Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jul 22, 2015 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Gazmend Leçini
Abstrakt
Hibriditeti është kthyer në modë në shumë fusha. Shumë degë të shkencës po i përafrojnë kurrikulat e tyre duke ndërthurur ato lëndë që deri dje konsideroheshin si “fushë tjetër” studimi.
Ndërthurja midis mediave të vjetra dhe atyre të reja po na jep një panoramë tjetër të skenës mediatike pjesë e së cilës është dhe Shqipëria. Duke parë dhe ndjekur këtë prirje, si dhe duke marrë shkas nga studime mbi këtë tematikë mendoj se ka ardhur momenti që të tilla zhvillime të evidentohen dhe të trajtohen me kujdes duke mbajtur qëndrimin e duhur.
Në këtë studim unë përmend disa raste hibriditeti në sistemin mediatik shqiptar duke theksuar edhe qëndrimin që sugjerojnë studiuesit e shkencave të komunikimit për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve të medias që ata t’i kuptojnë mediat ashtu siç duhet dhe jo të jenë “viktimë” e tyre, por as edhe armiq me to.
Metodologjia e përdorur është vëzhgimi i disa prej këtyre mediave dhe ndërthurja e teorive mbi median me realitetin. Intervistat me personazhet e këtyre mediave a gjinive mediatike do të përbëjnë dhe boshtin e këtij studimi.
Pyetjet të cilave do u jap përgjigje janë:
Fjalë kyçe: Media hibride, Gjini mediatike hibride, Konvergjencë, Konteksti apo Korniza, Evoluim i medias, Sisteme politike hibride, Kultura hibride, Menaxhim hibrid.
Koha në të cilën jetojmë po na bën të vetëdijshëm se hibriditeti është kthyer tashmë në modë në shumë fusha. Nuk është më diçka e re që shumë degë të shkencës po i përafrojnë kurrikulat e tyre duke ndërthurur ato lëndë që deri dje konsideroheshin si “fushë tjetër” studimi. Tashmë kemi regjime hibride, madje është bërë modë kjo gjë, kemi kultura hibride e po kështu kemi dhe media hibride.
Kuptimi i termit “hibrid” apo “hibridizim” na krijon një ide të qartë për objektin e studimit në këtë material. Hibrid do të thotë: “Që ka dalë nga kryqëzimi i dy llojeve a i dy racave të afërta”, ndërsa hibridizoj “Kryqëzoj dy lloje a dy raca të afërta bimësh a kafshësh për të nxjerrë një lloj a një racë me tipare të reja”.[1]
Ndërthurja midis mediave të vjetra dhe atyre të reja po na jep një panoramë tjetër të skenës mediatike pjesë e së cilës është dhe Shqipëria. Duke parë dhe ndjekur këtë prirje, si dhe duke marrë shkas nga studime mbi këtë tematikë, mendoj se ka ardhur momenti që të tilla zhvillime të evidentohen, sepse tashmë janë bërë fenomen dhe nuk janë disa raste të veçuara.
Vetëm evidentimi nuk do të na shërbejë plotësisht, nëse nuk analizohen përparësitë dhe mangësitë e mediave hibride, të cilat tashmë e meritojnë plotësisht këtë emër, duke na vënë përballë dilemës se cila duhet të jetë qasja jonë ndaj tyre?
Termin “hibrid” e hasim gjerësisht në jetën e përditshme duke na krijuar një përshtypje se dalëngadalë po humbasin ndarjet klasike të sendeve, ideve, politikave etj. Për ta pasur sa më të qartë gamën e shtrirjes së këtij fenomeni po mjaftohem me përmendjen e vetëm tri shembujve:
Sisteme politike hibride
Po kthehet gjithnjë e më tepër në modë bashkëqeverisja e partive të spektrit të majtë në qeveri të djathta dhe anasjelltas, duke na servirur një program hibrid. Ky fenomen ka ndodhur dhe po ndodh edhe në vendin tonë. Regjime të ndryshme po përdorin një model të ndërmjetëm, i cili nuk mund të emërtohet as totalitar, por as demokratik.
Kultura hibride
Duke qenë se kulturat u ngjajnë enëve komunikuese është e pamundur që ato të mos marrin dhe të japin nga njëra-tjetra. Kjo marrje dhe dhënie ka krijuar një kulturë të re të ndërmjetme apo “hibride”. Këtë e shohim dhe në vendin tonë ku ndërthurja mes kulturës vendase dhe asaj të importuar na ka dhënë, në disa drejtime, një gjë të ndërmjetme, e cila nuk quhet më as tipike shqiptare por as edhe e huaj. Sa për ilustrim mund të përmend “bashkëjetesën” e çifteve si një zgjedhje ndërmjet të jetuarit si “i pa martuar” apo “i martuar”.
“Hibriditeti në kulturë ka dalë në studimet postkoloniale si një përgjigje kritike ndaj dominancës së “imperializmit kulturor”. Nëse imperializmi kulturor sugjeron eksportin relativisht të pamundimshëm të vlerave kulturore perëndimore në kontekstet jo-perëndimore, studiuesit e hibriditetit afirmojnë se realiteti është shumë më tepër i ngatërruar. Në qendër të këtij përdorimi të hibriditetit është rezistenca kulturore me anë të subversioneve ironike – ideja që lëvizjet kulturore, historikisht inferiore, kanë përdorur në mënyrë selektive në integrimin dhe përshtatjen e aspekteve të zhanreve kulturore dominuese me qëllim që të thyejnë hegjemoninë potenciale të kësaj të fundit. Studimet e hibriditetit kulturor tregojnë gjithashtu se rrjedha e pushtetit kulturor s’është kurrë njëdrejtimëshe”.[2]
Menaxhim hibrid
Mënyrat hierarkike dhe të rrjetëzuara të koordinimit, kontrolli i elitës dhe autonomia individuale, centralizimi dhe decentralizimi janë tashmë terma të njohur që na tregojnë çdo ditë e më tepër se hapësira ndërmjet tyre po ngushtohet plotësisht deri në shkrirjen e tyre. Vazhdimisht hasim raste kur shefi apo drejtori kryen dhe rolin e kryeredaktorit, por dhe të gazetarit. Vendimi i qeverisë se taksa vendore do të mblidhet nga pushteti qendror e më pas do t’i kthehet sërish atij vendor, është një tjetër tregues se hibriditeti po e shtrin fushën e tij të veprimit.
Me termin “Media Hibride” nënkuptohet ajo media e cila rrjedh apo formohet si rezultat i ‘konvergjencës funksionale’ të dy mediave.
Për ta pasur më të qartë këtë koncept na vjen në ndihmë rasti i Wikileaks-it i cili shfrytëzoi autoritetin dhe besueshmërinë e 5 organizatave të shquara kombëtare lajmesh: The Guardian, New York Times, Der Spiegel, Le Monde dhe El Pais për të promovuar vetveten. Assange shfrytëzoi dhe rrjetin social Twitter për të bërë të njohur median e tij të re Wikileaks-in.
“Çfarë është Wikileaks? A është një faqe interneti, një listë e-mailesh, apo një infrastrukturë teknologjike mbarëbotërore e bazuar në standarde të sigurta kriptimi? A është një biznes botimi, një revistë lajmesh online për investigime profesionale, apo një agjenci marrëdhëniesh me publikun, që vepron në emër të klientëve anonimë? A është me të vërtetë global, apo i përcaktuar në sistemin mediatik të disa shteteve specifike, apo është thjesht një person: Julian Assange?
Wikileaks është të gjitha këto së bashku dhe më tepër se kaq. Hibriditeti i tij ngre çështje themelore rreth krijimit të lajmeve politike, por ai zbulon shumë prej thelbit për të kuptuar organizimin politik dhe mobilizimin në kohën e sotme”.[3]
Në literatura të ndryshme këtë term e hasim dhe me termin konvergjencë e cila është disa llojesh. Kemi konvergjencë korporative, ku disa media të “vjetra” bashkohen me media të “reja”. Kjo ka qenë tipike para disa vitesh, por tani prirja është të shkohet drejt divergimit korporativ se sa konvergimit. Lloji tjetër është konvergimi funksional, i cili duket se është në modë aktualisht ku agjenci të ndryshme, në vend që të punësojnë një staf të ri për një media të re, shfrytëzojnë po të njëjtët gazetarë. “Për më tepër shumë kritikë shqetësohen se operacionet konverguese nënkuptojnë më pak pavarësi dhe forma të ndryshme gazetarie. Kjo mund të jetë në të mirë të kompanive mediatike, sepse kursejnë parà, por nuk është në të mirë të konsumatorit. Në çdo rast juria është kundër meritës së konvergjencës funksionale”[4]
Ajo që mund të duket joshëse në fakt është konvergjenca e mjeteve, ku e njëjta pajisje mund të kryejë shumë funksione. Si p.sh. aparati celular është telefon, MP3, aparat fotografik dhe mund të lidhet me internetin.
“Komisioni Evropian që në vitin 1996 e përkufizonte kështu konvergjencën: mundësia e platformave të ndryshme për të transportuar shërbime në thelb të ngjashme, domethënë bashkimin e pajisjeve për publikun e gjerë si telefoni, televizioni dhe kompjuteri”.[5]
Në analizën e tij Francis Balle konkludon se konvergjenca është e “rrezikshme” dhe “mashtruese”. E rrezikshme, sepse ajo mund të shtyjë në gabim dhe gabimi zmadhohet në një botë gjithnjë e më globale. Është mashtruese sepse duke përdorur të njëjtat terminale mund të kalojmë nga komunikimi “one to many” në komunikimin “one to one” duke mos pasur më dallim botimi me shkëmbimin individual apo thënë ndryshe komunikim “publik” me atë “privat”.
Hibriditetin e hasim gjerësisht në mediat shqiptare. Format më klasike dhe më të përhapura janë:
Gazetë, televizion apo radio?
Po thuajse çdo ditë ne shohim në televizion leximin e shtypit të ditës ku lexohen titujt kryesorë të gazetave, por jo vetëm, ka dhe raste kur lexohen disa artikuj fjalë për fjalë siç është në gazetë. Kjo gjë ndodh edhe në radio. Leksionet klasike mbi shkrimin për televizion dhe radio na tregojnë se: “Shkrimi i lajmit në radio dhe televizion thekson urgjencën, ka një stil bisedor, ka fraza të ngjeshura dhe është i qartë”.[6]
Për sa kohë që kemi thjesht një lexim pa asnjë lloj ndërhyrjeje, lexuesi has në një vështirësi për ta ndjekur logjikën e shkrimit, i cili është i përgatitur për t’u lexuar me gazetë në dorë. Kjo metodë fut në “siklet” dhe gazetarin, i cili duke e ditur se ky shkrim do të lexohet edhe në radio apo televizion mundohet të gjejë fjalë sa më të thjeshta duke cenuar kështu dhe nivelin e vetë shkrimit i cili tashmë duhet të jetë sa më i sipërfaqshëm që ta kuptojë dhe dëgjuesi i radios apo i televizionit.
Profesionistët sugjerojnë se: “Gazetarët duhet t’i hartojnë lajmet kryesore për radio dhe televizion paksa ndryshe nga mënyra se si ato bëhen për shtyp dhe internet. Ata duhet gjithashtu të shkruajnë parathënie të posaçme dhe përmbledhje për segmente audio apo video dhe të sinkronizojnë fjalët e tyre me segmentet e regjistruara”.[7]
Radio apo televizion?
Lajmet dhe emisionet e radios jepen drejtpërdrejt në televizion dhe e kundërta. Wake Up, Club Fm, Aldo Morning Show etj.
Me të njëjtën vështirësi përplasen si dëgjues-shikuesit po ashtu dhe moderatorët, të cilët gjenden përballë një audience të dyfishtë, më tepër në lloje se sa në sasi. Gazetari duhet të mendojë njëkohësisht që mesazhi të jetë i kuptueshëm si në radio ashtu dhe në Tv.
Televizion apo internet?
Rastet kur postimet në rrjetet sociale të politikanëve lexohen tekstualisht në televizion.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2011 u bë i famshëm Facebook-u i Bashës si dhe Twitter-i i Ramës. Kjo formë u kthye në modë ku tashmë kemi një zëvendësim të konferencave për shtyp me postimet në rrjetet sociale ku gazetarët i referohen si burime zyrtare duke i lexuar ashtu siç ishin shkruar.
Gazetë apo internet?
Rastet kur shkrimet e versionit në letër bëhen “copy paste” në faqet on-line apo në rrjetet sociale.
“Një mënyrë e sigurt për të larguar lexuesit online është t’u japësh atyre lajme me lopatë – artikuj të shkruar për shtyp. Qindra publikime vazhdojnë ta bëjnë këtë, por tashmë është e qartë që shumë lexues online nuk pranojnë të groposen në dheun e krijuar nga lopatat – në qoftë se nuk kanë vërtet nevojë për informacion të thellësishëm.”[8]
Me termin “Gjini mediatike Hibride” kuptojmë atë produkt i cili ka tipare të ngjashme me dy a më shumë gjini klasike.
Gjinitë klasike janë të shumta, por ajo që vihet re është pikërisht fakti se po zbehen ndarjet klasike ndërmjet tyre duke i bërë kufijtë nga njëra tek tjetra më shumë porozë.
Mesazhi i një gjinie i vendosur në “kornizën” apo kontekstin e një tjetër gjinie na jep një gjini hibride. Dilema e lexuesit këtu është, të kuptojë mesazhin apo kontekstin. Dihet tashmë se një nga format që mediat ndikojnë tek audienca është edhe konteksti përveç tekstit.
“Roli që luajnë burimet, te lexuesit apo shikuesit, është studiuar edhe nga ana e komunikimit masiv. Një nga zbulimet më të pranuara nga kjo fushë, është se publiku ka tendencë të shkëpusë burimin nga mesazhi, kjo njihet me emrin “efekti i gjumit” (Lowery dhe DeFleur 1988). Studimet konfirmojnë se shumë njerëz kanë tendencë të kujtojnë faktet e thëna, por jo kontekstin, kur e kanë dëgjuar. Por, lexuesit dhe dëgjuesit janë thjesht aktorë autonomë moralë. Identifikimi i burimeve të reja lejon publikun të vlerësojë raportimet, si nga ana e përmbajtjes së tyre, ashtu edhe motivin e dhënies së informacionit, nga ana e burimit.”[9]
Lajm apo propagandë?
Kjo kuptohet nga korniza ku është vendosur si dhe gjuha e përdorur duke i mëshuar dhe përsëritur më shumë disa fjalë se të tjerat. Kjo është më e qartë në periudha fushatash zgjedhore ku media të caktuara të pozicionuara në një krah apo tjetër, lajmin e kthejnë në propagandë.
Lajm apo reklamë a promovim?
Këtë e hasim shpesh nëpër edicione lajmesh sidomos në televizion, për vetë vlerën e madhe që ka një reklamë në një kohë kur dëgjueshmëria/shikueshmëria është më e madhe. Duhet të jesh shikues, dëgjues dhe lexues i kujdesshëm për ta kuptuar që ke të bësh me një lajm apo reklamë.
Alma Demiraj, një gazetare kronike me një eksperiencë të gjatë në televizion, pyetjes se si e dallon ajo që një ngjarje është lajm apo reklamë, i përgjigjet: “Shpesh kompani të ndryshme apo biznese ftojnë mediat për të pasqyruar një risi apo një produkt të ri. Për të shpëtuar nga faturat e marketingut nëse do ta reklamonin hapur, e servirin atë si lajm. Por një lajm nga një promocion ndryshon shumë. Kjo varet nga impakti që ka kjo risi tek audienca. Ta zëmë se Vodafon ka bërë një ofertë të re, kjo dallon dukshëm nga zbulimi i një ilaçi kundër kancerit apo Sida-s. Po t’i krahasojmë janë të dy produkte të dy kompanive private, pasi edhe për kompaninë farmaceutike në njëfarë mënyre promocion është publikimi i ilaçit. Por impakti që ka për shoqërinë është i pakrahasueshëm”.
Lajm apo humor “Pop Channel”.
Këtë e shohim në shumë raste por mendoj se më tipik është pikërisht emisioni “Pop Channel”. Në përshkrimin se çfarë është në realitet ky emision, lexojmë: “Pop Channel raporton kryesisht për ngjarje që lidhen me aktualitetin, të cilat mund të jenë të vërteta ose të trilluara. Personazhet e përfshira në raportim janë gjithashtu realë ose fiksionalë, në varësi të kontekstit të informacionit. Programi parodizon situata tipike të një edicioni informativ si lidhje direkte, breaking news, korrespondenca apo speciale”.[10]
Analizë apo humor “Bypass Show”.
Të njëjtën gjë do të thoshim edhe për këtë emision: “Ky format risjell ngjarjet kryesore të javës, të para nga një këndvështrim tjetër. I konceptuar si revistë televizive lajmesh të përmbysura, stafi i Bypass – Show zbret pas kuintave për të interpretuar atë që mund të ketë ndodhur, duhet të ketë ndodhur apo duhet të ndodhë me personazhet e skenës politike.”[11]
Raportim apo ironi “Al-Pazar”.
“Al Pazar, një emision nga Agron Llakaj, me pjesëmarrjen e Behar Merës, në boshtin e së cilit është loja, shakaja e kripur dhe e zgjuar me realitetin tonë, e ngërthyer nëpërmjet lajmit politik, ekonomik dhe social”.[12]
“Evoluimi i gjinive mediatike na fokuson në kufijtë porozë ndërmjet llojeve të lajmeve “të rënda” dhe “argëtuese” në komunikimin politik. Emblematik në këtë ndryshim është natyrisht popullariteti i “talk show-ve” me humor politik në SHBA. Dokumentarët, të konsideruar për shumë kohë si një formë “serioze” e mediatike për politikën, kanë pësuar një transformim gjatë dekadës së fundit, me ngritjen e llojeve hibride të tilla si fiksionalët ose gjysmë-fiksionalët “mockumentaries” (dokumentare tallëse), “docu-soaps”, “docs-game”, dhe “biopics”. Ndërkohë që zhanre të tilla si emisionet për gatimin janë duke vënë theksin përsëri te infotainment (info-argëtimi).”[13]
Debat apo show?
Debati si gjini mediatike duket se e ka humbur formatin e tij fillestar duke u përafruar gjithnjë e më shumë me show-n apo spektaklin.
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje kam pyetur kryeredaktorët e dy programeve, të cilat i kam marrë në shqyrtim.
“Bypass Show ka marrë shkas nga një emision në Amerikë i gazetarit John Stuart, por thuajse çdo gjë është bërë nga fillimi”.[14]
“Pop Channel – ky program nuk është ide tipike shqiptare, por ka kontekst ekskluzivisht shqiptar. Si format ai është i frymëzuar nga modele të ngjashme amerikane dhe perëndimore të cilat përfshihen brenda gjinisë së spoof news. Duke qenë se prirja jonë shpirtërore, edukimi dhe dashuria jonë është e drejtuar kah Perëndimi, edhe modelet televizive që ne ndjekim janë ato perëndimore. Pop Channel ka për mision të vetin një rol emancipues për shikuesin e vet, nxitjen e mendimit kritik dhe inkurajimin e shkëputjes nga tendencat regresive, subkulturore që mund të vijnë nga modele të tjera kulturoro-televizive”.[15]
1. Mediat në Shqipëri janë në koherencë me zhvillimet dhe ndryshimet që ndodhin me mediat në vendet perëndimore.
2. Shfrytëzimi i “kornizës” për të përçuar mesazhin përdoret gjerësisht në mediat shqiptare. Kjo për arsye se audienca tashmë është e tejngopur me mesazhet e drejtpërdrejta, prandaj mediave u lind nevoja të përdorin metoda të tërthorta për qëllime propagande apo promocioni.
3. Jo gjithmonë “konvergjenca funksionale” është në të mirën e audiencës.
4. Gjinitë mediatike kanë ndikuar që mesazhi të pësojë ndryshime nga media e origjinës duke u përshtatur me median e re.
Bibliografia
*MA. Gazmend Leçini (doktorant në vitin e tretë në departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit).
[1]. Fjalor i Shqipes së Sotme, Botimet Toena.
[2]. Andrew Chadwick “Sistemi i Mediave Hibride”. (material i marrë nga interneti në anglisht).
[3]. Andrew Chadwick “Sistemi i Mediave Hibride”.
[4]. Joseph R. Domenick. Dinamika e komunikimit masiv, Media në periudhën digjitale. f. 58 Shtëpia Botuese “UET”.
[5]. Francis Balle, Mediat & Shoqëritë, f. 222. Botimi i 15. Shtëpia Botuese “UET” dhe “Papirus”.
[6]. Raportimi dhe shkrimi i lajmeve, Missouri Group, f. 358. Botimet IDK.
[7]. Po aty f. 363.
[8]. Po aty f. 375.
[9]. Philip Patterson dhe Lee Wilkins, Etika në media Çështje dhe Raste, f. 316. Shtëpia Botuese “Ufo Press”, Tiranë 2009.
[10]. http://www.top-channel.tv/programs.php?id=9&s=2
[11]. http://vizionplus.al/programe/Bypass-show/
[12]. http://vizionplus.al/emisione/
[13]. Andrew Chadwick “Sistemi i Mediave Hibride”.
[14]. Intervistë me Gentian Dervishin, kryeredaktor i emisionit Bypass –Show.
[15]. Intervistë me Sokol Shametin, Kryeredaktor i emisionit “Pop Channel”.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...