pushtetit me pa të drejtë, besëtytnive dhe veseve (kumari, alkooli, imoraliteti, falli), konflikteve ndërfisnore, dhunimit dhe nënçmimit të skajshëm të femrës, të fukarenjve e shtresave në nevojë etj. Paria mekase, duke ndjerë valën që po i përmbyste të ardhmen, kundërveproi mjaft ashpër ndaj profetit Muhamed dhe përkrahësve të tij: pengonte faljen e besimtarëve në Qabe; nuk lejonte kumtimin e besimit Islam në mjedise të ndryshme publike; fyente, përndiqte e persekutonte pasuesit e Muhamedit deri në eliminim fizik të tyre. Në këto kushte represioni, një grup myslimanësh u detyrua të merrte rrugën e emigrimit në Abisini. Pjesa tjetër që qëndroi në Mekë, u gjend edhe në situatën e përballimit të sakrificave që sjell izolimi shoqëror-ekonomik. Për rreth 3 vite myslimanët u bojkotuan nga shoqëria mekase: u ndalua çdo marrëdhënie sociale me grupin e myslimanëve, nuk u lejuan të mbanin madje edhe lidhjet farefisnore, si dhe nuk u lejohej të merreshin me aktivitetet ekonomike bazike për mbijetesë. Profeti Muhamed bëri përpjekje të gjente shpresë në Taif (një zonë afër Mekës), por edhe atje e dëbuan në mënyrë të dhunshme. Dëshpërimi i tij u shumëfishua me vdekjen e bashkëshortes Hatixhe dhe xhaxhait Ebu Talib, dy njerëzit që më së shumti e përkrahën dhe e mbrojtën. Ky vit quhet edhe “viti i hidhërimit”. Në këtë situatë tejet të rënduar, Allahu e ftoi pranë, për t’ia bërë me dije se nëse në tokë të kanë vdekur “mbrojtësit”, në qiej ke Allahun, që nuk vdes dhe që nuk të lë të pambrojtur. Ja pra, 12 vite më parë, në Malin e Dritës, Allahu, nëpërmjet ndërmjetësit të Tij – engjëllit Xhibrijl – i shpalli dhe i besoi pejgamberit Muhamed kumtimin e fesë Islame, pas 12 vitesh sprova, qëndrueshmërie, vendosmërie e durimi të lartë, tashmë kishte ardhur koha që Vetë Krijuesi i Gjithëmëshirshëm ta ftonte në takim të drejtpërdrejtë të përzgjedhurin e Tij, të dërguarin e Tij për gjithë njerëzimin, Muhamedin e Nderuar. Allahu, Shpikës i universit dhe ligjeve të tij, ia mundësoi profetit Muhamed a.s. të kryejë Isranë dhe Miraxhin.
“I Madhëruar është Allahu që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës nga Mesxhidi Harami (prej Qabes) në Mesxhidi Aksa (xhamia Aksa në Jerusalem), mjedisin e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi, pamësi (i punëve të Muhamedit).”
(Kuran, 17/ 1)
“… Zemra nuk e mohoi atë që e pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që e ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) te Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhennetul Me’va (kopsht strehimi i …). Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai, (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.”
(Kuran 53/ 2-18)
Ngjarja e natës së 27-të të muajit Rexhep të lë përshtypjen e fantazisë. Por, shikuar në prizmin e teorive fiziko-matematikore bashkëkohore, ndoshta mund të dallohet një ngjyrim shkencor për ndodhinë e Israsë dhe Miraxhit: Udhëtimi i Muhamedit gjatë Israsë dhe Mi’raxhit mund të jetë kryer sipas “urave relativiste” (të quajtura figurativisht “vrima krimbi”). D.m.th. pejgamberi Muhamed, i orientuar nga engjëlli Xhibril, kanë shfrytëzuar “urat relativiste” (apo “tunelet-kohore”) për të përshkuar në çast dy etapat e udhëtimit: Isranë (Mesxhidul Haram/Mekë – Mesxhidul Aksa/Jeruzalem) dhe Mi’raxhin (ngjitjen deri në Sidretul Munteha/kufijtë e njohjes njerëzore, qiejt e sipërm/ e më tej para vendtakimit të planifikuar për bisedën me Zotin).Me urdhrin e Krijuesit, të Plotfuqishmit, të Dijshmit, engjëlli Xhibril e shoqëroi dhe e drejtoi Muhamedin për tek “urat relativiste” (“shtigjet kohore”), që të kryente udhëtimin në kozmos vajtje-ardhje pa “shpenzuar” kohë. Është i njohur përfundimi teorik i teorisë së relativitetit se koha ndalon rrjedhën e saj nëse lëvizja e objektit bëhet me shpejtësinë e dritës. Në përputhje të plotë me këtë koncept përshkruhet “mjeti”, me të cilin u krye udhëtimi. Ai ishte një si “kafshë e bardhë” (prej drite) e quajtur “burak” (sipas Buhariut). Fjala “burak” vjen nga fjala“berk”,që do të thotë “rrufe”, d.m.th. dritë. Pra kjo qenie lëvizte me shpejtësinë e dritës. Gjithashtu pejgamberi Muhamed i është nënshtruar edhe një operacioni fizik në kraharor (kryesisht në zemër), me qëllim përshtatjen, forcimin dhe përballimin e udhëtimit.
Gjatë udhëtimit, Muhamedi vrojtoi panorama të kozmosit. Pra, atij iu bë e mundur që të shohë argumentet e madhërisë së Allahut, të shikojë ngjarje e ndodhi të ndryshme, në të cilat manifestohet fuqia e Krijuesit. Njeriu ishte mësuar t’i shihte yjet, diellin dhe hënën, nga toka dhe, për ato, ai rrekej të gjente të vërtetën. Por, bashkë me të, thurte fantazi e të pa vërteta. Kurse Muhamedi i vrojtoi konkretisht, me sytë e tij, mrekullitë e kozmosit dhe ç`kishte atje, duke u përgatitur për ç`ka po shpalleshin ajetet e Kuranit lidhur me universin. Pamje madhështore dhe të këndshme, dritë që qetësonte e gëzonte njëherësh sytë dhe zemrën, ndjenja kënaqësie të papërshkruara. Pas përjetimeve të mrekullueshme të bukurive dhe të harmonisë në bahçen kozmike, i gjendur afër sa dy harqe me Zotin e Madhëruar, Bujar dhe Fisnik, Muhamedi a.s., përfaqësuesi më i denjë i njerëzimit, dëshmon në emër të tij, tërësisht i bindur para Allahut, Krijuesit, të Plotfuqishmit, të Gjithëditurit, kryefjalën, për të cilën ishte dërguar dhe për të cilën merr kuptim gjithë krijimi, njeriu dhe jeta: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob i Tij dhe i dërguar i Tij!” Përmes Israsë dhe Miraxhit, profeti Muhamed arrin konkretizimin e rrugëtimit dhe meditimit të profetit Ibrahim, i cili kulmon me nënshtrimin e plotë ibrahimian ndaj Krijuesit të Plotfuqishëm.
Natyrshëm, takimet e rëndësishme kanë edhe mesazhe madhore për krijesën njerëzore. Allahu urdhëroi faljen e 5 vakteve namaz, si akti më i përsosur, më i plotë, më universal dhe më harmoniku për t’i dhënë vlerën e duhur dëshmisë (shehadetit) “Nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij!” Namazi është përkufizuar si shtylla e fesë. Ai është i vetmi adhurim i obliguar drejtpërdrejtë nga Allahu. Pejgamberi Muhamed (a.s.) e ka cilësuar namazin si “Miraxhi i besimtarit”, d.m.th. namazi është veprimi që i mundëson gjithkujt të përjetojë lartësimin shpirtëror. Namazi është forma më e përkryer për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimet Allahut Mëshirëplotë. Namazi është ngritje, afrim te Allahu. Profeti Muhamed shpesh theksonte se në namaz gjente kënaqësinë më të madhe, se namazi për të paraqet çastet më të lumtura, më admiruese, më të gëzuara, më të qeta dhe më entuziaste…” “Përmes namazit, duke u lidhur me Burimin e Fuqisë, njeriu shpirtërisht forcohet dhe freskohet.” (“Islami në kohë” Hysein Gjozo, Shkup 1993, f. 78-84) “Namazi është prehja e shpirtit, shëtitja e ndërgjegjes … Namazi është … ndriçim ritmik i jetës shpirtërore të njeriut.” (“Dritë e Pashuar” F. Gylen, botimi shqip, Tiranë 2004, faqe 352, 353)
Meditimi në namaz dhe prania afër Zotit, Dhurues të mirësive, ndikojnë pozitivisht që organizmi të përballojë streset që shkakton jeta, puna dhe marrëdhëniet me të tjerët. Namazi i kultivon besimtarit qetësinë, urtësinë, maturinë, besnikërinë, ndershmërinë dhe korrektësinë në punë, edukatën e komunikimit në familje e shoqëri, gatishmërinë dhe vullnetarizmin për të ndihmuar të tjerët, përkujdesjen për mjedisin, durimin dhe guximin në përballjen me vështirësitë e jetës. Kryerja e rregullt e namazit, e nxit dhe e motivon besimtarin të jetë produktiv në punë. Kushdo që e shijon namazin, përjeton qetësinë shpirtërore dhe përçon paqe e mirësi gjithkund në shoqëri.
Edhe dy detaje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndikimin frymëzues të Israsë dhe Miraxhit:
Fluturimet e para, lëshimi i satelitëve, shkelja e njeriut në Hënë, studimi i drejtpërdrejtë i Marsit, studimi i sistemit tonë diellor e më gjerë, janë prova se njerëzimi, dashur pa dashur, ka ecur në rrugën e arritjes së horizonteve të mrekullive kuranore dhe të profetit Muhamed a.s. Kjo tregon saktësinë e Kuranit, çdo fjali e të cilit është një argument më vete. S’ka dyshim se Kurani është fjala e Zotit dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Allahu është ligjvënësi Absolut, Ai e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kozmosit e të njeriut. E, për ta orientuar drejt njeriun, i dha Librin e Qartë-Kuranin. “Ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria. E, argumentet Tona nuk i mohon kush, përveç të shfrenuarve.”
(Revista Drita Islame, Maj 2014)
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...