Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jun 05, 2014 Zani i Nalte Studime 0
nga Ilir Akshija, M.D., M.Sc.
Spitali Universitar “Nënë Tereza”, Tiranë
Abstrakt
Evidenca tregon lidhjen që ekziston ndërmjet emrave personalë dhe përkatësisë fetare, veçanërisht në pjesën më të moshuar të popullatës. Ky përfundim mbështetet nga studime që analizojnë frekuencën sipas prejardhjes së emrave dhe shpërndarjen e tyre gjeografike. Në këtë studim, ne kemi ndërtuar një rrjetë të dhënash nga pacientët e shtruar në spitalin më të madh në Shqipëri, të ndarë në tre periudha historike dhe kemi analizuar evolucionin e përdorimit të emrave myslimanë. Karakteristika fatlume e Shqipërisë është të qenit një pikë takimi e tre kategorive religjioze, Myslimanëve, të Krishterëve Katolikë dhe të Krishterëve Ortodoksë. Çfarë ka ndodhur dhe vlerësimi i tendencës së përdorimit të emrave myslimanë në popullatën e Shqipërisë, është diskutuar duke marrë në konsideratë tre periudha historike të ndara mirë nga njëra tjetra; 1904-1945, 1946-1991, dhe 1991-2011. Duke e konsideruar vendosjen e emrit të fëmijës si një procedurë gjuhësore, të lidhur ngushtësisht me identitetin e popullatës, jemi përpjekur ta trajtojmë këtë proces si reflektim të sjelljes kolektive gjatë proceseve historike në një vend me karakteristika specifike, si besimet fetare, gjeopolitike, etj.. Të dhënat tregojnë qartë zëvendësimin në kohë të emrave tradicionalë myslimanë me emra që qartësisht mbajnë gjurmët e periudhës historike që i përkasin. Pamundësia teknike e fokuson studimin vetëm në studimin e emrave myslimanë. Vendosja e emrit të fëmijës si pjesë e sjelljes kolektive tregon preferencat apo rezistencën e popullatës ndaj ndryshimeve sociopolitike dhe presionin apo sugjerimin e sistemit politik ndaj këtij komponenti. Një sjellje e tillë nuk është një ndryshim i menjëhershëm në kohë por rezultante e forcave që veprojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe me ndryshime të herëpashershme në shoqërinë Shqiptare.
Fjalëkyçe
Emra myslimanë; sjellje kolektive; sistem i emërtimit; feja; data mining; bazë e të dhënave spitalore.
Hyrje
Shqipëria është një vend i vogël në gadishullin e Ballkanit, Evropa Juglindore. Popullsia e përgjithshme është 2,831,741.[1] Shqiptarët janë një vazhdimësi etnike e ilirëve, një popull i lashtë i Ballkanit, të cilët u përzien dhe luftuan me grekët, trakët dhe maqedonasit, para se të binin para sulmeve romake rreth kohës së Krishtit. Në shekujt XIV dhe XV, turqit osmanë sunduan në Ballkanin perëndimor. Nacionalizmi shqiptar u nxit për herë të parë në fund të shekullit të XIX, kur u duk qartë se Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia donin të rrëmbejnë tokat shqiptare të populluara të Perandorisë Osmane. Pas dekadave të tëra trazira dhe humbjen e Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike në vitet 1912-1913, liderët shqiptarë e shpallën Shqipërinë një shtet të pavarur dhe Fuqitë e Mëdha të Evropës përcaktuan një Shqipëri të pavarur pas Luftës së Dytë Ballkanike të vitit 1913.[2]Pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazist, vendi u bë një republikë socialiste, derisa Republika Popullore u shpërbë dhe zëvendësohet me Republikën e Shqipërisë, në epokën e demokracisë në vitin 1991.
Duke ju referuar historisë moderne Shqiptare të shekullit të XX-të, të turbullt dhe të paqëndrueshme, mund të përcaktohen qartë tre periudha krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra me të cilat shqiptarët aktualisht të gjallë u detyruan të bashkëjetojnë. Presioni i hapur ndaj fesë dhe besimit është tipike e regjimit komunist. Ishte objektiv i PPSH-së të modifikonte sjelljen dhe qëndrimet e qytetarëve shqiptarë në mënyrë të tillë që “opinioni shoqëror” duhej të parandalonte “sjelljet antishoqërore”, ndërsa të gjithë qytetarët duhej të shpallnin “luftë kundër borgjezisë, revizionizmit, feudalizmit, dhe ideologjive patriarkale” dhe “praktikave të prapambetura dhe paragjykimeve fetare.”[3] Ky presion shtetëror reflektohet në të gjitha dimensionet e jetës së përditshme. Me pak fjalë, Hoxha ndërtoi një regjim që merrej seriozisht me çdo aspekt të sjelljes dhe qëndrimeve individuale.[4] Sidoqoftë, këto karakteristika nuk janë ekskluzive të regjimit komunist. Disa prej tyre janë produkt i pastër i ideologjisë komuniste, por përgjithësisht përzihen me karakteristika të tjera gjeopolitike. Në periudhën moderne të historisë shqiptare mund të shohim qartë gjurmët e politikës lokale dhe globale. Për shembull, mund të konstatohet, se emigracioni i Shqiptarëve dhe reaksioni i vendeve fqinjë ndaj këtij fenomeni ka karakteristika mjaft specifike. Migrimet Intra-Ballkanike janë në mënyrë të paevitueshme të ndryshme nga karakteristikat normale të migrimit. Greqia e ka treguar veten në menaxhimin e emigracionit në mënyrë të qartë se është një vend ballkanik më tepër sesa një vend evropian.[5]
Ndikimi i këtyre periudhave në sfondin socio-kulturor të shqiptarëve është evident, si dhe ndikimi i tyre në emrat e popullatës lokale, i cili është argumenti i këtij studimi. Të ndarë në tri grupe fetare, Myslimanë, të Krishterë Katolikë dhe të Krishterë Ortodoksë, vetëm emrat myslimanë mund të studiohen. Emrat në dy grupet e tjera mbivendosen në mënyrë të konsiderueshme duke e bërë të pamundur identifikimin e saktë të përkatësisë së tyre.
Materiali dhe metoda
1. Materiali
Lista e emrave të përdorur në studim është ekstraktuar nga baza e të dhënave të Shërbimit të Statistikës, Qendra Spitalore Universitare, Tiranë, Shqipëri. Të dhënat konsistojnë në listat e plota të shtrimit, vitet 2005-2011, me origjinë nga dokumenti “kartelë klinike” dhe të ruajtura në format elektronik.[6]Saktësia e të dhënave është shumë e lartë dhe përdoret për qëllime administrative, klinike dhe ligjore.
Karakteristikat sociodemografike, të tilla si emri, mbiemri, mosha, gjinia, vendi i lindjes dhe vendbanimi janë ekstraktuar nga baza e të dhënave origjinale. Literatura mbështet përdorimin e bazave të të dhënave të mëdha në zhvillimin e listave emërore. Të dhënat e censusit që përfshijnë emrin, vendin e lindjes, prejardhjen janë burime të shkëlqyera, që janë përdorur me sukses për zhvillimin e listave të mbiemrave.[7]
Vini re se, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shërben si qendra e vetme e kujdesit terciar, gjatë periudhës së marrë në studim, për të gjithë popullatën e Shqipërisë dhe numri i personave të shtruar në spital gjatë kësaj periudhe është rreth 10% e popullsisë së Republikës së Shqipërisë. Ne kemi konsideruar që nuk ka diferenca domethënëse ndërmjet grupeve sipas të cilëve ne kemi realizuar ndarjen, që i përafrohet komuniteteve fetare respektive, veçanërisht gjatë kohës së komunizmit kur Shqipëria ishte vetëdeklaruar një vend ateist dhe periudhës së demokracisë, prandaj edhe konsiderohet si popullatë përfaqësuese e të gjithë popullatës së Republikës së Shqipërisë. Nëse kjo konsideratë nuk është e vërtetë apo nuk merret parasysh dhe mendohet se ka ndryshime domethënëse në stilin e jetesës dhe aksesit në shërbimet shëndetësore sipas besimeve fetare, përsëri nuk ka influencë në studimin e emrave myslimanë si një fenomen i shkëputur, përdorimit dhe tendencave në kohë të tyre.
2. Metoda
Njohja dhe klasifikimi i emrave personalë në një tekst të caktuar (p.sh., personi, vendndodhja dhe organizata) kohët fundit është konsideruar si e një rëndësie madhore në Natural Language Processing (NLP), meqenëse luan një rol domethënës në lloje të ndryshme aplikimesh të NLP, veçanërisht në Information Extraction, Information Retrieval, Machine Translation, Syntactic Parsing/Chunking, Question-Answering, ndërmjet të tjerave. Informacioni i vlefshëm në një tekst zakonisht lokalizohet duke pasur në qendër emrin personal, prandaj mbledhja e këtij informacioni fillon me gjetjen e tij si hap i parë i këtyre proceseve.[8]Në vazhdim kemi paraqitur një përshkrim të shkurtër të ndërtimit të emrit arab, si rrënjë e shumicës së emrave myslimanë, madje edhe në gjuhë të tjera dhe ne fokusohemi tek kategoria ism, e përdorur e plotë dhe gjerësisht në traditën Shqiptare të vendosjes së emrave të fëmijëve. Gjuha Arabe ka praktika të mirë përcaktuara të vendosjes së emrave. Elementët përbërës të emrave arabë mund të ndahen në pesë kategori kryesore, Ibn Auda (2003):
1. Një ism (shqiptohet ISM, si rrokja e fundit tek fjala dogmatism[ang.]), një emër personal që vendoset pak kohë pas lindjes. Shembuj emrash të tillë janë Muham-mad [Muhamed], Musa [Moisi], Ibrahim [Abraham].
2. Një kunya (shqiptohet KOON-jah), një emër apo mbiemër honorifik, si babai ose nëna e dikujt; p.sh., abu Da’ud [babai i Davidit], umm Salim [nëna e Selimit]. Ka qëllim të luaj rolin e prefiksit ose në shenjë respekti. Personat e martuar (veçanërisht gratë e martuara) si rregull i përgjithshëm thirren me kunya e tyre(abu ose umm + emrin e fëmijës së parëlindur). Kur përdoret emri i plotë i personit, kunya paraprin emrin personal: Abu Yusuf Hasan [i ati i Jusufit, Hasani], Umm Ja’far Aminah [nëna e Xhaferrit, Amina].
3. Nga një nasab (shqiptohet NAH-sahb), tregues i trungut familjar, si e bija ose i biri i dikujt; p.sh., ibn ‘Umar [i biri i Omerit], bint ‘Abbas [e bija e Abazit]. Nasabi ndjek ism-in në përdorim: Hasan ibn Faraxh [Hasani i biri i Faraxhit], Sumajja bint Khubbat [Sumaja e bija e Khubatit]. Mjaft personazhe historike janë më të njohur nga nasab-i tyre se sa nga ism-i: p.sh., historiani ibn Khaldun, udhëtari ibn Battuta, dhe filozofi ibn Sina [Avicena]. Nasab-i mund të zgjatet në disa breza, siç mund të shikohet në shembullin e mëposhtëm që përmban nasabin e dy brezave: Abu al-Qasim Mansur ibn al-Zabriqan ibn Salamah al-Namari
4. Një lakab (shqiptohet LAH-kahb), kombinim fjalësh në një dyemëror ose epitet, zakonisht fetar, që lidhet me natyrën, përshkrues, ose të ndonjë vetie të admirueshme karakteristikë e personit në fjalë (ose do të dëshironte të kishte); p.sh., al-Rashid [i Drejtëudhëzuari], al-Fadl [i Shquari]. Laqab-i ndjek ism-in: Harun al-Rashid [Haruni i Drejtudhëzuari].
5. Një nisba (shqiptohet NISS-bah), emër me origjinë nga: zanati apo biznesi, vendbanimi ose vendlindja, përkatësia fetare e personit në fjalë. Mund të përmendet; p.sh., al-Hallaxh [mbulesë prej pambuku], Al Msri [Egjiptjani], Islami [Islamik]. Nisba ndjek ism-in ose, nëse emri përmban një nasab (sado brezash qoftë), zakonisht ndjekin nasab-in.[9]
Kriteret e përcaktues të përfshirjes së emrave myslimanë janë vendosur si më poshtë:
Të njëjtat kritere mund të përdoren si kritere përfshirës për emrat e Krishterë; vështirësia qëndron në kategorizimin e tyre si Katolik apo Ortodoks, të cilët mbivendosen. Emra tipikë të kësaj kategorie janë emrat e apostujve të Krishterë, si Gjon (ang. John), Pal (ang. Paul), Filip (ang. Philip), etj.
Baza e të dhënave e përfituar në këtë mënyrë është një rrjetë periudhash, emrash sipas përkatësive fetare dhe pjesa tjetër e variablave, që mbetet e paprekur gjatë procesit të kodifikimit, ashtu siç janë tërhequr nga baza origjinale e të dhënave. Kodifikimi është përsëritur dy herë dhe gjithashtu është mbështetur me kontrolle të cilësisë së kodifikimit. Parimi “i përkatësisë fetare të emrit” konsiston në kodimin si emra myslimanë vetëm emrat që përmbushin kriteret e përfshirjes në studim, duke lënë jashtë kësaj kategorie edhe emrat me dyshimin më të vogël për origjinën e tyre. Mendojmë se një metodë e tillë mund ta zvogëlojë në mënyrë jodomethënëse përqindjen e totalit të emrave myslimanë, por nuk prek rezultatet e studimit sepse emrat me frekuencë më të lartë, të konsideruar si përgjegjës për analizimin e tendencës mbeten të paprekur.
Variablat që paraqesin ‘periudhën’ dhe ‘emrin’ janë kodifikuar sipas kritereve përfshirëse. Tre periudha janë përcaktuar, 1904-1945, 1946-1991, 1991-2011. Ndërsa emrat janë kodifikuar si, “myslimanë” (1), “jo e sigurtë” (2), “jomyslimanë” (3). Periudha I, 1904-1945, është quajtur periudha osmane, mbretërore dhe e pushtimit nazist; Periudha II, 1946-1991, periudha komunizmit, e quajtur edhe si Republika Popullore dhe Periudha III, 1991-2011, periudha e demokracisë, e quajtur edhe si Republika e Shqipërisë.
Kur është konsideruar e nevojshme kemi realizuar transliterimin e emrave nga Shqipja në Anglisht. Lista (Tab. 5) përbëhet nga 50 emrat me frekuencë më të shpeshtë. Ngjashmëria në shkrimin e këtyre emrave në të dy gjuhët është e dukshme, ndërsa në shqiptim ka mjaft ndryshim. Transliterimi është realizuar duke u nisur nga njohja e gjuhës shqipe si gjuhë amtare dhe duke ndjekur në mënyrë strikte rregullin në vazhdim. Me Romanizim i referohemi çdo përkthimi ose interpretimi të fjalëve nga sisteme shkrimi jo-Latine në gjuhë që përdorin alfabetin Latin. Transliterimi i referohet në mënyrë më specifike një sistemi preciz hartëzimi të një sistemi shkrimi në një tjetër, shpeshherë shkronjë pas shkronje, kështu që lexuesi nuk ka paqartësi për fjalën e transliteruar për mënyrën e shqiptimit në gjuhën origjinale.[10]
Rregullat metodologjike të vendosura gjatë studimit mund të jenë një fushë studimi e mëtejshme, si kombinimi i kodifikimit manual, i konsideruar me sensitivitet të lartë, mund të përdoret në të ardhmen e afërme e kombinuar me sisteme njohje elektronike, akoma në zhvillim e sipër. Aktualisht sisteme të tilla ekzistojnë. Rregulli në fjalë bazohet në përafrimet me output-et e prodhuara nga Buckwalter Arabic Morphological Analyser (BAMA), dhe përdorimi i një seti fjalëkyçesh, që na udhëheqin në fjalitë që me shumë mundësi përmbajnë emra personalë.[11]
Plani analitik konsiston në studimin deskriptiv të datasetit të krijuar, kryesisht nëpërmjet ndërtimit të krostabulimeve dhe paraqitjes së tyre në mënyrë grafike. Hartëzimi i të dhënave është realizuar duke shfrytëzuar ndarjen administrative në kohën e mbledhjes së të dhënave, e cila e ndan Shqipërinë në 36 rrethe.
Rezultatet
Lista e plotë është e përbërë nga 401.274 shtrime spitalore. Nga kjo listë janë larguar rishtrimet meqenëse nuk janë raste unikë. Numri i rishtrimeve është 110.716 (27.6%) dhe baza e të dhënave të mbetura dhe të përdorura në studim është 290.558 (72.4%) raste unike të shtrimeve spitalore. Tab. 1 paraqet shpërndarjen e popullatës së pranuar në spital sipas periudhës historike në të cilën ata kanë lindur, data e lindjes e vendos personin automatikisht në periudhën historike kur ka lindur.
Tabela 1. Shtrimet spitalore sipas periudhës së lindjes në momentin e shtrimit në spital, pacientë nga Qendra Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, Tiranë:
Ndërkohë, e njëjta shpërndarje në Tab. 2 na paraqet të njëjtën popullatë të klasifikuar në kategori të emrave sipas përkatësisë fetare. Emrat që përmbushin kriteret e vendosura që të konsiderohen emra myslimanë rezultojnë në 63.3% (64.97% në Tiranë, kryeqyteti) për periudhën e parë, 1904-1945, osmane, mbretërore dhe e pushtimit nazist;32.8% periudha e dytë, 1946-1991, periudha e komunizmit dhe 7.1% për periudhën e tretë, periudha e demokracisë, 1991-2011.
Tabela 2. Emrat e kodifikuar sipas origjinës së përkatësisë fetare që përmbushin kriteret e përfshirjes:
Mund të shikojmë në kategorinë periudha e parë, dy nëngrupet kanë pothuajse të njëjtën paraqitje sipas moshës. ‘Emrat Myslimanë’ (71.2±6.5 vjeç, n = 41.213) dhe kategoria ‘të tjerë’ (71.0±6.6 vjeç, n = 23.882).
Interesant është paraqitja grafike në Fig. 1, që tregon shpërndarjen e emrave myslimanë të periudhës së parë, 1904-1945. Prezantimi gjeografik është bazuar në ndarjen administrative të Shqipërisë në kohën e pranimit në spital të këtij grupi pacientësh, i cili e ndan vendin në rrethe dhe mundëson paraqitje të detajuar të shpërndarjes së të dhënave. Harta e gjeneruar përputhet me saktësi me vendosjen e komuniteteve fetare në vend, duke përforcuar edhe një herë lidhjen e fortë midis origjinës së emrit dhe përkatësisë fetare, veçanërisht në periudhën e hershme.
Figura 1. Harta e shpërndarjes së emrave myslimanë për periudhën e I-rë, 1904-1945.
Duke hyrë më tej në detaje, numrat në Tab. 3 vazhdojnë t’i referohen periudhës së parë, ku nga 65.095 njerëz të shtruar në spital nga kjo grup-moshë, shohim se 10.632 (16.3%) janë klasifikuar në nënkategorinë ‘jo e sigurt’. Në këtë nënkategori janë klasifikuar të gjithë emrat të cilët nuk i plotësojnë kriteret e përfshirjes si “emra myslimanë’ ose ‘jomyslimanë’, gjithashtu edhe emrat me origjinë të dyshimtë.
Tabela 3. Rezultatet e kodifikimit, periudha e parë, 1904 – 1945.
Këta janë emra tipikë shqiptarë që e kanë origjinën në fillim të shekullit të XX-të dhe përdorimi i tyre rritet vazhdimisht me kalimin e kohës. Këto emra përdoren diku më shumë e diku më pak nga të gjitha komunitetet fetare dhe është teknikisht e pamundur të dallohet me qartësi se cilit komunitet i përkasin. Realizuam një përpjekje për kodifikimin e këtyre emrave duke përdorur mbiemrat dhe nuk kishte rezultat sepse ishte e pamundur vendosja e kritereve të përfshirjes për kodifikim, madje edhe duke përfshirë edhe atësinë. Kjo del jashtë mundësive teknike në dispozicion. Disa emra tipikë të kësaj kategorie janë Liri (ang. Liberty) që konsiston në 308 (0.47%) dhe Drita (ang. Light) që konsiston në 249 (038. %) të emrave në këtë kategori.
Fig. 2 shpjegon fenomenin e mësipërm në një paraqitje grafike. Në këtë grup “të ri” emrash që fillon të “luftojë” emrat “e vjetër” i sjell shqiptarët tek emrat që ata sot përdorin.
Figura 2. Rezultatet e kodifikimit, periudha e I-rë, 1904 – 1945.
Ndërsa Tab. 2 tregon shpërndarjen e fenomenit në të gjithë popullatën, Tab. 4 (e vendosur në fund, para Referencave) tregon se çfarë ka ndodhur me 50 emrat myslimanë më të shpeshtë gjatë tre periudhave të studimit. Në kolonën ngjitur me emrin në gjuhën shqipe është transliterimi në anglisht, duke ju referuar emrit në gjuhën Arabe, Turke dhe Perse nga perspektiva e gjuhës nga e kanë prejardhjen. Ngjashmëria ndërmjet dy kolonave është e qartë dhe evolucioni morfologjik është minimal. Emri më i përdorur është Fatime, që përbën 517 (0.79%) të totalit të emrave myslimanë në periudhën e parë, 589 (0.40%) të emrave në periudhën e dytë dhe 37 (0.05%) të emrave në periudhën e tretë. Në kategorinë e emrave mashkullorë myslimanë, emri Ali, përbën 418 (0.64%) të totalit të emrave Myslimanë në periudhën e parë, 371 (0.25%) të emrave në periudhën e dytë dhe 54 (0.07%) të emrave në periudhën e tretë. Ndërsa, në një studim të emrave në popullatën e Kajros, Egjipt emri Ali arrin frekuencën e 3.1% të përdorimit në totalin e popullatës. Studimi ishte realizuar në vitin 1961.[12] Në studimin tonë, grupi i 50 emrave më të shpeshtë është përgjegjës për mbulimin me emra, respektivisht në tre periudhat, për 17.69%, 7.89 dhe 1.95% të emrave myslimanë. 12 (4.05%) e elementëve të listës janë femra dhe pjesa tjetër 38 (13.64%) të elementëve janë emra mashkullorë.
Diskutim
Përdorimi i emrave personalë mund të jetë një diskutim i morfologjisë, demografisë, sociologjisë dhe religjionit, me ndryshime në dizenjimin e studimit, rezultateve dhe interpretimeve. Ne kemi zgjedhur ta vështrojmë problemin si një sjellje kolektive shoqërore, duke mos harruar edhe aspektet e tjera. Duke e konsideruar vendosjen e emrit të fëmijës si një veprim specifik linguistik, i lidhur ngushtësisht me vlerat, traditat, shpresat dhe ngjarjet në jetët e njerëzve. Emrat tregojnë shumë nga preferencat e mbartësve të tyre (ose të atyre që kanë marrë përsipër vënien e emrit) dhe që lidhen me objekte nga jeta e vërtetë, veprime, karakteristika dhe besime (Rosenhouse, 2002).[13] Sipas definicionit të mësipërm, vendosja e emrit të fëmijës duket që nuk është një akt i thjeshtë, i vendosur në një moment të izoluar në kohë dhe një vendim i vetëm familjarëve të afërm. Në të vërtetë, është një akt kompleks, i përbërë nga shumë forca të dukshme apo të padukshme, që rezultojnë me zgjedhjen e emrit.
Në disa raste, vetëm për të krijuar një ide minimale rreth diversitetit të fenomenit, emrat mund të marrin rrënjë nga origjina të paimagjinueshme. Kur emri vendoset duke pasur në mendje një qytet apo një shtet, reflekton ndjenjat që emërvënësi ka për qytetin, shtetin ose kontinentin, ose që i porsalinduri që merr emrin të ketë karakteristikat e bukurisë së vendit nga është marrë emri. Në vazhdim janë disa shembuj që i përkasin kësaj kategorie: Barees “Paris”, Qaherah “Kairo”, Feefa, Qandahar, Doha, Tal Abeeb “Tel Aviv”, Faransa “Francë”, Surja “Siria”, Lobnan “Liban”, Amrika “Amerika”, Libja “Libia”, Almania “GjermanI”, Afgan, Aspania “Spanjë”, Italia, Tunes “Tunizi”, Qatar, Hend, Bagdad, Imarat, dhe madje edhe emra kontinentesh si Asia dhe Afriqia “Afrika”.[14]
Tre periudhat janë të mirë përcaktuara historikisht. Specifika e Shqipërisë gjatë këtyre tre periudhave është pozicionimi i qartë në kufirin e ndodhjes së ngjarjeve të mëdha, që u dhanë edhe formën këtyre periudhave historike. Shqipëria ishte e vendosur në kufirin e Perandorisë Osmane, në kufirin e pushtimeve të Italisë fashiste dhe më vonë në kufirin e kampit komunist. Sot, është e vendosur në kufirin e ndryshimeve demokratike, gjeografike dhe psikologjike moderne. Ndryshe nga çfarë thotë propaganda zyrtare, asnjëherë nuk ka ndodhur që e gjithë popullata të jetë pjesë e një kampi të caktuar ideologjik. Deklaratë tipike e propagandës së shtrembëruar është pretendimi komunist që të gjithë Shqiptarët janë ateistë dhe Shqipëria është një vend ateist. Të vendosur në dy anët e barrikadave ideologjike, dhe jo vetëm, dhe të bindur që zgjidhja e tyre ka qenë ajo më e drejta dhe më e ndershmja, sjellja shoqërore e Shqiptarëve reflektohet me intensitet edhe në procesin e vendosjes së emrave të fëmijëve.
Fenomeni i vendosjes së emrave të fëmijëve është reflektim, ndoshta edhe i shtrembëruar, i realiteteve historike të rajonit. Përdorimi i emrave myslimanë gjithashtu duhet konsideruar si vlerësim relativ i fenomenit. Popullata shqiptare gjatë shekullit të XX-të ka qenë me mazhorancë myslimane dhe të gjitha matjet e konfirmojnë këtë fakt. Në studimin tonë shohim që përdorimi i emrave myslimanë mbulon një pjesë të mirë të popullatës, rreth 63.3% në periudhën e parë. Ky studim e konsideron evenimentin e vendosjes së emrit, në secilën nga periudhat pa dallim, një ngjarje ndërmjet zgjedhjes dhe detyrimit. Një zgjedhje e pastër apo manipuluese ose detyrimi me dhunë apo me demagogji, kjo është e pamundur për t’u konfirmuar rast pas rasti.
E vërteta në shifra, na tregon, që përdorimi i emrave myslimanë në popullatën myslimane gjatë periudhës së komunizmit është sa gjysma e periudhës paraardhëse, dhe sot ndan vetëm 7.1%. Këta emra, shumë prej tyre janë edhe një urim për jetën që e pret fëmijën në të ardhmen, ndërtohen shpesh duke përdorur procedura produktive morfologjike.[15] Të dhënat e Censusit të vitit 2011 tregojnë që popullata myslimane nuk është duke u zhdukur, por përdorimi i emrave myslimanë tradicionalë është gjithnjë në rënie.
Në rastin tonë mund të identifikojmë dy tendenca, që janë;
Ky studim arrin t’i identifikojë këto probleme por nuk merr përsipër matjen e këtyre dy fenomeneve. Megjithatë mund të vihet re që popullata mund të bëjë kompromise me forcat që ushtrojnë presion po asnjëherë nuk dorëzohet plotësisht. Kanë zgjedhur emrin Kujtim, por jo emrin Marenglen (Marx-Engels-Lenin) edhe pse ky i fundit mund të haset në mënyrë sporadike. Marenglen është një emër i preferuar nga nomenklatura komuniste. Së fundmi mund të themi se këto emra origjinalë shqiptarë ishte e pamundur të kategorizoheshin si tipikë të cilitdo besim fetar.
Në listën e shkurtër me emrat më të shpeshtë të emrave më të përdorshëm myslimanë, raporti i meshkujve ndaj femrave është tre herë më i madh. Kjo të krijon idenë që pjesa tjetër e listës ofron një variacion shumë më të madh në emrat e gjinisë femërore, duke i ofruar kësaj kategorie kënaqësinë e një mundësie më të madhe për zgjedhjen e emrit.
Duke u rikthyer tek sjellja shoqërore mund të themi se klasifikimi i saj është mjaft i ndryshëm sipas pozicionimit të filozofive të zgjedhura për t’i qëndruar besnikë. Këto klasifikime gjejnë një numër të jashtëzakonshëm shkaqesh të sjelljes shoqërore, duke bërë të pamundur krijimin e një seti universal kriteresh gjykimi. Sjellja kolektive mund të studiohet duke iu referuar një shkolle apo modeli të caktuar, por nuk mund të jetë shteruese. Modele të ndryshme ofrojnë përafrime të ndryshme dhe studimet nuk mund të konsiderohen krejtësisht të sakta apo të gabuara, përveçse kur shikohen nga pozicione të përzgjedhura perspektive.[16]Në disa raste sjellja shoqërore kolektive konsiderohet edhe si një proces evolucionar, p.sh., që suksesi kulturor çon në sukses biologjik.[17] Jo të gjitha perspektivat bien dakord në këtë pikë.
Rëndësi ka të theksohet që ambienti kompetitiv evolucionar duke ushtruar presionin e tij përzgjedhës nuk ka në vetvete mekanizma të gatshëm që favorizojnë sjellje të caktuara.[18] Të tjerë autorë e konsiderojnë adaptimin e sjelljes si fenomen me rregulla të pandryshueshme.[19]
Kompleksiteti i zgjedhjeve sociologjike për ta parë problemin i hap derën mjaft diskutimeve beninje, ndërsa ne ndalemi në pikën e prezantimit të të dhënave tona sasiore, kompleksitetin e problemit dhe ndërtimin e strukturës së forcave në lojë.
Konkluzione
Vendosja e emrave personalë të fëmijëve është një proces gjithnjë në ndryshim dhe i prek të gjitha shoqëritë. Shoqëria shqiptare sigurisht që është e prekshme ndaj këtyre ndryshimeve. Këto ndryshime janë komplekse, janë të vazhdueshme në kohë dhe e kanë fillesën si tendenca në kohë nga ndryshimet madhore historike. Studimi jonë merr përsipër të provojë këto tendenca dhe ndryshime. Fenomeni nuk është lokal dhe shumë studime e provojnë duke e konsideruar si pjesë të ndryshimeve globale por me specifika lokale. Arabët dhe hebrenjtë tentojnë t’i ripërtërijnë emrat në kohë, por ndryshimet në strukturën sociale dhe kulturore çojnë në rezultate që ndryshojnë në shumë aspekte.[20]Fenomeni është global, por amplituda e shfaqjes së tij paraqitet me karakteristikat lokale dhe duhet të jetë subjekt i studimit të mëtejshëm meqenëse edhe forcat që veprojnë brenda dhe jashtë një shoqërie janë specifike sipas gjeografisë dhe kulturës.
Duke u sjellë ndërmjet frikës dhe shpresës dhe duke përfshirë të gjithë popullatën, ky proces nuk mund të jetë i pavarur nga forcat që veprojnë në histori. Qëndrimi i regjimit qeverisës ndaj fesë dhe besimit dhe sjellja e popullatës lokale reflektohet në antroponomi.
Cilat janë shifrat e përkatësive fetare në Shqipëri? A janë treguesit në disponim të besueshëm? Si kanë ndryshuar në kohë?
Me të vërtetë që këto pyetje nuk kanë përbërë shqetësim për popullatën e Shqipërisë, ndërsa mund të kenë qenë prioritet i strukturave dhe personave të caktuar që herë pas herë nxjerrin edhe konkluzione. Për shqiptarët, autori shpreh në këtë rast pikëpamjet personale, feja dhe besimi janë vlera me rëndësi fondamentale dhe si vlera të tilla respektimi ndërmjet feve është detyrim. Kjo është arritur në mënyrë të përsosur dhe është e vështirë të gjendet një rast i ngjashëm në të gjithë botën.
Studimi nuk ndjek qëllimin e përcaktimit të përkatësive fetare, madje e ka të pamundur, aq më tepër që emrat “e modës së vjetër” janë zëvendësuar me emrat “e modës së re”. Në sfondin unik të realitetit shqiptar, emri mbetet një kontribut i vlefshëm në ruajtjen e vlerave dhe promovimin e vlerave të reja dhe gjithashtu një pasqyrim i sjelljes kolektive të shqiptarëve. Diku duke rezistuar ndryshimin e emrave, duke i konsideruar si vlera fetare, diku duke e quajtur domosdoshmëri ndryshimin e tyre, diku duke bërë kompromise dhe diku duke pranuar me kënaqësi, mund të kapim një pasqyrim të realitetit shumë të paqëndrueshëm shqiptar nëpërmjet këtij fenomeni.
Një rekomandim mund të jetë raportimi vullnetar i përkatësisë fetare gjatë procedurave të pranimit në spital. Studimi i forcave që qeverisin dhe drejtojnë shoqërinë shqiptare mund ta ketë fillesën nga ky studim por kërkon pjesëmarrjen e specialistëve nga shumë fusha të tjera. Shembull i studimit të një prej këtyre komponentëve mund të jetë studimi i stigmës. Mjaft procese psikologjike dhe të sjelljes shkatërrohen nga stigma.[21]
Kjo sjellje kolektive e Shqiptarëve ndaj këtij fenomeni mund të konsiderohet një tregues i fuqishëm i zgjedhjeve të përbashkëta, që ata po bëjnë sot dhe mund të hedhë një shikim rreth tendencave për të ardhmen e këtij komuniteti. Kjo sjellje kolektive, duhet të rikujtojmë që nuk është një sjellje momentale e kësaj popullate, por rezultante e forcave që ndryshojnë në kohë dhe bashkëveprojnë me preferencat e tyre.
Tabela 4. Shpërndarja e 50 emrave myslimanë më të shpeshtë sipas periudhës së lindjes
n – numri i personave që përdorin këtë emër në periudhën përkatëse
% e emrave myslimanë – përqindja e emrit përkatës në popullatën e emrave myslimanë gjatë periudhës së cituar
Përqindja kumulative – shuma e përqindjeve të gjithë emrave paraardhës së bashku me emrin e radhës, duke ju referuar totalit të emrave të konsideruar myslimanë sipas kritereve të studimit.
Referenca
[1] INSTAT, 2011 Census-AL, Population and Housing Census of Albania 2001 / Census 2011, preliminary results, http://census.al/Resources/Data/Census2011/Instat_print%20.pdf
[2] Albania: a country study / Federal Research Division, Library of Congress; edited by Raymond E. Zickel and Walter R. Iwaskiw, 2nd ed., ISBN: 0844407925, Washington, D.C. : The Division : For sale by the Supt. of Docs., U.S. G.P.O., 1994.
[3] Bashkimi, January 12, 1973, p. 1.
[4] Bowers, Stephen R., “Stalinism in Albania: Domestic Affairs under [1] [1] Enver Hoxha” (1989). Faculty Publications and Presentations. Paper 87; Helms School of Government http://digitalcommons.liberty.edu/gov?utm_source=digitalcommons.liberty.edu%2Fgov_fac_pubs%2F87&utm_medium=PDF&utm_campaign=PDFCoverPages
[5] Martin Baldwin Edwards; Albanian emigration and the Greek labour market: Economic symbiosis and social ambiguity; SEER, South East Europe Review for Labor and Social Affairs), issue: 01/2004, pages: 5165, on www.ceeol.com
[6] Tirana University Hospital Center, “Mother Teresa”; Statistics Department, 2005-2011.
[7] Kiumarss Nasseri; Construction and validation of a list of common Middle Eastern surnames for epidemiological research; Cancer Detect Prev. 2007 ; 31(5): 424–429.
[8] Saleem Abuleil 2004. Extracting Names from Arabic Text for Question-Answering Systems, In Proceed-ings of Coupling approaches, coupling media and coupling languages for information retrieval (RIAO 2004), Avignon, France. pp. 638- 647.
[9] Khaled Shaalan, Hafsa Raza; Person Name Entity Recognition for Arabic; Proceedings of the 5th Workshop on Important Unresolved Matters, pages 17–24, Prague, Czech Republic, June 2007. c2007 Association for Computational Linguistics.
[10] Heather Hedden; Arabic names; Centrepiece to The Indexer Vol. 25 No. 3 April 2007.
[11] Ali Elsebai, Farid Meziane, Fatma Zohra Belkredim; A Rule Based Persons Names Arabic Extraction System; Communications of the IBIMA, Volume 11, 2009 ISSN: 1943-7765.
[12] Ali Elsebai, [a] Regional Seminar on Bibliography Documentation and Exchange of Publications in Arabic Speaking States; Dr. Mahmud Sheniti; UNESCO/LBA/Sem. 8/2, Paris, November 1961.
[13] Personal Names in Hebrew and Arabic: Modern Trends Compared to the Past; Rosenhouse J.; Journal of Semitic Studies, Volume 47, Number 1, 2002, pp. 97-114(18).
[14] A Socio-Cultural and Linguistic Analysis Of Yemeni Arabic Personal Names; Abdul Wahed Qasem Ghaleb Al-Zumor; GEMA Online Journal of Language Studies 15 Volume (2) 2009.
[15] Cross- and trans-language morphology; The lexicography of Indonesian names; Dick Van Der Meij; Wacana, Vol. 12 No.2 (October 2010): 345-368.
[16] Benno Torgler; The importance of faith: Tax morale and religiosity; Journal of Economic Behavior & Organization; Vol. 61 (2006) 81–109; © 2005 Elsevier
[17] Napoleon A. Chagnon; Life Histoires, Blood Revenge, and Warfare in a Tribal Population; Science, New Series, Vol. 239, No. 4843. (Feb. 26, 1988), pp. 985-992.
[18] Moritz Hetzer1, Didier Sornette; The Co-Evolution of Fairness Preferences and Costly Punishment; PLOS ONE, www.plosone.org 2; March 2013, Volume 8, Issue 3, e54308.
[19] S. R. Musse, D. Thalmann; A Model of Human Crowd Behavior: Group Inter-Relationship and Collision Detection Analysis.
[20] Rosenhouse J.; Personal Names in Hebrew and Arabic: Modern Trends Compared to the Past; Journal of Semitic Studies, Volume 47, Number 1, 2002 , pp. 97-114(18).
[21] Mark L. Hatzenbuehler, Jo C. Phelan, Bruce G. Link; Stigma as a Fundamental Cause of Population Health Inequalities; Am J Public Health. 2013 May; 103(5): 813–821.
[1]INSTAT, 2011 Census-AL, Population and Housing Census of Albania 2001 / Census 2011, preliminary results, http://census.al/Resources/Data/Census2011/Instat_print%20.pdf
[2]Albania: a country study / Federal Research Division, Library of Congress; edited by Raymond E. Zickel and Walter R. Iwaskiw, 2nd ed., ISBN: 0844407925, Washington, D.C. : The Division : For sale by the Supt. of Docs., U.S. G.P.O., 1994.
[3]Bashkimi, January 12, 1973, p. 1.
[4]Bowers, Stephen R., “Stalinism in Albania: Domestic Affairs under [1] [1] Enver Hoxha” (1989). Faculty Publications and Presentations. Paper 87; Helms School of Government http://digitalcommons.liberty.edu/gov?utm_source=digitalcommons.liberty.edu%2Fgov_fac_pubs%2F87&utm_medium=PDF&utm_campaign=PDFCoverPages
[5]Martin Baldwin Edwards; Albanian emigration and the Greek labour market: Economic symbiosis and social ambiguity; SEER, South East Europe Review for Labor and Social Affairs), issue: 01/2004, pages: 5165, on www.ceeol.com
[6]Tirana University Hospital Center, “Mother Teresa”; Statistics Department, 2005-2011.
[7]Kiumarss Nasseri; Construction and validation of a list of common Middle Eastern surnames for epidemiological research; Cancer Detect Prev. 2007 ; 31(5): 424–429.
[8]Saleem Abuleil 2004. Extracting Names from Arabic Text for Question-Answering Systems, In Proceed-ings of Coupling approaches, coupling media and coupling languages for information retrieval (RIAO 2004), Avignon, France. pp. 638- 647.
[9]Khaled Shaalan, Hafsa Raza; Person Name Entity Recognition for Arabic; Proceedings of the 5th Workshop on Important Unresolved Matters, pages 17–24, Prague, Czech Republic, June 2007. c2007 Association for Computational Linguistics.
[10]Heather Hedden; Arabic names; Centrepiece to The Indexer Vol. 25 No. 3 April 2007.
[11]Ali Elsebai, Farid Meziane, Fatma Zohra Belkredim; A Rule Based Persons Names Arabic Extraction System; Communications of the IBIMA, Volume 11, 2009 ISSN: 1943-7765.
[12]Ali Elsebai, [a] Regional Seminar on Bibliography Documentation and Exchange of Publications in Arabic Speaking States; Dr. Mahmud Sheniti; UNESCO/LBA/Sem. 8/2, Paris, November 1961.
[13]Personal Names in Hebrew and Arabic: Modern Trends Compared to the Past; Rosenhouse J.; Journal of Semitic Studies, Volume 47, Number 1, 2002, pp. 97-114(18).
[14]A Socio-Cultural and Linguistic Analysis Of Yemeni Arabic Personal Names; Abdul Wahed Qasem Ghaleb Al-Zumor; GEMA Online Journal of Language Studies 15 Volume (2) 2009.
[15]Cross- and trans-language morphology; The lexicography of Indonesian names; Dick Van Der Meij; Wacana, Vol. 12 No.2 (October 2010): 345-368.
[16]Benno Torgler; The importance of faith: Tax morale and religiosity; Journal of Economic Behavior & Organization; Vol. 61 (2006) 81–109; © 2005 Elsevier
[17]Napoleon A. Chagnon; Life Histoires, Blood Revenge, and Warfare in a Tribal Population; Science, New Series, Vol. 239, No. 4843. (Feb. 26, 1988), pp. 985-992.
[18]Moritz Hetzer1, Didier Sornette; The Co-Evolution of Fairness Preferences and Costly Punishment; PLOS ONE, www.plosone.org 2; March 2013, Volume 8, Issue 3, e54308.
[19]S. R. Musse, D. Thalmann; A Model of Human Crowd Behavior: Group Inter-Relationship and Collision Detection Analysis.
[20]Rosenhouse J.; Personal Names in Hebrew and Arabic: Modern Trends Compared to the Past; Journal of Semitic Studies, Volume 47, Number 1, 2002 , pp. 97-114(18).
[21]Mark L. Hatzenbuehler, Jo C. Phelan, Bruce G. Link; Stigma as a Fundamental Cause of Population Health Inequalities; Am J Public Health. 2013 May; 103(5): 813–821.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...