Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Apr 30, 2015 Zani i Nalte Histori 0
Doc. Dr. Faredin Ebibi
Dekan i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup
Abstrakt
Nisur nga fakti se gjuha është element përbërës i identitetit kombëtar, ky element kishte gjetur mbështetje pa rezervë në xhami gjatë periudhës së egër moniste. Pushteti monist insistonte me çdo kusht që popullit shqiptar t’ia bastardojë gjuhën përmes toponimeve sllave, si në libra, në literaturë, në mediume të shkruara dhe të dëgjuara. Institucioni i vetëm që i rezistoi me vendosmëri kësaj fushate të egër ishte xhamia, përkatësisht ligjëruesit që ligjëronin ishin larg çdo ndikimi të asaj fushate. Përmes hutbeve, derseve dhe fjalimeve të ndryshme e mbrojtën gjuhën e pastër nga ndikime të tilla tendencioze.
Një segment i këtillë mund të mos ishte shumë i rëndësishëm në viset e tjera shqiptare por për territorin e Kumanovës ka qenë shumë i rëndësishëm dhe i vlerës së veçantë kombëtare.
Hyrje
Shqiptarët e Kumanovës, sikurse edhe gjithë shqiptarët e tjerë, kanë tradita të mrekullueshme fetare, atdhetare dhe kulturore. Shekuj me radhë kanë investuar dhe kanë rezistuar për ruajtjen e vetëqenies dhe vlerat e tyre etnike.
Si një popull liridashës, solidar dhe punëtor shpesh herë iu është ekspozuar padrejtësive të shumta si në planin fetar ashtu edhe në planin kombëtar. Në kuadër të përpjekjeve liridashëse, vend të rëndësishëm zë investimi flijues për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës amtare, për shkrim – leximin, shkollën kombëtare, për fenë, kulturën dhe tokën e tyre stërgjyshore.
Përpjekjet e këtilla paraqesin strumbullarin e qëndresës kundër trysnive, shtypjeve shfarosëse dhe asimiluese të pushtuesve. Kjo rezistencë është avancuar sidomos gjatë periudhës së Rilindësve tanë Kombëtarë, kur lëvizja arsimore ishte në ballë të prioriteteve.
Në kuadër të kësaj kumtese do të përpiqem sadopak t’i hedh një vështrim proceseve zhvillimore, përkatësisht kontributit të mrekullueshëm të institucionit xhami dhe mekteb në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare dhe kombëtare. Rreth rezistencës së tyre kundër projekteve famëkeqe të sistemit monist që synonin shfarosjen e çdo gjëje që i përkiste shqiptarëve. Duke u kufizuar në një territor të caktuar siç është Kumanova dhe rrethina e saj, i bindur në atë se këto institucione kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjithandej ku kanë funksionuar duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.
Të dhënat historike flasin për atë se Kumanova ka qenë e banuar që nga kohërat e hershme. Shikuar nga aspekti antropologjik, rajoni i Kumanovës ka një përbërje heterogjene me elemente dardan-trakase, pajon etj. Ndërkohë si qytet përmendet shumë vonë nga disa udhëpërshkrues të cilët e kishin vizituar këtë lokalitet gjatë misioneve të tyre.[1]
Në lidhje me hershmërinë e ekzistimit dhe prejardhjen e emrit të Kumanovës janë dhënë konstatime të ndryshme. Burimet shqiptare flasin për atë se në periudhën ilire Kumanova është quajtur Zheglig, që do të thotë zheg – nxehtë, ngrohtë kurse lig – i sëmurë. Umbra Nova që do të thotë vend i hijeve. Është quajtur gjithashtu Umeonovo që do të thotë vend i ri me lagështi. Disa të dhëna të tjera bazuar në arkivin e Stambollit flasin për atë se Kumanova ka marrë emrin nga një fis aziatik, nga fisi Kuman, i cili ishte vendosur në këtë lokalitet. Në këtë kontekst ka edhe të dhëna të tjera por është çështje që i përket historianëve dhe antropologëve të flasin më gjerësisht, sepse ata janë më kompetentë për këtë çështje. Kumanova sot është një nga qytetet e bukura dhe për nga madhësia konsiderohet prej qyteteve të mëdha të Republikës së Maqedonisë. Për ndërtimin e këtij qyteti modern pjesëmarrës janë edhe shqiptarët për shkak se qyteti është ndërtuar edhe me kontributet e tyre.
Kumanova dhe rrethina e saj është heterogjene, shumëkonfesionale dhe shumëkombëshe, jetojnë shqiptarë, maqedonas, serb, rom, turq, etj.
Kumanova, përmendet në shekullin e XVII nga udhëpërshkruesi (kronisti) i famshëm Evlija Çelebi. Sipas tij Kumanova shtrihej në territorin e Sanxhakut të Shkupit dhe ka pasur 600 shtëpi, kishte xhami, teqe, medrese, hane, hamame dhe disa dyqane.[2]
Deri në vitin 1877-78 në Kumanovë ka pasur më tepër myslimanë, respektivisht shqiptarë që kishin pranuar fenë islame[3], kurse në mbarim të shekullit XIX me ardhjen e kolonialëve serbë, rritet numri i popullsisë me përkatësi sllave.
INSTITUCIONET FETARE
Zanafilla e institucioneve fetare të kulturës dhe qytetërimit islam, në territorin e Kumanovës, ndërlidhet ngushtë me depërtimin e Perandorisë Osmane në territorin e Maqedonisë. Në dallim nga viset e tjera, shqiptarët e Maqedonisë ishin të parët që u përballën me sundimin osman, ashtu që nga fundi i shekullit XIV tërësisht, pothuajse, këto treva kaluan nën sundimin osman.[4]
Ekzistimi i elementit islam shënon ndryshime të reja në strukturën politike, ekonomike, kulturore, shoqërore etj. Fillon ndërtimi i xhamive, mektebeve, medreseve dhe institucioneve të tjera me karakter ekonomik, social, shoqëror etj.
Në fillim këto objekte janë paraqitur nëpër qytete, më pas edhe nëpër vendbanime më të mëdha dhe nëpër fshatra. Siç ka theksuar Evlija Çelebiu, Kumanova ka pasur 600 shtëpi, kishte xhami, teqe, medrese, hane, hamame dhe disa dyqane.
Institucioni Xhami
Zanafilla e këtij institucioni në histori ndërlidhet me emigrimin e Muhamedit (sal-lall-llahu alejhi vesel-lem) për në Medinë. Aktin e parë që bëri ishte themelimi i xhamisë në periferi të Medinës (në Kuba), më pas ndërtoi xhaminë e njohur edhe sot, si xhamia e Pejgamberit (alejhis-selam) në Medinë.
Xhamia ka shërbyer si një faktor shumë me ndikim në formësimin dhe mbrojtjen e identitetit të komunitetit mysliman. Në radhë të parë është përdorur si vend për lutje, përkatësisht për faljen e pesë kohëve të namazit. Ka shërbyer si ent arsimi dhe edukimi, si shtab ushtarak, si gjykatë, si vend për takime, vend për konsultime etj., që do të thotë se shërbimet e saj kanë qenë shumëdimensionale. Kështu ka vazhduar deri atëherë kur në skenë paraqiten institucione të ndryshme sociale, ekonomike, kulturore, arsimore etj.[5] Me fjalë të tjera xhamia kishte rolin si një qendër shpirtërore, si një strumbullar në të cilën janë gërshetuar vlera të jetës shpirtërore dhe të botës materiale. Gjatë historisë së saj xhamia nuk ka shërbyer vetëm për ngopjen e nevojave shpirtërore, shërbimet e saj frytdhënëse dhe të mrekullueshme janë mishëruar në të gjitha proceset e jetës së përditshme. Si e këtillë ka kalitur dhe edukuar individë dhe gjenerata të tëra shekuj me radhë. Me fjalë të tjera ka shërbyer si një universitet gjithë popullor, si shtyllë kryesore e vlerave të jetës, duke i orientuar dhe vazhdon t’i orientojë myslimanët drejt përsosjes së vlerave fetare, kombëtare, shpirtërore, edukative, arsimore, kulturore etj. Gjatë historisë, xhamia ka shërbyer si fole te e cila është kërkuar strehimi dhe mbrojtja e identitetit fetar dhe kombëtar, sa herë që janë rrezikuar nga trysnitë e kohës. Si një institucion i shkallës së lartë ka qenë në shërbim të kultivimit të vlerave dhe ka vazhduar të kishte funksione thelbësore në formimin e identitetit fetar dhe kombëtar të komunitetit mysliman shqiptar. Ka qenë dhe vazhdon të jetë institucion ku promovohen vlerat e barazisë së plotë, në të cilat aspak nuk ka rëndësi statusi social dhe qytetar i individit. Diskriminimi në to është inekzistent dhe i flakëruar, ajo është Shtëpi e Allahut, nuk i përket një etnikumi të caktuar por i përket të gjithë myslimanëve pa dallim race, kombi dhe gjuhe.
Shikuar nga perspektiva e kulturës dhe qytetërimit islam, xhamia është simbol i shoqërisë myslimane, është qendër prej ku informohet publiku, kullë ndriçimi me kandilat e së cilës janë udhëzuar dhe orientuar udhëtarët. Është qendër strehimi për ata që nuk kanë strehë.
Shikuar nga perspektiva urbanistike xhamitë janë ndërtuar zakonisht nëpër qendra kryesore, atje ku jeta e njerëzve është më e frekuentueshme, me qëllim që shërbimet e saj të ishin sa më afër qytetarit.
Si në çdo vend tjetër edhe në Kumanovë xhamitë kanë funksionuar konform sistemit që u theksua më sipër në dhënien e shërbimeve. Në dallim nga viset e tjera ndoshta, xhamia në Kumanovë dhe rrethinë paraqitet si sinonim dhe është bërë element përbërës i identitetit kombëtar të shqiptarëve. Edhe pse xhamitë nuk u përkasin vetëm shqiptarëve, mirëpo, për shkak se ata janë më shumë në numër, iu dedikohet atyre. Në vazhdim do të ndalemi në dy pika më kryesore, për të cilat vlerësoj se janë ndër më të rëndësishmet, prej nga do të shihet roli dhe kontributi i mrekullueshëm i xhamive në territorin e Kumanovës, në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe kontributi i tyre ndaj dukurisë së shpërnguljeve masive.
Roli i xhamive kundër shpërnguljeve masive
Shpërnguljet masive të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike ka filluar që nga viti 1878 për të vazhduar deri në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit që lamë pas. Si pasojë e dhunës, e shtypjeve dhe gjenocidit të ushtruar, shqiptarët detyrohen të shpërngulen për të gjetur shpëtim gjetiu. Vala e këtyre shpërnguljeve masive është realizuar brenda dhe gjatë viteve; 1912, 1919, 1920, 1924-1935, 1950-1958 për të vazhduar deri në vitet e gjashtëdhjeta.[6]
Marrë parasysh seriozitetin e shpërnguljeve si në aspektin fetar ashtu edhe në aspektin etnik, pasojat negative në rrafshin politik dhe kombëtar, detyruan strukturën fetare nga “mihrabet”, “mimberet” dhe “kursitë” e xhamive të bëjnë të pamundurën përballë këtij eksodi, në përpjekje për të bindur popullatën që të mos i lëshojnë tokat stërgjyshore. Përmes ligjëratave, takimeve të drejtpërdrejta me popullin u shpjegonin atyre qëllimet e errëta dhe të njëmendta të armikut për pastrimin etnik, i motivonin dhe i nxisnin shqiptarët myslimanë të ishin të durueshëm, të qëndrueshëm, të flijonin jetën, të derdhnin gjakun për fe, për flamur dhe vatan, në luftë kundër pushtuesve dhe uzurpuesve të tokës së tyre të shenjtë. Ligjëratat e atilla kryesisht ishin të bazuara mbi disa parime; të ruajmë fenë, të ruajmë atdheun (vatanin), ai që shkon në Turqi është i pa fe – qafir. “Turqia nuk është parajsë, mos i braktisni këto treva, të cilat stërgjyshërit tanë i mbrojtën me gjak.”[7] Parime këto që ishin të bazuara në burime hyjnore, në Kur’an dhe sunnet. “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jenë të tillë, bëhuni të vendosur dhe vigjilent (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni.”[8] “O besimtarë! Kini frikë Allahun, përpiquni që t’i afroheni Atij me vepra të mira dhe luftoni në rrugën e Tij për të shpëtuar.”[9] “Nuk ka migrim (hixhret) pas çlirimit të Mekës por ka xhihad, mobilizim dhe vendosje.”[10]
Falë këtij kontributi familje të tëra hoqën dorë nga ideja e shpërnguljes, përveç dyndjeve të brendshme mbetën në tokat stërgjyshore.[11] Ndërkaq një numër jo i vogël si rezultat i dhunës, presionit dhe shtypjeve detyrohen të lënë pas atdheun dhe pasurinë e nëpërkëmbur, për të gjetur shpëtim duke migruar në Turqi dhe gjetiu.
Nisur nga fakti se gjuha është element përbërës i identitetit kombëtar, ky element kishte gjetur mbështetje pa rezervë në xhami gjatë periudhës së egër moniste. Pushteti monist insistonte me çdo kusht që popullit shqiptar t’ia bastardojë gjuhën përmes toponimeve sllave, si në libra, në literaturë, në mediume të shkruara dhe të dëgjuara. Institucioni i vetëm që i rezistoi me vendosmëri kësaj fushate të egër ishte xhamia, përkatësisht ligjëruesit që ligjëronin ishin larg çdo ndikimi të asaj fushate. Përmes hutbeve, derseve dhe fjalimeve të ndryshme e mbrojtën gjuhën e pastër nga ndikime të tilla tendencioze.
Një segment i këtillë mund të mos ishte shumë i rëndësishëm në viset e tjera shqiptare por për territorin e Kumanovës ka qenë shumë i rëndësishëm dhe i vlerës së veçantë kombëtare.
Roli dhe kontributi i xhamive në ruajtjen e identitetit kombëtar
Parulla strategjike e pushtetit monist – bashkim vëllazërimi – ishte një nga parullat tejet të rrezikshme për komunitetin shqiptar mysliman në Kumanovë. Nga motivi që përmes asaj synohej zhveshja e ngadalshme nga identiteti fetar dhe kombëtar i tyre. Në emër të kësaj politike tentohej infiltrimi i armiqësisë dhe këputjes së marrëdhënieve ndër vëllazërore në emër të mbrojtjes së kauzës shoviniste-komuniste. Në këtë segment xhamia kishte një rol kyç dhe të mrekullueshëm. Përmes ligjëratave të ndryshme në xhami, përmes fjalëve hyjnore nga Kur’ani dhe Sunneti, u tërhiqej vërejtja që të kishin kujdes të mos u përngjajnë të tjerëve, si në strukturën e botëkuptimeve ashtu edhe në segmente të tjera të jetës së përditshme, sepse: “Nuk është nga radhët tona ai i cili u ngjason të tjerëve.”[12] Gjithashtu edhe në raporte bilaterale, ekonomike dhe shoqërore këshilloheshin që të ishin të vëmendshëm ndaj hakut të atyre që nuk janë myslimanë. Në këtë mënyrë u tërhiqej vëmendja myslimanëve, përkatësisht shqiptarëve, të ishin sa më vigjilentë dhe të distancuar, vetëm e vetëm që të mos ndikoheshin në llogari të çështjes fetare dhe kombëtare. Ligjëratat me përmbajtje të atilla të asaj kohe nëpër xhami edhe sot e kësaj dite i mbajnë mend ata që e kanë përjetuar atë periudhë kohore. Shikuar nga perspektiva e ditëve të sotshme, qëndrimet e ligjëruesve të asaj periudhe kohore, duken paksa të rrepta. Mirëpo nëse merret në konsideratë infrastruktura intelektuale e popullatës dhe rrethanat gjeopolitike të asaj periudhe kohore, në një farë mënyre mund të justifikohen. Në pamundësi për të bërë shkoqitjen e fenomenit të shfarosjes në dimensionin sociologjik dhe antropologjik, janë shprehur në atë formë pa e zgjatur shumë.
Parimi i bartjes së kësulës. Siç dihet plisi ka qenë dhe vazhdon të jetë simbol i identitetit kombëtar të popullit shqiptar. Si i tillë është pranuar edhe si shenjë dalluese nga perspektiva fetare e komuniteti mysliman shqiptar. Në frymën e këtij koncepti është përdorur kësula. Është përdorur një kësulë e prodhuar nga pëlhura e zezë, e cila ishte bërë pothuajse pjesë identifikuese e shqiptarëve të këtij nënqielli. Aty-këtu është përdorur edhe një lloj kësule e përafërt me plisin e prodhuar nga zhguni dhe e njohur si kësulë kumanovare. Shikuar nga perspektiva islame kësula nuk ka tretman të atillë aq rigoroz sa i ka kushtuar kujdes populli shqiptar i këtij territori. Mirëpo, shikuar nga perspektiva strategjike kombëtare dhe fetare, ka qenë më se e nevojshme një këmbëngulje e tillë, ishte e dobishme dhe e pranuar pozitivisht nga popullata, sepse ishte në shërbim të ruajtjes dhe mbrojtjes së identitetit fetar dhe kombëtar.
Çështja e idesë së evolucionit. Përmes teorive jo të argumentuara shkencërisht sistemi i atëhershëm monist dëshironte të shpërlaj trurin e myslimanëve shqiptarë. Fushatës Ateiste dhe teorisë së evolucionit të Darvinit lidhur me prejardhjen e njeriut nga majmuni, xhamia iu kundërvu me të gjitha format, për shkak se vlerësohej si ide tejet e dëmshme dhe e rrezikshme në rrafshin kombëtar dhe fetar.
Rezistenca e ashpër e xhamisë ishte edhe ndaj heqjes së mbulesës fetare në vitin 1951. Si rezultat shumë hoxhallarë përfunduan nëpër burgje të akuzuar si strukturë e rrezikshme për sistemin dhe shoqërinë.
Në tentim për zhdukjen e identiteti fetar dhe kombëtar të shqiptarëve, sistemi monist, u përpoq edhe përmes martesave të përziera. Mjerisht elita politike e asaj periudhe kohore nga radhët e myslimanëve shqiptarë ishin martuar me femra jo myslimane (shqiptare), veçanërisht me femra të kombësisë serbe. Një gjë e tillë mund të komentohet në këtë mënyrë; sistemi monist përmes një strategjie të atillë, përmes martesave të përziera ka dëshiruar që t’i kishte në kontroll të plotë ata pak funksionarë nga radhët e komunitetit mysliman shqiptar. Ose është përpjekur që atë numër të vogël t’i shndërrojë në luftëtarë të denjë të kauzës shoveno-komuniste. S’do mend që xhamia ka luajtur rol të rëndësishëm edhe mund të thuhet se xhamia ka qenë institucioni i vetëm që e ka kundërshtuar ashpër këtë lloj martese. Mbi bazën e mësimeve islame, rreptësisht hoxhallarët e kanë ndaluar martesën e myslimanit me ateiste ose me komuniste dhe anasjelltas.
Si përfundim mund të konstatohet fakti se kontributi i xhamive në ngritjen e çështjes fetare dhe kombëtare ka qenë flijues dhe i shkëlqyer. Prandaj ish-sistemi mbajti qëndrim shumë të ashpër ndaj veprimtarisë së këtyre institucioneve dhe veprimtarinë e tyre e kishte cilësuar si primitive, të prapambetur dhe shumë të rrezikshme për sistemin.
Institucioni mekteb
Mektebet kishin tretmanin e shkollave fillore edhe pse në disa raste kanë funksionuar si shkolla të nivelit të ulët. Lloji i këtyre shkollave në vendin tonë paraqitet me instalimin e sundimit të Perandorisë Osmane. Me depërtimin e tyre krijohen kushte për një varg procesesh të reja që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin etnik dhe historik të shqiptarëve.
Sipas Evlija Çelebiut, mektebet e para në Maqedoni paraqiten në fillim të shekullit XVI.[13] Ky lloj i shkollave në fillim formoheshin në xhami por me kalimin e kohës janë ndërtuar objekte afër xhamive ose kanë funksionuar si objekte të veçanta dhe kanë ushtruar veprimtari edukativo-arsimore.
Në mekteb edukoheshin fëmijët e myslimanëve me frymën e besimit islam dhe mësonin shkrim-leximin. Mësimi nuk është zhvilluar sipas ndonjë plani dhe programi të caktuar por është varur nga metoda dhe përgatitja profesionale e vetë hoxhës, përkatësisht të mualimit. Nisur nga ky rol, mektebet ishin në mbrojtje të identitetit të popullatës nga ideologjitë me tendencë asimilimi të ngadalshëm. Jo rastësisht sistemi monist ishte shumë i ashpër ndaj këtyre shkollave dhe ndaj atyre që vijonin mësimit në to, për shkak se ishin pengesë për mos realizimin e aspiratave të tyre të hidhura. Punëtorët e tyre, në këtë rast hoxhallarët, ishin në syrin e pushtetit, të përndjekur dhe vazhdimisht të shtypur si edhe nxënësit dhe familjarët e tyre, ishin cak i atij sistemi. Me gjithë kontributin e çmueshëm që dhanë mektebet, historia e pedagogjisë dhe e arsimit nuk e pa të rrugës të flasë pothuajse asgjë për kontributin e tyre dhe në atë mënyrë bëri një padrejtësi të pafalshme. Andaj pak studiues mund të gjejmë që janë marrë me zbardhjen e veprimtarisë dhe kontributin e tyre në fushën e kulturës, edukimit dhe të arsimimit.[14]
Kontributi i mektebeve në fushën e arsimit
Periudha pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë e vështirë edhe për popullatën kumanovare. Krahas shumë problemeve të tjera, zgjidhje urgjente kërkonte edhe arsimimi i popullatës, përkatësisht hapja e shkollave të reja. Në kuadër të saj është punuar në dy drejtime; në restaurimin e objekteve ekzistuese dhe ndërtimin e objekteve (shkollave) të reja. Mungesa e skajshme e kuadrit arsimor ishte problem më vete, sepse përmes kurseve të shkurtra pedagogjike duhej të përgatiteshin ata që dinin së paku shkrim-leximin.[15] Në rrethana të këtilla kontributi i mektebit ishte i madh. Sa për ilustrim do të kisha theksuar mektebin e fshatit Nikushtak, i cili zgjodhi disa nxënës të saj për t’i dërguar në Shkup që të përgatiteshin për mësues përmes kurseve të shkurtra pedagogjike. Në studimin e fundit kushtuar medresesë Medah, Mr. Taxhedin Bislimi veç tjerash hedh një vështrim rreth mektebit të fshtatit Nikushtak, të cilin e trajton si medrese të këtij fshati, të cilën e kishte hapur Ferhat ef. Hirda. Ka përmendur disa emra të nxënësve të saj, të cilët u dalluan si pishtarë të arsimit shqip në Kumanovë dhe rrethinë. Ndër emrat që ai ka theksuar janë: Qazim Aliu, Adem Nexhipi, Zulfi Bakiu, Xhavit Sulejmani, Faik Rushiti, Bexhet Ibrahimi dhe Feim Ibrahimi. Shumica e tyre e kanë mbyllur karrierën e tyre si mësues.[16] Ndërkaq mektebi krahas programit të tij që realizonte ka funksionuar edhe si shkollë fillore, sepse aty është mësuar abetarja e gjuhës shqipe, është mësuar shkrimi dhe leximi. Edhe pse pak në numër, sot janë gjallë disa nxënës të atij mektebi, të cilët me nostalgji kujtojnë ditët si gjeneratë e parë që kishin para vetes abetaren e gjuhës shqipe siç është Vesel Murseli, Idriz Emini, Hamdi Ademi, etj. Ndërkaq si mësues të parë ishin Adem Nexhipi dhe Ekrem Alajdini, kuadro të të njëjtit mekteb.[17]
“Viti shkollor 1945-46 shënon hapjen e 13 shkollave nëpër fshatra me 26 mësues me 800 nxënës. Këto shkolla quheshin ambulante, mirëpo meqë ishin hapur në mektebe të xhamive quheshin me emrin e vjetër sibjan mejtepe (mektebe).”[18]
Vlen të theksohet fakti se me hapjen e shtatëvjeçares në Kumanovë, filloi të shtohet numri i nxënësve që interesoheshin nga fshatrat, në lokalet e Bashkësisë Islame (Myftinia e Bashkësisë Islame aktualisht) u hap konvikti për nxënësit shqiptarë.[19]
Gjithashtu vlen të theksohet fakti se arsimi shqip pas Kumanovës ishte përhapur edhe nëpër fshatra. Në vitin 1945 do të fillojnë dy klasë në fshatin Mateç. Mësimi zhvillohej në ndërtesën e mektebit. Ndërkohë në fshatin Ramanli do të fillojë punën klasa e parë në gjuhën shqipe në mektebin e xhamisë.[20]
Si përfundim, mund të thuhet se institucionet fetare siç është xhamia dhe mektebi kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Kumanovë dhe rrethinën e saj, në ngritjen e vetëdijes fetare dhe kombëtare. Kanë qenë dhe vazhdojnë të ishin në shërbim të popullatës dhe për popullatën. Krahas vlerës shpirtërore dhe fetare kanë lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë e procesit edukativo-arsimor. Si të tilla kanë zënë vendin meritor në historinë e popullatës së këtyre trojeve. Për shkak të rolit dhe rëndësisë së tyre, konflikti i armatosur i 2001-it në Maqedoni, shpalosi anën tjetër të medaljes; e gjithë bota e pa vandalizmin dhe granatimin e pamëshirshëm të këtyre institucioneve nga ana e forcave të armatosura qeveritare.[21]
[1]. Shiko: http://sq.wikipedia.org/wiki/Gjeografia_e_Kumanovës
[2]. Evlija Çelebi, Putopis: Iro “Veselin Masleša”, Sarajevo, 1979, 294.
[3]. Shiko: Tefik Jahiu, Arsimi shqip në Kumanovë, Kumanovë, 1996, 11.
[4]. Shiko: Shqiptarët e Maqedonisë: Meshihati i BI në RM, Shkup, 1994, 145.
[5]. Mustafa Abdullah Shejh, Med’hal Ila-l-imareti-l-islamije, Kajro, 11.
[6]. Shiko: Mr. Taxhedin Bislimi, Medreseja Medah e Ataullah efendiut dhe nxënësit e saj, 79.
[7]. Po aty, 80.
[8]. Kur’an, 3 : 200.
[9]. Kur’an, 5 : 35.
[10]. Muslim, Sahihu Muslim: Daru Ihjai-t-urathe-l-arebij, Bejrut, 3, 1488.
[11]. Shiko: Mr. Taxhedin Bislimi, Medreseja Medah e Ataullah efendiut dhe nxënësit e saj, 81.
[12]. Tirmidhi, Sunenu-t-irmidhi: Daru Ihjai-t-urathe-l-arebi, Bejrut, 5, 56.
[13]. Evlija Çelebi, Putopis: Iro “Veselin Masleša”, Sarajevo, 1979, 294.
[14]. Shiko: Jashar Rexhepagiç, Zhvillimi i arsimit dhe i sistemit shkollor…, Prishtinë, f. 23.
[15]. Shiko: Tefik Jahiu, Arsimi shqip në Kumanovë, Kumanovë, 1996, 50-51.
[16]. Shiko: Taxhedin Bislimi, Medreseja Medah e Ataullah efendiut dhe nxënësit e saj, 135-136.
[17]. Tefik Jahiu, Arsimi shqip në Kumanovë, Kumanovë, 1996, 54.
[18]. Po aty, 55.
[19]. Po aty, 58.
[20]. Po aty, 53.
[21]. Shiko: Plagët e pavdekshmërisë, Shkup, 2002, 23-24.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...