Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Feb 16, 2015 Zani i Nalte Histori 0
Xhamia Fushë Çelë, foto nga P. Marubi 1876
nga Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Në arkivin e Myftinisë Shkodër, ekziston një dorëshkrim i datës: “Shkodër, 10.4.1993”, me titull: “E vërteta e Fushës Çelës”, që mban firmën e të nderuarit Jup Xhaferi.
Dorëshkrimi katërfaqësh, nis kështu: “Tregimi bahet nga qytetari Ejup Xhaferi, i biri i Alushit dhe i Sebijes, lindur në Shkodër më 1915. I jati, Alushi, vdekë 90 vjeç, tregon nëpër mes gojës së gjyshit Asllanit dhe katragjyshit Haxhi Smajl Xhaferit, sa vijon: “Para 400 vjetësh, të ndjekur nga serbët, të parët tonë kanë ra nga Peja, në Fushë Çelë, Shkodër; lagje fukara me shtëpi njëkatëshe të vjetra.
Janë kenë katër vllezër, kanë banuar në katër shtëpi të vogla. Tre vëllezërit më të rinj vdiqën beqar. Pas kësaj, më i madhi, Haxhi Smajli, ndërtoi shtëpinë e madhe të Xhaferëve, në lagjen Fushë Çelë, te rrugica e vogël në pijacë, para rrugës Kishës së Fretënve.
Haxhi Smajl Xhaferi, më 1780, vetë i gjashti u nis për haxhillek në Qabe nga Shkodra. Ishte udhëtimi i parë për në vendin e shejtë, me kuaj!
…(Haxhi Smajli ka vdekë gjatë haxhillëkut dhe vorrin e ka në Xhidda)…
Çel Zylyftari ka pasë banue në atë kohë në një shtëpi që sod quhet Shtëpija e Tepelijeve. Shtëpija ka kenë përdhese; përpara saj Çela ka pasë një fushë (livadh) të madhe që ka fillue me kufi të soçëm te Universiteti “Luigj Gurakuqi” deri te hotel Turizmi, përfshi edhe godinat në të dy krahët. Në mes ka kenë xhamija e vogël e lagjes, me minare drrase dhe ma sipër sajë një mulli uji që e kanë pasë shfrytëzue Shllakejt (e Vukatanës), (te ndërtesa e Zef Kokës sod).
Me rastin e çfaqjes së smundjes së murtajës, në atë kohë vdiqën shumë qytetarë, aqsa u mbushën varrezat e lagjeve. Atëherë, sa për vepër bamirësije (hajrati), Çel Zylyftari, i fali lagjes fushën (livadhin) para shtëpisë, për ta përdorë për varreza dhe kështu i mbeti emri Varrezat e “Fushës Çelës”.
Mbas tërmetit të vitit 1905[1], që tronditi shumë banesa të qytetit të Shkodrës, u shemb edhe xhamija e Fushës Çelës. Zotni Paci (anglez), u pat thanë mehallalinjëve, se do të ndihmonte me ba një xhami të madhe, por, parija e lagjes nuk ndigjoj, se ai ishte i huej. (Ai pat kenë pronar i Sahatit Inglizit).
Atëherë, Myftija i ushtrisë turke dha një fond dhe u rindërtue xhamija e Fushës Çelë, me murë e minare guri. (Dokumenta të tilla mund të gjinden te Fototeka e fotografit Marubi(austriak), që kur i vdiq e shoqja, mori me i shërbye, nanën e Kel Kodhelit nga fshati Bërdicë, që trashigoi këtë punishte pas vdekjes së Marubit, ku pat mësue zanatin).
Në periudhën e pushtimit fashist italjan të Shqipërisë, disa fanatikë, deshtën me gjyqë me i ndrrue emnin nga Fusha e Çelës në Fusha e Qelës.
Disa burra të mençur shkodranë, si: Hysen Draçini, Ymer efendi Lutfija e tjerë, thirrën si dëshmitar ma të vjetrin ndër ta, Alush Xhaferin (70-75 vjeç atëherë) që ish kenë banues i lagjes së sipërpërmendur e në seancën gjyqësore të hapur për këtë qëllim, ai deklaroi solemnisht: “Kishën kanë ardhë e e kanë ndërtue tash, kurse na jetojmë që prej 400 vjetësh këtu; fusha ka kenë e Çel Zylyftarit e jo e qelës së kishës”, e gjyqi këtë vendim mori.”[2]
Dhe nga ajo kohë e deri në ditët tona, sa herë që flitet për këtë zonë të qytetit të Shkodrës, ndonëse kanë ndryshuar emërtimet e rrugëve dhe objekteve në hapësirat e saj, të gjithë e kanë parasysh një emërues të përbashkët, origjinën e vjetër shekullore të kësaj toke, që quhej dhe vazhdon të quhet: Fushë Çelë.
Kështu, në përmbledhjen e revistës “Zani i Naltë”, të vitit 1923, teksa shpalosen vakëfet e Myftinisë Shkodër, ndër të tjera shënohet: “Lloji e sasia e ndërtesave: Dyqan copë 7 – Vendi: Fush Çelë.”[3]
Hamdi Bushati, në veprën e tij “Shkodra dhe motet”, teksa shkruan për mejtepet e qytetit të Shkodrës, kur përmend “Mejtepin e Hafiz Jusuf Këlmendit”, shënon: “2. Mbas Mejtepit të Mulla Medos, është i përmendur edhe ai i Hafis Jusuf Këlmendit, pranë Shkollës Ruzhdije në Fushë Çelë. Mejtepi ishte vendosur për nën Shkollën e Ruzhdijes: ishte një ndërtesë më vete, konsiderohej si pjesa fillore e Ruzhdijes.”[4]
Edhe studiuesi Lec Shllaku, në librin e tij me titull: “Shtegtimi i monumenteve”, teksa shkruan për “Kumbonaren e Katedrales së Shkodrës”, ndër të tjera përmend se: “Mjafton të thomi se llaçi – malti – me të cilin u punue ajo kumbonare e ajo tjetra e kishës franciskane në Fushën e Çelës, përgatitej me ranë e gelqere…”[5]
Kushedi se ku është referuar Agim Parruca, kur përmend një fakt interesant në lidhje me minaren e kësaj xhamie, kur shkruan se: “Gjatë viteve të diktaturës moniste, Shkodra pësoi një deformim të përgjithshëm. U rrëzuan të gjitha minaretë… U prish edhe minarja e xhamisë “Fushë Çelë” që sipas kryemyftisë së asaj kohe ka qenë ndër minaret më të bukura në Europë dhe e ndërtuar nga mjeshtri shkodran Ramadan Dibra.”[6] Realisht, minareja në fjalë, është vërtetë për t’u klasifikuar në mesin e minareve, që kalojnë kufijtë e një lokaliteti si Shkodra e vitit 1910, siç dëshmohet në foton e K. Marubit.
Shkrimtari Fadil Kraja, teksa përshkruan qytetin e Shkodrës, ndër të tjera thekson: “Pastaj “piaca” si një vije demarkacioni që ndan qytetin në dy pjesë, xhamitë nga njëra anë dhe kishat nga ana tjetër. Por, të dy anët ashtu siç i ndan, ashtu i bashkon Fushë Çela, “Piaca”.”[7]
Ndërkohë, “Pjaca Fusha Çelë”, është pjesë edhe e albumit të përvitshëm të Fototekës Kombëtare Marubi, Shkodër, nr. 7, viti 2011, ku në një prej fotove të spikatura të këtij albumi është edhe: “Pjaca Fusha Çelë, dyqani i cigareve i Muhamet Kadisë dhe furra e Cul Jerës, në Shkodër…”[8]
Në albumin e tij me titull: “Shkodra refleksione fotografike”, Maxhid Cungu, teksa tregon objektet kryesore të kultit islam të Shkodrës, me titullin: “Xhamia FushëÇelë”, ka vendosur foton e K. Marubit, të vitit 1910, me këtë shënim: “Në formën që shihet në foto u ndërtua në vitin 1910, në themelet e një xhamie të prishur nga tërmeti i vitit 1905. Në vitin 1963 u rrënua krejtësisht…”[9] Po aty, autori ka vendosur një foto me titull: “Rruga Wilson”, ku tregohet një foto e vjetër nga D. Jakova, me shënimin: “rreth vitit 1930”. Në brendësi të kësaj fotoje, që duhet të ketë shërbyer si kartolinë, shënohet: “Sheshi Fushcele-Shkoder (Scutari d’Albania)”[10], ndonëse autori nuk e përmend këtë detaj (sheshi “Fushë Çelë”) në shënimet e tij sqaruese në album.
Ndërsa autorët Faik Luli, Islam Dizdari dhe Nexhmi Bushati, në veprën e tyre të titulluar: “Në kujtim të brezave”, teksa shkruajnë për dijetarin e shquar Hafiz Ali Kraja (1900-1973), përmendin faktin se: “Ai aktivizohet si në planin e propagandës (kemi parasysh fjalimin e tij të fortë: “Ç’është komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar”, mbajtur në shtator 1943 në xhaminë e Fushë Çelës), si në skenën politike…”[11]
Akoma sot, rrugica që të shpie te xhamia e madhe e Fushë Çelës, (sot xhamia mban emrin e sahabiut të nderuar “Ebu Bekër”), mban emrin e origjinës së bamirësisë komunitare të bamirësit mysliman shkodran, Çel Zylyftari: “Fushë Çelë”.
Ndonëse origjina e vjetër e atij livadhi të madh, pronë e myslimanit Çel Zylyftari, tashmë është transformuar, si vetë realitetet tinëzare në Shkodër e Shqipëri, emri dhe vepra e bamirësit shkodran, thuajse të panjohur, janë aty, si një gjurmë e pashuar që sfidon heshtjen, deformimin e historisë dhe padijen…
Xhamia Fushë Çelë, foto nga Sh. Pici 1931
[1]. “02.06.1905: “Tronditje e fortë sot në mëngjes në orën 6.00. Shumë shtëpi të rrëzuara. Ka viktima në njerëz, por nuk dihet se sa…” (Ramadanoviq) – “Tronditjet e lëkundjet vazhdojnë shumë të shpeshta. Sonte dy të fuqishëm. Të gjitha shtëpitë të shkatërruara. Në to nuk mund të jetohet. Të shumtat janë të rrëzuara. Lagjja myslimane “Bahçallëk” është plotësisht e dëmtuar. Populli jeton jashtë. Numri i të vdekurve nuk është konstatuar, deri tash janë më se njëqind…” (Ramadanoviq). Të shihet: Miodrag Kirsanov, “Tërmeti i vitit 1905 në Shkodër në dokumentet e Arkivit Shtetëror të Malit të Zi”, në: “Seminari V ndërkombëtar Shkodra në shekuj”, vëllimi I, Shkodër, tetor, 2002, f. 115.
[2]. Arkivi i Myftinisë Shkodër, Dosari i vitit 1993, nr. 12, dorëshkrimi i Jup Xhaferit, katër faqe me letër të bardhë.
[3]. Përmbledhja e revistës “Zani i Naltë”, nr. 2, viti I, fq. 64. Botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Tiranë, mars, 2014.
[4]. Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, vëllimi II, Shkodër, 1999, f. 31.
[5]. Lec Shllaku, “Shtegtimi i monumenteve”, Shkodër, 2004, f. 129-130.
[6]. Agim Parruca, “Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar”, Tiranë, 2004, f. 101.
[7]. Fadil Kraja, “Larmi jete”, në botimin e përvitshëm, Albumi i Fototekës Kombëtare “Marubi”, Shkodër, me titull: “Marubi, Shqipëria – Albania, 1858-1950”, nr. 5, viti 2008.
[8]. Të shihet: Albumi i përvitshëm i Fototekës Kombëtare Marubi, Shkodër, me titull: “Marubi, Shqipëria – Albania, 1858-1950”, nr. 7, viti 2011, f. 47.
[9]. Maxhid Cungu, Albumi me titull: “Shkodra refleksione fotografike”, Shkodër, tetor, 2009, f. 40.
[10]. Maxhid Cungu, material i cituar, f. 78.
[11]. Faik Luli, Islam Dizdari dhe Nexhmi Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997, f. 542 etj.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...