Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 23, 2015 Zani i Nalte Studime 0
nga Besnik Mustafaj
Jam shumë i nderuar që kam në dorë këtë libër dhe e kam lexuar më vëmendjen që meriton. Besoj se është rasti të theksojmë rëndësinë e një pune sistematike që po bën prej disa vitesh Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për ringjalljen e kujtesës. Dhe kujtesa ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe komplekse. Ringjallja e saj sot është një lloj kontributi jo vetëm për Komunitetin Mysliman, por edhe për kombin dhe në mënyrë të veçantë për brezat e rinj.
Është një gjë shumë e rëndësishme ringjallja e kujtesës së kontributit të Komunitetit Mysliman, personaliteteve të tij, në shërbim, në radhë të parë të Komunitetit Mysliman, por edhe në krijimin e një koncepti shumë të qartë tashmë se interesat e Komunitetit Mysliman janë të pashkëputura nga interesat e kombit, të pashkëputura nga interesat e atdheut dhe vetëm kështu Komuniteti Mysliman në Shqipëri ka një të ardhme, feja vetë, Islami në Shqipëri ka një të ardhme kur e shikon veten të pashkëputur nga interesat e kombit, dhe se kjo e ardhme ka të bëjë me modernizimin e mendjes në radhë të parë, dhe pastaj të gjithë jetës shpirtërore.
Haxhi Vehbi Dibra është një personalitet themeltar i këtij koncepti, sepse, nëse e shohim në konceptin e përgjithshëm të historisë, këta shënuan momentin e shkëputjes administrative nëse mund të quhet kështu, të Komunitetit Mysliman nga një komunitet i madh mysliman, siç ishte Perandoria Osmane, në një komunitet me identitet kombëtar, që nuk do të thotë se Islami u bë shqiptar, por shqiptarët u bënë myslimanë, duke qenë në dheun e tyre, në shtetin e tyre dhe në interesat e tyre evropiane, ku ndërthuren objektivat jo vetëm të myslimanëve, por edhe të krishterëve dhe komuniteteve të tjera.
Kështu që ky botim është i rëndësishëm për të hedhur dritë mbi personalitetin e Haxhi Vehbi Dibrës, i cili në këtë mënyrë mund të thuhet se ishte nga të parët që përcolli tekst shqiptar në mënyrë shumë të qartë, atë mësim të Profetit se feja dhe atdheu janë të pandara. Interesat e fesë dhe të atdheut janë të pandara, dhe ne këtë e shohim në shpjegimet dhe interpretimet që i bën Kur’anit, që janë të përfshira në këtë libër dhe ua rekomandoj në mënyrë të veçantë të rinjve, ta lexojnë këtë libër si pjesë të kulturës universale dhe jo thjesht si pjesë të kulturës fetare që mund të marrin.
Fakti që ne kemi sot këtë realitet, pra një bashkëjetesë fetare normale, është në një farë mënyre meritë edhe e Haxhi Vehbi Dibrës dhe bashkëkohësve të tij para njëqind e ca vjetësh. Sepse kur në vitin 1937 ndërroi jetë Haxhi Vehbi Dibra, fjalimin kryesor në atë ceremoni e ka mbajtur Visarion Xhuvani, kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i cili e quan shok dhe vëlla. Pra, nëse Haxhi Vehbi Dibra nuk do e kishte bërë me jetën e tij, me veprën e tij, me mençurinë e tij atë që ka bërë nuk do ndjehej i detyruar kryetari i Komunitetit të Krishterë-Ortodoks të bënte pohime të tilla, sidomos po të kemi parasysh konceptin e asaj kohe. Ne sot kemi për detyrë që këtë trashëgimi të Haxhi Vehbi Dibrës, apo të Visarion Xhuvanit, e shumë të tjerë të kësaj natyre ta çojmë përpara.
Substancë e këtij botimi janë një numër predikimesh të Haxhi Vehbi Dibrës, të cilat sikur i shohim në indeksin në fund të botimit përfshijnë periudhën mars 1932-gusht 1935. Pra, pak më shumë se tri vjet. Pse ka rëndësi ky libër? Unë nuk mund të marr përsipër të interpretoj apo të jap mendime mbi vërtetësinë e shpjegimeve që bën për Kur’anin Haxhi Vehbi Dibra sepse nuk kam tagër, nuk kam aq kulturë sa të hyj në këtë lloj gjykimi. Por, do të them se eksperienca ime, qoftë në fushën e letrave, qoftë në fushën e politikës më lejon të bëj dy-tre interpretime, lidhur me arsyet pse e ka bërë Haxhi Vehbi Dibra këtë gjë në atë periudhë. Fillimi i viteve ’30 në kontekstin e përgjithshëm të shtetit shqiptar shënon një konsolidim, shënon një gjallërim dhe një lloj modernizimi të të gjithë shoqërisë, pra edhe lindjen e një debati të vërtetë intelektual, i cili kishte të bënte me çfarë rruge do të ndjekë Shqipëria.
Tirana në atë kohë ishte një qytet i hapur krahas një fryme të përgjithshme tek intelektualët e interesave kombëtare, kishin filluar të futeshin idetë komuniste, idetë fashiste si në çdo kryeqytet të Evropës së asaj periudhe. Dhe kishte zëra mjaft të zhurmshëm të cilët donin ta kompleksonin Komunitetin Mysliman, donin t’i kompleksonin myslimanët duke i quajtur si trashëgimtarë të një periudhe të kaluar që pengonte Shqipërinë të zinte vendin e vet në Bashkësinë Evropiane. Haxhi Vehbi Dibra, jo thjesht si kryetar i Komunitetit Mysliman, por si një mendje e ndritur, ndërmerr këtë punë gjigande për t’iu thënë shqiptarëve, në radhë të parë në xhami, pastaj edhe të botuara, se pikërisht Kur’ani, pikërisht feja islame është e aftë të bëhet një pjesë e rëndësishme motorike në ringjalljen morale të shqiptarëve, e cila ishte dhe vija e gjithë debatit intelektual që zhvillohej në Tiranë. Nuk ishte një debat shumë i thjeshtë apo arkaik, sepse bëhej nga njerëz shumë të mençur dhe të shkolluar mirë nëpër universitete të mëdha. Këtë Haxhi Vehbi Dibra e thotë me një kompetencë intelektuali të vërtetë, se ringritja e moralit të shqiptarit është një objektiv të cilin “Islami shqiptar”, Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe institucionet myslimane shqiptare e ndërmarrin me seriozitet dhe e çojnë përpara. Po të shohim të gjitha predikimet mbyllen me thirrjen kur’anore, profetike, që shqiptari të futet në rrugën e mbarë. Nuk është e rastit që kjo përsëritet në fund të çdo predikimi që kemi këtu. Ato kapituj apo sure që zgjedh për të interpretuar Haxhi Vehbi Dibra, janë interesante për t’u parë. Ai në radhë të parë zgjedh cilësitë e karakterit. Shqiptari për t’u ringritur moralisht duhet të ruajë vetëm cilësi të mira dhe t’i pasurojë ato. Këtu ka parasysh ndershmërinë, që është shumë e rëndësishme dhe e thekson disa herë në të gjitha pamjet e veta, në raport me pronën, në raport me gruan, apo në raport me shumë aspekte të tjera. E dyta është dituria. Ai, si një burrë shumë i ditur që ishte, e kishte të qartë se pa një zhvillim të sistemit të diturisë nuk mund të ngrihet morali i shqiptarit. Ai përjashton çdo kontradiktë, siç përpiqeshin shumë zëra ta thoshin, nuk gjen asnjë kontradiktë midis Kur’anit, besimit në Islam dhe një diturie moderne. Por, thotë se Kur’ani na mëson se duhet që të gjithë të bëheni të ditur.
E treta është dashuria për vendin. Një rrymë e Islamit të asaj kohe ishte që shqiptarët si myslimanë duhet të ishin të pashkëputur nga Turqia. Ende në vitet ’30, edhe pse ishte i zbehur, ekzistonte ky lloj koncepti filozofik, sepse organizativisht tashmë ishte e strukturuar organizata e Komunitetit Mysliman.
Solidariteti dhe dashuria për tjetrin. Ata ishin ekonomikisht më në halle sesa të tjerët rreth e rrotull, por, edhe për arsye të përbërjes multikonfesionale të kombit ndjenja e solidaritetit dhe dashurisë për tjetrin, përtej përkatësisë së besimit ishte shumë e rëndësishme të theksohej. Këtë gjë, Haxhi Vehbi Dibra si një enciklopedist i madh, jo vetëm si teolog e gjen pikërisht në Kur’an këtë mësim dhe e interpreton për t’ua dhënë shqiptarëve.
Si nevojë dhe mbështetje për ringritjen e moralit te shqiptarët është ndërtimi i hierarkisë së vlerave. Shqiptarët rrezikonin, ende rrezikojnë, në kokën e tyre një lloj kaosi, një lloj anarkie për sa i përket vlerave. Hierarkia duhet të ndërtohet në bazë të vlerave, kështu mëson Kur’ani, – thotë Haxhi Vehbi Dibra, – dhe e thotë me shumë argumente. Një hierarki e tillë duhet respektuar, nuk ka rebelim ndaj kësaj hierarkie.
Dashuria për punën si burim i të gjitha të mirave. Shqiptarët kishin nevojë të jetonin si të tjerët dhe më mirë se të tjerët i kishin mundësitë, dhe për këtë duhet të punonin. Frymëzimin për punën si një aspekt të ringritjes morale Haxhi Vehbi Dibra e gjen te Kur’ani.
Një aspekt tjetër është besimi në vetvete. Është një domosdoshmëri të besosh në vetvete, sepse po nuk besove ne vetvete je i sulmuar, i dërrmuar dhe e ke vështirë të besosh te Zoti. Besimi në vetvete të ushqen besimin në Zot dhe e kundërta, një njeri që nuk beson në vetvete, është i dobët dhe nuk di të besojë as në Zot. Ky është mesazhi që na jep Haxhi Vehbi Dibra. Besoni në vetvete, në mënyrë që të besoni te fjala e shenjtë dhe t’i bindeni asaj.
Libri ka gjithashtu disa vlera që doja t’i theksoja shkurtimisht.E para, Haxhi Vehbi Dibra në këtë vepër thotë se gjuha shqipe është e aftë të shprehë me saktësi dhe bukuri stili mesazhet universale. Gjuha shqipe ishte ende e pazhvilluar gjatë viteve ’30. Të jemi realistë, ishte një gjuhë që alfabetin e kishte prej njëzet vitesh, pra ishte një gjuhë e pastabilizuar në sintaksën e saj, sepse kjo është punë që e bëjnë dijetarët, dhe dijetarët ende nuk kishin arritur t’i stabilizonin gjërat sa duhet. Prandaj besohej që atë që bënte F. S. Noli duke përkthyer vepra të mëdha të letërsisë botërore, atë që e kishte filluar Kristoforidhi me përkthimin e Dhjatës, për të treguar që gjuha shqipe është e aftë, ende nuk kishte një përkthim serioz të Kur’anit. Dhe këtë e bën Haxhi Vehbi Dibra duke treguar se Kur’ani, pra mesazhet hyjnore, mesazhet universale të Kur’anit shprehen më së miri, edhe me saktësi, edhe me bukuri nga gjuha shqipe. Prandaj besojini gjuhës shqipe, mësojeni gjuhën shqipe dhe ushtrojeni gjuhën shqipe intelektualisht, jo thjesht si një gjuhë të përditshmërisë kur shkoni në dyqan.
Është një aspekt, që ky botim e nxjerr në pah Haxhi Vehbi Dibrën si politikan, sado që duket sikur politikani është i fshehur në botim. Haxhi Vehbi Dibra, një nga themeluesit e pavarësisë, kryetari i parë i senatit të shtetit shqiptar, që ka kryer detyra edhe në drejtim qeverie, por edhe në raste urgjencash sikur ishte rasti kur Ismail Qemali shkoi në konferencën e Londrës, tani kishte marrë detyrën e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Haxhi Vehbiu e bënte ndryshe politikën, ama e bënte politikën. Sepse nuk mund të jesh kryetar pa bërë pak politikë, por duke e bërë atje ku duhet. Vehbi Dibra është një shembull i shkëlqyer në këtë pikë. Këtu janë vetëm tre-katër dokumente që paraqiten, por që japin tharmin e asaj ç’ka dinte të bënte ai burrë. Është një lloj qarkoreje shumë e shkurtër e kondensuar që udhëzon dhe oficializon atë punë që e kishte bërë më përpara Komuniteti Mysliman. Pra, botimin e një manuali të vogël për fëmijët, “Dije praktike besimtare”. Ky tashmë ju thotë të gjithëve që mund ta gjeni, kaq kushton dhe duhet ta blini dhe kjo është referenca që duhet të kenë fëmijët dhe jo çfarë dëgjoni poshtë e përpjetë apo botime sharlatane.
Një aspekt i tretë si politikan të Haxhi Vehbi Dibrës që doja ta theksoja është shfaqja e tij si polemist. Në dy shkresat e tij, nga katër që janë botuar gjithsej ai shfaqet si polemist. Ai shfaqet i tillë kur merr përsipër të bëjë polemikë me përkthimin e një Kur’ani, i cili është përkthyer nga gjuhë të treta, me pasaktësi dhe me defektet që ai i konstaton dhe i thotë shkurtimisht. Të gjithë spekulantëve, atyre që donin të përdornin Kur’anin për të thënë gjëra që nuk janë në Kur’an, ai iu tregon vendin.
Një aspekt tjetër lidhet me sulmin që i bëhet doktrinës islame. Është polemist aty, kur kundërshton ata që thonë se doktrina islame është në rënie duke iu dhënë shembuj që doktrina islame nuk është në rënie. Përveç kësaj, ai, si një burrë shteti brenda këtij komuniteti, i kujton shtetit se myslimanët, madje thotë shtetasit dhe jo myslimanët, duhet t’i bëjnë të gjitha detyrimet ndaj shtetit, paguajnë taksat, bëjnë shërbimin ushtarak, ndërtojnë rrugë dhe tani shteti duhet të marrë përsipër plotësimin e nevojave shpirtërore. Sepse këta njerëz kanë nevojë për xhamia, kanë nevojë për botime, kanë nevojë për subvencione të ndryshme. Ai me këtë gjë i tregon qeverisë për detyrat që duhet të bëjë dhe kjo është një lloj polemike, sepse duke qenë komuniteti më i madh do të kishte më shumë shpenzime dhe më shumë njerëz qoftë edhe në qeveri.
May 02, 2022 0
Oct 20, 2015 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...