Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jul 14, 2014 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Feja dhe morali
H. Ali Kraja
Abstrakt
Në shekullin aktual disa njerëz, duke marrë parasysh përparimin mendor, pretendojnë në atë se feja nuk është e nevojshme, por bile as morali, edhe pse është vërtetuar se një shoqëri nuk mund të jetojë pa moral. Këta themelet e moralit tentojnë t’ia ngarkojnë ndërgjegjes, dhe kështu, të mos ketë nevojë për fe.
Ata që nuk kanë pasur lidhje me asnjë besim dhe duken si nderues të virtyteve morale, nuk mund ta rrëzojnë pretendimin tonë, si e vërteton edhe dija shoqërore, çdo individ derisa rritet nën disiplinën e shoqërisë në të cilën gjendet, pa qenë i vetëdijshëm është pjesëtar në bindje dhe detyra të asaj shoqërie, dhe nuk është në gjendje të ndahet prej tyre.
Këta njerëz, po të rriteshin në një shoqëri pa fe, në vete nuk do të kishin kurrfarë virtyti moral.
2. Një analizë rreth muajve të mëdhenj Rexheb dhe Shaban
MA. Elton Karaj
Universiteti Hëna e Plotë-Bedër
Abstrakt
Në këtë artikull ne do të hedhim pak dritë mbi çështjen në fjalë, duke u munduar të përfshijmë të gjitha mendimet bazë që janë pro ose kundër. Në krye kemi përmendur mendimet e ndryshme në lidhje me secilën prej këtyre periudhave kohore dhe në pjesën e përfundimit kemi përfshirë një analizë të përgjithshme. Që në krye dëshirojmë të theksojmë që jemi bazuar kryesisht në veprën Letaif el-Isharat të Ibn Rexheb el-Hanbeliut, sepse gjithçka në këtë temë lidhet me të.
3. Hoxhallarët kategori e respektuar e shoqërisë shqiptare
FAIK KASOLLJA
Abstrakt
Me hapjen e instituteve të larta e të fakulteteve të universitetit në vendin tonë, mjaft maturantë medresistë kryen studimet universitare në degë të ndryshme të shkencave e të dijeve dhe punuan me përkushtim në sektorë të arsimit, në institute shkencash etj. Medresistët u angazhuan edhe në detyra të rëndësishme fetare. Ata mbajtën kështu barrën e shërbimeve në xhamitë e qyteteve e fshatrave dhe kudo që shkuan, lanë përshtypje shumë të mira me sjelljen e tyre korrekte.
4. Pak për Danten, Islamin dhe mbi miopinë intelektuale
M.S. Fatos A. Kopliku
Ann Arbor, Michigan, SHBA
Abstrakt
Nëse marksistët e kanë parë, dhe akoma e shohin, historinë e gjithë njerëzimit si luftë klasash, atëherë ky përfundim s’na tregon më shumë për historinë e njerëzimit sesa për bagazhin dhe prapavijën botëkuptimore të autorëve të ketyre pohimeve. Islami është quajtur shumë gjëra nga lloj lloj studjuesish por, personalisht, nuk jam në dijeni se është quajtur ndonjëherë, apo edhe nëse aluduar se është burim apo themel i komunizmit, siç në një mënyrë pa precedent po pretendojnë disa studjues e gazetarë shqiptarë, pretendim që na tregon me shumë për ta se për Islamin.
5. Mjekimi me barna psikoaktive, si duhet vlerësuar nga pikëpamja e Islamit?
Ilir Akshija, M.D., M.Sc.
University Hospital Center, “Mother Teresa”, Statistics Department,
Abstrakt
Dikur njerëzit pinin verë dhe më vonë zbuluan birrën dhe uiskin. Myslimanët nuk e ndryshuan qëndrimin, vera mbetej verë. Para 100 vitesh myslimanët kishin aleatë të fortë në perëndim kundër alkoolit, por më vonë këta aleatë e zbutën qëndrimin e tyre. Myslimanët nuk ndryshuan. Kështu vazhdoi loja e shkencës moderne duke mos e ndaluar alkoolin dhe kumarin, duke i quajtur abuzimin dhe varësinë si probleme psikiatrike dhe duke i trajtuar si të tilla. Mjekimi me substanca psikoaktive si i çrregullimeve të alkoolit dhe kumarit, ashtu edhe përdorimi për terapi të tjera kërkon një qëndrim zyrtar nga ana e Islamit. Efektet, efektet e tyre anësore dhe lënia e tyre kanë veprime të drejtpërdrejta në sistemin nervor qendror dhe ndërhyn në funksionet e trurit, duke rezultuar në alterim të perceptimit, humorit, ndërgjegjes, njohjes, dhe sjelljes. Si të tilla duhen konsideruar si një vlerë e shkencës moderne por jo e pavarur nga vëzhgimi i fesë përderisa prek jetët e një pjese të myslimanëve. Islami nuk ka kundërshti me shkencën përderisa kjo e fundit nuk shkel bazat e fesë së shpallur dhe përderisa nuk dëmton dhe për të cilat shpesh kërkon falje. Benzodiazepinat të marra si shembull janë një rast dhe qëllimi është kërkesa për vlerësim i të gjithë sistemit ku futen pacientët, mjekët, shteti dhe prodhuesit. Përfaqësuesit e fesë duhet të jenë garant të të drejtave të shpallura të besimtarëve gjë që i ngarkon edhe me njohjen e zhvillimeve më të fundit të shkencës, ekonomisë dhe politikës. Kthimi tek besimi tekefundit mund të jetë edhe një bashkëpunëtor i barnave psikoaktive dhe reduktimit të sasisë së tyre, meqenëse qëndrimi i besimit islam ndaj alkoolit ka treguar bindshëm që mundet.
6. SAMI FRASHËRI DHE ABETARET SHQIPE
Prof. dr. Njazi KAZAZI
UNIVERSITETI I SHKODRËS “Luigj Gurakuqi”
Abstrakt
Samiu qe njëkohësisht autor i idesë dhe zbatues i veprës. Tek abetarja ai shihte librin bazë për shqiptarët e asaj kohe, atmosfera përreth të cilëve mbizotërohej nga shkollat e huaja. Tek abetarja ai nuk shikonte vetëm tekstin mësimor që do t’u jepte shqiptarëve shprehitë e lexim-shkrimit në gjuhën amtare, por shikonte edhe konsolidimin e mësonjëtoreve shqipe të asaj kohe, shikonte gurin e themelit në formimin e brezave që do të ngrinin shtetin shqiptar.
7. Historia e Dialogut mes Islamit dhe Krishterimit
Dr. Genti Kruja
Abstrakt
Marrëdhëniet midis Islamit dhe Krishterimit fillojnë që në kohën e Profetit Muhamed me emigrimin e myslimanëve në Abisini tek mbreti i krishterë Nexhashiu, më tej vazhdojnë me Kartën e Medinës, e pastaj e pasojnë marrëdhëniet në kohën e kalifëve, etj. Në kohën e Kalifit Umer, kur u mor qyteti Humus me aprovimin e vendasve, një e katërta e kishës përdorej si xhami për t’u falur myslimanët. Kështu nga e njëjta derë hynin si të krishterët, ashtu edhe myslimanët. Kurse në Andaluzi kisha e San Vicentit me një marrëveshje dypalëshe, përdorej gjysma si kishë dhe gjysma si xhami. Ndërsa në Stamboll shihet se në një oborr gjendet kisha, xhamia dhe sinagoga. Kur shkoi kalifi Umer në Damask së bashku me Aliun (kalifi i katërt pas Profetit Muhamed), mori një ftesë nga të krishterët për drekë dhe pasi i pyeti se ku është shtruar sofra dhe mori përgjigjen “në kishë”, ai iu drejtua Aliut që të merrte myslimanët e tjerë dhe të shkonin të merrnin pjesë në tryezën e përbashkët.
8. Dibranët për tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar
Dr. MOIS KAMBERI
Abstrakt
Shprehja më e qartë e tolerancës, mirëkuptimit ndërfetar në Dibër është krahina e Lurës. Në Lurë Brenda një familje ka myslimanë e katolikë. Ato askush dhe kurrë nuk i ka ngacmuar, kurrë nuk u është bërë presion të ndërrojnë fe, apo të jenë të përbuzur dhe të urryer. Përkundrazi ato thirren në të gjitha ceremonitë apo festat familjare si dhe në fatkeqësi. Mendimi i tyre merret në konsideratë për problemet e qendrës së banimit.
Besimi Islam ka sjellë mirëkuptim edhe midis bashkësisë islame. Më e rëndësishmja është se në 70 xhamitë që ka rrethi Dibrës, në grumbullimet për martesa e vdekje, vazhdimisht kuadri fetar dhe njerëzit e mençur japin norma fetare islame për bindjen kundrejt zotit, për mirëkuptimin, për falje të njëri tjetrit.
9. UNITETI I SHQIPTARËVE NË MBROJTJEN E SHKODRËS (1912/13) SIPAS EPIKËS HISTORIKE
Prof. Dr. Sadri Fetiu
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Abstrakt
Nuk ka dyshim se qëndresa e Shkodrës në luftë me pushtuesit sllavë (Serbinë dhe Malin e Zi), tetor 1912 – prill 1913, është një ndër ngjarjet e rëndësishme historike të gjysmës së parë të shekullit XX.
Historikisht kjo çmohet, si qëndresë e popullit shqiptar dhe e ushtrisë së rregullt të garnizonit osman të Shkodrës të komanduar nga Hasan Riza Pasha, që jo vetëm se ua ndali hovin hordhive pushtuese sllave, që bënë krime të pashembullta mbi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Mal te Zi dhe në malësitë e Veriut, por e nxiti edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për t’i zvogëluar sadopak apetitet e pushtuesve të aleatëve ballkanikë, që, në emër të luftës për çlirim nga sundimi i Turqisë, po i copëtonin e ndanin midis tyre viset shqiptare.
10. SANXHAKU I MANASTIRIT NË FUND TË SHEK. XIX DHE NË FILLIM TË SHEK. XX
Dr. Hasan BELLO
Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë-Tiranë
Abstrakt
Në vitin 1835 qyteti i Manastirit ishte qendra administrative e Vilajetit të Rumelisë, ndërsa me hyrjen në fuqi të “Rregullores së Vilajeteve” në vitin 1864 ai u bë qendër vilajeti. Në vitin 1875 në përbërje të tij bënin pjesë Sanxhaku i Manastirit me 12 kaza, Sanxhaku i Shkodrës me 10 kaza, Sanxhaku i Prizrenit me 9 kaza, Sanxhaku i Shkupit me 7 kaza dhe Sanxhaku i Dibrës me 4 kaza. Sipas të dhënave të vitit 1896 në sanxhaqet e Vilajetit të Manastirit bënin pjesë 22 kaza, 24 nahije dhe 1903 fshatra.
Në fund të shek. XIX, pas Selanikut, qyteti i Manastirit në Perandorinë Osmane konsiderohej si qendra më e rëndësishme ekonomike e Ballkanit. Sipas udhëpërshkruesit të njohur Evlia Çelebi, që në mesin e shek. XVII, qyteti i Manastirit ishte një qendër e zhvilluar urbane me 21 lagje, 3000 shtëpi, 900 dyqane, 70 xhami e mesxhide dhe 1 pazar të madh. Ndërsa në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek.
Në vitin 1875 në qytetin e Manastirit kishte edhe 1 spital me 3 mjekë, 2 farmacistë e 2 kirurgë dhe 1 farmaci që shërbenin për nevojat e popullsisë lokale.
11. Historia e shekullarizimit në Shqipëri 1944 e në vazhdim
Nuredin Nazarko
Abstrakt
Terminologjikisht dhe për nga modaliteti i realizimit të qëllimit të tyre, ateizmi dhe shekullarizmi shfaqen si të ndryshëm, vis-a-vis me njëri-tjetrin. Substancialisht kërkojnë të njëjtën gjë, kanë të njëjtin qëllim: orientimin e njeriut drejt materializmit shkencor për realizimin e parajsës tokësore, natyrisht jo të përjetshme. Prandaj një shekullarizëm i fortë, ekstrem, duke kërkuar heqjen e tërësishme të Fuqisë së Epërme nga skena e jetës njerëzore, nga influenca në jetën publike dhe influencë gjithnjë e më të dobët në jetën individuale deri në çinfluencimin e plotë, nuk do të kishte më dallim nga ateizmi.
12. JETA DHE VEPRA E LAVDISHME E HAFIZ ALI ULQINAKUT
Prof. As. Dr. Mark Vuji
Abstrakt
Hafiz Ali Ulqinaku si një ndër figurat më të shquara të kombit tonë, do të kujtohet e vlerësohet brez pas brezi, si klerik patriot, si luftëtar që mbrojti me armë në dorë trojet shqiptare, si mësues i palodhur dhe shkencëtar i shquar, si edukator i talentuar i masave popullore, që diti të fusë në shpirtin e tyre tolerancën në mes të besimeve të ndryshme fetare dhe të ruajë e të forcojë unitetin e popullit në kohë të vështira.
13. Kontributi i Hafiz Ali Ulqinakut në arsimin shqip
Prof. Dr. Mehdi Polisi
Abstrakt
Për Hafiz Ali Ulqinakun dhe për veprën e tij janë shkruar mjaft artikuj e studime. Studimet për të dhe veprën e tij janë shtuar sidomos në vitet e fundit. Është për t’u thënë se për një periudhë të caktuar kohore, për shkak të profesionit që kishte ushtruar – hoxhë, imam, myfti, – emri i Hafiz Ali Ulqinakut, sikurse dhe shumë hoxhallarëve, imamëve dhe myftinjve të tjerë, pa të drejtë mbeti i harruar. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Kanë shkruar për Mevludin e tij, për fjalorët, për abetaren shqipe etj. Secili ka shkruar në mënyrën e vet. Ajo që është e rëndësishme të thuhet është fakti se të gjithë studiuesit e veprës së Hafiz Ali Ulqinakut kanë dhënë vlerësime të larta për të. Sado që është shkruar mjaft, megjithatë, për veprat cilësore, sidomos për veprat e tilla që radhiten ndër të parat të këtyre fushave në gjuhën shqipe, gjithmonë mbetet vend për t’u thënë diçka më tepër, madje në shumë raste, edhe për shumë çështje të rëndësishme të thëna më parë, ia vlen të thuhen përsëri, do të thoshte prof. Çabej në një rast. Temat që trajtoi Hafiz Ali Ulqinaku nuk kanë qenë tema të rastësishme, domethënë, ato kanë pasur një qëllim, një pikësynim, gjë që tregon se Hafiz Aliu ka ndjekur në vazhdimësi jetën e shoqërisë përgjithësisht dhe të asaj shqiptare veçanërisht.
14. NJË ENCIKLOPEDI SHKENCORE PËR KUR’ANIN
Prof. dr. Hajri SHEHU
Abstrakt
Ky është libri i parë i Enciklopedisë së profesor Kahiilit, i përkthyer në gjuhën shqipe. Autori ka botuar në vendin e vet e në gjuhën e vet amtare edhe dy të tjerë, pra, tri vëllime. Pas tri vëllimeve do të ketë të katërtin, të pestin, … të dhjetin e të tjerë.
E veçanta e Enciklopedisë është ilustrimi me foto. Edhe fotot janë shkencore. Shumë janë satelitore. Ilustrimi me foto e bën shumë të qartë e shumë të saktë çfarë shkruhet më poshtë. Radha e paraqitjes është: fotoja – komentimi a argumentimi në mënyrë të thukët për zbulimin – ajeti kur’anor. Një mënyrë paraqitjeje shumë e këndshme, por edhe shumë kureshtjendjellëse për lexuesin: ja fotoja, ja zbulimi, ja ajeti. Lidhur fort si një e tërë. Ajeti në fund është jo vetëm përmbyllës, por edhe shumë mbushamendës, shumë mendjeformues e shumë mbresëlënës.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...