Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 23, 2015 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
(Rasti i karikaturave dhe filmit fyes ndaj Profetit Muhamed a.s.)
nga Redi Shehu
Abstrakt
Në këtë projekt kërkimor do të fokusohemi tek fenomeni kur dy të drejta të garantuara në shtete demokratike dhe liberal-demokratike, përplasen me njëra-tjetrën, duke shkaktuar tension social. Rasti i veçantë tek i cili do të ndalemi, është rasti i karikaturave, si dhe filmit përçmues ndaj Profetit Muhamed (a.s.), i përfshirë në një periudhë kohore nga shtatori i 2005-ës deri në vjeshtë të 2012-ës. Fenomen i cili shkaktoi tensione dhe debate të mëdha në të gjithë globin, duke u shoqëruar edhe me viktima, si dhe vrasjen e Ambasadorit amerikan në Konsullatën e Benghazit në Libi. Specifikisht do të ndalemi tek liria e shprehjes dhe liria e besimit si themeli i debatit dhe konfliktit që shkaktoi ngjarja. Liria e shprehjes dhe liria e besimit janë të pandara nga njëra-tjetra brenda një konteksti të caktuar. Ndarja mekanike e lirisë së shprehjes nga besimi dhe absolutizimi i saj, çon në dogmatizëm të kësaj lirie dhe çdo dogmatizëm ka premisa për t’u kthyer në diktat. Kështu mund të themi se nëse vazhdohet me absolutizim të pakufi të lirisë së shprehjes, duke mos përcaktuar limite njerëzore, rrezikojmë ta kthejmë lirinë e shprehjes nga shtylla e demokracisë në godinën e diktatit, të një diktati “të lirisë së shprehjes”. Ajo që vërehet në këto qasje është arratisja e trajtesës metafizike e të kuptuarit të lirisë në përgjithësi, si dhe lirisë së shprehjes në veçanti, që në të vërtetë është një dimension i pashmangshëm i anëtarit të shoqërisë. Për këtë arsye një hulumtim mbi metafizikën dhe rendin e lirisë do të jetë i pranishëm në këtë punim. Ndarja pragmatike mes publikes dhe privates në modernizëm nuk merr përsipër, le të themi, të kujdeset për një dimension aq sa moral, por edhe etik të lirisë së shprehjes, e cila do të ishte e pamundur pa një analizë metafizike të burimit të saj.
Liri e besimit nuk mundet kurrë të trajtohet si oponencë e lirisë së fjalës, sepse liria e fjalës është pjesë përbërëse e lirisë së besimit dhe anasjelltas. Ndaj edhe dilema liri e fjalës, apo liri e besimit ngrihet vetëm nga një këndvështrim sekularist, i cili është i fuqizuar me mekanizmat e kritikës sekulare, si gardiane e këtij sistemi. Karikatura si gjini artistike dhe simbolika e saj përmes retorikës vizuale është mjet i fuqishëm, i cili nëse keqpërdoret mund të ushqejë konfliktin në përmasa të pariparueshme. Kurse kufizimet, që natyrshmërisht ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë brenda lirisë së fjalës, kur preken dhe cenohen kufij të rëndësishëm të shoqërisë njerëzore në të cilin përfshihet edhe besimi, përkundrejt të qenët problematikë, janë një garanci e ruajtjes së sistemit dhe mbarëvajtjes shoqërore.
Fjalët kyçe: Liria e shprehjes, rendi i lirisë, metafizika, liri racionale, kriticizmi, hapësira private/publike, retorika vizuale.
Hyrje
Në shtator të 2005-ës, gazeta më e madhe daneze, “Jyllands Posten”, porositi hartimin e disa karikaturave për Profetin Muhamed (a.s.) nën motivacionin “Muhammeds ansigt” – “Fytyra e Muhamedit.” Do të duheshin pak ditë dhe në mëngjesin e 30 shtatorit të po atij viti, ato letra të bardha tashmë të mbushura me ngarkesa emocionale, të cilat dilnin përtej kontekstit të ngushtë në të cilin qenë pikturuar, të shpërndaheshin në çdo pikë shitjeje të Danimarkës. “Jyllands Posten”, kryegazeta daneze ishte ajo e cila mori përsipër të botonte karikaturat në të cilat satirizohej as më shumë e as më pak, por një ndër profetët më të mëdhenj të njerëzimit, domethënia shpirtërore e jo më pak se 2 miliardë njerëzve, vetë Profetin Muhamed (a.s.). Justifikimi ishte i thjeshtë dhe si zakonisht i standardizuar kur bëhet fjalë për të argumentuar qëllimin e një aksioni të tillë mediatik. “Liria e shprehjes”, qe fraza e cila nxitoi të mbulonte me status ligjor botimin e karikaturave. Në një formë pandemie, botimi i karikaturave shpejtoi të përhapej në shumë media të shkruara prestigjioze, duke marrë flamurin e lirisë së shprehjes. Por gjatë gjithë ecejakeve të veta mediatike, këto botime nuk u shoqëruan kurrë me kriterin bazë që ka liria e shprehjes, kriterin e së vërtetës, të lidhjes reale, që këto afishime sarkastike kishin me të vërtetën. Ngjarja e 2005-ës u pasua me një ripërsëritje të një karikature në formë filmi, nga Sam Bacile, ngjarje e cila, ashtu si në rastin e parë të karikaturave, shkaktoi tensione dhe konflikte të cilat prekën cepat e globit, kryesisht në vendet myslimane, të cilat u pasuan me dhunime të përfaqësive diplomatike, por edhe me vrasjen e plagosjen e qindra personave përfshirë edhe Ambasadorin amerikan në Bengazi. Kështu, një debat i gjerë mori udhë në të gjithë hapësirën intelektuale dhe institucionale të globit lidhur me legjitimitetin e botimit të karikaturave, si dhe të drejtën për besim të individit, të drejtën për të qenë i lirë në besimin e tij.
Në këtë punim, i cili merr përsipër të analizojë dhe të bëjë krahasueshmërinë e teorive dhe fakteve në të cilat të dyja palët mbështeten në këtë konflikt, përmes ç’paketimit të konceptit të lirisë, do të përpiqemi të analizojmë bazamentet juridiko-administrative mbi të cilat mbështetet dhe aplikohet liria në rendin e ri juridik. Në të, do të sillen konceptet e lirisë të cilat i nënshtrohen një rendi të caktuar kufizimesh, si dhe faktit që liria është bashkudhëtare me përgjegjshmërinë. Për të thelluar më tej të kuptuarit e lirisë, nga dy boshte qytetërimore të ndryshme, siç është rasti i Perëndimit dhe i botës myslimane, do të sjellim në vëmendje konceptet perëndimore mbi lirinë, si dhe ligjet e konventat të cilat e garantojnë këtë liri, pastaj do të bëjmë përshkrimin e konceptit të rendit qeverisës brenda Islamit, si dhe konceptet mbi institucionet dhe të drejtën që ka ky rend qeverisës. Kështu, përmes analizës dhe referencave do të përballim dy qasje të ndryshme qytetërimore lidhur me lirinë dhe të drejtën e saj për të ekzistuar në shoqëri. Do ta bëjmë këtë, për faktin se ngjarja përfshiu dy boshte qytetërimore, të cilat kanë një këndvështrim të ndryshëm mbi lirinë e besimit dhe hapësirën e saj në shoqëri. Duke arritur të kuptojmë të dy sistemet do të mund të ndërtojmë qasje më të qenësishme mbi ngjarjen dhe pretendimet dhe duke i sjellë ato në vëmendjen e audiencës do të përpiqemi të japim një kontribut sado të vogël për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë.
Në qasjen tonë, del parësore të futemi në një dimension jo shumë të njohur të lirisë, por që është themelor për një qytetërim, ku liria konsiderohet si atribut transcendent. Ky dimension është dimensioni metafizik i lirisë, i cili përbën edhe bazamentin moral të saj. Për këtë do të përpiqemi të bëjmë dallimin themelor mes lirisë racionale dhe lirisë irracionale, si shkaktare të konfliktit. Pastaj do të analizojmë qasjen e shtetit sekular mbi lirinë, ku do të duhet të futemi në konceptin e kritikës dhe kriticizmit sekular, si arma më e fortë me të cilën shoqëritë sekular-liberale përpiqen të ruajnë hegjemoninë e tyre në hapësirën publike dhe do të përpiqemi të provojmë sesi kritika sekulare përmes formash e zhanresh të ndryshme, përfshirë edhe karikaturën, shpesh nuk respekton dimensionin religjioz të individit, duke u bërë kështu premisë konfliktualiteti mes grupeve shoqërore, apo edhe shoqërive me format të ndryshëm botëkuptimor.
Botimi i karikaturave dhe filmi i Sam Bacile, përdorën hapësirën publike me anën e kanaleve të komunikimit mediatik për t’u afishuar dhe komunikuar me audiencën. Për këtë arsye e shohim të domosdoshme që të ndalemi tek koncepti i hapësirës publike të shoqërive respektive për të bërë edhe dallimin mes hapësirës publike sekulare dhe asaj religjioze dhe faktit se pse u përdor hapësira publike sekulare për të komunikuar me një hapësirë tjetër publike, siç është ajo religjioze përmes një zhanri të kritikës sekulare si karikatura. Hapësira sekulare publike, si pasojë edhe e historisë së saj në shtetet perëndimore, ka pasur si detyrë kryesore shtyrjen e religjionit në hapësirën private të individit duke e larguar atë nga teatri i arsyes publike. Ne, do të mundohemi të argumentojmë se në fakt, hapësira sekulare publike edhe këtë “marrëveshje” nuk po e respekton sepse pikërisht karikaturimi i Profetit Muhamed (a.s.), ishte rasti tipik kur hapësira publike dhunon privatësinë e individit në religjiozitetin e tij duke u bërë premisë konflikti.
Një tjetër qasje ku ne do të ndalemi është fuqia e karikaturës në ndezjen e konflikteve sociale. Për këtë na duhet të ndërhyjmë në strukturën ideore të karikaturës për të kuptuar misionin dhe përmbajtjen e saj. Pastaj do të duhet të zbërthejmë konceptin e ideografisë dhe retorikës vizuale, si armë të cilat materializojnë në formë artistike kundërshtitë sociale. Pas kësaj do të argumentojmë se pse karikaturat daneze nuk ishin përfaqësuese të një strukture karikature tradicionale dhe faktin se si retorika vizuale ishte përdorur jashtë misionit, kontekstit, kompozimit dhe kondensimit të saj duke dhënë si produkt, karikatura brenda karikaturës. Njëkohësisht do të përpiqemi të analizojmë tezën e botuesve të karikaturave, se këto të fundit janë mjet për çlirimin nga auto-censura duke u munduar për të përkufizuar censurën dhe nëse ky rast përbënte censurë ose jo. Interesante do të jetë edhe një qasje e mundshme në mes lirisë së fjalës, apo fobisë ndaj emigrantëve, për të zbuluar nëse pretendimet për liri të fjalës ishin vërtet merak i madh për fatet e lirisë, apo përdoreshin për të maskuar një fobi në rritje ndaj emigrantëve, si bartës të kulturave të tjera migratore në shtetet perëndimore.
Të porositur nga gazeta daneze “Jyllands-Posten”, në shtator të vitit 2005, një grup prej 12 karikaturistësh vendosën t’i merrnin pafajësinë letrës së bardhë duke rrëshqitur në të lapsat e tyre tërësisht jashtë naivitetit, për të projektuar vizionin, që ata kishin lidhur me fenë Islame dhe Profetin Muhamed (a.s.). Do të duheshin pak ditë, dhe në mëngjesin e 30 shtatorit të po atij viti, ato letra të bardha, tashmë të mbushura me ngarkesa të rënda emocionale, në të cilat Profeti i Islamit portretizohej si simboli i dhunës dhe perversitetit, të shpërndaheshin në çdo pikë shitjeje të gazetave të shoqëruara me një koment nga Fleming Rose, redaktori i kulturës së kësaj gazete[1]. Ky publikim nuk zgjati shumë dhe shkaktoi një zemëratë me përmasa globale në mesin e myslimanëve, të cilët i konsideruan këto karikatura si thellësisht fyese dhe përçmuese. Në fakt, brenda pak muajve, kundërshtitë ndaj publikimit të këtyre karikaturave u përshkallëzuan në një konflikt social me përmasa ndërkombëtare të shkaktuar nga përhapja e tyre në formë pandemie në shumë media, kryesisht në Evropë.
Më 12 tetor 2005, 11 ambasadorë të vendeve arabe i kërkuan takim Kryeministrit danez Anders Fogh Rasmusen i cili refuzoi të takohej me ta për çështjen në fjalë, ndërkohë që njëzet e dy ish-ambasadorë danezë kritikuan ashpër Kryeministrin danez për këtë refuzim. Pas këtij presioni, Kryeministri Rasmussen u takua me ambasadorët e vendeve myslimane në Kopenhagen vetëm më datën 2 shkurt 2006. Më 14 tetor 2005, mbi 5000 vetë morën pjesë në një demonstrim paqësor para zyrave të “Jylland-Posten” në Kopenhagen. Më vonë e gjithë kjo u pasua me një delegacion të përbërë nga disa përfaqësues të organizatave dhe institucioneve islame në Danimarkë, të cilët udhëtuan drejt Egjiptit, Sirisë, Turqisë e Libanit me qëllim sensibilizimin e liderëve të këtyre vendeve lidhur me publikimin e këtyre karikaturave.[2] Nëntori i po këtij viti shënoi vendosjen e këtyre ngjarjeve në agjendën e samitit të radhës të Organizatës së Konferencës Islamike, e cila më pas në mbledhjen e 8 dhjetorit shpreh:
Shqetësimin lidhur me rritjen e urrejtjes kundër Islamit dhe myslimanëve dhe dënon aktet e diskreditimit të imazhit të Profetit të Shenjtë Muhamed (s.a.u.s) në mediat e disa vendeve dhe thekson përgjegjësinë e të gjitha qeverive për të garantuar respekt të plotë të të gjitha religjioneve dhe simboleve të tyre.[3]
Pak më vonë, ishte edhe Këshilli i Ligës Arabe, i cili dënoi ashpërsisht publikime të tilla dhe shprehu gjithashtu edhe habinë për qëndrimin e qeverisë Daneze. Pas një reagimi të tillë, me një kokëfortësi e cila pati për justifikim lirinë e shtypit, në fund të 2005-ës dhe fillimet e 2006-ës, mbi 70 gazeta nga 40 vende i ribotuan të njëjtat karikatura, duke kontribuar në ndezjen akoma më shumë të konfliktit. Më 26 janar të 2006-ës, Arabia Saudite dhe më pas Siria, Irani dhe Libia, tërhoqën ambasadorët e tyre nga Danimarka, ky veprim diplomatik u pasua me një bojkot masiv të produkteve daneze nga ana e myslimanëve në mbarë globin. Në datën 4 shkurt të po këtij viti, konflikti kulmoi me dhunimin dhe djegien e ambasadave të Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë dhe Kilit në Damask. Të njëjtin fat pësuan edhe ambasadat e vendeve evropiane në Liban, Iran dhe Indonezi. Në gjithë këtë konflikt humbën jetën 139 persona dhe mbi 820 të tjerë u plagosën përgjatë përplasjeve me forcat e sigurisë së këtyre vendeve.[4]
Në komentin shoqërues të karikaturave, Fleming Rose, si redaktor përgjegjës, justifikon botimin e tyre me argumentimin se:
Shoqëria moderne sekulare, refuzohet nga disa myslimanë. Ata pretendojnë për një pozicionim të veçantë për vetet e tyre, duke këmbëngulur se u duhet dhënë një konsideratë speciale ndjenjave të tyre fetare. Kjo është e papajtueshme me demokracinë sekulare dhe lirinë e shprehjes, ku secili duhet të jetë i përgatitur për t’u përballur me përbuzjen, talljen dhe përqeshjen.[5]
Por dukej se qëndrimi i Rose nuk përshtatej me këndvështrimin që kishin për botën vende si Indonezia, e cila hapur mbështeti protestat dhe bëri thirrje publike, që gazeta “Jyllands-Posten” të kërkonte të falur. Ndërkohë që Irani jo vetëm që tërhoqi ambasadorin e vet nga Danimarka, por në të njëjtën kohë nuk lejoi gazetarët danezë të futeshin në territorin e vet. Po ashtu, autoritetet iraniane shpallën hapjen e një konkursi publik për krijimin dhe më pas publikimin e karikaturave me temë holokaustin në mënyrë që, siç e quanin ata, të përcaktoheshin se ku ndodheshin vërtetë kufijtë e lirisë së shprehjes.[6]
Vetëm më 30 janar 2006, kryeredaktori i “Jyllands-Posten”, Carsten Juste publikisht u shfajësua për ofendimet e shkaktuara nga gazeta të cilën ai e drejtonte.[7] Menjëherë pasi kjo falje publike u realizua, Kryeministri i Danimarkës, Rassmusen deklaroi se karikaturat qenë keqkuptuar nga shumë myslimanë dhe qenë perceptuar si fyese nga ana e tyre, e në të njëjtën kohë shpresonte, që falja publike e gazetës të kontribuonte në ristabilizimin dhe lehtësimin e dëmit moral të shkaktuar. Ai nuk la pa përmendur një frazë, e cila duket se ishte thelbësore për pozicionimin e qeverisë daneze shumë kohë pas konfliktit social:
Dua të theksoj se qeveria daneze dënon çdo shprehje, akt apo nxitje të cilat synojnë të demonizojnë grupe njerëzish bazuar në religjionin e tyre, si dhe përkatësinë etnike.[8]
Por, duhet theksuar se në deklaratën e tij, Kryeministri danez, përsëri veçoi se qeveria e tij nuk mund të kërkonte falje për llogari të një gazete të pavarur dhe të lirë. Interesant është fakti se qeveria norvegjeze, jo vetëm që i kërkoi falje pothuaj të gjitha vendeve myslimane për atë çka kishte ndodhur me publikimin e karikaturave, por kërkoi edhe falje paraprake për çdo lloj publikimi fyes ndaj tyre, që mund të botohej në të ardhmen.[9] Në të njëjtën mënyrë veproi edhe qeveria suedeze, e cila së bashku me atë norvegjeze, duket sikur kundërshtuan pohimin e kryemnistrit danez Rasmusen, ku një qeveri nuk mund të kërkonte falje në emër të një organi të pavarur shtypi. Ndërsa Ministri i Jashtëm i Finlandës kritikoi hapur qeverinë daneze për veprimet e mefshta në lidhje me situatën. Një kontradiktë në dukje mes konceptit, që kishin këto vende rreth marrëdhënieve qeveri – media e lirë.
1.2 Kriza në hapësirën ndërkombëtare
Shumëkush mund të ketë ngelur i habitur me faktin se si një gazetë e një vendi si Danimarka, që në vitin e publikimit të karikaturave kishte jo pak por pothuaj 9 % të popullsisë së saj me emigrantë të kulturave dhe religjioneve të ndryshme, dhe me një popullsi prej rreth 200 mijë banorësh myslimanë[10], të hezitonte që me shpejtësi të mbyllte konfliktin, i cili me shumë gjasa mund të transformohej në një minë me sahat në rrafshin social për shoqërinë daneze. Të habitur mund të kenë ngelur edhe të tjerë, kur mësuan se botuesit e gazetës ishin përballur me bojkote të vazhdueshme nga artistë të ndryshëm, të cilët i ishin përgjigjur negativisht ftesave pararendëse të gazetës për të pikturuar Profetin Muhamed (a.s.) në disa libra fëmijësh për nivelet e shkollave fillore daneze. Megjithatë, insistimi i gazetës më të madhe daneze për të vazhduar me projektin e saj, lë hije dyshimi mbi atë se, duke qenë organ mbi të gjitha politik, duhej ta dinte se një sipërmarrje e tillë provokuese do të shkaktonte zemëratë publike dhe një konflikt social lidhur me pothuaj 10% të popullsisë, që edhe pse nuk ishin të gjithë myslimanë, do të përfshiheshin në kategorinë e të qenët kulturalisht ndryshe, e për pasojë viktimë të stigmatizimit, talljes dhe përçmimit.
Një tjetër habi mund të shkaktonte fakti se si nuk qenka kuptuar se publikimi i karikaturave, të cilat personifikonin Profetin Muhamed (a.s.) si terrorist, mund të shkaktonte një cunam në marrëdhëniet ndërkombëtare me jo pak, por dhjetëra e dhjetëra shtete, të cilat si besim parësor të tyre kishin Islamin dhe shtyllë morale e fetare Profetin Muhamed (a.s.). Është theksuar shpesh se krahu i djathtë konservator qeverisës në Danimarkë, por jo vetëm, ka tentuar gjithmonë të radikalizojë marrëdhëniet me kulturat migratore në vend dhe si rrjedhojë, është parë nga ana e tyre se lufta kundër këtyre kulturave migratore në rritje brenda shoqërisë daneze, do të mund të bëhej më së miri duke sulmuar boshtin e këtyre kulturave të cilat zanafillojnë me religjionin.
E në fakt ndodhi pikërisht ashtu siç edhe pritej të ndodhte. Ngjarja ndau mediat e përfaqësuesit e tyre me popullsinë e thjeshtë dhe politikanët e diplomatët mes njëri-tjetrit, të cilët u vendosën në një pozicion të vështirë mes ruajtjes së balancës në marrëdhëniet sociale shtresore, si dhe popujve religjiozë të cilët përbënin një pjesë të konsiderueshme të shoqërive respektive.
Në fillim të tetorit të 2005-ës, shoqatat myslimane iu drejtuan ligjit danez dhe më saktë Kodit Penal danez dhe neneve 140 dhe 266b të tij, në të cilat thuhej se çdo person që përbuz dhe tall doktrinat religjioze, apo aktet e adhurimit të çdo feje të njohur ligjërisht në Danimarkë, do të jetë subjekt i burgosjes së jo më shumë se 4 muajve. Ndërsa më poshtë në nenin 266(b), thuhet se çdo person që publikisht bën deklarim apo përhap deklarata, të cilat kërcënojnë një grup njerëzisht të tjerë lidhur me racën, ngjyrën, origjinën etnike, religjionin apo prirjen seksuale, do t’i nënshtrohet gjobitjes deri në burgosje jo më shumë se 2 vjet.[11] Në fakt Prokurori i rajonit të Viborg-ut, deklaroi në vendimin e tij të 6 janarit 2006, se liria e shprehjes duhej ekzekutuar së bashku me respektin e duhur përkarshi të drejtave të tjera të njeriut, por për Prokurorin, gazetarët gëzojnë të drejta më të mëdha lidhur me interesin publik dhe për këtë arsye ai e pushoi çështjen. Kështu konflikti u la hapur pa pasur zgjidhje dhe për më tepër ky vendim inkurajoi ribotimin e këtyre karikaturave në fillimet e muajit shkurt të po atij viti nga edhe më shumë gazeta të vendeve evropiane. Kështu, media e shkruar mori një licencë ligjore për të vazhduar më tej në thellimin e konfliktit social.
Më 15 shkurt të 2006-ës, Presidenti i Komisionit Evropian asokohe, Barrozo, shprehej lidhur me situatën në deklaratën zyrtare të përbërë prej disa pikash[12] se;
Liria e shprehjes është një liri e panegociueshme e institucioneve evropiane dhe po në të njëjtën kohë, liria e besimit të individëve si dhe komuniteteve fetare është po ashtu një liri e panegociueshme. Le të jemi të qartë, – vazhdon ai, – se opinionet e shprehura nga individët, angazhojnë vetëm ato, e për pasojë ato nuk përfaqësojnë një vend, popullsi apo religjion. Ndërkohë që myslimanët duhet të jenë të lirë të praktikojnë fenë e tyre në të njëjtën mënyrë, si çdo pjesëtar i komuniteteve të tjera fetare në territorin evropian.
Pala e dëmtuar, vendet myslimane, nën ombrellën e Organizatës së Konferencës Islamike, shprehej në deklaratën tjetër të saj të 18 janarit 2006, në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Ekmeleddin Ihsanoglu, se aktet islamofobike shkojnë përtej çdo forme të lirisë së shprehjes, apo lirisë së shtypit, duke dëmtuar parimet ndërkombëtare të etikës dhe vlerave të bazuara në deklaratat dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Liria e shprehjes duhet ushtruar në respekt të vlerave me të cilat edhe mund të mos biesh dakord, sepse thelbi i demokracisë i trupëzuar në lirinë e shprehjes nuk konsiston në lejimin e fyerjes së vlerave dhe simboleve të shenjta të të tjerëve. Aq më tepër kur kjo bëhet duke portretizuar dhe steriotipizuar myslimanët dhe profetin e tyre si injorantë, djallëzorë dhe terroristë.[13]
Si pasojë e kësaj situate të nderë konfliktuale në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk u lanë pa u bërë edhe insinuata, lidhur me aplikimin e standardeve të dyfishta nga ana e institucioneve ndërkombëtare. Nga njëra anë nuk mund të hidhej as edhe një dyshim, apo stigmatizim ndaj vuajtjeve të hebrenjve nga nazistët, dhe nga ana tjetër ofendimi ndaj Profetit të myslimanëve, etiketohej si ushtrim i lirisë së shprehjes dhe si thelb i demokracisë. Nga njëra anë kodi i etikës gazetareske promovohej si një arritje në marrëdhëniet e shtypit të lirë me ngjarjet dhe individët e një shoqërie, nga ana tjetër në rastin e karikaturave daneze, ky kod shihej si i plotësuar në të gjitha detajet e veta. Aplikimi i këtyre standardeve të ndryshme në ngjarje apo situata të cilat puqeshin për nga përmbajtja, thelloi diferencimet kulturore në një terren evropian ku emigracioni shihej si forca motore dhe gjallëruese e një Evrope demografikisht në plakje të pakthyeshme.
Korit të vendeve të cilat tashmë e konsideronin lirinë e shprehjes si liri e cila nuk duhet të ngrihej duke shkelur mbi truallin e shenjtërisë së të tjerëve, i bashkohet edhe Vatikani, i cili në deklaratën e vet për shtyp të 4 shkurtit 2006 shprehet se: “Liria e shprehjes dhe mendimit e cila është një ndër të drejtat themelore të parashikuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nuk duhet të përmbajë të drejtën për të fyer ndjenjat fetare të besimtarëve”.[14] I Dërguari Special i Komisionit të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen ndaj formave të racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës z. Doudou Diene, lidhur me publikimin e karikaturave nga gazetat në përgjithësi, shprehej se po përjetonte situatën më degraduese dhe manifestimin më serioz të islamofobisë.[15] Përmasat e rënda të konfliktit i cili kaloi territoret nacionale duke u transformuar tashmë në një përplasje ndërkombëtare, jo vetëm idesh mbi mënyrën dhe konceptimin e lirisë, por edhe në përplasje të dhunshme me viktima dhe të plagosur, e tregon edhe një deklaratë e përbashkët e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike dhe të Ligës së Shteteve Arabe, zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Katarit, Ministrit të Jashtëm të Spanjës dhe Ministrit të Jashtëm të Turqisë, të cilët bashkërisht deklaruan se :
Ne rikonfirmojmë të drejtën universale për lirinë e shprehjes. I bëjmë apel secilit ta ushtrojë këtë liri në mënyrë të përgjegjshme dhe të mos e përdorë atë si pretekst për nxitjen e urrejtjes apo për të fyer ndjenjat fetare të çdo komuniteti.[16]
Me këtë deklaratë u bashkua edhe Presidenti i Parlamentit Evropian dhe më pas një deklaratë e përbashkët mes Ministrave të Jashtëm të Turqisë dhe Austrisë pasoi, në të cilën theksohej qartë se liria e shprehjes dhe vlerat religjioze janë trashëgimia më e mirë dhe nuk qëndrojnë në kontradiktë, por përkundrazi ata janë përplotësuese të njëra-tjetrës.[17]
Si pasojë e polarizimit të tejskajshëm të situatës, qëndrimet diplomatike përmes deklaratave të përfaqësuesve të tyre ishin shpesh të kaheve të ndryshme duke ndarë qëndrimet në pro dhe kundra publikimit të karikaturave. Qëndrimi i Britanisë së Madhe në fjalët e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë Jack Straw, përmblidhej në një kërkesë publike që i bëri mediave të mos publikonin karikaturat dhe e quajti botimin e tyre nga disa media evropiane si “të pasjellshme”.[18] Po ashtu gazeta daneze “Politiken” i bën një kritikë të fortë “Jyllands-Posten” dhe zbulon një fakt interesant në të cilin, “Jyllands” kishte refuzuar publikimin e karikaturave mbi “ringjalljen e Krishtit” dy vite më parë, më 2003-in, me justifikimin se këto mund të perceptoheshin si fyese dhe “nuk ishin aspak për të qeshur”.[19] Më 5 shkurt 2006 Ministri i Transportit të Irakut ngrin të gjitha kontratat me Danimarkën dhe Norvegjinë, ndërkohë që kompania daneze “Arla Foods” raporton miliona euro humbje si pasojë e bojkotit të bërë nga myslimanët ndaj produkteve të saj. Irani po ashtu ndaloi të gjitha marrëdhëniet tregtare me Danimarkën duke prishur marrëveshjet që kishte me Unionin Evropian. Po në fillim të shkurtit 2006, mijëra myslimanë mblidhen në Bruksel duke organizuar një protestë paqësore kundër botimit të karikaturave.
Po në të njëjtën ditë, Konferenca Evropiane e Rabinëve hebrenj, shpreh pakënaqësinë e saj lidhur me publikimin e karikaturave të cilat nënçmojnë ndjenjat e myslimanëve dhe bënë përngjasimin e tyre me karikaturat antisemite.[20] Mbi një mijë protestues marshuan për orë të tëra në Paris si kundërpërgjigje e publikimit të “Jyllands-Posten”. Kryeministri francez asokohe, Domenique de Villepin, dënoi dhunën e ushtruar dhe bëri thirrje për njohje të së drejtës ndaj besimeve, tolerancë dhe respekt ndaj tyre.[21] Kriza dhe ndikimet e saj u demonstruan deri në atë pikë sa Ministri i Jashtëm i Danimarkës në fillimet e shkurtit të 2006-ës, i bënte thirrje qytetarëve danezë të mos shpenzonin pushimet e tyre në vende si Emiratet e Bashkuara, Katar, Bahrein, Egjipt, Marok, Tunizi, Libi, Oman, Jordani etj., duke i shkaktuar një dëm kolosal financiar bashkëqytetarëve të vet[22]. Po e njëjta Ministri lëshonte rekomandime për shoqëritë ajrore daneze të anulonin fluturimet drejt Egjiptit. Kryeministri Britanik Tony Blair dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, shprehën solidaritetin e tyre me Danimarkën në lidhje me djegien e ambasadave të tyre në shtetet myslimane.[23] Terri Davis, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës u deklarua se publikimi i karikaturave kaloi kufirin etik edhe pse ishte korrekt ligjërisht.
Kompania më e madhe e produkteve ushqimore në botë , “Nestle” shpejtoi të bënte një fushatë publicitare në mbarë botën, e kryesisht në vendet myslimane, duke u kujdesur të shpjegonte se ajo dhe produktet e saj nuk kishin të bënin aspak me Danimarkën.[24] Të njëjtin opinion ndan edhe “Amnesty International” e cila botoi një deklaratë për shtyp ku theksonte se liria e shprehjes nuk është një liri absolute dhe se ajo duhej përdorur me përgjegjshmëri.[25] Ndërsa ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Danimarkës, Uffe Elleman-Jensen i bëri thirrje kryredaktorit të “Jyllands-Posten”, Carsten Juste, të jepte dorëheqjen. Në të njëjtën kohë flamujt e Danimarkës, Norvegjisë edhe të Kroacisë u dogjën në protestat që u organizuan në Bosnjë Hercegovinë. Qeveria Japoneze në një komunikim për shtyp udhëzoi që gazetat e vendit të saj të mos botonin karikaturat e Profetit Muhamed (a.s.). Me gjithë këtë iniciativë të sajën, mediat japoneze nën flamurin e lirisë së shtypit i botuan karikaturat.[26] Në Kenia policia hapi zjarr ndaj protestuesve të cilët kishin mbushur rrugën në kundërshti të publikimeve të karikaturave në fjalë. Kurse Presidentja Irlandeze e asaj kohe, Mery McAleese, dënoi pikturimet dhe botimet e tyre dhe u shpreh se myslimanët kishin të gjithë të drejtën të ndjeheshin të zemëruar. Në këtë frymë tensioni e ashpërsimi të konfliktit, Byroja Federale e Investigimeve të Finlandës vendosi të ndërmerrte një hetim të hollësishëm lidhur me arsyet e publikimit të karikaturave në gazetat finlandeze, bazuar në Kodin Penal finlandez, i cili ashtu si edhe ai danez, parashikonte dënime për nxitjen e urrejtjes fetare.[27]
Në nxitjen e mëtejshme të konfliktit, ndihmoi padyshim edhe Ministri italian Roberto Calderoli, anëtar i Lega Nord, ekuivalentja e partive të ekstremit të djathtë danez, i cili veshi publikisht një fanellë në të cilën kishte të stampuar karikaturat. Ai u zotua që ta vishte përditë këtë fanellë në emër të lirisë së shprehjes.[28] Ky veprim i tij shkaktoi një furi protestash ku veçohet ajo e Benghazit në Libi protestuesit e së cilës sulmuan konsullatën italiane atje. Si pasojë e përleshjeve humbën jetën 11 veta. Kjo bëri që Kryeministri italian i asaj kohe Silvio Berluskoni ta detyronte Calderolin të tërhiqej nga nisma e tij. Menjëherë më pas Zëvendës Kryeministri italian Gianfranco Fini vizitoi xhaminë më të madhe në Romë duke dhënë një shenjë reflektimi nga ana e qeverisë italiane.
Në Filipine, në kryeqytetin Manila, u mbajtën protesta përballë ambasadës daneze në kundërshti të publikimit të karikaturave. Ndërsa për Humans Right Watch, një NGO mbi monitorimin e të drejtave të njeriut, në mënyrë ironike e shpalli publikimin e karikaturave daneze si rastin kampion të lirisë së shprehjes.[29] Me mijëra myslimanë protestuan në një marshim në Hong Kong duke kundërshtuar publikimin në mediat e shkruara të karikaturave në fjalë. Duke parë zhvillimet e vrullshme dhe konfliktuale, kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti i XVI, bëri thirrje për respektimin e religjioneve botërore dhe shmangien e nëpërkëmbjes së ndjenjave fetare të besimtarëve.[30] Situata vazhdoi të tensionohej përsëri kur Partia Nacionale Britanike, një fraksion i ekstremit të djathtë, pas demonstratave të dhunshme në Londër, vendosi t’i botonte karikaturat ndaj Profetit Muhamed (a.s.) në faqen e vet zyrtare on-line. Ky veprim elektrizoi situatën politike në Britani e cila u pasua me një reagim kritik të menjëhershëm nga i gjithë spektri politik britanik.[31] Në ditët në vijim mbi 125 veta u vranë në Nigeri në përplasjet mes myslimanëve dhe të krishterëve lidhur me këto publikime të karikaturave, ndërkohë që rreth 30.000 veta protestuan në Karachi të Pakistanit duke hedhur parulla kundër blasfemisë, kundër Amerikës dhe vendeve evropiane.[32] Më 3 mars të 2006-ës, shoqatat dhe organizatat myslimane me bazë në Danimarkë hartuan një ankesë zyrtare drejtuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara lidhur me gazetën daneze si shkaktare e situatës dhe degradimit të saj.[33] Tre javë më vonë, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Laila Freivalds jep dorëheqjen nga posti i saj, e akuzuar së po pengonte publikimin e karikaturave në një faqe on-line, e si pasojë ky veprim i saj u interpretua si ndërhyrje në lirinë e shtypit nga mediat vendase të cilat i bënë presion për dorëheqje. Pothuajse në të njëjtën kohë, pasuesi i saj Ministri i ri i Jashtëm i Suedisë së asaj kohe Carin Jamtin, nuk u lejua të hynte ne Darfur të Sudanit për një vizitë zyrtare duke u shpallur person “non grata” për arsye të përfshirjes suedeze në publikimin e karikaturave.
Në mars të vitit 2007, vendet myslimane lobuan për hartimin e një rezolute në Këshillin e të Drejtave të Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara, thelbi i së cilës ishte të ndalonte përdhosjen e religjionit.[34] Pas një qetësie relative, situata filloi përsëri të turbullohej kur në shkurt të 2008-ës, tre persona me shtetësi të huaj planifikuan të vrisnin autorin e karikaturave Kurt Westergaard. Menjëherë pas kapjes nga policia vendase të tre personave, për të cilët nuk u vërtetua kurrë se kishin planifikuar ndonjë aksion, të gjitha mediat e shkruara daneze i ripublikuan edhe një herë karikaturat[35]. Kjo shkaktoi trazira përsëri në Danimarkë të cilat u pasuan me djegie të makinave në rrugë dhe të disa objekteve. Protesta u konsiderua e dhunshme edhe për faktin se tre të dyshuarit u deportuan në vendet e origjinës pa bërë një proces gjyqësor ndaj tyre. Në të njëjtën kohë, Egjipti ndaloi shpërndarjen e gazetave “Wall Street Journal” dhe “The Observer” të cilat i ribotuan përsëri këto karikatura. Ndasitë që shkaktoi ngjarja në fjalë nuk ngelën pa prekur edhe botën ndërkombëtare akademike. Universiteti i famshëm i Yale dhe shtëpia botuese e saj “Yale University Press”, në gusht të vitit 2009, teksa kishte pranuar të botonte librin e profesorit Jytte Klaussen me titull “The Cartoon that Shook the World” (“Karikaturat që Tronditën Botën”), me vendim të bordit të vet të profesorëve, hoqën të gjitha karikaturat dhe ilustrimet e tjera të këtij libri dhe e botuan librin pa to.[36] Në krahun tjetër të botës akademike, Kancelarja gjermane Angela Merkel, në shtator të 2010-ës nderon me çmimin M100 të medias autorin më të spikatur të karikaturave Kurt Westergaard për, ashtu siç e konsideronte ajo, kurajën e tij për të mbrojtur vlerat demokratike.[37] Ndërkohë që në tetor të po këtij viti Ministrja e Jashtme e Danimarkës Lene Espersen, gjatë një takimi në Kajro me Kryemyftiun e Universitetit të Al-Az-harit deklaronte se lëndimi i shkaktuar myslimanëve nga publikimi e ripublikimi i karikaturave kundër Profetit Muhamed (a.s.), ishte shumë i madh dhe se Danimarka nuk kishte pasur si qëllim të lëndonte ndjenjat e askujt.[38] Në dhjetor të 2010-ës bomba e quajtur “Wikileaks” ndër të tjera tregon edhe për korrespondencën dhe veprimet diplomatike që Ambasadori i asaj kohe i Shteteve të Bashkuara në Danimarkë, James Cain, kishte bërë me autoritetet daneze. Në këtë kabllogram flitet për ndërhyrjen e Ambasadorit Cain tek autoritetet daneze për të ndalur tentativën e gazetës “Jyllands-Posten” e cila kishte vendosur që në shtator të 2006-ës, të ribotonte karikaturat me rastin e një vjetorit të konfliktit.[39]
Në korrikun e vitit 2012 një person i quajtur Nakoula Basseley Nakoula, që më vonë përdori pseudonimin Sam Bacile, postoi përmes rrjetit të videove Youtube, një filmim prej 13 minutash të titulluar fillimisht “The Real Life of Muhammad”, dhe një ditë më pas të transformuar në “Muhammad Movie Trailer”. Më vonë përfundimisht kjo video e shkurtër amatoreske u titullua “Innocence of Muslims” (Pafajësia e Myslimanëve). Ky segment i cili nuk kishte as atributet e një filmi, fillonte me një sekuencë të ditëve të sotme ku paraqitet policia egjiptiane e cila bën sehir ndërkohë që një grup myslimanësh po shkatërronin pronat dhe shtëpitë e disa kooptëve të krishterë egjiptianë. Nga e tashmja ky filmim kthehet në të shkuarën, duke përçmuar me një gjuhë primitive dhe duke pështjelluar thënie nga disa libra të shenjtë, paraqet një aktor në rolin e Profetit Muhamed (a.s.) i cili përfshihet në skena të ulëta. Po ashtu paraqitet i njëjti person duke folur me një gomar si dhe disa personifikime myslimanësh të cilët me shpatë ulërijnë për gjak. I gjithë ky filmim ishte bërë duke përdorur sfondin e një filmi tjetër dhe për më tepër aktorët, të cilët ishin zakonisht aktorë filmash pornografikë, ishin të dubluar duke mos e ditur se për çfarë qëllimi do të përdorej më vonë filmi që ato po luanin.[40] Për më tepër Nakoula kishte përdorur regjisorin Alan Roberts dhe stafin e tij për të xhiruar një film të titulluar “Desert Warrior” që supozohej se do të shfaqej në vitin 2011. Në këtë projekt me Roberts nuk flitej fare për tematikë fetare dhe as që nuk kanë qenë të supozuar që të përdorej asgjë nga feja islame.[41] Sam Bacile preu pjesë nga projekti i mëhershëm me Roberts, dubloi aktorët të cilët kishin luajtur për një tjetër skenar dhe i dha formë një produkti mizerabël për nga ana artistike dhe profesionale. Fillimisht Bacile u deklarua se ishte hebre, por autoritetet izraelite konfirmuan se në bazë të kërkimeve të tyre nuk rezultonte asnjë person me një emër të tillë të ketë shtetësinë izraelite as edhe besimin hebre. Një nga mbështetësit kryesorë të realizimit të filmit dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Bacile-s në këtë sipërmarrje ishte edhe pastori Terry Jones, i njohur si personi i cili dogji Kuranin në kishën e tij publikisht.[42] Jones ishte një ndër iniciatorët që kjo video të shfaqej fillimisht në Florida dhe më pas në disa vënie në skenë private mes një grupit të reduktuar njerëzish. Më pas kjo video u përkthye edhe në gjuhën arabe dhe në fillim të korrikut 2012 u postua në internet në Youtube.
2.1. Pasojat
Provokimi kësaj radhe ishte jo në formën e karikaturave, por të një filmimi të shkurtër të postuar elektronikisht dhe jo i botuar në gazeta siç ndodhi me karikaturat e vitit 2005. Ashtu siç edhe pritej reagimi u përhap ndërkombëtarisht duke përfshirë të gjitha vendet myslimane si dhe vendet ku myslimanët jetonin si komunitet. Meqenëse filmimi kësaj radhe zanafilloi në Shtetet e Bashkuara, edhe protestat e myslimanëve atje u përhapën në shumë qytete nga Washington D. C. , Filadelfia, Çikago, New York City e deri në Canton. Më 15 shtator 2012 rreth 2000 veta demonstruan pranë Shtëpisë së Bardhë në Washington.[43] Po ashtu më 22 shtator mbi 1.500 veta protestuan para konsullatës së Sh.B.A-ve në Toronto në Kanada. Protesta pati edhe në Brazil, në Rio de Janeiro, në Sao Paolo, kryesisht nga myslimanë me banim atje. Në Paris, po më 15 shtator pati mbi 100 të arrestuar nga protestat që u mbajtën para Ambasadës së Shteteve të Bashkuara atje.[44] Në Gjermani pati protesta në mijëra vetë në Dortmund e Freiburg. Me mijëra të tjerë protestuan para Ambasadës Amerikane në Romë.[45] Në Holandë politikani i ekstremit të djathtë Gert Wilders futi linkun e videos së Sam Bacile në faqen e tij zyrtare dhe në faqen zyrtare të partisë së tij “Party of Freedom” me justifikimin e mbrojtjes së lirisë së shprehjes. Pas këtij veprimi pati protesta në Amsterdam por edhe në Danimarkë në Kopenhagen.[46] Mijëra të tjerë protestuan në Oslo të Norvegjisë gjithashtu. Ndërsa Rusia planifikoi të bllokonte aksesin në Youtube nëse Google nuk e bënte atë shpejt.[47] Ndërkohë Ministria e Transportit dhe Komunikimit në Turqi, duke respektuar një vendim gjykate në lidhje me këtë çështje, bllokoi hyrjen për tek Youtube. Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan u shpreh se: “Protesta ligjore dhe paqësore nga ana e myslimanëve është një veprim korrekt, por protestuesit nuk duhet të shfaqin asnjë lloj dhune apo terrori”[48]. Në Britani protesta pati pothuaj në të gjitha qytetet kryesore ku veçohen ato të Londrës, Birmingemit, Kardifit etj., të cilat u zhvilluan kryesisht para Ambasadave apo konsullatave amerikane atje. Në Pakistan protestat përfshinë Islamabadin, Karaçin, Lahoren, Peshavarin ku mijëra vetë protestuan dhe u përplasen me forcat e sigurisë së Ambasadës së SH.B.A-ve. Harta e revoltës dhe protestave u shtri në Afganistan, Bangladesh, Kinë ku mbi 3.000 protestues demonstruan në rrugët e Hong Kongut, në Indi, Nigeri, Johanesburg, Kenia, Indonezi. Në Japoni, në Tokio mbi 200 veta protestuan për filmin anti-mysliman, po ashtu edhe në Malajzi, Filipine, Singapor, Tajlandë, Irlandë, Greqi, Norvegji, Zvicër, Ukrainë.
Ndërsa në vendet e Lindjes së Mesme dhe vendet arabe protestat ishin më intensive. Në Egjipt, protestuesit për ditë me radhë në, shtator të 2012-ës, demonstruan para Ambasadës Amerikane në Kajro. Qeveria e Egjiptit i kërkoi Interpolit mandat arresti për 8 personat që kontribuuan në hartimin e filmit, përfshirë edhe pastorin Terri Jones, me akuzën e dëmtimit të unitetit të kombit dhe shpifje ndaj fesë islame.[49] Në Iran protestuesit u mblodhën para Ambasadës së Zvicrës e cila mbulon përfaqësinë e Shteteve të Bashkuara në Teheran. Policia iraniane arriti të zmbrapste turmën duke mos shkaktuar incidente. Në Irak pati protesta në qytetet e Basrës, Sadr City, Naxhaf etj. Në Jordani mbi 1500 veta u mblodhën në qendër të kryeqytetit Aman, ndërkohë që e njëjta gjë ndodhi edhe në Liban në Bejrut. Në kryeqytetin e Kuvajtit në Kuvajt City, qindra protestues u mblodhën para Ambasadës Amerikane atje. Protestat u shtrinë në Marok në Kazablanka dhe Sale me të njëjtin motivacion. Në Palestinë u bënë protesta në Rripin e Gazës dhe në Nablus. Mbi 2.000 veta marshuan në Doha në kryeqytetin e Katarit drejt Ambasadës Amerikane për të denoncuar publikimin e videos anti-islame. Ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit bllokoi hyrjen për në Youtube me justifikimin e tejkalimit dhe dhunimit të normativave kulturore.[50] Në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Sidnej, mbi 500 veta u mblodhën më 15 shtator 2012 për të protestuar kundër filmit. Në këtë protestë pati përplasje me policinë e cila përdori gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për të shpërndarë turmën. Nga përplasja pati gjashtë policë të plagosur, dhjetëra protestues gjithashtu.[51] Në Izrael pati protesta në Tel-Aviv dhe Jeruzalem. Protestuesit u mblodhën para Ambasadës së Sh.B.A-ve atje duke hedhur parulla anti amerikane. Më 2 tetor një grup izraelitësh mblidhen para Ambasadës Amerikanë në Tel-Aviv për të demonstruar mbështetjen e tyre ndaj amerikanëve dhe trupës së tyre diplomatike.[52]
Një ngjarje e cila ia vlen të ndalesh dhe që është e lidhur me rastin e videos së Sam Bacile, është ngjarja e Benghazit. Ashtu si edhe në vendet e tjera, në Libi në kryeqytetin e saj në Tripoli, por edhe në qendrën tjetër të madhe të saj në Benghazi, kishin filluar protestat popullore kundër publikimit dhe shpërndarjes së videos në fjalë. Më 11 shtator 2012, Konsullata Amerikane në këtë qytet, sulmohet nga një grup paramilitar, të cilët arritën të vrisnin 4 punonjës sigurie si dhe Ambasadorin Amerikan në Libi, Chistopher Stevens, i cili ndodhej në një vizitë në konsullatën e Benghazit.[53] Dhjetë ditë më vonë pasi kjo ngjarje tronditi botën dhe i dha tjetër domethënie protestave, më 21 shtator 2012 mbi 30 mijë qytetarë libianë marshuan në rrugët e Benghazit duke mbajtur parulla në të cilat kërkonin drejtësi për vrasjen e ambasadorit. Turma iu drejtua zyrave të grupeve paramilitare që ishin formuar që nga koha e luftës ndaj ish-diktatorit Kadafi dhe u përlesh me to. Si pasojë e kësaj përplasjeje dhjetë vetë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Ditën tjetër banorët e Benghazit arritën të largonin forcat paramilitare nga qyteti dhe e gjithë logjistika e tyre iu dorëzua Ushtrisë Kombëtare të Libisë.[54]
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama deklarohet kundra denigrimit të besimeve fetare dhe kundra akteve të dhunës. Ndërkohë që Kryeministri i Egjiptit Hisham Kandili, deklaron se ajo çka ndodhi në Ambasadën Amerikane në Kajro është e papranueshme dhe e refuzuar nga populli egjiptian duke marrë parasysh edhe faktin që këta njerëz që prodhuan filmin nuk kanë të bëjnë aspak me qeverinë amerikane.[55] Kryeministri Libian Mustafa Abushagur, dënoi fuqimisht aktin e dhunës dhe vrasjen e të pafajshmëve në Benghazi. Këshilli Amerikan për Marrëdhëniet Islame (CAIR) dënoi aktin e dhunës në Benghazi dhe shprehej se ata që e bënë këtë ranë në kurthin e atyre që prodhuan filmin. Të gjitha vendet evropiane po ashtu edhe vendet myslimane dënuan aktin e vrasjes së Ambasadorit amerikan në Benghazi natën e 11 shtatorit 2012. Byroja Federale e Investigimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FBI), e mbikëqyri Nakoulën për arsye të shndërrimit të tij tashmë në një rrezik me potenciale të mëdha në të gjithë globin. Më 27 shtator 2012, FBI e arrestoi atë në Los Angelos me akuzën e përdorimit të identitetit të rremë në një produksion filmik dhe më pas me akuza të tjera për mashtrime të shumta financiare që ai kishte bërë ndaj shtetit dhe institucioneve private amerikane.
Në fakt, dobia më e madhe e gjithë këtyre ngjarjeve të cilat u shtrinë në kohë, nuk ishin vetë karikaturat apo filmimet si punime, as edhe aksioni mediatik që i shoqëroi ato, por ishte debati i madh që u hap në lidhje me sjelljen që duhej t’i atribuohej lirisë së shprehjes kur ajo përballej me një liri tjetër shumë thelbësore të të njëjtit subjekt siç është njeriu, atë të lirisë së besimit. Kjo ngjarje tregoi në shkallë globale se parametrat me të cilat shoqëria njerëzore është ndërtuar, kanë nevojë herë pas here të korrigjohen në drejtim të të kuptuarit të qenët ndryshe të tjetrit.
Debati i cili u përhap në të gjithë globin, përfshiu shumë rrafshe të sferës sociale. Ngjarja shtroi pikëpyetje të forta mbi të kuptuarit së pari të kontekstit ligjor dhe konstitucional të konceptit të lirisë së jashtme të shoqërisë me lirinë e brendshme të ndërgjegjes së individit. Hapi debatin nëse do të duhej të modifikohej liria e shprehjes në një botë tashmë të re, ku qasja religjioze po fitonte terren gjithnjë e më tepër. Krijoi perceptimin se masat ligjore ndaj fyerjes dhe “hate speech” nuk ishin të mjaftueshme dhe nuk përfaqësonin sensibilitetet e shtresave sociale si dhe ishin të ndryshme në vende të ndryshme. Nxori si domosdoshmëri ripërcaktimin e kufijve të lirisë së shprehjes duke e shtrirë atë përtej kufizime social-politike dhe racore, drejt një dimensioni më religjioz dhe përcaktoi kufirin ndarës mes konceptit klasik dhe modern të lirisë së shprehjes
E gjithë ajo çka ndodhi, nuk ishte gjë tjetër veçse paaftësia e të kuptuarit dhe të interpretuarit të tjetrit kulturalisht. Prodhimi i vazhdueshëm i industrisë së frikës që zgjerohet gjithnjë e më shumë, pasurohet përmes kanaleve të komunikimit në dhjetëra forma të ndërlikuara. Të gjitha këto forma kontribuojnë në ndarjen e madhe sociale, ku nga njëra anë demokracia liberale, arsyeja, laicizmi apo edhe sekularizmi, projektohen si vlera të bashkëngjitura Perëndimit, dhe nga ana tjetër religjioni, autoritarizmi, tirania si anë e kundërt e përparimit dhe progresit, perceptohen të bashkëngjitura Islamit. Kjo ndarje e nënkuptuar e cila gjallon në atmosferën mediatike ka kontribuar dhe kontribuon në prodhimin e konflikteve të mëdha qytetërimore. Një bashkëjetesë brenda një planeti e cila aktualizohet mbi bazë keqkuptimi, domosdoshmërisht që e ka jetën e shkurtër. Ngjarje të tilla të kësaj natyre, nuk mundet assesi të mos ushqejnë dhe thellojnë këtë ndasi. Kur shoqëria përballet me konflikte të këtyre përmasave siç ishin edhe ato të shkaktuara nga portretizimi i simboleve të fesë përmes zhanresh përçmuese, atëherë përplasja nuk ngelet vetëm në këndvështrimin social, por shtrihet edhe më tej duke formuar një zonë gri juridike mes të drejtash të cilat shoqëritë moderne ia kanë lejuar sot vetes. Kjo zonë gri, që shtrihet mes lirisë së shprehjes dhe të drejtës për të mos qenë i dëmtuar nga kjo liri e shprehjes, qëndron e pa mbuluar me një shpjegim të qartë juridik. Nga njëra anë kemi retorikën mediatike lidhur me karikaturat dhe filmimet denigruese e blasfemuese, e cila tërësisht mbështetet mbi principin e të drejtës liberale, dhe nga ana tjetër kemi popullsi të tëra besimtarësh identitarë myslimanë, që të drejtën e shohin të bazuar tek principi i dëmit të shkaktuar. Nëse juridikisht do të anohet vetëm drejt njërit prej këtyre dy qëndrimeve atëherë do të legalizonim një koncept të pjesshëm të liberalizmit, pluralizmit dhe tolerancës.
[1]. “Muhammeds ansigt”, Jyllands-Posten, 30 Shtator 2005.
[2]. H. M. Fatah, “At Mecca Meeting, Cartoon Outrage Crystallized”, The New York Times, 9 shkurt 2006.
[3]. www.oic-oci.org/english/is/ex-3/fc-exsumm-en.htm (vizituar më 31 mars 2013).
[4]. www.cartoonbodycount.com (vizituar më 31 mars 2013).
[5]. Feming Rose, “Why I Published Those Cartoons”, The Washington Post, 19 shkurt 2006.
[6]. http://www.therevival.co.uk/forum/general/1707 (vizituar më 1 prill 2013).
[7]. http://www.guardian.co.uk/media/2006/jan/31/religion.saudiarabia (vizituar më 1 prill 2006).
[8]. http://www.arabwestreport.info/year-2005/week-49/5-statement-danish-prime-minister-regarding-drawings-prophet-muhammad (vizituar më 1 prill 2013).
[9]. Engebrigtsen Ada, “Good Governance? The Prophet Muhammad Controversy and the Norwegian Response”, Norwegian Social Research, Nova, 2010 fq.76
[10]. Hedetoft, U. “Denmark: integrating immigrants into a homogeneous welfare state”,Migration Information Source. 2006. Marrë nga, http://www.migrationinformation.org/Profiles/display.cfm?id=485 (vizituar më 1 prill 2013).
[11]. Jakobsen Søren Sandfeld, The Case Regarding the Danish Muhammad Drawings, Copenhagen Business School (http://merlin.obs.coe.int/iris/2006/8/article105.en.html).
[12]. http://www.eu-un.europa.eu/articles/en/article_5696_en.htm (vizituar më 3 prill 2013).
[13]. http://www.oic-oci.org/press/english/2006/January%202006/denmark-3.htm%3E (vizituar më 3 prill 2013).
[14]. Deklaratë per Shtyp e Selisë së Shenjtë, 4 shkurt 2006, www.vatican.va/news_services/index_news.htm
[15]. UN Doc. E/CN.4/2006/17, 13 February 2006, paragraf. 23-28.
[16]. UN Doc.A/60/706, 25 February 2006
[17]. Deklaratë e përbashkët, 2 shkurt 2006 (www.mfa.gov.tr/mfa).
[18]. http://news.bbc.co.uk/2/hi/uk_news/4676524.stm (vizituar më 4 prill 2013).
[19]. “The Guardian”, “Danish paper rejected Jesus cartoons”, 6 shkurt 2006.
[20]. Conference of European Rabbis ,“The right to satirise is not the right to injure or humiliate”. Press release. 5 February 2006.
[21]. Agence France-Presse “Protests in France against controversial cartoons”. 6 February 2006.
[22]. http://news.bbc.co.uk/2/hi/europe/4684930.stm (vizituar më 4 prill 2013).
[23]. Danmarks Radio, “Blair supports Denmark”.6 February 2006.
[24]. http://www.foodproductiondaily.com/Supply-Chain/Nestle-moves-to-dodge-Middle-East-boycotts
(vizituar më 4 prill 2013).
[25]. Amnesty International, “Freedom of speech carries responsibilities for all”. 7 shkurt 2006.
[26]. Browne, Anthony, “The Times”. “World leaders rally round as crisis deepens”. 9 shkurt 2006.
[27]. News Room Finland, “Finland’s NBI probes Suomen Sisu’s Muhammad cartoon posting”.14 shkurt 2006.
[28]. “Corriere della Sera”. 21 prill 2008
[29]. Human Rights Watch, “Questions and Answers on the Danish Cartoons and Freedom of Expression”,15 shkurt 2006.
[30]. http://news.bbc.co.uk/2/hi/europe/4734454.stm (vizituar më 5 prill 2013)
[31]. BBC,“BNP prints controversial cartoon”. 22 shkurt 2006.
[32]. CBS News,“Pakistan Police: 25,000 Protest Cartoons”, 26 shkurt 2006.
[33]. “The Guardian”; Day, Julia “Danish paper threatened with legal action”. Londër, 17 mars 2006.
[34]. “Der Spiegel”, 30 mars 2007.
[35]. BBC News. 14 shkurt 2008.
[36]. Cohen, Patricia “Yale Press Bans Images of Muhammad in New Book”. “New York Times”. 13 gusht 2009.
[37]. BBC News;“Merkel honours Danish Muhammad cartoonist Westergaard”. 8 shtator2010.
[38]. http://jyllands-posten.dk/international/article4388323.ece (vizituar më 6 prill 2013).
[39]. Aftenposten;“Cartoon anniversary:Danish paper decides against reprinting Mohammed drawings”. 28 dhjetor 2010.
[40]. http://www.onthemedia.org/blogs/on-the-media/2012/sep/12/religious-references-innocence- muslims-dubbed/ (vizituar më 8 prill 2013).
[41]. http://gawker.com/5942748/it-makes-me-sick-actress-in-muhammed-movie-says-she-was-deceived-had-no- idea-it-was-about-islam (vizituar më 8 prill 2013).
[42]. http://articles.orlandosentinel.com/2012-09-12/news/os-terry-jones-movie-embassy-bombing-20120912_1_florida-pastor-islam-protests (vizituar më 8 prill 2013).
[43]. Press TV;“Rally against anti-Islam film held in front of White House”, 07 tetor 2012.
[44]. New York Daily News ;“Over 100 arrested in protest of anti-Islam film outside U.S. embassy in Paris” 16 shtator 2012.
[45]. Abna.ir;“Thousands of Italian Muslims condemn defamatory anti-Islam movie in Rome”. 22 shtator 2012.
[46]. Volkskrant.nl;“Geert Wilders: ‘Publiceren en linken anti-islamfilmpje’ – Binnenland – VK”.. 17 shtator 2012
[47]. NZ Herald News; “Russia threatens YouTube block over film – World”. 19 shtator 2012.
[48]. http://www.hurriyetdailynews.com/pm-warns-muslims-of-provocation-over film.aspx?pageID=238&nID=30196&NewsCatID=338 ( vizituar më 8 prill 2013)
[49]. Egypt Independent; “Egypt’s Interpol office seeks warrant against anti-Islam filmmakers”. Al-Masry Al-Youm. 20 shtator 2012
[50]. http://gulfnews.com/news/gulf/uae/general/telecommunication-authority-orders-to-block-anti-islam-video-1.1077828 (vizituar më 8 prill 2013)
[51]. ABC News; “As it happened: Violence erupts in Sydney over anti-Islam film”. 15 shtator 2012.
[52]. Ziri, Danielle; “After Arab embassy hits, Israelis hold pro-US rally”. The Jerusalem Post, 2 tetor 2012.
[53]. Lt. Colonel Tony Shaffer; “To live and die in Benghazi, Libya without leadership from America”. Fox News. 30 tetor 2012.
[54]. The New York Times; “Angry Libyans Target Militias, Forcing Flight”, 22 shtator 2012.
[55]. Reuters; “US ambassador to Libya killed in Benghazi attack”, 12 shtator 2012.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...