Perditësimi i fundit July 2nd, 2024 8:55 AM
Jun 12, 2015 Zani i Nalte Shkenca dhe besimi, Studime 0
nga Dr. Muhamed Amare
Abstrakt
Nëse erërat e injorancës paraislame, kanë arritur që ti rikthejnë disa zakone dhe tradita që dominonin botën para Islamit, ato nuk kanë arritur të prevalojnë mbi arritjet e emancipimit islam të gruas. Shpirti i këtij emancipimi dhe frytet e tij vërehen edhe në kohën e regresit të civilizimit islam, regres i cili ka pllakosur botën islame. Edhe në këto kushte të rënda, jeta jonë sociale ofron modele grash të cilat depërtojnë në fusha të ndryshme të jetës, si ajo e shkencës së hadithit, fikhut, letërsisë etj.
Kur flitet për gruan dhe emancipimin e saj, të gjithë njerëzit me arsye të shëndoshë pajtohen me faktin se mbi supet e gruas rëndojnë padrejtësi që shtrihen nga kohët e lashta e deri sot në ditët tona. Gjithashtu, pajtohemi me faktin se tashmë gruaja është shndërruar në një kauzë dhe se emancipimi i saj, edhe pse lidhet me atë të burrit, ka nevojë për më shumë vëmendje dhe për një qasje specifike. Por ajo që ka shkaktuar mosmarrëveshje dhe debate, në nivel ndërkombëtar, është modeli ideal i cili i mundëson gruas emancipimin e vërtetë. Sot na ofrohet modeli perëndimor ekstrem, modeli i lëvizjeve feministe të cilat duan që gruaja të fokusohet tek vetja, duke u rebeluar kundër natyrës së saj femërore me të cilën e ka krijuar Zoti, kundër burrit dhe kundër vlerave dhe feve. Ky është një model i cili ka arritur kulmin e ekstremizmit. Ekziston dhe një model tjetër, ai tradicional, ai i izolimit dhe kufizimit, zakonet dhe tradita e të cilat i janë veshur fesë.
Modeli i mesëm i emancipimit të gruas
Por ekziston dhe një model i mesëm dhe i balancuar, i cili shpreh qasjen islame ndaj emancipimit të gruas dhe që buron nga tekstet, logjika dhe drejtësia e Kur’anit, i cili i ka dhënë gruas të drejtat e saj të plota dhe e ka barazuar me burrin, pasi ajo dhe burri rrjedhin nga Ademi a.s. Kur’ani i ka besuar gruas të njëjtin amanet që ia ka besuar burrit, amanetin e mbarëvajtjes së jetës në tokë. Ai e ka barazuar gruan me burrin në nderimin dhe fisnikërinë që u ka bërë të dyve. Ai i ka barazuar në obligime, mbajtjen e përgjegjësive dhe shpërblimin… E gjitha kjo, duke marrë parasysh dallimet fizike dhe psikologjike mes mashkullit dhe femrës. Vetëm duke njohur dhe pranuar këto dallime njeriu vlerëson begatinë hyjnore dhe realizon lumturinë e vet, pasi vetëm kështu përballet secila palë me tjetrën. E po të ishin të dy njëlloj, pa asnjë dallim, nuk do të ishte tjetër, nuk do ndjente dëshirën për ta pasur dhe mallin për ti qëndruar pranë. Barazia në përgjegjësinë e mbajtjes së amanetit, dinjitetit, aftësisë, detyrimeve, llogarisë dhe shpërblimit, pjesëmarrjes në detyrimet sociale… është barazi e dy palëve që dallojnë nga njëri-tjetri dhe jo dy palëve krejtësisht unike.
Ky model i mesëm buron nga tekstet dhe logjika e Kur’anit Fisnik, i cili e konsideron burrin si pjesë të gruas dhe gruan si pjesë të burrit. “Pjesë e njëri-tjetrit”[1]. Secilën palë, Kur’ani e portretizon si petk për palën tjetër. “ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për to”[2].
“ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?”[3].
Lidhjet e kësaj bese mes dy bashkëshortëve, e cila është besë e natyrës së pastër njerëzore, i bashkojnë nenet e saj të cilat përbëhen nga miqësia, dashuria, mëshira, qetësia… “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”[4]
Kjo qasje e mesme ndaj emancipimit të gruas dhe ruajtjes së feminilitetit të saj, bazohet gjithashtu tek praktikat profetike që rridhnin nga logjika e Kur’anit. Këto praktika të cilat e emancipuan gruan myslimane dhe e çliruan atë nga varrosja për së gjalli, e shndërruan atë në një forcë aktive në ndërtimin e familjes, shtetit dhe civilizimit islam, e bënë atë pjesëmarrëse në të gjitha fushat e jetës dhe të fesë. Diçka të tillë e gjejmë që ditët e para të lindjes së diellit islam.
Ky model i mesëm buron edhe nga ixhtihadi islam bashkëkohor, i cili i njeh të gjitha të drejtat gruas, njëkohësisht të gjitha meritat si palë e denjë në projektin zhvillimor të linjës së përtëritjes dhe rilindjes. E gjitha kjo, duke u mbështetur tek Kur’ani Fisnik dhe praktikat fillestare të emancipimit islam të gruas, me të cilat vlen të krenohesh.
Modele nga ditët e para të Islamit
Këto ishin vetëm disa nga modelet dhe shembujt të cilët mishëronin emancipimin e vërtetë islam të gruas që në ditët e para të lindjes së diellit të civilizimit islam.
Gruaja në civilizimin islam
Ditën që profeti Muhamed a.s. ia dorëzoi shpirtin e tij Krijuesit, numri i përgjithshëm i myslimanëve ishte diku te 124.000. Studiuesit që janë marrë me jetën e atyre të cilët ishin më pranë Profetit a.s. dhe që kishin kontribut të madh në përhapjen e mirësisë hyjnore, dolën me një numër prej tetë mijë personash të përzgjedhur, ku mbi një mijë prej tyre ishin gra. Kjo na lë të kuptojmë se emancipimi islam i kishte shtyrë gratë drejt suksesit, saqë në çdo tetë burra nga më të përzgjedhurit dhe më me shumë kontribut, më shumë se një ishte grua. Kjo është përqindja më e madhe e grave që është shënuar pas çdo revolucioni, emancipimi dhe rilindje.
Nëse erërat e injorancës paraislame, kanë arritur që ti rikthejnë disa zakone dhe tradita që dominonin botën para Islamit, ato nuk kanë arritur të prevalojnë mbi arritjet e emancipimit islam të gruas. Shpirti i këtij emancipimi dhe frytet e tij vërehen edhe në kohën e regresit të civilizimit islam, regres i cili ka pllakosur botën islame. Edhe në këto kushte të rënda, jeta jonë sociale ofron modele grash të cilat depërtojnë në fusha të ndryshme të jetës, si ajo e shkencës së hadithit, fikhut, letërsisë etj.
Kur historiani Omer Rida Kehale numëroi personalitetet femra të cilat kishin dhënë kontribut të vyer në civilizimin islam, gjeti se numri i tyre, vetëm në rajonin e vendeve arabe, ishte mbi tre mijë, duke ditur se bota arabe përbën vetëm një të pestën e asaj islame.
Është e vërtetë që numri i personaliteteve gra në historinë dhe civilizimin islam duhet të ishte shumë herë më i madh sesa është, krahasuar me numrin e personaliteteve gra gjatë periudhës profetike. Megjithatë, ky numër mbetet një dëshmi e pakontestueshme e modelit që ofron Islami në emancipimin e gruas. Ai është një dekoratë nderi në kraharorin e civilizimit islam me të cilin mburret dhe krenohet para të gjithë civilizimeve të tjera.
Një model i tillë tregoi qëndrueshmëri të fortë përballë vërshimit të zakoneve dhe traditave aspak fetare të cilat prevaluan në periudhën e regresit civilizues, duke qëndruar aktiv në të gjithë historinë islame. Ai ka filluar të rikthehet fuqishëm në kohët moderne.
Mesazh i Islamit, mesazh ripërtëritës
Civilizimi islam dëshmoi praktikisht se islami erdhi për të ripërtërirë të gjitha fushat e jetës. “O ju që keni besuar, përgjigjuni Zotit dhe të dërguarit të Tij, kur u ftojnë në ato gjëra që u japin jetë”[5].
Civilizimi islam prodhoi njerëz të dijes dhe të shkencës në të gjitha sferat e jetës, astronomi, natyrë, matematikë, algjebër, inxhinieri, mjekësi, farmaci etj… dhe kjo akoma pa kaluar një shekull nga lindja e diellit të Islamit. Këto, pa përmendur shkencat fetare, sociale, humane, artet dhe letërsinë. Civilizimit perëndimor iu deshën 14 shekuj për të parë shkencëtarin e parë në astronomi.
Besimi dhe ftesa islame startoi me Hadixhen, e cila është personi i parë që besoi në mesazhin e profetit Muhamed a.s. Që atëherë, kontributi i gruas myslimane ka qenë evident në çdo periudhë të historisë islame.
Misioni i mesazhit të arsyes islame është që ta mbrojë shoqërinë nga bataku i imitimit të verbër të tjetrit. Kjo, qoftë për imitimin e emancipimit të ekzagjeruar perëndimor dhe që bie ndesh me vlerat e natyrës së pastër, qoftë për imitimin e zakoneve dhe traditave sociale primitive. Modeli i mesëm që ofron Islami për emancipimin e gruas, ruan natyrën e pastër femërore me të cilën Zoti e ka krijuar femrën.[6]
Përktheu:
Elmaz Fida
[1]. Al Imran, 195.
[2]. Bekare, 187.
[3]. Nisa, 21.
[4]. Rum, 21.
[5]. Enfal, 24.
[6]. Marrë nga revista El-Hira, nr. 7, viti II (prill-qershor), Egjipt, 2007:21-24.
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Jan 23, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Jul 02, 2024 0
Mr. Habib Ebibi Hyrje Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...