Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 08, 2015 Zani i Nalte Mjekësi 0
nga Prof. Dr. Ajhan Tekinesh
Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Universiteti Bedër
Abstrakt
Duke i krijuar njerëzit, Allahu i Lartë u pati dhënë mundësinë për t’i dalluar nga njëra-tjetra të mirën dhe të keqen, për ta njohur ç’është e bukur e ç’është e shëmtuar. Kjo mundësi është arsyeja dhe vullneti. Vullneti, domethënë, dallimi i të mirës nga e keqja është dhuntia më e madhe që u është dhënë njerëzve. Madje mund të thuhet se veçoria më me rëndësi që e bën njeriun të ndryshëm nga qeniet e tjera, që e ngarkon me përgjegjësi fetare dhe njerëzore, është zotërimi i arsyes dhe vullnetit.
Trashëgimi më i madh që na la Profeti ynë, është rruga që ndoqi ai gjatë gjithë jetës, e thënë ndryshe, Suneti i tij. Suneti është një model i mënyrës së jetesës.
Suneti na ofron ne modele sjelljeje lidhur me çdo specifikë që i intereson njeriut, si adhurimi, morali dhe etika, marrëdhëniet shoqërore dhe jeta familjare. Suneti i Profetit a.s. mbi temat e adhurimit, shitblerjes, martesës dhe marrëdhënieve të tjera ndërnjerëzore, është evidentuar në librat e fikhut. Dijetarët islamë, ndërsa nga njëra anë kanë zbërthyer konkluzionet e shprehura nga hadithet profetike, nga ana tjetër janë përpjekur të përcaktojnë qëllimet themelore të këtyre konkluzioneve, domethënë, qëllimet themelore të fesë, sepse, duke dhënë konkluzione mbi çështjet e parashtruara ose duke u vënë në zbatim konkluzionet e përcaktuara, këto parime janë marrë parasysh. Këtyre parimeve themelore të parashikuara nga Kur’ani dhe Suneti për të siguruar regjimin shoqëror, u është thënë “domosdoshmëritë, dobitë e domosdoshme”. Këto parime janë qëllimet themelore që feja ka pasur si synim t’i realizojë. Këto parime mbi të cilat i Dërguari i Allahut a.s. ka qëndruar me këmbëngulje, janë mbledhur në pesë kapituj:
1) Mbrojtja e fesë;
2) Mbrojtja e mendjes dhe arsyes;
3) Mbrojtja e jetës;
4) Mbrojtja e pasurisë;
5) Mbrojtja e brezit, familjes dhe nderit.
Në shoqërinë e ditëve të sotme qëndrohet me më shumë këmbëngulje mbi garantimin e jetës dhe pasurisë, kurse specifikat e tjera nuk shohin interesim të mjaftueshëm, madje nënvleftësohen dhe lihen pas dore. Mirëpo këto të drejta themelore janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nënvleftësimi i njërës shumë herë bëhet shkak për shkeljen e të tjerave.
Jemi të mendimit se çështja e lëndëve që shkaktojnë ves (toksikomani) duhet parë nga këndvështrimi i pesë të drejtave themelore të sapopërmendura. Ndërkaq, çështja e luftës kundër lëndëve që shkaktojnë ves, lëndëve dehëse dhe stupefiante (droguese) shihet më tepër nga këndvështrimi i garancisë së jetës dhe pasurisë. Madje, nuk shihet ndonjë e keqe në marrjen e alkoolit në sasi që mendohet se nuk shkaktojnë dëmtime, kurse në disa vende lejohet përdorimi i lëndëve stupefiante në sasi të përcaktuara. Po të mbahet parasysh se alkooli dhe droga janë shfaqur dhe kanë fituar përhapje më shumë në shoqëritë e zhvilluara për sa u përket mundësive materiale dhe kulturore, mund të thuhet se lufta me këto dy probleme në ditët e sotme s’ka pasur sukses. E thënë ndryshe, shkaku themelor që lufta kundër alkoolit dhe drogave ka mbetur pa zgjidhje, nuk janë mungesa e arsim-edukimit dhe informimit ose pamundësitë materiale. Sipas opinionit tonë, shkaku me më rëndësi që këto vese (toksikomani) shihen me interes, që, toksikomanët nuk heqin dorë dot nga këto vese pavarësisht nga bashkimi i të gjitha mundësive, është se lëndët në fjalë nuk shihen në vetvete me sy të keq, por dënohen vetëm si rezultate. Për më tepër, mund të thuhet se, në ditët e sotme, mjediset sociale dhe kulturore masive e nxisin fshehtazi përdorimin e lëndëve në fjalë. Dhe një tjetër shkak që toksikomanët nuk shpëtojnë dot nga këto vese (toksikomani), është se personat dhe institucionet që e ndalojnë përdorimin e lëndëve në fjalë, nuk kanë në krye një autoritet me ndikim të madh dhe pengues mbi ndërgjegjet.
Në çdo çështje, i Dërguari i Allahut a.s. është model dhe udhëzues për njerëzimin. Ka urdhëruar mirësitë dhe bukuritë, ka ndaluar të këqijat dhe shëmtitë. Me parimet fetare që solli, ai pati për synim të asgjësonte të gjitha shëmtitë që mund të shfaqeshin në periudha të ndryshme të historisë njerëzore dhe të pengonte veset e këqija. Çdo e keqe që dihet se i shkakton dëm mendjes dhe arsyes së njeriut, fesë, jetës, pasurisë dhe nderit të tij, është ndaluar fetarisht. Kështu, Profeti ynë a.s. ka ndaluar gjërat e ndyra. Në Kur’an urdhërohet: “Ai (Profeti) i ndalon ata nga e keqja, ua bën hallall gjërat e pastra, ua bën haram gjërat e fëlliqta.”[1] Duke urdhëruar kështu, Kur’ani ka përmendur ndjeshmërinë e Profetit përballë të këqijave. Prandaj, drogat dhe lëndët e dala në shesh së pari që shkaktojnë dehje dhe ves, të ngjashme me drogat, edhe në mos i paçin emërtimet haptazi në argumentet fetare, fetarisht janë të ndaluara. Edhe cigarja (duhani) mund të vlerësohet në të njëjtën mënyrë ngaqë shkakton ves (toksikomani), i hap rrugë humbjes së pasurisë dhe është e dëmshme për shëndetin dhe shoqërinë.
Le t’i shqyrtojmë me radhë lëndët hipnotike dhe stupefiante për sa i përket të drejtave themelore që duhen mbrojtur.
Feja, mendja dhe arsyeja, trupi, fëmijët dhe malli e pasuria janë dhunti dhe amanete të dhëna njeriut nga Allahu i Lartë. Përdorimin e këtyre amaneteve, të drejtat e pasurisë dhe trupit mbi personin janë shpjeguar nga Feja Islame. Lëndët hipnotike dhe stupefiante, si pija, janë para së gjithash të dëmshme dhe të rrezikshme për sa i përket mbrojtjes së ndjenjës fetare.
Në një hadith, i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Pija (alkoolike) është nëna (burimi) e të gjitha të këqijave dhe ndyrësive.”[2] Kurse në një hadith tjetër, duke u shprehur si më poshtë, ka përcaktuar parimin themelor fetar mbi dehjen: “Çdo pije që shkakton dehje është haram”.[3] Nuk është kusht që lëndët që japin dehje të jenë të lëngshme, çdo gjë që jep dehje është bërë haram. Edhe në një hadith tjetër është thënë: “Çdo gjë që jep dehje është haram”[4] Dijetarët islamë kanë thënë se edhe përdorimi i pakicës së gjërave, shumica e të cilave shkaktojnë dehje, konsumimi i gjërave që në fillim të përdorimit nuk japin dehje ose, si rrjedhojë e ambientimit të trupit, nuk u shkaktojnë dehje disa njerëzve, është haram.[5]
Ç’është dehja? Dehja është zbatimi nga njeriu në mënyrë të pakontrolluar i kërkesave të natyrës së tij materiale-egoistike si rezultat i humbjes së kontrollit të fuqisë së vullnetit mbi arsyen dhe ndjenjat. Në këto kushte, njeriu që nuk mundet ta diferencojë të mirën nga e keqja dhe anasjelltas, nuk do t’i plotësojë dot përgjegjësitë e tij fetare, moralo-etike dhe shoqërore, përkundrazi, do t’i marrë nëpër këmbë të drejtat e të tjerëve.
Numri i haditheve lidhur drejtpërdrejt me lëndët hipnotike dhe stupefiante është mjaft i pakët. Sepse në atë periudhë, lëndët hipnotike dhe stupefiante nuk njiheshin në çdo zonë dhe s’u diheshin dëmet. I Dërguari i Allahut a.s. e ka ndaluar çdo gjë që jep dehje dhe e drogon (muftir) trupin.[6] Fjala “muftir” që përdoret në këtë hadith, do të thotë lëndë që, duke e ngritur temperaturën e trupit, i jep agresivitet, domethënë, lëndë droguese dhe agresuese. Duke u mbështetur në hadithin “çdo gjë që shkakton dehje është haram”, dijetarët islamë e kanë bërë të qartë se edhe opiumi dhe hipnotikët e ngjashëm janë haram sepse janë shkaktarë të dehjes. Duke pretenduar se opiumi nuk jep dehje, por se është lëndë hipnotike, Ibni Haxher ka thënë se me fjalën “muftir” që përdoret në hadith, është fjala për opiumin dhe lëndët e ngjashme hipnotike dhe stupefiante, prandaj edhe opiumi është ndaluar me hadith.[7]
Pija dhe droga janë pengesë për të çuar në vend urdhrat fetare. Shumë njerëz që dëshirojnë të falin namaz, shmangen nga falja ngaqë nuk heqin dorë dot prej pijes. Edhe drogat (lëndët narkotike e stupefiante) pengojnë nga namazi dhe adhurimet e tjera.
Lëndët që e pengojnë dhe e shmangin njeriun nga adhurimi dhe e mira, janë fetarisht haram. Ka shumë shembuj që tregojnë se si pija dhe veset e këqija të ngjashme i kanë penguar dhe shmangur shumë njerëz të rinj dhe pleq nga e mira dhe dobia. Për shembull, A’sha, një nga poetët e periudhës pagane paraislame pati shkuar në Hixhaz atë vit kur u bë Pakti i Hudejbijes dhe pati shfaqur dëshirën për t’u bërë mysliman. Duke dyshuar për pretendimin e tij për t’u bërë mysliman, kurejshët i patën thënë: “Islami ka ndaluar pijen, marrëdhënien seksuale jolegjitime dhe kumarin”. Poeti i cili pati bërë tregti pijesh alkoolike kur kishte qenë i ri, duke thënë se, ngaqë ishte plakur, nuk i kishte mbetur ndonjë dëshirë për femër dhe kumar, por e kishte të vështirë për ta lënë pijen, pati kërkuar një vit leje për t’u menduar dhe ishte larguar nga Meka. Dhe, duke shkuar për në fshatin e vet, pati rënë nga deveja dhe pati vdekur dhe kështu, për shkak të vesit të pijes, nuk kishte përfituar dot nga dhuntia e të qenët mysliman.
Duke i krijuar njerëzit, Allahu i Lartë u pati dhënë mundësinë për t’i dalluar nga njëra-tjetra të mirën dhe të keqen, për ta njohur ç’është e bukur e ç’është e shëmtuar. Kjo mundësi është arsyeja dhe vullneti. Vullneti, domethënë, dallimi i të mirës nga e keqja është dhuntia më e madhe që u është dhënë njerëzve. Madje mund të thuhet se veçoria më me rëndësi që e bën njeriun të ndryshëm nga qeniet e tjera, që e ngarkon me përgjegjësi fetare dhe njerëzore, është zotërimi i arsyes dhe vullnetit. Vullneti mund të përkufizohet si kërkesë e njeriut për të dëshiruar dhe bërë diçka. “Amaneti” i dhënë njeriut, për të cilin bëhet fjalë në ajetin kur’anor[8], është komentuar nga disa dijetarë si “vullnet”. Sipas kësaj, të gjitha përgjegjësitë njerëzore dhe fetare varen nga vullneti. Vullneti është një amanet sublim që e bën njeriun të përgjegjshëm. Për këtë arsye, mbrojtja e vullnetit si mekanizëm i kontrollit të mendjes dhe arsyes është një detyrim fetar. Të gjitha lëndët që e çaktivizojnë arsyen dhe vullnetin, edhe në mos dhënçin dehje, janë pranuar njëzëri si haram nga dijetarët islamë.
Njeriu është krijuar si i përshtatshëm për të bërë keq. Nga krijimi, njeriu është rrethuar me disa të meta, si gabimi, harresa, vetëmashtrimi dhe indiferentizmi. Këto të meta janë shkaku i një shumice të këqijash lidhur me njeriun. Kështu, asnjë njeri nuk ka shpëtuar dot nga shkarjet e buruara prej kësi lloj dobësish njerëzore. Vetëm se, për sa kohë që këto nuk bëhen vazhdimisht dhe me dashje, nuk pranohen si e keqe në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në të kundërt, mëkatet e vogla të shndërruara në ves, janë konsideruar si mëkate të mëdha; kështu, është theksuar se vesi është një nga cilësitë themelore të së keqes në aktet dhe veprimet e njeriut.
Islami nuk e miraton shndërrimin e asgjëje në ves të pashmangshëm. Madje, shndërrimi i adhurimeve tona në ves ua rrëzon vlerën atyre. Sepse synimi dhe vullneti janë ato që u japin kuptim akteve dhe veprimeve të njeriut, që i bëjnë të çmueshme qëllimet e tij. Çaktivizimi dhe pasivizimi i vullnetit e rrëzon vlerën e aktit (punës) të kryer. Kurse kryerja e vazhdueshme e akteve (veprimeve) të dënueshme nga feja dhe shndërrimi i tyre në ves janë ndaluar me forcë. Duke u shprehur se “Allahu nuk i jep të pijë në ahiret nga pijet e xhenetit atij që në botë mbetet pijanec që s’pendohet”[9]. Profeti ka bërë të ditur përfundimin e vesit të keq. Kurse në një hadith tjetër, duke u shprehur se “personi që e vazhdon pijen, është si ai që u falet idhujve”[10], vesin e të pirit e ka përngjasuar me idhujtarinë. Ashtu si idhujtarët u falen me ves të paarsyeshëm e të palogjikshëm idhujve që nuk u japin asnjë dobi, edhe pijanecët e vazhdojnë në mënyrë të ngjashme vesin e të pirit që u shkakton dëm.
Njerëzit me vullnet të dobët janë të ekspozuar ndaj të gjitha të këqijave. Prandaj, personat dhe grupet që duan të ndikojnë mbi njerëzit dhe t’i bëjnë ata mbështetës të çështjeve të tyre të mbrapshta, së pari kërkojnë rrugët për t’i çaktivizuar vullnetet e tyre. Një pjesë, duke përdorur metodat e ndikimit psikologjik ose duke përfituar nga gjendja shpirtërore e turmës, përpiqen t’i çaktivizojnë vullnetet e njerëzve. Krahas kësaj, këto lloj grupesh me qëllime të paramenduara kanë përfituar qysh në krye të herës edhe nga veset e këqija si pijet dhe drogat të cilat e dobësojnë vullnetin.
Një nga shembujt më të spikatur të kësaj është çeta “Hashhashijjun” (e Hashashistëve) ngritur në kalanë Alamut nga Hasan Sabahu, njëri prej prijësve të shkollës juridike-fetare ismailite. Ata qenë përpjekur t’i bëjnë personat vullnetdobët robër personalë dhe skllevër të ideologjive të tyre me anë të lëndëve droguese si opiumi dhe të ngjashmit e tij. Dihet se në disa fe të Lindjes, opiumi dhe drogat e ngjashme hipnotike janë përdorur qysh në kohët e vjetra për të ndikuar te njerëzit, për t’i futur ata në një atmosferë mistike të rreme. Dihet se, në ditët tona, disa organizime me pamje fetare të dala rishtas në shesh në Perëndim, përfitojnë me të njëjtin qëllim nga opiumi dhe lëndët droguese të ngjashme, madje, disa grupe i shtyjnë në vetëvrasje kolektive anëtarët e tyre që i fusin nën ndikim në këtë mënyrë.
Sipas Islamit, të gjithë njerëzit lindin me natyrë ose krijim të pastër. Kështu, në një hadith të shenjtë, thuhet: “Allahu i Lartë ka thënë: “Unë i krijova të gjithë robërit e mi të pastër nga të këqijat, por, pastaj, shejtanët (djajtë) i shmangën ata nga feja.”[11] Njerëzit janë krijuar si të pamëkatë. Prandaj, në juridiksionin Islam, pafajësia (beraat-i zimmet) është marrë për bazë (gjersa personit t’i provohet fajësia). Sigurimi i paprekshmërisë së jetës është një nga të drejtat themelore njerëzore. Ashtu siç nuk mund të sillet në një mënyrë e cila rrezikon jetën e tjetrit, njeriu nuk e hedh as veten e vet në rrezik. Duke u shprehur në një hadith se “është ndaluar dëmtimi si dhe përgjigjja ndaj dëmit me dëm”[12], është theksuar rëndësia e garancisë së jetës dhe pasurisë. Alkooli dhe disa droga bëhen shkak për një guxim dhe agresivitet ekstrem; si përfundim, personat që marrin alkool dhe përdorin droga, përzihen shpesh në ngjarjet e plagosjeve dhe vdekjeve. Shkurt, ata hedhin në rrezik edhe jetën e vet, edhe jetën dhe pasurinë e të tjerëve.
Së bashku me dobësimin e vullnetit, personat që përdorin pije dhe droga, bëhen agresivë. Krahas kësaj, pija dhe droga dalëngadalë e helmojnë trupin e personit. Mirëpo Allahu i Lartë duke urdhëruar “mos e vrisni veten se Allahu është shumë mëshirues ndaj jush”[13] e ka ndaluar që njerëzit t’i shkaktojnë vetes së tyre dëm edhe moralo-shpirtëror, edhe material. Sot dihet se pija është shkaku themelor i disa sëmundjeve. Kurse drogat (lëndët hipnotike dhe stupefiante) nuk u njohin njerëzve as mundësinë për t’u sëmurur. Kurse Profeti ynë a.s., në një hadith ka thënë: “Personi që, duke e helmuar veten, i shkakton vdekjen, mbetet përjetësisht në xhehenem”.[14]
Dihet se droga është një lloj helmi që çon në vdekje të ngadaltë, madje disa lloje cilësohen si “helm i bardhë”.
Ndërkaq, çdo ditë bëhemi dëshmitarë të shembujve të dëmeve si plagosjet dhe vrasjet të cilave u hapin rrugë pijet dhe drogat. Madje, bëhet e ditur se edhe ligji që e ndalon pijen është vënë pas një ngjarjeje të tillë grindjeje dhe plagosjeje. Sa’d b. Ebi Vakkas r. a. tregon: “Para se pija të bëhej haram, qemë mbledhur për t’u gostitur në shtëpinë e një ensari. Pasi pimë, nën ndikimin e pijes dhe dehjes, ensarët nisën të fryhen duke thënë me krenari: “Ne jemi më të virtytshëm!” Edhe kurejshët u mburrën: “S’është e vërtetë, ne jemi më të virtytshmit!” Në këtë mes, njëri nga ensarët rroku një eshtër deveje, më goditi në hundë dhe ma theu. Ja, pas kësaj, u zbrit ajeti mbi pijen.”[15]
Profeti ynë a.s. “e ka ndaluar dëmtimin dhe humbjen e mallit dhe pasurisë”[16]. Shpërdorimi është bërë haram. Përdorimi i pijes dhe drogës bëhet shkak që paraja në sasi të mëdha të shpenzohet kot. Shpërdorimi dhe shpenzimi i parave në vese të këqija është ndaluar fetarisht. I Dërguari i Allahut a.s. ka deklaruar se “në ditën e kiametit, njeriut do t’i kërkohet llogari se ku e ka konsumuar jetën, se ç’ka bërë me ato që ka ditur, se ku e ka fituar pasurinë dhe ku e ka shpenzuar dhe se ku e ka shkatërruar trupin.”[17]
Mbrojtja e brezit është një nga të drejtat themelore të njeriut. Duke urdhëruar, “O ju që keni besuar! Mbrojeni veten dhe familjen nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”[18], Zoti ka theksuar se duhet ta mbrojmë familjen moralisht dhe shpirtërisht. Veçanërisht edukimi i fëmijëve dhe mbrojtja e tyre nga të këqijat është jashtëzakonisht me rëndësi për sa i përket rritjes dhe përgatitjes së brezave të shëndetshëm.
Mbrojtja e brezit mund të trajtohet nga dy këndvështrime. Ata që përdorin alkool dhe drogë, e kanë të vështirë të zbatojnë përgjegjësinë e tyre përballë familjeve. Për më tepër, disa herë u shkaktojnë dëme bashkëshorteve dhe fëmijëve. Veç kësaj, mund të bëhen shkak që fëmijëve të palindur t’u kalojnë disa veçori të këqija me rrugën e mbetjeve gjenetike. Kështu, dihet se edhe fëmijët e prindërve me toksikomani alkooli dhe lëndësh stupefiante janë, në përgjithësi, të aftë për t’u prekur nga toksikomania. Sipas studimeve, një toksikoman e prek jetën e afro 50 vetëve gjatë disa brezave.
Është e domosdoshme që, për mbrojtjen e brezit, sojet të mos përzihen me njëri-tjetrin dhe prindërit e fëmijëve të jenë të qartë. Mirëpo zinaja (marrëdhënia seksuale jolegjitime) dhe mëkatet e ngjashme bëhen shkak për përzierjen e brezave. Zinaja ose marrëdhënia seksuale jolegjitime si dhe tradhtia bashkëshortore është një nga mëkatet e mëdha. Zinaja është akti që konsiderohet i keq dhe i shëmtuar nga të gjithë njerëzit e moralshëm. Njëri nga faktorët më me rëndësi për përhapjen e këtij akti të shëmtuar janë veset e këqija si alkooli dhe droga.
Përgjithësisht, lëndët hipnotike dhe stupefiante (drogat) nuk janë ndaluar vetëm nga dëmet materiale që shkaktojnë. Në të njëjtën kohë, janë marrë parasysh edhe dëmet e tyre moralo-shpirtërore. Veç kësaj, kuptohet se pija është e shëmtuar në vetvete, prandaj nuk duhet të vlerësohet vetëm duke parë përfundimet. Në Kur’an është urdhëruar: “O ju që keni besuar! Vera, kumari, flitë e ofruara për idhujt, shigjetat e fallit s’janë gjë tjetër veç punëve të ndyra të shejtanit! Shmanguni prej tyre që të gjeni paqe!”[19] Zoti i ka emërtuar mëkatet që i ka bërë haram, “ndyrësi” dhe “punë shejtani”.
Kështu, është njoftuar se, duke u nisur edhe nga përfundimet, edhe nga natyra e tyre, janë konsideruar të shëmtuara me urdhër të Zotit. Njoftimi se një akt i ndaluar do t’u japë një sërë dëmesh njerëzve në këtë botë dhe në ahiret, mund të mos jetë në të njëjtën masë pengues mbi çdo njeri. E keqja në vetvete e një akti ose sendi mund të zhvillojë ndikim më pengues mbi disa persona. Prandaj, meqë Islami ka përcaktuar se specifikat që ka ndaluar janë të këqija edhe nga këndvështrimi ontologjik (i prejardhjes natyrore), ndalimet janë pranuar më lehtë nga njerëzit. Njerëzit mund të kenë pikëpamje të ndryshme për sa i përket faktit nëse një gjë ka më shumë anë të mira apo të këqija, por druhen të pretendojnë se një send i përmendur si i keq në Librin Hyjnor, është i mirë!
Duke zbatuar ndalimet, Profeti a.s. qe sjellë me dhembshuri ndaj njerëzve. Ai nuk u pati vënë ndalime njerëzve në asnjë specifikë që nuk e patën zbatuar me korrektesë ai vetë dhe pjesëtarët e familjes. Ndjeshmëria e tij në respektimin e ndalimeve fetare pati siguruar që edhe sahabet, bashkëbiseduesit e urdhrave të tij, t’i braktisnin në një çast veset e këqija që i patën bërë shprehi qysh prej qindra vjetësh. Suksesi në eliminimin e zakoneve të këqija dhe veseve të dëmshme është nga provat e profetësisë së të Dërguarit të Allahut a.s. Sa për ndalimin e pijes, qypat e pijes u zbrazën nëpër sokakë me urdhrin e Profetit a.s., në sokakët e Medinës pijet patën rrjedhur si rrebesh.[20] Njerëzit e mësuar me pije, pasi pija u ndalua, aq shumë patën ndjerë neveri për të, sa e barazonin pijen me politeizmin. Kështu, sahabiu Ebu Musa r.a. pati thënë: “Nuk shoh ndonjë ndryshim midis pijes dhe adhurimit të një shtylle në vend të Allahut!”[21] Siç shihet, po qe se ndjenja e fetarizmit drejtohet mirë, është e mjaftueshme për t’i eliminuar të gjitha të këqijat.
Përktheu: Mithat Hoxha
[1]. A’raf, 157.
[2]. Nesai, Eshribe, 44.
[3]. Buhari, Eshribe, 4.
[4]. Tirmidhi, Eshribe, 2.
[5]. Abdylfettah Mahmud, Hukmu’t-tedavi bi’l-muharremat, f. 124.
[6]. Ahmed b. Hanbel, 6/309.
[7]. Fethu’l-bari, 21/142.
[8]. “Ne ua ofruam përgjegjësinë (amanetin) qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi …” Ahzab, 72.
[9]. Muslim, Eshribe, 73.
[10]. Ibni Maxhe, Eshribe, 3.
[11]. Muslim, Xhenet, 63.
[12]. Ahmed b. Hanbel, 1/313.
[13]. Nisa, 29.
[14]. Buhari, Tibb, 56.
[15]. Bejhaki, Sunen, 8/285.
[16]. Buhari, Zekat, 18.
[17]. Tirmidhi, Kiamet, 1.
[18]. Tahrim, 6.
[19]. Maide, 90.
[20]. Ahmed b. Hanbel, 3/181, 182.
[21]. Nesai, Eshribe, 42.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Mar 21, 2018 0
Sep 21, 2015 0
Sep 02, 2015 0
Nov 07, 2014 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...