Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 21, 2015 Zani i Nalte Personalitete 0
(Jeta e një kleriku mysliman shqiptar në kontekstin e historisë kombëtare)
Prof. dr. Bajram XHAFA
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Abstrakt
Jo vetëm sa ishte gjallë, por edhe shumë kohë pas vdekjes, madje edhe sot në biseda të ndryshme kujtohen fjalët e Hoxhës së Madh, replikat e tij, mesazhet që ka lënë, parashikimet për zhvillimet shoqërore etj. Nё bisedat nё oda, por edhe në takimet e rastit në rrugë, në pazar, nё Grykёn e Vogёl dhe më tej në gjithë Dibrën dëgjoje vazhdimisht “referimet” në mendimet e fjalët e hoxhës: “Hoxha i Madh ka thёnё kështu, Hoxha i Madh ka thёnё ashtu”. Thuajse nuk kishte aspekt tё jetës që tё mos i referoheshin fjalës dhe veprimeve tё Hoxhës, shembullit tё tij, reagimit tё tij dhe mёnyrёs së tij tё sjelljes. Replikat e tij ishin fenomenale. Fjala e tij kishte peshë dhe përbënte opinionin në shoqëri. Mesazhet që përçonte, të kundërta me ato të regjimit komunist, njerëzit i përdornin si alibi edhe për të kamufluar qëndrimet e veta ndaj propagandës zyrtare. Madje, gjithë jetën i takoi të bëjë opozitarin. “Dolën fjalët e Hoxhës së Madh” thoshin pas bisedave për dukuri të ndryshme shoqërore. Në biseda e replika kishte reagim të shpejtë dhe inteligjent. Ishte hazërxhevap. Mbi të gjitha dallohej për përgjithësimet, largpamësinë, qartësinë dhe koherencën e mendimeve.
Kur flasim për hoxhën, mendja na shkon së pari te xhamia dhe historia e saj. Nё fshatin Kovashicё tё Grykёs së Vogёl (sipas nënndarjes krahinore tradicionale) mendohet tё jetë ngritur xhamia e parë nё Malësinë dibrane dhe e dyta në gjithë zonën rurale të Dibrës, pas asaj tё fshatit Allajbegi (sot Burim) të Topalltisë që mendohet të jetë e para, pa llogaritur xhamitë e ngritura në Shehrin e Dibrës, qendra tradicionale dhe qyteti i vetëm i dy Dibrave ku xhamitë duhet të jenë më të hershme. Nuk dimë datën e saktë të ngritjes, por mendohet të jetë qysh në fillimet e procesit të islamizimit, që në zonën e Dibrës është bërë më herët nga viset e tjera shqiptare.
Ngritjes së xhamisë tradita gojore i vesh një petk mitik. Qe menduar që ajo të ndërtohej në një lartësi të madhe mbi fshat, tek Ara n’Qafësharrë, prapa Majës së Sharrës (një pikë strategjike vrojtimi e periudhës romake), zonë e pabanuar që lidh masivin kodrinor të Sharrës shkëmbore me atë të Kodër Kishës dhe Shullanin nga ana perëndimore, të veshura me pyje dushku. Nga ajo lartësi mendohej që jehona e ezanit të ushtonte deri në qytetin e Dibrës së Madhe përkarshi në anën lindore dhe në gjithë luginën e Drinit të Zi që zgjatet nga jugu në veri. Por nuk desh fati. Sapo materialet e ndërtimit i grumbullonin për të filluar nga puna, çuditërisht të nesërmen ato ishin zhdukur. Një fuqi misterioze gjatë natës i kishte ngritur e shpënë në mes të fshatit, mbi sheshin e një kodrine ngritur si arenë cirku. Kjo u interpretua si shprehje e vullnetit hyjnor. Pikërisht aty u ngrit xhamia, vend në të cilin ndodhet edhe sot, tashmë në gjendje të degraduar[1], përballë shkollës së fshatit.
Duke qenë e vetme, xhamia në fillim duhet të ketë shërbyer edhe për besimtarët e fshatrave përreth: Zogje, Shtushaj, Bllacë etj. Kovashica e njohur për tri gurrat e saj me ujë të ftohtë bjeshke, e njohur edhe për mullinjtë e shumtë të blojës, u bë kështu vatër e rëndësishme e besimit Islam, e arsimit e kulturës në përgjithësi, dhe asaj fetare në veçanti. Dihet se në periudhën osmane xhamitë shërbenin edhe si shkolla. Pranë tyre ngrihesh mejtepi, që ishte shkolla fillestare ku detyrën e mësuesit e kryente hoxha. Çdo fshat apo lagje ku kishte xhami, zakonisht kishte edhe mejtep dhe hoxha ishte edhe imam që printe faljet, edhe mësues, ashtu siç është kuptimi semantik i vet fjalës “hoxhë”, që do të thotë “mësues”. “Xhamia ishte faltore, shkollë dhe gjykatë, kurse Kur’ani, libri i shenjtë – kodi dhe kushtetuta”[2]. Ngritja e xhamisë i shërbeu kulturës dhe përparimit. Veç të tjerash, me këtë shpjegohet edhe hershmëria e lëvizjes për abetaren e shkollën shqipe në Grykën e Vogël që në fund të shekullit XIX.
Në Kovashicë ende ruhen në kujtesën popullore emrat e hoxhallarëve të njohur që ka nxjerrë fshati, të cilët kanë bërë emër jo vetëm për aftësitë profesionale, por edhe për kulturën e tyre përtej fushës së religjionit si Hoxhë Toçi, Hoxhë Meta etj. Ndër ata që bëri emër dhe krijoi një personalitet të spikatur jo vetëm si njeri i besimit por edhe i mendimit politik e filozofisë popullore është Shaqir Tomja, i njohur si Hoxhë Tomja ose Hoxha i Madh, siç e quante fshati.
Kovashica është fshati i parë kur futesh në pjesën e Malësisë pasi shkëputesh nga Homeshi në të majtë të rrugës që ndjek luginën e Drinit të Zi duke marrë përpjetë pasi kalon një grykë që i jep emrin gjithë mikrokrahinës: Gryka e Vogël. Fshati ka disa lagje emërtuar sipas fiseve që i banojnë: Qendra e tij, e quajtur “Kodra e Xhamisë”, ngrihet si një podium cirku e rrethuar nga lagjet. Aty janë “objektet publike”, xhamia, shkolla, varret dhe një shesh lojërash. Në mes të saj, një lis i madh për hije. Kodra e Xhamisë është, të thuash, “zemra” e katundit. Aty bëheshin takimet, mbledhjet e ndryshme, konferencat, lojërat e grumbullimet festive. Në dalje të sheshit, nga ana veriperëndimore, deri në vitin 2004 ngrihej një lis madhështor, “historik”, i quajtur “Lisi i Prene”, në vitet 1970 shpallur “Monument Natyre”. Për të thuhej se ishte qysh nga koha e Skënderbeut dhe, ashtu si gjithë qendra, edhe ky përfshihej në zonën “vakuf”. Ishte historik edhe për faktin se aty mblidheshin në kuvend Gryka e Vogël, kurse Nandë Malet kuvendet tradicionale i bënin tek Gjurra e Mazhicës, vend nga kalon edhe “kufiri” midis Dibrës së Epërme dhe Dibrës së Poshtme.
Fare ngjitur me qendrën, në uljen që merr nga ana lindore shtrihet mëhalla e Toçe (fisi “Toçi”, i cili ndonëse me mbiemër të njëjtë nuk ka të njëjtën origjinë, si fiset e tjera të fshatit). Nga ana veriore, poshtë qendrës, si në gropë shtrihet në krye të një rrafshine mëhalla e Xhafe, më e madhja, ku veç fisit “Xhafa” ishte edhe fisi “Leka” (pas vitit 1990 të gjithë Leke-t kanë emigruar). Në krye të fshatit, nga ana perëndimore ngjitet përpjetë një faqeje si plateja e një teatri mëhalla e Epër (fisi “Zeneli”, “Meta”, një “kabile” “Xhafa”[3] dhe në fund të saj, familja “Caka”, (hekurpunuesi-xhipi i katundit). Sipër saj ngrihet me pjerrësi të madhe si faqja e një piramideje një kodër e lartë, majë së cilës janë gjurmët e një kishe të mesjetës së hershme bizantine, e cila i ka dhënë edhe emrin: “Kisha”, Kodër Kisha. Nga ana jugore, me shtëpitë kacavarur mbi kurrizin e një kodre që vështron nga qendra dhe lagjet e tjera të fshatit si nga llozha e një teatri, është mëhalla e Tome (fisi Tomja dhe Shtrezi); 5-6 shtëpi të fisit Tomja janë ulur poshtë, mu në hyrje të “grykës” në kufijtë e Homeshit me të cilin edhe përzihen ku formojnë një lagje më vete: “Tomet e Poshtëm”. Kishte (dhe ka) edhe shtëpi të tjera në periferi: në skajin lindor të fshatit, përtej rrjedhës së Gjurrës së Zogje, tek Përroi i Madh dhe Shpatet e Toçe ka shtëpi të fisit “Xhafa”, “Toçi” e “Zeneli” (quhen edhe “kullarët”). Në skajin më jugor të fshatit, përtej “Qafës së Kovashicës”, poshtë te Gjurra e Teme (“tej”- me, temle (!), përballë Malit Tem-le (!), krejt të veçuar ndodhen dy-tre shtëpi Xhafa dhe një Leka (tek Mullini, i vetmi “Lekë” i mbetur në fshat). Fshati ka pasur tri fusha varresh dhe 4 mullinj. Kovashica ndodhet mes të tri gjurrave, dy anash: (Gjurra e Teme dhe e Zogje), e një në mes (Gjurra e Tome), një bekim i Zotit. Me ndryshimet në emërtesat e toponimeve mendoj që t’i vihet emri Trigjurrat. Fshati ka pyje të shumta dushku (zabele) dhe ahu, kullota, gurë për ndërtim dhe mademe “rrase” për të mbuluar shtëpitë.
Shaqiri ka lindur në Kovashicë, në mëhallën e Tome më 1876. Shkollën fillore e qytetëse e ka kryer në Turqi dhe Manastir. Për 18 vjet ka shërbyer si mësues i shkollës fillore (mejtep) në fshatin Homesh, atëherë qendër nahije (komune) për Grykën e Vogël. Nga viti 1925 deri më 1928 ishte mësues besimi në Zerqan[4] (qendër nënprefekture). Pas vitit 1928, përsëri si mësues besimi në Homesh[5]. Dëshmitë gojore pohojnë se ai kishte kryer shkollën e mesme (medresenë) për 4 vjet në Stamboll, se ka qenë mësues besimi në Homesh dhe ka përgatitur kuadro hoxhallarë. Në Homesh ka qëndruar tek Demet, tek Dine, Shaqir, Lokja (Mustafë) e Demir Mersim Dema, që ishin ndër paritë më të hershme e më me influencë të Dibrës (të thirrur asokohe agallarë). Ata i jepnin hoxhës 3 hu (njësi matëse, 1 hu=80 kg) grurë në vit, kurse të tjerët i jepnin nga një shinik (18-20 kg) misër për punën si hoxhë dhe si mësues. Opinioni unanim e cilësonte si njeri shumë të zgjuar. Sa herë që në konakun e Deme vinin mysafirë nga Dibra e Poshtme apo edhe më larg, agai dërgonte hyzmeqarin me kalë për të marrë hoxhën që të përballonte muhabetin. Miqtë duheshin nderuar ashtu siç e kërkonte zakoni i mikpritjes dibrane duke i gostitur së pari me muhabet[6]. Në Dibër, si në gjithë Malësinë shqiptare, odat ishin shkolla të vërteta popullore.
Për nevojat e xhamisë dhe të besimtarëve të fshatit, hoxhë Shaqiri përgatiti si hoxhë një kushëririn e tij të quajtur Halit Tomja, i cili, jo vetëm nga mosha, por edhe nga përgatitja dhe intelekti, ishte inferior. Për t’i dalluar njërin nga tjetri, të parin njerëzit e thërrisnin Hoxha i Madh, të dytin Hoxha i Vogël. Quhej “i madh”, para së gjithash për vlerat intelektuale dhe reputacionin që kishte.
Jo vetëm sa ishte gjallë, por edhe shumë kohë pas vdekjes, madje edhe sot në biseda të ndryshme kujtohen fjalët e Hoxhës së Madh, replikat e tij, mesazhet që ka lënë, parashikimet për zhvillimet shoqërore etj. Nё bisedat nё oda, por edhe në takimet e rastit në rrugë, në pazar, nё Grykёn e Vogёl dhe më tej në gjithë Dibrën dëgjoje vazhdimisht “referimet” në mendimet e fjalët e hoxhës: “Hoxha i Madh ka thёnё kështu, Hoxha i Madh ka thёnё ashtu”. Thuajse nuk kishte aspekt tё jetës që tё mos i referoheshin fjalës dhe veprimeve tё Hoxhës, shembullit tё tij, reagimit tё tij dhe mёnyrёs së tij tё sjelljes. Replikat e tij ishin fenomenale. Fjala e tij kishte peshë dhe përbënte opinionin në shoqëri. Mesazhet që përçonte, të kundërta me ato të regjimit komunist, njerëzit i përdornin si alibi edhe për të kamufluar qëndrimet e veta ndaj propagandës zyrtare. Madje, gjithë jetën i takoi të bëjë opozitarin. “Dolën fjalët e Hoxhës së Madh” thoshin pas bisedave për dukuri të ndryshme shoqërore. Në biseda e replika kishte reagim të shpejtë dhe inteligjent. Ishte hazërxhevap. Mbi të gjitha dallohej për përgjithësimet, largpamësinë, qartësinë dhe koherencën e mendimeve. Për pyetjet provokuese Hoxha e kishte përgjigjen në majë të gjuhës dhe shumë herë të ashpër, madje cinike. Aty ku ishte Hoxhë Tomja, duhet t’i peshoje mirë fjalët, përndryshe të fshikullonte, ose, siç thonë në Dibër, “ta ndreqte samarin”.
Rinia dhe burrërimi i Hoxhë Tomjes përkoi me periudhat më të rënda për fatet e atdheut. Lindi dhe u rrit në kohën e “Krizës Lindore” (1875-1881), kur fuqitë evropiane e kishin vënë nën trysni Perandorinë Osmane, ndërsa në Ballkan, me krijimin prej tyre të shtetit grek e serb, zhvillimet politike shkonin kundër kombit shqiptar. Gjenocidi dhe spastrimet etnike të kohëve moderne në Evropë filluan së pari kundër shqiptarëve me Luftën Ruso-Osmane dhe Serbo e Malazezo-Osmane të 1877-1878. Me goditjen që i dha integritetit të trojeve shqiptare, Kongresi i Berlinit i vuri vulën e parë evropiane planeve sllave dhe mizorive të tyre mbi shqiptarët. Ishte koha kur u krye spastrimi i madh etnik: 300 mijë shqiptarë u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre në Sanxhakun e Nishit dhe mbi një milion myslimanë nga i gjithë Ballkani. Kjo luftë ishte kryqëzatë antimyslimane. Shqiptarët, banorët autoktonë në trojet e tyre e provuan më hidhur se askush këtë fillim të kohëve moderne. Ata e ndjenin se, për ta ky ishte vetëm fillimi, “preludi”. Para syve të tyre po ngrihej me kërcënim fantazma e një epidemie shfarosëse antishqiptare. Në këtë atmosferë u rrit dhe u formua Hoxhë Tomja.
Hoxha i ndiqte me vëmendje zhvillimet politike. Edhe njohjen edhe intuitën politike i kishte shumë të zhvilluara. Duke qenë nën kërcënimin e kësaj fantazme, në fillim të shekullit XX shqiptarët i futën në krizë edhe me vetveten. Më së shumti nuk dinin ç’bënin. Nuk kishin asnjë aleat, qoftë edhe për ndonjë këshillë të sinqertë. Përkundrazi, i shtynin drejt qorrsokakut. “Mjerë ai që se ka një vëlla, kurrkush hatrin nuk ja ka”. Gjithandej armiq. Më shumë të shtyrë nga jashtë se nga halli i vet, shqiptarët ngritën armët kundër Perandorisë (Osmane), të asaj perandorie ku bënin pjesë edhe vetë dhe që u kishte shërbyer si mburojë nga armiqtë e shumtë. Ndërsa ata që Samiu tek “Shqipëria ç’ka qenë…” i quante “Rrezikët’ e Shqipërisë”, (armiqtë e Shqipërisë), greqtë (grekët) dhe shqehtë (sllavët) mprihnin thikat dhe hanxharët për t’i përdorur mbi shqiptarët, këta të fundit shkulnin me tërbim postat ushtarake osmane (karakollet) që t’ua lehtësonin mundin dhe hapur rrugën shqehëve dhe greqve mbi trojet e tyre.
Në maj të vitit 1912 tek Gropat e Ukut, rrëzë malit Tem(le) organizohet “Mbledhja e Dheut” (e njohur nga historia) e drejtuar nga Mersim Dema prej Homeshi, njëri nga paritë më me emër në të gjithë Dibrën. Në mbledhje morën pjesë malësorët e Grykës së Vogël, Grykës së Madhe dhe Bulqizës (Malësia e Dibrës së Epërme). Gryka e Madhe dhe Bulqiza kishin të parë Sheh Sulën e Zerqanit. Mersim Dema dhe Sheh Sula ishin ndër burrat më në zë në gjithë Dibrën. Sipas kujtimeve të Selman Jellës dhe Xheladin Manjanit të regjistruara nga historiani Petraq Pepo në vitet ‘50 të shek ‘20, malësorët bënë “itifak” (“besëlidhje”) që të mos mbjellin asnjë kokërr misër pa u hequr nga Malësia dibrane postat e ushtrisë osmane. Tamam ashtu siç do t’u pëlqente serbëve. Para se të vinin në kuvend, ata ishin betuar mbi musaf (Kur’an) se pa ikë Turqia prej Nandë Maleve, s’kishin me e kapë parmendën me dorë e s’kishin me mbjellë një kokërr. Për të treguar vendosmërinë e tyre kishin marrë me vete edhe ploret e parmendave. (Serbëve po u “binte shiu në kollomoq”, thotë një fjalë e urtë në Shkodër).
Në Kujtimet e tij Eqrem Bej Vlora shkruan: “Populli vetë dhe krerët e tij ishin gjithmonë gati të inskenonin ndonjë revolucion të vockël e të këndshëm kundër turqve, me kusht veç, që të bëhej fjalë për shkëputje nga Perandoria Osmane. Pra, po të ishte puna për të qëndruar dhe për të ecur me këmbët e veta, çdo shqiptar hidhej me gaz e me dëshirë. Nga ana tjetër, askush nuk besonte se do të plaste ndonjë luftë ballkanike, se popujt e Ballkanit, që prej kohësh ishin ngrënë si qentë me njëri tjetrin, tani mund të bashkoheshin, dhe, së fundi, askush nuk besonte se Turqia mund të mundej. Por edhe që të ndihmonin për shmangien e humbjes së mundshme, shqiptarët nuk kishin ndonjë dëshirë: si shumë i madh ishte zemërimi i tyre për padrejtësitë e pësuara”.[7]
Edhe dibranët ia kishin nisur një “revolucioni të vockël”, apo edhe të madh: Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Duke i njohur mirë qëllimet dhe politikat sllave, një aksion të tillë ndaj ushtrisë osmane hoxha e shihte me rrezik të madh për shqiptarët. Në një luftë të mundshme me shkjaun, siç besonte ai, dibranët do të mbeteshin edhe pa mbrojtje edhe pa bukë. Forcat vullnetare vendase nuk mund të zëvendësonin forcën e shtetit dhe të ushtrisë së rregullt. Pikërisht këtë ditë priste politika serbe.
Ishte koha e mbjelljeve të pranverës. Murati, vëllai i hoxhës kishte zënë qetë në parmendë për të mbjellë arën që e kishte te Gjurra e Teme. Ky veprim ishte mesazh që shkonte në drejtim të kundërt me kërkesat e kuvendit i cili ndodhej përballë. Kjo ishte një sfidë për të. Të zemëruar, malësorët e kërcënuan Hoxhën i cili ishte midis tyre.- “Hoxhë, Hoxhë!, – i thanë ata,- vetëm qetë tuaj mbjellin, zgjidhi qetë dhe zbato itifakun se të djegim shtëpinë. Pa ç’pa, Hoxha shkoi të lirojë qetë nga zgjedha, mori plorin e parmendës dhe, pa bërë fjalë erdhi e u ul këmbëkryq në kuvend duke vënë plorin përpara si gjithë të tjerët.
Mbledhja e Dheut vazhdoi plot 22 ditë. Forcat osmane u vunë në alarm. Të tilla “itifake” bëheshin edhe në vise të tjera në Veriun e Shqipërisë. Të shqetësuar nga gjendja e krijuar, nga Shehri dërguan një ushtarak turk të shoqëruar me disa ushtarë i cili bisedon (bën mexhlis) me Mersim Demën. Përkthyes ishte Hoxha. – “More Mersem Dema, – i thotë komandanti osman, – nuk e keni mirë këtë punë, mos i delni kundër Baba Devletit se na jemi vllazën, jemi myslimanë dhe duhet të rrimë të bashkuem, përndryshe ka me ardhë kaurri me na sundue”, tregojnë Xhele Manjani e Selman Jella. Tue kalue grupe grupe para mexhlisit në formë demostrate, malësorët thërrisnin ashtu siç i kishin porositur: “nuk duem me na sundue qeveria e Shehrit. T’ikin karakollet prej maleve tona! Duem me pasë kanunet e t’parëve!”. Mexhlisi i tha komandantit osman në formë ultimatumi që ushtria turke bashkë me karakolle “t’çohej e t’ikte” qysh at ditë. Kur dëgjoi këto fjalë, komandantit turk i erdhi aq keq sa nisi me qa prej dëshpërimit. I informuar për planet e Aleancës Ballkanike për fillimin e shpejtë të luftës kundër Perandorisë (në të vërtetë kundër Shqipërisë), ai e parashikonte mirë se ç’mund të ndodhte me shqiptarët. – Do të më kërkoni, por nuk do të më gjeni, – u tha ushtaraku osman. Mbas katër a pesë ditësh qeveria (hyqymeti) dha urdhën me e hjekë ushtrinë nga Nandë Malet, por i la zaptiet e karakollit. At’here nji grup fshatarësh, ku isha dhe unë e Mersem Dema (tregon Xheladin Manjani) shkuem në vendin e karakollit e u thamë zaptieve me marrë teshat e me shkue n’Sheher (të Dibrës). Zaptiet u bindën dhe na i vumë zjarrin karakollit t’Homeshit për mos me e pasë bela mbi krye. Ushtria turke mbas kësaj dite nuk shkeli ma në malet tona[8],- tregon veterani.
Njerëz me qëndrime si ai i Hoxhë Tomjes historiografia shqiptare vazhdon t’i etiketojë si “turkomanë”, një term i shpikur (dhe i shpifur) i rrymës sllavo-greko-bizantine të historiografisë. Nuk ka pasur ndonjëherë në Shqipëri as “turkomani” dhe as “turkomanë”, qoftë si rrymë politike, qoftë si individë. Dalja me këtë terminologji ka si qëllim të njëjtësojë të ashtuquajturit “turkomanë” me grekomanët e t’i justifikojë këta të fundit për atë vepër të ndyrë antikombëtare duke u vënë në pararojë të ushtrisë greke si paramilitarë dhe bashkë me të morën pjesë në shfarosjen e popullsisë shqiptare dhe në djegien e 400 fshatrave shqiptare të besimit mysliman në Shqipërinë e Jugut. Shqiptar e bir shqiptari denbabaden, Shaqir Tomja me petkun e hoxhës, veç afeksionit që vjen nga një bashkëjetesë e gjatë dhe besimit të njëjtë, nuk kishte kurrfarë lidhjeje interesash as me Turqinë, as me osmanizmin.
Nuk vonoi shumë dhe, për shqiptarët ja mbërrini më e frikshmja, tmerri i madh apo terrori i madh: Koalicioni i krishterë ballkanik i boshtit ortodoks (serbo-greko-bullgaro-malazez) në tetor 1912 shpërtheu Luftën Ballkanike. Armiku për të ishte Turqia, por ushtritë ballkanike u turrën me tërbim drejt Shqipërisë. Ndodhi Katastrofa shqiptare. Por ne do ndalemi në atë se n ç’ndodhi në Grykën e Vogël.
Më 28 nëntor ushtria serbe hyri në Dibër të Madhe. Është i njohur kalimi i saj tek Shkambi i Vrabiçit përmbi Urën e Spiles mbi Drinin e Zi, për t’u futur në Malësinë e Dibrës së Epërme vetëm pasi mashtruan Mersim Demën dhe prijësit e tjerë dibranë duke u betuar në “besë burrash e në nderin e ushtarakut serb (!)”. Në fund të dhjetorit ushtria serbe kaloi Urën e Spiles, u fut në Grykën e Vogël dhe iu ngjit maleve me pushkë e me top dhe me urën e zjarrit në dorë. Qëndresa e popullsisë qe heroike por ushtria e një shteti nuk mund të përballohej. Dibranët luftuan si burrat dhe nuk vepruan si “Malësorët Shqiptarë dhe katolikë[9] (të Mbishkodrës) që e prinë shqaun kaur në këtë msymje të tokës shqiptare”[10], shkruan Mithat Frashëri. Por tashmë dibranët ishin vetëm. S’kishin veçse 7 muaj që e kishin hequr qafe “belanë” e turkut, zaptiet dhe karakollet e tij, mundësinë e vetme për një aleat kur mbi ta ra bela-murtaja e serbit. Si për të gjithë shqiptarët, edhe për dibranët, (edhe për Grykën e Vogël) kishte ardhur kiameti. Atëherë përlanë djepet në krah e fëmijët për dore dhe ikën me kuç e me maç mes acarit të dimrit drejt Matit, a mbase pa ditur se ku. Tokës së larë me gjak, soldateska serbe i vuri flakën. Ishte djegia e parë e Dibrës. Brenda tetë vjetëve Dibra do të numëronte edhe dy djegie të tjera. Edhe hoxhë Shaqiri ishte pjesë e kësaj drame.
Dr. Vlladan Gjorgjeviçi, historian dhe kryeministër i Serbisë në këtë kohë, do t’i ngrejë në rang teorie të së “drejtës ndërkombëtare” gjenocidin dhe masakrat serbe mbi shqiptarët. “Shqiptarët,- shkruante ai,- u shëmbëllejnë jo vetëm feniqjanëve, por edhe deri paranjerëzve të kohës parahistorike; atyne njerëzve qi prej frikës së shtazëve t’egra flinin mbi drujt, ku për mos ra, mbaheshin me bishtin e tyre”. Ndërsa për Malësinë e Dibrës shkruan: “Banorët (e saj) janë populli ma i egër qi mund t’imagjinohet. Ata s’dijnë se ç’asht këmisha. Katundarët e Çidhnës e të Reçit nuk e njohin turpin, thjeshtë si shtazët. Të tanë rrijnë lakuriq…Të tanë janë hajna të keqpërmendun e gjaksorë”[11]. Pamfleti i Gjorgjeviçit u shpërnda nga serbët si manual nëpër Evropë në frëngjisht dhe gjermanisht; madje do të servirej edhe në tryezat e Konferencës së Ambasadorëve në Londër ku diskutohej çështja shqiptare. Konkluzioni: kjo racë e egër nuk ka të drejtë ekzistence prandaj duhet zhdukur. Kësaj pune ia hynë me ushtri e paramilitarë.
Shqiptarët qenë të parët në Evropë mbi të cilët është ushtruar holokausti, shkruan Leo Freundlich. Dhe kjo kryhej nën vështrimin gjakftohtë të Evropës. Ndodhi ajo që Mehmet Akif, prej një fshati të Pejës, poet i madh dhe autor i himnit kombëtar turk më 1913 shkroi këto vargje: “Dëgjoje këtë nga unë: po, unë jam shqiptar/ Tjetër s’kam ç’të them ja, u shkatërrua atdheu im”[12] (nënvizimi im-B.Xh.). Shaqir Tomja në këtë kohë ishte në mesmoshë. Përgatitja politike dhe kulturore i mundësonte një perceptim realist të gjendjes.
Ndonëse nga udhëpërshkruesit evropianë cilësohej si raca më e hijshme, shqiptarët u vështruan si lëkurëkuqtë e Evropës (term i V. Gjorgjeviçit) dhe serbët i gjuanin si egërsirat. Çdo komandant serb raportonte me mburrje para eprorit të vet për numrin e hundëve, buzëve apo veshëve të prerë të shqiptarëve, si provë heroizmi. Shaqir Tomja e përjetoi dramën e vendit të tij në gjithë thellësinë e shpirtit. E përjetoi gjithë atë çka bënë dhe lanë pas pragluftat, Luftat e pasluftat Ballkanike, si dhe ato që la pas saj Lufta e Parë Botërore. Ai “lisi i rrëzuem përdhe” në mënyrë metaforike i Vaso Pashës tani ishte rrëzuar me të vërtetë i plagosur për vdekje, i djegur e i zhuritur dhe me tre çatallët e këputur nga trupi i tij nga katër që kishte gjithsej. Nga katër vilajete që përbënin Shqipërinë, brenda shtetit shqiptar u përfshi vetëm njëri, edhe ky i cunguar.
Pas 1912-ës, me përjashtim të një periudhe të shkurtër kohe prej vetëm 15 vjetësh (1925-1939) të një përpjekjeje titanike, por të suksesshme për rimëkëmbje e stabilizim, dhe kjo vetëm në një pjesë të këtij atdheu, në Shqipërinë Politike – shpresë për kombin e shpartalluar – pjesa tjetër e kohës dhe e hapësirës shqiptare ishin një skëterrë si për asnjë komb në lëmsh të dheut. Shteti kombëtar i Mbretërisë ngjalli shpresën, që në kushte të favorshme ndërkombëtare të shërbente si bërthamë për bashkimin e pjesëve të shkëputura të atdheut. Hoxhë Tomja në këtë kohë ushtronte detyrën e mësuesit të fesë dhe të hoxhës në Zerqan (1925-1928) dhe Homesh (1928-1939). Në këtë periudhë të shkurtër energjitë e shqiptarëve shpërthyen vrullshëm, shpresat u shtuan, por bota lëkundej në shilarës.
Nuk vonoi shumë dhe Lufta e Dytë Botërore plasi: 1 shtator 1939. Por e keqja e madhe e luftës, si çdo gjë e keqe, shqiptarëve do t’u vinte më përpara: që më 7 prill 1939 kur legjionet e Romës u turrën alla fashistçe mbi Shqipërinë dhe mbuluan me gjak pavarësinë e shtetit të parë shqiptar. Hall pas hallit, tani “Guri i Sizifit” duhej ngritur nga e para; edhe njëherë shqiptarët duhej të luftonin për pavarësinë shtetërore, pastaj për pavarësinë kombëtare, pastaj… Mbreti, simboli i shtetit të pavarur dhe i kombit shqiptar u mbajt në “shtrat të ngrohtë”, në gjendje arresti shtëpie. Shqipëria (londineze) – jo Shqipëria etnike, – duhej konstruktuar ndryshe për të ruajtur funksionin si “pare kusuri” në allishverishet politike. Këtë projekt (politik) u ngarkua ta zbatonte një forcë e “re” e “dalë nga populli”: Partia Komuniste Shqiptare me lidhje ideologjike me Moskën, qendra e pansllavizmit. Për Shqipërinë dhe shqiptarët u projektua një dimër i gjatë, i ashpër.
Era e komunizmit, që më pak se te çdo popull mund të ndjehej te shqiptarët, u fut te këta e përzierë me antifashizmin. Një alibi komode për të kamufluar një revolucion komunist, bolshevik. Aktet e tyre luftarake ishin të guximshme, trimërore. Kjo i ngazëllen shqiptarët dhe “përligj” edhe “drejtësinë” dhe qëllimin e aktit. Komunistët tërhoqën në misionin e tyre edhe pari’ e krerë të traditës. Ata kishin mundësi të ngrinin e të mobilizonin forca të shumta, të domosdoshme për nevojat e luftës. Madje në fillim i vunë në funksione komanduese, të “parë”, ashtu siç kishte ndodhur në luftërat dhe kryengritjet e mëparshme, siç e kërkonte “zakoni i vendit”. Ndër ta ishte Haxhi Lleshi, njëri ndër paritë më të fuqishme të Dibrës. Bëri emër sidomos gjatë Luftës Italo-Jugosllave të prillit 1941 në anën e Jugosllavisë, një lidhje e “trashëguar”, por edhe e “formatuar” nga aleatët e vjetër të kohës së Luftës së Parë Botërore (anglo-francezët). Në këtë kuptim, nga paria dibrane në këtë luftë, Haxhi Lleshi pa qenë komunist, ishte prijësi luftarak më i orientuar, politikisht më i qartë. Në luftën e prillit 1941 ai ngriti kundër italianëve afro 2 mijë forca dibrane; nxiti dhe mbështeti Çetën luftarake të Pezës qysh në pranverën e 1941-shit dhe, bashkë me Myslym Pezën e Baba Fajën, të vënë në lëvizje nga ai vetë, përbënin forcën “nacionaliste” të Frontit Antifashist Çlirimtar të krijuar në Pezë më 1942 me nismën e Partisë Komuniste.
Hoxhë Tomja e kuptonte mirë se këto ishin erëra pansllaviste që vinin nga Moska dhe Jugosllavia. Ç’gjë e mirë mund t’i vinte Shqipërisë dhe shqiptarëve prej andej? Për këtë Hoxha ishte shumë i qartë. I kishte jetuar vetë dhe i kishte parë me sytë e ballit se çfarë kishin bërë mbi shqiptarët “Muskovi” dhe këlyshët e tij. Ishte po ai sllav që po ja mësynte përsëri shqiptarëve tek dera e shtëpisë, por këtë herë jo me ushtarë, topa e hanxharë, por nga “brenda” derës, nëpërmjet lëvizjes komuniste. Hoxha i kuptonte marifetet e politikës. Ai e njihte mirë politikën e Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik; socializmin dhe “barazinë” e atjeshme, kolektivizimin stalinist të bujqësisë dhe jetën socialiste të fshatarësisë në kolkoze e sovkoze; dinte për kampet e punës, burgjet, internimet, për trajtimin e fesë në Bashkimin Sovjetik, ashtu siç dinte edhe për demagogjinë komuniste.
Në vitin 1944 Partia Komuniste Shqiptare drejtonte e vetme Luftën Antifashiste dhe e kishte shndërruar atë përfundimisht në luftë civile për pushtet; madje lufta civile i kishte paraprirë asaj të çlirimit[13], shkruan lord J. Emeri. Ushtria partizane kishte ndërmarrë ofensivën në Shqipërinë e Veriut. Haxhi Lleshi, kuadër i lartë i formacioneve partizane dhe, si njeriu i vendit, në verë të vitit 1944 organizoi një kuvend me mbi 300 burra të Grykës së Vogël në Kovashicë, tek Lisi i Prene. Me të ishin edhe disa partizanë e partizane nga jugu i Shqipërisë që e shoqëronin atë si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNSh. Ishin gjithashtu edhe dy xhaxhallarët e tij: Aqifi dhi Pëllumbi. Aqifin e respektonte shumë edhe si bashkëluftëtar i tij, si komandant forcash vullnetare, edhe si ish bashkëluftëtar i të atit, Halitit të ndjerë të vrarë me atentat më 1923.
Pasi tregoi për zhvillimet politike e luftarake dhe luftën partizane në gjithë vendin, Haxhiu, që drejtonte kuvendin, foli edhe për qëllimet e luftës dhe ndërtimin e shoqërisë së ardhme. Retorika politike e luftës tani bëhej hapur në sensin e parullave komuniste edhe nga ata që e kishin filluar si nacionalistë. Komandanti i lartë partizan tha ndër të tjera se lufta ka si qëllim të ndërtojë një shoqëri ku njerëzit të jenë të barabartë, të jenë njësoj, ku nuk do të ketë dallime midis tyre. Të gjithë do të shkojnë përpara të kapur dorë për dore, ja kështu, dhe e paska konkretizuar me pëllëmbën e dorës me shputën e saj ngritur përpara vertikalisht e me gishtat e hapur në vijë frontale. Prandaj na i jepni djemtë që t’i bashkohen luftës sonë fitimtare që ta shpejtojmë fitoren,- tha komandanti i lartë partizan.- Apo jo, si thua ti hoxhë?- i qenka drejtuar hoxhë Shaqirit.
Mbi kuvendin ra heshtja. Pritej përgjigjja e Hoxhës e cila peshonte shumë.
– Baras nuk mund të bahemi, i përgjigjet Hoxha, sepse nesër ti do të shkosh në Tiranë e do të bahesh ministër, ndërsa unë do të rri këtu në katund të baj punën e hoxhës, Sula (një emër i çfarëdoshëm) do të jetë bujk e do të mbjellë arën; një tjetër do të ruajë dhentë e dhitë, dikush do të bahet mësues e një tjetër kovaç. Nuk kemi si të bahemi barabar.
Fjala e hoxhës hidhte poshtë gjithë propagandën komuniste për barazinë hipotetike dhe gjithçka u tha në kuvend. Komandanti i lartë i ushtrisë partizane filloi të nxehej.
– Pastaj, kështu si thoni ju, vazhdoi hoxha, të kapur dorë për dore nuk mund të ecim përpara sepse nuk na nxen rruga. Ata që do të ecin në mes të rrugës do të mbërrijnë ma përpara, kurse ata që janë anash do të pengohen, do të bien në ferra, dikush në përrua ose do të pengohen nga gardhet. Kështu që do të vonohen e do të mbërrijnë ma vonë se të tjerët. Alegoria ishte i qartë: rruga e zgjedhur nga komunistët ishte e gabuar.
– Prandaj, këshilloi Hoxha, nuk do të ecim ashtu si thatë ju por kështu, në njësh-kolonë dhe ngriti pëllëmbën me gishtat e hapur të dorës lart në vijë të drejtë me gishtin e vogël përpara e të madhin prapa. Ju do të prini përpara e ne do të vijmë mbrapa jush dhe kështu do të mbërrijmë të gjithë në Tiranë. Fjala e hoxhës ishte një sfidë.
– Reaksionar! Ty duhet me të varë,- tha gjithë inat Haxhi Lleshi. Hoxhës iu afruan lehtas dy vetë dhe me qetësi e larguan prej mbledhjes për të mos sjellë ndonjë ndërlikim. Kuvendit iu prish drejtimi.
I inkurajuar nga fjala i Hoxhës, Ali Jani prej Topojani i drejtohet titullarit të lartë të UNÇSh .
– Qenke ba i pari i Shqipnisë, i thotë,
– Jo, nuk jam i pari, përgjigjet Haxhi Lleshi; të parë lufta ka një tjetër.
– Kush asht ai, si quhet?
– Quhet Enver Hoxha,- përgjigjet ai, dhe për të mos e lënë që biseda të marrë drejtim të padëshiruar, i thotë: Ti Ali një djalë do ta biesh me forcat partizane.
– Po,- thotë Aliu në stilin mëndjehollë (dibran), siç thotë J. Emeri, kur çdo fis përpiqej të sigurohej ndër faktorët e pasigurt të situatës, duke vendosur sistematikisht një anëtar të familjes në çdo njërin nga kampet e ndryshme politike[14],- njenin do t’ia japë Haxhi Lleshit e tjetrin Hysni Demës. Duke i vënë në plan të barabartë dy forca politike që tashmë ishin në luftë të hapur për jetë a vdekje me njëra tjetrën, Aliu harronte se balanca kishte anuar tërësisht nga komunistët.
– Armik! Nuk ka dy parti këtu,- foli me ashpërsi Haxhi Lleshi, nuk ka Hysni Demë. Ka vetëm një parti, dhe i nxehur në kulm tenton të nxjerrë revolverin për ta bërë shembull. Me shpejtësi e tërheq për xhakete dhe e mbërtheu me krahët e tij të fuqishëm Aqifi, xhaxhai i tij trupmadh që ishte ulur pranë tij, të cilin Haxhiu e respektonte shumë.
– Mos, mos, Haxhi, kadalë, kadalë, mos u ngjut, ç’je duke ba kështu? Ta marrim avash, avash, pa u ngjut[15].
Ndërkaq u ndje gjëmimi i fuqishëm i një topi. Që nga kodrat e Sollokiçit afër Shehrit të Dibrës shtiu topi i artilerisë gjermane. Predha ra tek kodrat e Marithit, ndonja 150 metra larg. Nuk vonoi dhe predha e dytë ra më afër, përmbi kuvend (tek shtëpia e Gani Metës), e pas saj, e treta, fare pranë kuvendit, tek shkolla, duke dëmtuar një qoshe të saj. Kuvendi u shpërnda në panik.
Kur rrinte tek Demet, agallarët e përdornin aftësinë e Hoxhës edhe për “operacione” diplomatike. Din Dema kishte zënë një miqësi me Cen Elezin, again e fuqishëm të Sllovës dhe desh që dasmën ta bëjë në pranverë e jo në vjeshtë, siç ishte zakoni në Dibër. Për të ndarë ditën e dasmës dërgon me mision Hoxhën dhe Nexh Cekun.
– Mos ngutesh në muhabet or Nexh, por të ma lësh llafin mua,- i thotë hoxha. Pasi u rrafshuan dhe shkëmbyen shumë biseda, për të thyer heshtjen, i zoti i shtëpisë vendos të gërricet pak me Nexhën.
– Fol or Nexh,- tha agai.
– Hysenaaa (Hysen aga)! Ja kam shti shtupën bucelës,- tha Hoxha. Mos ja çel se do të të spërkasë. Por agai nuk ja vuri veshin këtij paralajmërimi.
– Fol or Nexh nji fjalë!- përsëriti agai, pas pak. Elezët me Kaloshët, dy nga paritë më të fuqishme të Dibrës së Poshtme, në këtë kohë ishin në hasmëri mbasi një kalosh kishte vra njërin nga elezët. Duke mos ditur ç’të thoshte ndonjë fjalë më të dobishme për misionin që kishte vizita, Nexha kuturisi një pyetje me “me spec”.
– Cili është ma ist o aga, a elezët apo kaloshët? Që do të thoshte se kush e ka radhën të marrë gjakun. Pyetja provokuese i theri në kockë agait.
– A të thashë se ia kam shti shtupën bucelës e mos ja hiq se do spërkatesh,- i tha Hoxha, duke ja lënë fajin agait për incidentin e shkaktuar. Dhe aty për aty shtoi:
– Kandari jot o aga mban shumë, mban edhe 1 kuintal, kurse kandari im dhe i Nexhës nuk mban as 5 kile,- tha hoxha duke ja ulur menjëherë zjarrminë muhabetit. Pastaj, për të mos e lënë muhabetin të ftohet, doli tek detyra i ngarkuar.
– Hysenaaa, ke selam prej Dines e Shaqirit me na nda ditën (e dasmës).
– Të mos ngutemi, or hoxhë, asht pranverë, të presim njëherë, të mbledhim vjeshtën e ta fusim mbrenda,- tha agai.
– Pranverë (nënkupto, varfëri) asht për mue e për Nexhën or aga, kurse për ju (agallarët) nuk ka pranverë.
– Për hajër na qoftë,- tha agai dhe caktuan ditën e dasmës.
Pas çlirimit, një ditë dimri Haxhi Lleshi kishte dalë për gjueti tek Mali i Tem dhe kishte vra një derr të egër. Për ta transportuar dërgoi një djalë të ri (Hamit Metën) të marrë mushkën e hoxhës. Mushka e hoxhës të bartte derrin e egër në shpinë?!. Sfida ka sfidën. Hoxha e kuptoi qëllimin, por nga frika nuk kundërshtoi. Fatmirësisht mushka ishte xhindosur dhe kishte marrë vrapin, kishte rrëzuar Hamitin dhe kthehet në shtëpi. Kjo e gëzoi pa masë hoxhën:
– Ah ta lumsha moj mushkë ç’ma bane qejfin.
– Shko or Ramiz me vrap,- urdhëroi hoxha të birin,- e mja mbush torbën plot me tagji, se e ka hak një peshqesh të mirë.
Njëherë tek Kodra e Xhamisë u mblodh fshati në një konferencë nga ato të zakonshmet që organizonte pushteti për fushatat. Plani i shtetit për mishin nuk është realizuar, kishte thënë i deleguari i qeverisë.
– Plotësoni me njerëz,- tha Hoxha, me mish njerëzish se bagëti nuk ka ma. Me të shpejtë fjala e tij shkoi aty ku duhej. Të nesërmen erdhën dhe e marrin ashtu siç ishte, këmbëzbathur, për ta çuar në polici. Nusja e djalit vrapoi gjithë alarm me opingat në dorë:
– Ky do të mbetet në rrugë,- i tha ajo policit. E çuan në Zerqan, por atje hoxha e drodhi muhabetin. Me hyqymetin nuk shtyhet. Deklaroi se nuk kishte thënë për mish njerëzish, por që njerëzit të shpërndaheshin të gjithë e të plotësojnë planin e mishit me dhen e me dhi. E mbajtën pak dhe e lëshuan. Thuhej se ndërhyri Dalip Gurra, person me pushtet në Zerqan dhe e liruan.
Arif Leka në Kovashicë ishte i varfër e nuk kishte kafshë barre, prandaj i kërkoi mushkën Hoxhës për të nxjerrë plehun. Meqenëse nuk ishte hera e parë qe ia kërkonte, shtoi:
– Me qenë gjallë vitin tjetër, nuk ta kërkoj ma,- i thotë Rajfa (Arifi) Hoxhës.
– Jo Rajfë Leka, por edhe Rajfë pasha me qenë, njëherë me te, e njëherë pa te,- i thotë Hoxha. Kështu e ka kjo dynja.
Thelbin e socializmit, për të cilin bëhej zhurmë e madhe propagandistike si shoqëri që do të sillte bollëkun, Hoxha e shpjegonte me dy fjalë: do të vijë një kohë kur buka do të hyjë në dollap, dhe njëherë ta jep, njëherë s’ta jep (d.m.th. ai që ka çelësin e dollapit, pushteti)…Populli shqiptar do të kalojë një kohë të gjatë kur do të detyrohet ta marrë bukën në dollap me komandë. Për hoxhën kjo përbënte thelbin e ekonomisë politike të socializmit. Ky popull nuk do të ngopet asnjëherë me bukë.
Kur hoxha këndonte mevludin, qante (mevludin e këndonte shqip), lotët i shkonin çurkë duke i rrjedhur nëpër mjekër. Vaj ymeti jonë mbas 1900-ës. Feja do të shkojë deri në fije të penit për t’u këputë (thoshte qysh në vitet 39 – ’40) dhe pastaj do të ringjallët përsëri, thoshte Hoxha[16].
Hoxha ishte edhe njeri me humor. Që nga maja e Sharrës e vikati i biri: “Or babë!”, “Or babë!”, por ky nuk i përgjigjej. Kur iu afrua, i bindur se do ta kishte dëgjuar, e pyeti i zemëruar i biri:
– Pse nuk mu përgjigje or babë kur unë të thirra disa herë?
– Pse a vetëm ti ke babë? Baballarë ka shumë. Si ta dija unë që je ti e jo ndonjë tjetër sepse edhe të tjerët kanë babë.
Hoxhë Tomja ishte njeri me integritet fetar e politik, konsekuent në idetë, parimet e qëndrimet e tij. Ai nuk pranonte ndërhyrje në din. Fenë Islame e desh të pastër, origjinale, pa shtrembërime, pa reformime e modernizime, pa bidate. Pas Shpalljes së Pavarësisë filloi një luftë tinëzare për të përçarë myslimanizmin në Shqipëri. Synimi i saj ishte largimi nga i ashtuquajturi “islam tradicional”, “fanatik”, i “ashpër” e i “ngurtë”, “konservator e i prapambetur” dhe shndërrimi i tij një islamizëm më të “butë”, në “islam liberal” e më “përparimtar”. Në Dibër, ku myslimanizmi ishte më kompakt, diversioni mund të bëhej me lehtë nga “brenda” tij, nëpërmjet bektashizmit, i propaganduar si “islami liberal”. Për këtë qëllim edhe në Dibër filluan të vinin misionarë bektashinj, sidomos nga Shqipëria e Jugut. Punën e tyre propagandistike misionarët e fillonin nga familjet e pasura e me influencë që ata të ndikonin edhe tek masa e njerëzve te tjerë.
Duke shfrytëzuar kontributin e bektashizmit në përhapjen e librave e shkollave shqip, një zhdërvjelltësi në të folur dhe duke përfituar edhe nga nënvleftësimi i këtyre problemeve nga dibranët, ata arritën disa “suksese”. Kështu, në fshatrat ku tarikati “suni” ishte kompakt, filluan të mbijnë kasolle të vogla e të vetmuara, me katër fije muri si mashna bari të quajtura “teqe” dhe, për ti “shenjtëruar” u bashkëngjisnin ose u “brendashkruanin” ndonjë “vorr të mirë” ku nënat e frikësuara të fshatit shpinin ndonjë filxhan me ujë në darkë për t’ua dhënë në mëngjes fëmijëve të vegjël ta pinin për derman. Të tilla teqe edhe sot bëjnë “ditën e mirë” (edhe “natën e mirë”) në Homesh, Okshatinë, Topojan e në ndonjë fshat tjetër. I gjeje dhe i gjen ato edhe sot të vetmuara e të braktisura kudo në Dibër e në gjithë Shqipërinë.
Në Bllacë kishte vdekur Jashar Zeneli (1952) dhe njerëzit shkonin për ngushëllime, “për të pirë një kafe”. Në pamundësi të shkojë “për krye të shëndoshë” për shkak të moshës së thyer, Hoxha i Madh i thotë Hoxhës së Vogël:
– Shko or Halit edhe për mue sepse jam i vjetër e nuk mundem. Kur e panë hoxhën duke ardhur, bllacasit menduan t’i punojnë një rreng. Sapo hyri në konakun e burrave, ata filluan një dialog të nxehtë midis tyre për të mos i lënë kohë hoxhës të shprehte ngushëllimet.
– Si shkove në Bllacë or Halit,- e pyeti Hoxha i Madh.
– Si shkova erdha,- pa thënë asnjë fjalë, tha Hoxha i Vogël. Nuk më lanë radhë me folë se filluan shamatat midis tyre. Hoxha i madh e kuptoi lojën që i kishin bërë kolegut dhe u nis e shkoi me të shpejtë. Sapo hyri në odë, bllacasit filluan prapë avazin me debatet e “nxehta” për të mos i lënë radhë hoxhës të fliste.
– Pa ndaluni njëherë të shpraz unë këtë barrën që kam mbi shpinë e pastaj ju mos ja ndani muhabetit gjithë ditën: “në krye të shëndoshë!”,- tha Hoxha dhe u ngrit e iku.
“Toka e bukës” në Kovashicë është e kursyer. Për shkak të vështirësive të jetës, në vitin 1954 Hoxha u shpërngul familjarisht në fshatin Gjoricë e Epër. Por edhe atje nuk gjeti derman. Sistemi i ri shoqëror e vuri teposhtë. Zanati i tij si hoxhë “nuk pinte më ujë”. Sistemi komunist shkonte me revan drejt ateizmit total. Ishte koha kur edhe në Dibër, si në gjithë Shqipërinë, filloi kolektivizimi “socialist” i bujqësisë me krijimin e kooperativave bujqësore të tipit artel, stalinisto-enverist. Hoxhë Tomja vdiq më 1958 në kushte varfërie dhe dëshpërimi të thellë, pa asnjë shpresë për perspektivën e vendit dhe ymetit (popullit) të tij.[17]
[1]. Pas prishjes së minares së xhamisë dhe “varrit të mirë” ngjitur me murin e jashtëm të saj në vitin 1967, ajo u shndërrua në magazinë për prodhimet e kooperativës bujqësore. Më pas çatia u zëvendësua nga një tarracë betoni dhe u përshtat për dyqan shitjeje. Me fillimin e rimëkëmbjes së institucioneve fetare pas 1990-ës, një aneks i saj u rregullua për t’u falur ndonjë nga të vjetrit që jetonin ende, por me largimet e shumta të banorëve, ajo u braktis dhe sot ka mbetur në gjendje të shkatërruar.
[2]. Stefanaq Pollo, cituar sipas: Ali M. Basha, “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri”, Tiranë, 2011, f. 18.
[3]. Ku ka shtëpinë e lindjes autori i këtij punimi.
[4]. Fatos Mehdi Daci, “Historia e arsimit shqip në Dibër”, I.H.P.V.K.A. (Instituti i Hulumtimit dhe Publikimit të Veprave Kulturore e Artistike, Tiranë, 2010, f. 220. Sipas një dëshmie gojore të marrë nga Hasan Tomja (1924-2008) në korrik 1998 thuhet se ka kryer shkollën e mesme (medresenë) për 4 vjet në Stamboll.
[5]. Fatos Daci, po aty, f. 29, 32.
[6]. Dëshmi gojore nga Hasan Tomja (1924-2008), marrë në korrik 1998.
[7]. Eqrem bej Vlora, Kujtime – Vëllimi i parë 1885-1912, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë, 2001, f. 296.
[8]. Lufta për Çlirimin Kombëtar në vitet 1878-1912 – Kujtime Veteranësh, Tiranë, 1962 (mbledhur e përgatitur nga Petraq Pepo, f. 453-455.
[9]. Malësorët e Malësisë së Mbishkodrës i kishin djegur karakollet e Turqisë më përpara për t’ia hapur ushtrisë së Krajl Nikollës rrugën për marrjen e Shkodrës.
[10]. Lumo Skendo, Javët e fundit të sundimit turk në Shqipëri, DITURIJA, nr. 1, janar 1929, f. 6.
[11]. Dr. Vlladan Gjorgjeviç, “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, përkthyem prej serbishtes nga Mustafa Kruja, ZARA, Shtypshkoja S. Artale, 1928, f. 7, 92.
[12]. Hasan Kaleshi, “Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame”, International Islamic Publishing House, Prizren, 1992, f. 12.
[13]. Julian Amery, “Bijtë e shqipes”, Shtëpia Botuese “Lumo Skendo”, Tiranë, 2002, f. 225.
[14]. Julian Amery, “Bijtë e shqipes”, Shtëpia Botuese “Lumo Skendo”, Tiranë, 2002, f. 161.
[15]. Treguar nga Sulejman Xhafa në vitin 2004, prezent në ngjarje, arsimtar në pension, vitlindja 1933.
[16]. Dëshmi gojore nga Hasan Tomja (1924-2008), marrë në korrik 1998.
[17]. Kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor përkujtimor të organizuar në Shupenzë nga Komuna dhe Shoqata e Historianëve të Dibrës me rastin e 120 vjetorit të shkollës së Homeshit më 9 maj 2014.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...