Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 16, 2014 Zani i Nalte Personalitete 0
nga Dr. MOIS KAMBERI
Vehbi Agolli (Dibra) lindi në Dibër të Madhe më 1867 në një familje të përmendur në luftën për çështjen kombëtare, arsimore, kulturore dhe fetare. I ati i tij, Myfti i Dibrës, me kulturë dhe vizion të gjerë, ndikoi personalisht në edukim duke transmetuar tek Vehbiu, dijen, edukatën, traditën dibrane, kulturën fetare dhe traditat atdhetare.
I lindur dhe i rritur në një mjedis të shëndoshë patriotik dhe i ushqyer që në vegjëli me traditat më të mira të familjes dibrane, Vehbi Agolli (Dibra) që në rininë e tij do të hynte në radhët e liderëve progresistë që gjithë jetën e tyre ja kushtuan çështjes së shenjtë të lirisë e të pavarësisë së atdheut.[1]
Fryma e përgjithshme antiosmane dhe nevoja e shkrimit dhe mësimit të gjuhës shqipe me alfabetin e saj, që përbënte një imperativ në platformën politike të Rilindjes Kombëtare pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e vunë Vehbi Dibrën, që në fillimet e veprimtarisë së tij politike në opozitë të hapur me Portën e Lartë.
Në vitin 1892, në valën e luftës së përgjakshme antiosmane të popullit shqiptar dhe sidomos të sukseseve të Dibrës kundër pashallarëve osman, Vehbi Agolli (Dibra) zë vendin e të atit pas dorëheqjes së tij për arsye moshe, myfti i Dibrës.[2] Petku fetar nuk e pengoi Vehbiun, të predikojë tek shqiptarët vëllazërim e bashkim, pa dallim besimi.
Tek Vehbi Dibra ishin mishëruar në mënyrë më të plotë organike bindjet e thella të një teologu, filozofi islam, të cilat në çdo rast, sipas parimeve të shenjta kur’anore, janë në një unitet të plotë me parimet e botëkuptimit atdhetar. Veprimtaria klerikale dhe atdhetare e Vehbi Dibrës janë në unitet dhe kanë ecur paralelisht në një rrugë, çka dëshmon se të qenit klerik nuk bie në kundërshtim me të qenit atdhetar, përkundrazi i shërbyen më mirë dhe më shumë çështjes kombëtare.
Vehbi Dibra është një nga ato klerikë që ka marrë pjesë në të gjitha etapat e Lëvizjes Kombëtare dhe ka dhënë kontributin e tij të çmuar në këtë lëvizje. Të qenit klerik i lartë i fesë islame, nuk e pengoi atë për të qenë një atdhetar i shquar.
Pavarësia e Shqipërisë ishte aspiratë dhe punë atdhetare e një kombi të tërë, nga gjiri i të cilit lindën shumë heronj. Midis tyre historiografia jonë duhet të nënvizojë fort emrin e Vehbi Dibrës, njeriut me shumë reputacion në Dibër e në mbarë Shqipërinë, i aftë, largpamës, me nuhatje e drejtpeshim politik.[3]
Është jeta e tij plot ngjarje e bëma për atdhe, që e vendosi Vehbi Dibrën në ballin e Kuvendit të Vlorës. Zhvillimi i ngjarjeve dhe vetë jeta e tij flasin shumë. Ai është ndër promotorët kryesorë të atyre ngjarjeve madhore të cilat çuan në finalizimin e luftës pesë shekullore të popullit tonë, në shpalljen e Pavarësisë. Për të arritur deri këtu Vehbi Dibra ka një aktivitet të gjerë sa atdhetar dhe fetar. Ai është organizatori i një sërë kryengritjesh të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në zhdukjen e zgjedhës osmane.
Duke i bërë një vështrim retrospektiv veprimtarisë së tij, si organizator i rezistencës antiosmane, kuvendeve e kongreseve të mbajtura në Dibër dhe jashtë saj, aktivitet që rriti popullaritetin e tij jo vetëm në Dibër por dhe në krahinat e tjera shqiptare.[4]
Gjatë viteve 1900-1912, Vehbi Dibra është i pranishëm në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të jetës politike, social-arsimore të vendit tonë. Me mendimin dhe qëndrimin e mbajtur, Vehbi Dibra luan rol të rëndësishëm në orientimin kombëtar të tërë jetës së vendit tonë. Në gjirin e kësaj lëvizje të gjerë politike, arsimore dhe ushtarake, ai bashkëvepron me figura të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Nikoll Kaçorrin, etj.
Në kuvendin e Dibrës të 27-28 shkurtit 1899, Vehbi Dibra luajti një rol të rëndësishëm, duke dhënë një shembull se si duhej të zgjidhej çështja kombëtare. Ai është jo vetëm një përfaqësues i Dibrës në këtë kuvend, por dhe një figurë me shumë reputacion në delegatët e tjerë pjesëmarrës të këtij kuvendi. Fjala e tij zinte vend sa herë që shprehej. Ndikim të madh pati Vehbiu dhe në vendimet që mori kuvendi i Dibrës i shkurtit 1899.
Vehbi Dibra është pjesëmarrës dhe në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i Dibrës. Në këtë kongres ai mbështeti idenë për përdorimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe me germa latine dhe për mësimin e shqipes në shkollat e Shqipërisë.[5] Më pas, Vehbi Dibrën do ta gjejmë në krye të luftës kundër të gjithë atyre që përpiqeshin për të penguar zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare. Ai do të kundërshtojë me forcë përpjekjet që bënte rryma islamike për përdorimin e alfabetit arab si alfabet të gjuhës shqipe.
Më 23 korrik 1909, Vehbi Dibra do të vihet në krye të luftës kundër xhonturqve që përpiqeshin të pengonin zhvillimin e kombit shqiptar, bashkimin e tij. Në Kongresin e Dibrës të 23 korrikut 1909, Vehbi Dibra për aktivitetin e tij fetar dhe politik do të zgjidhet pas Ismail pashë Saraçit, kryetar i Kongresit. Ky kongres i kalonte caqet kombëtare, që tregohet nga pjesëmarrja e delegatëve nga vilajetet e Selanikut, Manastirit, Janinës, Kosovës dhe Shkodrës, por dhe e përfaqësuesve serb, grek, bullgar e vlleh. Ky ishte i pari kongres ku më tepër se 300 delegatë toskë, gegë, mysliman, ortodoks, katolik, priftërinj, hoxhallarë e shehlerë u takuan në një pikë, shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe arritjen e pavarësisë kombëtare.
Atdhetarët Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi, Kenan Manastirli, Vehbi Agolli, Haxhi Ali Elbasani, Rexhep Voka, Dervish Hima, Sotir Peçi, Feim Zavalani etj., e bënë Kongresin e Dibrës arenë të luftës e shpalosjes së mendimit e kërkesave të mirëfillta të shqiptarëve, kërkesa që ishin nga më të avancuarat të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Si rezultat i kësaj lufte kongresi punimet e tij i nisi dhe i përfundoi si një Kongres shqiptar, si një kongres që trajtoi dhe shumë probleme të rëndësishme kombëtare që dilnin dhe jashtë kompetencave të rendit të ditës së kongresit. Në këtë kongres u ngritën probleme me kërkesa të mirëfillta shqiptare ku u shfaqën hapur:
– kërkesat me karakter të theksuar politik kombëtar, që çonin drejt realizimit të autonomisë së Shqipërisë,
– kërkesat për hapjen e shkollave shqipe të mbrojtura nga shteti,
– futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore,
– çështjen e alfabetit etj.[6]
Punimet e Kongresit, lufta e ashpër politike që u zhvillua aty, provuan plotësisht se kërkesat e delegatëve patriotë ishin një përpjekje e hapur për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Kërkesa të tilla si ajo që nëpunësit e administratës vendase të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, futja e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak në vend, përdorimi dy gjuhës në dokumentet përfundimtar të tij janë arritjet më të mëdha të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, suksese që nuk ishin arritur në Kongreset e tjera kombëtare.[7]
Pas kongresit të Dibrës të 23 korrikut 1909 në shumë krahina shqiptare të Dibrës, Lumës, Prizrenit, Pejës e Ferizajt shpërthyen lëvizje të reja të drejtuara kundër xhonturqve dhe politikave të tyre që donin të impononin në Shqipëri. Për të shtypur këto lëvizje, xhonturqit ndërmorën ekspedita ushtarake me në krye pashallarët më të shquar.
Kulmin e ngritjes së tij në veprimtarinë atdhetare, Vehbi Dibra e arrin me pjesëmarrjen e tij në Kuvendin e Vlorës dhe zgjedhjen në organet më të larta të Qeverisë së Përkohshme.
Në situatën e krijuar kur forcat Ballkanike po pushtonin Shqipërinë dhe trevat shqiptare rrezikoheshin nga një copëtim i ri, rrethet atdhetare shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, arritën në përfundimin se e vetmja rrugë për shpëtimin e Shqipërisë ishte shpallja e Pavarësisë. Për këtë qëllim do të organizonin një kuvend mbarë kombëtar ku do të merrnin pjesë delegatë të zgjedhur nga të gjitha krahinat shqiptare.
Lajmi mbi mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, ndikoi në zgjedhjen sa më shpejt të delegatëve të Dibrës për në Kuvend. Pas zgjedhjes, delegatet e Dibrës do të bashkoheshin me delegatët e Kosovës Mehmet pashë Dërallën e Ajdin Bej Dragën[8] për tu nisur së bashku për në Kuvendin e Madh.
Telegrame të shumta të dërguara nga Vlora për prefekturën e Elbasanit tregonin interesin e veçantë që kishin organizatorët e kuvendit për zgjedhjen e delegatëve të Dibrës dhe nisjen e tyre për në Vlorë.[9] Mandati i përfaqësimit të Dibrës në Kuvendin e Vlorës ju dha dy burrave të shquar të saj, personalitete me kontribut fetar e politik të gjithanshëm për çështjen kombëtare, Vehbi Agollit (Dibrës) dhe Hafiz Sherif Lëngut, mandate që ua ngarkonte mbarë popullsia e Dibrës dhe e krahinave për rreth për të dërguar fjalën e tyre në Kuvendin Kombëtar në Vlorë. Vehbi Agolli u ngarkua të kryesonte delegacionin e Dibrës, përgjegjësi që atij ia ngarkonte popullsia e Dibrës.[10]
Për të plotësuar këtë detyrë të vështirë,mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, më 21 nëntor 1912, Ismail Qemali arriti në Durrës. Pengesat që u nxorën autoritetet turke për ngritjen e flamurit në Durrës bënë që atdhetarët shqiptarë prej andej të niseshin për në Vlorë. Plaku Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e atdhetarë të tjerë të shoqëruar nga dibrani Nikoll Kaçorri u nisën për në Vlorë. Për organizimin e Kuvendit të Pavarësisë, Vehbi Dibra ishte i njohur nga telegrami që Ismail Qemali i dërgonte Bashkisë së Dibrës që më 18 nëntor 1912. Në telegram thuhet se : “Para së premtes jemi në Durrës. Asht domosdo e nevojshme me u mbledhë delegatët në Durrës ose në Vlorë. Ftoni të tanë. Deri sa të vi unë mbani qetësi e bashkim. Çështja politike jona kryekëput asht sigurue”.[11]
Menjëherë pas caktimit të delegatëve të saj, përfaqësuesit e Dibrës që më 20 nëntor 1912 me anë të një telegrami të firmosur nga Ismail Strazimiri, Sefedin Pustina, Shyqyri Beu, Vehbi Agolli e Muharem Ballçishta informonin Elbasanin se delegatët e Kosovës dhe Dibrës kanë për t’u nisur prej këtu.[12] Po këtë ditë Bashkia Dibër njoftonte Vlorën se përfaqësuesit e tyre ishin zgjedhur dhe pas bashkimit me delegatët e Kosovës, nesër do të niseshin prej këtu për të marrë pjesë në ngritjen e flamurit.[13] Më 21 nëntor 1912 Isa Boletini, Ajdin bej Draga, Mehmet pashë Dërralla dhe delegatët e zgjedhur të Dibrës, Vehbi Agolli dhe Hafiz Sherif Lëngu, u nisën nga Dibra për në Elbasan[14] ku i prisnin delegatët e kësaj treve për të shkuar së bashku drejt Vlorës.[15]
Ndërsa delegatë nga të gjitha krahinat e tjera shqiptare grupoheshin dhe së bashku niseshin për në Vlorë, disa qyteteve shqiptare që rrezikoheshin nga pushtimi i shteteve fqinje iu kërkua nga rrethet patriotike që të ngrihej flamuri kombëtar me qëllim që pushtuesi i ri t’i gjente të pavarura. Por gjendja në Dibër në këtë kohë si rezultat i marshimit të ushtrive serbe ishte mjaft e nderë. Dibranët duhej të përballonin jo vetëm situatën e krijuar nga sulmet e ushtrive të shumta Ballkanike por të bënin përpjekje dhe për të ngritur flamurin kombëtar në zonat që rrezikoheshin nga pushtimi.
Ndërkohë që ushtritë ballkanike po marshonin drejt Shqipërisë së Mesme dhe dibranët ishin të përfshirë në një luftë për jetë a vdekje, plaku Ismail Qemali ishte i shqetësuar se a do të arrinin në kohë në Vlorë përfaqësuesit e Dibrës. Ai vazhdimisht pyeste: “A kanë arritur dibranët? A kishte ardhur Vehbi Agolli?” Me gjithë pengesat e nxjerra gjatë rrugës, delegatët e Dibrës arritën në Vlorë në kohë, disa orë përpara se të fillonte punimet Kuvendi i Madh më 28 nëntor 1912. Midis 37 delegatëve[16] dalloheshin delegatët e Dibrës Vehbi Agolli, Sherif Lëngu dhe Nikoll Kaçorri.
Përballë kërcënimit të ri të pushtimit nga ushtritë Ballkanike dhe situatës së re të krijuar për trevat shqiptare, plaku Ismail Qemali dhe atdhetarë të tjerë të mbledhur në Vlorë, hapën më 28 nëntor 1912, ora 14.oo punimet e Kuvendit Kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, pa pritur ende të gjithë delegatët e krahinave shqiptare për shkak të vështirësive të mëdha që ekzistonin. Që në mbledhjen e parë të Kuvendit, dibrani Nikoll Kaçorri do të deklaronte: “Në qoftë se kemi për të vdekur nesër, të vdesim sot. O flamur, o vdekje. Flamurin ta ngremë sot”. Mendimi i tij u mbështet nga të gjithë delegatët të cilët me në krye plakun Ismail Qemali e shpallën Shqipërinë shtet të pavarur: “…Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.[17] Menjëherë pas ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali me telegramet dërguar ”krerëve të Bashkive të Elbasanit, Dibrës …etj. dhe parisë së këtyre krahinave, udhëzonte që të merrnin masa për shpalljen e pavarësisë dhe sigurimin e rendit e qetësisë”.[18] Por këto telegrame nuk arritën kurrë në Dibër. Një ditë para se të shpallej pavarësia, më 27 nëntor 1912, ushtria serbe sulmoi përsëri Dibrën në befasi nga Gryka e Radikës dhe u shtri në të gjithë pjesën lindore të Drinit të Zi. Më 27 nëntor 1912, Dibra u pushtua nga serbët.[19] Me pushtimin e Dibrës një ditë para se të shpallej Pavarësia, serbët shpresonin të realizonin aneksimin e saj. Po në këtë datë arriti në qytetin e Dibrës së Madhe një letër e firmosur nga Ismail Qemali, me anë të së cilës porosiste dibranët që menjëherë në këtë qytet të ngrihej flamuri kombëtar. Të nesërmen, kur në Vlorë, Kuvendi Kombëtar kishte shpallur pavarësinë, patriotët dibranë i dorëzuan dokumentin e ardhur nga Vlora dhe të firmosur nga Ismail Qemali komandantit serb duke i kërkuar atij që ushtria serbe të largohej menjëherë nga qyteti. Komandanti serb nuk e përfilli aspak këtë kërkesë të drejtë e legjitime të dibranëve.[20] Ky qëndrim mospërfillës i komandës serbe e rriti në një shkallë të pa përmbajtur revoltën dibrane dhe kudo në krahinat e Dibrës filluan përgatitjet për një kryengritje të re.
Interesimi i veçantë për përfaqësimin e Dibrës në Kuvend nga Ismail Qemali nuk ishte i rastësishëm. Dibra dhe dibranët gjatë gjithë zhvillimeve historike shqiptare kishin qenë në qendër të tyre, atje ku rreziku ishte më i madh dhe ku ishte më e domosdoshme ndihma dibrane, pa të cilën nuk mund të arriheshin fitore. Dibranët qenë të suksesshëm dhe pengesa kryesore në realizimin e qëllimeve të pushtuesve në luftërat kundër ushtrive turke, serbe, bullgare, malazeze e greke. Dibranët qenë faktor përcaktues në këto luftëra të vazhdueshme të shqiptarëve për autonomi, në kryengritjet e viteve 1909-1912 dhe në shpalljen e pavarësisë.
Për meritat e Dibrës dhe dibranëve, të figurave të saj popullore e atdhetare gjatë gjithë veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përfaqësuesit e saj në Kuvend u zgjodhën në organet më të larta të përfaqësimit të qeverisë Shqiptare që u krijua pas Ismail Qemalit. Në mbledhjen e dytë që u hap më 30 nëntor 1912, me propozim të Luigj Gurakuqit, Vehbi Agolli u propozua të zgjidhej kryetari i Pleqësisë shqiptare (senatit). Më 4 dhjetor 1912, Kuvendi i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë prej 18 anëtarësh. Kryetar i pleqësisë u zgjodh Vehbi Dibra.[21] Në Kuvendin e Vlorës, Vehbi Agolli bëri dhe betimin e flamurit dhe dha Fet’fanë për shpalljen e pavarësisë. Kjo qe zgjedhja e dytë e një atdhetari dibran në postet më të larta të qeverisjes pas zgjedhjes së Dom Nikoll Kaçorrit si nënkryetar të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Haxhi Vehbi Dibra, ishte sa një misionar fetar aq dhe një patriot i shquar i kombit. Kultura dhe formimi i tij i gjerë e bënë atë të kërkonte një fe pa absurditete dhe vulgaritete, një fe racionaliste e utilitare. Si kryemyfti i përgjithshëm dhe kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar për disa vjet, ky patriot i shquar dhe teolog i formuar dha një kontribut të vyer në reformimin e këtij komuniteti duke e çuar deri në shpalljen e mëvetësisë së tij, si dhe për përputhjen e fesë islame në interesat kombëtare.
Për zgjuarsinë dhe potencialin intelektual që e karakterizonin, ai është vlerësuar nga qarqet intelektuale e fetare të vendit dhe të huaja si një mendimtar i thellë, teolog dhe një dijetar në kuptimin e vërtetë të fjalës.
[1] M.H.D, Dr. Adem Bunguri, “Vehbi Dibra, teolog i madh”, Peshkopi, 1999, f. 3.
[2] Shehu Ivzi, Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937), dorëshkrim, Peshkopi, mars 1987.
[3] M.H.D. Fondi Dosje Patriotësh, Vehbi Dibra, dosja, nr. 598.
[4] M.H.D, Fondi kujtime, Kujtime të mbledhura nga Ivzi Shehu.
[5] Prof. Dr. Qazim Xhelili, Monografi, “ Vehbi Dibra”, Tiranë: Albin,1998, f. 27.
[6] Gazmend Shpuza, “Kongresi kombëtar i Dibrës 1909”, Dibër, 2005, f. 32.
[7] Manastirli Kenan, “ Kongresi i Dibrës “, Istamboll, 1912, f. 7.
[8] A.Q.SH.-Fondi 245, D. 2,viti 1912.
[9] A.Q.SH.-Fondi 71, D. 1, Përkthim nga turqishtja.
[10]Zani i Naltë, viti 1937.
[11]A.Q.SH.-Fondi 71. D.1, dok. 10307, Përkthim nga turqishtja.
[12]A.Q.SH.-Fondi 245, D. 12, dt. 22 nëntor 1912.
[13]A.Q.SH.-Fondi – 245, D. 2, f. 6,viti 1912.
[14]A.Q.SH.-Fondi – 245, D. 2, f. 6,viti 1912.
[15]A.Q.SH.-Fondi 32, D. 26, f. 133.
[16] Valentina Duka-“Histori e Shqipërisë 1912-2000”,Tiranë: Shblu, 2007, f . 19.
[17]Histori e Popullit Shqiptar, Vëll. II,Tiranë: Toena, 2002, f. 511.
[18]A.Q.SH.-Fondi 71, dok. 723/1, viti 1912.
[19]Gafur Zota-Dibra dhe etnokultura e saj, vëll. I, Dibër, 1995, f. 288.
[20]A.Q.SH.-Fondi 143, Dosja nr. 857, viti 1878-1912, dok. nr. 8.
[21] Valentina Duka-“Histori e Shqipërisë 1912-2000”,Tiranë:Shblu, 2007:24.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...