Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Apr 09, 2015 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
Redi Shehu
Abstrakt
Është pak e vështirë të argumentosh faktin, se liria si koncept duhet të qëndrojë e shkëputur, apo thënë ndryshe, e emancipuar nga rendi dhe renditja, nga norma dhe rregulli, për sa kohë ajo si kategori merr formë brenda këtij realiteti. Ne, jetojmë në një botë ku rendi në kuptimin kozmologjik është tipari themelor i ekzistencës. Ai, (rendi) projektohet që nga makrosfera në një kozmos ku rregulli perfekt dhe ligji fizik janë formë e jashtme e mirëmbajtjes, formë vizive e një realiteti të cilin brezat tanë kanë luksin ta perceptojnë atë. Ky rend zbret në formë teleologjike edhe në ekzistencën e planetit tonë duke strukturuar jetën e gjallesave e sendeve.
Liria e shprehjes është një e drejtë themelore në shoqëritë demokratike. Ajo e merr këtë atribut në sajë të nenit 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut[1], nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,[2] si dhe nga neni 19 i Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike[3]. Por me gjithë këtë fakt, liria e shprehjes nuk gëzon atributet e një të drejte absolute për arsye se ajo përmban në vetvete ashtu si detyra të specifikuara edhe përgjegjësi në raport me shoqërinë, për këtë arsye ajo i nënshtrohet ligjërisht terreneve juridike kufizuese.[4] Kështu ne gjejmë shumë shtete që kanë hartuar një kuadër ligjor kundra gjuhës së urrejtjes mbi bazë racore dhe fetare, të tilla si Gjermania, Kanadaja, Anglia, Franca, Danimarka, Australia, Zelanda e Re, legjislacioni i të cilave për rastin konkret ndalon publikimin e deklarimeve nga të cilat një person apo grup njerëzish të ndjehen të diskriminuar për arsye të racës, ngjyrës, besimit apo edhe origjinës etnike.[5] Ndërsa kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, legjislacioni është i pakushtëzuar, i hapur në lidhje me gjuhën e urrejtjes duke u mbështetur tek Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane. Meiklejohn, në analizën që i bën dispozitave të Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, shprehet se ky amendament zanafilloi si zgjidhja përfundimtare e problemeve të lirisë së shprehjes por më vonë u pa një konflikt i cili doli në sipërfaqe mes dy grupimeve të interesave sociale, konflikt mes promovimit të fjalës së lirë dhe interesit social, i cili dëmtohej nga ushtrimi i saj.[6] Ndërkohë që promovimi i fjalës së lirë gjeti mbështetje ligjore, një gjë e tillë nuk arriti të shtrihej deri te mbrojtja e vlerave të dëmtuara pikërisht gjatë ushtrimit të lirisë së shprehjes duke u transformuar në perceptimin e përgjithshëm të një antagonizmi mes lirisë së shprehjes dhe interesit publik. Në të vërtetë ka raste kur të drejtat juridike mund të përplasen, por kjo konsiderohet si përjashtim. Ajo që ndodh në rastin e përplasjes së lirisë së shprehjes dhe dëmeve që ajo i shkakton interesit publik është kthimi i një përjashtimi në rregull të përhershëm, pra një konflikt juridik jo i përkohshëm por që ka zënë rrënjë dhe kërkon zgjidhje në çdo situatë sociale. Nga ana tjetër, Ligji Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut e pajis individin me të drejtën e lirisë së besimit. Kjo liri përfshin pasjen e një feje apo edhe procesin e adoptimit me një fe tjetër, gjithashtu edhe të drejtën e praktikimit të këtij besimi në hapësirat e shoqërisë. Por, pavarësisht kësaj, ky ligj nuk e merr në konsideratë përjashtimin e religjionit nga përqeshja apo fyerja, gjë e cila lidhet direkt me respektimin e ndjenjave besimore të individit.[7] Në këtë kuadër edhe shtypi apo masmedia, si forma komunikimi prej të cilave realizohet liria e shprehjes në hapësirat publike, qëllim primar të tyre kanë zhvarrosjen e të vërtetës dhe nxjerrjen e saj në vëmendjen e interesit shoqëror. Po ashtu detyrë themelore e mediumeve është të përcjellin informacione në bazë të kriterit të së vërtetës në përputhje me atë që quhet interesi i përgjithshëm duke e bashkëshoqëruar këtë me detyra dhe përgjegjësi. Si shtyllë themelore e shoqërive demokratike liria e shtypit e ka të caktuar masën e saj të kalimit të kufirit dhe nëse do të duhej ta bënte këtë, atëherë Komiteti për të Drejtat e Njeriut si dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike shprehet se, edhe pse liria e shprehjes është bazike për shoqëritë demokratike ajo i nënshtrohet të drejtës për kufizime apo shtrëngime të cilat duhet të kenë si justifikim bazë interesin publik.[8] Dallimin mes interesit publik dhe atij privat e bën koncepti i lirisë së mendimit i cili në ndryshim nga liria e shprehjes, bazuar në sa thamë më sipër, nuk i nënshtrohet kufizimeve. Liria e mendimit në bazë të nenit 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 18 të ICCPR, është liri absolute dhe nuk bën pjesë në asnjë lloj të kufizimit juridik.[9]
Në veprën e tij “Natyra dhe Burimet e Ligjit”, John Gray ndërton një strukturë trekëndore të problemeve që implikojnë lirinë e shprehjes dhe dëmet që ajo mund t’i shkaktojë interesit shoqëror. Së pari, qëndron e drejta e atyre të cilët dëshirojnë të shprehen lirshëm apo të jenë të lirshëm të dëgjojnë të tjerët të shprehen. Së dyti, qëndron pjesa tjetër e shoqërisë, të drejtat e të cilëve mund të cenohen apo dëmtohen nga e drejta e të tjerëve për t’u shprehur lirshëm. Së treti, qëndron shteti i cili është përgjegjës për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dy grupimeve të mësipërme.[10] Në këtë kuptim të drejtat e të dy grupimeve të para, në konceptin modern juridik, mund të konsiderohen në të njëjtën kohë si interesa shoqërore dhe roli i shtetit qëndron pikërisht në mbrojtjen e tyre sepse interesi shtetëror është i pandarë nga interesi publik (social). Pra, fenomeni duhet parë si ndërveprim të drejtash dhe lirish, i cili shndërrohet në konflikt në momentin që shteti si rregullator i këtyre të drejtave, që në të njëjtën kohë janë edhe interesa, të sigurojë mbrojtje ligjore vetëm për njërën duke e lënë tjetrën të pambuluar ose pjesërisht të mbuluar ligjërisht. Mekanizmat ligjorë të Konventës Evropiane si dhe Konventës për të Drejtat Civile dhe Politike, janë në vetvete autorizime ligjore për shtetet anëtare të këtyre konventave, për të aplikuar kufizime të zbatimit të lirisë së shprehjes në momentet kur kjo liri cenon sigurinë publike në kontekstin kolektiv dhe kur ajo cenon dinjitetin e personit në kontekstin individual. Ky autorizim ligjor përbën një formë të detyrueshme kufizimi për sa kohë shtetet anëtarë kanë pranuar këtë trajtim juridik të lirisë në fjalë dhe ato nuk mundet ta trajtojnë lirinë e shprehjes jashtë këtij kuadri ligjor të rënë dakord në mes tyre. Këtë e konfirmon Neni 20 i ICCPR-së (Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike) në të cilin theksohet se shtetet anëtare duhet të ndalojnë me ligj: “çdo avokaturë ndaj urrejtjes me bazë kombi, race apo feje e cila mund të përbëjë nxitje për diskriminim, konflikt dhe dhunë”. I njëjti obligim ligjor vjen edhe nga Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor (CERD) në Nenin 4 (a) të saj në të cilin udhëzon shtetet anëtare që :
…të deklarojnë çdo akt që konsiderohet fyes dhe që është i dënueshëm ligjërisht, çdo përhapje të ideve të bazuara në epërsi apo urrejtje racore, çdo nxitje të diskriminimeve racore, po ashtu çdo akt dhune dhe nxitjeje të këtyre diskriminimeve të personave apo grupeve me origjinë racore apo etnike, si dhe çdo mbështetje apo financim i këtyre aktiviteteve.[11]
Danimarka si vendi i origjinës së krijimit dhe publikimit të karikaturave ndaj Profetit Muhamed, është shtet anëtar i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) por dhe anëtare e CERD-it, gjë që e bënte të detyrueshme ndërhyrjen e këtij shteti në rastin kur liria e shprehjes cenonte sigurinë publike apo edhe të raportonte në CERD për këtë rast si akt në të cilin u demonstrua hapur urrejtja dhe diskriminimi ndaj komuniteteve migratore të racave dhe kulturave të ndryshme. Mos të harrojmë se pjesë e karikaturave ishte edhe portretizimi i një qytetari danez i cili kafshonte këmbën e një gruaje me ngjyrë. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi i origjinës së filmimit përçmues të Sam Bacile, është shtet anëtar i ICCPR-së, por fakti është që SH.B.A-të shprehën rezervat e tyre ndaj Nenit 20 të kësaj Konvente me justifikimin se:
Ky nen nuk autorizon apo kërkon bërjen e ndonjë ligji apo të një akti tjetër nga ana e Shteteve të Bashkuara, të cilat do të kufizonin të drejtën për lirinë e shprehjes apo të ndonjë akti të ngjashëm, ndaj të drejtave që janë të mbrojtura nga Kushtetuta apo ligjet e Shteteve të Bashkuara.[12]
Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, mbështetet mbi konceptin që kanë ata mbi lirinë e shprehjes të cilën e konsiderojnë si vlerë kushtetuese dhe mbështetet kryesisht mbi Amendamentin e Parë të Kushtetuës së SH.B.A-ve. Në fakt ky Amendament është marrë shpesh edhe si shembull se si duhet të mbrohet liria e shprehjes në shoqëritë demokratike dhe modeli amerikan është po ashtu konsideruar edhe argument i cili justifikonte absolutizimin e kësaj lirie.
Në artikulimet lidhur me lirinë e shprehjes në shoqëritë demokratike, të gjithë jemi në një mendje me atë se liria e shprehjes është shtylla themelore e cila i mban këto shoqëri në këmbë, por ajo që nuk bihet dakord në shumë raste, është fakti se nëse ajo, liria, duhet ta ketë një fund. Po ashtu probleme me konceptimin e lirisë qëndrojnë edhe nëse kjo liri duhet të jetë e shfaqur vetëm përmes aktesh apo mund të aktualizohet edhe përmes simbolesh?
Kongresi nuk do të bëjë asnjë ligj lidhur me inkurajimin e fesë, apo të ndalojë ushtrimin e lirë të saj, apo të kufizojë lirinë e fjalës, të shtypit, të të drejtës së njerëzve për t’u mbledhur qetësisht, dhe të drejtës për peticion qeverisë lidhur me ankesat e tyre.[13]
Është e vërtetë se liria e shprehjes është e garantuar në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, por është po aq i vërtetë fakti se ajo nuk është e përcaktuar sa dhe si. Duke qenë e tillë, atëherë kjo e drejtë është padiskutim një ndër të drejtat më të debatueshme në të gjitha artikulimet juridike dhe vendimet e gjykatave. Përcaktimi i lirisë së shprehjes në Shtetet e Bashkuara bëhet nga qeveria, e cila këtë të drejtë kushtetuese e rregullon duke përcaktuar kufij në kohë, vend dhe në mënyrën se si ajo do të duhet të vihet në jetë. Manifestimet publike si formë e lirisë së shprehjes duhet t’i nënshtrohen pajisjes me leje të caktuar nga organet e rendit, po ashtu edhe sloganet që do të përdoren duhet të jenë të miratuara. Kjo, në vetvete përbën përcaktim kufijsh të lirisë së shprehjes në publik nga grupe të caktuara shoqërore, që në fakt realizohet për mbrojtjen e grupeve të tjera nga liria e pakufizuar që grupi i parë mund të ushtrojë në hapësirat publike. Kjo në fakt, nuk është gjë tjetër veçse një ekuilibër që qeveria, në rastin konkret ajo amerikanë, kërkon të vendosë mes të drejtës për t’u shprehur lirshëm dhe nevojës për rend publik si e mirë e përbashkët. Pra, edhe pse në Amendamentin e Parë, liria e shprehjes duket se është e pakufizuar, ajo merr formë dhe përkufizohet nga organet të cilat janë të deleguara për mirëmbajtjen e sigurisë publike. Në këtë rast do të duhet të theksojmë faktin se jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në çdo qeveri të përgjegjshme, balanca mes lirisë së shprehjes dhe sigurisë dhe rendit publik, anon më shumë nga ana e sigurisë së këtij rendi. Në përgjithësi liria e shprehjes është një e drejtë e cila është e kufizuar nga të drejta të tjera të individëve të komunitetit bashkëpjesëtar të një shoqërie. Pra kjo e drejtë mbështillet nga e drejta e të tjerëve dhe pikërisht kjo balancë të drejtash përcakton edhe legjitimitetin e fjalës së lirë në marrëdhëniet e saja në një shoqëri, përndryshe, tejkalimi i kufirit të njërës liri ndaj tjetrës do të thotë sakrifikim i lirisë së tjetrit edhe nëse ky sakrifikim do të duhej të bëhej në emër të interesave të mëdha të shoqërisë, përsëri një akt i tillë do që qëndronte në suazat e anomalisë së lirisë së individit. Pastaj një koncept i rëndësishëm i cili lidhet me lirinë e shprehjes është fakti i konsiderimit të saj të shkëputur nga shumë dimensione që e përshkojnë atë. Një person i lirë në rendin e ri demokratik është një person i cili lirinë e vet e ka të sintonizuar jo vetëm në marrëdhëniet e tija të jashtme me botën që e rrethon, por kuptimi i vërtetë i lirisë së tij është kur ajo shtrihet edhe në dimensionin e lirisë së brendshme të tij, lirisë në marrëdhëniet sociale e komunitare, por mbi të gjitha në dimensionin intelektual të lirisë.
Në Shtetet e Bashkuara, gjatë Luftës së Vietnamit, pati shumë protesta nga shoqëria amerikane e cila kundërshtonte luftën. Në këto protesta u vu re se përveç sloganeve me fjalë, protestuesit vishnin bluza me mesazhe kundra luftës dhe në mënyrë simbolike digjnin flamurin amerikan. Drejtësia amerikane u përball me një situatë të pazakontë ku mbizotëronte dilema nëse aktet simbolike duhet të futeshin në kategorinë e lirisë së shprehjes apo jo. Kjo, për arsye se në ndryshim nga fjalët, shprehja përmes simbolikës, përfshirë edhe karikaturimet, është shumë më goditëse në sajë të efektit direkt të tyre në ndjenjat dhe emocionet e audiencës. Duke qenë se kjo lloj forme simbolike e shprehjes është shumë masive, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e konsideroi shprehjen simbolike si kategori e cila futet në lirinë e shprehjes dhe për rrjedhojë mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Në rastin e “Texas v. Johnson” të vitit 1989 ku individë dogjën flamurin amerikan, Gjykata e Lartë vendosi që ky veprim simbolik ishte i mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.[14] Pavarësisht këtij vendimi, debati mbi shprehjen simbolike dhe përçmimin e flamurit kombëtar, shoqëroi edhe këtë vendim ku pati shumë nisma për ta amenduar Kushtetutën në mënyrë që të mbrohej flamuri. Por, në rastin e boksierit të famshëm Muhamed Ali, i cili në mënyrë simbolike vendosi të protestonte kundër të njëjtës luftë, asaj të Vietnamit, duke refuzuar të shkonte atje, e njëjta Gjykatë vendosi dënimin e tij me burg dhe heqjen e titullit të kampionit të botës që ai mbante[15]. Në këtë rast për Gjykatën e Lartë veprimi i tij simbolik nuk përfitonte mbrojtje nga Amendamenti i Parë. Edhe pse simbolika e shprehur drejtohej nga njerëz të ndryshëm ndaj një kauze të njëjtë, subjektivizmi përcaktoi vendime të ndryshme gjykate. Për këtë arsye, shpesh është parë Amendamenti i Parë i Kushtetutës, si kontradiktor dhe më shumë gjeneralist, i cili aktualizohet mbi parimet bazë të shtetit, ndërsa interpretohet dhe përkufizohet rast pas rasti. Prandaj absolutizimi i këtij amendamenti dhe trajtimi i tij si statik është tërësisht i gabuar, veçanërisht kur shoqërisë amerikane i duhet të përballet me pasigurinë e rendit publik si pasojë e shprehjes së lirë, qoftë artikuluese apo simbolike.
Le të shohim një rast tjetër. Dy studentë të Minersville School District, Lillian dhe William Gobitis, u përjashtuan nga shkolla sepse refuzuan të përshëndesnin flamurin amerikan si pjesë e ritualit të përditshëm të shkollës. Dy studentët ishin pjesëtarë të “Dëshmitarëve të Jehovait” dhe sipas besimit të tyre, respektimi i flamurit ishte në kundërshtim me mësimet biblike. Çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë e cila vendosi që shkolla kishte të drejtë t’u imponohej studentëve të nderonin flamurin amerikan dhe të bënin gjithë procedurën e recitimit të himnit, pavarësisht bindjeve fetare të studentëve.[16] Në këtë rast liria e dy studentëve për t’u shprehur sipas Amendamentit të Parë, nuk u pa e arsyeshme nga Gjykata e Lartë. Në vitin 1973 një prind nga New York-u i drejton një ankesë Komisionit Federal të Komunikimit në të cilën thuhej se fëmija i tij kishte dëgjuar gjatë një transmetimi radiofonik të emisionit “Filthy Words”, fjalë të cilat nuk mund të thuheshin në publik.[17] Më pas stacioni radiofonik u censurua si pasojë e një letre të dërguar nga FCC (Komisioni Federal i Komunikimit). Stacioni radiofonik “Pacifica Foundation” iu drejtua Gjykatës së Lartë me pretendimin se aktiviteti dhe programacioni i saj mbroheshin nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e FCC për të censuruar emisionin me justifikimin se prevalonte interesi publik mbi liritë individuale. Në vitin 1951 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Shteteve të Bashkuara, Eugene Denis, iu drejtua Gjykatës së Lartë sepse ai dhe dhjetë krerë të partisë së tij nuk ishin lënë të lirë të shprehnin bindjet e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së saj. Gjykata e Lartë e rrëzoi kërkesën e Denis, me arsyetimin se synimet e krerëve të Partisë Komuniste Amerikane ishin të rrezikshme për rendin kushtetues.[18] Të njëjtat arsye që një individ gëzon në lirinë e tij të shprehjes, të njëjtat arsye i japin jetë të drejtave të tjera po aq themelore siç janë e drejta e individit për sigurinë personale, për privatësinë e tij, reputacionin dhe trajtimin e barabartë në marrëdhëniet me anëtarët e tjerë të shoqërisë, sepse janë të drejta që i përkasin të njëjtit terren lirie si ajo e shprehjes, duke qenë pjesë e të njëjtit korpus vlerash dhe standardesh.
Tani, kur ne zhytemi në debatin për hapësirat e lirisë së shprehjes, nuk e kuptojmë se kredhja jonë artikuluese shtrihet në planin justifikues të faktit që një liri si ajo e shprehjes, paska të drejtën legjitime të mbivendoset apo edhe të shterojë liritë e tjera po aq themelore të të tjerëve. Justifikimi i mbivendosjes së kësaj të drejte mbi të drejtat e tjera, bazohet nga mbështetësit e tyre në atë që ata e quajnë interesin shoqëror të cilit liria e shprehjes i shërben. Në fakt është karakteristikë e justifikimeve ligjore që kur e do vakti, të drejtat juridike të interpretohen si interesa dhe kur bëhet fjalë pastaj për interesa të individëve apo grupeve shoqërore ato marrin vlera vetëm nëse janë konform vlerave të shoqërive respektive, duke mënjanuar natyrën universale të së drejtës juridike e cila qëndron si e tillë e pavarësuar nga interesi qoftë edhe konjuktural apo i përkohshëm i një situate juridike. Kështu e drejta individuale përfundon të përthithet apo neutralizohet nga koncepti i interesit social i cili nga ana e tij është i vështirë të definohet në formë konsensuale. Për këtë arsye edhe argumentimi absolutist që vihet re kur përdoret Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane si shembull i lirisë së pakushtëzuar të shprehjes, duhet parë më me objektivitet, sepse shembujt e mësipërm tregojnë që edhe vetë Amendamenti i Parë, funksionon si garantues lirie në formë parimore, por jo përcaktues dhe përkufizues eksplicit në vetvete.
Është pak e vështirë të argumentosh faktin, se liria si koncept duhet të qëndrojë e shkëputur, apo thënë ndryshe, e emancipuar nga rendi dhe renditja, nga norma dhe rregulli, për sa kohë ajo si kategori merr formë brenda këtij realiteti. Ne, jetojmë në një botë ku rendi në kuptimin kozmologjik është tipari themelor i ekzistencës. Ai, (rendi) projektohet që nga makrosfera në një kozmos ku rregulli perfekt dhe ligji fizik janë formë e jashtme e mirëmbajtjes, formë vizive e një realiteti të cilin brezat tanë kanë luksin ta perceptojnë atë. Ky rend zbret në formë teleologjike edhe në ekzistencën e planetit tonë duke strukturuar jetën e gjallesave e sendeve. Në këtë kuptim, liria si tipar i qenies më të privilegjuar të planetit, merr jetë brenda dimensionit të rendit, çka do të thotë se, për sa kohë ajo është pjesë e rendit dhe rregullit duhet të jetë subjekt i kufizimeve dhe përkufizimeve të cilat i japin kuptim asaj. Të jesh i lirë në fakt do të thotë të dalësh nga statusi i të qenët i penguar. Nëse nuk do të ekzistonte pengesa dhe kufizimi, liria nuk do të kishte kuptim dhe as që do të emërtohej si e tillë. Ajo çka ne mund të themi është se liria merr kuptim përmes kufizimeve, dhe është pikërisht përmes marrëdhënies me to që ajo shfaqet si situatë. Çdo gjë e cila bashkëshoqërohet me nevojën, në të njëjtën kohë është bashkudhëtare me kufizimin. Nëse rendi kozmologjik është në nevojë të ligjësive rregulluese të cilat garantojnë ekzistencën e tij, atëherë ky rend është në vetvete i kufizuar. Nëse njeriu, qeniet e tjera si dhe ekzistenca në tokë është në nevojë të ligjeve dhe rregullave fizike për të marrë kuptim, atëherë edhe ato janë të kufizuara. Kjo sjell si pasojë rrjedhimin logjik që një ekzistencë e kufizuar nuk mund të prodhojë veti absolute, një qenie e kufizuar nuk mund të aktualizojë liri absolute.
Për me tepër qenia e kufizuar nuk mund as edhe ta konsumojë një liri absolute nëse i jepet, sepse përsëri atë do ta shpërfaqte brenda kufizimeve të veta. Kështu tentativa për t’i dhënë lirisë atribute absolute në marrëdhëniet ndërnjerëzore, është një tentativë e cila ngelet në suazat e utopisë dhe shpirtit, ngase i vetmi i cili mund të përqaset me konceptin e pakufizuar të lirisë, është vetëm një qenie e pakufizuar si shpirti. E nëse ne po flasim për lirinë në shoqëri, atëherë e vetmja rrugë për të folur për lirinë është përmes kufizimeve të saj. Meqë kufizimi qenka tipar i lirisë, menaxhimi i këtij kufizimi është detyrë themelore për të përcaktuar atë që i zgjat jetën lirisë, e ajo që i zgjat jetën lirisë në një shoqëri, është ndërtimi i ekuilibrit të saj. Një ekuilibër i nevojave të lirisë i cili shtrihet në terrene të paracaktuara. Nëse do të ndodhte e kundërta dhe liria të mos paracaktohej, atëherë në sajë të shpengimit të vet, liria do të humbte pikën e referencës që në fakt është vetë humbje e modelit të lirisë. Referenca e lirisë e cila e mban të gjallë modelin e saj, mbështetet mbi dy shtylla të forta që janë e vërteta dhe drejtësia (morali dhe moraliteti), sepse janë të pathyeshme përgjatë historisë së vetë lirisë. Relativizimi i kufijve të lirisë, humbja pra e referencës së saj, në të njëjtën kohë përbën edhe humbjen e vijës ndarëse të dëmit.
Për këtë arsye gjejmë që rendet shoqërore përgjatë historisë kanë ndërtuar institucionet si gjykata, zbatuese të ligjit hyjnor në shoqëritë religjioze, apo paketa si kushtetutat, ligjet, institucionet sanksionuese, të cilat detyrë themelore të tyre kanë pasur ruajtjen e referencës së lirisë, të vijës ndarëse të dëmit. Kështu u ndërtua një ekuilibër mes rendit publik, që është një konsensus kufizimesh, dhe lirisë individuale e cila ndodhet në të vërtetën e vet. E gjitha mund të përmblidhet në një shoqëri të ekuilibruar lirish, ku në fakt, duhet të marrësh leje për të qenë i lirë. Leje për të ushtruar aktivitete sociale, biznesi, politike, leje për manifestime, deklarime, leje për të ndërtuar, leje për të drejtuar automjetin, leje për të aktualizuar dëshirën tënde për të qenë i lirë. I lirë jo vetëm duke mos dëmtuar të drejtën e të tjerëve por mundësisht duke e mbrojtur atë. Pra, për të pasur besim te liria duhen njohur arsyet e ekzistencës së saj.
1.3. Përgjegjshmëria e lirisë dhe e vërteta si kriter i lirisë së shprehjes
Nëse do të humbnim referencën e lirisë e cila shtrihet te kriteri i së vërtetës së saj, atëherë do të përballeshim me gabime konceptuale siç ishte ai i rastit të shpifjes përmes karikaturimit apo edhe filmimeve. Në këtë rast u vu re më së shumti kujdesi për lirinë individuale të karikaturistit apo karikaturistëve dhe u shpërfill liria e grupeve të mëdha religjioze. Në këtë rast referenca e lirisë që ishte e mbështetur te vërtetësia e produktit, është pothuajse inekzistente, sepse karikaturat por edhe filmimi, nuk përmbanin të vërteta për subjektin të cilin ata trajtonin. Mbrojtësit e publikimit të karikaturave të Profetit Muhamed e justifikojnë këtë aksion bazuar në të drejtën që kanë për të qenë të lirë të shprehen dhe të luftojnë çdo lloj censure. Kundërshtarët e publikimit të tyre mbështeten në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut[19], madje shkojnë më tej duke thënë se neni 20 i kësaj deklarate u jep të drejtën edhe të grumbullimit dhe protestimit ndaj një akti të tillë. Në këtë garë të drejtash, dhe më saktësisht kur harmonia dhe ekuilibri i tyre është shpërpjesëtuar, secila palë mund të akuzojë njëra-tjetrën për dëme të shkaktuara. Të parët dëme mbi baza morali e dinjiteti, të dytët dëme materiale dhe prishje të pronës. E gjithë kjo si rezultat i përdorimit të papërgjegjshëm të lirive respektive të secilës palë.
Po e nisim me një shembull të thjeshtë por kuptimplotë që John Stuart Mill në veprën e tij “On Liberty”[20] e shtron si argument se pse liria e shprehjes duhet t’i nënshtrohet terreneve kufizimeve nëse ajo bëhet shkas për të dëmtuar të tjerët. Ai e konsideron dëmtim të interesave të të tjerëve nëse si pasojë e lirisë së shprehjes dikush mund të ngrihet në mesin e një teatri të mbushur plot e përplot me njerëz dhe të bërtasë “Zjarr !” Në raste të tilla dëmi i shkaktuar si pasojë e lirisë së dikujt në raport me të tjerët mund të jetë dëm i matshëm në parametra fizikë, financiarë apo edhe moralë. Pra e konsideron këtë si shkelje të drejte e cila nga ana e vet konsiderohet si dëm lehtësisht i përllogaritshëm. Kështu, çdo njeri mund të ndjehet i lirë të thotë apo të shprehë çfarë ai dëshiron përderisa kjo nuk shkakton dëmtim dhe prishje të harmonisë së të drejtave. Duke vazhduar logjikën e Mill, çdo turmë njerëzish e irrituar si pasojë e një lajmi i cili është produkt i lirisë së shtypit mund të shkojë te pronat apo familjarët e personit/personave të akuzuar publikisht në media dhe mund t’i dëmtojë apo shkatërrojë ato. Së pari, kemi të bëjmë me një dëm material, fizik e moral dhe së dyti, ky dëm është shkaktuar pa u ndarë përfundimisht e vërteta nga spekulimi mediatik. Për të parandaluar dëmin apo cenimin, Mill është i mendimit se duhet të kuptohet se çfarë përbën dëm dhe lidhjet e tij me individin, në mënyrë që të jemi në gjendje të logjikojmë mbi caqet në të cilat liria e fjalës duhet të frenohet.
Programi i Jerry Springer “The Opera” i transmetuar në rrjetin e famshëm BBC, u përball me protesta masive të komunitetit katolik në Britani, me mbi 47.000 ankimime sepse paraqitej Jezusi si “deviant seksual”. “Christian Voice” e quajti këtë vënie në skenë “tërësisht ofenduese”. Protestat avancuan me qindra protestues para zyrave të BBC–së, të cilët në pankartat që mbanin në duar e quanin BBC-në si “Blasphemy Broadcasting Corporation”[21]. Situata degradoi deri në kërcënime për vdekje për drejtuesit dhe hartuesit e emisionit. Evitimi i situatave të tilla realizohet duke mos anashkaluar principin e dëmit potencial. Përmes vlerësimit si dhe mbajtjes parasysh nga media të disa faktorëve të rëndësishëm si motivi, numri potencial i njerëzve të ofenduar, interesat e komunitetit e bëjnë më të përgjegjshme lirinë e shprehjes dhe i japin kuptim social përdorimit të kësaj të drejte themelore. Papërgjegjshmëria e përdorimit të lirive në përgjithësi por edhe lirisë së shprehjes në veçanti, fillon në momentin kur individi këtyre lirive u jep atribute absolute. Vetë fakti i të qenët të lirisë së shprehjes në grupin e lirive të ashtuquajtura të mëdha apo të rëndësishme, nuk e bën atë të “padisiplinueshme” në marrëdhëniet e saja me liritë e tjera. Ekuilibrimi i lirive është karakteristika themelore e një demokracie të vërtetë. Liria e shprehjes dhe liria besimit janë të pandara nga njëra-tjetra brenda një konteksti të caktuar. Ndarja mekanike e lirisë së shprehjes nga besimi dhe absolutizimi i saj, çon në dogmatizim të kësaj lirie dhe çdo dogmatizim ka premisa për t’u kthyer në diktat. Kështu mund të themi se nëse vazhdohet me absolutizim pakufi të lirisë së shprehjes duke mos përcaktuar limite njerëzore, rrezikojmë ta kthejmë lirinë e shprehjes nga shtylla e demokracisë në godinën e diktatit, të një diktati “të lirisë së shprehjes”. Kështu duke u mbështetur në parimin e dëmit sipas J. S. Mill, i cili thotë se:
I vetmi qëllim për të cilin mund të përdoret forca mbi çdonjërin prej anëtarëve të një komuniteti të qytetëruar, kundra vullnetit të tyre, është të parandalojë dëmin ndaj tjetrit.[22]
Mund të mendojmë se marrëdhëniet shoqërore kanë kufij të mirëpërcaktuar, ka një kuadër etiko-moral i cili respektohet pikërisht për të ruajtur thurjen sociale në rastin më të keq, dhe për të përmirësuar dhe ngritur në një nivel më të lartë shoqërinë, në rastin më të mirë. Ndaj edhe karikatura të tilla absolutisht nuk tregojnë ndonjë fitore të demokracisë në kontekstin e lirisë së të shprehurit, por vetëm na kujtojnë të gjithëve ne, se kufiri për të cilin folëm më lart, është cenuar. Dhe kur kufijtë cenohen e kemi shumë të vështirë të parashikojmë pasojat. Prandaj në përgjithësi morali i gjithë kësaj që ndodhi na kujtoi se shoqëria njerëzore vendos kufij të mirëpërcaktuar dhe se liria e shprehjes, mbi të gjitha duhet të jetë bashkudhëtare me përgjegjshmërinë. Në fakt, karikaturat daneze apo filmat amerikanë, në esencë të tyre nuk kishin dhënien e leksioneve mbi religjionin, në rastin konkret të Islamit, por demonstrimin e tipareve reale që karakterizojnë botën sekulare dhe modernitetin në përgjithësi, kur bëhet fjalë për tolerancën dhe multikulturalizmin. Liria e shprehjes dëmtohet në përmasa shumë të mëdha nëse flamurin e mbrojtjes së saj e merr fanatizmi kulturor i cili nga ana e vet prodhon efektin e kundërt me lirinë e shprehjes. Po ashtu është gabim për ata që mendojnë se liria e shprehjes dhe demokracia duhet të merren herë pas here në provim duke futur si tezë provimi, blasfeminë apo poshtërimin. Kjo më tepër ngjan me një eksperiment pervers për të testuar më shumë se sa lirinë e shprehjes, rënien e lirë të shoqërisë njerëzore drejt humbjes së vlerave. Provimin e vet demokracia e kalon duke garantuar liritë themelore të njeriut, ku e drejta për pacenueshmërinë dhe integritetin moral të tij është pjesa më e rëndësishme e saj dhe treguesi kryesor i limiteve të pashkelshme.
Publikimi i filmimit poshtërues të Sam Baciles, ndaj Profetit Muhamed, risolli edhe një herë në vëmendjen publike atë debat i cili qe aktivizuar herët më 2005-ën kur shumë gazeta printuan karikaturat daneze, lidhur me trashëgiminë e lirisë së shprehjes. Shumë pyetje u ngritën asokohe mbi faktin nëse liria e shprehjes ishte apo jo në softin e Islamit dhe myslimanëve dhe nëse Perëndimi dhe Islami ishin bartës ose jo të vlerave opozitare. Një debat i madh mori udhë mbi pikëpyetjen nëse arsyeja dhe besimi janë dy nocione të përputhshme me njëra-tjetrën, ku me arsyen nënkuptohej vlera demokratike, sekulare liberaliste dhe me besimin nënkuptohej autoriteti, tirania e nënshtrimit, pse jo edhe dhuna. Të vendosura në këtë formacion, qasja hulumtuese duket se është pashmangshmërisht konfliktuale e cila përfundon me një përplasje të paralajmëruar qytetërimore, që formën e saj të shkruar e mori më së shumti nga Samuel Huntington dhe teoria e tij e cila e shihte si thelbësore papajtueshmërinë kulturore mes Perëndimit si bartës të Krishterimit dhe Islamit, e cila do të përfundonte me një përplasje të madhe. Duke u nisur nga përqasjet që shpesh janë afishuar në media, të jepet përshtypja se doktrina e krishterë është më mikpritëse me demokracinë. Në fakt, demokracia është nocion dhe praktikë e cila vjen nga një qytetërim më i hershëm se ai i krishterë, nga Greqia e lashtë me kulturën athinase të Agora-së, në të cilën qytetarët në formë konsensuale, merrnin vendime të rëndësishme për bashkësinë dhe për marrëdhëniet me shtetet e tjera. Kështu konceptet e demokracisë së sotme moderne na vijnë nga Greqia klasike ku koncepti i bashkësisë ishte shumë i zhvilluar. Sipas Giorgio Zanchinit, një ndër tiparet që dallon demokracinë e lashtë me atë bashkëkohore, është ndarja në sferë private dhe sferë politike. Në atë kohë një qytetar athinas i ishte dedikuar shërbimit ndaj bashkësisë komunitare dhe kjo ishte parësore për të. Jeta publike dilte në plan të parë ndërkohë që jeta private konsiderohej si dytësore[23]. Në këtë kontekst fjala idiot që vjen nga latinishtja, prejardhjen e ka nga greqishtja e lashtë (idion) që do të thotë privat dhe përdorej me konotacion përbuzës ndaj atij anëtari të shoqërisë që merrej më shumë me punë private dhe anashkalonte interesin kolektiv publik të bashkësisë. Megjithatë, do të duhet të bëjmë një saktësim mbi konceptin e atëhershëm të demokracisë në Greqinë e lashtë dhe konceptin modern të demokracisë. Pika ku këto koncepte ndryshojnë nga njëri-tjetri, është te qasja që ato kanë me individin. Demokracia e sotme si themel të sajin ka vlerën universale të dinjitetit të njeriut, pra sistemi është i ngritur duke respektuar këtë premisë me qendër individin dhe të drejtën e tij. Në Greqinë e lashtë, koncepti i barazisë ekzistonte por nuk arrinte të shtrihej deri te dinjiteti universal i njeriut. Ekzistonte e drejta për t’u shprehur i lirë në forumet, në Agora-në athinase, por kufijtë e individit shiheshin brenda bashkësisë dhe e drejta universale e tij ishte një koncept i tëhuajsuar. Por gjithsesi, nocionet bazë të të shprehurit lirshëm ishin prezentë dhe kanë përbërë referencën historike të qytetërimeve të cilat iu qasën asaj.
Duke iu kthyer Krishterimit, duhet të pohojmë se ekziston një boshllëk i madh kohor midis kulturës së shprehjes së lirë në Agora-në athinase dhe shoqërive evropiane të krishtera të cilat filluan t’i japin përparësi individit dhe shprehjes së lirë. Nga Agora-ja e deri te “kontrata sociale” e Jean Jaques Rousseaus e cila u formulua më pas si “religion civil” e deri te Republika e Tretë në Francë, qëndrojnë disa shekuj që pak ose aspak kishin të bënin me kulturën demokratike dhe softin demokratik të Krishterimit. Nëse do të zhyteshim në Mesjetën evropiane, koncepti i dinjitetit njerëzor nën latinizmin “dignitas”, ishte ekuivalent i shtresave të larta të shoqërisë të cilët pretendonin përkatësinë mbi këtë term dhe aspak i shtresave të ulëta të saj. Kështu presupozimi se dinjiteti njerëzor si bazë e demokracisë ishte trupëzuar në Krishterim, është i pabazë e për rrjedhojë edhe kultura demokratike në shekujt kur qeveriste kasta e Kishës, mungonte në pothuaj të gjitha komponentët e saj. Për më tepër gjatë historisë së saj, Evropa është karakterizuar nga një ndarje klasore e thellë mes shtresave të popullsisë së saj, ndarje e bazuar edhe në identitetet e mëvonshme fetare dhe nacionale, të cilat kanë shkaktuar konflikte të herëpashershme. Këtu duhet të sjellim në vëmendje edhe faktin se përveç mungesës së një demokracie e cila duhej të prodhohej së brendshmi në marrëdhëniet brenda vetes së vet, Evropa ka qenë edhe eksportuesja e një historie të gjatë kolonizimi, shfrytëzimi e vuajtjesh të shkaktuara ndaj popujve të kontinenteve të tjera si Azi, Amerikë, Afrikë duke projektuar mungesën e dinjitetit njerëzor përmes shfrytëzimit të burimeve njerëzore e natyrore në mënyrë thellësisht diskriminuese. Nëse do të supozonim se pohimet e Francis Fukuyamës, se doktrina kristiane është e bazuar mbi “dinjitetin universal të njeriut”[24] si vlerë unike e civilizimit Perëndimor, atëherë do të duhej të përmendnim këtu thënien e Hannah Arendt-it e cila vërteton se politikat raciste të shteteve evropiane kanë qenë themeli i zhvillimit të fashizmit në Evropë.[25] Në këtë kuptim, kërkimi për konceptin e “dinjitetit njerëzor” në civilizimin evropian, do të duhej të bëhej vetëm atëherë kur ky civilizim të shkëputej nga pushteti dhe autoriteti i Kishës. Pra, vlerat e demokracisë evropianë morën formë atëherë kur edhe dinjitetit njerëzor dhe barazia mes njerëzve u bë qëllimi prioritar i shoqërive evropiane. Ajo çka duhet thënë në këtë rast është se ky stad arriti vetëm atëherë kur shoqëritë evropiane vendosën të zëvendësonin Kristianizmin si nocion pushteti me sekularizmin dhe shoqëritë liberale. Prandaj sekularizmi në shoqëritë evropianë nuk përbën vetëm një ndarje të thjeshtë të Kishës nga shteti, por në vetvete është zmbrapsje e religjionit për të mos ndërhyrë në administrimin e shoqërive moderne. Parë në këtë këndvështrim, atëherë përqasja se demokracia është thelbi i doktrinës kristiane do të na çonte në një konkluzion tjetër, ku sipas këtij supozimi, sot Evropa është antidemokratike ngase ka zëvendësuar qendrën e pushtetit nga një administratë demokratike të Kishës më një administratë sekulare e liberal-totalitariste. Prandaj, ne nuk duhet të harrojmë se vlera të tilla si, liria, barazia dhe vëllazëria u vendosën në Evropë përmes shpatës dhe gijotinës, përmes luftës e konfliktit, për të zëvendësuar një pushtet të vjetër i cili nuk njihte dinjitetin njerëzor me një pushtet të ri të perandorive moderne evropiane, të nacionalizmit, racizmit, gjenocidit e kolonializmit. Historia e Evropës, e krishterë ose jo, ka pasur problemet e saj me “dinjitetin njerëzor” si themeli i demokracisë. Evropa sot e konsideron si arritje gjendjen aktuale të të drejtës publike sepse ajo vazhdon të vuajë edhe sot e kësaj dite frikën e rikthimit të pushtetit të Kishës, prandaj liria e fituar me aq shumë mund shihet e kompleksuar nga frika e humbjes së saj, nga frika e çdo gjëje religjioze e cila për historinë e Evropës do të thotë rikthim në qelinë e autoritarizmit dhe diktatit ekleziastik. Është pikërisht këtu gabimi që bën Evropa sot kur i qaset marrëdhënieve me myslimanët në rastin e karikaturave, sepse ajo mbron lirinë e shprehjes jo se nuk e kupton që ajo duhet të ketë kufij, por e konsideron atë si kufirin mbrojtës ndaj religjionit. Gabimi qëndron në të konsideruarit të fenomenit mysliman me konceptimin dhe këndvështrimin që ata kanë për Krishterimin dhe historinë e tij. Për këtë duhet kuptuar Islami dhe thelbi i tij, natyra sociale dhe qasjet që ai ka me demokracinë e sotme për të ndërtuar pastaj një përafrim më tipik në lidhje me pretendimet e myslimanëve për sa i përket respektimit të dinjitetit njerëzor.
[1]. GA Res. 217 A (III), (dhjetor 1948) Neni 19: “Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes; kjo e drejtë përfshin të drejtën për të mbartur opinione pa ndërhyrje dhe të kërkojë e marrë informacione dhe ide përmes çdo medie pavarësisht kufijve.”
[2]. ECHR, Neni 10: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes… Ushtrimi i kësaj të drejte mban përgjegjësi e detyra dhe mund të jetë subjekt i formaliteteve, kushtëzimeve, shtrëngimeve apo ndëshkimeve të parashikuara sipas ligjit në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial dhe sigurisë publike…”
[3]. ICCPR, Neni 19.
[4]. U. N. Human Rights Commitee, (1983). Dispozita të Përgjithshme nr. 10. Neni 19: “Liria e Shprehjes”.
[5]. Waldron, Jeremy, “Why Call Hate Speech Group Libel?” (Pse duhet futur Hate Speech në grupin e shpifjeve) Harward Law School: Holmes Lectures, 2009.
[6]. Meiklejohn, Alexander, “Political Freedom” ( Liria Politike) 1960 f. 54-55 (në këtë punim autori rreket të shpjegojë se Amendamenti i Parë nuk arrin të mbrojë individin dhe lirinë e tij dhe të sigurojë në të njëjtën kohë mbrojtje të interesave sociale). Kurse Bork H. Robert në një punim tjetër, “Neutral Principles and Some First Amendment Problems” (Parimet Neutrale dhe Disa Probleme me Amendamentin e Parë), (1971) 47 IND. L. J. 1, f. 24-26 (argumenton se Amendamenti i Parë mbron vetëm lirinë e fjalës në diskursin politik).
[7]. OKB, “Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike”, 1966, neni 18.
[8]. Po aty, neni 19, ICCPR.
[9]. HRC General Comment nr. 22, “The righ of freedom of thought, conscience and religion”, Neni 18.
[10]. Gray Ch. John,“The nature and Sources of the Law”, botimi i dytë, viti 1972, f. 18.
[11]. International Convention on the Elimination of All Forms of Racial Discrimination, 660 United Nations Treaty Series 195, New York, 7 mars, 1966.
[12]. U.S Reservations, Deklarations and Understandings, INT’L COVENANT ON CIV. And POL. RTS, 138 Cong. Rec. (Regjistrime të Kongresit) S4781-01, dt. 2 prill 1992.
[13]. U.S. Constitution, Amendment 1, The U.S. Constitution Online; USConstitution.net (vizituar më 10 prill 2013).
[14]. Texas v. Johnson, Supreme Court of the United States, 21 qershor 1989.
[15]. Clay v. United States, Supreme Court of the United States, 28 qershor 1971.
[16]. Minersville School District v. Gobitis, 310, U. S. 586, 1940.
[17]. Federal Communication Commission v. Pacifica Foundation, United States Supreme Court 438 U. S. 726, viti 1978.
[18]. Dennis v. United States, United States Supreme Court 341 U. S. 494, viti 1951.
[19]. “Universal Declaration of Human Rights”, Neni 18 : “Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë; kjo e drejtë përfshin lirinë për të ndërruar besimin dhe fenë e tij individualisht apo kolektivisht në publik apo në privat, ta shfaqë fenë dhe besimin e tij në arsim, praktika, adhurim dhe në zbatim.”
[20]. Mill, John Stuart. 1859. “On Liberty.” In Mary Warnock, bot. J. S. Mill: Utilitarianism and Other Writings (New York: New American Library), 1962.
[21]. http://news.bbc.co.uk/2/hi/entertainment/4161109.stm (vizituar më 16 prill 2013.)
[22]. Mill J. S., “On Liberty”, 1859, Gateway 1955, f. 13.
[23]. Zanchini, Giorgio,“TELEDEMOKRACIA nënshtetas kokëulur apo qytetarë” Tiranë : Instituti Shqiptar i Medias 2001, f. 59.
[24]. Fukuyama, Francis, “The End of History and the Last Man”, New York, 2006.
[25]. Arendt, Hannah, “The Origin of Totalitarianism”, (1951), ribotim New York Schocken, 2004.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...