Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Nov 07, 2014 Zani i Nalte Mjekësi 0
Ilir Akshija, M.D., M.Sc.
Spitali Universitar “Nënë Tereza”, Tiranë
ABSTRAKT
Dikur njerëzit pinin verë dhe më vonë zbuluan birrën dhe uiskin. Myslimanët nuk e ndryshuan qëndrimin, vera mbetej verë. Para 100 vitesh myslimanët kishin aleatë të fortë në perëndim kundër alkoolit, por më vonë këta aleatë e zbutën qëndrimin e tyre. Myslimanët nuk ndryshuan. Kështu vazhdoi loja e shkencës moderne duke mos e ndaluar alkoolin dhe kumarin, duke i quajtur abuzimin dhe varësinë si probleme psikiatrike dhe duke i trajtuar si të tilla. Mjekimi me substanca psikoaktive si i çrregullimeve të alkoolit dhe kumarit, ashtu edhe përdorimi për terapi të tjera kërkon një qëndrim zyrtar nga ana e Islamit. Efektet, efektet e tyre anësore dhe lënia e tyre kanë veprime të drejtpërdrejta në sistemin nervor qendror dhe ndërhyn në funksionet e trurit, duke rezultuar në alterim të perceptimit, humorit, ndërgjegjes, njohjes, dhe sjelljes. Si të tilla duhen konsideruar si një vlerë e shkencës moderne por jo e pavarur nga vëzhgimi i fesë përderisa prek jetët e një pjese të myslimanëve. Islami nuk ka kundërshti me shkencën përderisa kjo e fundit nuk shkel bazat e fesë së shpallur dhe përderisa nuk dëmton dhe për të cilat shpesh kërkon falje. Benzodiazepinat të marra si shembull janë një rast dhe qëllimi është kërkesa për vlerësim i të gjithë sistemit ku futen pacientët, mjekët, shteti dhe prodhuesit. Përfaqësuesit e fesë duhet të jenë garant të të drejtave të shpallura të besimtarëve gjë që i ngarkon edhe me njohjen e zhvillimeve më të fundit të shkencës, ekonomisë dhe politikës. Kthimi tek besimi tekefundit mund të jetë edhe një bashkëpunëtor i barnave psikoaktive dhe reduktimit të sasisë së tyre, meqenëse qëndrimi i besimit islam ndaj alkoolit ka treguar bindshëm që mundet.
Fjalëkyçe
Alkooli; kumari; valium; barna psikoaktive; treg i shëndetit; varësi nga barnat.
Është viti 1924 dhe i nderuari Hafiz Ali Korça thotë që ‘luftimi kuntra alkoholit rrjedh prej dy pikëpamjesh: moralisht dhe ekonomikisht’.[1] 90 vjet më vonë, viti 2014, fjalët e ruajnë vlerën e tyre. Fenomeni duhet rivlerësuar dhe duhet treguar përmasa e tij në kohën e sotme. Kur’ani e ka thënë fjalën e vet për këtë çështje. Është detyra jonë ta përkthejmë në realitetin e kohës tonë. Çdo ajet mbetet një perlë që reflekton udhëzim dhe me siguri një nga mrekullitë e shumta të Kur’anit është se ky udhëzim i përshtatet plotësisht çdo kohe, duke kërkuar që ne të njohim veçoritë e kohës që jetojmë. Nuk ka qenë detyrë e myslimanëve që kanë jetuar para qindra vitesh të gjykojnë rreth çka nuk ka qenë e shfaqur në kohën e tyre dhe është detyrë e jona të gjykojmë rreth asaj që është e shfaqur në kohën tonë.
Origjina e gjykimit rreth pijeve dehëse, Kur’ani
“O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhunubë (të papastër) derisa të laheni, përpos kur jeni udhëtarë.”[2] Gjendja e papastërtisë pas aktit seksual dhe dehja përmenden në të njëjtin ajet në raport me namazin, dhe jo rastësisht. Të dyja konsiderohen si gjendje që dhunojnë dhe pamundësojnë pranueshmërinë e namazit. E para është gjendje e natyrshme e njeriut dhe pavarësisht se duhet ndryshuar, nuk kritikohet dhe alternativë është pastrimi standard ose ai jo standard nëpërmjet tejemumit në mungesë të ujit. Gjendja e adhuruesit përballë të adhuruarit kërkon pastërti edhe mendore, pastërti që garanton… derisa të dini se ç’flitni, dhe në vazhdim edhe ndaljen përfundimtare të alkoolit. Fati i konsumit të alkoolit është përfundimisht i përcaktuar sipas Kur’anit. Mund ta konsiderojmë edhe si papastërti fizike edhe si papastërti mendore.
Në ajetin tjetër ku përmendet vera ka përsëri një bashkëshoqërues, bixhozin. “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre. Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën”! Kështu ua sqaron All-llahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq).”[3]Këtu shoku i alkoolit në fjali është bixhozi, dhe duke vazhduar vlerësimin me të njëjtën mënyrë si në ajetin e parë, përveç përmendjes së dy fenomeneve së bashku, vazhdimi i fjalisë urdhëron për dhënie nga pasuria. Si konsumi i alkoolit, si bixhozi rrezikojnë pasurinë. Ai që jep tepricën e pasurisë tashmë ka krijuar pengesa nga këto vese. Pengesa arrihet, jo se ai që ka më pak pi dhe loz kumar më pak, realiteti ndoshta tregon të kundërtën, por ai që ka dhënë nga pasuria në emër të Allahut (xh.sh.) ka bërë një zgjedhje dhe sigurisht ka edhe mbrojtjen e Atij për hir të të Cilit ka dhënë.
Në ajetin tjetër thuhet: “Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?”[4]Këtu të bashkëpërmendurit, alkool dhe bixhoz trajtohen si armë të shejtanit me pasojë armiqësinë, ndalimin nga të përmendurit e Zotit dhe largimin nga namazi.
Dëmtues i procesit të të menduarit, dëmtues i pasurisë, armë e shejtanit, pengues i dhikrit dhe largues nga namazi. Kaq mjafton. Kur’ani është konsekuent në logjikën që përdor, ashtu siç papastërtia pas aktit seksual mban larg nga namazi deri sa pastrohet, ashtu edhe alkooli dhe të njëjtin arsyetim e gjejmë në vazhdim tek ajeti tjetër ku akuzohet vesi, si largues nga namazi. Por më tepër më intrigon fakti që dy gjëra në aparencë shumë të ndryshme, njëri ndodh nëpërmjet pirjes e tjetri nëpërmjet lojës, kanë të njëjtat pasoja. Këtë duhet ta marrim në konsideratë në vazhdim të diskutimit.
Atëherë dhe sot, historia dhe gjykimi
Po ti rikthehemi gjykimit të Hafiz Ali Korçës shikojmë që ka gjetur në kërkimin e tij mjaft aleatë perëndimorë në luftën kundër alkoolit. “Kështu edhe në Angli dhe në Gjermani kontra pirjevet ashtë lufta e rrepët. Në kohët të luftës së përgjithçme Luid Xhorxhi ka thënë: (Na po luftojmë me Gjermaninë dhe Austrinë edhe me alcoolin, por lufta e alcoolit ashtë më e madhja.)”[5] Gjithashtu ka gjetur aleatë edhe SHBA-të me ligjet e tyre kundër alkoolit.
Po mundohem ta reduktoj diskutimin nga koha e citimit të mësipërm e deri sot, ndërmjet qëndrimit shkencor dhe socio-politik ‘perëndimor’ dhe atij Islam dhe duke e kufizuar vetëm në fushën e çrregullimeve mendore, pra një fetë fare e hollë nga torta e madhe e këtij problemi.
Fillimisht mund të shikojmë që pas prohibicionizmit të alkoolit me rrugë ligjore në SHBA, në periudhën 1920-1933, nuk kemi më ligje që ndalojnë konsumin e alkoolit në të gjithë popullatën, por vetëm në grupe të caktuara, sidomos tek moshat e reja. Qëndrimi ‘perëndimor’ në lidhje me alkoolin nuk e ndalon as prodhimin, as shitjen dhe as konsumin e tij, njëlloj edhe për lojërat e fatit. Dehja nga alkooli mundohet të kufizohet si problem social dhe dënohet vetëm kur shkelen ligje të tjera. Qëndrimet e besimeve monoteiste, të krishterët dhe hebrenjtë, ruajnë me ashpërsi qëndrimin e ndalimit të dehjes, por nuk kërkojnë ndalimin e konsumit të plotë të tij. Pjesa më interesante e evolucionit të qëndrimit ‘perëndimor’ ndaj alkoolit dhe kumarit është trajtimi i shfaqjes së tyre në forma ekstreme si probleme psikiatrike. Gjithashtu interesante është edhe riklasifikimi i kumarit duke e konsideruar së shpejti si varësi (me daljen e DSM-V), ngjashëm me alkoolin, një klasifikim që gjendet i ngjashëm në Kur’an. Gjithsesi qëndrimi ‘perëndimor’ ka ardhur duke e toleruar gjithnjë e më tepër problemin. Aleati kundër konsumit të alkoolit dhe lojërave të fatit mbetet, por nuk është aq konsekuent në këtë luftë si 100 vite më parë. Duhet të konstatojmë para se të vazhdojmë më tej se qëndrimi ndaj drogave në përgjithësi është ose rreptësisht i ndaluar me ligj ose lejohet me përshkrimin e mjekut. Të njëjtin qëndrim ndaj drogave gjej edhe nga pjesa e botës e përbërë nga shtetet me shumicë myslimane, duke mos pranuar të njësoj pa e studiuar qëndrimin e Islamit me atë të qeverive apo regjimeve të këtyre vendeve.
Për të treguar se sa i madh është problemi mund të ofrojmë statistika që fatkeqësisht nuk mund ti kemi për Shqipërinë. Në SHBA, 52% e të rriturve mbi moshën 18 vjeç janë konsumatorë të rregullt të alkoolit. 60% e meshkujve janë konsumatorë të rregullt të alkoolit krahasuar me 44% të femrave.[6] Loja e kumarit patologjike deri tani ka gjetur vëmendje të pakët në literaturë. Ka prevalencë rreth 1% në shumicën e vendeve. Është e rëndësishme të vihet re se prevalenca e kumarit patologjik në pacientët psikiatrikë shkon nga 6 deri 12%. Adoleshentët janë më të ndjeshëm se të rriturit ndaj kumarit dhe problemeve që lidhen me kumarin.[7]Për Shqipërinë mund të themi se ‘çdo ditë në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” paraqiten të paktën 8 adoleshentë të alkoolizuar në gjendje të rëndë’.[8] 11% e vdekjeve spitalore tek meshkujt e moshës 40-44 vjeç në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shkaktohen nga cirrozat etilike të mëlçisë.[9]
Duke qenë se problemi mbetet madhor siç e tregojnë edhe numrat më sipër dhe duke qenë se qëndrimi nga ‘perëndimorët’ ka ndryshuar, nga lufta drejt tolerimit dhe klasifikimit të rasteve ekstreme si varësi, alkoolike apo nga lojërat e fatit, ndërkohë që qëndrimi i Islamit është konstant, ka ardhur koha që edhe për grupet e drogave (ku futen edhe mjaft barna që përdoren në mënyrë të ligjshme në mjekësi) që shkaktojnë varësi të merren në diskutim në këndvështrimin e fesë Islame.
Po çfarë qëndrimi ka pasur shkenca moderne ndaj këtyre barnave? Po e thjeshtoj nëpërmjet një shembulli. Benzodiazepinat (Valium … etj,.), nga mrekulli në bar i rrezikshëm që krijon varësi. Në fjalët e pacientëve që transmetojnë nga mjekët e tyre, gazetari Robert Whitaker në librin e tij, ‘Anatomia e një Epidemie’: “… dhe më siguroi që është bar i padëmshëm dhe nuk krijon varësi…” dhe “… Ai më tha, ‘Ju po përdorni një nga barnat më varësi sjellëse që njihen’”.[10] Qëndrimi i parë është më i vjetër se i dyti, megjithëse vazhdon të aplikohet në masë qëndrimi i parë. Por më e rëndësishmja është që qëndrimi i shkencës moderne shikohet që luhatet nga njëri ekstrem te tjetri, duke mos harruar në rastin konkret se kemi të bëjmë me barna që veprojnë si depresues të aktivitetit të trurit të njeriut. Për më tepër kjo shkencë ka një histori moderne të tillë që sëmundjet mendore i ka trajtuar jo shumë kohë më parë por nga fundi i viteve 1930, fillimi i viteve 1940: Insulin coma therapy (Terapi me koma insulinike); Convulsive therapies (Elektroshok); Frontal lobotomy (Lobotomi frontale).[11]
Këto terapi sot mund të konsiderohen pa frikë shkelje e të drejtave të njeriut, sidomos kur qëllimet mund të maskohen si përfitime mjekësore (rasti i abuzimit gjatë periudhës së komunizmit).
A duhen lënë verbërisht besimtarët në mëshirën e shkencës, në emër të parullës ‘Islami nuk ka kontradikta me shkencën’, të një shkence që ndryshon qëndrim kaq shpesh dhe po kaq shpesh pranon se ka bërë edhe gabime fantastike?
Në Islam ka një histori të pasur të trajtimit të sëmundjeve psikiatrike. Qëndrimi ndaj alkoolit është vetëm një pjesë e kësaj historie. Megjithatë nuk kemi në dispozicion shumë dokumente, kemi mundësinë e hulumtimit. Spitalet e para psikiatrike në botë janë ndërtuar në qytetet Arabe; në Bagdad, në vitin 705, në Kairo, në vitin 800 dhe Damask në vitin 1270.[12] Spital do të thotë njohje dhe përfshirje e shoqërisë dhe strukturave të saj në problematikën e sëmundjeve psikiatrike, do të thotë një shkollë të menduari dhe zgjidhje praktike të këtyre problemeve. Gjithashtu spital do të thotë edhe një shkallë e caktuar shërimi apo përmirësimi, pa të cilën asnjë institucion shëndetësor nuk do të mbetej i hapur.
Së bashku me spitalet, historia njeh edhe mjekë të famshëm myslimanë në fushën e psikiatrisë dhe shkrimet e tyre. Duke arritur të kuptojë rëndësinë e shëndetit fizik dhe mendor, Abu Zayd Al-Balkhi (vd. 322/934), një Mysliman i shkëlqyer, kontributet e të cilit në fushën e psikiatrisë u deshën më shumë se dhjetë shekuj të vlerësoheshin, ia ka përkushtuar dhe ka shkruar një libër të rëndësishëm në fushën e psikologjisë Masalih al-Abdan wa al-Anfus (Ushqimi i Trupit dhe Shpirtit). Për herë të parë, ai diskuton me sukses në mënyrë të njëkohshme dhe të kuptueshme rreth trupit dhe shpirtit, së bashku me sëmundjet që i prekin të dyja, në një vepër të vetme.[13] Interesant mbetet fakti që personalitete të tilla nuk ishin të kufizuar ngushtësisht në fushën e mjekësisë, por fillimisht ishin njohës të shkëlqyer të fesë dhe gjithashtu në shkenca të tjera, ndoshta fakt ky që i ka mundësuar suksesin dhe gjithashtu i ka detyruar të kenë një përafrim krejt të ndryshëm ndaj problemit nga ai ‘ngushtësisht shkencor’ i kohës sonë.
Pretendohet se këto spitale kanë qenë një pikë ujë në oqeanin e nevojave për shërbime psikiatrike të kohës. Prapë nuk e dimë se sa kanë qenë këto nevoja për shërbime psikiatrike, ndërkohë që mund të kenë qenë shumë më të ulëta se ato të kohës sonë. Në SHBA ka ndryshuar shumë numri i të sëmurëve që preken nga probleme mendore, gjithashtu edhe struktura e çrregullimeve psikiatrike. Gjatë 50 viteve, ka pasur një rritje marramendëse të sëmundjeve të rënda mendore në Shtetet e Bashkuara. Përqindja e Amerikanëve të paaftësuar nga sëmundjet mendore është rritur pesëfish që nga viti 1955.[14]
Roli i mjekut nuk duhet harruar për asnjë moment. Ndryshe nga të gjitha aktivitetet e tjera, në tregun e shëndetit, mjeku është përcaktues i kërkesës, jo pacienti. Pacienti shkon tek mjeku për një sërë çrregullimesh dhe është mjeku që e kthen atë në diagnozë, pra edhe në kërkesë që ballafaqohet me ofertën e firmave farmaceutike. Këtë marrëdhënie kërkesë/ofertë e vendos mjekun, si përfaqësues i shkencës dhe humanizmit, madje edhe si i besuar i fesë përballë presionit tregtar që jo në pak raste është edhe i pandershëm. Shifrat në vazhdim tregojnë madhësinë e tregut të preparateve psikiatrike. Është edhe biznes, por një biznes që mbështet strukturën e të gjithë çrregullimeve psikiatrike, prandaj gjykimi i tij nuk mund të vendoset pa prova të mirëfillta shkencore dhe pa ofruar alternativa.
Tab. 1. Shitjet e barnave psikiatrike (2010)[15]
Klasifikimi i barit/indikacioni | Shitjet globale |
Barnat antipsikotike | $22 miliard |
Barnat antidepresive | $20 miliard |
Barnat kundër ankthit | $11 miliard |
Simulantët | $5.5 miliard |
Demenca | $5.5 miliard |
Çrregullimet e gjumit | $4.5 miliard |
Varësitë dhe përdorimi i substancave | $3 miliard |
Alkooli, kumari dhe jo vetëm, si çrregullime psikiatrike
Numri i grupeve të substancave që veprojnë në psikikën e njeriut është shumë i madh, përveç alkoolit dhe çrregullimeve që mund të sjellë kumari kam zgjedhur për diskutim edhe një nga grupet e tjera, benzodiazepinat, për arsye se përshkruhen masivisht në mënyrë të ligjshme, por të shumëdiskutuara dhe gjithashtu shumë të njohura nga popullata joprofesioniste e shëndetësisë, sidomos nëpërmjet barit shumë popullor Valium (Diazepam).
Tab. 1 Çrregullime që lidhen me alkoolin[16]
Çrregullime nga përdorimi i alkoolit
303.90 Varësi nga alkooli; 305.00 Abuzim me alkoolin.
Çrregullime të shkaktuara nga alkooli
303.00 Helmim nga alkooli; 291.8 Zvjerdhja (lënia) e alkoolit; 291.0 Delirium nga helmimi me alkool; 291.0 Delirium nga zvjerdhja (lënia) e alkoolit; 291.2 Demenca e përhershme e shkaktuar nga alkooli; 291.1 Çrregullim i përhershëm me amnezi i shkaktuar nga alkooli; 291-5 Çrregullim psikotik, me deluzion i shkaktuar nga alkooli; 291.3 Çrregullim psikotik, me halucinacione i shkaktuar nga alkooli; 291.8 Çrregullim i humorit i shkaktuar nga alkooli; 291.8 Çrregullim ankthi i shkaktuar nga alkooli; 291.8 Disfunksion seksual i shkaktuar nga alkooli; 291.8 Çrregullim i gjumit i shkaktuar nga alkooli; 291-9 Çrregullim i paspecifikuar nga alkooli.
Përgjithësisht duhet dalluar ndërmjet diagnozës që stabilizohet gjatë helmimit me alkool apo gjatë zvjerdhjes (lënies) së alkoolit.
Tab. 2 Kriteret diagnostike për 312.31, DSM-IV, të çrregullimit të kumarit[17]
A. Sjellja të vazhdueshme dhe të përsëritura të keqpërshtatura ndaj kumarit që vlerësohet nga pesë (ose më shumë) nga të mëposhtmet:
e mënyrave për gjetjen e parave me të cilat të luajë kumar).
(kënaqësisë).
pashpresë, fajtor, ankthit dhe depresionit).
8. Ka kryer vepra të jashtëligjshme si falsifikim, mashtrim, vjedhje ose përvetësim të paligjshëm me qëllim
financimin e kumarit.
Kumarit.
nga kumari.
Tab. 3Stadet e helmimit nga alkooli[18]
BAC (g/100 ml gjak ose g/210 l frymëmarrje) | Gjendjet | Simptomat klinike |
0.01 – 0.05 | Subklinike | Sjellje pothuajse normale në observim të zakonshëm. |
0.03 – 0.12 | Euforike | Eufori e lehtë, shoqërizim, llafazanëri; Rritje e vetëbesimit, reduktim i kufizimeve; Ulje e vëmendjes, gjykimit dhe kontrollit; Fillimi i dëmtimit sensor-motor; Humbje e efiçencës në performancën e detyrave fine. |
0.09 – 0.25 | E eksituar | Paqëndrueshmëri emocionale; humbje e kritikës së të gjykuarit; Dëmtim i perceptimit, kujtesës dhe të kuptuarit; Ulje e përgjigjes ndijore; rritje e kohës së kundërveprimit; Ulje e mprehtësisë së shikimit; shikimit periferik dhe ndaj dritës; Moskoordinim sensor-motor; humbje ekuilibri; Përgjumje. |
0.18 – 0.30 | Kunfuzionale | Çorientim, konfuzion mendor; marrje mendsh; Gjendje emocionale të ekzagjeruara; Çrregullim i shikimit dhe perceptimit të ngjyrave, formës, lëvizjes dhe dimensioneve; Rritje e pragut të dhimbjes rritje e çkoordinimit muskular; ecje me lëkundje; të folur me pengesa; Apati, letargji. |
0.25 – 0.40 | Stupor | Inerci e përgjithshme; afrohet drejt humbjes së funksioneve motore; Rënie e dukshme e përgjigjes ndaj ngacmuesve; Çkoordinim i dukshëm muskular; pamundësi qëndrimi drejt ose ecje; Të vjella, inkontinencë; Dëmtim i vetëdijes; gjumë ose stepor. |
0.35 – 0.50 | Koma | Humbje e plotë e vetëdijes; Rënie ose zhdukje e reflekseve; Temperaturë trupore poshtë normës; Inkontinencë; Dëmtim i qarkullimit dhe frymëmarrjes; Vdekje e mundshme. |
0.45 + | Vdekje | Vdekje nga arresti respirator. |
Tab. 4Benzodiazepinat janë barna psikoaktive.[19]
Disa nga veprimet e benzodiazepinave
Sedativë ose qetësues është ajo substancë që shkakton qetësim duke ulur irritimin ose eksitimin.
Hipnotikë quhen klasa e barnave që kanë si funksion parësor të shkaktojnë gjumë dhe përdoren për trajtimin e pagjumësisë ose për anestezi gjatë kirurgjisë.
Anksiolitikë janë barnat që frenojnë ose bllokojnë ankthin.
Antikonvulsivë (antiepileptikë) janë grupi i barnave që përdoren në trajtimin e krizave epileptike.
Relaksues i muskulaturës është bari që ndërhyn në funksionin e muskujve të skeletit dhe ul tonin e tyre.
Simptomat e zvjerdhjes (lënies) së Benzodiazepinave
Simptoma psikologjike:
eksitim (nervozizëm); pagjumësi, makthe, çrregullime të tjera të gjumit; ankth i shtuar, atake paniku; agorafobi, fobi sociale; çrregullime të perceptimit; depersonalizim, derealzim; halucinacione, keqperceptim; depresion; obsesion; mendime paranojake; zemërim, agresivitet, irritim; kujtesë dhe përqendrim i dobët; kujtime intruzive; dëshirë për ta
marrë prapë barin (e rrallë).
Simptomat fizike:
dhimbje koke; dhimbje/ngurtësim – (i gjymtyrëve, shpinës, qafës, dhëmbëve, nofullës); ndjesi shpimi me gjilpëra, mpirje, ndjesi të alternuara – (gjymtyrë, fytyrë, trung); dobësi (“dobësi e theksuar e këmbëve”); lodhje, simptoma të ngjashme me rrufën; spazma muskulore, krampe, tike, “goditje elektrike”; dridhje; marrje mendsh, humbje ekuilibri, probleme me balancën; shikim i turbullt/i dyfishuar, sy të thatë; tinitus – fishkëllimë në veshë; mbindjeshmëri – (drita, zëri, prekja, shijimi, nuhatja); simptoma gastrointestinale – (nauze, të vjella, diarre, konstipacion, dhimbje, fryrje, vështirësi në gëlltitje); ndryshime oreksi/peshe; tharje goje, shije metalike, nuhatje erërash jo të zakonshme; skuqje në fytyrë/djersitje/palpitacione; frymëmarrje e shpeshtuar; vështirësi në urinim/probleme me menstruacionet; skuqje të lëkurës, kruajtje; konvulsione (të rralla).
Depresantët
Depresantët janë barna që frenojnë funksionimin e sistemit nervor qendror. Këtu përfshihen alkooli, barbituratet, qetësuesit dhe opiatet.[20] Veçanërisht mbetet i rrezikshëm kombinimi i tyre me alkoolin. Kjo ndodh për arsyen se potencojnë veprimin e njëri tjetrit. Një pjesë të efekteve i kanë të ngjashme dhe marrja e njëkohshme mund të jetë me pasoja. Një rast që mund të përmendet është rritja e numrit të aksidenteve gjatë drejtimit të mjeteve.
Pra këto barna klasifikohen në të njëjtin grup me alkoolin dhe kalojnë nga marrja e tyre e lirë, në përshkrimin me recetë e deri në droga, konsumi dhe shpërndarja e të cilave dënohet penalisht.
Në pothuajse gjysmën e pacientëve që kërkojnë këshillim për ankthin, panikun dhe fobitë shkaku ishte alkooli ose benzodiazepinat.[21] Jemi ndalur vetëm në një grup barnash të psikiatrisë, por barna që rekomandohen masivisht edhe nga mjekë jo psikiatër, për arsyet sepse njihen mirë, sidomos me përfaqësuesin e zakonshëm Valium, janë ndër barnat ‘më të padëmshme’ që përdoren në psikiatri dhe për arsyen se përdorimi i tyre pa arsye të fortë për periudha të gjata kohe është dënuar tashmë rreptësisht edhe nga vetë shkenca mjekësore. Diskutimi nuk ndalet këtu, por vazhdimi i tij kërkon përfshirjen e shumë profesionistëve nga shumë fusha shkencore, fetare dhe mjekësore.
Fig. 1 Një shkallë racionale për vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga abuzimi me droga[22]
Abuzimi me drogat në tabelën e mësipërme është studiuar duke vlerësuar shkallën e varësisë nga droga në raport me dëmtimin fizik. Kur përdoren në mënyrë abuzive, Benzodiazepinat janë fare të ngjashme me alkoolin siç e tregojnë treguesit me ngjyrë të zezë, kanë ngjashmëri të theksuar të nivelit të varësisë dhe të dëmtimeve fizike. Tabela është përmbledhje e një studimi nga revista Lancet.
Nëse kërkon në literaturë dhe internet vihet re se mendimi shkencor rreth këtyre çështjeve është i organizuar dhe i mbështetur. Mjekët dhe farmacistët mund të gjejnë materiale të shumta. Gjithashtu industritë farmaceutike, meqenëse kanë edhe mundësi më të mëdha financiare kanë motorët e tyre të fuqishëm të propagandës, madje mbulojnë edhe ato të mjekëve dhe farmacistëve. Qeveritë bëjnë avokatin e pacientëve, por duke respektuar të drejtat e kompanive për biznes dhe mjekëve e farmacistëve për ushtrimin e profesionit. I vetmi zë i çorganizuar mbetet ai i konsumatorit, i pacientit. Sidomos në rastin konkret konsiderohet edhe si jo i besueshëm. Ndërkohë që fetvatë për duhanin nuk kanë fund, rreth kësaj çështje ka vetëm heshtje dhe një dorëzim i plotë ndaj ‘shkencës’. Mos ndoshta të mbajturit qëndrim kërkon edhe rishikim të pozicioneve tashmë të zgjedhura të të menduarit brenda Islamit?
* * *
Nëse e shikojmë problemin e ndalimit të alkoolit (dhe kumarit) vetëm si një urdhëresë fetare e ardhur me Kur’an dhe që sillet vetëm rreth alkoolit (kumarit) e jo më tej, mund të mjaftohemi me zbatimin tekstual të urdhëresës dhe me kaq është arritur edhe përfitimi i vlerës së kësaj shpallje hyjnore. Por nëse kjo urdhëresë shikohet si burim gjykimi për përfitimin e njeriut, së pari duke ju nënshtruar zbatimit të saj si urdhër hyjnor dhe pa u ndarë nga kjo edhe si një vlerë që ndikon direkt në prakticitetin e jetës së kësaj bote, duke e shtrirë gjykimin nëpërmjet saj edhe në substanca me efekt të ngjashëm me alkoolin dhe gjithmonë mbështetur mbi gjykime profesionistësh të fesë dhe mjekësisë, atëherë kjo mendoj se është kaq islamike sa s’ka më.
Në njëfarë mënyre perëndimi dhe e gjithë bota mbarë e ka humbur luftën me alkoolin, së pari duke e legalizuar dhe së dyti duke krijuar shtresa në popullatë në të cilat përdorimi i alkoolit shkon nga i lejuar dhe i dobishëm e deri tek i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Sigurisht që armiqtë më të mëdhenj të ndalimit të alkoolit kanë qenë dhe janë prodhuesit dhe shitësit e tij, historia është e mbushur me fakte për këtë. Edhe pse nuk janë forca e vetme në këtë drejtim prodhuesit dhe shitësit mbeten një forcë e rëndësishme në përcaktimin e vendimmarrjes. Pse duhet që prodhuesit dhe shitësit e barnave të jenë ndryshe kur vjen puna te diskutimi i rritjes së fitimit të tyre? Një shembull që e njohim mirë i keqpërdorimit të spitaleve psikiatrike dhe të psikiatrisë në përgjithësi ka ndodhur në Shqipëri në kohën e komunizmit. Në mjaft raste kundërshtarët politikë janë etiketuar, diagnostikuar dhe në fund edhe ‘mjekuar’ si të sëmurë mendorë. Ndërkohë në perëndim ka institucione të fuqishme si e famshmja FDA në SHBA, dhe EMA në Evropë që mbrojnë konsumatorin e barnave nga abuzimet, edhe nga qëllime thjesht të përfitimit. Por çfarë garancish mund të kemi nga gjykimi i ‘perëndimorëve’ ndërkohë që qëndrimi ndaj konsumit të alkoolit me kalimin e kohës është zbutur dhe kumari tashmë, kur është i ekzagjeruar konsiderohet vetëm si një varësi e zakonshme. Kush mund të marrë guximin të thotë që këto politika përputhen, tolerohen apo kanë çfarëdo ngjashmërie me Islamin?
Të ndalemi një moment tek faktet, konsumi i alkoolit dhe kumari sot mendohet se ka predispozitë gjenetike. Shifra për kumarin patologjik shkon në 5% të popullatës. Nuk duhet harruar se ky 5% me mënyrën e shfrenuar të lojës që bën arrin një përqindje shumë më të madhe të fitimit të kompanive që organizojnë lojërat e fatit dhe e njëjta pastaj me alkoolin. A mund të gjykohet dikush që është i predispozuar gjenetikisht? Ndoshta deri në një farë shkalle po. Ndryshimi i madh i qëndrimit Islam është se nuk kufizohet tek konsumatori por shtrihet edhe tek prodhuesi dhe ofruesi i alkoolit dhe lojërave të fatit, duke mos bërë kompromis këtu, por i ndalon në mënyrë arbitrare. Pra, i heq mundësinë edhe atij që është i predispozuar apo gjenetikisht i predispozuar të konsumojë këto vese duke krijuar një seri mburojash.
Diskutimi në vazhdim nuk mund të lërë pa bërë paralelizëm për barnat psikoaktive, në rastin konkret benzodiazepinat e shumë përdorura meqenëse përfaqësuesi kryesor i tyre njihet masivisht në popullatë me emrin Valium (Diazepam), qetësuesi-gjumësjellës. Nëse evidenca shkencore tregon mjaftueshëm që përdorimi i tyre është ekzagjeruar me dekada për qëllime përfitimi, që varësia ndaj tyre është e ngjashme dhe ndoshta më e fortë se e mjaft prej drogave të ndaluara me ligj, që përfitimet shëndetësore nuk janë ato që janë reklamuar me dekada të tëra (benzodiazepinat janë një shembull perfekt) atëherë duhet të ketë fetva përderisa ka fetva për duhanin. Antidepresivët, simulantët, antipsikotikët, anksiolitikët, janë disa nga grupet e barnave që përdoren masivisht. Mos o Zot të ketë prej tyre që kur merren, kur duhet apo kur nuk duhet, njeriu të mos dijë se çka flet, madje edhe kur përpiqet të largohet prej tyre, a lejohet trajtimi me to? Apo lejohet në disa raste dhe në disa jo? A lejohet një gotë e vogël me raki të ndihmojë gjumin, apo mbetet haram, ndërsa lejohet valiumi?
Larg ironisë, detyra mbetet tejet e vështirë. Nuk bëhet fjalë vetëm për të vendosur me një po apo me një jo, sfida është shumë e madhe sepse në momentin e një ndalimi me siguri duhen ofruar alternativat e ligjshme dhe efikase që ndoshta nuk janë kaq të lehta për tu gjetur apo rigjetur. Dhe lejimi ka përgjegjësinë e tij të pamasë.
Islami nuk ka kundërshti me shkencën. Myslimanët nga kjo nuk duhet të konformohen me gjykimet shkencore të kohës deri në atë pikë sa të rrezikojnë edhe vetë bazat e fesë, shëndetin dhe jetën e këtij umeti. Shkenca, mjekësia, i ndryshon herë pas here përfundimet e saj, prandaj jemi vazhdimisht para një të vërtete relative. Kjo e vërtetë që ndryshon duhet të jetë e mbikëqyrur në vazhdimësi nga ana e alimëve (dijetarëve) myslimanë, e mbikëqyrur jo me qëllim censurimin e saj, por, nëpërmjet Kur’anit, të arrijë çlirimin dhe përmirësimin e saj nga gabimi. Heshtja mund të marrë edhe vlerën e pohimit, e mbështetjes pa fjalë, mjafton që Islami nuk ka kundërshti me shkencën dhe prandaj shkenca, mjekësia mund të bëjë çfarë të dëshirojë.
A ka ngjashmëri?A janë barnat psikoaktive vera e premtuar e xhenetit? Deri ku lejohet ose nuk lejohet përdorimi i tyre? A ka feja për detyrë të mbajë një qëndrim, ngjashëm me alkoolin dhe kumarin? A është nga ato tema që është më mirë të mos pyetet? Pse për ndalimin e duhanit ka fetva?
A mund të jetë fetva në disa raste fjala e Imam Aliut r.a.? NUK E DI.
Largimi nga feja çon në rritjen e konsumit të alkoolit, kumarit dhe drogave. Këtë përfundim mund ta shikojmë edhe me sy të lirë, sidomos në shoqërinë shqiptare. Konsumi i këtyre substancave dhe veseve nga ana tjetër sjell rritjen e konsumit të substancave psikoaktive, qoftë edhe nën kujdes mjekësor, duke mbartur një pafundësi rreziqesh dhe komplikacionesh. Kthimi tek besimi mbetet një alternativë më e mirë se trajtimi i gjithë kësaj fatkeqësie me barna dhe të ngjashme. Ka një alternativë.
Referenca
– Hafiz Ali Korça. Të ndryshme mbi moralin. Zani i Naltë. Nr.11. Tiranë, Gusht 1924.
– Kur’ani.
– Summary Health Statistics for U.S. Adults: National Health Interview Survey, 2012, table 25.
– Sanju George, Vijaya Murali. Pathological gambling: an overview of assessment and treatment. APT 2005.
– Top Channel TV “Adoleshentë të alkoolizuar?!”. 20/03/2014.
http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=274630
– Shërbimi i Statistikës, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, 2014.
– Robert Whitaker. Anatomy of an Epidemic: Magic Bullets, Psychiatric Drugs, and the Astonishing Rise of Mental Illness in America. Crown Publishing Group. ISBN: 978-0-307-45243-6.
– Lucy Johnstone. Users and Abusers of Psychiatry. Taylor & Francis e-Library, 2006. ISBN 0-203-12963-6.
– Saxby Pridmore, Mohamed Iqbal Pasha. Psychiatry and Islam. Australasian Psychiatry; Vol. 12, No 4, December 2004.
– Nurdeen Deuraseh, Mansor Abu Talib. Mental health in Islamic medical tradition. The International Medical Journal, Vol. 4, No 2, December 2005.
– Robert Whitaker. Anatomy of an Epidemic: Psychiatric Drugs and the Astonishing
– Rise of Mental Illness in America. Ethical Human Psychology and Psychiatry, Volume 7, Number I , Spring 2005.
– Steven E. Hyman. Psychiatric Drug Discovery, Revolution Stalled. 10 October 2012, Vol. 4, Issue 155. www.ScienceTranslationalMedicine.org.
– American Psychiatric Association Washington, DC. Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders DSM-IVTM; Fourth Edition. P.195. Washington, DC, 2005. ISBN 0-89042-061-0.
– American Psychiatric Association Washington, DC. Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders DSM-IVTM; Fourth Edition. P. 618. Washington, DC, 2005. ISBN 0-89042-061-0.
– More specifically, the table titled “Stages of alcohol intoxication” is from K.M. Dubowski one of the leading experts on the medicolegal aspects of alcohol use in the United States. http://www.intox.com/t-physiology.aspx.
– C Heather Ashton. Ashton manual.Benzodiazepines: How they work and how to withdraw. http://www.benzo.org.uk/manual/bzcha03.htm#t1.
– Adapted from Engs, R.C. Alcohol and Other Drugs: Self Responsibility, Tichenor Publishing Company, Bloomington, IN, 1987. (c) Copyright Ruth C. Engs, Bloomington, IN, 1996.http://www.indiana.edu/~engs/rbook/drug.html.
– Samuel I Cohen. Alcohol and benzodiazepines generate anxiety, panic and phobias. Journal Of The Royal Society Of Medicine, Volume 88, February 1995.
– Nutt, David, Leslie A King, William Saulsbury, Colin Blakemore. “Development of a rational scale to assess the harm of drugs of potential misuse” The Lancet 2007. PMID: 17382831.
Referenca:
[1]. Hafiz Ali Korça. Të ndryshme mbi moralin. Zani i Naltë. Nr. 11. Tiranë, Gusht 1924.
[2]. Kur’ani, Nisa, 43.
[3]. Kur’ani, Bekare, 219.
[4]. Kur’ani, Maide, 91.
[5]. Hafiz Ali Korça. Të ndryshme mbi moralin. Zani i Naltë. Nr. 11. Tiranë, Gusht 1924.
[6]. Summary Health Statistics for U.S. Adults: National Health Interview Survey, 2012, table 25.
[7]. Sanju George, Vijaya Murali. Pathological gambling: an overview of assessment and treatment. APT 2005, 11:450-456.
[8]. Top Channel TV “Adoleshentë të alkoolizuar?!”. 20/03/2014.
[9]. Shërbimi i Statistikës, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, 2014.
[10]. Robert Whitaker. Anatomy of an Epidemic: Magic Bullets, Psychiatric Drugs, and the Astonishing Rise of Mental Illness in America. Crown Publishing Group. ISBN: 978-0-307-45243-6.
[11]. Lucy Johnstone. Users and Abusers of Psychiatry. Taylor & Francis e-Library, 2006. ISBN 0-203-12963-6.
[12]. Saxby Pridmore, Mohamed Iqbal Pasha. Psychiatry and Islam. Australasian Psychiatry; Vol 12, No 4; December 2004.
[13]. Nurdeen Deuraseh, Mansor Abu Talib. Mental health in Islamic medical tradition. The International Medical Journal Vol. 4, No 2, December 2005.
[14]. Robert Whitaker. Anatomy of an Epidemic: Psychiatric Drugs and the Astonishing Rise of Mental Illness in America. Ethical Human Psychology and Psychiatry, Volume 7, Number I , Spring 2005.
[15]. Steven E. Hyman. Psychiatric Drug Discovery, Revolution Stalled. 10 October 2012, Vol. 4, Issue 155.
[16]. American Psychiatric Association Washington, DC. Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders DSM-IVTM; Fourth Edition. P. 195. Washington, DC, 2005. ISBN 0-89042-061-0.
[17]. American Psychiatric Association Washington, DC. Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders DSM-IVTM; Fourth Edition. P. 618. Washington, DC, 2005. ISBN 0-89042-061-0.
[18]. More specifically, the table titled “Stages of alcohol intoxication” is from K.M. Dubowski one of the leading experts on the medicolegal aspects of alcohol use in the United States. http://www.intox.com/t-physiology.aspx.
[19]. C Heather Ashton. Ashton manual.Benzodiazepines: How they work and how to withdraw. http://www.benzo.org.uk/manual/bzcha03.htm#t1.
[20]. Adapted from Engs, R.C. Alcohol and Other Drugs: Self Responsibility, Tichenor Publishing Company, Bloomington, IN, 1987. (c) Copyright Ruth C. Engs, Bloomington, IN, 1996.
http://www.indiana.edu/~engs/rbook/drug.html.
[21]. Samuel I Cohen. Alcohol and benzodiazepines generate anxiety, panic and phobias. Journal Of The Royal Society Of Medicine, Volume 88, February 1995; 88:73-77.
[22]. Nutt, David, Leslie A King, William Saulsbury, Colin Blakemore. “Development of a rational scale to assess the harm of drugs of potential misuse” The Lancet 2007. PMID: 17382831.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Mar 21, 2018 0
Sep 21, 2015 0
Sep 02, 2015 0
Jun 08, 2015 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...