Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 01, 2015 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Hafiz Ali Kraja
Abstrakt
Para luftës së përgjithshme, bota, me lidhje politike e me marrëveshje të popujve, pak a shumë kishte siguruar një qetësi të dukshme dhe popujt mes tyre bënin konkurrencë ekonomike, duke u munduar t’ia kalojnë njërit-tjetrit. Ky mendim i shëmtuar, dalëngadalë i futi shoqëritë njerëzore në një veprim mekanik dhe jetën e popujve filloi ta sundojë jeta materiale e jo lidhja shpirtërore. U përhap propaganda se besimi fetar ishte një pengesë e fortë, e cila konsiderohej se ishte kundër zhvillimit të përparimit njerëzor dhe në këtë frymë zhvilloheshin diskutime të rrepta.
Gystav lë Bon (Gustave le Bon) duke folur mbi këtë çështje thotë: “Në kohën e tanishme e tërë Evropa i është nënshtruar një çrregullimi të rrezikshëm. Duke kaluar nëpër kriza të rrezikshme qysh prej luftës së përgjithshme, ekuilibri shoqëror, ekonomik dhe politik, tërhoqi vërejtjen e mendimtarëve, udhëheqësve të popujve, të cilët filluan të mendojnë dhe të punojnë në drejtim të tejkalimit të këtij çrregullimi. Ajo që u vërejt ishte rikthimi kah ndjenjat fetare e shpirtërore, pa të cilat u vërtetua se nuk kishte shpëtim”.
Po shohim se një pjesë e pseudo-intelektualëve po i sulmojnë sot në Shqipëri fetë e njohura qiellore. Arsyeja e këtij sulmi rrjedh nga fakti se, kinse nuk është e mundur të formohet një unitet kombëtar dhe një dashuri e vërtetë, ngase pjesëtarët e besimeve të ndryshme janë kundërshtarë të njëri-tjetrit. Meqë ky pretendim nuk mund të pajtohet me besimin tonë, jam i detyruar ta qortoj këtë gabim.
Islami nuk i njeh për kundërshtarë ndjekësit e Krishtit, për më tepër, i konsideron ata si anëtarë të mëshirshëm. Kjo mund të vërtetohet me këtë ajet të Kuranit të Madhërueshëm në të cilin shihet se me çfarë ndjenjash myslimanët janë të pajisur ndaj të krishterëve: “O Muhamed! Në mes të kundërshtarëve, në mënyrë të dashurisë, më të afërm i gjen të krishterët (Nesara)” Se ne, në pikëpamje të dhimbjes dhe dashurisë, krishterët i njohim më të afërt, këtë e tregon edhe dëshpërimi që patën myslimanët me rastin e disfatës që pësuan të krishterët në një luftë. Këtë e vërteton edhe historia. Në kohën kur Muhamedi (a.s.) ishte duke luftuar idhujtarët e Mekës, ushtria idhujtare (mexhuse) e Persisë kishte arritur një fitore të madhe luftarake kundër krishterëve të Bizantit. Idhujtarët e Mekës, të cilët i konsideronin si vëllezër Persianët, ndërsa myslimanët dhe të krishterët i llogarisnin si bashkudhëtarë në kërkim të Perëndisë, u gëzuan për këtë fitore të Persisë dhe u dërguan lajme myslimanëve se së shpejti do t’u thyejnë fuqinë atyre sikur vepruan me vëllezërit e tyre të krishterë. Disfata e të krishterëve shkaktoi një dëshpërim te Pejgamberi (a.s.) si dhe te shokët e tij. Por pas disfatës së bizantinëve erdhi ky ajet i Kuranit: “Rumët (bizantinët) në tokën e tyre pësuan disfatë, por, pas kësaj disfate ata do të korrin fitore brenda pak viteve (tre deri në dhjetë vjet)”. Me këtë ajet të Kuranit u ngushëlluan zemrat e myslimanëve me një shpresë të fitores së afërt. Dhe me të vërtetë, në vitin 625, të krishterët korrën fitore kundër persianëve dhe e larguan ushtrinë e tyre jashtë tokave të Perandorisë Bizantine. Ja pra, prej kësaj kuptohet se myslimanët pasuesit e Krishtit i njihnin si anëtarë të mëshirshëm.
Pos kësaj, dihet se në pallatet e mbretërve myslimanë, shumë dijetarë të krishterë kanë qenë të mirëpritur dhe çonin një jetë të lumtur. Ata që kanë lexuar dhe mësuar historinë e mbretërisë së Abasidëve, sidomos në kohën e sundimit të mbretit Ma’mun kanë parë se shumë dijetarë e filozofë të krishterë dhe hebrenj janë ftuar në oborrin mbretëror të diskutojnë rreth çështjeve teologjike e filozofike bashkë me dijetarët myslimanë dhe secili prej tyre ishte i lirë t’i parashtronte pikëpamjet dhe mendimin e vet. Për ta vërtetuar këtë thënie po tregojmë se çfarë thotë një dijetar amerikan në librin e tij “History of the conflicts”: “Këta lloj dijetarësh që punonin në oborrin mbretëror të Abasidëve në Bagdad, jo vetëm që nuk u merrej fare parasysh vendlindja, kombësia dhe besimi, por përkundrazi, si shpërblim për diturinë e tyre, emëroheshin edhe në shkallë të larta shtetërore dhe me dhuratat që iu jepeshin siguronin jetën e tyre”.
Ja pra, në themelet e parimeve të besimit të myslimanëve që shihet nga kjo, duke u bashkuar me të krishterët janë në gjendje ta ruajnë dashurinë kombëtare dhe ta gëzojnë jetesën e përbashkët. Kështu mund të ruhet edhe pavarësia e fituar së bashku me të gjitha sakrificat, duke kaluar mbi çdo pengesë që paraqitet ndër besimet e tyre.
Drejtimi i botës së qytetëruar pas luftës së përgjithshme
Sikurse dihet sot, bota është duke u tundur dita më ditë nga ngjarjet e ndryshme, mu sikur një barkë që e zënë furtunat e detit. Po ta vërejmë botën me një shikim të asnjanshëm, do të shohim se sa fort janë larguar qetësia dhe fatbardhësia, që janë qëllim i qytetërimit, dhe janë bërë ëndrra në këtë shekull. Lufta e përgjithshme (Lufta e Parë Botërore) pasi i kushtoi botës shumë shtrenjtë, me humbjen e miliona njerëzve, me rrënimin e baraspeshës ekonomike, në kohën kur mendohej se armiqësia midis popujve u zhduk, tani solli kriza të pashembullta, çrregullime të veçanta, pikëpamje të ndryshme aq sa shpirti i qytetërimit gati sa nuk u zhduk, solli turbullira të cilave nuk u dihet fundi. Tani mund të pyesim, a thua të gjitha këto lëvizje nuk kanë asnjë shtytës dhe një shkak të vërtetë të tyre?
Dituria shoqërore nuk e ka regjistruar asnjë fenomen që është bërë pa ndonjë shkak, po ashtu as një mendim të ardhur kot. Pra, cili është themeli i cili e ka prishur qetësinë dhe rregullat e botës?
Para luftës së përgjithshme, bota, me lidhje politike e me marrëveshje të popujve, pak a shumë kishte siguruar një qetësi të dukshme dhe popujt mes tyre bënin konkurrencë ekonomike, duke u munduar t’ia kalojnë njërit-tjetrit. Ky mendim i shëmtuar, dalëngadalë i futi shoqëritë njerëzore në një veprim mekanik dhe jetën e popujve filloi ta sundojë jeta materiale e jo lidhja shpirtërore. U përhap propaganda se besimi fetar ishte një pengesë e fortë, e cila konsiderohej se ishte kundër zhvillimit të përparimit njerëzor dhe në këtë frymë zhvilloheshin diskutime të rrepta.
Kështu, rregullat morale, lidhjet familjare dhe fuqitë mendore gjetën mbështetje. Me vështirësi të mëdha, baraspesha e përgjithshme në botën e qytetëruar u mbajt disi për disa kohë. Kur lufta e përgjithshme, me shenjat e saj të përgjakshme, filloi të sjellë ndryshime në jetën e popujve, atëherë edhe në fushën shpirtërore filloi të përhapet një krizë e rrezikshme. Në shpirt dhe në shoqëri u bënë shkarje të mëdha, të cilat rrezikonin çdo gjë që u dilte përpara, dhe kështu jeta e qytetërimit gjithnjë e më shumë ligështohej. Gystav lë Bon (Gustave le Bon) duke folur mbi këtë çështje thotë: “Në kohën e tanishme e tërë Evropa i është nënshtruar një çrregullimi të rrezikshëm. Duke kaluar nëpër kriza të rrezikshme qysh prej luftës së përgjithshme, ekuilibri shoqëror, ekonomik dhe politik, tërhoqi vërejtjen e mendimtarëve, udhëheqësve të popujve, të cilët filluan të mendojnë dhe të punojnë në drejtim të tejkalimit të këtij çrregullimi. Ajo që u vërejt ishte rikthimi kah ndjenjat fetare e shpirtërore, pa të cilat u vërtetua se nuk kishte shpëtim”. Puna e parë fashiste ishte tentimi i zgjimit të çështjeve shpirtërore. Musolini këtë disa herë e ka përsëritur në fjalimet e veta. Në vitin 1924 në Angli, u mblodh një kongres i madh fetar në të cilin flitej për shpëtimin e njerëzimit nga kjo krizë që e kishte tronditur njerëzimin e qytetëruar. Përveç Kishës Katolike, të gjitha kishat e tjera që gjendeshin në Britaninë e Madhe, morën pjesë në këtë kongres dhe numri i pjesëmarrësve ishte rreth 1.200 vetë. Rëndësinë e këtij kongresi e rritën edhe më tepër telegramet e dërguara nga mbreti i Anglisë, kryeministri i atëhershëm Mac Donald dhe kryeministrat e mëparshëm Baldvin e Asquith (Askuith), të cilët treguan interes të madh për atë kongres. Në Amerikë, përkundër rreziqeve të mëdha që u përmendën në kongres, pragmatizmi filloi të parapëlqehet si një filozofi e kohës, të cilën e patën pëlqyer të gjithë kryetarët, dhe kështu, filloi aktivizimi i të gjitha shoqatave fetare duke përfituar nga përkrahja që iu bëhej nga ithtarët e filozofisë së pragmatizmit.
Prej këtyre shpjegimeve kuptohet, se gati në tërë botën filloi një kundërveprim ndaj çrregullimeve shoqërore e ekonomike që si rezultat kishte riforcimin e ndjenjave fetare. Pra, në botën e qytetëruar është kuptuar mirë se prej këtij rreziku mund të shpëtohet vetëm me ringjalljen e ndjenjave shpirtërore dhe besimtare.
Qytetërimi i vjetër nuk ndahet prej Fesë
Qytetërimi (civilizimi) është i themeluar mbi një grumbull të drejtash e detyrash të ndërsjella dhe çdo formulim i tij që përbëhet nga parimet kryesore, është si një gur themeltar mbi të cilin është ndërtuar dogma e ndërtesës së qytetërimit. Por, në rast se prishet vetëm një nga ato parime, natyrisht baraspesha e qytetërimit tronditet dhe ai qytetërim nuk mund të qëndrojë edhe shumë kohë.
Kur prishja e vetëm një parimi të atij themeli rrezikon kaq shumë qytetërimin, atëherë lëkundja e më shumë parimeve në fjalë bie te rrënimi i tërësishëm i qytetërimit që është i mbështetur në ato parime. Historia është dëshmitare e shumë ngjarjeve të mëdha e të përgjakshme, të cilat e vërtetojnë këtë realitet të pamohueshëm. Të gjitha revolucionet e mëdha e të përgjakshme që i shënon historia botërore gjatë shekujve të ndryshëm, e kanë burimin e tyre në tronditjen e ndërtesës besimtare e morale. Në pikëpamjet e tyre, filozofët këtë kuptim ia atribuojnë revolucioneve. Edhe sot ndoshta, civilizimi evropian, në atë kuptim është duke përgatitur një shembull të ri kundër botës, dhe me këtë, mund të thuhet se gjendemi në pragun e një civilizimi të ri.
Duke i bërë këto vërejtje të shkurtra të miat, mos kujtoni se jam duke dhënë një definicion tepër të ngushtë e privat për fjalën qytetërim (civilizim).
Sipas mendimit tim qytetërimi përfitohet, mbahet dhe ruhet prej një fuqie besimtare, shkurt ai është një përmbledhje besimesh (foi = fr. Fe vër. M.G.). Duke thënë kështu, dikujt do t’i duket se jam duke bërë një gabim trashanik sepse po e vendos civilizimin para faktorëve e shkaqeve që atë e shkaktojnë, sidomos nuk duhet menduar se nuk e çmoj rëndësinë që kanë shpikjet e reja, praktika teknike etj. për formimin e qytetërimit apo nuk jam në dijeni të atyre faktorëve, përkundrazi, të gjitha i kam parasysh dhe i peshoj me kuptimin e plotë të tyre. Krejtësisht jam i bindur për efektin që faktorët e përmendur kanë për përparimin e sotëm botëror, por, në realitet, qytetërimi në kuptimin e lartë të tij, nuk mbetet veç me kaq pasi shpikjet e ndryshme, përparimi shkencor e teknik të cilat sigurojnë dhe deri diku plotësojnë nevojat dhe qetësinë e jetës shoqërore në këtë botë, nuk mund të konsiderohen baras me qytetërimin e vërtetë dhe një supozim i tillë do të ishte një gabim i madh. Bie fjala, do të ishte një utopi që paraja që është mjet i parë për plotësimin e nevojave njerëzore, të çmohet si diçka e njëjtë ose mbi nderin dhe dinjitetin personal. Nuk ka dyshim se njeriu nëse ka për qëllim për të jetuar në lumturi, vërtet duhet të mundohet ta arrijë këtë lumturi dhe për këtë është e domosdoshme që t’i ketë mjetet e duhura, por, nuk duhet harruar se vetëm këto mjete nuk mjaftojnë për plotësimin e qëllimit të jetës shoqërore; nuk mjaftojnë vetëm hekurudhat, makinat elektrike ose gjërat teknike për themelimin e një qytetërimi të vërtetë, derisa këto të mos shkojnë krahas me parimet morale dhe me kuptimet dogmatike që kanë fjalët moral, drejtësi, njerëzi, mirëkuptim, ndihmë, burrëri, detyrë, etj. dhe nëse për çfarëdo shkaku, ngjallen dyshime në opinionin botëror mbi parimet e mësipërme, aq sa ta tronditin ndërtesën e civilizimit, mjetet teknike që u përmendën më lart, mund të bëhen shkaqe rrënimi të qytetërimit, të cilat shpesh janë shumë më të mëdha se sa rreziqet natyrore.
Kjo na shtyn të mendojmë se shkaqet e mbarimit të një qytetërimi duhen kërkuar në lëkundjet dogmatike, në prishjen fetare e morale të një kombi të cilit, edhe mjetet teknike që i disponon, i bëhen mjete të vetëshkatërrimit.
Mendimet e sipërpërmendura nuk janë mentalitete fetare të një hoxhe, por janë fryt i ngjarjeve historike dhe dëshmi e filozofëve me famë të botës së civilizuar.
Për ta vërtetuar se vetëm me evolucionin e mjeteve materiale nuk është e mundur të krijohet një qytetërim real, mjafton të kujtohen luftërat e miliona njerëzve dhe gjaku i derdhur në ato luftëra. Një numër i madh i revolucioneve në historinë e njerëzimit tregojnë sheshazi se ato nuk kanë pasur për qëllim ndryshimin e jetës shoqërore, bie fjala në vend që të udhëtohet me vetura të udhëtohet me tren, ose të jetohet në ndërtesa madhështore, por ato gjakderdhje ishin si pasojë e kërkesave të larta morale dhe i triumfit të ideve hyjnore. Prirjet fetare dhe morale përgjithësisht janë të gdhendura në vetë njeriun dhe mohimi i kësaj të vërtete paraqet një marrëzi dhe një padrejtësi para natyrës njerëzore. Sot shkencat antropologjike dhe sociologjike, jo vetëm që po merren me studimin e shoqërive njerëzore të botës së civilizuar, por janë edhe duke dëshmuar për ekzistimin e disa veprimeve fetare, madje edhe ndër fiset e egra.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...