Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 15, 2015 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Bazat metafizike të sëmundjes
Prof. Dr. Ajhan Tekinesh
Universiteti Bedër
Abstrakt
Marrja parasysh vetëm e aspekteve materiale të sëmundjes është bërë shkak që me kohë, konceptet i sëmurë dhe sëmundje të vështrohen si një eveniment ekonomik. Për disa njerëz, të sëmurët kanë filluar të shihen si mall tregtie dhe burim të ardhurash. Është e qartë nevoja që ndihet për një këndvështrim të ri me bosht mëshirën dhe dhembshurinë. Për realizimin e këtij ndryshimi është e domosdoshme që konceptet sëmundje dhe shërim të interpretohen sërishmi. Pranimi se emrat e bukur të Allahut të Lartë (xh.xh.) shihen mbi të sëmurin, do ta ndryshojë edhe qëndrimin tonë ndaj të sëmurëve, edhe vështrimin e mjekëve ndaj të sëmurit. Në këto kushte, mjekësia do të ketë një metafizikë të re, e cila do t’i përfshijë si një e tërë universin, jetën dhe njeriun.
2. E vërteta, drejtësia dhe durimi – ky është shpëtimi
Dr. Hysen Kobellari
Abstrakt
Njerëzit në jetën e tyre mësojnë e mësojnë vazhdimisht. Ata përherë e më shumë qartësojnë veten për gjithçka ndodh rreth tyre dhe brenda tyre, sepse ata duhet të jenë të qartë vetë përpara se të porosisin dhe të këshillojnë të tjerët.
Durimi është njё veti e brendshme e njeriut, bekim nga Zoti; ёshtё sundimi i vetvetes nga vetvetja, pa mbikëqyrjen e dikujt tjetër; durimi është vullnet i fortë, akti fisnik që nxit vetëkontroll, vetëdisiplinim dhe vetëpërmbajtje, për hir të dashurisë për Zotin, Krijuesin e Gjithësisë, Fajfalësin e Pashembullt, Shpërblyesin e Pashoq; pёr hir edhe tё dashurisë pёr njeriun. Durimi, në pamje më të plotë duhet në të dyja drejtimet, në atë aktiv dhe në atë pasiv.
3. Metoda e Imam Sha‘raniut në zgjidhjen e kontradiktave juridiko-fetare në veprën “El-Mizan” -II-
Elton Karaj
Universiteti Bedër
Departamenti i Shkencave Islame
Abstrakt
Metoda e Imam Sha‘raniut në zgjidhjen e kontradiktave meriton me të vërtetë një vëmendje të veçantë. Njerëzit në përgjithësi janë të mendimit që nëse në lidhje me një çështje ka disa fetva të ndryshme, vetëm njëra prej tyre është e saktë dhe gjithsecili është i prirur të mbrojë fetvanë e imamit që ndjek. Ky gjykim të shpie rrjedhimisht në përfundimin se të tjerët kanë gabuar. Kurse Sha‘raniu është i mendimit se çdo imam medhhebi ka të drejtë në fetvanë që ka dhënë. Sipas tij, ideja që vetëm një fetva është e saktë dhe të tjerat janë të gabuara është logjika e atyre që mbrojnë mendimin se sheriati ka ardhur vetëm në një nivel. Kurse sipas tij, sheriati është përcaktuar në dy nivele, njëri teshdid dhe tjetri tahfif.
4. Nga Imam Aliu te Salahedin Ejjubiu, nga Emir Abdul-Kaderi te Hasan Riza Pasha…
(Pjesa e II-të)
“Vërtet, tek i Dërguari i Zotit keni shembull të shkëlqyer” (33:21)
Fatos Kopliku, M.S.,
Washington DC, SHBA
Abstrakt
Ndër përvojat e jetës njerëzore, lufta është me shumë gjasë sprova më e vështirë e vetëpërmbajtjes, e kryerjes së detyrës pa shkelur cakun, e aq më tepër një arenë ku dikush mund edhe të jetë i mëshirshëm; sprovë e vështirë vërtet, por jo e pamundur. Urdhrat kalorësiakë të Mesjetës Klasike të Evropës ishin praktikisht vëllazëri murgjish me shpatë. Jeta e tyre ishte e gdhendur nga një sërë rregullash të rrënjosura në shpirtmërinë kristiane, ndërsa ia kishin dedikuar jetën shërbimit ushtarak. Në thelb, ata përpiqeshin të brendësonin natyrën askete të Krishtit në sferën marciale të jetës e të vepronin si Krishti nëse ai do të kishte përdorur shpatën. Në mënyrë shumë të ngjashme, karakteri i mjeshtrave samuraj ka qenë tërësisht i mbrujtur nga Budizmi, dhe në thelb synimi ishte brendësimi i natyrës askete të Budës (i cili, sikurse Krishti, nuk përdori shpatë në jetën e vet) në jetën e luftëtarit. Po ashtu, në Islam vëllazëritë e përshpirtshme marciale (futuwwa) kanë qenë të pranishme që në kohët më të hershme, me rregulla qartësisht të kodifikuara sipas normave islame. Por, ndryshe nga Krishti apo Buda, Profeti Muhamed (a.s.) ka dhënë direkt shembullin e vet edhe në këtë përvojë të jetës njerëzore, dhe në këtë shkrim do të shohim disa mishërime historike të kësaj norme profetike.
5. Hafizë të Kur’anit në shërbim të vatanit (atdheut)
(Dimensioni patriotik i hafizëve të Kur`anit)
Akad. Feti Mehdiu
Universiteti i Prishtinës
Abstrakt
Hafizët janë elitë islame dhe duhen trajtuar si të tillë. U mbushën plot njëqind vjet nga zbatimi i një embargoje të llojit të vet ndaj veprimeve patriotike të elitës islame në shërbim të atdheut. Madje ndonjëherë duke mos i kursyer për t’i shpallur tradhtarë dhe rreshtuar në armiq të kombit e atdheut. Është koha e fundit që të hapet mundësia për t’i dalë hakut kësaj kategorie të intelektualëve të kombit dhe të hidhet dritë mbi kontributin e tyre për atdheun.
Hendeku që u hap ndërmjet elitës islame dhe elitës tjetër shqiptare, të ashtuquajtur sekulare, pas shkëputjes me dhunë të shqiptarëve nga sulltanati osman në vitin 1912, i ka kushtuar shtrenjtë historisë kombëtare. Kjo kategori e intelektualëve shqiptarë – që përbënte shumicën në raport me elitën sekulare – është trajtuar si analfabete, vetëm për arsyen se nuk dinin latinishten dhe cirilishten, pa çka se ata zotëronin tri gjuhët më të mëdha që dominonin Azinë dhe Afrikën, Anadollin dhe Rumelinë (gjuhën arabe, gjuhën turke dhe gjuhën perse). Në mesin e tyre kishte që zotëronin edhe gjuhën frënge.
Rrethanat politike e shoqërore pas vitit 1912, ia kufizuan hapësirën e veprimit, pa të drejtë, vetëm në fushën e fesë, kësaj kategorie të inteligjencës shqiptare.
6. Harmonia dhe mirëkuptimi ndërfetar në Shkodër
Dr. Genti Kruja
Abstrakt
Për shekuj në Shkodër, myslimanë e të krishterë bashkëjetuan në paqe njëri me tjetrin pavarësisht rrethanave të kohës, sfidave dhe provokimeve të ndryshme të bëra kryesisht me nxitje nga jashtë në dëm të kësaj harmonie. Madje krahas harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar në Shkodër ekzistonte edhe bashkëjetesa ndëretnike, ku mund të përmendet komuniteti malazez në shumicën e tyre myslimanë të dëbuar me forcë pas pavarësisë së Malit të Zi nga Perandoria Osmane.
Kjo bashkëjetesë dhe harmoni ndërfetare, ka qenë pikërisht meritë e prijësve dhe klerikëve, dijetarëve dhe burrave të urtë myslimanë dhe të krishterë që ditën ta ruajnë këtë bashkëjetesë dhe harmoni ndërfetare ndër shekuj, duke ia përcjellë brezave.
7. Toleranca fetare shqiptare, si vlerë historike dhe virtyt i republikës demokratike
Prof. Dr. Gjergj Sinani
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale
Abstrakt
“Kur kënga e hoxhës zbret nga minareja, myslimanët ndërpresin punën dhe shkojnë në xhami, pasi kanë larë në vijën e ujit këmbët dhe duart e tyre. Të premten pasdite pazari është i mbyllur. Ai mbyllet gjithashtu edhe të dielën mbasdite. Kësisoj është zgjidhur një problem delikat duke i bërë qejfin edhe Jezuit dhe Muhametit. Tirana, që numëron 15 mijë myslimanë dhe 2 mijë të krishterë, arrin t’i trajtojë njëlloj të dyja besimet”.
Kështu shkruante më 1922 zviceriania Nowlle Roger në revistën e njohur Revue des deux Mondes për Tiranën. Besoj se e njëjta frymë tolerance shfaqet edhe sot në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, pas rikthimit përsëri tek e shenjta pas natës totalitare. Si dëshmi të kësaj tolerance po sjell edhe një pasazh tjetër nga e njëjta autore. “Disa ditë më parë në një kishë ortodokse të Tiranës po kremtohej shërbimi funebër për një oficer shqiptar të krishterë, i cili kishte vdekur. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe myslimanë, të cilët mbanin edhe një prej kurorave. Hoxhallarët mbanin qirinjtë. Prifti i krishterë nderoi Muhametin dhe hoxha mysliman nderoi Jezu Krishtin…
Kështu e kuptojnë bashkimin e kryqit me gjysëm hënën shqiptarët, gjë që perëndimi nuk ka reshtur kurrë së kundërshtuari…”.
8. Historia e psikiatrisë në vendet islame
Prof. Dr. Tarik Habib
Universiteti i Rijadit, Arabi Saudite
Abstrakt
Dijetarët myslimanë kanë dhënë një kontribut mjaft të vyer në studimet e tyre psikologjike, por që nuk kanë pasur vëmendjen e ekspertëve të studimeve psikike, të cilët sikur kanë mbyllur sytë ndaj kontributit të dijetarëve myslimanë në këtë drejtim. Kjo edhe pse shumë prej tyre janë përkthyer në gjuhën latine dhe kanë pasur ndikim të madh te mendimtarët evropianë, sidomos gjatë mesjetës dhe në fillimet e rilindjes evropiane.
Dihet që civilizimi islam, në aspektin shkencor ka përfituar shumë nga civilizimi grek. Por ajo që duhet theksuar është se feja në civilizimin grek nuk ka shërbyer si baza e shkencave, si referencë dhe fanar ndriçues i dijes, siç ishte në civilizimin islam.
Ndërkohë që mjekësia dhe shërbimet e shëndetit mendor në botën islame ishin në kulmin e lulëzimit, në Evropë personat me probleme mendore digjeshin, sepse besohej se ishin pushtuar nga djajtë.
9. Ismail Anamali – mësues atdhetar dhe metodist i shquar (1887-1948)
Prof. Dr. Njazi Kazazi & Dr. Lindita Kazazi
Abstrakt
Mësues, drejtues shkolle, inspektor arsimi, pjesëmarrës në veprimtari kombëtare, autor tekstesh shkollore, me punën e tij të gjatë në dobi të arsimit dhe shkollës shqiptare, Ismail Anamali duhet të zërë vend nderi në mes të arsimtarëve shkodranë.
Një fushë shumë e rëndësishme në dobi të arsimit kombëtar në të cilën kontibuoi Ismail Anamali, është pjesëmarrja në veprimtaritë arsimore kombëtare: si në Kongresin Arsimor të Lushnjës të vitit 1920 dhe në kongreset Arsimore të viteve 1922 dhe 1924 ku dha ndihmesën e tij atdhetare, kulturore e shkencore.
10. Mobiliteti shoqëror i krerëve fetarë myslimanë te shqiptarët (jashtë kufijve etno-shekullarë të shqiptarizmës)
Kushtrim Shehu
Gjakovë
Abstrakt
Kombi shqiptar, në kuptimin e kombit politik është produkt i periudhës pasosmane. Shqiptarët, si pjesë e shoqërisë osmane e kanë pasur organizimin të ndërlidhur me sistemin e drejtësisë të shtetit osman, pjesë e të cilit sheriati islam përbënte një themel të fortë, krahas traditës dhe ligjeve komunitare të njohura nga vetë shteti. Me këtë duhet të kuptojmë se krerët fetarë myslimanë kishin një autoritet tejet të gjerë në organizimin e jetës shoqërore. Me fillimin e lëkundjes së themeleve të shtetit osman, krerët myslimanë u përballën me fillet e shekullarizimit të shoqërisë.
Lindja e lëvizjeve nacionaliste solli një mendësi të kundërt me porosinë fetare. Porosia fetare e barazisë njerëzore, tashmë gjendej përballë dallueshmërisë, nivelizimeve dhe lartësimeve të etnive, gjegjësisht kombeve. Në këtë mjedis është tejet i rëndësishëm fakti që, krerët fetarë myslimanë shqiptarë nuk ndoqën rrugën e mbrojtjes së interesit, autoritetit dhe pushtetit vetjak. Ata arritën që në mesin e mendësive të reja të vini para çdo gjëje të mirën e përbashkët shoqërore. Qëllim kryesor i tyre mbeti vetëdijesimi dhe ngritja e nivelit shoqëror të shqiptarëve. Një mungesë e leximit të këtij qëllimi ka promovuar një histori të mangët të konsolidimit modern të shoqërisë sonë. Bashkë me këtë, vazhdimisht diskursi politik shqiptar ndër vite, ka anashkaluar të mirën e fesë, në dobi të shekullarizmit.
Opinionit shqiptar vazhdimisht i është shërbyer etno-shekullarizmi. Krerët fetarë dhe aktivitetet, veprat dhe rezultat e tyre janë neglizhuar, ose injoruar nga mjedisi publik mbarëshoqëror. Vitet e fundit, falë përpjekjeve të studiuesve të shumtë personalitete pjesë e krerëve fetarë myslimanë janë bërë të njohur për masat. Me këto përpjekje zbardhen personalitete të shquara dhe na mundësohet të shohim dualitetin e inteligjencës shqiptare. Intelektuali përballë ulemasë. Kjo gjendje vazhdon pas një periudhe të lindjes së shtetit shqiptar. Shfaqet në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët dhe është pjesë e debateve të ditëve të sotme. Është për t’u lavdëruar që ulemaja shqiptare në një ambient tejet të egër të ekzistencës së saj, ka gjetur mundësinë e ruajtjes së fesë. Shoqëria shqiptare nuk njeh politizim të fesë islame në mesin e vet. Ulemaja shqiptare kreu obligimin e vet duke ruajtur fenë prej ideologjisë. Një përfundim i tillë është i mundshëm të gjendet në veprën e çdo personaliteti të krerëve fetarë myslimanë ndër shqiptarët.
11. Liria sipas Islamit
Redi Shehu
Abstrakt
Problemi kryesor i cili ka shoqëruar pothuaj gjithmonë komentet kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes, ka qenë konsiderimi i kësaj lirie në dimensionin e vet statik dhe të përjashtësuar nga çdo formë e brendshme e konceptimit të saj. Njeriu si qenie dhe konsumues i lirisë, në radhë të parë ka kërkuar gjithmonë që t’i japë një sens kësaj lirie. Shpesh e shikuar si një atribut i dhënë dhe jo i prodhuar nga vetë ai, është përpjekur për të përcaktuar nëse kjo liri është shfaqja e jashtme ose fytyra publike e asaj lirie të brendshme vetjake që zanafillon që me lirinë e ndërgjegjes. E ardhur nga bota shpirtërore, ndjenja e lirisë e ka shoqëruar gjithmonë njeriun në luftën e tij ndaj kafazit të realitetit i cili është ndërtuar mbi një sërë kufizimesh e ndërvarësish, të cilat kompromentojnë në një farë mënyre lirinë absolute e cila i thërret secilit nga brendësia e shpirtit të vet. Për këtë arsye individit i është dashur të bëjë hesapet me lirinë e tij në kolektiv dhe ambientet shoqërore në kurriz të lirisë personale botëkuptimore të tij, pikërisht për të ruajtur atë status-quo-në sociale të domosdoshme për vazhdimësinë normale të përditshmërisë së tij.
12. Ferit Vokopola (1887-1967)
Abstrakt
Ferit Vokopola përktheu Kur’anin dhe la në dorëshkrim Kalendarin osman. Në shtypin shqiptar të viteve ‘20-‘30 ndriçoi pena e fuqishme e tij, si një prej figurave poliedrike të kohës.
Studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi. Ai ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist.
Më 28 nëntor 1912, Ferit Vokopola firmosi dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë si delegat i Vlorës.
Në mesin e shumë studiuesve të Kur’anit në botë, ndër të parët që u morën me studimin e tij në mbarim të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX nga shqiptarët, ishin Ferit Vokopola, Hafiz Ali Korça dhe Haxhi Vehbi Dibra. Këta studiues pa dyshim bëjnë pjesë në bashkësinë e artë të studiuesve më të famshëm shqiptarë të Kur’anit, gjatë shekullit që lamë pas.
13. SURJA E JASINËS
Përshtatur nga Sheuqet Muka
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...