Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Mar 05, 2015 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Dr. Muhamed Sherkavi
Fakulteti i Shkencave Islame, Universiteti El-Ez’her, Kajro, Egjipt
Abstrakt
Karta e Medines dhe pakti i nënshkruar me të krishterët e Nexhranit dhe rrethinat e tij, si marrëveshja e Omerit më vonë, u garantonin qytetarëve nga ithtarët e Librit një status të privilegjuar në shtetin Islam. Profeti Muhamed a.s. ua garantoi të drejtat e tyre duke i konsideruar se janë në besën e Zotit dhe të Muhamedit a.s., të Dërguarit të Zotit. Karta e Medines mbyllet me fjalët: “Allahu dhe i Dërguari i Tij (s.a.v.s) do të jenë mbrojtësit e cilitdo, që do ta respektojë me gjithë zemër këtë marrëveshje dhe do t’i bindet asaj.”
Nuk duhet të harrojmë se kjo Kartë kushtetuese është shkruar në një kohë kur as që bëhej fjalë për të drejtat e qytetarëve në dy perandoritë e asaj kohe, ajo e Bizantit dhe e Persisë, e jo më për të drejtat e fiseve arabe në Gadishullin Arabik. Nëse sjellim ndërmend orvatjet e Platonit dhe Aristotelit për të hartuar një teori politike për shoqërinë greke, kuptojmë dallimet madhore mes Kartës së Medines dhe teorive të filozofëve politikë që u hartuan nga Platoni (te libri Republika) dhe Aristoteli në librin e tij mbi politikën.
Që në ditët e tij të para, Islami i orientoi njerëzit tek origjina e tyre e përbashkët, me besimin se diversiteti është një domosdoshmëri që u mundëson njerëzve të njihen dhe të integrohen. “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat, 13)
Gjatë haxhit të lamtumirës, profeti Muhamed a.s.. iu drejtua të pranishmëve me fjalët: “O njerëz! Zoti juaj është një dhe i Vetëm, babai juaj ishte një, prandaj arabi nuk prevalon ndaj joarabit dhe jo arabi nuk prevalon ndaj arabit, as i kuqi ndaj të ziut dhe as i ziu ndaj të kuqit, veçse me devotshmëri. A e transmetova?” (Imam Ahmed)
Diversiteti, ligj hyjnor
Karta e Medines, apo “Pakti i Medines” për të cilën profeti Muhamed a.s.. tregoi interes të madh derisa e hodhi në letër, hodhi themelet e bashkëjetesës mes qytetarëve të qytetit të ri të rithemeluar nga Profeti a.s.., qytet të cilin e udhëhiqte ai vetë. Pasi u vendos në Jethrib, ai ia ndryshoi emrin duke e quajtur Medine, vëllazëroi mes muhaxhirëve mekas dhe vendasve edhe pse i përkisnin fiseve nga më të ndryshme. Paskëtaj, ai ngriti shtetin e parë islam të pavarur.
Medina ishte një shtet me kufij gjeografikë të përcaktuar, përbëhej nga banorë myslimanë, hebrenj dhe idhujtarë, gjë e cila do të thotë se përkatësia fetare e këtij shteti të porsalindur ishte e shumëllojtë, ashtu siç ishin të shumëllojtë fiset dhe kulturat e tyre.
Karta e Medines tregon se drejtësia e gjykatës është garanci për bashkëjetesën mes qytetarëve të një shteti. Karta i obligonte të gjithë që të bëhen një dorë e vetme kundër padrejtësisë dhe të rreshtohen në anën e njerëzve të persekutuar kundër zullumqarëve.
Kushtetuta e Medines shpalli parimet e qeverisjes së shtetit të ri, detyrimet e qytetarëve, marrëdhëniet mes tyre dhe lidershipit që në këtë rast ishte profeti Muhamed a.s.. dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me të drejtat dhe detyrimet kushtetuese.
Leximi i këtij pakti, na njeh me një tekst kushtetues të pashembullt dhe të panjohur më parë në historinë e mendimit njerëzor. Ai është unik për nga bashkëjetesa që përcjell mes qytetarëve të ndryshëm të një shteti të porsalindur. Një ndër parimet madhore që pikaset kollaj në këtë kartë është dhe ai i diversitetit, pranimi i tjetrit pavarësisht besimit, racës dhe kulturës.
Karta në fjalë, u njohu hebrenjve të drejtën e të qenët një komb, bashkë me besimtarët myslimanë. Kjo nuk ishte një e drejtë që u njihej vetëm hebrenjve të fisit Benu Auf, por përfshinte edhe hebrenjtë e fiseve Benu Nexhar, Benu Harith, Benu Saide, Benu Xheshm, Benu Thalebe, Benu Eus, Benu Xhifne etj…
Karta e Medines ishte ajo që e themeloi dhe e qartësoi këtë parim për të gjithë qytetarët. Sipas saj, myslimanët dhe hebrenjtë në Medine, në shtetin e profetit Muhamed a.s.., konsiderohen si një komb i vetëm: “Hebrenjtë e Benu Auf, janë qytetarë të një kombi bashkë me myslimanët. Hebrenjtë kanë fenë e tyre, kurse myslimanët fenë e tyre. Këtu bëjnë përjashtim vetëm ata që bëjnë padrejtësi, por që marrin në qafë vetëm veten dhe familjen.”
Në këtë kartë, ceket qartë theksimi që Islami i bën pranimit të diversitetit fetar. “Hebrenjtë kanë fenë e tyre dhe myslimanët fenë e tyre.” E megjithatë, pas kësaj ceket fakti se të dy palët përbëjnë një kombësi të vetme politike dhe kushtetuese, edhe pse secili ka fenë e vet përkatëse. Me këtë rast, vlen të përmendim atë që ceket në Kur’anin fisnik: “Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time.” (Kafirun, 6)
“Vërtet, si ata që kanë besuar, ashtu dhe hebrenjtë, sabi’inët, të krishterët, mexhusitë e idhujtarët, Allahu do t’i gjykojë drejt të gjithë Ditën e Kiametit. Nuk ka dyshim, se Allahu është dëshmitar për çdo gjë.” (Haxh, 17)
Ajeti i mësipërm përmend besimet dhe fetë, myslimane, hebraike, të krishtere, mexhusët dhe idhujtarët, pranë njëri-tjetrit, mandej sqaron se gjykimi përfundimtar mes tyre do i përkasë vetëm Zotit, ditën e Gjyqit të Madh dhe jo në këtë botë. Ithtarët e besimeve dhe feve të ndryshme, e kanë si obligim që të bashkëjetojnë në paqe dhe harmoni në këtë botë, ta pranojnë njëri-tjetrin, t’ua njohin njëri-tjetrit të drejtat bazë dhe se asnjëri nuk ka pushtet të gjykojë besimet e të tjerëve.
Fjala “umet” në arabisht, në vetvete rrok kuptime të ndryshme, duke filluar nga një grup i cili dallon nga të tjerët për shkak të disa karakteristikave. Një kuptim tjetër i fjalës “Umet” është dhe ai që përmendet në pasazhin Kur’anor: “Dhe Ne i shpërndamë ata në Tokë grupe-grupe (umete).” (Araf, 168) Pra i ndamë në grupe ku secili ka karakteristikat e veta.
Por fjala “umet” vjen edhe në kontekstin fetar dhe atë të besimit, gjë të cilën e përmend dhe Karta e Medines kur flet për muhaxhirët nga Meka dhe mikpritësit e Medines, të cilët i njeh si umet unik, në dallim nga njerëzit e tjerë.
Për nga konteksti fetar dhe ideologjik, myslimanët përbënin një “umet” unik, ndërkohë që për nga konteksti politik, ata dhe jomyslimanët e tjerë, përbënin po një “umet-komb, popull” unik, pavarësisht ndryshimit të fesë dhe besimit.
Karta e Medines dhe objektivat madhorë
Karta e cila vendos bazat kushtetuese të qeverisjes nga ana e profetit Muhamed a.s.., nuk cek veçse parimet madhore dhe qëllimet më sublime të Sheriatit Islam. Ajo nuk ndalet tek degëzimet dhe ligjet e detajuara të cilat pranojnë interpretim dhe mund të ndryshojnë sipas kohës dhe vendit.
Karta vendos parimin e lirisë së besimit dhe fesë: “Hebrenjtë kanë fenë e tyre dhe myslimanët kanë fenë e tyre.” Gjë e cila e zhvesh profetin Muhamed a.s.. nga çdo formë imponimi dhe pushteti, edhe pse është udhëheqësi i shtetit. Liria e besimit ishte e garantuar, bazuar në tekstin e Kartës së Medines, për të gjithë qytetarët e shtetit të ri. Islami ua garantoi njerëzve liritë e tyre, u garantoi lirinë për të zgjedhur, sepse islami e njeh natyrën e njeriut, atë natyrë me të cilën e krijoi vetë Zoti i gjithësisë.
Në shumë pasazhe, Kur’ani e thekson të drejtën e njerëzve për të zgjedhur besimin e tyre me liri të plotë. Thotë Zoti në disa nga këto pasazhe:
“S’ka detyrim në fe” (Bekare, 256)
“dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” (Gashije, 22)
“Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” (Junus, 99)
Vlen të citojmë këtu se këto udhëzime Kur’anore dhe profetike, lidhur me të drejtën e njerëzve për të zgjedhur lirisht fenë dhe besimin e tyre, ishte diçka e panjohur në historinë njerëzore. Diçka e tillë ishte një risi për njeriun, gjë e cila do i mundësonte të lartësohej në rrugën drejt përsosmërisë.
Sheriati Islam e ka garantuar lirinë e mendimit dhe lirinë e besimit. Që nga fillimi e deri në fund, Kur’ani nuk merret veçse me argumentet logjike për pranimin e një Zoti të vetëm dhe të pashoq. Legjislacioni Islam i ndalon çdokujt që të shtrëngojë dikë tjetër për të pranuar një besim të caktuar, ose për ta detyruar të konvertohet në besimin e tij. Islami e sheh si të pamundur imponimin e besimit, ashtu siç refuzon diskriminimin e tjetrit në bazë fetare.
Një nga bazat themelore të bashkëjetesës që gjendet në Kartën e Medines, është dhe drejtësia. Karta në fjalë e vendosi drejtësinë si një parim kushtetues të qeverisjes së shetit. Ai ishte parim i bashkëjetesës mes qytetarëve të shtetit që udhëhiqej nga profeti Muhamed a.s.. Teksa lexon pikat e Kartës, të bie në sy përsëritja e fjalës “Drejtësi” e cila përmendet plot tetë herë. Karta flet edhe për detyrat e secilit si në gjendje paqeje ashtu dhe në gjendje lufte. “Hebrenjtë përballojnë jetesën e tyre dhe myslimanët të tyren.” Këtu bëhet fjalë për gjendjen e paqes. Kurse në rast lufte: “Hebrenjtë shpenzojnë për luftën bashkë me myslimanët, përderisa luftohen si shoqëri.” Kjo është përsëritur edhe në pikën 24 të Kartës së Medines.
Karta thekson se drejtësia e plotë dhe gjithëpërfshirëse është e garantuar për të gjithë dhe se “Këtë Kartë nuk e shkel veçse një zullumqar dhe gjynahqar.” Karta u garanton të drejtën e lëvizjes së lirë të gjithë qytetarëve njëlloj “Kushdo që del jashtë Medines është i sigurt, kushdo që qëndron në Medine është i sigurt, përveç atyre që bëjnë padrejtësi dhe parregullsi.” Karta mbyllet me fjalët: “Zoti e mbroftë atë që sillet drejt dhe i frikësohet Atij. Muhamedi është i dërguari i Zotit.”
Drejtësia mes qytetarëve dhe mes tyre e pushtetarëve, konsiderohet me të drejtë si një nga parimet e para kushtetuese të Sheriatit Islam. Në Kur’an, Zoti urdhëron për diçka të tillë në shumë pasazhe të qartë, të pakontestueshëm dhe që nuk lënë vend për interpretim. “Zoti urdhëron për drejtësi dhe mirësi”. Në Kur’an është e ndaluar çdo formë padrejtësie. “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju.” (Nisa, 135)
“Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Plotësojani besën e dhënë Allahut! Këto ju porosit Ai që të mos harroni.” (En’am, 152)
“Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt. Ne e zbritëm hekurin, në të cilin ka (material për) luftë të fuqishme dhe dobi (të tjera) për njerëzit, me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë dhe të dërguarit e Tij, pa e parë Atë. Me të vërtetë, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Hadid, 25)
Ibnul Kajim, në librin e tij “Turuk Hakime” shpjegon qartë se “Vendosja e drejtësisë mes njerëzve, pavarësisht diversitetit në besimet fetare dhe racat, është qëllimi i shpalljes së librave të shenjtë dhe dërgimit të profetëve. Drejtësia në politikë është pjesë e fesë. Nëse shfaqen treguesit e drejtësisë në çfarëdolloj forme, aty është ligji i Zotit dhe feja e tij.”
Karta e Medines thekson se drejtësia e gjyqësorit është baza për garantimin e bashkëjetesës mes qytetarëve të shtetit. “Kush vret pa të drejtë, dënohet me vdekje, përveç në rastin kur familjarët pranojnë dëmshpërblimin.”
Karta i obligon të gjithë qytetarët që të jenë kundër zullumqarit, si një dorë e vetme dhe se nuk ka rrugë tjetër veçse ta ndihmojnë njeriun që i është bërë padrejtësi.
Karta ka hedhur bazat e një parimi gjyqësor të rëndësishëm, siç është distancimi nga mbështetja e kriminelëve dhe keqbërësve, duke mos i strehuar dhe fshehur, sepse kjo cenon drejtësinë. “Nuk i lejohet një besimtari që e ka pranuar përmbajtjen e kësaj Karte, që ka besuar Zotin dhe botën tjetër, që të ndihmojë kriminelin dhe ta strehojë atë. E nëse e bën këtë, mbi të qoftë mallkimi i Zotit dhe i engjëjve, mbi të qoftë zemërimi i tyre ditën e Kiametit. Kjo vepër e tij nuk mund të dëmshpërblehet dhe për të nuk ka pendim.”
Njëkohësisht, Karta thekson një parim tjetër gjyqësor të rëndësishëm, përgjegjësinë individuale për çdo krim të kryer dhe për rrjedhojë, edhe dënimi është personal, vetëm për personin që e ka kryer atë. Askush tjetër nuk mund të mbajë përgjegjësi në vend të autorit të krimit. Diçka të tillë, Karta e thekson në më shumë se një nen të saj “Përveç atij që bën krim dhe padrejtësi, për të cilën nuk mban përgjegjësi askush tjetër veç tij.” “Nuk ngarkohet me përgjegjësi askush për fajin e një tjetri”.
Karta e Medines hodhi bazën e lirisë së besimit dhe zgjedhjes së fesë. “Hebrenjtë kanë fenë e tyre dhe myslimanët të tyren”. Kështu, nuk i lejohet askujt ti imponojë dikujt tjetër një besim të caktuar. As vetë të Dërguarit të Zotit a.s.., i cili ishte në cilësinë e udhëheqësit legjitim të shtetit, nuk i lejohej t’i imponojë besimin ndokujt. Karta në fjalë i garantonte lirinë e besimit të gjithë qytetarëve të shtetit të Medines.
Këto ishin ndryshime që në total i kishte sjellë Islami, por që ritheksoheshin edhe njëherë nëpërmjet kësaj Karte.
Përgjegjësinë individuale e thekson Kur’ani në disa pasazhe, ndër të cilat:
“Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit.” (Fatir, 18)
“Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Tur, 21)
Vlera e bashkëjetesës mes qytetarëve të shtetit të ri, të cilën e thekson Karta e Medines, i nxiti qytetarët për ta vënë në praktikë dhe për ta konsideruar si virtyt të madh ndihmën ndaj njëri-tjetrit, këshillën dhe respektin. Karta hodhi bazën e parimit për domosdoshmërinë e mbështetjes së njerëzve ndaj të cilëve bëhen padrejtësi dhe persekutohen. “Askush nuk mban përgjegjësi për shkeljet e tjetrit dhe se i persekutuari duhet të gëzojë mbështetje.” Në Kartë theksohet se komunikimi me respekt dhe mirësi, ndihmon për bashkëjetesën mes qytetarëve,
Të drejtat e fqinjit, Karta e Medines i barazon me të drejtat e njeriut dhe se fqinji duhet të kërkojë lejen e qytetarëve të tjerë për të marrë në mbrojtje një person nga jashtë. Kushdo që e respektonte këtë marrëveshje nga hebrenjtë, do të gëzonte mbështetjen dhe ndihmën e myslimanëve, pra kishte barazi në të drejta qytetare.
Një parim tjetër i theksuar nga kjo kartë kushtetuese, rreth jetesës së përbashkët, ishte se një popull i vetëm i një shteti, mund të përbëhej nga një diversitet fetar, racor dhe kulturor, ku të gjithë ndanin njëlloj si të drejtat ashtu dhe detyrimet financiare dhe ushtarake dhe që gjykoheshin nga të njëjtat ligje të drejtësisë. Përgjegjësia e akteve kriminale do të ishte individuale dhe do të ndëshkohej vetëm personi që kryen krimin. Të gjithë do të gëzonin të njëjtat të drejta, do të ndanin po të njëjtat detyrime, do të respektonin normat morale, fqinjësinë e mirë… Në detyrimet dhe të drejtat politike, kushtetuese, ekonomike, ushtarake dhe pjellore, të gjithë qytetarët ishin njëlloj, pavarësisht përkatësive fetare dhe etnike.
Karta i jep të drejtën secilit grup që të ketë praktikat e veta të cilat kanë të bëjnë me anëtarët e grupit dhe që nuk bien ndesh me të drejtat dhe detyrimet publike të të gjithë qytetarëve.
Vihet re se Karta cek grupin e besimtarëve myslimanë që përbëhej nga muhaxhirët mekas dhe mikpritësit medinas, ashtu siç cek edhe hebrenjtë pavarësisht fiseve dhe aleatëve të tyre. Ajo cek edhe disa idhujtarë.
Karta e ka shtjelluar qartësisht respektin për identitetin e çdo grupi brenda identitetit publik të shtetit. Ajo u ka njohur disa të drejta specifike myslimanëve, ashtu siç e ka bërë edhe me hebrenjtë, ndërkohë që i obligon të gjithë me detyrime të cilat nuk prekin identitetin e çdo grupi. Në Kartën e Medines shohim se liria, drejtësia, barazia, respekti, mbrojtja, këshilla … janë të drejtat e çdo qytetari dhe individi të shtetit të Medines, pavarësisht përkatësisë së tij ndaj një grupi apo një tjetri, pavarësisht besimit dhe bindjes së tij në një fe apo një tjetër.
Karta ua linte portën e hapur të gjithë qytetarëve hebrenj, që nëse u bëhet ftesë për paqe, ti përgjigjen, ashtu siç i obligonte të gjithë besimtarët myslimanë që ti përmbahen marrëveshjes përveçse me armiqtë në fe.
Teksa lexon këtë Kartë, të vjen ndërmend marrëveshja dhe besa që profeti Muhamed a.s.. u dha të krishterëve të Nexhranit, në paktin me të cilët shkruhej:”Banorët e Nexhranit dhe rrethinat e tij, kanë besën e Zotit dhe të Muhamedit, të dërguarit të Zotit, për pasuritë, jetën, tokat, fenë, njerëzit prezentë dhe ata në udhëtim, si dhe gjithçka tjetër që është në duart e tyre, sado e vogël apo e madhe të jetë. Nuk ndryshohet asnjë nga peshkopët e tyre, asnjë murg dhe prift. Tokat e tyre nuk do i shkelë ushtria. Kushdo prej tyre që kërkon një të drejtë, do i jepet sipas drejtësisë, përderisa nuk kanë bërë padrejtësi.”
Karta e Medines dhe pakti i nënshkruar me të krishterët e Nexhranit dhe rrethinat e tij, si marrëveshja e Omerit më vonë, u garantonin qytetarëve nga ithtarët e Librit një status të privilegjuar në shtetin Islam. Profeti Muhamed a.s. ua garantoi të drejtat e tyre duke i konsideruar se janë në besën e Zotit dhe të Muhamedit a.s., të Dërguarit të Zotit. Karta e Medines mbyllet me fjalët: “Allahu dhe i Dërguari i Tij (s.a.v.s) do të jenë mbrojtësit e cilitdo, që do ta respektojë me gjithë zemër këtë marrëveshje dhe do t’i bindet asaj.”
Nuk duhet të harrojmë se kjo Kartë kushtetuese është shkruar në një kohë kur as që bëhej fjalë për të drejtat e qytetarëve në dy perandoritë e asaj kohe, ajo e Bizantit dhe e Persisë, e jo më për të drejtat e fiseve arabe në Gadishullin Arabik. Nëse sjellim ndërmend orvatjet e Platonit dhe Aristotelit për të hartuar një teori politike për shoqërinë greke, kuptojmë dallimet madhore mes Kartës së Medines dhe teorive të filozofëve politikë që u hartuan nga Platoni (te libri Republika) dhe Aristoteli në librin e tij mbi politikën.
Sigurisht që pikat që përmban Karta e Medines, ajo e banorëve të Nexhranit dhe marrëveshja e Omerit më vonë, duhet të merren për bazë nga shkollat e fikut (juridike) dhe praktikat ligjore të myslimanëve me bashkatdhetarët e tyre.[1]
Përktheu:
Elmaz Fida
[1]. Marrë nga Revista Hira, nr. 40, viti XI (janar – shkurt), Stamboll, Turqi, 2014:24-29.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...