Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 04, 2015 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Elton Karaj
Universiteti Bedër
Pjesa e I-rë
Abstrakt
Në këtë artikull do të bëjmë fjalë për një person mjaft interesant dhe shumë të veçantë të historisë islame i njohur si Imam Sha‘rani.
Horizonti i gjerë i këtij dijetari është shumë e rëndësishme që të njihet, sepse përmban mesazhe shumë domethënëse dhe jeta e tij është shembullore për të gjithë besimtarët dhe në krye për të gjithë nxënësit e dijes.
Hyrje
Në këtë artikull do të bëjmë fjalë për një person mjaft interesant dhe shumë të veçantë të historisë islame i njohur si Imam Sha‘rani. Shkaqet që na shtynë të përgatisim këtë artikull janë të shumta. Në fakt, mjafton të themi që personi në fjalë është shumë ndryshe nga dijetarët e tjerë klasikë. Por, përveç kësaj, jeta e tij është shembullore për të gjithë besimtarët dhe në krye për të gjithë nxënësit e dijes.
Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që horizonti i gjerë i këtij dijetari të njihet, sepse përmban mesazhe shumë domethënëse dhe ende aktuale për të gjithë ne.
Duhet theksuar se njerëzit e veçantë gjithmonë janë përballur me kritika të mëdha. As Sha‘rani nuk i ka shpëtuar kritikave dhe sulmeve të shumta, por ato janë aq të pavlera saqë neve nuk na u duk e arsyeshme t’i përfshijmë në këtë artikull.
Artikulli përmban pesë nëntituj kryesorë që janë: jeta e Sha‘raniut, idetë themelore, veprat dhe qasjet e tij në Jurisprudencën Islame.
1. Jeta e Sha‘râniut
Emri i tij i plotë është Ebu’l-Meuâhib (Ebû Abdurrahmân) Abdulvehhâb b. Ahmed b. Alî esh-Sha‘rânî el-Misrî el-Hanefî (v. 973/1565).
Lindi në Kalkashende në zonën Kajlubije të Kajros, më 28 Ramazan të vitit 898 ose 899 sipas kalendarit hënor. Fisi i tij lidhet me Muhamed b. Hanefijen, të birin e Ali b. Ebi Talibit (r.a.) nga Haule binti Xha‘fer. Nga kjo kuptohet qartë që e ka prejardhjen nga një familje fisnike dhe shumë të devotshme. Sipas El-Karniut, tipari më i veçantë i Sha‘raniut është pikërisht prejardhja nga një familje e tillë.
Epiteti “Sha‘rani” vjen nga Ebu Sha‘ra i lidhur me qytetin Munufije, fshat nga ku ka prejardhjen i ati dhe në të cilin janë vendosur familjarisht që kur ishte 40 ditësh. Ndonjëherë është titulluar edhe Sha‘raui, duke marrë për bazë qytetin Sha‘ra të zonës Rif, në të cilën ai është lindur.
Arsimimin e ka nisur nga i ati dhe në moshën 7-8 vjeçare përfundon hifzin e Kur’anit. Më pas nis jeta e vështirë sepse në vitin 907 humb babanë dhe më pas nënën. Kështu, Sha‘rani, rreth moshës 9 vjeçare, së bashku me dy motrat dhe vëllanë e madh mbetet jetim.
Megjithatë ai ka treguar një kujdes të veçantë ndaj dijes. Madje transmetohet se deri në një moshë të caktuar nuk dinte as shkrim e lexim, dhe megjithatë çdo pyetjeje i kthente përgjigje duke e argumentuar me një ajet ose hadith.
Në krye të vitit 911 (1505 sipas kalendarit diellor) me ndihmën e një personi zemërgjerë të quajtur Hidr, Sha‘rani udhëton për në Kajro të Egjiptit. Hidri e shoqëron gjithandej Sha‘raniun dhe e ndihmon atë për çdo gjë. Kështu ai fiton mundësinë të vazhdojë arsimimin e tij.
Kajro ishte një vend i pasur në aspektin e dijetarëve dhe Sha‘rani merr mësim nga më tepër se 50 prej tyre. Ndër ta gjendeshin personalitete të mëdha si imami i xhamisë Gamri Eminuddin b. Nexhxhar, juristi Shemsuddin ed-Deuâhilî, Nûreddin el-Mahal’lî, Nûreddin el-Xhârihî, Nûreddin es-Senhûrî, Mulla Ali el-Axhemî, Isâ el-Ahnâî, Shemseddin ed-Dejrûtî, Shemseddin ed-Dimjâtî, Ahmed b. Muhammed el-Kastal’lânî, Selâhaddin el-Kaljûbî, Nûreddin el-Ushmûnî, Sa‘deddin edh-Dhehebî, Burhâneddin el-Kalkashendî, Shejhul-islâm Zekerijjâ el-Ensârî, juristi shâfiî Shehâbeddin er-Ramlî, etj.
Sha‘rani mësoi jashtëzakonisht shumë tekste përmendësh. Autori i veprës el-Keuâkib citon: “Ka memorizuar tekste të ndryshme si vepra Minhaxh e Neueuiut dhe dy elfijet e tij, et-Taudîh, et-Telhîs, esh-Shâtibijje, Kaua‘id Ibn Hishâm, er-Rauda, etj. Memorizimi ishte një veti e veçantë që ai posedonte, sepse unë kam lexuar jetën e shumë personaliteteve të rëndësishëm, por shumica e tyre nuk kanë mësuar përmendësh as një pjesë të teksteve në fjalë.” Netët gjithashtu i shfrytëzonte duke lexuar libra e marrë shënime.
Për të kuptuar se sa i apasionuar ishte Sha‘raniu pas dijes, mjafton të theksojmë që imami i shekullit es-Sujuti, ende pa e parë, i ka dërguar atij një ixhazetname, ku përfshinte të gjitha veprat e veta. Këtë ixhazetname e ka shkruar me dorën e vet dhe ia ka dërguar me anë të të atit. Kur Sha‘rani ishte në moshën 12-13 vjeçare vjen në Rauda dhe e viziton personalisht imam Sujutiun. Gjatë kësaj vizite ai ka mundësinë të marrë mësim drejtpërsëdrejti prej tij dhe lexojnë së bashku disa hadithe nga Kutubi Sitte dhe ca kapituj rreth metodologjisë së Jurisprudencës Islame. Por kjo nuk zgjat shumë, sepse Imam Sujuti ndërron jetë pikërisht në të njëjtin vit që Sha‘rani mbërrin në Egjipt.
Pas vdekjes së Shejh Hidrit, Sha‘rani transferohet tek imami i xhamisë Gamri, Eminuddin ed-Dimjati dhe e kalon jetën me fëmijët e tij. Pasi qëndron thuajse 17 vjet në këtë xhami, detyrohet të largohet prej saj. Shkak i këtij largimi ishin sulmet e xhelozisë së dijetarëve të tjerë. Kështu ai transferohet te medreseja Ummu Huvend.
Në moshën 15 vjeçare ka bërë haxhin e parë. Kur nis interesi ndaj tasavufit, Sha‘rani braktis mësimet për një periudhë të gjatë dhe tërhiqet në vetmi në malin Mukattam dhe rrënojat Karafe. Gjatë kësaj periudhe ai përpiqet të mposhtë nefsin dhe dëshirat e tij, dhe shkëput çdo lidhje që kishte me botën materiale. Për më tepër se një vit, i kaloi netët zgjuar, duke hedhur në qafë një litar të lidhur në tavan. Ditë e natë i kalonte me lutje e tesbih. Ndonjëherë tjetër, kur i vinte gjumi hynte në ujë të ftohtë. Më pas pati lidhje me disa imamë të ndryshëm si Ali el-Mersafiu, Muhammed esh-Shinnâviu, Ibrahim el-Metbûliu dhe Ali el-Havvâsi.
Të gjithë mësuesit e tij ishin të rëndësishëm, por pika kulmore e jetës së tij ka qenë njohja me Ali Havasin. Në fakt Ali Havas nuk dinte shkrim e lexim. Kurse Sha‘rani ishte dijetar në shumë fusha. Ishte aq i ditur saqë mund të themi që s’kishte nevojë për dije. Kështu Sha‘rani mësoi shkencën e urtësisë nga Ali Havasi. Reflektimi i këtij fakti dallohet më se qartë në veprën El-Mizan. Kjo shkencë e ngriti Sha‘raniun në majat më të larta të diturisë.
Kur Ali Havasi ndërroi jetë, ndjekësit e tij paraqiten tek Sha‘raniu dhe i thonë: “Të duam ty si pasardhës të Ali Havasit. Që sot e tutje të njohim ty si mësuesin tonë.” Sha‘rani nuk i përgjigjet menjëherë kësaj kërkese dhe kërkon prej tyre një natë kohë. Atë natë sheh në ëndërr që mundohej të hiqte këpucën nga këmba, por sa herë që e hiqte ajo i vishej vetvetiu përsëri. Mesazhi i ëndrrës ishte i qartë. Kështu ai pranon të jetë pasardhësi i Ali Havasit dhe drejton xhematin për rreth 30 vjet.
Në vitin 928 (1522) martohet me Zejneben. Pasi ajo ndërron jetë martohet më Halimen dhe pasi edhe kjo e fundit vdes martohet me Fatimen dhe Ummulhasenin. Me sa kuptohet, të katërta bashkëshortet kanë ndërruar jetë përpara Sha‘raniut. Megjithëse është detyruar të martohet disa herë, ai ka kaluar një jetë të qetë e të lumtur bashkëshortore. Ka pasur katër fëmijë, dy vajza e dy djem.
Pasi qëndroi 7 vjet në medresenë Ummu Huvend, Sha‘rani transferohet në kompleksin Babu-sha‘rijje, të ndërtuar nga kadi Muhjiddin Abdulkadir Uzbekî në Kajro. Këtu ka dhënë mësim për vite me radhë dhe ka kaluar pjesën e mbetur të jetës.
Sha‘rani ka ndërruar jetë në moshën 63 vjeçare më 12 xhumadal-ula 973 (5 dhjetor 1565) dhe u varros në një pjesë të veçuar në xhaminë e kompleksit Babu-sha‘rijje. Vendin e tij e zuri i biri Abdurrahman. Në këtë mënyrë u formua tarikati Sha‘rânijje, që mendohet të ketë vazhduar deri në fund të shek. XVIII.
Sha‘rani tregonte një kujdes të veçantë në zbatimin e suneteve, qëndronte larg bidateve, ishte shumë i devotshëm, i qëndrueshëm ndaj padrejtësive, me një karakter të fortë dhe kohën e kalonte vazhdimisht me adhurim. Shumë dashakeqës janë munduar të përhapin informacione të gabuara rreth tij, por realiteti është që sot bota Sha‘raniun e njeh si një shembull unikal në filozofinë e tij të trajtimit të çështjeve juridiko-fetare. Sa për dashakeqët, ata nuk mund të quhen veçse fatkeqë e paragjykues.
Sha‘raniu karakterizohet me një jetë shumë të pasur adhurimore. Kur ai ndodhej në xhaminë Gamri i niste kuvendet e dhikrit në namazin e akshamit dhe i vazhdonte deri në mëngjes. Vetë Sha‘raniu i përjetonte jashtëzakonisht shumë këto adhurime në jetën e tij të brendshme. Natën e xhumasë e gdhinte me salate dhe selame për Profetin Muhamed (a.s.).
Sha‘rani ishte një sufi që nuk binte në kundërshtim me disiplinat klasike islame. Përkundrazi, ai orientohej nga Kur’ani dhe Suneti. Sipas tij një sufi duhet të jetë i formuar si me diturinë sheriatike, ashtu edhe me diturinë shpirtërore në gradën e një muxhtehidi. Një sufi duhet të jetë një fakih (jurist), që vepron me dijen e tij.
Sha‘rani “ka theksuar rëndësinë e tarikateve për shoqërinë e Egjiptit dhe nga ana tjetër ka kritikuar të gjitha praktikat jashtë legjislacionit islam”. Ai ka arritur në përfundimin se rreziku më i madh që dëmton umetin janë përçarjet mes njëri-tjetrit. Për këtë arsye ka ftuar vazhdimisht shkollat e ndryshme juridike e më gjerë, që të bashkohen me mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit. Edhe në veprat e tij është munduar të zgjidhë këtë problem.
Megjithëse disa persona e kanë kritikuar me pamjaftueshmëri në fushën e Jurisprudencës Islame, ai i është përgjigjur qysh kur ishte në jetë këtyre kritikave, duke thënë: “Bindjuni Legjislacionit Islam ashtu siç ka zbritur. Mos veproni duke u bazuar në revelacionin individual (keshf), sepse ai mund t’ju shpjerë në gabime.”
Sha‘rani kërkon prej nxënësve që të veprojnë të bazuar në Kur’an dhe Sunet, dhe të mos veprojnë me mendimin e tyre individual (re‘j) duke thënë: “Nëse feja do të ndërtohej mbi mendimin individual të gjithsecilit, atëherë i pari që do të vepronte kështu do kishte qenë vetë Muhamedi (s.a.s.) dhe nuk do të kishte nevojë për shpalljen hyjnore”.
2. Formimi i Sha‘raniut dhe idetë e tij themelore
Sha‘rani është një dijetar që ka spikatur në shumë fusha si jurisprudenca islame, metodologjia e jurisprudencës islame, hadithi, tasavufi, etj.
Pavarësisht se në vendet ku Sha‘rani ka jetuar nuk ka pasur dijetarë të mëdhenj të hadithit, ai e ka studiuar jashtëzakonisht shumë këtë fushë. Së bashku me Eminuddin ed-Dimjatiun ka studiuar libra të panumërt, ndër të cilët edhe kutubi sitten. Sha‘rani kishte një respekt të veçantë edhe për filozofët, për shkak të zgjuarsisë së tyre.
Tekstet fetare dhe gjuhësore i mësonte përmendësh dhe i analizonte në prezencë të mësuesve. Siç ishte thelluar në jurisprudencën e shkollës shafiite, ashtu analizonte edhe shkollat e tjera juridike.
Gjatë gjithë jetës ka mbrojtur idenë, që Jurisprudenca Islame dhe Tasavufi nuk bien ndesh me njëri-tjetrin. Ideali i tij ishte dijetari sufi, d.m.th. i ditur në shkencat fetare dhe me moralin e një sufiu. Për këtë arsye ai e ka mbrojtur deri në fund të shumëkritikuarin Ibn Arabi. Ishte i ndikuar prej këtij të fundit, por kjo nuk do të thotë që çdo fjalë të Ibn Arabiut e pranonte të mirëqenë. Nuk ishte fanatik pas tij dhe këtë e dëshmon fakti që kur ka qenë i mendimit se Ibn Arabiu ka gabuar, e ka kritikuar atë.
Sha‘rani ka fituar famë me numrin e madh të veprave që ka lexuar dhe memorizuar. Këto i ka përmendur edhe vetë në veprën El-Mizan. Ndër to ndodhen vepra të fushave të gjuhës dhe letërsisë arabe, hadithit, tefsirit, jurisprudencës islame dhe metodologjisë së saj, kelamit, tasavufit, etj.
Sha‘rani ka shkruar rreth 100 vepra. Një pjesë e madhe e tyre përbëhen nga 5-6 vëllime. Sipas disa të tjerëve numri i veprave të tij arrin deri në 300.
3. Veprat e Sha‘raniut
Siç përmendëm më parë, veprat e Sha‘raniut janë më tepër se 100. Ne do të përmendim vetëm një pjesë prej tyre. Titujt janë shkruar të transkriptuar nga origjinali në gjuhën arabe.
3.1. Mistikë dhe Moral
1. el-Aħlâķu’l-Metbûlijje. 2. el-Baĥru’l-meurûd fi’l-meuâthîķ ue’l-’uhûd 3. el-Xheuâhir ue’d-durer. 4. Dureru’l-ġauuâś ‘alâ fetâuâ Sejjidî ‘Alî el-Ħauuâś. 5. Leuâķiĥu’l-enuâri’l-ķudsijje el-munteķāt mine’l-Futûĥâti’l-Mekkijje (Muħtaśaru’l-Futûĥât). 6. el-Kibrîtu’l-aĥmer fî bejani ‘ulûmi’sh-Shejħi’l-Ekber. 7. el-Fetĥ fî te’uîli mâ śadara ‘ani’l-kummeli mine’sh-shaŧaĥ. 8. el-Xheuheru’l-maśûn ue’s-sirru’l-merķūm. 9. el-Exhuibetu’l-mardijje ‘ani’l-fuķahâ’ ue’ś-śûfijje. 10. en-Nefeĥâtu’l-ķudsijje fî bejani ķauâ‘idi’ś-śûfijje. 11. Śuĥbetu’l-emîr li’l-faķīr ue ‘aksuh. 12. Meuâzînu’l-ķāśirîn. 13. Tenbîhu’l-muġterrîn euâħire’l-ķarni’l-‘âshir ‘alâ mâ ħâlefû fîhi selefehumu’ŧ-ŧâhir. 14. Taŧhîru ehli’z-zeuâjâ min ħabâ’ithi’ŧ-ŧauâjâ. 15. Edebu’l-murîdi’ś-śâdiķ ma‘a men jurîdu’l-ħâliķ. 16. Medârixhu’s-sâlikîn ilâ rusûmi ŧarîķi’l-‘ârifîn. 17. el-Enuâru’l-ķudsijje fî bejani ķauâ‘idi’ś-śûfijje. 18. el-Keukebu’sh-shâhiķ fi’l-farķ bejne’l-murîdi’ś-śâdiķ ue ġajri’ś-śâdiķ. 19. el-Enuâru’l-ķudsijje fî ma‘rifeti âdâbi’l-‘ubûdijje. 20. el-Muħtâr mine’l-enuâr fî śuĥbeti’l-aħjâr.
3.2. Biografi
1. Leuâķiĥu’l-enuâri’l-ķudsijje fî ŧabaķāti’l-‘ulema’ ue’ś-śûfijje (eŧ-Ŧabaķātu’l-kubrâ). 2. Źejlu’ŧ-Ŧabaķāti’l-kubrân. 3. Leŧâ’ifu’l-minen ue’l-aħlâķ fî bejani vuxhûbi’t-teĥadduth bi-ni‘meti’llâhi ‘ale’l-iŧlâķ (el-Minenu’l-kubrâ).
3.3. Kelam
1. el-Ķauâ‘idu’l-keshfijjetu’l-muvađđiĥa (el-mûđiĥa) li-me‘âni’ś-śifâti’l-ilâhijje. 2. Muķaddime fî ‘ilmi’t-teuĥîd. 3. Ferâ’iđu’l-ķalâ‘id fî ‘ilmi’l-’aķā‘id. 4. el-Mîzânu’dh-dherrijjetu’l-mubejjine li-‘aķā‘idi’l-firaķi’l-‘alijje. 5. el-Jeuâķīt ue’l-xheuâhir fî bejani ‘aķā‘idi’l-ekâbir. 6. el-Ķauâ‘idu’s-senijje fî teuħîdi ehli’l-ħuśûśijje. 7. Keshfu’l-ĥixhâb ue’r-rân ‘an uexhhi es’ileti’l-xhân. 8. Ŧahâretu’l-xhism ue’l-fuâd min sû’i’dh-dhan bi-xhemî‘i’l-‘ibâd.
3.4. Jurisprudencë Islame
1. Keshfu’l-ġumme ‘an xhemî‘i’l-umme. 2. Mineĥu’l-minne fi’t-telebbusi bi’s-sunne. 3. el-Mîzânu’l-Ħađirijje (el-Mîzânu’ś-śuġrâ). 4. el-Mîzânu’sh-Sha‘rânijje el-mudhile li-xhemî‘i aķuâli’l-e’immeti’l-muxhtehidîn ue muķal’lidîhim fi’sh-sherî‘ati’l-Muĥammedijje (el-Mîzânu’l-kubrâ). 5. Ĥuķūķu uħuvveti’l-Islâm.
3.5. Hadith
1. el-Bedru’l-munîr fî ġarîbi eĥâdîthi’l-beshîri’n-nedhîr. 2. Meshâriķu’l-enuâri’l-ķudsijje fî bejani’l-‘uhûdi’l-Muĥammedijje.
Disa vepra të tjera të Sha‘râniut janë si në vijim: el-Mineĥu’th-thenijje ‘ale’l-uaśijjeti’l-Metbûlijje; ed-Duraru’l-menthûra fî bejâni zubedi’l-‘ulûmi’l-meshhûra; Esrâru erkâni’l-İslâm; İrshâdu’ŧ-ŧâlibîn ilâ merâtibi’l-‘ulema’i’l-‘âmilîn; Hâdiju’l-hâ‘irîn ilâ rusûmi aħlâķi’l-‘ârifîn; es-Sirâxhu’l-munîr ‘alâ ġarîbi’l-xhâmi‘i’ś-śaġîr.
4. Qasjet e Sha‘raniut në Jurisprudecën Islame
4. 1. Burimi i katër shkollave juridike
Në themelin e mendimit të Sha‘raniut ndodhet besimi dhe respekti i thellë ndaj imamëve të mëdhenj. Ai, ndryshe nga autorët e tjerë që trajtojnë diskutimet mes medhhebeve, nuk i krahason fetvatë duke diskutuar burimin e tyre, sepse argumenti i gjithsecilit është i shëndoshë.
Sipas mendimit të Sha‘raniut, Legjislacioni Islam është porsi një pemë gjigante. Fjalët e dijetarëve janë degët e kësaj peme. Ashtu siç nuk mund të ketë ndërtesë pa mure, edhe degët e pemës së sheriatit nuk janë pa trung dhe frutat e saj nuk janë pa degë.
Ai thekson se është e pamundur që fjalët e imamëve të qëndrojnë jashtë rrethit të fesë, sepse ata i kanë bazuar fetvatë e tyre në burimet e ndritshme të sheriatit, që janë Kur’ani dhe Suneti. Madje muxhtehidët ishin në dijeni të plotë që do të kritikoheshin nga shumë të tjerë, megjithatë kanë dhënë fetvatë që të gjithë njohim.
Nëse çdo medhheb është ushqyer nga burimi i pastër i Legjislacionit Islam, atëherë të gjithë janë të barabartë dhe asnjë nuk është më i lartë se tjetri. Nga kjo del si rezultat që asnjë medhheb nuk mund të quhet i gabuar.
Duke pasur parasysh që burimi i çdo shkolle juridike janë fjalët e sahabeve, Sha‘raniu sjell si argument hadithin “Sahabet e mi janë si yjet. Këdo që të ndiqni do të arrini në shpëtim.” Sha‘raniu e interpreton kështu këtë shprehje të urtë profetike:
“Ky hadith na tregon që kujtdo imami që t’i bindemi do të arrijmë në shpëtim. Sepse Profeti (a.s.) na ka lënë të lirë të zgjedhim njërin prej tyre pa përcaktuar asnjërin në veçanti. Këtë mund ta bënte vetëm nëse të gjithë janë në udhë të drejtë.”
Gjithashtu ai është i mendimit se një imam, si muxhtehidët absolutë të katër medhhebeve, nuk flet asnjëherë pa pasur argument nga Kur’ani dhe Hadithi. Ky duhet të jetë gjykimi i gjithsecilit për imamët e tyre.
4.2. Autenticiteti i katër medhhebeve
Sha‘rani thekson se katër medhhebet janë autentikë dhe të saktë. Këtë e dëshmon edhe ixhmaja e dijetarëve të Ehli Sunetit në çështjen e ndjekjes ose të imitimit të gjithsecilit prej tyre.
Siç thamë edhe më sipër, të katër medhhebet ushqehen nga burimi i pastër i sheriatit. Për këtë arsye të katërt janë të saktë. Nisur nga kjo, mund të themi që çdokush do të praktikojë vetëm njërin prej tyre, por jo domosdo i duhet të mendojë se mendimet e medhhebeve të tjerë janë të gabuar.
Sipas Sha‘raniut, të akuzosh imamët se kanë përdorur argumente të dobëta është një krim i madh. Këtë vepër të shëmtuar mund ta kryejnë vetëm njerëzit e paditur e të pathelluar në dije.
4.3. Dallimet mes medhhebeve
Sipas Sha‘raniut, dallueshmëria në mendim është një nga gjërat më të natyrshme. Kjo është një nevojë dhe mëshirë hyjnore. Dallimet mes medhhebeve janë të lidhura ngushtë me hadithin profetik të famshëm të ihtilafit ku theksohet se dallimet në mendim janë mëshirë prej Allahut. Ai e interpreton kështu këtë hadith:
“Sipas dijetarëve të mëdhenj, të gjitha medhhebet janë rrugë që të shpien në xhenet. Në hadith thuhet: “Diversiteti në mendim i dijetarëve të umetit tim është mëshirë. Ndërkohë që për popujt përpara meje ka qenë dënim.” Kuptimi i mëshirës është gjerësi dhe rehati. Nëse njëri prej këtyre dijetarëve do të gabonte, si mund të quhej diversiteti mëshirë?”
Nga ana tjetër, është e pamendueshme që të mos ketë dallime ndërmedhhebore. Edhe sikur të kenë të gjithë të njëjtat argumente, metodologjia dhe arsyetimi i ndryshëm detyrimisht do të sjellë vlerësime e gjykime të ndryshme. Por, në lidhje me këto dallime Dihleviu thekson se ndryshueshmëria në mendim mes imamëve ndodh si rezultat i përzgjedhjes së njërës prej dy ixhtihadeve. Ata nuk kanë diskutuar se cili prej mendimeve është i saktë, por se cili prej tyre është më i lartë se tjetri.
Por Sha‘raniu i shton këtyre një shkak tjetër që i ka shpënë imamët në vlerësime të ndryshme. Sipas tij, Legjislacioni Islam ka ardhur në dy nivele: i rëndë dhe i lehtë. Edhe njerëzit janë të ndarë në dy kategori: të fuqishmit dhe të dobëtit. Të fuqishmit zbatojnë fetvatë e rënda, kurse të dobëtit ato të lehta. Të fortit nuk i urdhërohet vlerësimi i lehtë dhe të dobëtit nuk i urdhërohet ai i rëndi.
4.4. Fetvaja sipas mendimit individual
Sha‘rani nuk pranon fetvatë e bazuara vetëm në mendimin individual, duke anashkaluar Kur’anin dhe Sunetin. Sipas tij, asnjë imam medhhebi nuk ka dhënë fetva të tilla. Nëse ne nuk e njohim argumentin e një imami të caktuar, nuk do të thotë që një argument i tillë nuk ekziston.
Megjithatë, sipas Sha‘raniut, në krye Imam Ebu Hanife, asnjë muxhtehid nuk ka dhënë fetva që bien ndesh me kuptimin e qartë të teksteve hyjnore. Sa për kritikat që i janë drejtuar disa imamëve, ai thekson se këto janë rezultat i fanatizmit.
Gjatë trajtimit të kësaj çështjeje përmend mendimet e disa prej imamëve si Shafiiu i cili thotë: Nëse hadithi është i saktë, atëherë ai është edhe mendhhebi im. Ky ka qenë mendimi i çdo imami.
4.5. Kalimi ndërmedhhebor
Personin mukal’lid (imitues), që ndërron vazhdimisht medhheb, Sha‘raniu e përngjason me një njeri, i cili ndërmerr një udhëtim për të arritur në një vend të caktuar, por që herë pas here e rinis nga fillimi. Ky person s’ka për të arritur asnjëherë në qëllimin e tij. Për këtë arsye i këshillon njerëzit të ndjekin një medhheb. Sipas tij, personat që nuk njohin burimin e Legjislacionit Islam, kanë për detyrë të imitojnë një medhheb dhe të përzgjedhin gjithmonë mendimin e tij në një çështje të caktuar.
Ndjekja e vetëm një medhhebi nuk është as kufizim, sepse asnjë nga imamët nuk ka kërkuar prej ndjekësve të tij vetëm fetva të rënda. Madje ndonjëherë, për të fuqishmit kanë dhënë leje që edhe të fuqishmit të veprojnë sipas fetvave të lehta. Sidomos në një periudhë ku injoranca është shtuar, nuk ka zgjidhje tjetër më të përshtatshme se imitimi i një medhhebi.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të veprosh sipas mendimit të një medhhebi tjetër është e gabuar. Nuk do të thotë as që kalimi në një mendhheb tjetër është i ndaluar. Por edhe për realizimin e këtij kalimi ka kushte të caktuara dhe ky veprim nuk duhet të kthehet në lojë. Gjithashtu, që të veprosh sipas mendimit të një medhhebi tjetër nuk është kusht të kalosh tërësisht në atë medhheb.
4.6. Mbrojtja e Imam A‘dhamit
Një nga imamët më të kritikuar patjetër që ka qenë Imam Ebu Hanife, themeluesi i medhhebit hanefi. Egjiptianët në përgjithësi janë ndjekës të medhhebit shafii dhe pavarësisht se Sha‘raniu i praktikon të katër medhhebet, mund të themi që edhe ai e ka nisur me medhhebin shafii. Megjithatë Ebu Hanifen e mbron me këmbëngulje, duke konfirmuar besimin dhe respektin e barabartë kundrejt çdo imami.
Ai e nis analizën e tij me këtë fjali shumë domethënëse:
“Unë nuk i përgjigjem kritikave kundrejt Imamit vetëm me mendimet e mia personale dhe paramendimin pozitiv që kam ndaj Ebu Hanifes, siç bëjnë disa të tjerë. Kthej përgjigje pasi kam lexuar dhe jam thelluar rreth çështjes në fjalë.”
Dhe më pas kalon në përgjigjet kundër kritikave të drejtura Imam Ebu Hanifes. Ne këtu do t’i përmendim ato vetëm me tituj.
1 – Dëshmia e të gjithë imamëve rreth thellësisë së dijes së Ebu Hanifes dhe fakti që ai mendimet i ka të bazuara në Kur’an dhe Hadith (Traditën Profetike).
2 – Ebu Hanife nuk i jepte përparësi metodës së analogjisë kundrejt hadithit.
3– Kundërpërgjigje për pretendimet se argumentet e Ebu Hanifes janë të dobëta.
4– Kundërpërgjigje për pretendimet se medhhebi i Ebu Hanifes është larg kujdesshmërisë.
5 – Fjalët lavdëruese të dijetarëve të mëdhenj për Ebu Hanifen.
4.7. Metoda “mîzân”
El-Mîzânu’l-kubrâ është vepra më e rëndësishme e Sha‘raniut në fushën e Jurisprudencës Islame. Mîzân do të thotë të peshosh, të matësh vlerën ose peshën e diçkaje duke e krahasuar me diçka tjetër. Titulli i plotë i veprës është “El-Mîzânu’l-Kubrâ esh-Sha‘rânîjje el-Mud’hile li-Xhemî‘i Ekuâli’l-Eimmeti’l-Muxhtehidîn ue Mukal’lidîhim fî’sh-Sheriati’l-Muhammedijje”.
Veçoria që bie menjëherë në sy në këtë vepër është forma se si Sha‘raniu ka ndërthurur Jurisprudencën Islame me Tasavufin. Kjo ka bërë që Sha‘raniu të quhet muxhedid në fushën e fikhut.
Sha‘raniu është munduar që mendimet e ndryshme të katër medhhebeve t’i quajë të gjitha të vlefshme. Për të arritur këtë ai i klasifikon ato në dy kategori, që janë teshdid dhe tahfif. Çdo fetva e imamëve klasifikohet në njërën prej këtyre dy kategorive. Fetvatë që përfshihen në kategorinë teshdid janë forma që duhet të veprojnë personat, të cilët janë jashtëzakonisht të kujdesshëm në jetën e tyre fetare. Këta janë quajtur hauas. Ky është një emërtim i marrë nga tasavufi, sipas së cilit të gjithë besimtarët ndahen në dy kategori: hauas dhe auam. Auamët janë personat e thjeshtë, të cilët nuk janë aq të fuqishëm shpirtërisht saqë të veprojnë gjithmonë çka kërkon grada më e lartë e devotshmërisë. Kështu që, këta të fundit, mund të ndjekin fetvatë e klasifikuara në kategorinë tahfif. Kjo mënyrë e klasifikimit të fetvave dhe mendimeve të muxhtehidëve është quajtur “metoda mîzân”.
Vepra “El-Mîzânu’l-kubrâ” trajton sistematikisht, duke aplikuar metodën mîzân, të gjitha temat që gjenden në një libër të Jurisprudencës Islame.
Përveç fetvave të katër imamëve kryesorë Ebu Hanife, Malik, Shafii dhe Ahmed b. Hanbel, Sha‘raniu ka përfshirë edhe imamë të tjerë, medhhebet e të cilëve nuk praktikohen në ditët e sotme.
Në themelin e kësaj metode qëndron mendimi se të gjitha medhhebet ushqehen nga burimi i kulluar i Legjislacionit Islam. Sha‘raniu pranon si të mirëqenë faktin se të gjitha fetvatë e tyre janë të drejta. Për këtë arsye, nuk bën analiza të gjata rreth formës së argumentimit. Ai, pasi i klasifikon fetvatë në dy kategoritë që përmendëm më sipër, mundohet të shpjegojë aspektin e urtësisë që gjendet në to.
Megjithëse keshfi (revelata), zë një vend të rëndësishëm në këtë vepër, parësor mbetet gjithmonë sheriati. Ndërsa revelatën që duhet ndjekur ai e quan keshf sahih (revelatë e saktë, pra që nuk bie ndesh me sheriatin).
El-Mîzânu’l-kubrâ është një vepër që duhet trajtuar më gjatë, por këtë t’ia lëmë një artikulli tjetër.
5. Përfundim
Si përfundim mund të themi që Sha‘raniu është një nga personalitetet me të veçanta që ka parë historia islame. Ka jetuar një jetë me shumë peripeci e vështirësi të të gjitha llojeve, por ai i është mbështetur dijes dhe punës si orientues i urtë i besimtarëve. Kështu të gjithë ne kemi mundësinë të përfitojmë prej shembullit të tij personal dhe trashëgimisë së veprave që ka lënë pas.
Një dijetar që ndjek Kur’anin dhe Sunetin, dhe pavarësisht nga frymat e ndryshme të kohës, ai këmbëngul në këtë akt. Kjo e bën atë sa tradicional, po aq edhe origjinal.
Mesazhi më i rëndësishëm i Sha‘raniut për njerëzit e dijes ka qenë se një person mund të bëhet një sufi i formuar vetëm nëse është një fakih i formuar. Kështu, me veprat e tij ka hapur një horizont të ri për juristët dhe sufistët. I ka treguar njerëzve se si ta jetojnë fenë në mënyrë të përpiktë, duke u treguar gjithnjë të kujdesshëm.
Vlen të theksohet fakti se, pavarësisht se shumica e dijetarëve në përgjithësi është munduar të arrijë tek mendimi i saktë, shpeshherë duke refuzuar të tjerët, Sha‘raniu, me horizontin e tij të gjerë që e karakterizon, ka bërë të kundërtën. Ai ka kuptuar se nuk ka më asnjë sens të thuash që ka gabuar Ebu Hanife, apo Ahmed b. Hanbel, apo kushdo personalitet tjetër qoftë. Ai i fton njerëzit të veprojnë sipas mendimit të njërit prej tyre, duke përzgjedhur kështu mendimin më të saktë sipas tyre, por pa pasur nevojë të thuash që është i vetmi i saktë. E sakta dhe e drejta nuk është e thënë të jetë vetëm një. Zoti qoftë i kënaqur me të!
Allahu di gjithçka më së miri!
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...