Perditësimi i fundit July 2nd, 2024 8:55 AM
Sep 08, 2015 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Pjesa e II-të
Elton Karaj
Universiteti Bedër
Departamenti i Shkencave Islame
Abstrakt
Metoda e Imam Sha‘raniut në zgjidhjen e kontradiktave meriton me të vërtetë një vëmendje të veçantë. Njerëzit, në përgjithësi janë të mendimit që nëse në lidhje me një çështje ka disa fetva të ndryshme, vetëm njëra prej tyre është e saktë dhe gjithsecili është i prirur të mbrojë fetvanë e imamit që ndjek. Ky gjykim të shpie rrjedhimisht në përfundimin se të tjerët kanë gabuar. Kurse Sha‘raniu është i mendimit se çdo imam medhhebi ka të drejtë në fetvanë që ka dhënë. Sipas tij, ideja që vetëm një fetva është e saktë dhe të tjerat janë të gabuara është logjika e atyre që mbrojnë mendimin se sheriati ka ardhur vetëm në një nivel. Kurse sipas tij, sheriati është përcaktuar në dy nivele, njëri teshdid dhe tjetri tahfif.
iv – Personi që nuk e fal dot namazin ulur
Fetvatë rreth çështjes:
Mendimi i Imam Malikut, Ahmed b. Hanbelit dhe Shafiiut: Kush nuk e fal dot namazin ulur, falet duke u shtrirë në një krah, i drejtuar kah kibla. Kush nuk falet dot as kështu, shtrihet në kurriz, duke i drejtuar këmbët kah kibla dhe rukutë e sexhdet i kryen duke lëvizur kokën. Nëse nuk bën dot as këtë, falet duke bërë shenjë me sy.
Mendimi i Imam Ebu Hanifes: Ebu Hanife i bashkëngjitet mendimeve të imamëve të tjerë përveç fjalisë së fundit. Sipas tij, personi që nuk ka mundësi të falet duke lëvizur kokën, nuk e ka më farz namazin.
Vlerësimi i Sha‘raniut:
“Mendimi i parë, i cili është i bazuar mbi kriterin që na tregon hadithi profetik ku thuhet ‘Kur ju urdhërojnë një punë, kryejeni atë me sa të keni mundësi, është mushedded. I dyti është muhaffef. Namazi plotësohet me rukunë dhe ndenjen. Kurse shenja me sy nuk mund ta zëvendësojë rukunë. Sidomos për ata që nuk janë udhëtarë. Këtë mendim e mbështet edhe fakti që, nga të parët tanë të devotshëm, nuk na ka mbërritur asnjë transmetim, ku të thuhet se vendasit mund të falen duke lëvizur vetëm kokën.”
v – Kujdesi në praktikimin e rregullave të texhvidit gjatë leximit të Kur’anit në namaz
Fetvatë rreth çështjes:
Mendimi i disa shafiive: Zbatimi i rregullave të texhvidit si ihfaja, idhhari, tefhimi, terkiku, idgami, etj., është i domosdoshëm.
Mendimi i disa shafiive të tjerë: Zbatimi rigoroz i rregullave të texhvidit nuk është i domosdoshëm, sepse kjo të prish përqendrimin dhe personi nuk arrin të falet me përsosmëri.
Vlerësimi i Sha‘raniut:
“Mendimi i parë është në gradën mushedded, kurse i dyti muhaffef. Mendimi i parë bazohet te hadithi i Profetit (a.s.) ku thuhet: ‘Zbukurojeni Kur’anin me zërat tuaj’. Ky hadith, thekson faktin se zëri i njeriut duhet zbukuruar me Kur’an dhe nuk mund të kuptohet ndryshe. Nuk bëhet fjalë për të zbukuruar këtë tekst nga aspekti i të qenët Kur’an, sepse ai është një nga atributet e pafillimta të Allahut (xh.xh.). Theksi i zbukurimit në këtë thënie, bie mbi leximin tonë dhe jo mbi Kur’anin e Shenjtë. Kështu, zbatimi i rregullave të texhvidit gjatë leximit të pasazheve kur’anore në namaz, është prej veçorive të njerëzve të mëdhenj, sepse kjo nuk ia prish atyre përqendrimin. Kurse moszbatimi rigoroz i këtyre rregullave, është tipar i njerëzve të thjeshtë, sepse kjo vepër ia prish atyre përqendrimin.”
Në librat e texhvidit rregullat e leximit ndahen në dy lloje: rregullat absolute dhe ato relative. Që në krye duhet theksuar fakti që zbatimi rigoroz i çdolloj rregulli të texhvidit është unanimisht vaxhib.
Ndërkohë që në lidhje me këtë çështje gjendet një detaj i rëndësishëm. Në rast se lexuesi nuk zbaton rregullat absolute, lind një gabim, që mund të ndryshojë kuptimin e fjalës. Ndryshimi i kuptimit të fjalës është shkak për prishjen e namazit. Por, në rast se nuk zbatohen rregullat relative, lind një gabim, që në përgjithësi nuk e dëmton namazin. Edhe Imam Sha‘raniu, ka përmendur rregullat si ihfaja, idhhari, tefhimi, terkiku, idgami, të cilat gjenden në grupin e rregullave relative. Kështu që, nëse njerëzit e thjeshtë nuk i zbatojnë këto rregulla për shkak të pamundësisë, namazi nuk i prishet me leje të Allahut Dhulxhelal.
vi – Koha e nijetit në namaz
Fetvatë rreth çështjes:
Mendimi i Imam Ebu Hanifes dhe Imam Ahmed b. Hanbelit: Lejohet që nijeti të shprehet pak para tekbirit fillestar.
Mendimi i Imam Malikut dhe Imam Shafiiut: Koha e nijetit duhet të përputhet me tekbirin fillestar, prandaj kryerja e tij përpara ose pas tekbirit nuk është e mjaftueshme.
Mendimi i Kaffâl-it, një prej imamëve shafii: Ndoshta ideja është që nëse nijeti i bashkëngjitet tekbirit fillestar, namazi ka nisur.
Mendimi i Imam Neueuiut: Pak a shumë i bashkëngjitet idesë së dy imamëve të parë, duke thënë: “Nëse personi nuk është i pavetëdijshëm saqë të mos dallojë cilin namaz është duke nisur, atëherë mjafton afërsia tradicionale”. Kështu përzgjedh më të lehtën për popullin.
Vlerësimi i Sha‘raniut:
“Vlerësimi i parë është muhaffef, kurse i dyti mushedded. Tek i treti gjendet përsëri pak teshdid. Shkaku që dy imamët e parë nuk këmbëngulin në përputhshmërinë kohore të nijetit me tekbirin fillestar, është se nuk gjendet asnjë argument juridiko-fetar ku të bazohet mendimi. Profeti (a.s.) nga njerëzit dëgjonte vetëm tekbirin dhe nuk kishte mundësi të kuptonte se kur e bënin nijetin. Kurse mendimi i dytë mund të shpjegohet kështu: tekbiri është shtylla e parë e dukshme e namazit, dhe pa ndërtesë nuk mund të ketë shtylla. Personi që fal namaz, në momentin e tekbirit fillestar, kalon nëpër mend veprimet dhe fjalët e këtij adhurimi. Kurse mendimet e Kaffalit dhe Imam Neueuiut janë lehtësim për njerëzit e thjeshtë. Dhe kjo mund të shpjegohet kështu: kush e ka dimensionin shpirtëror më të thellë sesa ai material, mund ta ndiejë në shpirt namazin e tij, që me nijetin e parë, për shkak të delikatesës spirituale që ka. Kurse personat, dimensioni material i të cilëve mbizotëron përballë dimensionit shpirtëror, e kanë më të vështirë të arrijnë përqendrimin ideal, që me nijetin e parë, për shkak të trashësisë së perdes që gjendet në syrin e tyre. Mendimi i parë është për hauasët, kurse i dyti për auamët.”
Këtu, Imam Sha‘raniu, i ka klasifikuar fetvatë duke pasur parasysh mangësitë dhe nevojat njerëzve. D.m.th., njerëzit e thjeshtë kanë nevojë të ndiejnë namazin. Prandaj, nëse nijetin e bëjnë njëkohësisht me tekbirin fillestar, mund të arrijnë një përqendrim më të lartë në namaz.
3. Mufassal
Mufassal e ka prejardhjen nga rrënja f-s-l, që do të thotë të ndash dy gjëra nga njëra-tjetra. Është në trajtën ismi meful nga forma tef‘îl. Tafsil do të thotë të qartësosh, të detajosh. Sipas kësaj, mufassal, do të thotë e qartësuar, e detajuar. Njëkohësisht, mufassal, quhet edhe grupi i sureve kur’anore duke nisur nga surja Kaf deri në fund të Kur’anit.
Sha‘raniu termin mufassal e përdor më tepër në kuptimin e detajimit. Mufassali nuk është një nivel i tretë. Nëse fetvaja e një imami apo medhhebi ndryshon në varësi të rrethanave, ajo është quajtur mufassal. Për këtë arsye mufassal mund të gjendet si në nivelin teshdid, po ashtu edhe në nivelin tahfif.
3.1. Shembuj
i – Fërkimi mbi çorape
Fetvatë rreth çështjes:
Mendimi i Imam Ebu Hanifes, Shafiiut dhe Malik b. Enesit: Nëse çorapja nuk është prej lëkure nuk mund të përdoret si mest, pra nuk lejohet të bëhet mes’h (fërkim) mbi të.
Mendimi i Imam Ahmed b. Hanbelit: Nëse çorapja është e punuar trashë dhe nuk është aq e hollë sa të tregojë këmbën, atëherë mund të përdoret si mest, pavarësisht se nuk është prej lëkure.
Vlerësimi i Sha‘raniut:
“Mendimi i parë është në nivelin teshdid, kurse i dyti mufassal. Këtu çështja është e kushtëzuar nga emërtimi i asaj ç’ka veshim. Nëse çorapja e veshur hyn në kategorinë e mestit, pra mund të quhet mest, atëherë lejohet edhe mes’hi mbi të.”
Siç thamë më sipër, mufassali nuk është një nivel i tretë. Duke marrë parasysh shembujt e tjerë, kuptohet qartë që mufassali këtu është në nivelin e tahfifit. Pra mendimi i parë është mushedded, kurse i dyti muhaffef mufassal. Me termin mufassal nënkuptohet vetëm që vlerësimi është në vartësi të rrethanave, siç thuhet edhe te shembulli i mësipërm.
ii – Namazet kaza të personit që i ka rënë të fikët
Fetvatë rreth çështjes:
Mendimi i Imam Malikut dhe Shafiiut: Personi, që humb vetëdijen duke i rënë të fikët për shkaqe jo të ndaluara (mubah), nuk ka detyrim t’i falë namazet që ka humbur gjatë kohës që ka qenë i pavetëdijshëm.
Mendimi i Imam Ebu Hanifes: Nëse periudha e humbjen së vetëdijes zgjat më pak se një ditë, atëherë personi duhet t’i falë kazatë. Nëse zgjat më tepër se një ditë, atëherë nuk ka detyrim t’i falë namazet që ka humbur.
Mendimi i Imam Ahmedit: Humbja e vetëdijes nuk është pengesë për detyrueshmërinë e namazeve kaza.
Vlerësimi i Sha‘raniut:
“Mendimi i parë është muhaffef, i dyti mufassal kurse i treti mushedded. Argumenti ku bazohet mendimi i parë është se personi nuk quhet përgjegjës fetarisht për sa kohë që është i pavetëdijshëm. Argumentimi i mendimit të dytë është se nëse humbja e vetëdijes zgjat një ditë e një natë, kazatë falen, pra kemi të bëjmë me një lloj parambrojtjeje. Këtu, në rast se humbja e vetëdijes zgjat një natë e një ditë, kemi të bëjmë me një vështirësi të lehtë që i ngarkohet individit. Por, ngarkesa e më tepër se një dite namaze kaza, do të ishte e tepërt. Kurse në mendimin e tretë, vërejmë një parambrojtje të përsosur. Argumentimi bëhet duke u bazuar në urdhrin, që, në kiamet, prej gjithsecilit namazet do t’i kërkohen të plotë.
Në fakt, të gjithë mendimet kanë një logjikë të shëndoshë. Vetëm se, dijetarëve dhe njerëzve të mëdhenj, i shkon për shtat detyrueshmëria e namazeve kaza. Ndërsa lehtësimi në braktisjen e namazeve kaza, është vepër e auamit.”
Këtu vërejmë, që mendimi mufassal është më afër muhaffefit. Sha‘raniu fetvatë e përcaktuara pa kushte i ka klasifikuar në dy kategori: mushedded ose muhaffef, kurse fetvatë e përcaktuara sipas kushteve i ka renditur në kategorinë mufassal, sepse, edhe sipas Ebu Hanifes ekziston vetëm një fetva, vetëm se ajo është e lidhur me një kusht të caktuar. Në rast se humbja e vetëdijes zgjat maksimumi një ditë e një natë, atëherë veprohet me mendimin mushedded. Por, nëse zgjat më tepër se 24 orë, atëherë veprohet sipas mendimit muhaffef. Kështu, fetvaja e tij, renditet në kategorinë mufassal.
4. Metoda El-Mizan në hadithet profetike
Sha‘raniu, të njëjtën metodë e ka përdorur edhe për të zgjidhur kontradiktat ndërmjet haditheve profetike. Në fakt, kjo ngjason shumë me metodën xhem‘ dhe te’lif, të metodologjitë së hadithit. Pra, hadithet që në plan të parë duken sikur bien ndesh me njëri-tjetrin, i përshtat për raste të ndryshme.
Imam Sha‘raniu, për të zgjidhur këto lloj kontradiktash, përzgjedh mendimin e Imam Shafiiut, i cili thotë: “T’i përshtatësh dy hadithe për dy rrethana të ndryshme, është më mirë sesa të refuzosh njërin prej tyre”. Kështu, ai nuk merr njërin hadith dhe refuzon tjetrin, duke u munduar të tregojë dobësinë e tij. Njërin hadith e rendit në nivelin mushedded, e tjetrin në atë muhaffef.
Duke pasur parasysh që tema jonë kryesore nuk është metoda e Sha‘raniut në klasifikimin e haditheve, do të japim dy shembuj thjesht për të dhënë një ide të përgjithshme në lidhje me çështjen.
4.1. Shembuj
i – Të shprehësh Besmelenë në krye të abdesit
Hadithet në lidhje me çështjen:
Bejhakiu transmeton në gradën merfu‘ se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk quhet abdesi i personit, që nuk shpreh emrin e Allahut përpara se të marrë abdes”.
Në të njëjtën kohë transmeton edhe këtë hadith: “Namazi juaj, s’ka për të qenë i plotë, përderisa të mos merrni një abdes të plotë, siç ka urdhëruar Allahu Teala”.
Vlerësimi i Sha‘raniut:
“‘Siç ka urdhëruar Allahu’, do të thotë: ‘Siç ka urdhëruar në Kur’an’. Ndërkohë që, Allahu i Madhëruar, kur shpjegon dhe urdhëron abdesin në Kur’an, nuk e përmend Besmelenë. Atëherë, sipas hadithit të parë, abdesi ose nuk quhet, ose quhet, por jo i përsosur. Kështu që, në hadithin e parë kemi teshdid, kurse tek i dyti tahfif.”
ii – Të rimarrësh ujë për fërkimin e veshëve
Hadithet në lidhje me çështjen:
Bejhakiu na rrëfen një hadith të transmetuar nga Ibn Abasi (r.a): Ibn Abasi (r.a) merrte ujë me pëllëmbë, i shkundte duart, fërkonte flokët dhe veshët, e pastaj thoshte: ‘Kështu merrte abdes Profeti (a.s.)’.
Përsëri Bejhakiu na rrëfen një hadith të transmetuar nga Abdullah b. Zejd (r.a.): “I Dërguari i Allahut (a.s.), pasi fërkonte kokën, merrte përsëri ujë për të fërkuar veshët”.
Ibn Omeri (r.a.) i zhyste duart në ujë, enkas për të fërkuar veshët.
Vlerësimi i Sha‘raniut:
“Në hadithin e parë kemi tahfif, kurse në veprimin e Ibn Omerit (r.a.) kemi teshdid”.
Është shumë e qartë, që Imam Sha‘raniu i kushton shumë rëndësi edhe kontradiktave mes haditheve, sepse nga 113 faqe që zgjat pjesa e hyrjes, 32 prej tyre, ia ka kushtuar pikërisht kësaj çështjeje, duke dhënë shembuj nga shumë tema juridiko-fetare.
Përfundim
Diversiteti dhe kriticizmi, që janë ndjenja të natyrshme të njeriut, shpeshherë janë bërë shkak për debate të rënda mes njerëzve. Por, nuk duhet harruar fakti që ne jemi krijesa të pajisura me arsye dhe që janë dërguar në tokë për të jetuar si vëllezër me njëri-tjetrin. Ndërkohë, historia na mëson se mosmarrëveshjet dhe grindjet nuk kanë sjellë asnjëherë paqe dhe vëllazëri. Atëherë, duhet të bëjmë të mundur që prej këtyre kontradiktave, diversiteteve dhe grindjeve, që janë një aspekt i pandashëm i njeriut, të nxjerrim mësime të vlefshme për të ardhmen.
Nga studimi ynë, rezulton se imami i madh, Abduluehhab Esh-Sha‘rani, është munduar pikërisht të arrijë këtë kompromis në veprën e tij El-Mizan.
Megjithëse në tekstet hyjnore, dijetarët kanë arritur një konsensus të përgjithshëm, në ndërthurjen e fetvave vërejmë probleme të mëdha. Imam Sha‘raniu fokusohet te kjo çështje dhe mundohet që të arrijë një pajtim.
Gjatë gjithë kësaj vepre, Sha‘raniu, duke tërhequr vëmendjen tek aspektet pozitive të kontradiktave dhe te respekti që duhet të kemi ndaj imamëve, thekson se çdo kontradiktë, si ato mes haditheve e si ato mes fetvave, mund të zgjidhen me anë të metodës El-Mizan, pa kritikuar e ofenduar askënd. Madje këtë e ka vërtetuar edhe praktikisht.
Sipas Sha‘raniut, nuk mund të themi që imamët e tjerë e kanë gabim, duke u bazuar në idenë se imami që ne ndjekim bazohet në burimin e kulluar të sheriatit, sepse çdo imam e bën këtë. Nuk gjendet një imam, që të japë fetva në kundërshtim me burimin e kulluar të sheriatit. Prandaj metoda El-Mizan, na orienton drejt mendimit më të saktë, por jo të vetmit të saktë.
Në momentin që kjo metodë aplikohet edhe te hadithet, që duken sikur bien ndesh me njëri-tjetrin, do të dallojmë, që nuk bëhet fjalë për kontradikta, por për vlerësime të gjendjeve të ndryshme, të ndodhura në rrethana të ndryshme. Gjithsecili aplikon hadithin që përshtatet më tepër me rastin e tij.
Sha‘raniu nuk ka një frymë përjashtuese. Përkundrazi, ai përkrah një metodë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive. Në këtë formë, ai nuk neglizhon as tekstet hyjnore, e as fetvatë e imamëve.
Metoda e tij, na mëson që tekstet t’i analizojmë në këndvështrime të ndryshme. Ai na tregon, që, krahas ngjyrës së zezë dhe të bardhë, gjenden edhe nocionet gri. Madje këto të fundit janë shumë më tepër.
Sha‘raniu, na mëson që t’i shohim çështjet në bazë të zgjidhjes dhe që kontradiktat mes fetvave të imamëve duhen parë në perspektivën e filozofisë së diversiteteve dhe jo thjesht si kontradikta juridike.
Gjithashtu, personave që bëjnë vazhdimisht pyetjen “Libri hyjnor është një, Profeti (a.s.) gjithashtu është një. Si është e mundur që medhhebet janë më tepër se një?”, i mëson se si ta jetojnë fenë e tyre në një mënyrë më të shëndetshme e më të kujdesshme.
Allahu di gjithçka më së miri!
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Jul 02, 2024 0
Mr. Habib Ebibi Hyrje Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...