Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jul 27, 2015 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Mësimi i fundit i Xhibrilit (a.s.)
Prof. dr. Ajhan Tekinesh
Universiteti Bedër
Abstrakt
Është e pamundur të përfytyrohet që i Dërguari i Allahut (a.s.), për të cilin dihet se sa i ndjeshëm ka qenë në çështjen e mësimit të Kur’anit për sahabet, të mos u ketë dhënë leje disa personave nga sahabet për të marrë pjesë pranë tij në leximin e fundit ku, sipas rëndësisë së çështjes, Xhibrili e pati lexuar Kur’anin dy herë, ose që të mos ua ketë njoftuar sahabeve rileximin e fundit.
Për t’u realizuar një lexim i këmbyeshëm ballë për ballë, është e domosdoshme që ajetet dhe suret të kenë një sistemim të caktuar. Në të kundërt, është e pamundur që lexuesi të mund të ndiqet nga dëgjuesi. Po të mendohet se të dy anët e dinë tekstin e vet përmendësh, leximi nuk do të ketë kuptim po qe se teksti në mendjen e secilës anë nuk do të ndjekë një radhë të caktuar. S’duhet harruar se këto rilexime, siç shpjegohet edhe në hadithe, janë realizuar në formë mukabeleje rileximi të Xhibrilit për Hz. Pejgamberin dhe të Hz. Pejgamberit për Xhibrilin.
2. Diktatura e Sasisë
Fatos A. Kopliku, M.S.
American University, Washington DC, SHBA
Abstrakt
Braktisja e shkencave tradicionale ekskluzivisht për ato fizike, shkëmbimi i arit për bakër, ishte fillimi i fundit për fetë. Braktisja dhe indiferenca (degradimi pasiv) janë ndjekur me siguri me përbuzje dhe sulme (degradimi aktive). Megjithatë, fakti se edhe të vërtetat më sublime janë në pikëpyetje, apo edhe u është hedhur baltë, nuk është diçka e re. Diçka e re janë format e ndryshme që këto dyshime, apo edhe mohimet, kanë marrë. Një prej këtyre formave vjen në formën e shkencizmit, i cili mund të definohet si bindja se vetëm shkenca është ose mund të jetë lloji i vetëm legjitim i dijes dhe i vetmi kriter i vlefshëm për të vërtetën. Pavarësisht nga fakti se shumë shkencëtarë janë të vetëdijshëm për dallimin mes shkencës dhe shkencizmit, ky i fundit ka qenë i popullarizuar si një botëkuptim, jo rrallë nga autorë që nuk e njohin këtë dallim, duke arritur në përfundime thellësisht të gabuara. Në këtë artikull ne do ta diskutojmë këtë dallim dhe disa prej pretendimeve, sidomos në lidhje me fenë, që lindin nga paaftësia për të bërë këtë dallim.
3. Ndikimi i religjionit në hapësirën kosovare
Ma. Sc. Refik Gërbeshi
Abstrakt
Popujt përreth apo edhe me gjerë identifikohen me një fe të caktuar, ndërsa te shqiptarët, komponentët komb e fe kanë qenë gjithnjë unikë dhe fati ka dashur që t’i përkasim llojllojshmërisë apo trillojshmërisë, që janë pasuri kombëtare, kurse ndikimi dhe roli i fesë ndër kohëra ka kontribuar për ruajtjen e kombit. Qasja e historisë shqiptare sidomos në këndin e zhvillimit të bashkësive fetare ndikimin e tyre, si dhe karakteristikën e dominimit kombëtar tek ata, nuk është e paktë, por dominon vija e bashkëjetesës, duke mos i shpëtuar edhe keqpërdorimit sidomos të të huajve, si edhe lakmitarëve që të jenë në shërbim të përçarjes.
Në historinë tonë kombëtare ekzistojnë shumë prej figurave fetare, që dhanë kontributin e rrallë, por që historianët e studiuesit shpesh janë të prirur t’i mohojnë, apo së paku t’u fshehin titullin fetar nën pretendimin e ruajtjes së imazhit kombëtar laik. Por ndikimi gjeostrategjik dhe efekti kombëtar e politik ishte dhe është i dukshëm, sidomos pas shkëputjes së Kosovës nga Shqipëria dhe pushtimi nga serbët, të cilët për politikën e tyre përdorën edhe fenë. Nuk do të thotë që edhe shqiptarët gjegjësisht prijësit fetarë shqiptarë, sidomos ata myslimanë, nuk e përdorën fenë si gjeostrategji për dallimin nga armiku. Nga ana tjetër, prirja për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përkatësitë fetare në interes të unitetit rreth çështjes kombëtare zë fill gjatë kohës së Rilindjes dhe vazhdimësia e saj ishte gjithnjë në funksion me kalimin e kohës. Tema e bashkëjetesës ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve, në 15 shekujt e kaluar e deri sot, është prej çështjeve, që kanë një rëndësi të veçantë për një shoqëri përparimtare.
4. Rëndësia e analogjisë në jurisprudencën islame
Jusuf Zimeri
Abstrakt
Nga burimet themelore të Sheriatit Islam, përmes së cilës përfitohet njohja e dispozitës juridike islame, është edhe analogjia, e cila, në terminologjinë islame njihet me nocionin Kijas. Nëse u bëjmë një vështrim të gjitha sistemeve që kanë funksionuar, apo, që funksionojnë në shoqërinë njerëzore, me lehtësi vërtetohet fakti se, asnjë sistem nuk i ka përfshirë të gjitha normat juridike për të gjitha çështjet jetësore në mënyrë tekstuale, qofshin ato veprime aksidentale apo novacione që ndodhin me kohën. Por, s’do mend se në sistemin juridik përcaktohen parimet e përgjithshme bazë, rregullat dhe kushtet që diktojnë për të shpalosur apo përcaktuar një dispozitë juridike për një rast konkret. Kjo është edhe arsyeja që juristët vazhdimisht të merren me shqyrtimin dhe plotësimin e ligjeve, përmes amendamenteve dhe anekseve që i bëhen ligjit, por, më e rëndësishmja në këto ndryshime është se juristët asnjëherë nuk guxojnë të largohen nga parimet e përgjithshme bazë të sistemit juridik.
5. Nga art i importuar në letërsi kombëtare
Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi
Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Shkencave të Komunikimit
Universiteti “Bedër”
Abstrakt
Më herët, letërsia shqipe ishte dokumentuar me alfabet latin nga filobiblikët, por pa mundur të përhapej gjerësisht. Edhe ajo letërsi, ashtu si letërsia fisnore para saj, nuk arriti të bëhej letërsi kombëtare. Fillimet e shekullit XVIII nxitën poetët shqiptarë që shkruanin në persisht, arabisht dhe turqisht të vargëzonin në gjuhën e popullit. Shkak i këtij kalimi të madh u bë nevoja e individit të përplotësuar për të njohur veten. Ato flasin për një zhvillim të mrekullueshëm kulturor që filloi si një art i importuar, por, që, me kalimin e kohës, u paraqit si diçka karakteristike shqiptare. Porosia profetike çeli mundësinë e lirikës intime ku përsiatet thellë duke dëshmuar ndjeshmëri personale. Letërsia shqipe me alfabet arab, është quajtur letërsi e … teqeve. Ajo pati si shtrat humusin kulturor arian të trashëguar me fisnikëri.
Tesavufi (mistika), si poetikë e shkrimit bashkëkohor, i shërbeu si mundësi, kurse tradita e letërsisë orientale i dha modele të zhanreve dhe llojeve poetike. Premisat ndihmuan poetin shqiptar të edukuar në shkollën osmane të dëshmohej si poet shekullar. Interesi i madh që zgjoi te masat e popullit e ndihmoi këtë letërsi të masivizohej. Është pranuar shkencërisht mbështetja e saj nga mecenë që kishin edhe pushtet ekzekutiv. Autorët e letërsisë alamiado kishin origjinë shoqërore të pasur, por patën edhe mbrojtjen e bejlerëve shqiptarë. Kur ndodhi që këta administratorë të fuqishëm të ishin edhe vetë shkrimtarë, jo vetëm dashamirës, mbështetja dha fryt cilësor. Objekt i studimit do të jenë kushtet sociale që lejuan lindjen, zhvillimin dhe përhapjen e kësaj letërsie e cila zgjati rreth dy shekuj. Ajo letërsi nis me Divanin e Nezim Beratit, një paraardhësi të familjes së shquar Vlora, mbolli dhe ushqeu veprën poetike të Naim Frashërit, tek i cili gjithashtu ka ndikime orientale. Metoda gjenerative ndihmon që përgjithësimi të vijë natyrshëm duke kaluar nga qasja e kuptimit të veçantë te ai i përgjithësuar, si ndihmesë e studimit të kësaj letërsie të paragjykuar nga komplekse evrocentrike.
6. Hapësira private dhe hapësira publike e ushtrimit të lirisë
Redi Shehu
Abstrakt
Sot, bota në sajë të kanaleve masive të komunikimit, internetit, satelitit dhe shumë formave të tjera ndërmjetësuese mes njerëzve, nuk mund të konsiderohet një realitet lokalitetesh të veçuara në të cilat ligje lokale mbizotërojnë. Në kohët tona kur i gjithë planeti tashmë është kthyer në një Agora’ të përbashkët, ato që duhet të prevalojnë mbi vlerat lokale, duhet të jenë vlerat universale si përbashkuese të realiteteve multikulturore. Në këtë kuptim, konflikti mes dy formave të të kuptuarit të moralit të publikes e privates, në qytetetërime të ndryshme, rezultonte i pashmangshëm.
Liri e besimit nuk mundet kurrë të trajtohet si oponente e lirisë së fjalës. Sepse liria e fjalës është pjesë përbërëse e lirisë së besimit dhe anasjelltas. Ndaj edhe dilema liri e fjalës apo liri e besimit ngrihet vetëm nga një këndvështrim sekularist dhe teorive liberale. Kurse kufizimet që natyrshmërisht ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë brenda lirisë së fjalës kur preken dhe cenohen kufij të rëndësishëm të shoqërisë njerëzore, në të cilin përfshihet edhe besimi, përkundrejt të qenurit problematikë janë një garanci e ruajtjes së sistemit dhe mbarëvajtjes shoqërore. Ashtu siç ka kufij në lirinë e fjalës në një shoqëri sekulariste kur cenohet struktura dhe funksionimi i saj pikërisht si pasojë e kësaj lirie, ashtu ka dhe duhet të ketë kufizime në shoqëritë liberal demokratike dhe sekulariste kur cenohet liria e besimit, ngase kjo e fundit është pjesë integrale e saj, është frymëzuesja shpirtërore për lëvizjen e ingranazhit të stërmadh të kësaj shoqërie.
7. Evoluim dhe pasurim i kurrikulës së psikologjisë sonë
Prof. dr. Musa Kraja
Abstrakt
Psikologjia ka një parahistori shumë të gjatë dhe një histori si shkencë e mirëfilltë, shumë të shkurtër. Vërehet se në shumë shkrime, madje edhe në tekste psikologjie, autorë shqiptarë, jo të paktë, injorojnë traditën shqiptare, përfshirë edhe islamen, në mendimin psikologjik shqiptar. Kjo përbën një varfëri intelektuale. Artikulli synon të evidentojë disa të dhëna themelore të pasurimit të kësaj shkence shumë të rëndësishme në fushen e edukimit.
Vepra e mirëfilltë psikologjike e Prof. dr. Hasan Tahsinit “Psikologji”, është e para në Historine e Mendimit Psikologjik Shqiptar dhe në të gjithë vendet që përfshinte Perandoria Osmane. Parathënien e librit “Psikologjia” e bëri dijetari turk Nadiri Fevzi, i cili e konsideron Hasan Tahsinin si mësuesin e tij të vërtetë dhe të nderuar, duke e paraqitur para publikut si një “figurë e lartë e të shquar, për virtytet e tija, jovetëm në mes dijetarëve të Stambollit, por si një dijetar të njohur, fama e lavdia e të cilit ishin përhapur edhe në mbarë Evropen”. Hasan Tahsini paraqitet si njohës i Iluminizmit Islam dhe i Iluminizmit Perëndimor, i cili thekson disa koncepte themelore të kësaj shkence. Këtu jepet edhe ndihmesa e çmuar e prof. Aleksandër Xhuvanit në fushën e mendimit psikologjik, i mendimtarëve të tjerë, para tij dhe të mëvonshëm. Në veprën madhore të akademikut Pajazit Nushi, bëhet një analizë e thelluar në fushën e mendimit psikologjik të kohës, botimi dy vëllimësh, me rreth 1200 faqe të formatit të madh të “Leksione Psikologji I-II”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2014, duke u ndalur në disa aspekte themelore të saj, përmes së cilës evidentohen edhe studiues të tjerë të psikologjisë shqiptare.
8. Koncepti i bashkësisë dhe formimi i bashkësive
Dr. Genti Kruja, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Abstrakt
Në disiplinën shkencore të sociologjisë, koncepti i bashkësisë e merr rëndësinë dhe kompleksitetin e tij për shkak të shfaqjes së “shoqërisë moderne industriale”. Në Perëndim kjo dukuri ka çuar në shkatërrimin e strukturave tradicionale të identitetit dhe të formave sociale organizative. Me qëllim që të kuptojmë më mirë konceptin e “formimit të bashkësive” në botën myslimane, është me vlerë të ndalemi në ndryshimet e shprehura në mënyrën e trajtimit të tyre në imagjinatën perëndimore dhe atë islame.
9. Mesazhi Islam – fe për të gjithë
Muhamed Tewfijk Ahmed
Abstrakt
Kur’ani na mëson se nuk ka dhunë në fe, duke u shprehur kundër çdo forme të dhunës. Të gjitha luftërat në Islam janë zhvilluar për të mbrojtur fenë dhe besimin. Edhe pse në disa kohëra, disa udhëheqës të vendeve Islame luftuan për interesa e përfitime të kësaj bote, me çka ata zbritën nga piramida e formës të cilën e arritën paraardhësit e tyre, derisa i pasonin mësimet e vërteta të fesë së tyre. Andaj nuk duhet të kritikojmë Islamin për këtë dështim, sepse ai është kundër këtyre luftërave. Duhet të theksojmë se edhe pjesëtarët e feve të tjera kanë zhvilluar luftëra në emër të fesë me të njëjtat qëllime, porse feja është e pastër nga këto luftëra.
Islami i ka dhuruar njeriut liri absolute të mendimit. Ai e lartëson shpirtin e njeriut nga dhuna, për të jetuar kështu në paqe të përjetshme.
Hafiz Musa Dërguti
(1888-1961)
I dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”, 1995
Hafiz Dërguti nuk ishte i specializuar në sociologji, por duke jetuar mes njerëzve, që i donte aq shumë, në gëzimet e hidhërimet e tyre kërkonte që me burimin e mësimeve të besimit islam, të zbuste sadopak zemrat e njerëzve, t’ua lehtësonte dhimbjet, t’i drejtonte e t’u ndriçonte rrugën drejt së mirës, së vërtetës, drejtësisë e mirëkuptimit, drejt rrugës që predikon feja islame dhe kjo e bëri atë shumë të dashur për çdo familje.
Të vjetrit e kanë njohur mirë Hafiz Musa Dërgutin, atë hoxhë të nderuar prej të gjithëve, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, atë hoxhë që gjithnjë ishte pranë nevojtarit, pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve.
Të rinjt e sotshem si mejtojnë edhe kujt i mbesojnë?
Ferit Vokopola
Nji pyetje kjo aqe me randsi sa mundi të themi pa druajtësi fare se përgjegjëja e asajë meritonë studime të thella, dhe ka hijë me të vertet me qenë landa shkrimore e ç’do Rivistë qi ka për program mbarësin e njerëzisë ashtu edhe udhëheqjen morale.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...