Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 21, 2015 Zani i Nalte Mjekësi 0
Prof. Dr. Tarik Habib
Universiteti i Rijadit, Arabi Saudite
Për një kohë të gjatë psikiatria ka qenë një sferë e rrahur nga filozofët, të urtët dhe njerëzit e kishës. Më vonë ajo u bë një nga degët e filozofisë. Islami, falë sistemit të tij gjithëpërfshirës për jetën shpirtërore, sociale, ekonomike, politike etj., ka kontribuar edhe për saktësimin e këndvështrimit të njerëzve ndaj shpirtit njerëzor, duke i përmendur disa nga të fshehtat e tij.
Kur’ani përmban përshkrime të përmbledhura të natyrës njerëzore dhe ofron receta për mirëmbajtjen dhe trajtimin e saj. Ai flet edhe mbi disa të fshehta të botës së brendshme të njeriut dhe të botës përreth, duke i bërë thirrje për studim me qëllim që të shtojë dijet dhe, për rrjedhojë, të ndjekë drejtimin e duhur në jetë. Paralelisht me Kur’anin, edhe tradita profetike i është qasur botës së brendshme të njeriut, duke shtjelluar shumë gjëra të përgjithshme të Kur’anit.
Vetë dijetarët myslimanë kanë dhënë një kontribut goxha të vyer në studimet e tyre psikologjike, por që nuk kanë pasur vëmendjen e ekspertëve të studimeve psikike, të cilët sikur kanë mbyllur sytë ndaj kontributit të dijetarëve myslimanë në këtë drejtim. Kjo edhe pse shumë prej tyre janë përkthyer në gjuhën latine dhe kanë pasur ndikim të madh te mendimtarët evropianë, sidomos gjatë mesjetës dhe në fillimet e rilindjes evropiane.
Xhorxh Mora, duke përshkruar lulëzimin e psikiatrisë, thotë: “Qëndrimi i arabëve ndaj të sëmurëve mendorë ishte më human, gjë që pati ndikim edhe në formimin e këndvështrimit evropian ndaj tyre. Në të vërtetë, informacionet e besueshme rreth qëndrimit që mbanin arabët karshi të sëmurëve mendorë janë relativisht të pakta. Në shekullin e tetë, në Bagdad u hapën shumë spitale për të sëmurët mendorë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Damask një shekull më pas dhe në Kajro në shekullin e 13. Në shekullin e 12, kronikanët udhëtarë që ktheheshin në Evropë nga vendet arabe përshkruanin trajtimin që merrnin të sëmurët mendorë në qendrat e ndryshme të trajtimit, duke folur me detaje mbi mjedisin relaksues ku hospitalizoheshin, flisnin për shatërvanët e ujit, lulishtet plot gjelbërim, banjat, ilaçet, parfumet, ushqimin etj…”
Më tej ai shton: “Për çdo spital gjendej dhe një klinikë e jashtme dhe një shkollë mjekësore. Trajtimi ofrohej për të pasurit dhe të varfrit njëlloj. Mesa duket, shumica e pacientëve vuanin nga psikoza maniako-depresive.”
Dr. Selim Amar thotë: “Islami u shpall në një rajon i cili konsiderohet si kryqëzim i civilizimeve të lashta. Ai e ringjalli trashëgiminë shkencore dhe filozofike greke, bizantine, perse, asiriane etj., dhe falë vlerave shpirtërore dhe morale që përcjell, i transformoi arabët nga popull beduinë endacakë që adhuronin idhujt, në popull që ftonin në pastërti shpirtërore dhe mirëqenie të jetës. Në këtë kuadër, mjekësia shpirtërore hodhi hapa gjigantë. Mjekët arabë ishin shumë të dhënë pas eksperimenteve empirike, gjë e cila i bëri mjeshtra në pikëpamjet dhe teoritë gjithëpërfshirëse, si ato psikosomatike. Kur’ani ishte motivi më i madh i kësaj lëvizjeje rilindëse dhe civilizuese, pasi ai solli ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat e jetës sociale. Në shumë pasazhe Kur’ani nxit për t’iu gjendur pranë të sëmurëve fizikë dhe mendorë, duke treguar dhe mënyrën e menaxhimit të pasurive të tyre. Falë doktrinës islame, e cila e çliroi mendimin, mendimtarët dhe mjekët arabë arritën t’i zhvillojnë shkencat dhe filozofinë greke, duke u shtuar atyre shumë shpikje dhe duke i dekoruar me vlerat morale, sociale dhe fetare.
Karakteristikat kryesore të kësaj periudhe ishin: ngritja e spitaleve mendore, shkrimi i veprave dhe hedhja e tezave teorike të ndryshme.
Transmetohet se në vitin 93 hixhri, kalifi omejad Elvelid bin Abdul Melik, ngriti Bimaristanin (spitalin) e parë për të sëmurët mendorë. Brenda ambienteve të spitalit të sëmurëve u ishin siguruar të gjitha kushtet e nevojshme.
Në vitin 151 hixhri abasidët hapën pavionin e parë të specializuar për sëmundjet mendore në Bagdad, traditë e cila filloi të përhapej në të gjitha qendrat urbane të vendeve islame, nga lindja në perëndim, ku më i njohuri ishte spitali Kalavun në Egjipt.
Në shekullin e nëntë sipas kalendarit gregorian, qyteti Kajravan në Afrikën Veriore konsiderohej si kryeqyteti i dijes, shkencës dhe civilizimit. Aty ishte një nga spitalet më të mirë për të sëmurët mendorë, përvojë e cila më pas u zgjerua edhe në Sosa, Safakish dhe në Tunizi. Sadakatë jepeshin edhe për të sëmurët mendorë, duke ofruar për ta kushtet më optimale.
Në shekullin e katërmbëdhjetë, spitali Kalavun në Kajro shërbente si model për nga shërbimet që ofroheshin për shëndetin mendor. Ai përbëhej nga katër pavione të ndara nga njëri-tjetri, pavioni i kirurgjisë, syve, sëmundjeve të brendshme dhe sëmundjeve mendore.
Donacionet e majme që ofronin pasanikët në Kajro i mundësonin spitalit të ofrojë nivelet më të larta të përkujdesit mjekësor dhe ndjekjes së fazave të sëmundjes derisa pacienti t’i kthehej jetës së tij normale.
Dy ishin karakteristikat që të bëjnë përshtypje të spitaleve të asaj kohe:
Për çdo të sëmurë caktoheshin dy shoqërues dhe një numër mjekësh të përzgjedhur me kujdes nga vendet e lindjes. Të sëmurët që vuanin nga çrregullimet e gjumit izoloheshin në dhoma të veçanta dhe u dërgoheshin rregullisht persona që u tregonin histori dhe ngjarje nga më të ndryshmet, gjë e cila i ndihmonte të zhyten qetësisht në gjumë.
Kur një i sëmurë përmirësohej në nivelet e kënaqshme, ai e linte spitalin dhe i jepeshin pesë monedha floriri.
Gjatë dinastisë selxhuke dhe më pas në Perandorinë Osmane, u ndërtuan shumë qendra trajtimi rreth xhamive, të cilat u përngjasojnë qendrave të shëndetit mendor që janë ngritur në kohët moderne. Ato quheshin “Teqe” dhe vazhduan funksionin e tyre trajtues për shekuj me radhë. Njëkohësisht u ndërtuan dhe një sërë spitalesh në të katër anët e Perandorisë Osmane. Spitali mendor i sulltanit Sulejman Kanuni ishte spitali më i mirë në rang botëror për kohën.
Dijetarë myslimanë si Kindij, Ebu Bekr Razi, Moskavej, Ibnu Hazmi, Gazali, Fahrudin Razi, Ibnu Tejmije dhe Ibnul Kajjim, u kanë paraprirë terapistëve modernë lidhur me terapinë konjitivo-bihejviorale, e cila fokusohet te ndryshimi i mendimeve dhe besimeve të gabuara të individit, pasi mendimet dhe besimet e tij ndikojnë në sjellje.
Prandaj vlen që këta dijetarë myslimanë të konsiderohen si flamurtarë të terapisë moderne konjitivo-bihejviorale.
Ibnu Hazmi, Gazali, Fahrudin Razi, Ibnu Tejmije dhe Ibnul Kajjim treguan vëmendje për trajtimin e sjelljeve të papërshtatshme apo veseve të këqija, me të kundërtën e tyre, një metodë kjo e cila ndiqet nga terapistët bihejvioralë të kohëve moderne për trajtimin e disa çrregullimeve pjellore, si frika dhe ankthi.
Ibnu Sina ka zbuluar disa teori të cilat nuk janë shkoqitur dhe shtjelluar veçse nga shkencëtarët modernë. Ai e shpjegonte dukurinë e harresës me mbivendosjen e informacioneve, gjë e cila nuk është arritur nga shkencëtarët veçse në fillimet e shekullit të njëzetë, pas studimit që kreu Jenkinz në vitin 1924. Ai zbuloi se harresa nuk ndodh për shkak të kalimit të viteve pa i përdorur informacionet, por ndodh për shkak të angazhimeve të njeriut dhe shtimit të aktivitetit të tij, gjë e cila çon në mbivendosje të informacioneve të reja me ato të shkuarat.
Ibnu Sina dhe Farabi u kanë paraprirë shkencëtarëve modernë lidhur me shkaqet kryesore që çojnë në shfaqjen e ëndrrave. Sipas tyre, ëndrrat shkaktohen nga ndikimi i disa ngacmuesve shqisorë që vijnë si nga jashtë, ashtu dhe nga brenda trupit. Ata kanë folur edhe për simbolikën e ëndrrave dhe rolin e tyre në përmbushjen e disa nevojave.
Në librin e tij “Rizgjimi i shkencave islame”, Gazali ofron informacione të vyera rreth studimit të sjelljes, motiveve, reagimeve, ndjenjave… dhe rolit të tyre në edukim. Ai tregon interes të madh për motivet dhe kontrollin e vetes për të cilat këshillon që të forcohen duke krijuar zakone pozitive.
Krahasuar me shumë shkencëtarë dhe dijetarë të tjerë myslimanë, Gazali dallohet për forcën e logjikës dhe të fesë paralelisht. Ai nuk e studioi botën e brendshme të njeriut (shpirtin) ashtu siç e kishin studiuar shumë të tjerë, si një nga temat e filozofisë, pro e studioi si një shteg dhe rrugë që të çon drejt njohjes së madhështisë hyjnore.
Në Kajravan, gjithashtu, lulëzoi shkolla mjekësore ku një nga flamurtarët e saj ishte Is’hak ibnu Imran, i cili shkroi katërmbëdhjetë volume, nga të cilat gjendet vetëm volumi mbi melankolinë. Libri në fjalë përbëhet nga dy kapituj, ku i pari trajton përkufizimin e sëmundjes, shkaqet dhe format si shfaqet. Lidhur me shkaqet e sëmundjes, autori thotë se ajo shfaqet kur njeriu humbet një person të dashur, apo kur humbet diçka të shtrenjtë. Pra është diçka e ngjashme me teorinë psikoanalitike. Kurse në kapitullin e dytë të librit, gjejmë metodat e trajtimit të cilat njihen sot dhe që mund t’i radhisim:
Ebu Xhafer El-Xhezzar konsiderohet një nga dijetarët më të mëdhenj të kohës së tij në vendet e Magrebit (Afrikës Veriore). Ai besonte në ndërveprimin e fuqishëm mes trupit dhe shpirtit dhe pati shkruar dhe një broshurë mbi shpirtin dhe debatet rreth tij.
Pas përfundimit të epokës së Shtëpisë së Urtësisë në Kajravan, profesionin e mjekësisë e mori në dorë një familje mjekësh sicilianë shumë të shquar. Kjo ndodhi nga fundi i shekullit të njëmbëdhjetë dhe zgjati deri në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë sipas kalendarit gregorian, veçanërisht gjatë lulëzimit të dinastisë Hafsije. Mjekët e kësaj shkolle u shquan për kërkimet dhe mjekimet, prej tyre mund të veçojmë: Ahmed Sikilij, Muhamed ibnu Uthman Sikilij, i cili në librin e tij shtjellon gjumin, gjendjen zgjuar, ëndrrat, trembjen, makthin dhe iluzionet. Ai ka trajtuar sëmundjen e epilepsisë dhe është marrë dhe me simptomat e atakut të panikut.
Me gjithë famën e kirurgut Ebu Kasim Zehravij në fushën e kirurgjisë dhe farmacisë, në librin e tij “Ettasrif limen axhize ani telif” flet edhe për rregullat e edukimit, si formohet vesi dhe karakteri te fëmija, vështirësitë dhe lehtësitë e edukimit etj.
Juristi, historiani dhe filozofi imam Ibnu Hazmi ka lënë vepra edhe në fushën e psikologjisë. Ai flet për lëngjet, për humorin, sjelljen, ndikimin e faktorëve mjedisorë dhe socialë në formimin e njeriut. Në mënyrë të dukshme ai ka folur për rolin e fesë në orientimin e sjelljeve të individit dhe ndikimin që ajo ka tek emocionet e tij. Shkencëtarët myslimanë i kanë trajtuar teoritë e tyre në vepra voluminoze, disa prej të cilave i kalojnë njëqind syresh, por që, për fat të keq, te ne nuk ka mbërritur veçse një pjesë shumë e vogël e tyre.
Dihet që civilizimi islam, në aspektin shkencor ka përfituar shumë nga civilizimi grek, por ajo që duhet theksuar është se feja në civilizimin grek nuk ka shërbyer si baza e shkencave, referencë dhe fanar ndriçues i dijes siç ishte në civilizimin islam.
Ndërkohë që mjekësia dhe shërbimet e shëndetit mendor në botën islame ishin në kulmin e lulëzimit, në Evropë personat me probleme mendore digjeshin, sepse besohej se ishin pushtuar nga djajtë.
Mungesa e përpjekjeve për studim dhe kërkime shkencore brenda trurit të individit me çrregullime mendore në Evropë mund të interpretohet me mungesën shkencore të mjaftueshme për kësi kërkimesh dhe studimesh. Ndoshta dhe pushteti fetar ka luajtur rolin e tij që kjo fushë të mos zhvillohej.
Përktheu Elmaz Fida
Marrë nga Revista Hira, nr. 41, viti IX (mars – prill), Stamboll, Turqi, 2014:16-19.
Spitali el-Adudi, Bagdad, shekulli IX.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Mar 21, 2018 0
Sep 02, 2015 0
Jun 08, 2015 0
Nov 07, 2014 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...