Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 17, 2014 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Muhamed Teufik Ahmed
– Të nderuar vëllezër dhe motra!
A e keni menduar më parë çështjen e fesë?
A keni vërejtur mospajtime të shumta në mendime rreth kësaj teme?
A keni vërejtur ndonjëherë armiqësi mes grupeve dhe njerëzve të ndryshëm?
Çdo person mendon se e ka gjetur fenë e vërtetë, madje edhe ai që për zot të tij e adhuron gurin dhe e shenjtëron atë.
Unë jam më se i sigurt se në mendjet tuaja kanë kaluar pyetje të tilla, e që ju kanë ndihmuar të bindeni se ekziston vetëm një fe e vërtetë për të gjithë, sepse Zoti është Një dhe nuk është i kënaqur të ketë shume fe, duke qenë se kjo fe është e kuptueshme për të gjithë njerëzit.
Çdo njeri duhet të ndiej në vetveten e tij, pa ndikim nga askush këto parime themelore:
– Besimi në një Zot të vetëm të adhuruar [sepse politeizmi i supozuar shkatërron universin]
– Përhapja e së mirës mes gjithë njerëzve.
– Besimi se Allahu ka dërguar të dërguarit e Tij për t’ia mësuar njerëzimit këto dy parime të shenjta.
Nëse meditojmë me kujdes këto parime do ta pyesim veten: a thua vallë me të vërtetë ekziston një fe e tillë?
E vërteta është se kjo fe ekziston që nga krijimi i ekzistencës. Këtë fe monoteiste Allahu e zgjodhi për njerëzimin duke e dërguar nëpërmjet të dërguarve të Tij. Allahu (xh.sh.) thotë: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami”[1]. Gjithashtu thotë: “E kush kërkon fe tjetër përveç fesë Islame, atij nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit”[2].
Atëherë mund të themi se feja është nga Allahu, por disa njerëz gabimisht i emëruan me emra të pejgamberëve gjatë kohëve të ndryshme kur ishin dërguar ata. Emërtime të tilla shkaktuan mospajtime dhe ekstremizëm mes shoqërive të ndryshme sa që kjo ndarje ka quar deri te harresa e së vërtetës. Edhe Islamin e quajtën ‘muhamedanizëm’ sipas emrit të pejgamberit Muhamed (a.s.), ashtu siç u quajtën edhe fetë e tjera me emrat e pejgamberëve të tyre, përkundër faktit se të gjithë thirrën në një Zot [Allahun].
E ndiej obligim që me pak fjalë të sjell realitetin e fesë së Vërtetë. Mirëpo, nëse pjesëtarët e besimeve të tjera vazhdojnë të mos e njohin Islamin dhe mësimet e tij, ky qëndrim i tyre kundër Islamit apriori do ti shmangë dhe do t’ua pamundësojë kuptimin e esencës së kësaj feje dhe nuk do të arrijnë tek ndonjë përfundim i dobishëm.
ISLAMI
Fjala “Islam”do të thotë paqe mes njerëzve dhe nënshtrim i plotë ndaj vullnetit të Allahut (xh.sh.). Gjithashtu do të thotë paqe mes individit dhe vetvetes së tij, mes tij dhe të tjerëve si dhe devotshmëri e plotë ndaj Allahut (xh.sh.).
Të gjitha këto kuptime janë të përfshira në Kur’anin Famëlartë nga i cili mëson individi që të bëjë mirë për të tjerët dhe që ta pastrojë vetveten duke vepruar sipas asaj që është shpallur në Kur’an.
Muhamedi (a.s.) ishte i dërguari i fundit në Islam, por jo edhe i vetmi, sepse myslimanët besojnë në të gjithë pejgamberët e mëparshëm: në Ibrahimin (a.s.), Musain (a.s.), Isain (a.s.) etj., etj.
Allahu (xh.sh) thotë: “Ne edhe ty [o Muhamed] ta zbritëm Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti.”[3]
IMANI-BESIMI
Islami mëson myslimanët të besojnë në një Zot [ALLAHUN], në engjëjt, librat, pejgamberët, ringjalljen pas vdekjes dhe në ditën e Kijametit. Allahu (xh.sh.) thotë: “Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë”[4].
Myslimanët besojnë në dallimin mes së mirës dhe së keqes. Çdo gjë që ka krijuar Allahu është e mirë. Nëse përdoret aty ku është i kënaqur Allahu, ajo do të na shpjerë në lumturi, por nëse keqpërdoret ajo do të shpjerë në të keqe dhe pendim. Allahu (xh.sh.) thotë:
“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij”[5].
ALLAHU (XH.SH.)
Të gjithë myslimanët i luten një Zoti {Allahut}. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi, i Drejti, Ndihmëtar i tërë njerëzimit, i Cili as s’ka lindur kënd dhe as nuk është i lindur. Ai është drita e qiejve dhe e tokës. Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi.
Është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim. Ai është i përjetshmi. Ndërkaq sa i përket përdorimit nga Isai (a.s.) të shprehjes “At’’për Zotin e tij, kjo është shenjë e mëshirës dhe bujarisë së Allahut.
PARIMET E ISLAMIT
Myslimanët janë të obliguar të veprojnë sipas parimeve vijuese:
1- Besimi i paluhatshëm se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut.
2- Namazi [për pastrimin e shpirtit dhe trupit].
3- Agjërimi-shërim i shpirtit dhe trupit, edukues i ndjenjave në raport me njerëzit, kafshët, bimët; mësues i durimit dhe forcues i vullnetit.
4- Dhënia e zekatit: E drejtë e të varfërve nga pasuria e të pasurve 2.5% nga kapitali, çdo vit hixhrij, nëse ajo pasuri arrin nisabin, që është e barabarte me vlerën e 85 gr. ar. Edhe pse nga i pasuri nuk kërkohet më shumë se kjo vlerë, ai nuk duhet të mjaftohet me kaq, sepse prej obligimeve më të shenjta të myslimanit është ndihma ndaj të varfrit dhe sjellja e mirë ndaj tij.
5- Haxhi në Mekë: Çdo mysliman e ka obligim vizitën e Qabesë një herë në jetë nëse ka mundësi. Myslimani atje nuk adhuron ndonjë gur apo pejgamber, por ai vetëm mediton në kuptimet e shenjta të Islamit, e falënderon Allahun, dhe kështu e kryen detyrën e Haxhit. Haxhi u ofron mundësinë [myslimanëve] të ardhur nga vise të ndryshme të botës që të njihen mes veti dhe të forcojnë lidhjet [dashurinë] reciproke mes tyre.
NUK KA DHUNË NË FE
Kur’ani na mëson se nuk ka dhunë në fe, duke u shprehur kundër çdo forme të dhunës. Të gjitha luftërat në Islam janë zhvilluar për të mbrojtur fenë dhe besimin. Edhe pse në disa kohëra, disa udhëheqës të vendeve Islame luftuan për interesa e përfitime të kësaj bote, me çka ata zbritën nga piramida e formës të cilën e realizuan [arritën] paraardhësit e tyre derisa i pasonin mësimet e vërteta të fesë së tyre. Andaj nuk duhet të kritikojmë Islamin për ketë dështim, sepse ai është kundër këtyre luftërave. Duhet të theksojmë se edhe pjesëtarët e feve të tjera kanë zhvilluar luftëra në emër të fesë me të njëjtat qëllime, por feja është e pastër nga këto luftëra.
Islami i ka dhuruar njeriut liri absolute të mendimit. Ai e lartëson shpirtin e njeriut nga dhuna, për të jetuar kështu në paqe të përjetshme.
Njeriu nuk ka nevojë për rituale fetare që të bëhet mysliman. Islami jo vetëm që është fe praktike që përhapet shpejt, por ai gjithashtu i përshtatet natyrës njerëzore. Çdo fëmijë për nga natyra është i përshtatshëm [i gatshëm] për tu bërë mysliman. Në këtë pikëpamje janë fjalët e Muhamedit (a.s.): “Çdo fëmijë lind në fenë e pastër natyrore, e prindërit pastaj e edukojnë si hebraik, kristian apo zjarradhurues.”
UNË JAM MUSLIMAN [NJERI I PAQES]
Unë besoj në një Zot [Allah]; Atë të cilit çdo krijesë i drejtohet e i mbështetet për çdo nevojë, Ai është me ne gjithmonë. Allahu (xh.sh.) thotë: …“Ai është që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Arshin [Fron]. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngrihet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni”[6]. Atij nuk i përngjet askush, askush nuk është si Ai, Ai është Krijues i çdo gjëje.
Unë besoj në të gjithë të dërguarit e Tij pa dallim mes Musait (a.s.) dhe Isait (a.s.), apo Muhamedit (a.s.).
Për mëkatet e mia kërkoj falje të drejtpërdrejtë nga Allahu pa ndonjë ndërmjetësim. Unë e përmend Allahun në çdo kohë. Atë e ndiej në veten time, rreth meje dhe kudo që shkoj. Ai gjykon veprat e mia, ndërsa unë i kryej urdhrat e Tij të kërkuara në Kur’an.
– Unë zbatoj të gjitha parimet islame, fal namaz, agjëroj, jap zekatin, vizitoj Qabenë.
– Është e ndaluar vetëvrasja apo vrasja e dikujt tjetër. Islami kërkon nga njerëzit që të jetojnë në paqe.
– Unë nuk bëj prostitucion, i druhem rrugëve të cilat më shpien në humbje duke ditur se njeriu është i krijuar i dobët. Allahu (xh.sh.) thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit [zinasë], sepse vërtetë ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe”[7].
– Lumturia e mirëfilltë është ajo të cilën e arrijmë pa u penduar më pastaj pas saj. Kjo lumturi arrihet në pasurimin e shpirtit me vlera të moralit. Shembulli i kësaj është tregimi i njeriut i cili dëshironte të bënte prostitucion porse ndërgjegjja e tij e ndalonte, por që më pastaj nën ndikimin e alkoolit ai e mbyt njeriun i cili dëshiroi ta ndalonte nga akti i prostitucionit. Andaj nuk mbetet asgjë tjetër, veçse të konkludojmë se alkooli është fajtor i mëkateve.
– Unë nuk luaj bixhoz i cilitdo lloji qoftë ai, sepse bixhozçiu nuk e nderon furnizimin e tij. Ta vësh fatin tënd në peshojën e lojës së letrave apo ngjashëm është dobësi e turpshme për personalitetin tënd. Allahu (xh.sh.) thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës [për fall] janë vepra të ndyta të shejtanit. Pra largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”[8].
– Myslimani as nuk merr dhe as nuk jep para me kamatë, sepse ajo është rrugë e shkatërrimit. Ai mund të jep hua për t’u ndihmuar nevojtarëve, por duhet kujdesur për ruajtjen e kapitalit të vet. Allahu (xh.sh.) thotë: “O ju që besuat, keni frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni ketë [nuk hiqni dorë nga kamata], atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve u takon kryet e mallit tuaj, askënd nuk e dëmtoni, as vetë nuk dëmtoheni. Por në qoftë se ai [borxhliu] është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri të vijë një çlirim. E ta falni [borxhin] në emër të lëmoshës, ajo nëse e dini, është shumë më mirë për ju.”[9]
– Myslimani nuk e përgojon askënd dhe nuk i përhap fjalët. Ata që e veprojnë këtë janë në pozitë sikur të kishin ngrënë mishin e vëllait të tyre të vdekur. Kjo ka të bëjë me ata, të cilët njollosin të tjerët prapa shpine, pa ju dhënë rast që të vetëmbrohen. Allahu (xh.sh.) thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe keni frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar [nga Zoti]. O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë te përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin [duke nënçmuar njeri-tjetrin] dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë. O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri- tjetrit, dhe mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet te vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.”[10]
BESIMI DHE VEPRA
Besimi pa vepër është besim i mangët. Besimi i vetmuar është i pamjaftueshëm nëse nuk manifestohet me vepra. Myslimanët besojnë se do të japin llogari për veprat e tyre qoftë në këtë botë apo në botën tjetër. Secili mysliman është përgjegjës për veprën e tij dhe askush nuk mund të bartë përgjegjësinë e gabimeve të të tjerëve. Allahu (xh.sh.) thotë: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njeri-tjetrin t’i përmbahen së vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”[11]
ISLAMI DHE SHOQËRIA
POZITA E FEMRËS NË ISLAM
Burri dhe gruaja rrjedhin nga një origjinë. Secili prej tyre është i pajisur nga ana e Allahut me aftësi mendore dhe morale që të veprojnë me to; që të jenë përgjegjës në jetën e tyre, ndërsa gruaja për aq sa ka mundësi t’i kryej ato.
Si burri ashtu edhe gruaja kanë detyra të cilat i përshtaten natyrës së tyre. Në funksionin e gruas myslimane ajo duhet ti bindet urdhrave të burrit, ndërsa si nënë ajo duhet të edukojë fëmijët e saj; thënë shkurt ajo duhet të kalojë shumicën e kohës së saj në edukimin dhe rregullimin e familjes së saj, si obligim primar i saj. Nëse gruaja është e shtyrë të punojë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, duhet të zgjedhë punën që i përshtatet natyrës së saj dhe konform parimeve islame, si p.sh. mësuese, infermiere, gjinekologe apo pediatre, etj.
Femra sipas Islamit ka arritur çdo respekt dhe të drejtë kudo që të jetë, edhe pse ajo në disa vende të Lindjes nuk i gëzon të drejtat e saj, dhe kjo si pasojë e mosrealizimit të parimeve islame në ato vende. Allahu (xh.sh.) thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”[12]
SHPIFJET E ARMIQVE TË ISLAMIT
Mendimet e gabuara të postuara kundër Islamit në librat e autorëve fanatikë nuk janë aspak të vërteta. Ata pa asnjë të drejtë shpërndajnë librat e tyre me shpifje në të katër anët e botës.
Gjykuesi i drejtë duhet të njohë së pari parimet bazë të një çështje, për të ardhur deri te mendimi i drejtë për të. Siç duket këta fanatikë veprojnë në shërbim te aspiratave kolonizuese, sepse ata heshtin para torturave që i bën Perëndimi kundër Lindjes së lënë doresh, kurse nga ana tjetër pretendon se lufton robërinë dhe i mbron të dobëtit. Ata kanë gjetur rrugën më të lehtë për shkatërrimin e popujve duke bërë shpërndarjen e alkoolit dhe përhapjen e dukurive të tjera negative. A thua vallë, këto janë reformat qe paraqet Perëndimi për Lindjen?
BARAZIA DHE VËLLAZËRIMI NË ISLAM
Islami është fe e të gjithëve, për këtë ai thërret në barazinë mes të gjithë njerëzve para Krijuesit të tyre. Përkundër vendeve të ndryshme në të cilat jetojnë, ata duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në marrëdhënie reciproke të mira ku i pasuri ndihmon të varfrin. Të gjitha këto obligime reciproke përbëjnë sistemin e ekzistencës shoqërore. Çdo ndarje dhe diskriminim sipas racës, ngjyrës a kulturës nuk është prej parimeve Islame. Të gjithë njerëzit në Islam janë një familje e përbërë nga të zinjtë dhe të bardhët, të gjithë vëllezër me njëri-tjetrin.
Allahu (xh.sh.) thotë: “O ju njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush te Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.”[13]
GJYKIMI PERSONAL
Islami e inkurajon mendimin personal si dhe e respekton besimin e çdo individi në kufijtë e kuptimit të drejtë të fesë së pastër. Allahu (xh.sh.) thotë: “Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t’ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë.”[14]
ISLAMI DHE SHKENCA
Në Islam çdo mysliman e ka për detyrë arritjen e sa më shumë njohurive. Allahu (xh.sh.) thotë: “…se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.”[15]
PUNA
Pejgamberi (a.s.) thotë: “Jepja punëtorit pagesën para se ti thahen djersët.” Çdo punë e dobishme e cila e bën njeriun të jetojë i lumtur është punë e ndershme, ndërsa papunësia në Islam konsiderohet mëkat.
Allahu (xh.sh.) thotë: “Thuaj: Punoni, se Allahu , i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni te Ai që të di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”[16]
TEORIA EKONOMIKE
Qeveria Islame është e obliguar t’u siguroj banorëve të saj nevojat elementare në strehim, ushqim dhe veshmbathje. Dihet mirëfilli se është praktikuar teoria e ekonomisë Islame për disa shekuj dhe ka treguar sukses. Islami i siguron punëtorit rezultatin e punës qoftë ajo e vogël apo e madhe, sipas natyrës së saj.
Prona private ka lindur si rezultat i një pune serioze të pronarit. Për këtë arsye Islami e respekton pronën private duke mbrojtur motivet kryesore të punës dhe jetës së pronarit.
TRASHËGIMIA NË ISLAM
Natyra e njeriut kërkon që emri i tij të mbetet përgjithmonë mbi sipërfaqen e tokës, pasi ai pas vetes le fëmijët dhe nipërit e tij, gjë që e shtyn atë të grumbullojë sa më shumë pasuri, respektivisht trashëgimi për pasardhësit e tij. Depozitimi i kësaj pasurie konsiderohet një faktor i rëndësishëm në zhvillim dhe bazë e trashëgimisë. Trashëgimia njëherazi konsiderohet mjet për shpërndarjen dhe kthimin e drejtë të pasurive në Islam, sepse gruaja, djemtë dhe vajzat marrin pjesë në pasurinë e babait të tyre. Nëse personi nuk lë pas vetes fëmijë atë e trashëgon gruaja me pjesëmarrjen e babait, motrave dhe vëllezërve të tij.
Trashëgimia konsiderohet si mjet për shpërndarjen e pasurisë në vend të grumbullimit të saj te një pakicë e vogël që shpie në shtresën feudale. Njëkohësisht realizohet drejtësia dhe mëshira mes fëmijëve dhe të afërmeve. Islami konsideron njeriun trashëgimtar të pasurisë e cila i është dhënë amanet nga Allahu (xh.sh.). Për këtë ai është i obliguar ta menaxhojë atë në shërbim të njeriut. Allahu (xh.sh.) thotë: “Mos e lini në dorë të të paaftëve mendërisht pasurinë tuaj që Allahu jua ka dhënë si mjet jetese për ju; ushqejini dhe vishini ata prej saj dhe u thoni atyre fjalë të mira.”[17]
Mendjelehtëve nuk duhet tu dhurohet pasuria e tyre derisa të arrijnë pjekurinë. Me këtë ruhet pasuria e tyre nga shpërbërja, pasi ajo konsiderohet thesar për dobinë e njerëzimit.
TREGTIA
Tregtia konsiderohet ndër shtyllat kryesore të ekonomisë Islame, ku janë numëruar 9/10 e fitimit. Për ketë Islami ka vënë rregulla të prera për vendosjen e sigurisë në transaksionet tregtare. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Si blerësi edhe shitësi gëzojnë lirinë e zgjedhjes derisa të vijë koha kur ndahen. Nëse i qëndrojnë besnikë së vërtetës dhe sinqerisht e bëjnë këtë, marrëveshja e tyre do të jetë e bekuar, por nëse preferojnë mashtrimin dhe hilet, marrëveshja e tyre, herët a vonë do të dështojë.”[18]
MONOPOLI
Rezervimi i ushqimit me qëllim fitimi të mëvonshëm është i ndaluar në Islam. Islami ka vendosur për këtë rregulla të cilat kontrollojnë tregtinë botërore për të qenë në përshtatshmëri me humanizmin njerëzor.
SHFRYTËZIMI
Shfrytëzimi i padrejtë është i refuzuar me të gjitha format e tij derisa të mos bëhet e lehtë jeta për të gjithë njerëzit. Shteti është i obliguar të paguajë borxhet e të vdekurit për të parandaluar çrregullimet në treg, nëse i vdekuri nuk ka lënë nga pasuria e tij e mjaftueshme. Pejgamberi (a.s.) thotë: ”Unë kam të drejtë mbi besimtarët më shumë se vetvetja e tyre, andaj kush vdes prej tyre dhe pas vetes ka lënë borxh, më takon mua ta paguaj, ndërsa nëse ka lënë pasuri e paguajnë trashëgimtarët e tij.”
KAMATA
Kamata është e ndaluar në Islam. Parimi themelor për këtë është “Nuk ka dobi pa punë,
as pasuri pa angazhim”. Allahu (xh.sh.) thotë: ”Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues-gjynahqarë.”[19] Për këtë edhe Kur’ani e ka krahasuar atë që vepron me kamatë si i çmenduri nga të prekurit e djallit.
NATYRA E ISLAMIT
Islami është feja e vetme në botë e cila zbriti për mbarë njerëzinë dhe për të gjitha kohërat. Për këtë arsye:
1- Ajo është feja e vetme e cila përshtatet me natyrën e njeriut si moralisht ashtu edhe logjikisht pa ndonjë kundërthënie.
2- Ajo është feja e cila iu zbrit të gjithë pejgamberëve të dërguar nga Allahu (xh.sh.) te popujt të cilët humbën rrugën e drejtë për shkak të injorancës, moskuptimit të drejtë të saj, si dhe si rezultat i pasimit të epsheve të tyre.
3- Islami kërkon nga besimtarët e tij që t’i besojnë të gjithë pejgamberët e Zotit.
4- Ka ngritur lart rolin e arsyes dhe mendimit si gjykues i vetëm në çdo polemikë rreth besimit, sjelljes shoqërore dhe personale.
5- Thërret në barazi absolute mes të gjithëve, ndërsa ka kritikuar ashpër çdo konflikt mes popujve me qëllim dallimi mes racave njerëzore.
Allahu xh.sh.thotë: “O ju njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush te Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.”[20]
Përktheu nga arabishtja, Feim Hoxha
[1]Al Imran 3:19.
[2]Al Imran 3:85.
[3] El-Maideh 5:48.
[4]En-Nisa 4:136
[5]Fussilet 41:46
[6]El-Hadid 57:4.
[7]El-Isra 17:32.
[8] El-Maideh 5:90.
[9] El-Bekare 2:278-280.
[10]El-Huxhurat 49:10-12.
[11]El-Asr 103:1-3.
[12]Err-Rrum 30:21.
[13]El-Huxhurat 49:13.
[14]Sebe’ 34:46.
[15] El-Muxhadele 58:11.
[16]Et-Teube 9:105.
[17]En-Nisa 4:5.
[18]Sahih Buhari.
[19]El-Bekare 2:276.
[20]El-Huxhurat 49:13.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...