Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Oct 13, 2014 Zani i Nalte Histori 0
Dr. Hasan BELLO
Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë-Tiranë
Në fund të shek. XIX, pas Selanikut, qyteti i Manastirit në Perandorinë Osmane konsiderohej si qendra më e rëndësishme ekonomike e Ballkanit. Sipas udhëpërshkruesit të njohur Evlia Çelebi, që në mesin e shek. XVII, qyteti i Manastirit ishte një qendër e zhvilluar urbane me 21 lagje, 3000 shtëpi, 900 dyqane, 70 xhami e mesxhide dhe 1 pazar të madh.[1] Ndërsa në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX qyteti i Manastirit pësoi një krizë të rëndë ekonomike. Ami Bue shkruan se në këtë periudhë nga 2150 dyqane që kishte një pjesë u mbyllën, duke zbritur në shifrën 1835. Ndërsa nga fundi i shek. XIX gjendja ekonomike dhe tregtare erdhi duke u përmirësuar. Kështu në vitin 1889 numri i dyqaneve ishte rritur duke kapur përsëri shifrën 2489.[2]
Nga gjysma e shek. XIX deri në prag të Luftërave Ballkanike në qytetin e Manastirit kishte edhe 24 fabrika të profilit të ndryshëm industrial, si: fabrika mielli, materialesh ndërtimi, fabrika të përpunimit të drurit dhe mobiljesh, fabrika të përpunimit të lëkurave, etj., çka tregon për një nivel relativisht të lartë ekonomik për kohën.[3] Një nga degët më të zhvilluara të ekonomisë në Manastir ishte edhe tregtia. Një zhvillim të hovshëm ajo mori sidomos pas ndërtimit dhe inaugurimit të hekurudhës Manastir-Selanik më 3 qershor 1894. Kjo hekurudhë u ndërtua nga një firmë gjermane dhe kishte një gjatësi prej 219 km.[4]
Në vitin 1875 në qytetin e Manastirit kishte edhe 1 spital me 3 mjekë, 2 farmacistë e 2 kirurgë dhe 1 farmaci që shërbenin për nevojat e popullsisë lokale.[5]
Nga burimet historike na rezulton se zhvillimi i sistemit bankar në Manastir filloi aty nga fundi i shek. XIX. Kështu, në vitin 1888 aty u themelua “Banka Agrare Osmane” (“Osmanlı Ziraat Bankası”) me disa degë të saj në Kypryly, Ishtip, Kumanovë, Tetovë, Kratovë, Koçanë, Prilep, Ohër, etj. Po në të njëjtin vit u themelua edhe “Banka e Selanikut” (“Selanik Bankası”), e cila hapi degët e saj në Manastir, Shkup dhe Kumanovë. Ndërsa në vitin 1903 në qytetin e Manastirit u hap edhe një filial i “Bankës Osmane” (“Osmanlı Bankası”),[6] çka dëshmon se ky qytet ishte shndërruar në një qendër të rëndësishme ekonomiko-tregtare për të gjithë rajonin.
Në vitin 1835 qyteti i Manastirit ishte qendra administrative e Vilajetit të Rumelisë, ndërsa me hyrjen në fuqi të “Rregullores së Vilajeteve” në vitin 1864 ai u bë qendër vilajeti. Në vitin 1875 në përbërje të tij bënin pjesë Sanxhaku i Manastirit me 12 kaza, Sanxhaku i Shkodrës me 10 kaza, Sanxhaku i Prizrenit me 9 kaza, Sanxhaku i Shkupit me 7 kaza dhe Sanxhaku i Dibrës me 4 kaza. Sipas të dhënave të vitit 1896 në sanxhaqet e Vilajetit të Manastirit bënin pjesë 22 kaza, 24 nahije dhe 1903 fshatra.[7]
Tabela. 1.
Struktura e Vilajetit të Manastirit në vitin 1875[8]
Kazatë e Sanxhakut të Manastirit | Kazatë e Sanxhakut të
Shkodrës |
Kazatë e
Sanxhakut të Prizrenit |
Kazatë e
Sanxhakut të Shkupit |
Kazatë e
Sanxhakut të Dibrës |
Manastir | Shkodër | Prizren | Shkup | Dibra e poshtme |
Korçë | Lezhë | Tetovë | Radovishtë | Dibra e sipërme |
Prilep | Pukë | Prishtinë | Kratovë | Mat |
Ohër | Mirditë | Gjakovë | Koçanë | Elbasan |
Kesrije | Kavajë | Pejë | Polanka | |
Kozanë | Tivar | Gjilan | Ishtip | |
Neslixh | Ulqin | Vulçtrin | Kumanovë | |
Follorinë | Krujë | Gosinjë | ||
Serfixhe | Durrës | Lumë | ||
Kërçovë | Tiranë | |||
Starovë | ||||
Kolonjë |
II.-Struktura demografike dhe religjioze e Sanxhakut të Manastirit
Përcaktimi me saktësi i strukturës demografike të Sanxhakut të Manastirit paraqet një vështirësi serioze. Kjo për faktin se burime të ndryshme ofrojnë të dhëna fiktive, në raport me interesat që ato kishin lidhur me grupet etnike që banonin në këtë sanxhak. Në vitin 1838 një relator i huaj shkruante se Manastiri kishte 9000 sllavë, 8000 shqiptarë myslimanë, ku përfshiheshin edhe dy batalionet e garnizonit të qytetit; 12.000 shqiptarë të krishterë dhe të tjerët turq, çifutë dhe vllehë.[9] Në vitin 1873 në kohën kur qyteti i Manastirit ishte qendër e vilajetit me të njëjtin emër nga 1.000.576 banor që kishte i gjithë vilajeti rreth 40.000 banorë jetonin në këtë qytet.[10] Sipas vjetarit statistikor (Salnames) osman të vitit 1875 në Sanxhakun e Manastirit, ku përfshiheshin 12 kaza, kishte gjithsej 13.880 shtëpi, 66.735 banorë myslimanë, 117.157 banorë të krishterë, 3.470 banorë kibt dhe 1.529 hebrenj. Popullsia totale e të gjithë sanxhakut shkonte në 188.891 banorë. Siç shihet edhe nga statistikat e mësipërme sipas madhësisë vendin e parë në këtë sanxhak e zinte popullsia e krishterë, pas së cilës vinte ajo myslimane, kibtët dhe hebrenjtë.
Tabela. 2.
Popullsia e Sanxhakut të Manastirit në vitin 1875[11]
Kaza | Shtëpi | Banorë myslimanë | Banorë të krishterë | Kibt | Hebrenj |
Manastir | 2.641 | 10.956 | 33.500 | 1.042 | 916 |
Korçë | 1.298 | 803 | 2.741 | 492 | |
Prilep | 1.180 | 1.370 | 5.685 | 233 | |
Ohër | 2.358 | 5.419 | 12.905 | 464 | |
Kesrije | 1.334 | 4.861 | 17.565 | 613 | |
Kozanë | 619 | 14.140 | 7.450 | 262 | |
Neslixh | 257 | 2.510 | 8.481 | ||
Follorinë | 528 | 8.193 | 10.370 | 390 | |
Serfixhe | 1.390 | 1.033 | 4.465 | 107 | |
Kërçovë | 1.298 | 4.150 | 8.795 | 220 | |
Starovë | 787 | 8.800 | 1.200 | 260 | |
Kolonjë | 190 | 4.500 | 4.000 | ||
Gjithsej | 13.880 | 66.735 | 117.157 | 3.470 | 1.529 |
Totali | 188.891 |
Struktura demografike dhe religjioze e Sanxhakut të Manastirit reflektohej deri diku edhe në kategorinë e objekteve të kultit. Kështu, nëse i referohemi të dhënave të vitit 1875 në mënyrë specifike vetëm për qytetin e Manastirit, i cili ishte njëkohësisht qendër vilajeti, sanxhaku dhe kazaje kemi 45 xhami, 15 teqe, 2 kisha dhe 2 sinagoga. Ndërsa e gjithë hapësira administrative e sanxhakut përfshinte gjithsej 119 xhami, 44 teqe, 86 kisha dhe 3 sinagoga. Në total numri i objekteve të kultit shkonte në 252.
Tabela. 3.
Objektet e kultit në Sanxhakun e Manastirit në vitin 1875[12]
Kaza/Nahije | Nr. i xhamive | Nr. i teqeve | Nr. i kishave | Nr. i sinagogave |
Manastir (k*) | 45 | 15 | 2 | 2 |
Resnje (n**) | 2 | 2 | ||
Korçë (k) | 3 | 2 | 3 | |
Bilisht (n) | 4 | 1 | ||
Opar (n) | 1 | |||
Prilep (k) | 10 | 3 | ||
Ohër(k) | 21 | 10 | 14 | |
Kesrije (k) | 6 | 7 | 45 | 1 |
Horpeshte (n) | 5 | 1 | ||
Kozanë (k) | 2 | 12 | ||
Neslixh (k) | 6 | 4 | 1 | |
Follorinë (k) | 4 | 1 | ||
Serfixhe (k) | 6 | 1 | 1 | |
Kërçova (k) | 2 | 1 | ||
Starova (k) | 3 | 1 | 1 | |
Kolonja (k) | 1 | |||
Gjithsej | 119 | 44 | 86 | 3 |
III.-Institucionet arsimore të popullsisë myslimane në Sanxhakun e Manastirit.
III.1. Medresetë e Sanxhakut të Manastirit
Në Perandorinë Osmane institucionet klasike të arsimit osman ishin medresetë. Në këto institucione përgatiteshin kuadro të nivelit të ndryshëm si mësues, myftinj, imamë, shehulislamë, gjyqtarë, etj., në përputhje me nevojat e shtetit dhe shoqërisë osmane. Megjithëse medresetë financoheshin nga vakëfet dhe nuk ishin të lidhura materialisht me shtetin nga to dilnin individë me influencë, të cilët përfaqësonin rregullat dhe ideologjinë zyrtare të shtetit osman. Qëllimi kryesor i tyre ishte të nxirrnin besimtarë të përgatitur që të mbronin fenë islame kundër sfidave intelektuale nga jashtë bashkësisë. Por, me kalimin e kohës medresetë i kishin shkëputur lidhjet me botën e jashtme, me zhvillimet që ndodhnin dhe me rrymat e mendimit politik, filozofik e shoqëror.[13] Me modernizimin e sistemit arsimor, medreseja dhe klasa e dijetarëve qëndruan jashtë këtyre zhvillimeve. Ata filluan ta humbasin rolin e vjetër që kishin pasur më parë mbi shtetin dhe mbi jetën e shoqërisë.[14] Kontrolli i dijetarëve mbi shoqërinë po zbehej, për shkak të zhvillimit të një sistemi juridik dhe arsimor laik. Me futjen e shtypit në jetën shoqërore, në vend u hapën shkolla moderne laike dhe u ngritën qendra të reja që prodhonin ideologji. Megjithëse këto risi nuk kishin arritur një përhapje të gjerë, gjithsesi ato po zhvilloheshin kundër sistemit të vjetër.[15] Reformistët osmanë nuk luftuan haptazi me njerëzit e fesë dhe me institucionet fetare. Ata organizuan një sistem arsimor bashkëkohor, duke arsimuar burokratë laikë jashtë medreseve dhe jashtë arsimit të dijetarëve. Me rritjen e ndikimit të administratës laike në jetën shoqërore për shkak të këtij modernizimi, klasa e dijetarëve mbeti mënjanë dhe në fund, mbas qeverisë së dytë kushtetuese, filloi të përballej me goditjet që i bëheshin asaj.[16]
Medresetë e para në qytetin e Manastirit datojnë që në shek. XIV-XV, periudhë e cila përkon me fazën fillestare të shtrirjes së sundimit osman në Ballkan.[17] Në vitin 1875 vetëm në qytetin e Manastirit kishte 9 medrese, ndërsa në rang sanxhaku numri i tyre shkonte në 21 (shih: Tabela. 4.). Me kalimin e kohës ky numër erdhi duke u rritur, kështu në vitin 1887-1888 numri i tyre brenda qytetit nga 9 shkoi në 17, ndërsa në rang sanxhaku nga 21 në 32 (shih: Tabela. 5.).
Tabela. 4.
Medresetë në Sanxhakun e Manastirit 1875[18]
Sanxhaku | Kazaja | Nr. i medreseve |
Manastir | Manastir | 9 |
Prilep | 4 | |
Follorinë | 2 | |
Ohër | 1 | |
Neslixh | 1 | |
Korçë | 1 | |
Serfixhe | 1 | |
Kërçovë | 1 | |
Kesrije | 1 | |
Gjithsej | 21 |
Tabela. 5.
Medresetë e Sanxhakut të Manastirit në vitet 1887-1888[19]
Sanxhaku | Kazaja | Nr. i medreseve |
Manastir | Manastir | 17 |
Ohër | 2 | |
Prilep | 9 | |
Follorinë | 2 | |
Starovë | 1 | |
Kërçovë | 1 |
III.2. Shkollat fillore (Sıbyan Mektepleri) në Sanxhakun e Manastirit.
Shkollat fillore (Sıbyan Mektepleri) ishin institucionet bazë të arsimit në Perandorinë Osmane. Por, me kalimin e kohës për shkak të mos modernizimit dhe reformimit edhe këto shkolla erdhën duke zvogëluar funksionin e tyre. Një pjesë e mirë e tyre ishin hapur dhe mbaheshin me të ardhurat e vakëfeve, prandaj si rrjedhojë ato ishin të detyruara të zbatonin programet e imponuara nga këto të fundit.[20] Shkolla të tilla gjendeshin në çdo fshat dhe lagje të Perandorisë Osmane. Ato ishin njëkatëshe dhe të ndërtuara me gurë. Fillimisht ato ishin hapur nga ana e qeverisë dhe zbatonin një program të miratuar mësimor. Qëllimi i tyre ishte që t`u mësohej fëmijëve që kishin mbushur moshën e duhur shkrim dhe këndim, principet themelore të fesë Islame dhe leximin e Kur`anit. Për sa i përket metodës, kryesisht ndiqej ajo e të mësuarit përmendësh. Mësuesit ishin individë të diplomuar nëpër medrese. Por, një detyrë të tillë shpesh herë e kryenin edhe imamët apo myezinët e xhamive, meqenëse këto shkolla në të shumtën e rasteve gjendeshin ngjitur me faltoret.[21] Për herë të parë përpjekje për të reformuar këto shkolla u bënë në periudhën e Abdylmexhidit I (1823-1861). Kështu, në vitin 1845 me krijimin e “Kuvendit të Përkohshëm të Arsimit” u hartua një projekt i detajuar sipas së cilit duhej të modernizoheshin të gjitha shkollat fillore të çdo lagjeje; mësuesve që jepnin mësim në këto shkolla iu lëshua një urdhëresë lidhur me lëndët që duhet të zhvilloheshin; u ndalua që të jepnin mësim ata që nuk e kishin përgatitjen e duhur; u rregullua mënyra e marrjes në provim sipas klasave, etj.[22] Numri i shkollave fillore në qytetin e Manastirit në vitin 1875 ishte 25, ndërsa në rang sanxhaku ai shkonte në gjithsej 60 shkolla (shih: Tabela. 6.).
Tabela. 6.
Shkollat fillore në Sanxhakun e Manastirit 1875[23]
Sanxhaku | Kazaja | Nr. i shkollave sëbjan |
Manastir | Manastir | 25 |
Ohër | 9 | |
Prilep | 6 | |
Kesrije | 5 | |
Starovë | 5 | |
Follorinë | 3 | |
Korçë | 2 | |
Neslixh | 2 | |
Serfixhe | 2 | |
Kërçovë | 1 | |
Gjithsej | 60 |
III.3. Shkollat e ciklit të ndërmjetëm (Rüştiye Mektebi) në Sanxhakun e Manastirit
Në strukturën e sistemit arsimor osman këto shkolla zinin një pozicion të ndërmjetëm, më të lartë se shkollat fillore dhe më të ulët se gjimnazet. Megjithatë duhet theksuar fakti se fillimisht “Këshilli i Përkohshëm Arsimor” në vitin 1845 kishte vendosur që ato të shërbenin si shkolla të mesme përgatitore për nxënësit që do të vazhdonin universitetin. Për administrimin e tyre u krijua “Drejtoria e Shkollave Ryshtije” (“Mekâtib-i Rüştiye Nezâreti”) dhe si rezultat i suksesit që patën procesi për përhapjen e tyre në të gjithë perandorinë u intensifikua. Në vitin 1875 në Sanxhakun e Manastirit kishte 5 shkolla ryshtije, në të cilat studionin gjithsej 378 nxënës (shih: Tabela. 7.). Me kalimin e kohës edhe numri i këtyre shkollave erdhi duke u rritur, kështu në vitin shkollor 1887-1888 nga 5 shkoi në 7 (shih: Tabela. 8.).
Tabela. 7.
Shkollat ryshtije në Sanxhakun e Manastirit 1875[24]
Sanxhaku | Kazaja | Nr. i shkollave ryshtije | Nr. i nxënësve |
Manastir | Manastir | 1 | 139 |
Prilep | 1 | 91 | |
Korçë | 1 | 40 | |
Neslixh | 1 | 35 | |
Ohër | 1 | 73 |
Tabela. 8.
Shkollat ryshtije në Sanxhakun e Manastirit 1887-1888[25]
Sanxhaku | Kazaja | Nr. i shkollave ryshtije |
Manastir | Manastir | 3 |
Ohër | 1 | |
Prilep | 1 | |
Follorinë | 1 | |
Starovë | – | |
Kërçovë | 1 |
III.4. Shkolla ushtarake (Askeri Mektebi) në Sanxhakun e Manastirit.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX në vilajetet e Perandorisë Osmane kishte edhe 6 shkolla të mesme ushtarake (askeri idadiyesi), një prej të cilave ndodhej në qytetin e Manastirit. Këto shkolla përgatisnin kuadro për të përmbushur nevojat imediate të garnizoneve ushtarake osmane. Në programet e tyre mësimore ato përfshinin lëndë të tilla si: histori, gjeografi, matematikë, fizikë, algjebër, gjeometri, kozmografi, arabisht, frëngjisht, anglisht, vizatim, gjimnastikë, drejtshkrim, etj.[26] Shkolla e mesme ushtarake e Manastirit u hap në vitin 1898 dhe çdo vit në të studionte një numër i konsiderueshëm nxënësish (shih: Tabela. 9.)
Tabela. 9.
Shkolla e mesme ushtarake e Manastirit (1898-1903)[27]
1898 | 1899 | 1900 | 1901 | 1902 | |||||
Nr. i mësuesve | Nr. i nxënësve | Nr. i mësuesve | Nr. i nxënësve | Nr. i mësuesve | Nr. i nxënësve | Nr. i mësuesve | Nr. i nxënësve | Nr. i mësuesve | Nr. i nxënësve |
12 | 245 | 11 | 245 | 11 | 292 | E papërcaktuar | E papërcaktuar | 12 | 274 |
IV.-Institucionet arsimore të popullsive jomyslimane në Sanxhakun e Manastirit
Në Sanxhakun e Manastirit, në përputhje me strukturën demografike heterogjene, ekzistonte edhe një numër i madh shkollash greke, bullgare, serbe, hebreje, etj. Ky rrjet arsimor erdhi duke u rritur në raport me konsolidimin e shteteve kombëtare ballkanike dhe të politikës nacionaliste që ato filluan të ndiqnin në këtë periudhë.
Numrin më të madh të shkollave në qytetin dhe në krejt Sanxhakun e Manastirit historikisht e zinin shkollat greke. Veprimtaria helenizuese në qytetin e Manastirit filloi që në vitin 1836 kur u themelua një shoqatë arsimore greke. Në 1859 po në këtë qytet u themelua një klub kulturor nga Stamatos Popyris që kishte si qëllim kryesor të luftonte kundërshtarët e helenizmit dhe ata që kërkonin copëtimin e Greqisë. Një përhapje akoma dhe më të madhe veprimtaria arsimore e Greqisë në Manastir dhe në të gjithë rajonin do të marrë sidomos në vitin 1869, kur në Athinë do të themelohet “Shoqata e përhapjes së arsimit grek” (“Sillagos Pros Diadosin Tan Ellinikon Grammaton”).[28] Sipas statistikave greke, në vitin 1886 në Vilajetin e Manastirit kishte 846 shkolla greke në të cilat studionin 45.870 nxënës. Ndërsa në vitin 1902 ky numër ishte rritur në 1011 shkolla me gjithsej 59.640 nxënës.[29] Ministria e Arsimit e Perandorisë Osmane duke parë në këto shkolla veprimtarinë propagandistike të mësuesve me kombësi greke, i bëri presion Patriarkanës për t’i larguar ata nga këto funksione, por kjo e fundit vazhdimisht këmbëngulte se largimi i tyre do t’i linte këto shkolla pa mësues dhe do të shkaktonte mbylljen e tyre. Politika helenizuese e Greqisë në qytetin e Manastirit ngjalli xhelozinë e bullgarëve, të cilët ashtu si grekët përdorën të njëjtën metodë, atë të hapjes së shkollave. Kështu, në vitet 1882-1883 në këtë rajon kishte 323 mësues bullgarë dhe 14.815 nxënës. Si koordinator i tyre shërbente inspektori i shkollave i Ekzarksisë bullgare.[30] Duke nisur që nga viti 1886 Bullgaria filloi të ndiqte një politikë që synonte aneksimin territorial të Maqedonisë. Këtë aspiratë ajo mendonte ta realizonte me anë të shkollave, gjë, për të cilën emëroi një numër të madh mësuesish që do të punonin për propagandimin e idesë së përbashkët që synonte bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë.[31] Përzgjedhja dhe emërimi i këtyre mësuesve bëhej në përputhje me nevojat e çetave të armatosura që vepronin në këtë rajon.[32] Këto shkolla ishin mbështetëset kryesore të çetave. Në kontrollet që u zhvilluan në shtëpitë e mësuesve dhe priftërinjve bullgarë gjatë vitit 1901, autoritetet osmane konfiskuan një numër të madh armësh, bombash dhe traktesh.[33] Pothuajse të gjitha emërimet dhe transferimet e mësuesve bëheshin nga kryetarët e çetave bullgare sipas zonave që ata kontrollonin. Për të parandaluar këtë fenomen negativ autoritetet osmane vazhdimisht ushtronin kontrolle dhe inspektime në shkollat bullgare. Në këtë kuadër, në vitin 1908, ato vendosën që mësuesit që do të shërbenin në këto shkolla duhet të ishin nënshtetas osmanë. Për sa i përket frymës së edukimit, një rëndësi më vete në këto shkolla i kushtohej nacionalizmit bullgar dhe simbolikës kombëtare.
Në këtë aspekt edhe Serbia nuk qëndronte pas, në këtë periudhë ajo ndoqi një politikë e cila synonte rritjen e influencës së saj me anë të shkollave, kishës dhe kulturës. Në vitin 1887 nën varësi të Ministrisë së Arsimit në Beograd u krijua “Zyra për shkollat dhe kishat serbe”. Me anë të konsullatave ajo u përpoq që të hapte shkolla të reja, të shpërndante libra falas dhe që fëmijët serbë t’i mbante të lidhur me anë të këtyre shkollave. Një synim tjetër me karakter nacionalist ishte hapja e shkollave serbe në ato zona ku nuk kishte popullsi sllave. Me qëllim për të goditur rrymën helenizuese në këtë rajon Perandoria Osmane i la terren të lirë ndikimit serb.[34] Ky ndikim u rrit sidomos në vitin 1903 kur u shpall një ferman që serbët i njihte si milet më vete, gjë, e cila ndikoi në rritjen progresive të shkollave serbe në Manastir apo në zonën përreth tij.[35] Kjo ndikoi sidomos në shtimin e rivalitetit serb dhe atij bullgaro-grek, pasi që të dy këto shtete e kundërshtonin ekzistencën e serbëve në këtë rajon. Sipas të dhënave të konsultuara në vitin 1910 në të gjithë Vilajetin e Manastirit kishte gjithsej 21 shkolla serbe të licencuara.
Në fund të shek. XIX në Manastir, Selanik dhe Janinë jetonin afërsisht edhe 100.000 vllehë.[36] Për nevojat e kësaj popullsie në vitin 1890 në Vilajetin e Manastirit ekzistonin 22 shkolla rumune për djem në të cilat studionin 1443 nxënës dhe 8 shkolla rumune për vajza me 353 nxënëse. Mësuesit e këtyre shkollave para se të emëroheshin në këto detyra përgatiteshin në shkollën Maqedono-Rumune “Saint-Apotres” në Bukuresht, në Universitetin “Lasçi”, në liceun “Sava” ose në shkollën qendrore për vajza “Institutin Elena Doamna”.[37] Veprimtaria e shkollave vllehe u shtua sidomos në vitin 1905, kur me një ferman të veçantë rumunët u njohën si milet më vete.[38] Në Manastir dhe Janinë kishte edhe nga një gjimnaz vlleh, gjë, e cila kishte ngjallur xhelozinë e Greqisë dhe të Patriarkanës.[39] Kjo kishte sjellë si rezultat ndërprerjen e gjuhës greke në shkollat rumune dhe largimin e mësuesve me kombësi greke nga këto shkolla. Një rol të rëndësishëm për këtë luajti edhe Apostol Margariti, i cili në këtë periudhë u bë figurë qendrore e lëvizjes arsimore dhe e nacionalizmit rumun.[40] Rivaliteti rumuno-grek në fushën e arsimit u reflektua sidomos në Manastir dhe në Korçë. Ankesat e paraqitura nga të dyja palët shpesh-herë u shoqëruan me mbylljen e shkollave përkatëse, me pretekstin se ato nuk ishin të licencuara për një veprimtari të tillë. Ky rivalitet në fushën arsimore u pasqyrua edhe me përplasje të armatosura midis çetave të të dyja palëve. Rumunët, të cilët si kundërshtar kryesor shihnin grekët, shpesh-herë nuk hezituan të bënin aleancë me çetat bullgare.
Në qytetin e Manastirit ekzistonte edhe një numër i vogël i popullsisë hebreje. Në vitin 1895 kjo popullsi kishte një shkollë e cila administrohej “Alliance Israelite” dhe që mësimin e zhvillonte në gjuhën franceze. Kryesisht ajo ishte e profilizuar në fushën e formimit profesional siç ishte industria, bujqësia dhe tregtia.[41]
Tabela. 10.
Institucionet arsimore të popullsisë jomyslimane në
Sanxhakun e Manastirit në vitin 1875[42]
Sanxhaku | Kazaja | Shkolla të krishterësh | Shkolla hebrejsh |
Manastir | Manastir | 13 | 6 |
Prilep | 5 | ||
Ohër | 4 | ||
Kërçovë | 3 | ||
Korçë | 1 | ||
Kozanë | 1 | ||
Follorinë | 1 | ||
Starovë | 1 |
Tabela. 11.
Institucionet arsimore të popullsisë jomyslimane në
Kazanë e Manastirit në vitin 1903[43]
Komuniteti | Nr. i nxënësve djem | Nr. i nxënësve
vajza |
Viti i hapjes |
Protestant | 5 | 41 | 1877 |
Lazarist | 60 | 38 | 1957 |
Tabela. 12.
Institucionet arsimore të popullsisë jomyslimane në
Sanxhakun e Manastirit në vitin 1905[44]
Komuniteti | Nr. i shkollave | Nr. i nxënësve |
Rum | 393 | 29.147 |
Serb | 76 | 505 |
Bullgar | 225 | 18.213 |
Vlleh | 54 | 2.907 |
Hebre | 4 | 790 |
Gjithsej | 51.562 |
Në vitet 1898-1899 në qytetin e Manastirit kishte edhe tre biblioteka me gjithsej 584 libra. Në këtë qytet ushtronin veprimtarinë e tyre gjithashtu edhe tre shtypshkronja, të cilat shtypnin literaturë të ndryshme në gjuhën osmane, frënge, greke, bullgare dhe rumune për nevojat e administratës lokale, institucionet arsimore dhe private.[45]
[1]. Evliya Çelebi, Seyahatname, İstanbul: Üçdal Neşriyat, 1984, V. cilt, s. 572-574.
[2]. “Manastır”, Türkiye Diyanet Vakfı Islam Ansiklopedisi, Ankara 2003, c. XXVII, s. 562.
[3]. Yusuf Hamza, “1839-1912 Yılları Arasında Makedonya Slav Halkının Ekonomik ve Siyasal Hayatında Tanzimat`ın Yankıları”, Türk Dünyası Araştırmaları Dergisi, 1993, Sayı. 53, s. 104-105.
[4]. Vahdetin Engin, Rumeli Demiryolları, Istanbul: 1993, s. 207-208.
[5]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 101-102.
[6]. Yusuf Hamza, art. cit., s. 99.
[7]. Necdet Hayta, “Salnamelere Göre Atatürk`ün Askeri Idadide Öğrenim Gördüğü Yıllarda Manastır Vilayeti”, Atatürk ve Manastır (Bitola i Kemal Atatürk) Sempozyumu Bildirileri (Manastır 12-13 Ekim 1998), Ankara, 1999, s. 142.
[8]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 49.
[9]. J.Müller, Albanien, Rumelien und die osterrichiseh-Montenegrinische Grönze, Prag, 1844, f. 85.
[10]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri.1292 (1875-1876), s. 38.
[11]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 102-103.
[12]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 102-103.
* kaza.
**nahije.
[13]. Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi (Birinci Meşrutiyet ve İstibdad Devirleri), c. VIII, Türk Tarih Kurumu, Ankara 1995, s. 376.
[14]. Po aty, s. 30.
[15]. Ilber Ortaylı, Imparatorluğun En Uzun Yüzyılı, Istanbul: “Timaş”, 2008, s. 105.
[16]. Po aty, s. 211.
[17]. Murtezen İdrizi, XIV. ve XV. Yüzyıllarda Manastır (Bitola), Yayınlanmamış Yüksek Lisans Tezi, Sakarya Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü, Sakarya 2008, s. 73–74.
[18]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 102-105.
[19]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1305. (1887-1888), s. 104.
[20]. Bayram Kodaman,Abdülhamid Devri Eğitim Sistemi, TTK, Ankara 1999, s. 57.
[21]. Po aty, s. 58.
[22]. Po aty, s. 61.
[23]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 102-104.
[24]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 51.
[25]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1305 (1887-1888), s. 306-337.
[26]. Salnâme-i Maârif, 1321, s. 284.
[27]. Uğur Ünal, “20.Yüzyıl Başlarıda Osmanlı Askeri Mektepleri”, Belleten, cilt: LXXIII, sayı: 266, Nisan 2009, s. 592.
[28]. Fikret Adanır, Makedonya Sorunu, Istanbul: Tarih Vakfı Yurt Yayınları, 1996, s. 111.
[29]. Mustafa Ergün, II. Meşrutiyet Devrinde Eğitim Hareketleri 1908–1914, Ankara: Ocak Yayınları, 1996, s. 493.
[30]. Fikret Adanır, Makedonya Sorunu, s. 108.
[31]. Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi, s. 151.
[32]. Selahettin Özçelik, Balkanlarda Kimlik Arayışı ve Bir Bulgar Terör Örgütünün Anatomisi, Istanbul: Ilgi Yayınları, 2006, s. 44.
[33]. Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi, s. 154.
[34]. Adanır, Makedonya Sorunu, s. 117.
[35]. Ahsene Gül Tokay, “Macedonian Reforms And Muslim Opposition During The Hamidian Era: 1878–1908” Islam and Christian–Muslim Relations, Vol. 14, No. 1, Carfax Publishing, 2003, s. 54.
[36]. Ali Arslan, “Makedonya’da Rum-Ulah Çatışması” İ.Ü. Yakın Dönem Türkiye Araştırmaları,s. 4, İstanbul 2003, s. 4.
[37]. M.Ergün, II. Meşrutiyet Devrinde…, s. 512-513.
[38]. Ahsene Gül Tokay, art. cit., s. 54.
[39]. Ali Arslan, art.cit., s. 4.
[40]. Mucize Ünlü, “II. Abdülhamid Döneminde Ulahlar” Perspectives on Ottoman Studies, Papers from the 18th Symposium of the International Committee of Pre-Ottoman and Ottoman Studies (CIEPO), Eds: Ekrem Causevic, Nenad Moacanin, Vjeran Kursar, Lit Verlag, Berlin 2010, p. 232.
[41]. Encyclopedia of the Jewish Diaspora: Origins, Experiences, and Culture, vol. 3, Abc-clio 2009, p. 980.
[42]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1292 (1875-1876), s. 102-103.
[43]. Sâlname-i Nezaret-i Maaarif-i Umumiye, Hicri. 1321 (1903-1904), s. 672.
[44]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1323 (1905-1906), s. 672.
[45]. Manastır Vilayeti Salnamesi, Hicri. 1316. (1898-1899), s. 1196.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...