Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Apr 15, 2015 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Elton Karaj, Universiteti Bedër
Abstrakt
Në këtë artikull ne do të hedhim pak dritë mbi çështjen në fjalë, duke u munduar të përfshijmë të gjitha mendimet bazë që janë pro ose kundër. Në krye kemi përmendur mendimet e ndryshme në lidhje me secilën prej këtyre periudhave kohore dhe në pjesën e përfundimit kemi përfshirë një analizë të përgjithshme. Që në krye dëshirojmë të theksojmë që jemi bazuar kryesisht në veprën Letaif el-Isharat të Ibn Rexheb el-Hanbeliut, sepse gjithçka në këtë temë lidhet me të.
Hyrje
Në fenë Islame disa periudha kohore janë më të veçanta sesa të tjerat. Këtë ne e konstatojmë në Kur’an dhe në Traditën Profetike ku shohim që agjërimi dhe leximi i Kur’anit në muajin e Ramazanit, adhurimi në një të tretën e fundit të natës, lutja që bëhet menjëherë pas faljes së namazeve farz dhe shumë raste të ngjashme na tregojnë për vlerën e veçantë të disa kohëve të caktuara.
Përcaktimi i këtyre kohëve të veçanta është një vlerësim, të cilin mund ta bëjë vetëm Kur’ani ose Tradita Profetike. Asnjë person nuk mund të vlerësojë fetarisht një periudhë kohore si më me vlerë, duke u bazuar vetëm në mendimin e tij personal. Duhet patjetër që ky akt të ketë një bazë dhe një burim hyjnor të besueshëm.
Në këtë aspekt, muajt Rexheb dhe Shaban, së bashku me netët e mira Regaib, Miraxh dhe Beraet, janë konsideruar si kohë me vlera të veçanta që duhen shfrytëzuar me adhurim. Por, për shkaqe teknike dhe metodologjike të ndryshme, dijetarët kanë arritur edhe në përfundime të ndryshme në lidhje me çështjen.
Në këtë artikull ne do të hedhim pak dritë mbi çështjen në fjalë, duke u munduar të përfshijmë të gjitha mendimet bazë që janë pro ose kundër. Në krye kemi përmendur mendimet e ndryshme në lidhje me secilën prej këtyre periudhave kohore dhe në pjesën e përfundimit kemi përfshirë një analizë të përgjithshme. Që në krye dëshirojmë të theksojmë që jemi bazuar kryesisht në veprën Letaif el-Isharat të Ibn Rexheb el-Hanbeliut, sepse gjithçka në këtë temë lidhet me të.
Suksesi vjen vetëm me ndihmën e Allahut.
I – Muaji Rexheb
Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Ebu Bekra (r.a) na rrëfen: Në hutben e lamtumirës Profeti (s.a.s.) tha: “Koha u kthye në formën e saj normale kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën. Viti përbëhet nga 12 muaj ndër të cilat 4 janë haram. Tri Prej tyre janë njëri pas tjetrit: Ddhulka’de, Dhulhixhe, Muharem dhe këtyre i bashkëngjitet muaji Rexheb i mudarëve, që ndodhet mes Xhemadës dhe Shabanit”[1]. Kthimi i kohës në formën e saj normale është për shkak se arabët një herë në dy ose tri vite, një muaj e shpallnin nesi’ (i harruar), në mënyrë që pelegrinazhi i politeistëve të kryhej gjithmonë në verë, sepse kjo ishte koha më e përshtatshme për mekasit që t’i shërbenin atyre dhe të përfitonin në maksimum materialisht prej panaireve të shumtë që organizoheshin. Prandaj Ramazani, në fakt, nuk ishte Ramazani i vërtetë. Aplikimin e kësaj metode Profeti (s.a.s.) e anuloi. Në haxhin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) tashmë muajt ishin rrotulluar dhe kishin zënë vendin e tyre përkatës.
Katër muajt haram (el-eshhur el-hurum) Dhulka’de, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb janë prej muajve të virtytshëm. Allahu në këta muaj ka ndaluar luftën dhe dhunën. Edhe veprat pozitive që kryhen gjatë këtyre muajve janë më me vlerë sesa ato të bëra në muajt e tjerë.[2] Gjatë muajit Rexheb është ndryshuar kibla, është bërë detyrim sadakaja e fitrit, ka nisur falja e namazit të Bajramit të Ramazanit[3], Nuhu (a.s.) ka hipur në anije, ka agjëruar vetë dhe ka urdhëruar të tjerët që të agjërojnë së bashku me të[4].
Transmetohet një fjalë e Ebu Kilabes ku thotë që në xhenet ndodhet një kështjellë e posaçme për agjëruesit e muajit Rexheb[5], dhe sipas Ibn Rexhebit, Ebu Kilabe nuk shprehet pa pasur një transmetim të saktë[6]. Në lidhje me agjërimin e muajve haram Ebu Davudi transmeton një hadith nga Muxhiîbe el-Behilijje se Profeti (s.a.s.) i ka thënë tri herë babait të saj: صم من الحرم واترك “Agjëro në muajt haram dhe një pjesë braktise!”[7], kurse Ibn Maxhe transmeton se Profeti (s.a.s.) ka këshilluar kështu:صم أشهر الحرم “Agjëro muajt haram!”[8] Disa prej sahabeve agjëronin të gjithë muajt haram si Ibn Omer, el-Hasan el-Basri dhe Ebu Is’hak (r.a). Sufjan eth-Theuri i bashkohet këtij grupi me fjalën e tij: “Më pëlqen që muajt haram t’i kaloj me agjërim”.[9]
Kështu, në përgjithësi, selefët e nderuar bashkohen në mendimin se është mekruh që muaji Rexheb të agjërohet i plotë. Të paktën disa ditë duhen braktisur në mënyrë që mos t’i përngjasojë agjërimit të muajit Ramazan. Kjo ka qenë edhe një vepër e papëlqyer nga Profeti (a.s.). Në këtë kontekst, nga disa sahabe si Abdullah b. Mes’ud (r.a.) dhe ‘Ata (r.a.), transmetohet që Profeti (s.a.s.) kishte ndaluar përcaktime të tjera festash përveç atyre që vetë Islami ka përcaktuar. Për këtë arsye atij nuk i pëlqente që njerëzit ta kalonin me agjërim të gjithë muajin Rexheb[10]. Nëse do kishte vepruar në këtë mënyrë, disa njerëz mund të kuptonin sikur Rexhebi ishte një agjërim i detyrueshëm. Megjithatë, Ibn Rexhebi është i mendimit që ky kerahet (papëlqyeshmëri) mund të shfuqizohet duke shoqëruar agjërimin e muajit Rexheb me një muaj tjetër. P.sh: të agjërosh muajin Rexheb dhe Shaban.[11]
Gjithashtu transmetohet me një zinxhir të dobët nga Kasim b. Muhammed se nata e Miraxhit ka qenë në natën e 27 të muajit Rexheb.[12]
Nga Zijad et-Temimi transmetohet se kur hynte muaji Rexheb Profeti (s.a.s.) bënte lutje si në vijim: اللهم بارك لنا في رجب وشعبان وبلغنا رمضان “Zoti ynë! Na e bëj të begatë Rexhebin dhe Shabanin, dhe bëj të arrijmë muajin e shenjtë të Ramazanit”[13].
Të gjitha këto informacione i kanë shtyrë dijetarët të shkojnë në përfundimin që muaji Rexheb është çelësi i muajve të mirë e të begatshëm. Në këtë kontekst Ebu Bekr el-Uerrak el-Belhi shprehet kështu: Rexhebi është muaji i mbjelljes, Shabani është muaji i vaditjes së asaj që ke mbjellë, kurse Ramazani është muaji i korrjes. Gjithashtu është bërë shumë e njohur shprehja në vijim në lidhje me tri muajt: Viti është porsi pema, Rexhebi është stina e lulëzimit të gjetheve të saj, Shabani është muaji i degëzimit dhe Ramazani muaji i korrjes. Kurse korrësit janë besimtarët.[14]
Nata e Regaibit
Nata e Regaibit është e premtja e parë e muajit Rexheb. Kjo është konsideruar si një ndër netët e mira dhe ka zënë vendin e saj tashmë në traditën islame. Megjithëse rreth kësaj nate gjenden hadithe të ndryshme duhet theksuar fakti që ata janë me të vërtetë të dobët, kryesisht, hadithi që na komunikon një formë namazi të posaçëm për këtë natë. Imam Gazzaliu në veprën e tij Ihja ‘Ulum ed-Din shpreh se në lidhje me namazin e Rexhebit transmetohet një hadith ku thuhet: “Njëri prej jush agjëron të enjten e parë të muajit Rexheb, pastaj fal 12 rekate namaz mes jacisë dhe 1/3-ës së parë të natës, duke i ndarë me nga një selam për çdo dy rekate dhe në çdo rekat pas Fatihasë lexon 3 herë suren Kadr dhe 12 herë suren Ihlas. Kur përfundon namazin bën 70 herë salavate për mua (Profetin s.a.s.) me fjalët اللهم صل على محمد النبي الأمي وعلى آله, pastaj bën sexhde dhe thotë 70 herë سبوح قدوس رب الملائكة والروح, ngre kokën dhe thotë 70 herë رب اغفر وارحم وتجاوز عما تعلم إنك أنت الأعز الأكرم, bën përsëri sexhde duke lexuar të njëjtat lutje si sexhdeja e parë dhe në fund bën lutje të tjera duke kërkuar prej Allahut çfarë të dëshirojë. Të gjitha lutjet që ai bën gjatë këtij adhurimi i pranohen”[15]. Por ky hadith është i dobët.
Imam Gazzaliu përmend edhe një hadith tjetër ku shprehet se kush fal këtë namaz, i falen të gjitha mëkatet sado të mëdha e të shumta të jenë, dhe ka të drejtë shefaa’ti (ndërmjetësimi) në ditën e kiametit për të afërmit e tij, të cilëve i është bërë detyrim zjarri. Ai gjithashtu thekson se ky namaz është mustehab (i pëlqyeshëm), megjithëse nuk arrin gradat e namazit terauih apo të Bajramit.
Duhet theksuar se Gazzaliu nuk është “mashtruar”(!) prej transmetimeve të rrema. Për të kuptuar këtë fakt mjafton të shohësh çfarë ai ka shkruar si një kolos në historinë e fesë Islame. Ai rrëfen se është në dijeni të plotë për dobësinë e transmetimit, por kur ka parë banorët e Kudsit ta falin këtë namaz me xhemat dhe të mos e braktisin atë asnjëherë, e ka pëlqyer jashtë mase. “Për këtë më pëlqeu ta përmendja” shprehet vetë ai[16]. Pra, me sa duket, arsyeja e përmendjes së këtij namazi nuk është autenticiteti i transmetimit, por është atmosfera që është formuar në momentin që myslimanët e kanë praktikuar atë. Është një nxitje për të përfituar sa më tepër prej dobive të këtyre periudhave kohore.
II – Muaji Shaban
Në një transmetim të Imam Ahmed b. Hanbelit dhe të Nesaiut, Usame b. Zejdi (r.a.) i rrëfen Profetit (s.a.s.) një konstatim: S’të kam parë të agjërosh në asnjë muaj, aq sa agjëron gjatë muajit Shaban. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tregon: ذاك شهر يغفل الناس عنه بين رجب ورمضان وهو شهر ترفع الأعمال فيه إلى رب العالمين عز وجل فأحب أن يرفع عملي وأنا صائم “Ky është një muaj i cili nuk vlerësohet ashtu siç duhet nga njerëzit. Në muajin Shaban veprat lartësohen për tek Allahu (xh.sh.) dhe mua më pëlqen të jem agjërueshëm ndërkohë që ato ngjiten atje”[17].
عن عبد الله بن عمرو: أن النبي صلى الله عليه وسلم قال له: “أتصوم النهار وتقوم الليل”؟ قال: نعم فقال النبي صلى الله عليه وسلم: “لكني أصوم وأفطر وأصلي وأنام وأمس النساء فمن رغب عن سنتي فليس مني.
Në një transmetim të Buhariut dhe Muslimit, Profeti (s.a.s.) i drejtohet Abdullah b. Amrit (r.a.) dhe e pyet: “Ditën me agjërim dhe natën me adhurim e kalon?”, – Po – i përgjigjet ai. “Ndërsa unë ndonjëherë agjëroj e ndonjëherë tjetër jo, ndonjëherë fle, ndonjëherë e kaloj natën i shoqëruar e ndonjëherë me adhurim. Kush largohet prej sunetit tim, nuk është prej meje”, ia kthen i Dërguari i Allahut (s.a.s.)[18]. Hadithe si ky dëshmojnë që megjithëse muajt haram apo Shabani janë të veçantë, edhe ata duhen diferencuar nga muaji i Ramazanit.
Një grup dijetarësh mes të cilëve gjendet edhe Ibn Mubareku janë të mendimit që Profeti (s.a.s.) nuk e ka kaluar të gjithë Shabanin me agjërim, por ka agjëruar pjesën më të madhe të tij[19]. Këtë e dëshmon edhe hadithi i Aishes (r.a.) i transmetuar nga Muslimi: ما علمته صام شهرا كله إلا رمضان “Nuk di që Profeti (s.a.s.) të ketë kaluar një muaj të tërë me agjërim përveç Ramazanit” [20]. et-Tirmidhiu transmeton nga Ummu Seleme (r.a.): مَا رَأَيْتُ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَصُومُ شَهْرَيْنِ مُتَتَابِعَيْنِ إِلاَّ شَعْبَانَ وَرَمَضَانَ “Nuk kam parë asnjëherë Profetin (s.a.s.) të agjërojë dy muaj njëri pas tjetrit përveç Shabanit dhe Ramazanit”[21].
Nëse do të lindte pyetja se cili agjërim është më me vlerë, ai në muajt haram apo në muajin Shaban, përgjigjen e kësaj na e jep hadithi i Enes b. Malikut (r.a.) i transmetuar nga Et-Tirmidhiu ku thuhet: سئل النبي صلى الله عليه وسلم: أي الصيام أفضل بعد رمضان؟ قال: شعبان تعظيما لرمضان U pyet Profeti (s.a.s.) se cili agjërim është më me vlerë pas atij të Ramazanit dhe Ai u përgjigj: “Muaji Shaban, duke lartësuar kështu Ramazanin”[22].[23] Et-Tirmidhiu përsëri Hz. Aishja (r.a.) transmeton hadithin në vijim: مَا رَأَيْتُ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فِي شَهْرٍ أَكْثَرَ صِيَامًا مِنْهُ فِي شَعْبَانَ كَانَ يَصُومُهُ إِلاَّ قَلِيلاً بَلْ كَانَ يَصُومُهُ كُلَّهُ “Nuk kam parë Profetin (s.a.s.) të agjërojë aq shumë sa në muajin Shaban. E agjëronte thuajse të gjithin pa pak ditë. Thuaj që e agjëronte të gjithin”[24].
Në një hadith të dobët, Aishja (r.a.) e pyet Profetin (s.a.s.):
عن عائشة قالت: كان أكثر صيام رسول الله صلى الله عليه وسلم في شعبان فقلت: يا رسول الله أرى أكثر صيامك في شعبان؟ قال: “إن هذا الشهر يكتب فيه لملك الموت من يقبض فأنا لا أحب أن ينسخ اسمي إلا وأنا صائم”
Profeti (s.a.s.) agjëronte më tepër në muajin Shaban dhe e pyeta: “O i Dërguar i Allahut (a.s.) shoh që agjëron më tepër në muajin Shaban?” Dhe ai mu përgjigj kështu: “Këtë muaj përcaktohen emrat e njerëzve që engjëlli i vdekjes do të marrë (shpirtrat e tyre) dhe më pëlqen të jem agjërueshëm ndërkohë që emri im regjistrohet te kjo listë”. Dhe këtë informacion e mbështet një tjetër hadith që është mursel[25] ku thuhet:تقطع الآجال من شعبان إلى شعبان حتى أن الرجل لينكح ويولد له ولقد خرج اسمه في الموتى “Exhelet përcaktohen çdo Shaban. Madje ndoshta një person mund të martohet dhe të bëhet baba ndërkohë që emri i tij është shkruar mes të vdekurve”[26].
Dhe kur hyn muaji Shaban, duke pasur parasysh që është si një parapritje për muajin e ardhshëm, lejohet çdo adhurim që bëhet në muajin Ramazan, si agjërimi dhe leximi i Kur’anit, në mënyrë që besimtari të përgatitet për adhurimet farz. Seleme b. Kuhejl (r.a.) thoshte kështu kur hynte muaji Shaban: Ky është muaji i lexuesve të Kur’anit. Shprehet kështu sepse gjatë këtij muaji njerëzit nisnin leximin e Kur’anit, përpara se të hynin në Ramazan[27].
Si shkas për të bërë më tepër adhurim në muajin Shaban në fakt është i mjaftueshëm hadithi në të cilin Profeti (s.a.s.) na tregon se “ky është një muaj i cili nuk vlerësohet ashtu siç duhet nga njerëzit”[28], sepse adhurimi në një kohë që njerëzit merren me punë të tjera e bën më me vlerë atë.[29]
Nata e Beraetit
Imam Ebu Talib el-Mekkiu kur radhit netët e mira, sipas të cilit gjithsej ato janë 15, tregon që është e pëlqyeshme (mustehab) që edhe nata e Miraxhit, dhe nata e mesit në muajin Shaban (nata e Beraetit), të kalohen me adhurime të ndryshme. Në të njëjtën kohë ai thekson që njerëzit e kishin zakon që gjatë këtyre netëve të falnin 100 rekate namaz duke lexuar në secilin rekat 10 herë suren Ihlas. Këto quheshin netët e hajrit (mirësisë). Madje grumbulloheshin edhe nëpër xhami për të përfituar nga begatia e tyre duke u falur me xhemat.[30]
Transmetohet nga El-Hasan el-Basriu, i cili thotë që ka dëgjuar nga 30 sahabe që kush fal këtë namaz në këtë natë Allahu e sheh atë 70 herë. Në secilin shikim i plotëson atij 70 nevoja, ndër të cilat më e vogla është falja. Sipas një transmetimi, kjo është nata rreth së cilës Allahu ka thënë kështu në Kur’an: “Në të përcaktohen të gjitha punët me urtësi”[31]. Por sipas mendimit të Ibn Rexhebit në këtë ajet bëhet fjalë për natën e Kadrit.[32]
Kurse në lidhje me namazin e muajit Shaban transmetohet një namaz që falet natën e 15 të këtij muaji. Falen 100 rekate me një selam në çdo dy rekate. Në çdo rekat lexon 11 herë suren Ihlas pas sures Fatiha. Ose mund të falen 10 rekate duke lexuar në çdo rekat 100 herë suren Ihlas pas sures Fatiha. Edhe ky namaz është i transmetuar prej selefëve. Madje ata e falnin këtë namaz, grumbulloheshin në xhami për të dhe ndoshta mund të jenë falur edhe kolektivisht. Ky është quajtur namazi i mirësisë.[33]
Nga Ibn Abasi (r.a.) transmetohet që Allahu Teala përcakton kaderin natën e mesit të muajit Shaban (nata e Beraetit) dhe ia dorëzon atë përgjegjësve natën e Kadrit.[34]
El-Hasan el-Basriu dhe një grup tjetër thonë: Natën e Kadrit përcaktohet exheli (vdekja) e njerëzve. Sipas një mendimi tjetër, exheli përcaktohet natën e Beraetit[35].
Kjo natë është quajtur nata e begatë, si në ajetin e katërt të sures Ed-Duhan, nata e Beraetit, nata e marrëveshjes, nata e mëshirës, etj. Është quajtur nata e Beraetit dhe e marrëveshjes, sepse këtë natë Allahu përcakton falje për robërit e Tij. Gjithashtu transmetohet se Allahu i bën të ditur engjëjve të gjitha ndodhitë dhe dukuritë e vitit në vijim, dhe këto shkruhen në leuhin mahfudh. Nga një fletë i dorëzohet engjëjve. Mikailit (a.s.) fleta e furnizimit vjetor, Xhebrailit (a.s.) fleta e luftërave, Azrailit fleta e exhelit dhe kështu me radhë.[36]
Ibn Tejmije thekson se nata e Beraetit është e veçantë dhe ka vlera shpirtërore. Këtë na e dëshmojnë hadithet që janë transmetuar në lidhje me të. Ka prej selefëve që faleshin enkas këtë natë. Ky është një fakt që nuk duhet mohuar. Por namazi i posaçëm me 100 rekate dhe grumbullimi nëpër xhami për këtë natë është risi (bidat) dhe nuk ka asnjë mbështetje në traditën profetike.[37] Kurse agjërimi në përgjithësi muajin e Shabanit është i transmetuar, por sipas një mendimi agjërimi vetëm i ditës së Beraetit nuk është i pëlqyeshëm.[38] Për të shfuqizuar këtë kerahet besimtari mund të agjërojë ditën që paraprin natën e Beraetit dhe ditën në vijim, që në fakt është këshilluar edhe në hadith.
Megjithatë Ibn Rexheb el-Hanbeliu e sheh në një këndvështrim ndryshe çështjen dhe e legjitimon agjërimin e ditës së Beraetit për shkak se është dita e 15, një ndër tri ditët e çdo muaji në të cilat agjërimi është prej traditës profetike. Ndërkohë që agjërimin e ditës së Beraetit e përforcon edhe transmetimi i Ali b. Ebi Talib (r.a.) në koleksionin sunen të Ibn Maxhes[39], ku thuhet: إذا كان ليلة نصف شعبان فقوموا ليلها وصوموا نهارها فإن الله تعالى ينزل فيها لغروب الشمس إلى السماء الدنيا فيقول: ألا مستغفر فأغفر له ألا مسترزق فأرزقه ألا مبتلي فأعافيه ألا كذا ألا كذا حتى يطلع الفجر “Kur të vijë mesi i muajit Shaban kalojeni natën me adhurim dhe ditën me agjërim. Sepse pas perëndimit të diellit Allahu (xh. sh.) zbret në qiellin më të afërt me tokën dhe deri në agimin e diellit Ai i drejtohet robërve të Tij duke i thënë: A ka ndonjë prej jush që kërkon falje e ta fal atë? A ka ndonjë që kërkon rizk (furnizim) e ta furnizoj atë? A ka ndonjë të sprovuar rëndë e ta shpëtoj atë? E kështu vazhdon “A ka ndonjë që kërkon këtë apo atë, etj., t’ia japë atij”[40].
Ibn Maxhe gjithashtu transmeton nga Ebu Musa el-Esh’ariu (r.a.) që Profeti (a.s.) ka thënë: إن الله ليطلع ليلة النصف من شعبان فيغفر لجميع خلقه إلا لمشرك أو مشاحن “Allahu (xh. sh.) zbret natën e mesit të Shabanit dhe i fal të gjitha krijesat e Tij përveç politeistëve dhe debatuesve”[41]. Ahmed b. Hanbel transmeton nga Abdullah b. ‘Amri (r.a.) që Profeti (a.s.) ka thënë: الله ليطلع إلى خلقه ليلة النصف من شعبان فيغفر لعباده إلا اثنين مشاحن أو قاتل نفس “Allahu (xh. sh.) i drejtohet krijesave të Tij natën e mesit të Shabanit dhe i fal të gjitha ato përveç dy personave debatuesit dhe vrasësit”[42]. Ibn Hibban e transmeton këtë hadith në gradën merfu’[43] nga Mu’adhi (r.a.)[44].
Transmetohet se kalifi Abdullah b. Abdulaziz i ka dërguar një letër mëkëmbësit të tij në Basra ku i thotë: Përkujdesu për katër net në vit, sepse Allahu në to shpërndan mëshirën e Tij: natën e parë të Rexhebit, natën e mesit të Shabanit, natën e Fitrit dhe natën e Kurbanit. Imam esh-Shafi’i gjithashtu e mbështet mendimin për natën e Beraetit.[45]
Transmetohet se ‘Ata b. Jesar (r.a.) ka thënë: “Nuk di natë më të mirë se ajo e Berâetit pas natës së Kadrit…” Për këtë arsye besimtari duhet që këtë natë ta ndajë për të përmendur Allahun, për të kërkuar falje për mëkatet dhe që Allahu t’ia mbulojë ato, që ta shpëtojë prej problemeve, etj. Në krye të të gjithave duhet të jetë teubeja, kërkesa e faljes me pendesë, sepse Allahu (xh. sh.) fal të gjithë ata që kërkojnë falje në këtë natë.[46]
‘Ikrime e interpreton kështu ajetin e katërt të sures Ed-Duhan فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ “Në të përcaktohen të gjitha punët me urtësi”: Këtu bëhet fjalë për natën e Beraetit, megjithëse shumica e dijetarëve janë të mendimit që bëhet fjalë për natën e Kadrit.[47]
Kështu që, me sa shohim në burimet e haditheve, krahas transmetimeve të dobëta, kemi të saktat që dëshmojnë mirësinë e kësaj nate. Në këtë aspekt nuk duhet të tregohemi shumë të nxituar në vlerësime. Megjithatë edhe ekolet e ndryshme kanë rënë ndesh me njëri-tjetrin në këtë çështje. Një pjesë e banorëve të Shamit prej tabiinëve dhe një grup nga ata të Basras e kanë veçuar këtë natë me adhurim, kurse ata të Hixhazit nuk i kanë pranuar këto praktika[48].
Përfundim
Padyshim që rruga e drejtë është ajo e haditheve autentike, në transmetimin e të cilave nuk ka asnjë dyshim. Besimtarët duhet të qëndrojnë sa më larg bidateve, që dëmtojnë rrugën e drejtë. Feja duhet ruajtur fuqishëm ndaj tyre. Besimtari në këtë aspekt duhet të jetë shumë i ndjeshëm dhe transmetimin autentik ai duhet ta dallojë gjithmonë nga të tjerët. Nëse një mendim apo një vepër bie ndesh me hadithet autentike, atëherë duhet kaluar në mbrojtje të fesë origjinale.
Ndaj dijetarëve të mëdhenj kemi respekt të madh, por kjo nuk do të thotë që do të bashkohemi me ta edhe nëse pranojnë si autentik një transmetim, dobësia e të cilit duket qartë. Ky mund të jetë mendimi i tyre, por kjo lidh vetëm ata. Nga ana tjetër duhet të theksojmë edhe faktin që një dijetar i madh asnjëherë nuk këmbëngul në hadithe meudu’ (të trilluar). Siç ka ndodhur edhe në këtë rast me Imam Gazzaliun, gjë të cilën e përmendëm më sipër.
Por duhet të jemi të kujdesshëm edhe në çështjen e haditheve të dobët. Hadithet e dobët nuk janë të gjithë të trilluar dhe në kushte e rrethana të caktuara, sipas shumë dijetarëve, ato mund të përdoren[49]. Kushte të vendosura nga dijetarë si Ibn Haxher el-‘Askalani, i cili në çështjen e namazeve në netët e mira del kundër Ebu Talib el-Mekkiut dhe Imam Gazzaliut. Kjo tregon edhe një herë se sa ndryshe mund të mendojnë imamët e mëdhenj në të njëjtat çështje. Për këtë arsye këto dallime nuk mund të jenë argumentime të fuqishme.
Pasi kemi thënë këto mund të kalojmë në çështjen që trajton ky artikull. Me sa kuptohet nga hadithet dhe fjalët e dijetarëve, duke nisur nga sahabet dhe më pas, muaji Rexheb është i veçantë sepse është prej muajve haram.
Në lidhje me netët e mira në muajin Rexheb hadithet janë me të vërtetë të dobët, por tradicionalisht, duke u bazuar edhe në një frymë të përgjithshme që japin hadithet e sakta, qoftë edhe nga larg, të përzgjedhësh mendimin e Imam Gazzaliut dhe të Ebu Talib el-Mekkiut nuk mund të themi që është tërësisht e gabuar. Këta nuk janë prej dijetarëve të vegjël, por prej atyre më të përzgjedhur dhe e kanë pëlqyer praktikën e grumbullimit në xhami dhe faljen e namazit gjatë këtyre netëve. Nëse mendojmë që xhumaja është edhe ditë e veçantë për besimtarët dhe që nata e Regaibit është e premtja e parë e muajit Rexheb, atëherë gjithë këto informacione kanë nxitur njerëzit të flasin për mirësitë e Regaibit. Kurse agjërimi, i cili tradicionalisht, bëhet të enjten ka dy shtysa: është e enjte, një ndër sunetet më të fuqishëm të Profetit (a.s.) në aspektin e agjërimit dhe është një parapërgatitje shpirtërore për gjithkënd që dëshiron ta kalojë natën e Regaibit me adhurim.
Nata e Miraxhit gjithashtu interpretohet në këtë kontekst. Një rast më tepër për të rikujtuar udhëtimin unik të Profetit (s.a.s.) dhe për të ritheksuar rëndësinë e adhurimit të namazit. Kurse fakti se është kryer pikërisht në natën e 27 të muajit Rexheb apo jo, nuk përbën një element thelbësor. Rrjedhimisht edhe këmbëngulja për natën e 27 nuk është e pëlqyeshme.
Në të dyja rastet duhet të themi se askush nuk mëshon në faktin se nata e Regaibit dhe ajo e Miraxhit është e prerë dhe e sigurt me të gjitha tiparet e përmendura. Ashtu siç përmendëm edhe rastin e Imam Gazzaliut, të gjithë dijetarët janë në dijeni për dobësinë e shumë transmetimeve.
Kurse për muajin Shaban dhe natën e Beraetit, të gjithë dijetarët bashkohen në mendimin se janë të veçantë. Hadithet e saktë dhe praktikat e selefëve dhe të të tjerëve pas tyre, të cilat i përmendëm më sipër, e tregojnë këtë. Sigurisht që fakti i përcaktimit të formës së adhurimit nuk është pranuar nga shumica e dijetarëve, por njerëzit e thjeshtë shpeshherë kanë nevojë për një formë të caktuar adhurimi dhe dijetarët i janë përgjigjur duke u bazuar të paktën në hadith, megjithëse i dobët.
Nuk duhet harruar këtu edhe një fakt tjetër shumë i rëndësishëm që është përkufizimi i termit bid’at, ku sipas disa dijetarëve çdo gjë e re përfshihet prej tij, por sipas një pjese tjetër të madhe bidatet ndahen në të dëmshëm dhe të dobishëm. Ky është një element që ndryshon shumë ekuilibra në vlerësimin e çështjeve. Nuk është një çështje që mund të zgjidhet aq lehtë duke dhënë si argument ajetinالْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe”[50]. Sepse asnjë prej dijetarëve që pranojnë netët e mira nuk janë të mendimit që po shtojnë diçka në fe. Nuk zgjidhet as duke thënë يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّـهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنكُمْ ۖ فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّـهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّـهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”[51], sepse të gjithë janë të mendimit që bazat e këtyre netëve ndodhen në hadithe dhe argumente të fesë. Kush është ai dijetar që megjithëse mendon se po shton diçka në fe, apo se nuk po i bazohet traditës profetike, duke dalë kundër fesë dhe argumenteve të saj, të vazhdojë të këmbëngulë në mendimin e tij personal?
Gjatë përgatitjes së këtij artikulli u munduam të përfshijmë veprat më themelore që kanë shkruar drejtpërsëdrejti në lidhje me çështjen si Ibn Rexheb el-Hanbeliu. Dhe konstatuam që megjithëse ky dijetar analizon vazhdimisht transmetimet shumica e të cilave janë të dobët, në fund të çdo kapitulli, ai përmend se muajt si Rexhebi dhe Shabani, apo netët që ndodhen në to, duhen shfrytëzuar në mënyrën më të mirë[52].
Atëherë, duhet të pranojmë faktin që kemi mendime të ndryshme dhe kjo është e mundur teorikisht dhe praktikisht. Ne duhet të dimë të jetojmë me të gjitha këto së bashku. Mendimet e dijetarëve në lidhje me çështjen e artikullit tonë duket qartë që janë të shumëllojshme dhe të ndryshme dhe asnjë prej nesh nuk mund të flasë me fjalë të prera. Këtu gjithsecili do bëjë zgjedhjen e tij dhe do të veprojë në mënyrën që mendon se është e drejtë të veprojë, duke respektuar edhe mendimet e tjera.
Pra, mund të themi që këto dy muaj dhe netët e mira në to, duke u bashkuar me muajin ramazan dhe natën e Kadrit, tradicionalisht përbejnë një periudhë kohore së cilës umeti i është përshtatur. E rëndësishme nuk është të mundohesh t’i luftosh ato, por t’i shpjegosh me përpikëri, duke ruajtur hadithin autentik dhe veprat e drejta.
Allahu di gjithçka më së miri!
Bibliografia
Ahmed, Ebû Abdullah Ahmed b. Muhammed b. Hanbel, Musned, t’hk: Abdullah b. Abdulmuhsin et-Turkî, Muessese er-Risâle, I-XLV, Bejrût 2001.
Ebû Dâvûd, Sulejmân b. el-Esh’ath es-Sixhistânî, Sunen, t’hk: Muhammed Mujiddin Abdulhamid, el-Mektebe el-‘Asrije, I-IV, Bejrût (pa datë).
Ebû Hajjân, Muhammed b. Jûsuf el-Endulûsî, el-Bahr el-Muhît fî et-Tefsîr, t’hk: Sidkî Muhammed Xhemîl, Dâr el-Fikr, I-X, Bejrût 1420 h.
El-Bejhâkî, Ebû Bekr, Shu’ab el-Îmân, t’hk: Dr. Abdulali Abdulhamid Ali, Mektebe er-Rushd li en-Neshr ue et-Teuzî’, I-XIV, Rijâd 2002.
El-Bexhirmî, Sulejmân b. Muhammed b. ‘Amr, Tuhfe el-Habib ‘ala Sherh el-Hatîb, Dâr el-Fikr, I-IV, Bejrût 1995.
El-Buhârî, Muhammed b. Ismâ’îl, Sahîh, t’hk: Muhammed Zuhejr Nâsir en-Nâsir, Dâr Tauk en-Nexhât, I-IX, Bejrût 1422 h.
El-Gazzâlî, Ebû Hâmid Muhammed b. Muhammed, Ihja ‘Ulûm ed-Dîn, Dâr el-Ma’rife, I-IV, Bejrût (pa datë).
El-Haffâxhî, Shihâbuddîn Ahmed b. Muhammed b. ‘Amr, Hâshije esh-Shihâb ‘alâ Tefsîr el-Bejdâuî, Dâr Sâdir, I-VIII, Bejrût (pa datë).
El-Kurtubî, Ebû Abdullah b. Ahmed, el-Xhâmi’ li Ahkâm el-Kur’ân, t’hk: Ahmed el-Berdûnî dhe Ibrâhîm Atfîsh, Dâr el-Kutub el-Misrijje, I-XX, Kajro 1964.
El-Mekkî, Muhammed b. Ali, Ebû Tâlib, Kût el-Kulûb fî Mu’âmele el-Mahbûb ue Uasf iarîk el-Murîd ilâ Makâm et-Teuhîd, t’hk: Dr. ‘Âsim Ibrâhîm el-Kijâlî, Dâr el-Kutub el-Ilmijje, I-II Bejrût 2005.
En-Nesâî, Ebû Abdurrahman Ahmed b. Shu’ajb, es-Sunen el-Kubrâ, t’hk: Hasen Abdulmun’im Shiblî, Muessese er-Risâle, I-X, Bejrût 2001.
En-Nu’mânî, Ebû Hafs Sirâxhuddîn ‘Amr b. Ali b. ‘Âdil el-Hanbelî, el-Lubâb fî ‘Ulûm el-Kitâb, t’hk: ‘Âdil Ahmed Abdulmeuxhûd dhe Alî Muhammed Mu’auued, Dâr el-Kutub el-‘Ilmijje, I-XX, Bejrût 1998.
Es-Sujûtî, Abdurrahman b. Ebî Bekr Xhelâl ed-Dîn, ed-Durr el-Menthûr, Dâr el-Fikr, I-VIII, Bejrût (pa datë).
Et-Tahâuî, Ebû Xha’fer Ahmed b. Muhammed b. Selâme, Sherh Me’ânî el-Âthâr, t’hk: Muhammed Zuhrî en-Nexhxhâr dhe Muhammed Sejjid Xhâdulhak, ‘Âlem el-Kutub, I-V, Bejrût 1994.
Et-Tirmidhî, Muhammed b. ‘Îsâ, el-Xhâmi’ el-Kebîr, t’hk: Beshshâr ‘Auuâd Ma’rûf, Dâr el-Garb el-Islâmî, I-VI, Bejrût 1998.
Ibn Ebî Shejbe, Ebû Bekr, el-Kitâb el-Musannef fî el-Ehâdîth ue el-Âthâr, t’hk: Kemâl Jûsuf el-Hût, Mektebe er-Rushd, I-VII, Rijâd 1409 h.
Ibn Hibbân, Muhammed b. Hibbân b. Ahmed, Sahîh, t’hk: Shu’ajb el-Arnaûtî, Muessese er-Risâle, I-XIIX, Bejrût 1993.
Ibn Mâxhe, Ebû Abdullah Muhammed b. Jezîd el-Kazuînî, Sunen, t’hk: Shu’ajb el-Arnaûtî, Dâr er-Risâle el-‘Alemijje, I-V, Bejrût 2009.
Ibn Rexheb, Zejnuddîn ‘Abdurrahmân b. Ahmed b. Rexheb b. el-Hasan el-Hanbelî, Letâif el-Me’ârif fîmâ li Meuâsim el-‘Âm min el-Uedhâif, Dâr Ibn Hazm, Bejrût 2004.
Ibn Sem’ûn, Ebû el-Husejn Muhammed b. Ahmed, Emâlî, t’hk: Dr. ‘Âmir Hasan Sabrî, dâr el-Beshâir el-Islâmijje, Bejrût 2002.
Ibn Tejmijje, Takijjuddîn Ebû el-‘Abbâs Ahmed b. Abdulhalîm el-Harrânî, Mexhmû’ el-Fetâuâ, t’hk: Abdurrahmân b. Muhammed b. Kâsim, Mexhma’ el-Melik, I-XXXV, Medine 1995.
Muslim, Ibn Haxhxhâxh Ebû el-Hasen, el-Musned es-Sahîh el-Muhtasar, t’hk: Muhammed Fuâd Abdulbâkî, Dâr Ihjâ et-Turâth el-‘Arabî, I-V, Bejrût (pa datë).
[1]. El-Buhârî, Muhammed b. Ismâ’îl, Sahîh, t’hk: Muhammed Zuhejr Nâsir en-Nâsir, Dâr Tauk en-Nexhât, I-IX, Bejrût 1422 h., Ed’ha 5; Muslim, Ibn Haxhxhâxh Ebû el-Hasen, el-Musned es-Sahîh el-Muhtasar, t’hk: Muhammed Fuâd Abdulbâkî, Dâr Ihjâ et-Turâth el-‘Arabî, I-V, Bejrût (pa datë), Kisâs dhe dijet 29; Ebû Dâvûd, Sulejmân b. el-Esh’ath es-Sixhistânî, Sunen, t’hk: Muhammed Mujiddin Abdulhamid, el-Mektebe el-‘Asrije, I-IV, Bejrût (pa datë)., Menâsik 68; Ahmed, Ebû Abdullah Ahmed b. Muhammed b. Hanbel, Musned, t’hk: Abdullah b. Abdulmuhsin et-Turkî, Muessese er-Risâle, I-XLV, Bejrût 2001, XXXIV, 23.
[2]. El-Mekkî, Muhammed b. Ali, Ebû Tâlib, Kût el-Kulûb fî Mu’âmele el-Mahbûb ue Uasf iarîk el-Murîd ilâ Makâm et-Teuhîd, t’hk: Dr. ‘Âsim Ibrâhîm el-Kijâlî, Dâr el-Kutub el-Ilmijje, I-II Bejrût 2005, I, 115; Shih: et-Teube 9: 36.
[3]. El-Bexhirmî, Sulejmân b. Muhammed b. ‘Amr, Tuhfe el-Habib ‘ala Sherh el-Hatîb, Dâr el-Fikr, I-IV, Bejrût 1995, IV, 251-252.
[4]. Es-Sujûtî, Abdurrahman b. Ebû Bekr Xhelâl ed-Dîn, ed-Durr el-Menthûr, Dâr el-Fikr, I-VIII, Bejrût (pa datë), IV, 185
[5]. Es-Sujûtî, po aty, IV, 185.
[6]. Ibn Rexheb, Zejnuddîn ‘Abdurrahmân b. Ahmed b. Rexheb b. el-Hasan el-Hanbelî, Letâif el-Me’ârif fîmâ li Meuâsim el-‘Âm min el-Uedhâif, Dâr Ibn Hazm, Bejrût 2004, f. 118.
[7]. Ebû Davûd, Sijâm 54; el-Bejhâkî, Ebû Bekr, Shu’ab el-Îmân, t’hk: Dr. Abdulali Abdulhamid Ali, Mektebe er-Rushd li en-Neshr ue et-Teuzî’, I-XIV, Rijâd 2002, V, 301; es-Sujûtî, po aty, IV, 185.
[8]. Ibn Mâxhe, Ebû Abdullah Muhammed b. Jezîd el-Kazuînî, Sunen, t’hk: Shu’ajb el-Arnaûtî, Dâr er-Risâle el-‘Alemijje, I-V, Bejrût 2009, Sijâm 43;
[9]. Ibn Rexheb, po aty, f. 119.
[10]. Ibn Rexheb, po aty, f. 118.
[11]. Ibn Rexheb, po aty, f. 119.
[12]. Ibn Rexheb, po aty, f. 121. Shënim: Në lidhje me natën e Miraxhit shih në pjesën e përfundimit.
[13]. Ahmed, IV, 180; el-Bejhâkî, po aty, V, 348.
[14]. Ibn Rexheb, po aty, f. 121.
[15]. El-Gazzâlî, Ebû Hâmid Muhammed b. Muhammed, Ihja ‘Ulûm ed-Dîn, Dâr el-Ma’rife, I-IV, Bejrût (pa datë), I, 202-203.
[16]. Shih: El-Gazzâlî, po aty, I, 203.
[17]. Ahmed, XXXVI, 85; el-Bejhâkî, po aty, V, 353.
[18]. Ahmed, XI, 9.
[19]. Ibn Rexheb, po aty, f. 127-128.
[20]. Muslim, Sijâm, 173; en-Nesâî, Ebû Abdurrahman Ahmed b. Shu’ajb, es-Sunen el-Kubrâ, t’hk: Hasen Abdulmun’im Shiblî, Muessese er-Risâle, I-X, Bejrût 2001, et-Tahârâ 98; Ahmed, XLII, 237.
[21]. Et-Tirmidhî, Muhammed b. ‘Îsâ, el-Xhâmi’ el-Kebîr, t’hk: Beshshâr ‘Auuâd Ma’rûf, Dâr el-Garb el-Islâmî, I-VI, Bejrût 1998, Saum 37.
[22]. Et-Tirmidhî, Zekât 28; el-Bejhâkî, po aty, V, 352; Ibn Ebû Shejbe, Ebû Bekr, el-Kitâb el-Musannef fî el-Ehâdîth ue el-Âthâr, t’hk: Kemâl Jûsuf el-Hût, Mektebe er-Rushd, I-VII, Rijâd 1409 h, II, 346; et-Tahâuî, Ebû Xha’fer Ahmed b. Muhammed b. Selâme, Sherh Me’ânî el-Âthâr, t’hk: Muhammed Zuhrî en-Nexhxhâr dhe Muhammed Sejjid Xhâdulhak, ‘Âlem el-Kutub, I-V, Bejrût 1994, II, 83.
[23]. Ibn Rexheb, po aty, f. 129.
[24]. Et-Tirmidhî, Saum 37.
[25]. Quhet hadithi i transmetuar nga një tabiin pa përmendur emrin e sahabiut prej të cilit ka dëgjuar hadithin.
[26]. Ibn Sem’ûn, Ebû el-Husejn Muhammed b. Ahmed, Emâlî, t’hk: Dr. ‘Âmir Hasan Sabrî, dâr el-Beshâir el-Islâmijje, Bejrût 2002, f. 178.
[27]. Ibn Rexheb, po aty, f. 135.
[28]. Ahmed, XXXVI, 85; el-Bejhâkî, po aty, V, 353.
[29]. Shih: Ibn Rexheb, po aty, f. 130-131.
[30]. El-Mekkî, po aty, I, 114.
[31]. Ed-Duhân 44:4.
[32]. El-Mekkî, po aty, 114; el-Gazzâlî, po aty, I, 203.
[33]. El-Gazzâlî, po aty, I, 203.
[34]. El-Kurtubî, Ebû Abdullah b. Ahmed, el-Xhâmi’ li Ahkâm el-Kur’ân, t’hk: Ahmed el-Berdûnî dhe Ibrâhîm Atfîsh, Dâr el-Kutub el-Misrijje, I-XX, Kajro 1964, XX, 130; en-Nu’mânî, Ebû Hafs Sirâxhuddîn ‘Amr b. Ali b. ‘Âdil el-Hanbelî, el-Lubâb fî ‘Ulûm el-Kitâb, t’hk: ‘Âdil Ahmed Abdulmeuxhûd dhe Alî Muhammed Mu’auued, Dâr el-Kutub el-‘Ilmijje, I-XX, Bejrût 1998, XX, 427.
[35]. Ebû Hajjân, Muhammed b. Jûsuf el-Endulûsî, el-Bahr el-Muhît fî et-Tefsîr, t’hk: Sidkî Muhammed Xhemîl, Dâr el-Fikr, I-X, Bejrût 1420 h, VI, 397.
[36]. El-Haffâxhî, Shihâbuddîn Ahmed b. Muhammed b. ‘Amr, Hâshije esh-Shihâb ‘alâ Tefsîr el-Bejdâuî, Dâr Sâdir, I-VIII, Bejrût (pa datë), VII, 455-456.
[37]. Ibn Tejmijje, Takijjuddîn Ebû el-‘Abbâs Ahmed b. Abdulhalim el-Harrânî, Mexhmû’ el-Fetâuâ, t’hk: Abdurrahmân b. Muhammed b. Kâsim, Mexhma’ el-Melik, I-XXXV, Medine 1995, XXIII, 132.
[38]. Shih: Fejd el-Kadîr, II, 316.
[39]. Ibn Rexheb, po aty, f. 136.
[40]. Ibn Maxhe, Ikâme es-Salâh 191.
[41]. Ibn Mâxhe, Ikâme es-Salâh 191; Ibn Hibbân, Muhammed b. Hibbân b. Ahmed, Sahîh, t’hk: Shu’ajb el-Arnaûtî, Muessese er-Risâle, I-XIIX, Bejrût 1993, XXII, 481 (hadithi 5665).
[42]. Ahmed, XI, 216-217.
[43]. Merfu’ quhet hadithi, transmetimi i të cilit arrin qartësisht deri tek Profeti (s.a.s.) ose pranohet si i tillë.
[44]. Ibn Rexheb, po aty, f. 136.
[45]. Shih: Ibn Rexheb, po aty, f. 137.
[46]. Ibn Rexheb, po aty, f. 138.
[47]. Ibn Rexheb, po aty, f. 140.
[48]. Ibn Rexheb, po aty, f. 137.
[49]. Për më tepër shih: Karaj, Elton, “Një vështrim në lidhje me hadithin e dobët”, Zani i Naltë 3 (156), prill-maj-qershor 2013.
[50] el-Mâˋide 5: 3.
[51] en-Nisâ 4: 59.
[52] Shih: Ibn Rexheb, po aty, fq. 121, 135.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...