Perditësimi i fundit July 2nd, 2024 8:55 AM
Sep 14, 2015 Zani i Nalte Studime 0
nga Akad. Feti Mehdiu, Universiteti i Prishtinës
(Dimensioni patriotik i Hafizëve të Kur`anit)
Abstrakt
Hafizët janë elitë islame dhe duhen trajtuar si të tillë. U mbushën plot njëqind vjet nga zbatimi i një embargoje të llojit të vet ndaj veprimeve patriotike të elitës islame në shërbim të atdheut. Madje ndonjëherë duke mos i kursyer për t’i shpallur tradhtarë dhe rreshtuar në armiq të kombit e atdheut. Është koha e fundit që të hapet mundësia për t’i dalë hakut kësaj kategorie të intelektualëve të kombit dhe të hidhet dritë mbi kontributin e tyre për atdheun.
Hendeku që u hap ndërmjet elitës islame dhe elitës tjetër shqiptare, të ashtuquajtur sekulare, pas shkëputjes me dhunë të shqiptarëve nga sulltanati osman në vitin 1912, i ka kushtuar shtrenjtë historisë kombëtare. Kjo kategori e intelektualëve shqiptarë – që përbënte shumicën në raport me elitën sekulare, është trajtuar si analfabete, vetëm për arsyen se nuk dinin latinishten dhe cirilishten, pa çka se ata zotëronin tri gjuhët më të mëdha që dominonin Azinë dhe Afrikën, Anadollin dhe Rumelinë (gjuhën arabe, gjuhën turke dhe gjuhën perse). Në mesin e tyre kishte që e zotëronin edhe gjuhën frënge.
Rrethanat politike e shoqërore pas vitit 1912, ia kufizuan hapësirën e veprimit, pa të drejtë, vetëm në fushën e fesë, kësaj kategorie të inteligjencës shqiptare.
Objekt i shqyrtimit tim, në përkujtimin e 100-vjetorit të pavarësisë shqiptare, është një profil specifik i elitës islame. Këta janë hafizë të Kur’ani Kerimit.
Këtu jam përqendruar në dimensionin patriotik në kuptimin e ngushtë të fjalës, ashtu siç ia kushtëzojnë – pa të drejtë – me kandar të gabuar.
Hafizët e Kur’anit, për vetë faktin se i përkushtohen mësimit të Kur’ani Kerimit përmendësh, radhiten ndër patriotët, në kuptimin e gjerë të fjalës, sepse vetëm njerëzit me dije mund t’i dalin zot, në rrethana të caktuara, atdheut dhe popullit të vet për ta udhëhequr në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe të përparimit. Kontributi i tyre patriotik, në kuptimin e ngushtë të fjalës (lufta në front, ballë për ballë me armikun ose forma të tjera të drejtpërdrejta), dëshmohet me faktin se hafizët e Kur’anit, në njëqind vjetshin e fundit e kanë paguar me jetë, në forma të ndryshme, por edhe me lirinë individuale dhe masa të tjera represive nga pushtete të njëpasnjëshme, deri në fund të shekullit XX. Të tillë janë shembulli i H. Sherifit, H. Aliut, H. Jakupit, H. Abdullahut, H. Xhemajlit, H. Rizait, H. Harunit, H. Nazimit, H. Ibrahimit, H. Sabriut, H. Sulejmanit, etj. Ata e dëshmuan katërcipërisht përcaktimin e tyre për lirinë dhe mbrojtjen e kombit dhe të atdheut.
Përvjetorët historikë janë momente të veçanta. Nuk janë akte solemniteti sa për të kujtuar vitet që kanë kaluar! Janë momente kur duhen marrë vendime historike, a do të vazhdohet rrugëtimi i njëjtë apo duhet ndërruar e plotësuar me elemente që afron bashkëkohësia. Kjo varet me çfarë syri e kanë shikuar rrugën e kaluar, dhe nga serioziteti i analizës që i bëhet proceseve historike.
Sidomos përvjetori i njëqindtë i shpalljes së pavarësisë shqiptare me 90100 km katrorë..[1]) është një ngjarje që duhet shënuar, të paktën kështu si po e shënojnë tri bashkësitë islame: Tiranë-Prishtinë-Shkup[2], që është nismë për çdo lëvdatë. Urojmë që njëqindedhjetë vjetorin ta presin me rezultate edhe më të mëdha!
Edhe kështu si është, ky moment thërret ndërgjegjen tonë të bëjë një rekapitullim të rezultateve që arriti populli shqiptar gjatë kësaj periudhe në rrafshin sinkronik dhe diakronik.
Njëqind vjet pas hapjes së hendekut – praktikisht embargos së llojit të vet ndaj veprimeve të parisë islame[3] në shërbim të atdheut – hapet mundësia që t’i dilet hakut kësaj shtrese të intelektualëve të kombit dhe të hidhet dritë mbi kontributin e tyre për atdheun, sepse ata e kanë dëshmuar me vepra konkrete dashurinë e tyre ndaj atdheut duke e paguar me jetë a me lirinë individuale.[4]
Me shkëputjen e katër vilajeteve shqiptare nga sulltanati osman,[5] në vitin 1912, hapet hendek ndërmjet elitës islame dhe elitës sekulare dhe deri në fund të shekullit njëzet këta gjendeshin – në anën e kundërt ndaj njëra-tjetrës.
Elita islame vazhdimisht ishte e përbuzur dhe e nënçmuar nga sistemet vijuese që u renditën në vazhdim, mbretëror, socialist, etj.
Kjo shtresë e intelektualëve shqiptarë – që përbënte shumicën në raport me elitën sekulare,[6] është trajtuar si analfabete, vetëm për arsyen se nuk dinin ta lexojnë cirilishten dhe latininishten. Anashkalohej fakti se ata zotëronin gjuhën arabe, gjuhën turke dhe gjuhën perse, të cilat zotëronin tre kontinente: Azi, Afrikë dhe një pjesë të Evropës-Rumelinë, për pesë shekuj radhazi. Kishte nga mesi i tyre që e zotëronin edhe gjuhën frënge.
Rrethanat politike e shoqërore që kishin zënë fill nga shekulli 18 për ndërtimin e shoqërisë pa Zot – e mbështetur në filozofinë iluministe,[7] pas vitit 1912 ngritën murin që ndante inteligjencën, veçanërisht atë shqiptare në: fetare dhe profane.
Me këtë platformë të kultivimit të filozofisë, në thelb politeiste – të emërtuar si filozofi iluministe[8] më vonë ateiste, elitës islame iu kufizua arbitrarisht hapësira e veprimit, dhe kjo u izolua vetëm në fushën fetare. Pavarësisht nga fakti se kjo shtresë intelektuale kishte luajtur rolin kyç në zhvillimin e ngjarjeve historike e kulturore në periudhën paraprake, para Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe pas saj.[9]
Tash pas njëqind vjetësh, kur është hapur një dritare përmes së cilës mund të përbirohet realiteti për kontributin e asaj armate intelektualësh shqiptarë të përkatësisë islame, e persekutuar dhe e shkelur skajshmërisht, kam zgjedhur për shqyrtim një profil specifik të asaj kategorie që janë hafizë të Kur’ani Kerimit.). Në këtë kontribut do të përqendrohem në dimensionin patriotik të tyre.)
Hafizët e Kur’anit, me vetë faktin se i përkushtohen mësimit të Kur’ani Kerimit përmendësh, radhiten në patriotë, në kuptimin e gjerë të fjalës, sepse vetëm njerëzit me dije mund t’i dalin zot, në rrethana të caktuara, atdheut dhe popullit të vet për ta udhëhequr në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe të përparimit. Këta janë njerëz, të cilët në frymë të porosive kur’anore janë vënë në shërbim të atdheut pa kursyer jetën, lirinë individuale, shëndetin individual dhe familjar.
Kjo gatishmëri e tyre për të flijuar veten në shërbim të atdheut, që buron nga Kur’ani Kerimi, shihet edhe nga teksti i betimit të tyre që po e sjellim në vijim:
B E T I M I:[10]
Unë …………………………………………… Para flamurit Kombtar të Shqipnisë, para armës dhe Shenjtit Kur’an i nap besën Organizatës B.Kombtar që do të jem antar`i G.L.P-it dhe me vullnet ma të madh i shtrohem disiplinës të çelikut organizative dhe do të jem gati manën e direktivave të marruna me i zbatu gjith urdhrat detyruese prej organizatës.
Betohem se me konspiracion ma të madh do të ruaj autoritetin e Organizatës ilegale dhe me rastin e orës ma të ngusht të jetës s’ime do të duroj gjith vuajtjet e nuk do të zbuloj asnjë punë qi i demtoj organizatën.
Do të jem gadi me përballu çdo armik qi i shkel kamba në viset t’ona dhe çdo tradhtar i vendit qi bashkëpunon me të huajt për humbjen e drejtave Kombit Shqiptar.
Betohem se deri n’orën e fundit të jetës s’ime do të luftoj me armë në dorë për çlirimin e At`dheut për zhdukjen e trathtarve dhe i partis antikombëtare për fatin e lirisë dhe për shlirimin e popullit shqiptar do të vazhdoj luftën …deri sa të bashkohet Shqipnija me kufi Etnkik. Trathti ma’e vogël imja pran Organizatës i arifsha damet të repta dhe pa të dhimbuni.
SHQIPNIJA SHQIPTARËVE – VDEKJA TRATHTARVE!”
E tërë ajka e parisë islame e prirë nga motoja e Kur’anit: luftoni në rrugë të Allahut me pasurinë tuaj dhe me shpirtin tuaj…. xhahidu fij sebilil-lahi… si edhe me atë të pgs: dashuria ndaj atdheut është iman (apo pjesë e imanit) ishin shembull konkret në zbatimin e këtyre parimeve, dhe sipas kësaj do të prezantoj para jush dy grupe të hafizëve:
Nga 1500 hafizët e trojeve tona, kemi veçuar disa prej tyre me qëllim të formimit të një pasqyre të shkurtër për kontributin e hafizëve për lirinë e atdheut.
Hafizët shehidë
1.- Hfz. Sherif Sherifi – Tetovë
Është njëri nga shehidët e Luftërave Ballkanike, i cili me armë në dorë iu kundërvu armikut për ta shpëtuar atdheun nga gllabërimi i agresorit serb në vitin 1913. U lind në Tetovë në vitin 1860. Hfz. Sherifi shërbente si imam në Tetovë. Në vitin 1913, kur Serbia u vërsul kundër trojeve shqiptare, ky kapi armët dhe u vu në ballë të njësiteve patriotike (vullnetare) në malet e Sharrit përmbi fshatin Buzovc dhe luftoi heroikisht kundër forcave serbe.
Ra shehid në këtë luftë – për mbrojtjen e lirisë së atdheut – porse vendi i tij mbeti nën zgjedhën serbe. Përkohësisht e varrosën në Buzovcë. Më vonë është zhvarros dhe është bërë rivarrimi i tij në Tetovë.[11]
Është njëri nga nxënësit e Hfz. Xhemil ef. Jusufit (i Xhemil efendisë së Tetovës). Hfz. Sulejmani u lind më 1892 në Tetovë.
Ka kryer studimet në Stamboll. Në vitin 1921 emërohet imam në xhaminë e Qarshisë Epërme në Tetovë. Ka qenë myfti në Tetovë nga viti 1940 deri më 1942. Ka ushtruar edhe detyrën e Gjykatësit në Gjykatën e Tetovës, post në të cilin qëndroi 4 vjet. Në vitet 1939-45 udhëhiqte medresenë e Qarshisë së Epërme.
Kishte përqafuar platformën politike për Shqipëri etnike dhe bashkëpunoi me antikomunistët, si Mustafë Krujën e prijës të tjerë.
Pas përfundimit të LDB, me ngadhënjimin e komunizmit e lëshoi Tetovën dhe u strehua në Prizren, deri në vitin 1948 kur arrestohet dhe deportohet në burgun e Sarajevës. Nga Sarajeva e transferojnë në Gjyqin Hetues në Shkup. Këtu sëmuret dhe së shpejti ndërroi jetë. Xhenazja e tij nuk iu dorëzua familjes, ashtu që varri i tij mbetet i fshehtë edhe sot e kësaj dite.[12]
Bija e Imerit, e lindur në fshatin Sllupçan në vitin 1975. Ishte një hafize e Kur’ani Kerimit dhe infermiere e përkushtuar për të ndihmuar luftëtarët e lirisë në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, të vitit 2000. Ra shehide në krye të detyrës si infermiere, në Luftën e vitit 2000 në ofensivën e Kumanovës.[13]
I biri i haxhi Aliut, i lindur më 20 maj 1971 në Hasanbeg- Shkup.
I dëshmuar si hafiz i Kur’ani Kerimit në Shkup dhe në Damask ka kryer edhe Fakultetin filozofik – Dega e Historisë. Në vitin 1998, me Beqir Limanin dhe Qemal Shaqirin, themeluan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe i priu luftës si komandant “Kushtrimi”. Pas përfundimit të luftës, me proces të montuar politik, arrestohet dhe ndiqet e dënohet në mungesë. Më 4 shkurt 2010, gjykata në Shkup e dënoi me burg të përjetshëm. Hfz Haruni asnjëherë nuk iu nënshtrua presioneve të ndjekjeve dhe gjykimeve fiktive me procese të montuara. Ai vazhdoi aktivitetin e tij për liri të atdheut deri më 12 maj 2010, kur në pabesi (në pritë) vritet në Radushë-Maqedoni dhe varroset në vendlindjen e tij, në Shkup.[14]
Hafizët e persekutuar
Është i madh numri i hafizëve të Kur’ani Kerimit që lirinë dhe mbrojtjen e atdheut e paguan me lirinë individuale dhe familjare. Iu nënshtruan torturave të burgjeve fashiste, komuniste, etj., personalisht dhe me gjithë familje. Disa nga ata janë si në vijim.
I lindur në Shkodër në vitin 1870. Pas kryerjes së Medresesë së Pazarit të Vjetër në Shkodër, vazhdoi studimet në Stamboll, ku kreu edhe hifzin. Në vitin 1895 kthehet në vendlindje dhe fillon punën mësues i persishtes dhe mësues feje në shkollat e qytetit në Shkodër.
Në vitin 1913 bashkë me patër Gjergj Fishtën dhe shokë tjerë hapën tri shkolla shtetërore për të gjithë, pa dallime fetare. Hafiz Abazi ishte drejtor i Shkollës së Parrucës dhe për punën e tij me përkushtim mori lëvdata nga inspektorët e arsimit: Gaspër Beltoja e Gaspër Mikeli.
Në vitin 1913, nën komandën e Hasan Riza Pashës luftoi me trimëri të rrallë kundër Malit të Zi.
Në vitin 1924, pushohet nga puna dhe arrestohet për shkak të pikëpamjeve të tij politike, bashkë me Hfz. Halil Pukën, Shefqet Mukën e Rrustem Lopçin.[15] Kontributi i Hfz. Abaz Golemit për lirinë dhe përparimin e atdheut dhe të popullit të vet u la në harresë nga sistemet, si mbretëror ashtu edhe ai socialist. Në kohën e demokratizimit të Shqipërisë, në vitin 1990, vepra e tij patriotike çmohet lart dhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha e nderon me titullin: Mësues i Popullit, me motivacion: “Mësues dhe drejtor, që punoi me pasion tërë jetën për edukimin dhe formimin moral e qytetar të nxënësve, themeloi e drejtoi plot autoritet shkollën e Parrucës në agimet e arsimit tonë kombëtar”
I biri i Rauf efendiut, i lindur në Shkup. Hafiz dhe poet, i cili u ndoq nga sistemi komunist deri në frymën e fundit të jetës. Burgoset në vitin 1945 dhe si antikomunist dënohet me burg të rëndë. Pas lirimit nga burgu, në vitin 1956, askund në Maqedoni nuk i lejohet të punojë as edhe myezin. Në burg ka qenë i sëmurë, megjithatë vazhdimisht shkruante poezi dhe kur doli nga burgu poezitë e tij ia besoi ish nxënësit të tij Kemal ef. Aruçit nga Vrapishta. Poezitë e tij sot gjenden te dr. Muhamed ef. Aruçi. Ka ndërruar jetë në vitin 1963.[16]
I biri i Hfz. Abdulhamitit, i lindur në Zhelinë-Tetovë në vitin 1914. Në vitin 1939 kreu hifzin te Hfz. Rexhep Sulejmani në Tetovë. Ndoqi mësimet në medresenë “El-Hidaje” në Tetovë, ku kryente edhe detyrën e imamit nga viti 1945-1948. Në vitin 1945 dënohet me 8(tetë) muaj burg. Herën e dytë arrestohet me 27 prill të vitit 1948, dhe Gjykata e Qarkut në Shkup me Vendimin K.br.180/48, të datës 18 gusht 1948 e dënon me 20 vjet burg të rëndë sipas nenit 3, alineja 3, për vepër penale “kundër popullit dhe shtetit.” Hfz. Abdullahi, si antikomunist që kishte qenë, kishte bashkëpunuar me “… pushtetin okupator dhe ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar.”[17] Aktakuza e ngarkonte Hfz. Abdullahin me vepër kundër popullit dhe shtetit, sepse ky pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore fillon të grumbullojë armë, vihet në përkrahje të rezistencës që i printe Lëvizja NDSH dhe përgatitej të luftojë kundër pushtetit komunist. Është angazhuar të grumbullojë ndihma në ushqim, veshmbathje dhe mjete të tjera, në valutë, dhe e ka ndihmuar deri në momentet e fundit Arif Kapedanin, i cili u vra nga OZN-ja në Zhelinë, më 8 shkurt, 1948.[18] Në periudhën 1946-1948, Hfz. Abdullahu kishte vepruar intensivisht duke mbajtur lidhjet me shokë të idealit në Çegran, Gostivar, Tetovë e gjetiu në ndihmë të Arif Kapedanit, e në harmoni me mulla Garipin. Në grupin e Hfz. Abdullah Abdullahut, lënda për gjykim e të cilit evidentohet në emër të Mulla Garipit (Garip R. Beadini), janë dënuar: Garip R. Beadini, (Grupçin) Jusuf M. Bajrami, (Globoçicë), Demir E. Sulçe (Bellovishtë), Islam Sh. Zejnuli (Zhelinë), Ilmi I. Islami (Zhelinë), Demir A. Demiri (Zhelinë), Nebi V. Ibraimi (Tetovë), Selim J. Selimi (Kopanicë), Adem J. Selimi (Kopanicë), Ismail J. Selimi (Kopanicë), Ibrahim E. Musliu (Zhelinë), Ziber K. Baftijari (Zhelinë). Prej këtyre Islam Zejnuli, Ilmi Islami dhe Nebi Ibrahimi janë betuar para Hfz. Abdullahit “… za golema Shipnija i… se zakolna i dava besa dac e raboti pred ogja Abdulla”[19]
Pas mbajtjes së dënimit, si i dënuar politik ishte i privuar nga e drejta për punë, nuk iu lejua fare as si imam e as myezin xhamie.[20] Ndërroi jetë në vitin 2008, në Tetovë.[21]
I biri i Iljas efendiut, i lindur në Korçë më 5 prill 1873. Luftëtar i dëshmuar për lirinë e atdheut me pendë e me pushkë në dorë. Në vitin 1903 ishte në krye të çetës me armë në dorë në shërbim të atdheut. Përjetoi internime e dënime deri edhe me vdekje, por kurrë nuk iu tremb syri.
Në vitin 1909 mori pjesë aktive në Kongresin e Dibrës.
Punoi profesor në Gjimnazin e Korçës, në Normalen e Elbasanit etj., bashkë me veprimtarët tjerë, si: Dervish Hima, Feim bej Zavalani, Sotir Peçi, Benjamin Nosi, Aqif pashë Elbasani, Mehmet efendi Tetova etj.
Themelues dhe bashkëpunëtor i revistës së parë islame në gjuhën shqipe “Zani i Naltë” 1923-24. Nga viti 1900 deri në vitin 1930 ka botuar një varg veprash.[22]
Ka qenë i pranishëm me shkrime edhe në shtypin turk, arab e pers. Punoi profesor i matematikës, Gjeografisë, Historisë, letërsisë turke, letërsisë arabe dhe perse. Ka qenë Këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Drejtor i përgjithshëm i Arsimit, Anëtar i Këshillit të Naltë të Sheriatit dhe funksione të tjera me rëndësi shoqërore.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sistemi komunist e izoloi tërësisht dhe vitet e fundit i kaloi në Kavajë, i nderuar vetëm nga populli, që u dëshmua në rastin e vdekjes së tij më 1957.[23]
Sistemi komunist e nëpërkëmbi dhe e ndoqi deri në frymën e fundit.[24]
Është i njohur edhe si hafiz Ali Tari. Është i lindur në Ndocej-Shkodër në vitin 1900. Mori mësime edhe nga Hfz. Ismail Hakiu në Shkodër dhe studioi në Kajro sheriatin në Al-Az’har dhe më 1924 merr diplomën dhe kthehet në vendlindje. Fillimisht punoi imam në xhaminë e Teqes në Pazar të Vjetër e pastaj vazhdon detyrën e vaizit në Shkodër. Në vitin 1932 arrestohet nga qeveria e Zogut, kurse në vitin 1946, pasi dorëzohet në besë, pas shpalljes së një amnistie, ai dënohet me vdekje si antikomunist. Me vendimin nr. 213 të datës 8 qershor 1947, ky dënim i shndërrohet në 25 vjet burg, por nga burgu del më 12 tetor 1965. Ndërron jetë më 20 janar 1974 në Shkodër.[25]
U lind në vitin 1909 në Reçicë-Tetovë. Në vitet 1940-44, ishte pajtimtar i rregullt në revistën “Kultura Islame” që botohej në Tiranë. Në janar të vitit 1945 bëhet anëtar i komitetit të Lëvizjes NDSH, bashkë me Hfz. Beqirin nga Shkupi dhe patriotë të tjerë të dalluar nga elita islame. Ka qenë kryetar i parë shqiptar i komunës së Tetovës, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. U burgos dhe u dënua si veprimtar i Lëvizjes NDSH me 15 vjet burg. Ka ndërruar jetë në vitin 1974. [26]
I biri i Mustafës, i lindur në vitin 1878 në Tiranë. Pas shkollimit të mesëm vazhdoi studimet në Stamboll. Hifzin e ka kryer në Stamboll.
I dalluar veçanërisht në fushën e arsimit. Në vitin 1901, mësues në shkollën e parë të Tiranës, bashkëthemelues i Shkollës Normale të Elbasanit dhe profesor i kësaj shkolle në vitin 1909. Punoi në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës. Ishte veprimtar i dalluar në publicistikë, që u dëshmua me gazetën “Dajti”, si edhe me veprën “Grenxat e kuqe” (1918), “Dokrrat e hinit” (1920), etj.
Ka botuar shumë libra për arsimin dhe edukimin Islam, i vetëdijshëm se shtetit dhe shoqërisë i duhen njerëz me dije dhe me terbije (edukatë). Ndërroi jetë më 8 shkurt të vitit 1952 në Tiranë. [27]
I biri i Hfz. Xhemalit, nga Dibra e Madhe, i lindur në vitin 1886.
Në Stamboll studioi shkencat islame dhe kreu hifzin. Pas vdekjes së babait, Hfz. Xhemalit, më 1919 nga Stambolli kthehet në atdhe. Mori pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës, në vitin 1909. Në vitin 1924 ishte bashkëthemelues i Medresesë së Tiranës, ku punoi si profesor për disa lëndë.[28] Në vitin 1929 ka qenë drejtor i Medresesë në Tiranë dhe bashkëpunëtor i revistës “Zani i Naltë”.
Sistemin komunist e përjetoi si humbje të rëndë dhe si një të keqe të tmerrshme kundër fesë islame prandaj përjetoi edhe burgun e komunizmit në moshë të shtyrë. Ndërroi jetë në vitin 1955 në Tiranë.[29]
U lind në Prizren, në vitin 1919. Më 19 shkurt 1950 arrestohet në Prizren dhe në korrik të të njëjtit vit Gjyqi i Qarkut në Prishtinë i shqiptoi dënimin me 20 vjet burg, si dhe konfiskim të pasurisë. Pas lirimit nga burgu i vazhdon masa e ndëshkimit me marrjen e të drejtës së të drejtave qytetare dhe i ndalohet e drejta e votës.[30]
Sipas aktakuzës ky kishte qenë më përpara anëtar i organizatës “Liga e Prizrenit”, kurse nga vera e viti 1949 anëtarësohet në organizatën ilegale që ishte organizuar nga jashtë me emrin “Nacional demokratikja shqiptare” me qëllim të ndryshimit me dhunë të sistemit shtetëror të RFPJ-së, me anë të kryengritjes së dhunshme t’ia bashkojnë Kosovën dhe Metohinë Shqipërisë.[31]
“…gjyqi e ka konfirmuar se i akuzuari Jakup Hoxha me siguri ishte zgjedhë udhëheqës ushtarak i organizatës në mbledhjen e komitetit që u mbajt në Krushë të Madhe më 5 shtator 1949, në shtëpinë e të akuzuarit Nezir Maksut Hoti.”[32]
Këtë e kishte pranuar Hfz. Jakupi në hetuesi.[33] Platformë e kësaj organizate është reflektuar në betimin që jepnin anëtarët kur vendosnin të bëhen pjesë e kësaj organizate. Tekstin e betimit e kishte përpiluar Hfz. Jakupi.[34] Mbrojtja e Hfz. Jakupit kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme të RP të Serbisë, në Beograd, e cila e refuzoi ankesën me arsyetimin se: “… i akuzuari Jakup Muçozi është shumë i rrezikshëm për shoqërinë, gjë që e ka shprehur jo vetëm me aktivitetin e tij në organizatë, por edhe me qëndrimin e tij gjatë procedurës në hetuesi. Ai jo vetëm që nuk pendohet për veprën që ka bërë, por përkundrazi e përpiqet ta arsyetojë”. Hfz. Jakupi kishte thënë në hetuesi se kulminacioni i dëshpërimit kundër sistemit komunist kishte qenë mbyllja e Medresesë Mehmet Pasha në Prizren.[35]
I biri i mulla Zadës, u lind më 1913 në Cërvicë. Ka kryer hifzin te mulla Zada. Është burgosur në janar të vitit 1946 dhe në aktpadinë e prokurorit të divizionit të 52-të të gjyqit Ushtarak në Manastir, u shpall fajtor për shkak se në datë të pasaktësuar gjatë vitit 1945 ka mbajtur lidhje me të arratisurit e rrethit të Kërçovës. Është takuar me ata dhe u ka ndihmuar me ushqime. Me këtë ka kryer vepër penale që sipas nenit 11 të Ligjit për vepra penale, Hfz. Nazimi kishte bërë vepër kundër popullit dhe shtetit. Në bazë të kësaj dënohet me një vit burg.[36]
Nga viti 1949 ka shërbyer imam në Cërvicë. [37] Ndërroi jetë në vitin 1999.
I biri i Hajrizit, u lind në rrethin e Vitisë-Kosovë në vitin 1925. Hifzin e kreu në vitin 1938 te mulla Azizi. Ka ndjek mësimet në Medresenë e Tiranës dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore radhitet në çetën e Hysen Terpezës kundër komunistëve. Ka përjetuar disa herë arrestime si antikomunist. Pas luftës vendoset me familje në Shkup ku jeton edhe aktualisht.[38]
12.- Hfz. Riza Gërbeshi – Prishtinë
I biri i Munishit është i lindur në vitin 1910 në f. Marevc – Prishtinë. Ka kryer hifzin te hafiz Jamin ef. Rexhepi në Prishtinë. Ka kryer katër klasë të Medresesë Isa Beg në Shkup në vitin 1935-1939 dhe punoi mësues në fshatin Hogosht-Kamenicë. Në vitin 1946 bie në burg si antikomunist dhe dënohet me pushkatim. Ky dënim iu zëvendësua me 20 vjet burg dhe burgun e vuajti 15 vjet në Nish. Pas lirimit nga burgu, me datën 21 korrik 1963, vetë i treti arratiset në Shqipëri[39] ku gjithashtu dënohet me 7 vjet burg. I vetmuar, pa familje ndërroi jetë në Elbasan në vitin 1980.[40]
I biri i Ramadanit, u lind në Prizren në vitin 1859. Mësimet fillestare i mori në mektebin Sinan Pasha në Prizren. Ka studiuar në Stamboll, prej nga me kërkesën e myftiut të Prizrenit, Hfz. Abdylaziz Zejnelabidinit kthehet në Prizren. Mori pjesë në luftën e vitit 1880 për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Në vitin 1917, merr detyrën e myderrizit në medresenë Mehmet Pasha. Ka qenë myfti i Prizrenit dhe bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës, veprimtar i çështjes shqiptare dhe mbrojtjes së dinjitetit islam. Hfz. Rrustemi, në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar përjetoi ditë të vështira në burgjet e Prizrenit, të Nishit, Zenicës etj. Ndërroi jetë më 5 tetor të vitit 1937 dhe u varros në varrezat Kuru qeshme në Prizren. [41]
4. Hfz. Sabri Koçi – Librazhd
I lindur më 14 maj 1921 në fshatin Orenjë të Librazhdit. Ka kryer Hifzin e Kur’ani Kerimit.[42] Në vitin 1939 ka punuar imam në Luguçesme, në Xhaminë e Bardhë në Dudas, kurse në vitin 1952 ishte imam në Rus të Vogël.
Për të mos e lënë në kontakt me rininë, sepse mendonin se ky helmon rininë, është transferuar disa herë nëpër vende të ndryshme: Te Xhamia Plakë, pastaj në Krujë, Kavajë, Korçë. I dhanë edhe pozitën e nënmyftiut dhe të myftiut më 1956 në Kavajë, por megjithatë Hfz. Sabri Koçi nuk iu bind sistemit komunist, prandaj më 4 qershor 1966 i vihen prangat, nën akuzën “reaksionar antikomunist”. Dënohet me 20 vjet burg dhe qëndroi në burg deri më 22 tetor 1986.
Përpjekjet e tij për lirinë e popullit shqiptar e pagoi me lirinë personale (për 20 vjet).
Në nëntor të vitit 1990 hapi Xhaminë e Plumbit në Shkodër.
Është bartës i mirënjohjeve nga Presidenti i Shqipërisë dhe nga diaspora shqiptare. Ndërroi jetë më 18 qershor 2004 në Tiranë.[43]
I biri i haxhi Shaqirit, u lind në Dibër në vitin 1881. Hifzin e kreu në vitin 1896 në vendlindje dhe në vitin 1900 vazhdon shkollimin në Stamboll. Ka kryer studimet e larta në fushën e islamistikës. Në Stamboll emërohet profesor i sheriatit, në Universitet dhe anëtar i Gjykatës së Lartë Islame. Në vitin 1908 ishte kryetar i Shoqatës Bashkimi dhe në 1923 drejtor përgjegjës i revistës “Paqja”. Më 28 nëntor 1912, në ballkonin e klubit Bashkimi në Stamboll ngriti flamurin kombëtar. Ishte drejtor i gazetës “Besa” në Stamboll.[44]
Në vitin 1924 zgjidhet deputet i Dibrës në Kuvendin Kushtetues, me propozimin e shqiptarëve të Turqisë. Ishte kryetar i Komisionit të Drejtësisë në Parlament ku kontribuoi në hartimin e ligjeve themelore të shtetit shqiptar. Në vitin 1927, në Selanik bashkë me patriotin Rauf Fico, nënshkroi marrëveshjen për mospranimin e Kosovarëve në Turqi. Në vitin 1939 kundërshtoi zbarkimin e forcave italiane në Shqipëri dhe si pasojë arrestohet dhe internohet në Bergamo të Italisë, për katër vjet, me arsyetimin se ishte “Njeri me influencë në Shqipërinë e mesme dhe veriore. Armik i betuar i fashizmit.” Qytetarët e Bergamos iu drejtuan Papës që të ndërhyjë për ta liruar Hfz. Xhemalin sepse “Qeveria ka internuar një njeri të shenjtë”.[45]
Pas lirimit, më 1944 iu përkushtua Medresesë në Tiranë, por pushteti komunist asnjëherë nuk e la të veprojë i qetë, përkundër angazhimit të Hfz. Musa Bashës që Hfz. Xhemali të punojë e të kontribuojë në Medrese.
Në vitin 1947 i konfiskohet shtëpia dhe e tërë pasuria e patundshme. Pushteti e vendosi përdhunshëm në Laprakë.[46] Ndërroi jetë në vitin 1965 në Tiranë.
Në vend të përfundimit
Prezantova vetëm disa nga hafizët që meritojnë respektin tonë dhe të breznive që vijnë pas nesh, sepse na takojnë neve, janë hafizët tanë, nga Tirana e Tetova, Shkupi e Shkodra, Korça-Kërçova e Kumanova, Prishtina e Prizreni, janë nga Vitia dhe Dibra, etj.
E di se u kam mbetur borxh shumë të tjerëve që sigurisht meritojnë të përmenden e të trajtohen me respekt. Këtë e kam bërë për të nxjerrë një mësim.
Hafizët ishin elitë e popullit shqiptar të edukuar e të arsimuar në frymën e arsimit e edukimit me Zot, prandaj periudha 100 vjeçare i përplasi sa andej e sa këndej dhe tani është duke e parë se e ka pasur gabim – por fatkeqësisht akoma vazhdon kultivimi i brezave pa edukatë fetare, që do të thotë jo në frymën e urtisë hyjnore!
Përkundër deklarimit me fjalë se do të ndjekim shembullin e botës së qytetëruar, të lirë e demokratike, ne edhe më tutje nuk e hapim derën për edukim njerëzor në sistemin edukativ e arsimor me besim në Një Zot, siç bën ajo pjesë e botës drejt së cilës mendojmë të shkojmë edhe ne.
Do të përfundoja me ritheksimin se: risitë (moderniteti) nuk janë, me çdo kusht, të gjitha më të mirat; edhe vjetërsitë nuk janë, domosdoshmërisht, më të këqijat! Realiteti është se nga të dyja ka mundësi të bëhet zgjedhje në frymën e trashëgimisë që posedon populli shqiptar.
Populli shqiptar, prej se ka filluar të shkruajë (me sa dihet, nga shekulli. XV) ka identitet fetar edhe identitet kombëtar. Nuk mund të jetë rezistent ndaj përcaktimeve ideologjike.
Fetarisht, janë: monoteist: të krishterë dhe myslimanë;
Kombëtarisht, janë: shqiptarë – pa përzierje; kanë një gjuhë specifike të familjes indoevropiane – e trungut arian.
Ideologjikisht, ka: politeistë, komunistë, socialistë, ballistë, natyralistë, etj.
Prandaj, tëra shtresat e strukturat përgjegjëse për shtetndërtim[47] të marrin obligim që të nxjerrin mësim nga këta njëqind vjet peripeci. Të shmangen nga iluzionet, të kultivojnë realitetin sipas parametrave të librave të shenjtë: Tevrat – Ungjill, Kur’an dhe me kthjelltësi t’i përmbahen platformës së rilindësve shqiptarë:
Mysliman e të krishterë,
Perendija na ka bërë
Jemi vëllezër të terë
Mos u bien ndesh parimeve të kësaj platforme duke manipuluar me teoretizime të maskuara nën plafin e modernitetit, për qejfe të të tjerëve e në dëm të vetvetes,[48] por të përpiqen për shtetndërtim sipas kritereve botërore reale – jo eksperimentale – ngase për këtë plotësojnë kushtet gjeografike, strategjike, historike dhe kulturore-historike.
Në të kundërt, edhe mbi shpatullat tona do të bjerë një pjesë e fajësisë për dëmet që mund ta godasin popullin shqiptar në përgjithësi, kurse atë të Kosovës në veçanti.*
* Marrë nga libri i konferencës shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, botim i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, Tiranë 2013: 68-81 dhe ribotuar në revistën “Zani i Naltë”, nr. 11 (164), 2015: 48-61.
L i t e r a t u r a:
Hfz. Ali Korça , Bolshevizma është shkatërrim i njerëzimit, Prishtinë, 2001.
Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1012-1967), Tiranë, 2011.
Aliriza Selmani – Hfz. Avni Aliu, Myderriz Haki efendiu:1914-1948), Prishtinë, 2005.
Beqir Ajazaj, Beqir Ajazaj, Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan ( Kujtime), Tiranë, 2007.
Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë shek. XVIII – 20120-Leksikon, Prishtinë, 2010.
Ismet Jonuzi – Krosi, Golgota shqiptare, pjesa e parë, Tetovë, 2007.
Ismail Ahmedi, Hfz. Ali Korça – jeta dhe vepra, Shkup, 2001.
Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës lindore 1941-1951, Prishtinë, 1995.
Muhamet Pirraku, Për kauzën e shtetësisë së Kosovës, Prishtinë, 2008, f. 112-113.
Mustafa Kruja, Anthologji historike-shkrime e përkthime, Elbasan, 2001.
Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vilajetin e Kosovës 1878-1912, Prishtinë, 2011.
Qerim Lita, libri për NDSH…. shënimi…
Resul Rexhepi – Sadik Mehmeti, Hfz. Rrustem ef Shporta – jeta dhe vepra 1864 – 1937, Prishtinë, 2010.
Smajl Bala, Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës, Shkodër, 2005.
Shaban Braha, Beteja e Drinit kundër agresionit serb (nëntor 1912), Prizren, 2000.
Xhemal Balla, Hafiz Ibrahim Dalliu – jeta dhe vepra, Tiranë, 2008.
[1] Dr. Muhamet Pirraku, Për kauzën e shtetësisë së Kosovës, Prishtinë, 2008, f. 112-113.
[2] Kur kemi parasysh faktin se janë dy dekada çlirim nga sistemi komunist, ky përvjetor ka pasë mundësi të pritet me më shumë rezultate konkrete, sidomos nga fusha e historisë dhe shkencave politike. Njëqind e dhjetë vjetori duhet ta korrigjojë këtë lëshim.
[3] Paria islame nuk duhet përzier me klerin, nga arsyeja se në Islam nuk ka njerëz të shenjtë. Kleri shpreh edhe një cilësim të shenjtërisë së njerëzve të parë të fesë së krishterë.
[4] Shih: Ali M. B a s h a, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë, 2011.
[5] Vilajetet shqiptare, në vitin 1912, sipas statistikave të sulltanatit Osman ishin si vijon: Vilajeti i Shkodrës 10800 km. Vilajeti i Kosovës 32900 km, vilajeti i Manastirit 28500 km dhe vilajeti i Janinës 17900 km katror.
[6] Periudha e rilindjes kombëtare kishte njerëz të pendës që ishin gatuar në shkollat islame.
[7] Hafizët e Kur’anit i kanë qëndruar besnik hadithit të Pejgamberit Muhamed a.s. “hubbu-l-vatani mine-l-iman” – dashuria e atdheut është pjesë e imanit-besimit në një Zot. Me termin vatan dhe iman është manipuluar me të madhe nën ndikimin e rrymave ideologjike, duke zhvendosur rendin e fjalëve të këtij hadithi. Përderisa hadithi e ka vatanin si pjesë të Imanit, tendenca e ideologjisë iluministe e shprehte me permutacion: “Pa vatan nuk ka iman” dhe në këtë mënyrë zë fill krahasimi me lojë fjalësh, përpara vatani a imani- një krahasim krejtësisht irracional.
[8] Iluminizmi si rrymë ideologjike, politike e shoqërore në Evropë në shekujt XVII-XVIII, drejtohej… kundër feudalizmit, fesë e kishës….” Meqë ishte drejtuar edhe kundër fesë, si tërësi, përjashton parinë islame. Paria islame nuk mund të cilësohet si iluministe, as si përkrahëse e kësaj filozofie apo ideologjie, ngase bien në kundërshtim me themelet e fesë islame, me Kur’anin. Të jesh iluminist do të thotë të luftosh fenë! Të zëvendësosh besimin në Një Zot me besimin në logjikën njerëzore, gjë që nuk qëndron!
[9] Mr. Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vilajetin e Kosovës 1878-1912, Prishtinë, 2011.
[10] Autor i tekstit të këtij betimi ku është edhe i shenjti Kur’an, është hfz. Jakup Muçozi. Shih: Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës lindore 1941-1951, Prishtinë, 1995.
[11] Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë shekulli XVIII–2010 – Leksikon, Prishtinë, 2010.
[12] Po aty.
[13] Po aty.
[14] Po aty. Adresa elektronike: harunaliu…
[15] Smajl Bala, Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës, Shkodër, 2005.
[16] Feti Mehdiu, Hafizët tanë….
[17] Drzaven Arhiv na Republika Makedonija, Skopje, dosie nr. 1-07265/2.
[18] Drzaven Arhiv na Republika Makedonija, Skopje, licni dosie nr. 1-07265/2. Beadini Ramiz Garip.
[19] “… për Shqipri të madhe dhe u betuan e dhanë besën që të punojnë e të japin llogari hoxhës Abdullah.”
[20] Kohë pas kohe shërbente imam gjatë muajit ramazan, sa më larg Tetovës, si Strugë, Veles, Shtip etj.
[21] Feti Mehdiu, Hafizët tanë….
[22] Hfz. Aliu personalisht e ka dhënë evidencën e veprave të veta në fund të Mevludit që e botoi në vitin 1943.
[23] Feti Mehdiu, Hafizët tanë….
[24] Shih: Ali M. Basha, Rrugëtimi….
[25] Smajl Bala, Institucionet islame…. 2005, Shkodër.
[26] Feti Mehdiu, Hafizët tanë…. Leksikon….
[27] Po aty…..
[28] Smajl Bala, Institucionet islame… Shkodër, 2005.
[29] Feti Mehdiu, Hafizët tanë.
[30] Arkivi i Kosovës, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, P-117/50.
[31] Po aty. K-117/50, dt. 27.07.1950.
[32] Bashkë me hfz. Jakup Muçozin janë dënuar, përveç Nezir Hotit (Krushë e Madhe) edhe Shaban Dërguti,(Rahovec), Mustafa Nixha, (Prizren) Shaban Mazreku, (Sopi), Biter Dehala, (Prizren) Tomë Mjeda, (Prizren) Sefë Zeka (Suharekë) dhe Bajram Dehari.(Prizren).
[33] Po aty.
[34] Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani….
[35] Vrhovni Sud NRSerbije u Beogradu, KZ-918/50, dt. 11.010.1950.
[36] Feti Mehdiu, Të burgosurit politik shqiptarë të Kërçovës 1944-1994, Prishtinë, 2011.
[37] Feti Mehdiu, Hafizët tanë…
[38] Po aty.
[39] Drzaven Arhiv na Republika Makedonija, Skopje, licni dosie nr. 1-07265/2. Beadini Ramiz Garip.
[40] Mbetet detyrë e hulumtuesve të ardhshëm të vazhdojnë kërkimet në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
[41] Sadik Mehmeti – Resul Rexhepi, Hafiz Rrystem Zihni Shporta, Jeta dhe vepra, Prishtinë, 2010.
[42] Feti Mehdiu, Hafizët tanë…
[43] Smajl Bala, Institucionet islame… Shkodër, 2005…
[44] Feti Mehdiu, Hafizët tanë…
[45] Smajl Bala, Institucionet islame…Shkodër, 2005.
[46] Smajl Bala, Institucionet islame… Shkodër, 2005; Musa Ali Basha, Rrugëtimi i fesë islame…
[47] Këtu bëjnë pjesë, në radhë të parë, të votuarit e popullit dhe votuesit e tyre. Por edhe të tjerë që nuk janë të strukturuar në dy kategoritë e përmendura, sepse edhe ata jetojnë në të njëjtin shtet dhe shfrytëzojnë edhe kontribuojnë në të gjitha aspektet për shtetin konkret. Askush nuk mund t’i shmanget kësaj përgjegjësie, por përgjegjësinë më të madhe e bartin ata që kanë marrë besimin e popullit dhe bartin funksionet e garantuara e të ngarkuara nga mandati i votës së qytetarit të vet.
[48] Në periudhën e përpjekjeve për formim të shtetit shqiptar, në vitin 1897, shqiptarët hoqën dorë nga e drejta juridike dhe politike në vilajetin e Selanikut. Askush nuk i detyroi shqiptarët për një qëndrim të tillë. (shih burimin nr. 1, M.P. Për kauzën e shtetësisë së Kosovës…)
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Jan 23, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Jul 02, 2024 0
Mr. Habib Ebibi Hyrje Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...