Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Feb 02, 2015 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi 0
Tradita sufiste: harmoni e natyrës, tehajjulat (ëndërrime)[1]/përfytyrime
nga Dr. Brikena SMAJLI
Abstrakt: Punimi është një hyrje në studimin e veprës së Naim Frashërit, në një këndvështrim kulturor – krahasues kundrejt një kulture të pasur poetike, asaj perse, si autor europian i kulturës orientale, me synim një vështrim më të qartë kundrejt vetë veprës poetike të Naim Frashërit shkruar në shqip, marrëdhënieve të saj me të përfytyruarit kuranor, kundrejt vetë Naim Frashërit si autor shqiptar, i krahasueshëm me autorët e tjerë bashkëkohës europianë.
Për këtë, parësore mbetet vëmendja që i kushtohet tekstit poetik të Tehajjula-ve në gjuhën perse, prej nga janë nxjerrë edhe përfundimet në lidhje me vetë këtë vepër poetike të autorit.
Theksojmë, që më në vazhdim punimi do të përqëndrohet pikërisht në qasjet orientale të Naim Frashërit krahasuar me një poet modern si W. B. Yeats-i, prej nga ka dalë e domosdoshme vëmendja ndaj tekstit dhe ndertekstit si dhe gjuhëve e kuturave përkatëse të poetëve, në një vështrim sinkronik dhe diakronik.
Fjalët kyçe: Përfytyrime, harmonia e natyrës, mesnevi, mistikë, sama, përjetim, poetikë lindore.
Frashëri i Përmetit, ku lindi dhe u rrit Naim Frashëri, qe një qendër e bektashizmit për shqiptarët,[2] për rrjedhojë edhe mësimet e para të marra këtu në teqenë e Baba Tahirit nga hoxha i fshatit edhe për turqishten, arabishten dhe persishten,[3] përveç rëndësisë që do të kenë për formimin e tij si qytetar e më vonë nëpunës i Perandorisë Osmane, do të kenë një rëndësi fetare edhe kulturore të dorës së parë për veprën e tij poetike.[4] Për më tepër, bektashizmi si tarikat (drejtim) i islamit suni, u zhvillua në Shqipëri nga një qasje me këto mendësi e kultura: asaj turke prej nga vinte, arabe si gjuhë e përgjithshme e teologjisë dhe e besimit dhe asaj perse si gjuhë e kulturës, poezisë; duke ndërtuar, në pasuesit e drejtimit fetar përkatës, një marrëdhënie të qëndrueshme me kulturën dhe kulturat, jo vetëm islame.[5]
Duke e lidhur këtë formë të parë edukimi dhe shkollimi me veprën që paraqet më shumë interes në studimin tonë, تخيلات Tehajjulat /Ëndërrime, leximi dhe perceptimi i brendisë së saj, si produkt i mendësisë dhe i traditës sufiste, na duket më i natyrshëm. Me shkrimin e këtij libri, të parë, aq më tepër në persisht, Naimi ndjek vazhdën e shkrimtarëve osmanë shqiptarë,[6] si pjesë e natyrshme e zhvillimit kulturor edhe në provincat e Perandorisë Osmane.[7] Për të kuptuar qasjen e natyrshme të Naimit ndaj kësaj kulture të pasur shkrimore, vërejmë se në Kontaktet e gjuhëve në hapësirën arabo-turko-persiane, Naim Frashëri ende vlerësohet si ndër autorët më të shquar evropianë të ndikimit iraniano-otoman për kohën.[8] Prandaj edhe kjo vepër si dhe marrëdhëniet kulturore që ajo ndërton e shfaq që në krye të herës, do të ndikojnë edhe në vetë poezinë e Naimit të shkruar në shqip, e cila duhet lexuar e vlerësuar jo thjesht si rezultat i kësaj marrëdhënieje, por i ndërtekstualitetit dhe vlerës sugjeruese të saj, në shprehinë metaforike dhe simbolin.
Duke iu drejtuar kësaj vepre të parë të autorit, këndvështrimi ndërtekstual, metaforik e simbolik i së cilës është pjesë e domosdoshme e vlerësimit të poetikës prej nga vepra është shkruar, vërejmë dy marrëdhënie të qëndrueshme ndërtekstuale dhe të dyja kanë të bëjnë me bektashizmin, si drejtim fetar dhe me sufizmin si mendësi mistike e të perceptuarit të Zotit dhe të gjithësisë.
Në lidhje me këtë traditë shkrimi poetik, ajo që vihet në dukje në planin e perceptimit dhe të përfytyrimit poetik, si kurorëzim i këtij krijimi, është harmonia e natyrës, në të cilën ndihet i shkrirë poeti, zëri i tij poetik. Kjo harmoni dhe ky njëjtësim është pjesë përbërëse e pranimit dhe e paqtimit, së cilës, qoftë nga pikëpamja e besimtarit mendimtar, qoftë nga pikëpamja e shkruesit poet, edhe vepra i përgjigjet në formë dhe në përmbajtje. Në këtë këndvështrim të fundit, Naimi shkruan në traditën e shkrimit poetik të mesnevive (dyvargësheve) dhe në përputhje me traditën mistike të poezisë perso-arabe, tek mesnevitë mistike, prej nga qasja tekstore me ritualin sufi të samas[11] ka një traditë tjetër edhe më të hershme poetike në këtë kulturë shkrimore, atë të shkrimit epik.[12] Ligjërimi poetik i kultivuar vepron në cilësinë e metaforës (parabolës biblike) apo të ligjërimit idiomatik metaforik, në vazhdën e fabulës mitike të kultivuar që nga Attari e deri tek Rumiu. Ky lloj poetik, i cili, në vetvete është nisur si interpretim kuranor dhe jo si qëllim poetik, ndërthur përmbajtjen mistike me subjektin etik dhe edukativ fetar, duke shënuar kështu jo një tekst të thjeshtë poetik, me synime të qarta individuale, por një përvojë të tërë shpirtërore dhe një histori të lartimit shpirtëror të njëmendët të subjektit shkrues. Ajo që lexohet, megjithatë, nuk është një histori përjetimesh. Në nivelin e përfytyrimit të besimtarit mendimtar ajo është një histori zbulesash, të cilat besimtari mendimtar na i sjell në një gjuhë poetike. Shembulli i Xh. Rumiut është tregues i ngritjes deri në shkallën më të lartë të këtij përfytyrimi mistik, duke organizuar fabulën mistike në përputhje me mendësinë fetare (temën, tekstin kuranor), në shprehje metaforiko-simbolike[13] dhe vargëzim në distikë hekzametrikë.[14] Naimi vepron në të njëjtën mënyrë: në përsiatjen e tij mistike të mendimtarit besimtar, ai mediton për Qiellin (سماء)[15] dhe ngazëllehet nga [nata e butë dhe hëna që prin (mëson)][16] rrezet e së cilës vërshojnë me erën e freskët në tokë; është zogu (simbolikë e qiellit, hapësirës, ajrit)[17]që ndërmerr udhëtimin nga qielli tek toka, prej nga lartohet edhe vallja sama, përfshirë edhe vetë zërin poetik, kundrues.[18]
شب لطيف و ماه تابان دلبر است
باد مشکين ،زمين پر ري ور است
مرغ هوشم می پرد اندر سما
در فظای نورپاش جانفزا
Natë e qetë, hëna e bukur plot me dritë,
Fllad i ëmbël, toka hapur ka stolitë,
Zogu i mëndjes po më sulet drejt nga qielli,
N’hapësirat plot me afsh e dritë dielli. (Shqipëroi V. Buharaja)
Fillimi i një poezie mbi qiellin kështu është tregues i organizimit të tërësishëm, si pjesë e ritualit sufi të njëjtësimit dhe të ngazëllimit, prej ku kundrimi bëhet nga pikëvështrimi i brendshëm dhe i jashtëm. Në këtë proces, jo përveçimi – as individual dhe as autorial – vetë subjekti meditues lartohet e përndritet bashkë me përndritjen e mendimit meditim të tij, sepse e ndien veten pjesë të kësaj gjithësie, të këtij qielli. I vendosur në këtë pikë të meditimit perceptim të tij, poeti e kundron harmoninë, rendin e përkryer të vendosjes së sendeve në natyrë, me një ndjenjë mrekullimi, më fort se dyshimi e kërkimi dhe, ndërsa rreshton një tërësi pyetjesh, drejtuar gjithësisë, qiellit, Zotit, e pohon në veprim (ndiejnë përjetim) gjithëpërfshirjen, mrekullimin-habi dhe harmoninë, kundrejt kaosit, duke u bërë vetë dëshmues i mrekullisë qiell, Zot, natyrë, gjithësi.
Ç’është, ç’është kjo-e paana Gjithësi?
Dhe ky rregull dhe ky libër që sheh ti?
Kjo e kaltër hapësirë e paanë.
Këto drita që kufi e numër s’kanë?
Këto yje trupergjëndë e faqeartë,
Që vërtiten me nxitim e dritëqartë?
Kjo natyrë dhe ky det, burim i jetës?
Këto ligje, këto pamje të së fshehtës?[19] (Shqipëroi V. Buhraja)
Duke e parë veprën poetike të Naimit, në këtë këndvështrim, [Ëndërrimet] Tehajjulat (تخيلات) vërejmë që ajo organizohet që në titull me një marrëdhënie mistike, e cila, për më tepër, motivon dhe motivohet nga këndvështrimi përfytyrues. Ndërsa titulli i shqipëruar Ëndërrimet, (sipas V. B.) paraqitet i mjegullt dhe i përgjithësuar, duke i dhënë veprës motivin kryesor të ëndërrimeve, përfytyrimeve të parealizueshme, që ndodhin brenda mendjes së poetit; aq më tepër, kur ky përkon me mendësinë bashkëkohore evropiane romantike,[20] me të cilën, megjithëse autori ynë, në qasjen e vonë shqiptare, nuk i është shmangur; në lidhje me mendësinë dhe traditën poetike nga e cila vepra u shkrua, shqipërimi i këtij titulli është kufizues. Aq më pak është i përligjur përcaktimi i poezisë së tij, si romantike.
Duke iu bindur një leximi tekstual hermeneutik, i cili respekton edhe marrëdhëniet kulturore e fetare të poezisë së autorit, po shtyhemi të dallojmë cilësitë kuptimore të fjalës, e cila, është me rëndësi në vetë vlerën e përsiatjes poetike të autorit nga njëra anë, si edhe të harmonisë, si element i qenësishëm i shkrimit artistik dhe i krijimit, nga ana tjetër.
Së pari fjalori anglisht-persisht shtjellon se fjala تخيلات (Tekhajjulat) nuk do të thotë ëndërrime, por përfytyrime, shfaqje.[21] Gjegjësja evropiane e kësaj fjale do të përkonte jo thjesht me konceptin e parë të të sjellit në mend, të të përfytyruarit, si veprim që ndodh në mendjen tonë, pasojë e mbamendjeve konkrete dhe ndërtim përmbyllës i objektit, ngjarjes, njeriut; si produkt i pavarur i mendjes dhe i shkëputur nga qasja shqisore, por një veprim i kujtesës dhe i ndjenjës njëkohësisht, kështu siç e shpjegon, William C. Chittick, në terma biblike:
Më tepër se sa me perceptime ndjesore, Zbulesa fillon me vegime-ëndrra, sepse domethëniet e kuptueshme janë më afër përfytyrimit se sa ndaj perceptimit ndjesor. Perceptimi ndjesor është ana më e ulët e kuptimit, ndërsa kuptimi vetë është më e larta dhe më e holla anë. Përfytyrimi qëndron në mes të të dyjave. Zbulesa është ajo domethënie kur Zoti kërkon kuptim për të zbritur tek perceptimi ndjesor, asaj (zbulesës, shënimi im) i duhet të kalojë përmes Pranisë së Përfytyrimit përpara se të mbërrijë perceptimin ndjesor. Realiteti ose përfytyrimi kërkon që t’i jepet formë ndjesore çdo gjëje që aktualizohet brenda tij. Nuk ka ikje prej kësaj. Nëse zbulesa arrihet në gjendjen e gjumit, ajo quhet një përfytyrim-ëndërr, por nëse ajo arrihet në kohë ose zgjuar, quhet “të përfytyruar” Takhayyul…ja pse zbulesa fillon me përfytyrimin. Prandaj përfytyrimi ridërgohet tek engjëlli në botën e jashtme. Engjëlli e përfytyron veten si njeri ose si një person i cili perceptohet nëpërmjet perceptimit ndjesor. Mund të ndodhë që vetëm ai që është objekt ose zbulesa vetë e percepton engjëllin ose mund të ndodhë edhe që ato që janë me të, ta perceptojnë kur engjëlli shpërndan fjalët e Zotit të tij në veshin e profetit dhe kjo është “zbulesë”.[22]
Chittick këtu e shpjegon fjalën, تخيلا (takhayyul) si veprim të zbulesës, perceptim të brendshëm të saj, duke na e lidhur edhe vetë titullin e veprës së Naim Frashërit, jo me një përfytyrim të thjeshtë, por me atë që, në radhë të parë ka të bëjë me besimin apo edhe një shkallë të lartë perceptimi dhe përjetimi të besimit.
Duke kërkuar që kësaj fjale t’i gjejmë më tej gjegjësen e vet kuptimore apo përbërësit kuptimorë, në gjuhën, gjuhët prej nga vjen, ndjekim më tej mendimin e Nabil Matar-it, i cili, duke iu referuar Al-Farabit[23] e shtjellon karakterin e fjalës, nisur nga rrënjaخال (Khal). Matar vë në dukje, se, sipas Al-Farabit, kjo fjalë është gjegjësja semite, që i përgjigjet asaj greke përfytyrim, imagjinatë=(Phantasia) φαντασία,[24] “apparition” shtjelluar tek vepra e Aristotelit, De Anima. Por kjo nuk ka të bëjë me konceptin e trillimit apo gjësë së pavërtetë, përkundrazi. Autori bën fjalë për një përfytyrim fanitës تخيلا (Takhayyul).[25] Termi si i tillë përkon me gjegjësen latine biblike aparicione /apparition/apareo.[26]
Një fjalë tjetër që afron (poetikisht) dhe nga ana e përjetimit, perceptimit të besimit, me fjalën takhayyulat, ështëخد (khad) prej nga fjalaتهجد (tehexhud) = me vështrue, me qëndrue zgjuar natën në shenj përkushtimi, me kalue natën me lutje edhe pse nuk është veprim, që në rrënjë ka lidhje me fjalën e përmendur më sipër, vjen si pjesë e këtij përjetimi, duke sugjeruar një nuancë përjetuese të veprimit përfytyrues, تخيلا tekhayyul/takhayyul[27] dhe e lidh këtë të fundit me shtjellimin fundor të të përfytyruarit, cituar më sipër prej Chittick, duke na sugjeruar në kuptimin e fjalësتخيلا tekhayyul/takhayyul, jo veprimin e jashtëm dhe zbritës të zbulesës mbi subjektin përjetues, por veprimin e përkundërt, kërkues të njeriut drejt zbulesës, dijes, si një parapërgatitje për të.
Pra ky përfytyrim-vegim vjen si shfaqje e fundme e kërkimit dhe udhëtimit të besimtarit-mendimtar. Duke ndjekur më tej referencat, që gjejmë për këtë fjalë, ndjekim shtjellimin në Enciklopedinë e Islamit, e cila në vëllimin X të botimit Brill, 2000, fjalën tekhayïl (ky është transliterimi turk, shënimi im) e shpjegon si term poetik,[28] i cili, si i tillë, teknik, bart kuptime të ndryshme, të gjitha të fushës së hermeneutikës: teori e përfytyrimit, poetikë filozofike, interpretim kuranor, figurë retorike. Ajo ka një traditë të tërë në poezinë mistike perso-arabe dhe shënon edhe një metaforë të veçantë.[29]
Duke u përpjekur të përmbledhim gjithë çfarë fjala nënkupton në përfytyrimin-vegim të titullit تخيلات (Takhayyulat) paraqesim këto kuptime: atë të lutjes si shenjë përkushtimi dhe atë të përfytyrimit fanitës, si shenjë frymëzimi dhe vegimi, pasojë e lutjes, si dhe llojin e përfytyrimit filozofik e teologjik, i cili shpreh dhe përpunon, me gjuhën e interpretimit kuranor një metaforë të veçantë, ngjashëm me parabolat biblike.
Titulli, më saktë, mund të përkthehet përfytyrime. Në këtë titull, Përfytyrime(t) përkojnë me natyrën e shkrimit poetik (të mesnevive mistike) që, sipas traditës prej së cilës Naimi shkruan, kanë po këtë marrëdhënie me përfytyrimin poetik të mistikut, udhëheqësit shpirtëror në ritualin bektashi, sufi të lutjes dhe të vallëzimit.
Leximi në këtë kontekst i poezive, sidomos i atyre kozmogonike (Qielli, Hëna, Dielli, Në breg të detit, Zoti) është një lexim që duhet të ketë parasysh pikërisht vlerën e përfytyrimit fanitës, që vjen si pasojë e ritmit të vallëzimit, rrotullimit (samas) prej nga ligjërimi poetik ritmon nëpërmjet enumeracionit, anaforës, inversionit, rimës së puthur dhe parimit zinxhir të lidhjes së distikëve – që do ta ndeshim më vonë të pasqyruar edhe në veprën e Dantes[30] tek tercinat e Komedisë hyjnore – simbolizmin tingullor etj. Kështu, përfytyrimet janë në vetvete një proces më i thellë dhe më i ndërlikuar se shkrimi a vargëzimi i zakonshëm poetik. Ata nuk janë fryt i vetëm një procesi ngjizës, por të një tërësie, që në termat e shprehjes së artit përmbledh, në ritualin e integruar të lutjes së frymëzuar, tekstin poetik, i cili është pasojë e botëperceptimeve, të përfytyrimeve (takhayyulat-ve), rezultat i një tjetër shprehie artistike – vallëzimit si përfytyrim, si akt përjetues i aktit krijues, si dalldi e shkrirjes, njëjtësimit në vallen rrethrrotulluese sufije, pikërisht përbashkuese e tokës dhe e qiellit, njeriut dhe të gjithësishmes, hyjnores.
Në këtë pikëvështrim motivohet edhe kërkimi autorial dhe personal i Naim Frashërit drejt një harmonie dhe njësimi, i cili nuk përkufizohet tek harmonizimi i tekstit poetik, përfytyrimeve të tija, autorit si shkrues, por vështrimit të këtij teksti dhe autorit si pjesë e së tërës së gjithësishmes, prej së cilës është pjesë e harmonishme. Në këtë pikëvështrim i gjithë libri poetik është vizionar dhe kërkues, drejt përfytyrimit të gjithësisë, Zotit. Poezitë e vëllimit poetik dallohen për këtë harmoni, e cila, përveçse përsiatje e të gjithësishmes, e vendos vetë poetin (zërin poetik, syrin kundrues soditës dhe të mahnitur të besimtarit-mendimtar) në këtë marrëdhënie shkrirje, njëjtësimi. Prej këtij pikëvështrimi buron ajo që e quajmë harmoni e natyrës, e cila është një pjesë e harmonisë së qenësishme, që evokojnë poezitë, si gjendje e frymëzuar shpirtërore.
[1]. Titulli Ëndërrime është vendosur këtu sipas shqipërimit të Vexhi Buharasë, ndërsa autorja gjatë punimit sugjeron një tjetër përkthim të tij.
[2]. ELSIE, Robert. Histori e letërsisë shqiptare, Përktheu nga anglishtja Abdurrahim Myftiu, Botim i dytë, Dukagjini, Pejë, 2001, f. 57. “Teqetë e bektashinjve, sidomos ato të Krujës, Korçës, Konicës, Frashërit dhe Gjakovës, do të bëheshin pas pak kohe qendra të fshehta të kulturës, shkollimit, tolerancës dhe, njëkohësisht, të qëndresës kombëtare kundër sundimit turk.”
[3]. Shih, TRENCSÉNYI, Balázs; KOPECEK, Michal (ed.) Discourses of Collective Identity in Central and Southeast Europe (1770-1945) Texts and Commentaries Volume One: Late Enlightenment Emergence of the Modern ‘National Idea’, Central European University Press, N. York, 2006, Program of The Albanian League of Prizren, f. 348. Këtu theksohet se që nga koha e Ali Pashë Tepelenës, Janina, bëhet njëra nga qendrat politike, ekonomike dhe kulturore shqiptare, veçanërisht për fshatarët e jugut të Manastirit dhe të Janinës. I rëndësishëm në kontekstin e lëvizjes kombëtare shqiptare është roli i shkollës “Zosimea”, ku u shkolluan pothuajse e gjithë elita. Gjuha e mësuar aty ishte greqishtja, por mësohej edhe latinishtja dhe frëngjishtja.
[4]. ELSIE, Robert. Histori e letërsisë shqiptare, Përktheu nga anglishtja Abdurrahim Myftiu, Botim i dytë, Dukagjini, Pejë, 2001, f. 57.
[5]. DOJA, Albert. Bektashizmi në Shqipëri: histori politike e një lëvizjeje fetare, Përktheu nga anglishtja: Shpëtim Çuçka, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Tiranë, 2008, f. 30-31.
“…bektashizmi, pas shfaqjes së tij të dukshme në gjysmën e dytë të shek. XVII, nisi të lëshonte gjithnjë e më shumë rrënjë në Shqipëri aty nga fundi i shek. XIX. Përveç faktit që në Shqipëri bektashinjtë nuk njohën atë shtypje që provuan në Anadoll dhe në treva të tjera qendrore të perandorisë osmane pas vitit 1826, një tjetër arsye mund të ketë qenë klima e veçantë fetare në Shqipëri, falë së cilës vendosja e bektashizmit në Shqipëri ka ngjallur një vëmendje të veçantë si për një fe, që mendohet se ka trashëguar një numër shumë të madh tiparesh të vjetra dhe ka zhvilluar në Shqipëri një karakter të pavarur, që shërben si një tjetër shembull tipik për forcat e ngurtësisë kulturore dhe qëndresës politike. Për hir të natyrës panteiste dhe jozyrtare të bektashizmit ekziston një bindje e përgjithshme se pranimi i tij në Shqipëri u mundësua ndjeshëm nga fakti që sinkretizmi i bektashizmit kishte ndërthurur tanimë brenda vetes elementet paraislamike dhe shiite me ato të krishtera.”
[6]. Ndër shkrimtarët me origjinë shqiptare, në Perandorinë Osmane përmendim Mesihin e Prishtinës (1470-1512), Jahja Dukagjinin (v. 1575) që i përkasin një periudhe më të hershme, ndërsa edhe letërsia e bejtexhinjve vjen në këtë qasje kulturore me figura të spikatura si: Nezim Frakulla (1680-1760) për të vazhduar me Sulejman Naibin, Hasan Zyko Kamberin, Zenel Bastarin dhe Muhamet Kyçykun…. shih: ELSIE, Robert. Histori e letërsisë shqiptare, Përktheu nga anglishtja Abdurrahim Myftiu, Botim i dytë, Dukagjini, Pejë, 2001, f. 49-57.
[7]. ELSIE, Robert. Histori e letërsisë shqiptare, Përktheu nga anglishtja Abdurrahim Myftiu, Botim i dytë, Dukagjini, Pejë, 2001, f.48-50.
[8]. AZADʹARMAKI, Taqi, Christophe Balay, and Melvut Bozdemir. Contact Des Langues Dans L’espace Arabo – Turco – Persan : Actes Du Colloques Organisé Par L’INALCO (erism), L’université De Téhéran Et L’ifri (9-10 Mai 2001, Téhéran). Téhéran: l’Institut Francais de Recherche en Iran, 2005.f.61. «Un contemporain de Muallim Naci, Naim Frasheri (1846-1900), d’origine albanaise et proche des milieux bektachi, composa encore une partie de ses oeuvres en persan dans son recueil de poésies intitulé Tahayyo1at (Fantaisies, Istanbul. 1301/1884) on trouve même un poeme tout à fait moderne en ce qui concerne son contenu, intitulé Vatan ( La patre ).» (Një bashkëkohës i Mullaim Naci-t, Naim Frashëri (1846-1900), me origjinë shqiptare dhe me shumë gjasa ndër më të mirët bektashi, do të krijojë edhe një pjesë të veprave të tij në persisht, nën përmbledhjen me poezi titulluar Tahayyolat (Fantaisies/ Përfytyrime, Stamboll. 1301/1884) ku gjendet edhe një poezi plotësisht moderne në atë që ka të bëjë me përmbajtjen, titulluar Vatan/ Atdheu).
[9]. BULO, Jorgo. Rumiu dhe Naim Frashëri, PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore, Viti XII 2007, Nr. 3 (46) f. 9-14 .
[10]. Makalat është vepra e Haxhi Bektash Veliut (1209-1271), themeluesit shpirtëror të Bektashizmit. Vepra është shkruar fillimisht në arabisht, për t’u përkthyer pastaj në turqisht nga Katipoglu, duke u bërë bazë e riteve dhe doktrinës sekrete, karakteristikë për bektashizmin. Shih The Encyclopaedia of Islam, New edititon, prepared by a number of leading orientalists, editors: H. A. R. Gibb, J. H. Kramers, E. Levi-Provengal, J. Schacht, ass. M. Stern (p. 1-320) B. Lewiss, CH. Pellat and J. Schacht, C. Dumont…. (p. 321-1359) The International Union of Academies, Vol. I, A-B, Leiden E.J. Brill, 1991, f. 1161-2.
[11]. Sama/sema është një valle sufi, e shoqëruar me muzikë. Për kuptimin mistik të saj, i cili edhe pse nuk nxit dëgjimin midis ndjekësve të tij, veç shpjegon teorinë që vjen pas praktikës, i drejtohemi Ibn Arabit. Sama e vërtetë, – shpjegon ai, – është thjeshtë një përngjashmim i primordiales “qenie” (kun) që vjen, e cila sillet rreth qenësisë (kawn) së botës. Vallëzimi që bashkëshoqëron këtë përngjashmim pasqyron kalimin e gjërave nga thellësitë e qetësisë së paparë, në botë. Ajo që sama percepton në fjalët e këngëtarit është fjala e Zotit “ji” për gjërat para krijimit. Muzika dhe vallja sama i kalojnë sufijtë në gjendje ekstaze. Shih CHITTICK. C. William. Sufism, Never ending dance, Oneworld books, Oxford, 2008, f. 97.
[12]. Masnavia është një dyzim vargjesh, të një poezie, ku rima e të gjitha vargjeve është e njëjtë. Pas çdo dy vargjesh vjen një rimë e pavarur e cila bën që vargjet të organizohen në formë zinxhiri, duke u bërë shkas për një distik të ri. Persët e quajnë këtë mathnawi, sepse vargu përfundon me dy shkronja që rimojnë. Megjithëse fjala është me origjinë arabe, termi teknik i vargëzimit është pjesë e traditës poetike perse. Duke pasur një numër të pakufizuar vargjesh, mesnevitë janë poema të gjata epike, por zhvillimet e mëvonshme sjellin edhe llojin lirik e mistik, sidomos me mesnevitë e Xh. Rumiut. Shih: The Encyclopaedia of Islam, New edititon, prepared by a number of leading orientalists, editors: C. E. Bosworth, E. Van Donzel, B. Lewis, CH. Pellat, W. P. Heinrichs, As. F. TH. Dijkema and Mme S. Nurit (p. 1-512-1044), The International Union of Academies, Vol. VI, MAHK—MID, Leiden, f. 832-833. Përmbledhja me poezi e Naim Frashërit është mesnevi mistiko- fetare, sepse ajo është e organizuar në të tillë distikë, ku rima është e njëjtë, por pas çdo dy vargjeve është edhe një rimë e brendshme, e cila bëhet rima vazhduese në vargjet pasuese, për të vazhduar kështu sipas një parimi zinxhir. Gjithashtu, është e qartë se tematika e mesnevive të tij është mistike-fetare, prandaj edhe përkon me këtë lloj mesnevish të përfaqësuar nga Xhelaledin Rumiu.
Pjesa e skanuar e poezisë së mësipërme دخترنازنین (vajzë lozonjare) është marrë nga versioni origjinal i veprës së Naim Frashërit në persishtتخيلات /Tehajjulat, Istanbul, 1301/ 1884 dhe është mesnevia/poezia që hap përmbledhjen/divanin, botuar bashkë me studimin e گلشنى، عبد الكريم. ; GULSHANI;ʻAbd al-Karim; FRASHËRI, Naim: فرهنگ ايران در قلمرو تركان : اشعار فارسى نعيم فراشرى، شاعر و نويسنده قرن نوزدهم آلبانى./Farhang-i Iran dar qalamraw-i Turkan: ashʻar-i Farsi-i Naʻim Farashari, shaʻir va nivisandah-ʼi qarn-i nuzdahum Albani (Rreth letërsisë perse shkruar në hapësirat turke dhe poezisë perse të autorit shqiptar të shekullit të 19-të, Naim Frashërit.),تجارتخانه گلشنى، Shiraz : Tijaratkhanah-ʼi Gulshani, 1354 [1975].
[13]. CHITTICK, William C. The Sufi Doctrine of Rumi, Illustrated ed. , Foreword by Seyyed Hossein Nasr, World Wisdom, 2005, f. VII. “Është e vërtetë që Rumiu nuk shkroi drejtpërdrejtë interpretime metafizike ashtu siç bëri Ibn Arabi apo Sadr Al-Din Qunyawi. Por Xhalaledin Rumiu ishte një metafizik i shkallës së parë dhe i lidhur me çdo gnostik e çështje metafizike, të hershme, por shpesh në formën e parabolave, rrëfimeve apo të formave të tjera letrare e simboleve poetike.”
[14]. SCHIMMEL, Anne Marie. A Two-Colored Brocade: The Imagery of Persian Poetry, University of North Carolina Press, November, 1992, f. 20-21.
[15]. FRASHËRI, Naim.تخيلات /Tehajjulat /Ëndërrime, shqipëroi Vexhi Buharaja, Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2005, f. 42, 43.
[16]. Po aty, v, 1. شب لطيف و ماه تابان دلبر است = në tekstin pers autori shtjellon një natë të butë dhe hënën që ndriçon tokën, duke e përqendruar, qysh këtu, edhe perspektivën e vështrimit poetik, nga lart-poshtë.
[17]. CHEBEL, Malek. Dictionnaire de Symbols Musulmans, Albin Mishel S. A., Paris, 1995. Oiseou, f. 306-307.
[18]. Po aty, v, 3. مرغ هوشم می پرد اندر سما = në tekstin pers zogu (morgh/ مرغ)lëshohet nga lartësitë qiellore, si vegim i valles sama (سما).
[19]. FRASHËRI, Naim.تخيلات /Tehajjulat /Ëndërrime, shqipëroi: Vexhi Buharaja, Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2005, f. 44-45, v. 11-18
چيست اين کانًنات بی حساب
اين نظام و اين کتاب مستطاب؟
اين فضای آب رنگ بی کنار
پرتو اندازان بی عد و شمار؟
اين همه زرين لقا سيمين بران
نور پاش و چابک و رقص آوران؟
اين طبيعت ٬اين يم آب حيات؟
اين حکم٬ اين رازها٬ اين معجزات؟
اين چه اجرامند پرتاب و شرر؟
اين چه اکوانند پر از نور و فر؟
[20]. “Përmbledhja e poezive lirike romantike të poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, shkruar në persishte dhe botuar në Stamboll më 1884, nën titullin e përbashkët Tehajjulat, përbën fazën e parë të krijimtarisë së tij.” Shih: KONDO, Ahmet Pak fjalë lexuesve, tek FRASHËRI, Naim. Ëndërrimet, Biblioteka Zehra, shqipëroi: Vexhi Buharaja, Rumi, 1996, f. 4.
[21]. English-Persian Dictionary, Ed. Arthur N. Wollaston, W. H. Allen & Co. London, 1882, f. 151.
[22]. CHITTICK, William C. Imaginal words: Ibn Al-Arabi and the oblem of religious diversity, Suny series, 1994, f. 75.
[23]. AL-FARABI, Abu Nasr (875–950) ose Alfarabius, në tekstet e latinishtes mesjetare, i vlerësuar si “mësuesi i dytë”, pas Aristotelit, është një nga mendimtarët më origjinalë të filozofisë islame, gjatë periudhës së artë të saj.. Shih WINTER, Tim. The Cambridge Companion to Classical Islamic Theology, ed. by Cambridge Companions to Religjion, III. Series, 2008, f. 63.
[24]. Gjuhët latine dhe më gjerë, zgjedhin për këtë fjalën APPARITION (angl.), apareo (lat.), shih. Diccionario auxiliar espańol-latino para el uso moderno del latín – Bahía Blanca: Instituto Superior Juan XXIII, 2007, f. 80. “aparicion” dhe RODALE, J. L. The synonym finder, Jerome Irving, 1898-1971. Warner Book Edition, Rodale Press, 1986, f. 57. “Apparition”.
[25]. Shih. MATAR, Nabil. Magazine/Journal, Literature/writing, West Chester University, Feb, 1996, v. 23, Issue: n. 1, ISSN: 0093-3139.
[26]. Diccionario auxiliar espańol-latino para el uso moderno del latín – Bahía Blanca: Instituto Superior Juan XXIII, 2007, f. 80. (aparicion) dhe Rodale, J. L. The synonym finder, Jerome Irving, 1898-1971. Warner Book Edition, Rodale Press, 1986, f. 57.
[27]. The Encyclopaedia of Islam, New edititon, prepared by a number of leading orientalists, editors: H. A. R. Gibb, J. H. Kramers, E. Lfivi-Provencal, J. Schaht, The International Union of Academies, Vol. X, T-U, LEIDEN E. J. BRILL, 2000, f. 129-32.
[28]. Transkriptimi fonetik është bërë sipas shqiptimit turk, që gjendet në këtë enciklopedi.
[29]. The Encyclopaedia of Islam, New edititon, prepared by a number of leading orientalists, editors: H. A. R. Gibb, J. H. Kramers, E. Lfivi-Provencal, J. Schaht, The International Union of Academies, Vol. X, T-U, LEIDEN E. J. BRILL, 2000, f. 129.
[30]. Teknika e vargëzimit të mesnevive ka një histori më të hershme se ajo e Dantes, madje edhe para sonetit.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 03, 2020 0
Oct 26, 2020 0
Jul 10, 2020 0
Nov 21, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...