Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 22, 2014 Zani i Nalte Histori 0
nga Dr. MOIS KAMBERI
Në zhvillimet historike fetare Dibra tregon rëndësinë që ka pasur dhe ka si vendi i tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar. Dibranët, gjatë zhvillimeve demokratike, qenë ndër të parët që bënë apel për parandalimin e fenomeneve të përçarjes, të gjakmarrjes, ndasive fetare e politike. Të vazhdojmë të jemi ne dibranët shembulli i ndjesës, i faljes, i tolerancës dhe i dashurisë për të gjithë shqiptarët.
Popullsia e Dibrës është shquar për veçoritë e saj në kulturën tradicionale, të burimeve materiale e të organizimit të bashkëjetesës së komunitetit, në kulturën mendore e shpirtërore. Dibranët shquhen për trimëri e atdhedashuri, për qëndresën e forcë të madhe krijuese e trashëguese. Këto veti i kanë rrënjët thellë në kohëra. Është mjaft domethënëse formula e mirënjohur e proverbiale që thotë se “Mendja”, “Urtia” ka le në Dibër.[1] Fjala e kuvendi i dibranit shquhen për mendjemprehtësi e lakonizëm, për peshë mendimi, për sinqeritet e dashamirësi, tolerancë e mirëkuptim por dhe për këmbëngulje e qëndresë imponuese, bindëse. Pavarësisht nga pozita dhe shtrirja gjeografike, dibranët me mençurinë dhe zgjuarsinë e tyre kanë ditur të administrojnë dhe zhvillojnë këtë trevë, kanë ditur të kontribuojnë jo vetëm për Dibrën por për të gjithë kombin shqiptar. Kontributi i Dibrës dhe i figurave të saj historike si : Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Iljaz pashë Dibra, Vehbi Dibra, Nikoll Kaçorri, Elez Isufi etj., janë jo vetëm për historinë e Dibrës, por roli i tyre ka qenë mjaft i madh në momentet kyçe të Historisë Kombëtare Shqiptare. Kontributi i tyre ka qenë shprehje e udhëheqjes, drejtimit, bashkimit, unitetit jo vetëm të dibranëve por të mbarë shqiptarëve për një Shqipëri të lirë e të pavarur.[2]
Toleranca dhe mirëkuptimi i dibranëve, i ka rrënjët thellë në historinë dhe organizimin e brendshëm të vetë Dibrës, në mënyrën e administrimit të këtyre trevave, zakoneve, mikpritjes e bujarisë, në odat dibrane. Në organizimet e saja historike, Dibra ndahej në Dibër e Epërme, Dibër e Poshtme, në Malësi e Topallti.[3]
Malësia kishte një administratë autonome që sundohej e qeverisej me ligjin e maleve që mbështetej tek Kanuni i Skënderbeut. Malësia kishte organizimin e saj të veçantë dhe pleqësinë. Malësitë e Dibrës merrnin emrin “Nandë Malet e Dibrës” dhe emërtoheshin: Reçi, Dardha, Çidhna, Muhuri, Luznia, Selishta në Dibrën e Poshtme, Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Bulqiza.[4]
Në Dibër të Epërme çdo mal kishte organizimin ushtarak dhe pleqësinë e vet. Pleqtë luanin rolin e gjyqtarit të vendit. Pleqtë më të përmendur ishin: Troci e Doda në Reç, Ndreu në Dardhë, Noka, Kaloshi e Lusha në Çidhën, Hoxha në Muhur, Murrja në Luzni, Dema e Markja në Grykën e Vogël, Shehu në Grykë të Madhe, Kaziu në Selishtë, Karaji në Bulqizë.[5]
Shumë gjak është derdhur në fushat, malet, grykat dhe fortesat e Dibrës për të mbrojtur lirinë. Sa herë është skuqur toka e Dibrës me gjak zemrash shqiptare. Çdo shqiptar në kohën e Skënderbeut ishte simboli i bashkimit, unitetit, ishte një ushtar që ja kishte kushtuar jetën lirisë së Atdheut. Çdo dibran ishte një luftëtar, që s’mungoi në asnjë betejë (24 nga këto beteja janë zhvilluar në Dibër), ku shpata dhe ushta e tij korrën fitore për atdheun. Dibra është vendi ku lindën të parët e Skënderbeut, ishte krahina që u kthye në Qabe e Jeruzalem për kombin tonë.[6]
Pas vdekjes së Skënderbeut, turqit rivendosën sundimin e kontrollin në të gjitha krahinat shqiptare dhe Dibër. Ato krijuan forma të reja të administrimit të këtyre trojeve, Oxhaqet. Në Dibër u krijua disa oxhaqe me influencë si: Hoxholli, Hysenagolli, në Dohoshisht, Karasani në Brezhdan, Xhilaga në Deshat.[7] Këto oxhaqe e pleqësitë e përmendura në Dibër si “Malet e Dibrës” dhe që kishin influencë në popull u shndërruan në institucione të malësorëve, në institucione të bashkimit, të tolerancës e mirëkuptimit, të zgjidhjes së shumë konflikteve por dhe të bashkimit të dibranëve në luftë kundër pushtuesit osman.
Qendra të tolerancës e të mirëkuptimit qenë dhe odat dibrane. Odat në të gjithë Dibrën e veçanërisht në trevën e Luznisë, Çidhnës, Reçit, Dardhës, Lurës, Muhurit, Grykës kanë vepruar si institucione shoqërore.[8] Odat ishin vendet e pikëtakimeve të përhershme, diskutimeve e thithjes së mendimeve midis përfaqësuesve të pleqve të fiseve të ndryshme, ishin vatrat e pajtimeve, këshillimeve e diskutimeve, vëllazërimeve e gjykimeve, të mirëkuptimit, tolerancës dhe edukimit patriotik.[9]
Pleqësia përfaqësonte gjyqtarin që zgjidhte grindjet dhe konfliktet. Kur grindja dhe konflikti ishin shumë të ashpra, mblidhej kuvendi i pleqve të Maleve.[10] Ishte një punë shumë e vështirë të zgjidhej një konflikt nga kuvendi i pleqve sepse fuqitë e armatosura të dy palëve të konfliktuara që ishin prezent në kuvend, prisnin rezultatet e kuvendit dhe ky rezultat po të ishte i kënaqshëm për të dyja palët, bëhej pajtimi dhe konflikti merrte fund. Mirëpo kur palët e konfliktuara nuk ishin të kënaqura prej vendimeve të kuvendit, aty kriste pushka e derdhej gjaku.[11]
Në Çidhën flitet kjo gojëdhënë: “Të pesë pleqtë e papa i Romës, qitja Nezhës e shtarja Tolës”.[12]
Ngjarja zhvillohet kështu: Nezha dhe Tola, dy fise në Çidhën, ishin ngatërruar për një kufi are dhe me ndërhyrjen e disa miqve kishin rënë dakord për shtrimin e çështjen në kuvendin e pleqve. Kuvendi i pleqve i përbërë nga pleqtë e pesë maleve të Dibrës së Poshtme, u mblodhën duke pasur pranë dhe kryeplakun, Nokën, që kryesonte kuvendin. Noka ishte aq i pjekur dhe aq i hollë në zgjidhjen e problemeve saqë populli i kësaj zone i kishte vënë titullin “ Papa i Romës”. Kuvendi u mblodh në vendin e konfliktit nën hijen e një arre. Mbas shumë bisedimesh të gjata, kuvendi vendosi t’i njihte të drejtën Nezhës. Mirëpo kush ishte ai burrë që mund të komunikonte këtë vendim! Arra nën hijen e së cilës u mblodh kuvendi, ishte në tokën e Nezhës. Atëherë e merr fjalën Noka dhe i thotë dheut që ishte kurajoz e me padurim priste vendimin: “A ndigjoni or shokë, ne biseduam dhe shoshitëm punën dhe fjalën qi e vendosëm ja kemi lanë kësaj arre të jua kallzoj”. Kështu mori fund kuvendi, populli u shpërnda. Kur u kuptua se konflikti ishte zgjidhur në favor të Nezhës, u këndua gojëdhëna: “ Të pesë pleqtë e ‘Papa i Romës’, qitja Nezhës e shtarja Tolës”.[13]
Krahas këtyre organizimeve, një rol të padiskutueshëm si organizime të mirëkuptimit e tolerancës kanë qenë kuvendet mbarë kombëtare të organizuara në Dibër në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në shpalljen e pavarësisë nën drejtimin e figurave atdhetare dibrane si: Iljaz pashë Dibra, Selim Rusi, Vehbi Dibra, Isuf Karasani, Ramiz Daci, Elez Isufi etj. Në këto kuvende janë domethënëse thirrjet njëzëri “Gjaqet janë të falme, besa është e dhanme” në luftën për liri e pavarësi.
Ashtu si pleqtë e maleve dhe shehlerët krahas detyrave fetare, merreshin me lidhje bese e pajtime gjaqesh, zbutje konfliktesh me tolerancë e mirëkuptim. Teqetë e Dibrës e kanë kryer më së miri këtë mision në të gjithë Dibrën. Teqetë kanë qenë në Peshkopi, Tomin, Brezhdan, Borovjan, Vrenjt, Limjan, Vleshë, Zerqan dhe Bulqizë. Ato kishin influencë të madhe në popull për vetë rolin dhe kontributin që jepnin për zgjidhjen e problemeve të popullsisë si: grindjet, mosmarrëveshjet, konfliktet etj.[14]
Shehlerët i kishin të ndara zonat e influencës në mes tyre për të kryer shërbimet fetare të popullit si për falje të Ramazanit, Bajramit, për gëzime e hidhërime etj. Çdo fshat kishte Shehun dhe Hoxhën e tij. Aktiviteti i tyre ishte sa fetar e atdhetar si shprehës të bashkimit e mirëkuptimit mes dibranëve por dhe të organizimit e drejtimit të luftës kundër pushtuesve.[15]
Është shumë domethënës fakti që në luftën e Dibrës kundër Hajredin Pashës, shpirt i rezistencës, frymëzues dhe organizator i qëndresës krahas Cen Lekës, Salë Markës etj., u bë Sheh Mustafa Zerqani, që gëzonte një autoritet të padiskutueshëm në të gjithë krahinën. Është e pranueshme thirrja e tij drejtuar malësorëve në Kuvendin e Gjoricës të vitit 1844: “O burra ta shporim dushmanin se po humb nderi i Dibrës edhe i Shqipnisë mbarë”.[16] Lufta zgjati pesë ditë dhe Drini u skuq me gjak të derdhur.
Hajredin Pasha po vjen Radikës,
Pyet ku janë malet e Dibrës,…
Lidhën besë plak e i ri,
Bën yrysh e ranë në Dri,
Ranë në Dri me gjithë bajrak,
U mbush Drini plot me gjak…”[17]
Këto janë copëza nga kënga që muza dibrane e frymëzoi vjershëtorin popullor duke vargëzuar heroizmin e treguar nga dibranët në luftën për liri kundër pashallarëve osman.
Këtë qëndresë e ndoqën dhe një varg kryengritjesh të tjera të përgjakshme që synonin shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Turqia dhe shpalljen e pavarësisë. Pashallarët turq që erdhën për të shtypur Dibrën e pabindur pësuan disfatë pas disfate dhe ikën me turp. Në fitoren e Pavarësisë së Shqipërisë një kontribut të pamohueshëm dhanë dhe dy figurat patriotike dibrane, njëri prift e tjetri hoxhë, Dom Nikoll Kaçorri dhe Vehbi Dibra, të cilët së bashku me malësorët dibranë, myslimanë e të krishterë kontribuuan në ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Për kontributin dhe rolin që kishin luajtur në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, ato u zgjodhën në organet drejtuese të qeverisë së Ismail Qemalit. Vehbi Dibra kryetar i senatit dhe Dom Nikoll Kaçorri nënkryetar i qeverisë së Vlorës. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, kombi shqiptar u formua si një komunitet i njerëzve, që i përkasin njëherazi disa besimeve.
Rilindja Kombëtare Shqiptare realizoi afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve të tre besimeve e të gjitha shtresave shoqërore. Shqipëria e pavarur lindi si një shtet laik e demokratik. Kisha e xhamia u ndanë nga shteti dhe gëzuan të drejta të barabarta. Kjo gjë u pranua nga besimtarët e të gjitha riteve fetare.
Pushtimi i Dibrës nga serbët, masakrat e kryera në fshatra e qytete, kthimi i Tabakhanes, që qe thertore bagëtish në thertore njerëzish, emigrimet e shumta, nuk e lëkundën vrullin e luftës së dibranëve, përkundrazi e bashkuan dhe e forcuan më shumë. Me gjithë përpjekjet për asimilimin e kësaj popullsie, pas 9 vjet luftë me krala, serbët u detyruan të largohen nga tokat dibrane.
Sukseset e arritura në luftën e përbashkët të popullit shqiptar kundër fashizmit, treguan më së miri unitetin e popullit në luftën për çlirim kombëtar. Me shumë sukses dhe me shumë rëndësi ishte thirrja e Konferencës së Pezës, e cila synoi bashkimin e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga përkatësia shoqërore, fetare, krahinore dhe nga bindjet politike.[18]
Pas çlirimit, vendosja e sistemit komunist totalitar, shënoi fillimin e një lufte të përgjithshme kundra fesë në Dibër ashtu si dhe në mbarë Shqipërinë. Vitet 50, 60 dhe sidomos viti 1967 shënojnë kulmin e luftës kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.[19] U mbyllën 2035 objekte kulti nga këto 137 në Dibër, shkolla fetare dhe veprimtaria e institucioneve fetare.
Shfaqja e elementeve të para demokratike gjatë vitit 1990, u shoqërua me një lëvizje masive për rikthimin e lirisë së besimit. Viti 1991 shënon sigurimin e lirisë së plotë të besimeve fetare dhe fillimin e funksionimit të institucioneve fetare në të gjithë vendin.
Popullsia e Dibrës është përgjithësisht e besimit mysliman dhe një pakicë e besimit të krishterë e ritit katolik e ortodoks. Rreth 97% e popullsisë së Dibrës është e besimit Islam, e ky besim ka ndikuar ndjeshëm me përmbajtjen e tij paqësore e tolerante. Për sa u përket besimeve në Dibër, ato kanë një të vërtetë të shkëlqyer sepse ato kurrë s’patën vëllavrasje fetare. Për këtë ndërgjegje të lartë mirëkuptimi e tolerance fetare, rrallë së gjen rreth tjetër në Shqipëri si Dibra. Besimi në Dibër e sidomos ai Islam, detyron vëllazërimin fetar, por ndalon kategorikisht urrejtjen, grindjen, luftën me njerëz të besimeve të tjera dhe përqafon tolerancën në drejtim të tyre. Për sa i përket raportit të besimeve të tjera me atë Islam të shpërndarë në Dibër është ky: në Herbel ka 5-6 familje ortodokse dhe ato të ardhur, në Kërçisht të Epërm 7-10 familje ortodokse dhe shumë pak ortodoks në qytetin e Peshkopisë.
Shprehja më e qartë e tolerancës, mirëkuptimit ndërfetar në Dibër është krahina e Lurës. Në Lurë Brenda një familje ka myslimanë e katolikë. Ato askush dhe kurrë nuk i ka ngacmuar, kurrë nuk u është bërë presion të ndërrojnë fe, apo të jenë të përbuzur dhe të urryer. Përkundrazi ato thirren në të gjitha ceremonitë apo festat familjare si dhe në fatkeqësi. Mendimi i tyre merret në konsideratë për problemet e qendrës së banimit.
Besimi Islam ka sjellë mirëkuptim edhe midis bashkësisë islame. Më e rëndësishmja është se në 70 xhamitë që ka rrethi Dibrës, në grumbullimet për martesa e vdekje, vazhdimisht kuadri fetar dhe njerëzit e mençur japin norma fetare islame për bindjen kundrejt zotit, për mirëkuptimin, për falje të njëri tjetrit.
Sistemi komunist totalitar 50 vjeçar në një farë mënyre i frenoi krimet. E keqja e saj e madhe qe se krimet u grumbulluan e kur u dobësua shteti, shpërthyen njëherazi, gjë që solli viktima të shumta në Shqipëri dhe në shumë krahina vazhdon, përveç Dibrës. Edhe në ditët e shtetit pa pushtet në Dibër nuk pati asnjë vrasje. Në ndihmë popullit të Dibrës i erdhën intelektualët, përfaqësuesit e fesë, vetë organizimi i familjeve dibranë që ndihmuan në zbutjen e shumë konflikteve.
Si përfundim:
Fryma e bashkëjetesës dhe tolerancës që ekziston midis feve në Dibër, bashkëpunimi midis tyre, duhet të shërbejnë si një shembull i shkëlqyer i garantimit të një harmonie në zhvillimin e progresin e Dibrës, duhet që dhe forcat politike të pranojnë e zbatojnë si ato frymën e mirëkuptimit, të dialogut e të tolerancës që nënkupton jo vetëm respekt për tjetrin, por edhe të qenët pikënisje për mirëkuptimin, vlerësimin pavarësisht nga përkatësia politike e fetare.
Mbështetur në traditën e ngulitur dibrane të kuvendeve, odave, të besës, organizimit të familjes dhe besimit në Dibër nuk ndodhën ngjarje të përmasave të mëdha siç ndodhën në disa vise të tjera shqiptare.
Në Dibër pavarësisht nga ekzistenca e besimeve të ndryshme, kurrë nuk ka pasur përplasje midis tyre.
Pavarësisht nga politikat e tejskajshme që u shfaqën e u shprehën në 10 vitet e fundit, Dibra ruajti ekuilibrin e saj.
Dibra në zhvillimet e saj u mbështet në traditat, zakonet, vlerat kulturore e arsimore të saj.
[1] M.H.D, Fondi Folklor, dosja 2, f. 3.
[2] Mois Kamberi, “ Historia e Dibrës”, Peshkopi 2004, f. 2.
[3] M.H.D, Haki Sharofi, “ Historia e Dibrës”, vëll. I, Tiranë 1965, f. 7.
[4] M.H.D, Haki Sharofi, “ Historia e Dibrës”, vëll. I, Tiranë 1965, f. 7.
[5] M.H.D, Haki Sharofi, “ Historia e Dibrës”, vëll. I, Tiranë 1965, f. 7.
[6] Haziz Ndreu, “Dibra në udhën e historisë”, Tiranë 2003, f. 87.
[7] M.H.D, Hilmi Sadiku, “ Organizimi i Dibrës”, Peshkopi 1988, D. 5, f. 6.
[8] M.H.D, Hilmi Sadiku, “ Organizimi i Dibrës”, Peshkopi 1988, D. 5, f. 8.
[9] Mois Kamberi, Referat, “ Mendime rreth organizimit të odave në Dibër”, Peshkopi, 2002, f. 6.
[10] M.H.D, Haki Sharofi, “ Historia e Dibrës”, vëll. I, Tiranë 1965, f. 8.
[11] M.H.D, Fondi Kujtime, kujtime të mbledhura nga Hilmi Sadiku, D. 3, f. 4.
[12] M.H.D, Haki Sharofi, “ Historia e Dibrës”, vëll. I, Tiranë 1965, f. 5
[13] M.H.D, Haki Sharofi, “ Historia e Dibrës”, vëll. I, Tiranë 1965, f. 8
[14] M.H.D, Haki Stërmilli, Dorëshkrim, “ Dibra në prag të historisë”, Tiranë 1940, f. 132.
[15] M.H.D, Haki Stërmilli, Dorëshkrim, “ Dibra në prag të historisë”, Tiranë 1940, f. 132.
[16] A.Q.SH, Fondi 143.
[17] M.H.D, Haki Stërmilli, Dorëshkrim, “ Dibra në prag të historisë”, Tiranë 1940, f. 47.
[18] Histori e Popullit Shqiptar, vëll. IV, Tiranë 1984, f. 146.
[19] Histori e Popullit Shqiptar, vëll. IV, Tiranë 1984, f. 170.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...