Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Mar 23, 2015 Zani i Nalte Aktivitete 0
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Universiteti Bedër, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Delegacionin e Komisionit Evropian, organizuan më 20 mars 2015, konferencën ndërkombëtare me titull: “Islami dhe Paqja Globale”.
Qëllimi i kësaj konference ishte dhënia e një kontributi në përmirësimin e klimës së paqes globale, duke ofruar kështu një mjet për shkëmbimin e informacionit dhe një platformë ku studiues nga vende dhe kultura të ndryshme të diskutojnë me fokus kryesor parandalimin dhe trajtimin e problemeve që cenojnë paqen globale, si dhe edukimin me vlerat e respektit dhe pranimit të njëri-tjetrit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: “Praktika fetare tradicionale e Islamit në Shqipëri, është mënyra më gjithëpërfshirëse larg instrumentalizimit, ndjekëse korrekte e parimeve burimore, e cila injekton dëshirën për të dialoguar me gjithkënd, duke respektuar gjithsecilin në pozicionin e vet. Shpeshherë autorë të ndryshëm këtë e quajnë “Islami shqiptar”, por kjo mënyrë e të jetuarit të Islamit, është vetë Islami burimor”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, theksoi se shqiptarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjellë, duke u bërë model dhe shembull frymëzues edhe për shoqëri të tjera.
“Modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare dhe i pranimit të tjetrit ndryshe, na frymëzon në vizionin tonë për një botë të paqtë, ku racat, fetë, kulturat, të gjithë njerëzit, bashkëjetojnë në harmoni”, u shpreh z. Nishani.
Ambasadori amerikan, z. Donald Lu, pasi përgëzoi Komunitetin Mysliman për organizmin e kësaj konference, theksoi se, në kushtet ku jetojmë, është e domosdoshme harmonia dhe respekti midis njerëzve.
“Ju përgëzoj për punën tuaj të palodhur. Kontributi që ju jepni është shprehja më e vërtetë e besimit tuaj. Nisur nga kjo, jam i bindur se Zoti do t’ju japë çfarë ju nevojitet për t’ia dalë mbanë në misionin tuaj të lartë e human”, u shpreh z. Lu.
Ndërsa ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, znj. Romana Vlahutin, e vuri theksin në harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore që karakterizon shqiptarët e të gjitha besimeve.
“Jam e nderuar që marr pjesë në një organizim të tillë, i cili, veç të tjerash, tregon për respektin dhe vlerësimin që ju keni dhe ushqeni për bindjet dhe vlerat e njëri-tjetrit”, tha znj. Vlahutin.
Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj.
I ftuar special në këtë konferencë ishte Prof. Dr. John Esposito, pedagog i Fesë, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Studimeve Islame në Universitetin Georgetown, si dhe një ndër studiuesit më të njohur në fushën e religjioneve.
Profesori italo-amerikan foli gjatë mbi dallimet dhe qëndrimet rreth Islamit dhe kontributit të tij për forcimin dhe konsolidimin e paqes në kontekstin e zhvillimeve globale.
“Pavarësisht dallimeve, – u shpreh z. Esposito, – ne duhet të punojmë për të luftuar çdo formë të ekstremizmit, duke mbrojtur dhe kultivuar vlerat humane, të cilat çdo fe hyjnore i ka dhe kërkon t’i përçojë për të mirën e njerëzimit.”
Konferenca vijoi me dy seanca shkencore, ku studiues të shkencave humane dhe të fushës së dialogut ndërfetar të ardhur nga SHBA, Italia, Arabia Saudite, Egjipti, Kosova, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnje Hercegovina, etj, përcollën ide dhe pikëpamje të ndryshme lidhur me këndvështrimin e Islamit mbi dhunën dhe terrorin.
Temat e trajtuara ofruan një panoramë të gjerë e të larmishme, duke kristalizuar bindjen se Islami dënon çdo lloj akti që cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe se qëllimi kryesor i islamit është arritja e paqes së njeriut me Zotin, veten dhe mbarë njerëzimin.
Referuesit argumentuan po ashtu se dialogu ndërfetar është një instrument i domosdoshëm për forcimin e paqes dhe një faktor i rëndësishëm për parandalimin e radikalizmit apo ekstremizmit.
Konferencën e përshëndetën edhe përfaqësues të bashkësive islame të Ballkanit. Në mesazhet e tyre ata u fokusuan në vlerat universale të Islamit dhe kontributin që ai duhet të japë për nxitjen e dialogut dhe afrimin e kulturave me njëra-tjetrën.
Kjo konferencë, për sa u projektua dhe për objektivat që përcaktoi, kontribuoi në njëfarë mënyre për të vendosur disa piketa në rrugën e dialogut ndërmjet kulturave të ndryshme religjioze.
Duhet theksuar se konferenca shërbeu gjithashtu si një pikëtakim i rëndësishëm ku studiues dhe ekspertë të fushës së religjionit, por jo vetëm, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, u përpoqën të kontribuojnë sadopak me njohuritë e tyre në analizën e situatës aktuale dhe ofrimin e zgjidhjeve praktike për kultivimin e mirëkuptimit dhe dialogut.
Gjatë konferencës u theksua gjithashtu se një ndër vlerat kryesore me të cilat është përforcuar mesazhi i Profetit Muhamed a.s. është respektimi i parimit të pluralizmit, diversitetit dhe lirisë, diversitetit të besimeve, etnive dhe racave, si kulturave dhe civilizimeve të ndryshme.
Çdo përpjekje për konfiskimin e parimit të pluralizmit, diversitetit dhe lirisë, është një përpjekje jo islame dhe nuk shpreh Islamin e saktë edhe nëse praktikuesi i kësaj përpjekjeje është prej pasuesve të këtij të fundit, këto praktika mbeten larg esencës së Islamit dhe vlerave të tij.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, në mbyllje evidentoi disa nga arritjet e kësaj konference të rëndësishme, duke vlerësuar faktin se shumë probleme sot mund të marrin lehtësisht zgjidhje përmes dialogut dhe paqes njëri me tjetrin.
“Gjej rastin t’ju drejtoj të gjithëve me shumë mirënjohje një falënderim të sinqertë për pjesëmarrjen, duke shpresuar dhe besuar se punimet dhe opinionet tuaja do t’i vlejnë qëllimit fisnik të kësaj veprimtarie”, tha në përmbyllje të konferencës Kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj.
Në sesionin e parë të moderuar nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi, u trajtuan temat: “Qëndrimi i Islamit ndaj dhunës dhe terrorit”, Prof. dr. Ihsan Yilmaz; “Islami dhe paqja globale – origjina praktika dhe rrugëdalja”, Prof. As. dr. Ahmet Ecirli; Strategjia e Islamit në ndërtimin e paqes në botë – duke pasur si referencë mendimin e Fethullah Gylen”, Prof. dr. Mohamad Sharkawi; “Dialogu ndërfetar, rruga drejt paqes, Prof. dr. Ambrogio Bongiovani.
Ndërsa në sesionin e dytë të moderuar nga rektori i Universitetit Bedër, Dr. Ferdinand Gjana, u trajtuan temat: “Respekti ndaj të shenjtës dhe qëndrimi kundrejt mosrespektimit të së shenjtës nën dritën e Kuranit dhe traditës profetike”, Dr. Atakan Derelioglu; “Përfshirja që i bën Islami feve të ndryshme dhe diversitetit të qytetërimeve”, Prof. dr. Sherif Hatim Avni; “Toleranca fetare shqiptare – si vlerë historike dhe virtyt i Republikës Demokratike”, Prof. dr. Gjergj Sinani.
Ndërsa në seancën speciale të moderuar nga Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, referuan Resul Rexhepi sekretar i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Mevlud Dudiç, Kryetar i Bashkësisë Islame të Serbisë, Hajrudin Mujkanoviç, përfaqësus nga Bashkësia Islame e Kroacisë.
Konferenca pati një jehonë mjaft pozitive, duke u transmetuar nga të gjitha mediat e vendit, si dhe në disa të huaja.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Jun 18, 2021 0
Jun 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...