Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Aug 01, 2014 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Ferit Lika
1. Komunikimi në xhami përmes ligjëratave
Në kushtet e mungesës së shtetit shqiptar (1912-1939), apo të ekzistencës së tij të dobët, institucionet fetare (ndër to edhe xhamitë), kryenin funksionet e administrimit të jetës shoqërore të besimtarëve.[1] Feja islame dallonte nga fetë e tjera për nga brendia dhe funksionet shoqërore të saj. “Ajo bashkonte në vetvete parimet shpirtërore dhe shekullore, synonte të depërtonte në të gjithë sferat e jetës e të veprimtarisë së besimtarit. Dispozitat e saj përfshinin veprimtarinë ideologjike, shtetërore, politike, administrative, fiskale, ushtarake, juridike e familjare. Ky karakter shumëdimensional i fesë islame synonte të krijonte të besimtarët shprehitë për t’i vlerësuar të gjitha ngjarjet dhe dukuritë e jetës nëpërmjet prizmit të kanuneve fetare: Kur’anit, synetit si dhe të drejtës tradicionale myslimane – ligji i sheriatit”.[2] Pra, në objektet e kultit islam, përkatësisht xhamitë por jo vetëm, komunikohej ajo se si një person besimtar duhet të ishte i dobishëm për veten, shoqërinë, vendin dhe kombin e tij.
Në këto objekte kulti komunikohej dhe vazhdon të komunikohet nevoja e njeriut për të studiuar, për tu shkolluar për të qene i ditur, pasi fitimi i dijeve është detyrë parësore e çdo myslimani sepse në vetvete thelbi i islamit është të mësosh dhe të përcjellësh dijen. Në librin “Rrugëtimi i islamit në Shqipëri”, studiuesi Ali M. Basha, shkruan: “… Myslimanët ndërtuan xhami dhe medrese, në të cilat lulëzoi dija për natyrën dhe shoqërinë, nëpërmjet një sistemi të qartë dhe të saktë arsimor”.[3] Më 14 dhjetor 1920, Këshilli i Naltë i Sheriatit nxori urdhrin ku ngulte këmbë që të gjithë nëpunësit dhe kleri mysliman që ishin në shërbim të popullit ta mësonin gjuhën shqipe me shkrim dhe lexim dhe ta përdorin atë në kontaktet, predikimet dhe korrespondencën që mund të kishin në çështjet e përditshme.[4]
Nga dokumentet më të vjetra që kanë arritur deri në kohën tonë, e deri te krishterimi dhe islami, respektimi i Zotit asnjëherë nuk ka munguar. Njeriu gjithmonë është në kërkim të lumturisë së tij të brendshme dhe vendi i parë ku ai gjen lumturinë dhe prehjen është feja/besimi. Eliade[5], filozof rumun, thotë se të jetuarit si njeri është një veprimtari fetare ne vetvete. Ndërsa Schopenhaueri thotë se njeriu është një krijesë metafizike. Sipas tij tempujt, kishat, pagodat, lutjet dhe përgjimet të cilat i hasim në çdo kohë dhe çdo vend me tërë ndriçimin dhe madhështinë e vet paraqesin prova të nevojës për elementin metafizik që e ruan ekzistencën e vet, që është ndikues dhe që s’humbet dot.[6] Pra njeriu asnjëherë nuk ka mundur të jetojë pa Zotin. E shenjta është pjesë e pandashme e jetës së tij. Modernizmi s’ka arritur ta kënaqë njeriun. Për këtë arsye njeriu i kohës sonë kërkon rrugë mënyra dhe alternativa të reja për të arritur lumturinë e humbur. Në mesin e këtyre metodave të kërkimit të lumturisë, vend të posaçëm zë religjioni.
Vendi ynë ashtu si shoqëritë e tjera post komuniste, kaloi një periudhe të ndryshimeve rrënjësore shoqërore, ekonomike dhe politike, etapë kohore kjo e quajtur “periudha e tranzicionit”. Me këto ndryshime njeriu i këtij nënqielli me një entuziazëm të flaktë iu kthye shpirtërores dhe fesë. Për shkak të ndryshimeve të dukshme fetare kjo periudhë mund të quhet edhe “periudha e kthimit në skenë e së shenjtës dhe hyjnores”[7]
Këtë hulumtim të shkurtër rreth komunikimit përmes objekteve të kultit të fesë islame në Shqipëri do ta grupoja në tre periudha edhe pse përfshin një kohë të gjatë me ndryshime të mëdha historike për pasojë me ndryshime edhe në metodikën e komunikimit verbal nëpër xhami. E para përfshin kohën që nga pavarësia e Shqipërisë deri në mbisundimin e regjimit komunist 1912-1966; E dyta është periudha komuniste 1966-1990; dhe e treta, periudha e demokracisë 1990 – 2014. Në dy periudhat e para do të ndalemi shkurtimisht për t’u thelluar më tepër në periudhën e tretë, pra atë të kohës së tranzicionit shqiptar (demokracisë).
Periudha e parë 1912-1966, karakterizohet nga kuadro fetarë intelektualë mjaft të përgatitur dhe shumëdimensional, ata ishin hafizë, letrarë, poetë, diplomatë, luftëtarë, e atdhetarë të flaktë. Shumica prej tyre ishin shkolluar jashtë dhe zotëronin disa gjuhë të huaja. “Shqipëria nga shpallja e pavarësisë më 1912 e pastaj me Qeverinë e Mbretit Zog derisa u ndalua feja më 1967 nga regjimi komunist ka pasur dijetarë të shquar islam si H. Vehbi Dibra, H. Ismet Dibra, H. Mahmud Dashi, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Kraja e shumë të tjerë që janë diplomuar në Stamboll dhe kanë bërë një seri përkthimesh e vepra origjinale.”[8]
Në këtë periudhë ajo çka komunikohej në objektet e kultit islam përveç fesë ishte edhe ndjenja e atdhetarizmit, ku kërkohej mbrojtja e atdheut nga pushtuesit. Në këtë periudhë nëpër xhami komunikohej rreziku i ateizmit të imponuar që do të sillte më vonë komunizmi, komunikohej dhe nxiteshin njerëzit të arsimoheshin dhe të përgatiteshin për veten, fenë dhe kombin e tyre, etj. “Teologët shqiptarë në 100 vjetorin e pavarësisë vlerësohen për promovimin e vlerave morale të shoqërisë, që nuk e ndanë fenë nga atdheu dhe familja; kanë kontribuar për mësimin e gjuhës shqipe, si mësimdhënës dhe edukatorë të brezit të ri si dhe me edukatën fetare. Ligjëratat e tyre kanë ngritur në këmbë myslimanët kur ka qenë nevoja për mbrojtjen e vendit.”[9]
Periudha e dytë1966-1990 është edhe periudha më e errët për religjionin dhe objektet e tij njëkohësisht dhe njerëzit e fesë. Institucioni i fesë u dobësua në mënyrë të pallogaritshme derisa edhe u shkatërrua totalisht.
Dyndjet masive nëpër xhami, pas shembjes së komunizmit, treguan se besimtarët i mbajtën fort bindjet e tyre fetare, pavarësisht nga përndjekjet. Të gjithë ata fetarë e atdhetarë që kundërshtuan idetë shkatërrimtare të këtij regjimi, u përndoqën, u vranë dhe u masakruan në mënyrën më çnjerëzore, por as kjo nuk mundi të shkulë rrënjët e besimit në vend. “…Të gjithë elementët shqiptaro-fetar, si vëllezër të një gjaku e si besues të një Zoti të Amshueshëm, duhet me u bashkue e me u organizue në nji front të përbashkët për ta luftuar ateizmin, që do me shkatërrue “Fe e Atdhe”. Kjo është lufta e shenjtë që duhet të bëjnë të gjitha fetë në Shqipëri”, ishte kjo thirrja e myslimanëve kundër komunizmit. Qindra xhami u shkatërruan, ndërsa qindra njerëz të fesë, intelektualë e patriotë u pushkatuan, u burgosën apo u internuan, terror i cili vazhdoi deri në fillim të viteve ‘90.”[10] Në këtë periudhë nuk mund të flasim për një komunikim përmes objekteve të kultit pasi ato u shkatërruan, u mbyllën dhe u kthyen barbarisht në depo e magazina, por në këtë kohë ekzistoi një tjetër lloj komunikimi që njerëzit e fesë realizonin fshehurazi nëpër shtëpi siç ishte këndimi i mevludeve (vepra letrare, poema ku tregohet jeta e profetit Muhamed dhe misioni i tij).
Me shembjen e regjimit komunist në vitet ‘90, më 16 nëntor 1990, pas 23 vjetësh u këndua Ezani dhe u fal Xhumaja në Shkodër, në Xhaminë e Plumbit, e më pas në të gjithë vendin. “Dalëngadalë feja filloi të zërë vendin që i takonte në shoqërinë shqiptare. Paralelisht edhe Komuniteti Mysliman (Xhamitë) ndërmori një rol aktiv në jetën social-kulturore të vendit duke i paraprirë, madje dhe parandaluar probleme të shumta sociale, sepse as fuqia e ligjit nuk e ka fuqinë e bindjes dhe ndikimit të besimit. Por mbi të gjitha sot liria e besimit triumfon, shpirti i besimtarit ndjehet i lirë të adhurojë Atë që i dha frymë, Atë që e ngjizi, Krijuesin e gjithësisë.”[11]
Pas viteve 90-të shumë të rinj myslimanë u shkolluan brenda e jashtë vendit nëpër shkollat islame në të gjitha nivelet. Për rrjedhojë xhamitë në Shqipëri sot kanë një kuadër të mirëpërgatitur për Islamin, por që siç duket edhe nga veprimtaria e tyre por edhe siç studiuesit e fushës i shohin, nuk janë në nivelin e atyre të para komunizmit. “Sot kemi një brez të ri kuadrosh fetarë, të diplomuar në universitetet fetare jashtë vendit, por që nuk e kanë pjekurinë e stazhin, që dhe këta të bëhen dijetarë të tillë. E ardhmja është pikërisht për këtë brez të kuadrove fetar imam-vaiza; që të vazhdojnë trashëgiminë e të parëve dhe t’u bëjnë brezave që vijnë edhe ata vepra fetare që të mbeten dijetarë islamë që kanë kontribuar për këtë vend.”[12]
Si kudo edhe ligjëruesit predikues, vaizët kanë secili përvojën, stilin dhe metodën individuale komunikative. “Nëpër xhamitë e qytetit të Tiranës ka predikues që duhen përmendur për taktin, stilin, metodën dhe ëmbëlsinë e komunikimit. Predikuesit i kushtojnë vëmendjen e duhur si specifikave teknike e profesionale, ashtu edhe specifikave stilistike. Dallohen e shquhen për korrektësinë komunikative, stilin, metodën, tonin e zërit e timbrin, intonacionin fjalë për fjalë dhe në lidhjen logjike të mendimit. Ata nuk e njohin polemikën, fjalën e ashpër e të vrazhdë. Predikuesi mundohet të përvetësojë e të aplikojë metodën e triumfit të zemrave, duke i qëndruar larg diskutimit të ashpër dhe fjalëve me lojëra logjike.”[13]
Predikimi dhe këshilla duhet të jenë të tilla që ta zbusin zemrën e të zënë vend në ndjesi. Ligjëruesi duhet të jetë njeri edhe i mendjes edhe i zemrës. Ai, që nuk mund të mendojë me mendjen e vet e të ndiejë me zemrën e vet, nuk mund të tregojë. Shprehjet e tija nuk mund të jenë të ngarkuara me mëshirë. “Këto dy dekadat e fundit, me përmbysjen e diktaturës komuniste dhe me ardhjen në pushtet të demokracisë, ka ardhur një brez i ri teologësh të kualifikuar, që me ligjëratat e tyre kanë tërhequr një masë të madhe të rinjsh e të rejash besimtarë myslimanë, që frekuentojnë rregullisht institucionet fetare për adhurim. Ata manifestojnë vlera të normave morale si individë, në familje dhe shoqëri. Ata janë të papajtueshëm me antivlerat që shfaqen sot në shoqërinë tonë si alkooli, bixhozi, droga, prostitucioni, vjedhja, grabitja etj. Masa e të rinjve myslimanë sot janë bërë solidarë për vepra humane dhe iniciatorë në ndihmë dhe përkrahës të jetimëve e nevojtarëve.”[14]
2. Hytbeja shqiptare dhe Ligjëruesi
Fjala “hytbe” rrjedh nga fjala arabe “hatabe” që do të thotë mban fjalim (predikim). Hytbeja që mbahet ditën e Premte është obligim fetar, që plotëson kushtin e faljes apo namazit dy rekatësh, detyrë për çdo mysliman.
Ligjërata fillon me një falënderim të veçantë për Zotin e Madhërishëm, Zotin e botëve dhe Sunduesin e gjithçkaje që ndodhet në to, pastaj dhe me dëshminë se profeti Muhamed është i dërguar i Zotit. Mbas kësaj hyrje të shkurtër trajtohen problemet e caktuara adresuar besimtarëve dhe në mbyllje me detyrat që ka secili besimtar për të zbatuar sipas ligjeve e Sheriatit Islam. Mënyra e mbajtjes së ligjëratave në xhami i përmbahet rregullave të fesë islame që janë të njëjta për të gjithë myslimanët e botës. “Procedura është e njëjtë edhe për një fakt tjetër se imamët apo predikuesit tanë janë shkolluar në këto vende. Mund të ndryshojë vetëm tematika e ligjëratave mbasi secili vend ka problemet e veta si dhe shkalla e kulturës, e nivelit të përgatitjes fetare, ku dihet se vendet islame kanë dijetarë më të shquar. Literatura e tyre në zbërthimin e ligjeve të Kur’anit dhe Hadithit të Profetit (a.s.) merret e studiohet nga imamët apo vaizët e vendit tonë. Në fshat ka dhe imam që janë vetëm me arsim të mesëm, e sigurisht niveli i tyre nuk është në shkallën më të lartë që kërkohet.”[15]
Ndërtimi i një hytbeje ashtu si edhe në vendet e tjera edhe në Shqipëri ka një kornizë të caktuar fetare që fillon me hyrjen, brendinë, salavate për Profetin (a.s.) e pastaj fillon pjesa e dytë. Në fund bëhet lutja që e shoqëron një citim i Kur’anit, ku Zoti urdhëron vetëm drejtësi për njerëzit në tokë. Kjo metodologji zbatohet sipas nivelit kulturor të ligjëruesit. Këtë fjalim (predikim) e mban imami i xhamisë, që në këtë rast quhet “hatib”, që do të thotë: folës, orator ose referues. Në podiumin e caktuar posaçërisht për këtë ditë të Premte, për të biseduar me xhematin (myslimanët) në xhami, imami u drejtohet të pranishmëve për problemet kryesore që ai ka menduar të bashkëbisedojë si mësime, këshilla, thirrje etj. Në vendin tonë deri më tani nuk ekzistojnë trajnime të caktuara, specifike që mund të përgatisin një imam se si të mbajë një hytbe ndërsa në vende të ndryshme të botës, universitetet islame kanë të ingranuar në strukturat e tyre lëndë të posaçme për metodologjinë e hytbes. “Personat e ngarkuar me detyrën e predikuesit, kanë marrë njohuri të mjaftueshme në shkollën fetare ku kanë studiuar. Por për trajnime të mëtejshme këtu në vendin tonë nuk ka strukturë arsimi që të merret me trajnimin shumë të nevojshëm të tyre. Në vendet e tjera i kanë kushtet sepse ka universitete me degë të posaçme fetare.”[16]
Ligjëruesi dallohet nga besimtari i thjeshtë sepse ky është i emëruar në këtë detyrë nga institucioni vartës, Komuniteti Mysliman. Ai duhet të jetë i diplomuar për teologji dhe dallohet nga aftësia dhe mjeshtëria për të mbajtur këtë predikim, që në gjuhën arabe quhet “hatabetun”. Përveç kësaj, ai duhet të karakterizohet nga arti i të folurit, të mbajturit fjalim, që në gjuhën arabe i thonë “hitabetun”.
Predikuesi i fesë islame, imami (hoxha) ose mësuesi duhet të karakterizohet nga aftësitë njohëse të realitetit, të bëjë analizën dhe konkluzionin e tyre mbi baza të shëndosha të fesë islame. Atëherë ai duhet të arrijë të njohë personalitetin e çdo besimtari e myslimani, të përcaktojë nivelin kulturor e pastaj të arrijë në përfundime të drejta, për masën që duhet marrë për të ndihmuar në frenimin, ndalimin dhe parandalimin e përfshirjes së tyre në mëkate ose veprime të ndaluara nga ligjet islame. Ai duhet të ketë aftësi, që të vlerësojë çdo shenjë që prek ndjenjat dhe emocionet, me butësi e ëmbëlsi, për t’ia lehtësuar shpirtin e të priret gjithmonë nga shpresa e besimi tek Zoti. Pra, ai duhet të depërtojë në botën e brendshme të çdo besimtari. Për të arritur këtu, besimtarët duhet të tërhiqen e të tregohen të vëmendshëm, për të kuptuar dhe përvetësuar materialin që paraqet predikuesi.
“Nga shkalla e përgatitjes së predikimit (imami-vaiz) nga ana profesionale, psikologjike e metodike, varet drejtpërsëdrejti niveli i njohjes dhe i zbatimit të ligjeve islame e trajtimi i tyre në ligjërata të veçanta. Themeli bazë i fesë islame është Kur’ani Famëlartë dhe Syneti i Profetit a.s., por në fund të fundit atyre u jep jetë kuadri teologjik, imami apo vaizi me punën e tij të përditshme, plot pasion e me mjeshtëri profesionale. Imami apo vaizi duhet të dallohet për saktësinë e interpretimit të dijeve apo ligjeve islame, me origjinalitet në këtë proces, si dhe aftësi në përzgjedhjen, përpunimin dhe pasqyrimin e realitetit në të cilin jetojmë. Atëherë ata do të gëzojnë autoritet e respekt tek besimtarët, që do të bëhen pjesë e tyre në zbatimin e detyrimeve fetare. Kështu ata bëhen një forcë e madhe nxitëse për të forcuar ndjenjat fetare të çdo myslimani, që kultivojnë motive të shëndosha për familjen e shoqërinë. Pra, shkalla e përgatitjes së këtij kuadri të fesë islame është faktori bazë në detyrën e shenjtë fetare.”[17]
Ligjëruesi përballet me njerëz të moshave dhe kategorive të ndryshme sociale dhe për këtë ai duhet të ketë formim të shëndoshë teologjik por dhe psikologjik e metodik. Studiuesi shqiptar Xhemal Balla thotë se Imami ose vaizi komunikon direkt me xhematin islam në podiumin e posaçëm në xhami. Mirëpo sado i ditur, i kulturuar që të jetë, nuk është e mundur t’u përgjigjet në shkallë absolute problemeve të ndryshme që dalin në realitetin e sotëm, sepse njerëzit sot janë në kontakt të vazhdueshëm me burime të shumta informacioni. Për një komunikim të lirshëm e tërheqës kuadri fetar jo vetëm që duhet të ketë formim të shëndoshë teologjik por kërkon dhe atë psikologjik e metodik sepse kemi të bëjmë me mosha të ndryshme që nga ajo e fëmijërisë, adoleshencës, brezit të ri dhe moshës së thyer. Materiali i përgatitur nga imami apo vaizi duhet t’i përshtatet nivelit të moshave për të pasur efektin e duhur tek ata.
“Për të qenë me efekt bisedat që paraqet predikuesi përpara xhematit islam, duhet që ai të jetë i aftë të njohë qëndrimin e vëmendshëm ose të pavëmendshëm të besimtarëve ndaj ligjëratës që ai paraqet. Ai duhet të kuptojë shenjat e lodhjes apo të moskuptimit e deri në rastësi e ndonjë pëshpëritje të vogël të tyre. Prandaj nga imami ose vaizi kërkohet, para së gjithash, që të njohë në mënyrë të thellë e të gjithanshme nivelin e zhvillimit të vëmendjes së vet, të cilësive të saj dhe, mbi këtë bazë, të punojë sistematikisht me synime të caktuara për edukimin e saj, të njohë e të përvetësojë anët psikologjike të këtij procesi. Intuita psikologjike e imamit apo vaizit është një parakusht tjetër për mënyrën e ndërtimit të bisedës, për atë çka ai thotë, për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë e dashamirëse me dëgjuesit.”[18]
“Institucionet fetare, xhamitë, nuk mjafton të konsiderohen vetëm si vend adhurimi pesë herë në ditë në qytet dhe një herë në javë në fshat. Puna e imamit duhet të priret edhe nga veprimtaria e tij edhe …, me literaturën e nevojshme fetare sipas moshave, madje dhe në veçanti për gjininë femërore. Ky është një kusht i brendshëm që duhet të karakterizojë çdo imam, i cili duhet të ketë predispozita nga detyra fisnike që përfaqëson. Ai konsiderohet dhe si mësues i popullit mbasi të gjithë besimtarët e thërrasin Hoxhë, i cili di gjithçka dhe nga i cili duhet marrë mësim.”
Imamët apo predikuesit nëpër qytete janë kuadro të caktuar nga Komuniteti Mysliman, posaçërisht me funksionin e drejtimit të një institucioni të shenjtë ku i bëhet adhurim Zotit të madhërishëm. Ata janë diplomuar në universitetet islame për teologji dhe janë të përgatitur për këtë detyrë. “Shkalla e realizimit të kësaj detyre varet nga ndërgjegjja personale e secilit për t’u angazhuar e përgatitur në ligjërata. Ndërsa në fshatra sigurisht niveli është më i ulët. Për këta persona, herë pas here duhen organizuar seminare kualifikimi.”[19]
[1] Shih Basha Ali f. 47.
[2] Stafanaq Pollo, fq. 22, Ali Basha, f. 50.
[3] Basha, A., f. 116.
[4]Po aty, f. 25.
[5] Eliade M., Dinin Anlam ve sosyal fanksiyonu.
[6] Bahtijarevic B., Socijolistiçko druśtro, crkra I religija (f. 9).
[7] Pajaziti A., Modernizmi, feja dhe lumturia e njeriut.
[8] Intervistë: Balla, Xh. Komunikimi përmes hytbes, intervistoi Lika, F., Maj 2013.
[9] Po aty.
[10] Lika, F., 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar, Revista Drita Islame, Shkurt 2013, “http://www.dritaislame.al/90-vjet-komunitet-mysliman-shqiptar/”.
[11] Po aty.
[12] Balla, Xh, Intervista.
[13] Xhina, R., Predikimi dhe predikuesi, Drita Islame, “http://www.dritaislame.al/predikimi-dhe-predikuesit/”
[14] Balla, Xh, Intervista.
[15] Po aty.
[16] Po aty.
[17] Po aty.
[18] Po aty.
[19] Po aty.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...