Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 14, 2015 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Redi Shehu
Abstrakt
Sot, bota në sajë të kanaleve masive të komunikimit, internetit, satelitit dhe shumë formave të tjera ndërmjetësuese mes njerëzve, nuk mund të konsiderohet një realitet lokalitetesh të veçuara në të cilat ligje lokale mbizotërojnë. Në kohët tona kur i gjithë planeti tashmë është kthyer në një Agora’ të përbashkët, ato që duhet të prevalojnë mbi vlerat lokale, duhet të jenë vlerat universale si përbashkuese të realiteteve multikulturore. Në këtë kuptim, konflikti mes dy formave të të kuptuarit të moralit të publikes e privates, në qytetetërime të ndryshme, rezultonte i pashmangshëm.
Liri e besimit nuk mundet kurrë të trajtohet si oponente e lirisë së fjalës. Sepse liria e fjalës është pjesë përbërëse e lirisë së besimit dhe anasjelltas. Ndaj edhe dilema liri e fjalës apo liri e besimit ngrihet vetëm nga një këndvështrim sekularist dhe teorive liberale. Kurse kufizimet që natyrshmërisht ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë brenda lirisë së fjalës kur preken dhe cenohen kufij të rëndësishëm të shoqërisë njerëzore, në të cilin përfshihet edhe besimi, përkundrejt të qenurit problematikë janë një garanci e ruajtjes së sistemit dhe mbarëvajtjes shoqërore. Ashtu siç ka kufij në lirinë e fjalës në një shoqëri sekulariste kur cenohet struktura dhe funksionimi i saj pikërisht si pasojë e kësaj lirie, ashtu ka dhe duhet të ketë kufizime në shoqëritë liberal demokratike dhe sekulariste kur cenohet liria e besimit, ngase kjo e fundit është pjesë integrale e saj, është frymëzuesja shpirtërore për lëvizjen e ingranazhit të stërmadh të kësaj shoqërie.
Pasi u munduam të ç’paketojmë konceptin e lirisë, i cili vjen nga historia civilizuese shpesh i ambalazhuar si në frymë po ashtu edhe në germën ligjore të tij, dhe pasi u munduam gjithashtu të sillnim në vëmendje konceptet alternative të lirisë, rendin, metafizikën, racionalitetin ose jo të saj, lirinë në rastin e myslimanëve etj., del parësore të analizojmë dhe më pas të kuptojmë se ku dhe si aktualizohet kjo liri. Cilat janë hapësirat ku ajo merr jetë, si merr jetë dhe a ka ndryshime në përditshmërinë e individit mes sferës së tij publike dhe private kur bëhet fjalë për ta ushtruar këtë liri? Në fakt, konflikti social i botimit të karikaturave, që preku brigjet e kontinenteve, u shkaktua nga konceptimi hegjemonist i lirisë. Ku një palë, përkatësia e së cilës pretendohej të jetë ajo e boshteve qytetërimore dominuese nën administrimin sekularo-liberal, insiston në imponimin e konceptit të saj të lirisë. Insistimi vjen edhe në kontekstin edhe se ku kjo liri merr jetë. Sipas shteteve me demokraci liberale, neutraliteti është baza e veprimtarisë së tyre kur bëhet fjalë për qasjen religjioze. Për këtë arsye këto shtete kanë ndërtuar skemën e ndarjes së religjionit nga shteti dhe ekzistenca e tij (religjionit) është nënkuptuar si aktivitet i cili do të mbyllej brenda kufijve të sferës private të individit. Pra, një skemë ku hapësira publike qëndron neutrale, asnjanëse mes një pafundësi hapësirash private religjioze. Kështu, ky model i hapësirës publike qëndron në një farë mënyre i rrethuar nga shumatorja e religjioziteteve private dhe merr përsipër të garantojë të drejtat individuale të anëtarëve të shoqërisë nga një terren i përbashkët afetar. Kjo traditë e hapësirës publike, bazën konceptuale të vet e ndërtoi mbi teorinë e filozofit Emanuel Kant, i cili arriti të formulonte ndarjen e përdorimit të arsyes në sferën publike dhe atë private. Sipas tij arsyeja duhet të jetë e lirë në sferën publike dhe në të njëjtë kohë ajo (arsyeja) duhet të jetë e nënshtruar, kokulur në sferën private. Në këmbim, sfera private e individit në shoqëritë sekulare e liberale, mori bonusin e mosndërhyrjes apo mosdhunimit nga ana e shtetit të kësaj sfere. Ndërkohë, sfera publike do të ishte teatri i ushtrimit të arsyes the logjikës pa kufi, qoftë kjo edhe duke shtrënguar e ngushtuar botëkuptimin privat, pra sferën private, sa herë që ajo do të kërkonte të hynte në territorin publik. Pra, një aktualizim antagonist i përditshmërisë së individit i cili qenien e vet duhet ta shfaqë në formë dyjare midis religjiozitetit privat dhe sekularizmit kolektiv. Kjo formë e përcjelljes së lirisë e cila herë merr formë racionale dhe herë shfaqet irracionale, e bën anëtarin e shoqërive liberale, një individ autonom liberal, apo thënë ndryshe njeriun e ri të liberalizmit i cili nuk ka shanse t’i shpëtojë hipokrizisë, pikërisht si pasojë e kësaj ekzistence dyjare mes hapësirës publike e private të tij. Për të shkuar më pas tek kultura protestante e cila besimin në hapësirën private e quajti edhe ndërgjegje apo edhe liri e ndërgjegjes. Kështu, sa herë që shteti sekular, pra hapësira publike, merr përsipër të trajtojë privatësinë e individëve të tij, qoftë edhe duke hartuar kuadro ligjore mbi familjen, shoqërinë etj., përdor arsyet e jashtme për të logjikuar për arsyet e brendshme të individit dhe kthehet kështu në një autoritet që zëvendëson ndërgjegjen individuale duke imponuar norma. Jo vetëm kaq, por shteti sekular ka ndërhyrë edhe në sferën private të individit duke riformatuar besimet apo praktikat e tyre, siç ka ndodhur në Turqinë e Ataturkut, ku u ndërhy edhe në mënyrën e bërjes së riteve dhe gjuhës së liturgjisë fetare. Me kalimin e kohës sfera publike në këto modele të sekularizmit filloi të marrë një rol “edukues” social sipas kutit të vet, duke i dhënë hapësirë një lloj argumentimi dhe duke qenë i shurdhët ndaj një argumentimi tjetër në mënyrë që të formojë njeriun e ri të liberal-demokracisë i cili tashmë do të ishte i përshtatshëm për të implementuar normat dhe politikat e kësaj hapësire publike. Saba Mahmood, është më e rreptë lidhur me këtë qëndrim. Ajo thotë se në kontekstin historik, shteti sekular jo vetëm që i ka ngritur një gardh social religjionit duke e mbajtur larg ambicieve të veta legjitime, por ka arritur të rimodelojë sipas qëllimeve të veta këtë gardh me ndihmën e agjencive të ligjit. Ajo përmend luftën e pasuksesshme të komuniteteve katolike, protestante dhe hebreje për të vendosur simbolet e tyre fetare si kryqe, ylli i Davidit në varret e tyre private që ndodheshin në territore shtetërore publike. Prandaj pretendimi se hapësira publike sekulare është e larguar nga domeini privat, shpesh duket qesharak duke pasur parasysh se ndërhyrja e publikes te privatja është aq e qartë sa që sot çdo çështje private, duke filluar që nga edukimi i fëmijëve, sjellja brenda familjes, marrëdhëniet ndërfisnore etj., janë subjekte të nënshtruara ndaj ligjit publik, i cili siç edhe e thamë, qëndrimin e vet e bazon mbi arsyet e jashtme të hapësirës publike ndaj arsyeve të brendshme të hapësirës private. Kjo krijon tension mes idesë së të drejtës së qytetarit për privatësi të plotë, ku përplotëson lirinë dhe moralin e vet dhe mënyrës se si ligji ndërhyn në këtë privatësi. Pra, kemi moralin në sferën private i cili teorikisht njihet, por që në mënyrë paradoksale zgjidhet me ligje që gjykojnë privaten me pyetje publike. Kështu individi dhe hapësira e tij nuk kanë rrugë tjetër vetëm se të transformohen në hapësirë publike brenda llojit të vet.
Prandaj e gjejmë artikulimin justifikues të mbështetësve të publikimit të karikaturave, si procedurë e cila justifikon lirinë për të ndërhyrë te sfera private e tjetrit nën emrin e një të mirë publike siç është liria e shprehjes. Kjo ndërhyrje vjen pikërisht nga kultura e konsoliduar tashmë e shoqërive sekulare, të cilat për të ruajtur idealin e “neutralitetit”, testojnë sferat private të individëve apo grupimeve shoqërore, përmes ndërhyrjeve të dhunshme dhe konfliktuale të shoqëruar me kornizë ligjore. Por çështja e karikaturave, ndryshon nga sjellja rutinë e hapësirës publike sekulare, sepse tashmë ky konflikt nuk ka të bëjë me një shoqëri brenda llojit të vet, por i drejtohet disa modeleve të tjera shoqërore, siç janë shoqëritë myslimane, të cilat kanë një mënyrë tjetër të të konceptuarit të hapësirës publike e private. Për këtë arsye palët nuk kuptonin njëra-tjetrën për pasojat e konfliktit sepse më shumë se çështje skicimi artistik, karikaturat përbënin në vetvete konflikt për mënyrën se si konceptohej hapësira publike dhe private në dy modele shoqërore të ndryshme, ku sekularizmi e kishte shtyrë religjionin në kufijtë e individit, ndërsa shoqëritë myslimane religjionin e kishin moral publik.
Hapësira private dhe publike në optikën e myslimanit
Në shoqëritë myslimane koncepti i hapësirës private dhe publike merr një kuptim tjetër nga ai i shoqërive sekulare, sepse ashtu siç e përmendëm në kapitujt e mësipërm, sfera publike dhe private përshkohen nga një normë morali i cili nuk njeh ndarje nga mënyra e zbatimit të tij. Hapësira publike nuk është e ndërtuar si një “arsye autonome” e cila gjykon dhe mbivendoset ndaj realiteteve individuale, por është konceptuar si hapësira e bashkësisë (xhemat) e cila reflekton hapësirat private në një kontekst publik. Morali dhe moraliteti nuk konsiderohen vetëm si çështje private por konsiderohen edhe si moral publik. Për më tepër, kjo formë e konceptimit të këtyre hapësirave ndërtohet mbi një të kuptuar të ndryshëm, i cili përcakton edhe kufij të ndryshëm lirish dhe përcakton një vijë të ndryshme të dëmit. Në sajë të këtij të kuptuari ndryshon edhe toleranca që hapësira publike ushtron ndaj asaj private dhe anasjelltas. Në konceptimin e hapësirës private mendoj se duhet bërë një dallim mes këndvështrimit islam të hapësirës private dhe atij kristian për të. Për individin në Islam ka rëndësi shprehja e tij në publik dhe jo mendimi i tij i brendshëm. Pra, individi konsiderohet përgjegjës (mëkatar) mbi atë çka shfaq publikisht dhe jo për mendimet e tij të çfarëdo lloji qofshin ato. Ndërsa në Krishterim, edhe mendimi mund të përbëjë mëkat, ku në këtë rast duhet t’i nënshtrohet pastrimit përmes rrëfimit që personi duhet të bëjë. Kështu, është një gjë të mendosh çfarë të duash dhe është tjetër gjë që të arrish të ndikosh të tjerët përmes publikimit të mendimeve tuaja të cilat mund të jenë edhe kundër rendit moral të shoqërisë ku ti bën pjesë. Ndryshimi me konceptin islam të hapësirës private është se dhunimi i kësaj hapësire nuk tolerohet për asnjë arsye publike. Kështu kemi ndryshim të kufijve të lirisë në shoqëritë myslimane në krahasim me pranimin që shoqëritë sekulare bëjnë lidhur me ndërhyrjen ndaj hapësirës private në formë rregullimi ligjor. Për më tepër ndërhyrja e publikes te privatja e myslimanit, shpesh shihet edhe si e pakuptimtë, për sa kohë hapësira publike është reflektimi i moralitetit të privates dhe çka përbën moral në publik është moral edhe në privatësinë e individit të sanksionuar me legjislacion hyjnor. Akademia Ndërkombëtare e Jurisprudencës Islame, në lidhje me lirinë e shprehjes së myslimanit në shoqëri, ndër të tjera thekson edhe këto:
Pra, në rastet e shprehjes publike, myslimani duhet t’i përmbahet moralit publik duke respektuar rregulla e norma, të cilat e bëjnë hapësirën publike tashmë, jo vetëm teatrin i arsyes, por podiumin e moralit, i cili përmban në vetvete edhe arsyen. Kështu, duket e pakuptimtë për myslimanin mënyra se si njeriu i ri i liberal demokracisë i qaset hapësirës publike me formën e tij dyjare e cila, për hir të së vërtetës, ka dëmtuar edhe vetë raportet e tij me privatësinë . Prandaj gjen në shoqëritë liberal sekulariste, tallje, përçmime, fyerje të religjionit, të figurave të tij, satirizime me dishepujt e Krishterimit, me Krishtin, madje satirizim edhe me vetë Zotin, të cilat janë një dhunim i pastër i hapësirës private religjioze të individëve në këto shoqëri. Nga ana tjetër, nëse individi i liberal-demokracisë do të duhej të dalë në hapësirën publike dhe të kritikojë sekularizmin dhe doktrinën e tij, atëherë e gjen veten të anatemuar dhe shembull regresi dhe aneksimi. Janë pikërisht këto forma të ndryshme të konceptimit dhe praktikimit të hapësirës publike e private në qytetërime të ndryshme mes atyre liberal-sekulariste dhe atyre me bazament islam, që sjellin reagime të ndryshme në raportet mes publikes e privates.
Justifikimi që pason më tej është se, vendet që botuan karikaturat janë vende të cilat adoptojnë konceptin sekular të publikes e privates, prandaj edhe myslimanët do të duhej t’i nënshtroheshin rregullave lokale. Së pari, duhet të theksojmë se shoqëri të tilla si ato ku u botuan karikaturat dhe filmi, kanë si busull orientuese përgjegjësitë sociale dhe për këtë arsye duket pa logjikë angazhimi i tyre për të provokuar ndjeshmëritë fetare në shoqëri të cilat mbi të gjitha janë shoqëri multifetare dhe multikulturore. Fakti që Austria, Britania, Italia, Spanja, Gjermania madje edhe Danimarka, aplikojnë ligje kundra blasfemisë dhe në të njëjtën kohë lejojnë blasfeminë kur bëhet fjalë për kultura të tjera migratore, lë të kuptohet për ekzistencën e standardeve të dyfishta në trajtimin e lirisë së të shprehurit. Ish-ministri i jashtëm danez, Uffe Elleman-Jensen në lidhje me botimin e karikaturave nga gazeta “Jyllands-Posten” shprehej se: “Kur ti e përdor lirinë e shprehjes për t’u tallur me fetë e popujve të tjerë, dhe ti e bën këtë me qëllimin e vetëm për të demonstruar se ke të drejtë ta bësh këtë gjë, atëherë ti në të vërtetë po e minon këtë liri të shprehjes, me sa kuptoj unë.” Kjo frazë e kategorizon aksionin e botimit të karikaturave si hipokrizi dhe aplikim të standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes. Në fakt, nëse kjo sarkazëm karikatureske në lidhje me myslimanët dhe fenë e tyre konsiderohet si manifestim i lirisë së fjalës, përse do të konsiderohej racizëm dhe me pasoja të rënda ligjore një vepër e ngjashme nëse do të vendosej në kontekstin hebre apo nëse do të satirizonte Judaizmin dhe holokaustin? Sepse sipas argumentimit të mbrojtësve të ligjit për anti-semitizmin, “hate-speech” kërcënon rendin politik të demokracive. Por, a nuk aplikohet e njëjta formulë edhe kur bëhet fjalë për grupet e tjera të mëdha religjioze? Në rastin e myslimanëve botimi i karikaturave kishte impakt të dyfishtë negativ, për faktin se karikaturat prodhuan edhe një konflikt etik mes parimeve religjioze islame të cilat ndalojnë portretizimin e aq më tepër të Profetit Muhamed, dhe problematika përmbajtjesore e karikaturave kulmoi me ekuivalencën e Profetit me bombën. Pra, ideologjizimi i dhunës zanafillonte, sipas karikaturistit dhe publikuesve të tij, që me thelbin e mesazhit hyjnor i cili manifestohej në cilësinë e Profetit islam
Së dyti, sot bota në sajë të kanaleve masive të komunikimit, internetit, satelitit dhe shumë formave të tjera ndërmjetësuese mes njerëzve, nuk mund të konsiderohet një realitet lokalitetesh te veçuara në të cilat ligje lokale mbizotërojnë. Në kohët tona kur i gjithë planeti tashmë është kthyer në një Agora’ të përbashkët, ato që duhet të prevalojnë mbi vlerat lokale, duhet të jenë vlerat universale si përbashkuese të realiteteve multikulturore. Në këtë kuptim, konflikti mes dy formave të të kuptuarit të moralitetit të publikes e privates në qytetërime të ndryshme, rezultonte i pashmangshëm.
Fuqia e karikaturës në ndezjen e konflikteve sociale
Është tashmë i ditur fakti i përdorimit të karikaturave për të sjellë në vëmendjen e audiencës një situatë apo ngjarje, qoftë edhe politike, duke i dhënë ngjyrime sarkastike asaj dhe njëkohësisht duke e veshur me elementë të ndryshëm artistikë. Në fakt, përdorimi i karikaturave është forma e preferuar e shumë organeve të shtypit, për të zëvendësuar pamundësinë e tyre për t’u shprehur qartazi për një fenomen kryesisht politik dhe kështu përdorin një zhanër artistik që në mënyrë metaforike të japë domethënien e asaj çka ata mendojnë se është thelbësore dhe goditëse. Për këtë arsye ne gjejmë në mediat më të mëdha botërore karikatura të cilat projektojnë çështjet më të rëndësishme të niveleve të ndryshme të cilat mund të përfshijnë personalitete, grupe shoqërore apo edhe kombe të tëra. Shpesh karikaturat janë përdorur nga mediat edhe si armë negocimi kulturor, racor dhe politik, lidhur me situata të ndryshme konfliktuale, ashtu siç edhe janë përdorur për të ironizuar liderë apo sisteme politike duke i paraprirë edhe ndryshimeve socio-politike.
Arkitektura ideore e karikaturës
Në çdo vepër arti, por jo vetëm, paraprakisht është i nevojshëm ndërtimi i një strukture ideore mbi punimin i cili do të realizohet dhe më pas krijimin e një strukture materiale mbështetëse e cila ndihmon në realizimin e plotë të tij. Kur një vepër ka nevojë për një strukturë, e cila pashmangshmërisht së pari është ideore, atëherë këtu gjëja e parë që të bie ndër mend është që kjo vepër qëndron e emancipuar nga rastësia dhe shpesh naiviteti. Kjo sepse një strukturë ideore paraprake e një vepre është e bazuar mbi një logjikë të domethënies komunikuese që ajo do të ketë, e cila mbështetur mbi historinë e së shkuarës përmes gjuhës së ngjarjeve që ajo ka shprehur, do të fiksojë perspektivën e vet në marrëdhëniet me audiencën. I njëjti proces aktivizohet edhe kur bëhet fjalë për zhanrin e karikaturës. Perspektiva e vet komunikuese duhet të kalojë përmes disa filtrash në mënyrë që misioni i saj të gjejë pritshmërinë më të madhe pozitive të mundshme. Pyetjes së parë që një karikaturë duhet t’i përgjigjet para se të ndërmarrë procesin e formësimit të vet, është se cilit kontekst historiko-politik ajo do t’i referohet dhe se me çfarë ideje do të përshkruhet ky kontekst. E ndjekur më pas me subjektin i cili duhet të shënjestrohet në karikaturim. Kush është ai? Çfarë përfaqëson? Cilat janë marrëdhëniet e tija kontekstuale me realitetin social apo me historinë? Pasi përcaktohen këto linja themelore të idesë qendrore, karikaturës i duhen bërë pyetje të natyrës: Në çfarë konotacioni do të paraqitet subjekti qendror? Në çfarë forme do të ketë deformim brenda normave të lejueshme të karikaturimit? Pastaj, karikatura do të duhet të renditet në një nga dy grupimet kryesore që zakonisht i karakterizojnë ato. Do të renditet në karikaturat e portretizimit negativist e përçmues apo në grupimin e karikaturave sarkastiko-pozitiviste.
Tjetër element shumë i rëndësishëm i cili e shoqëron karikaturën është simboli që do të përdoret dhe roli i tij në simbolikën e përgjithshme të mesazhit komunikues. A janë ato (simbolet) përfaqësuese të një grupimi politik, social, racor, fetar, seksual etj? Në momentin që njëra nga këto përdoret, a është në kontekstin global apo i referohet thjesht subjektit të karikaturës? Në këtë rast a implikon karikatura shtresa të gjëra sociale në mesazhin e vet dhe nëse po, cili do të jetë qëndrimi i pritshëm që mund të shkaktojë karikatura ndaj këtyre grupimeve? Zakonisht karikaturat shoqërohen nga një tis filozofik i cili e fuqizon jashtë mase mesazhin e saj. Përveç kësaj, karikaturat zakonisht shoqërohen me digjitura e cila përbën edhe qershinë mbi tortë të saj. Shpesh digjitura përdoret për të ç’tensionuar një karikaturë negativiste duke e çliruar nga kuptimi i saj i gabuar, ose mund të shprehë një domethënie tjetër nga ajo çka audienca mund të ketë perceptuar për shkak të dykuptimësisë së vet figurative. Karakteristika thelbësore e karikaturës e cila përbën edhe sekretin e suksesit të saj është raporti që ajo ndërton me ekzagjerimin. Ky i fundit është element bazë, i cili i ndërthurur së bashku me ironinë, tentojnë të shfaqin në një projeksion emulativ një fenomen në një format më të hiperbolizuar se ç’është në të vërtetë përmes një tjetër domethënieje nga ajo literalisht e zakonshme. Tani, kur duam t’i qasemi “buqetës” prej 12 karikaturash të botuara nga “Jyllands-Posten”, shohim se shumë elementë të sipërpërmendur kanë dalë nga korniza e tyre tradicionale dhe janë përdorur në luftën ndaj, siç ata preferojnë ta quajnë, “vetë-censurimit” gjithnjë e në rritje. Mirëpo, implikimi bazë që shohim në këtë sipërmarrje është se është përdorur metodologjia e njëjtë që zakonisht përdorej për të ironizuar sistemet politike në ironizimin e një tjetër sfere të shoqërisë siç është religjioni. Prandaj në këtë kontekst, shumë prej përgjigjeve që një karikaturë duhej t’i përgjigjej normalisht, në rastin e futjes së saj në kontekstin religjioz, ngelin jetime. Sigurisht që këto karikatura i përkasin grupimit sarkastiko-negativist me nota të theksuara përçmimi. Ideja qendrore është përçmimi mbi bazë religjioni me nota racore dhe atribuimi i subjektit kryesor, (Profetit Muhamed) të anomalive aktuale sociale në një kontekst të shkuar historik. Pra një mbivendosje historiko-sociale pa bazë vërtetësie e cila implikon në formë globale jo tashmë një individ apo grupim të caktuar, por një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së globit. Ekzagjerimi si element i saj është në përmasat jashtë normales dhe thyen çdo etikë e cila pranon ekzagjerimin. Ai nuk është ekzagjerim në raport me të vërtetën, por është ekzagjerim i ndërtuar mbi të pavërtetën. Mesazhi apo digjitura janë në një raport tëhuajsimi me mesazhin që subjekti qendror i karikaturës ka transmetuar në realitetin e së shkuarës së tij dhe në këtë rast nuk kemi ironizim bazuar në artikulim por ironizim bazuar mbi sajesë.
Problemet që hasën me aktin e botimit të karikaturave fillojnë që me përqasjen e strukturës ideore të tyre të cilat nuk janë ironizim apo ekzagjerim bazuar mbi të vërtetën historike. Këto karikatura mbi të gjitha nuk kanë edhe misionin e thjeshtë dhe kryesor që ka një karikaturë, atë për të bërë të qeshë audiencën. Elementi i humorit të shëndoshë aty mungon plotësisht gjë që e vë në dyshim qenien të këtyre pikturave në zhanrin e karikaturës.
Ideografia dhe Retorika Vizuale
Përkufizimin e Ideografisë e ka formuluar Michael McGee në: “The Ideograph: A Link Between Rhetoric and Ideology”, ku argumenton se si përdoren funksionet retorike për të komunikuar argumente ideologjike, pra një përzierje e retorikës me ideologjinë në formë grafike. Ai e shpreh teorinë e tij në këtë formë:
Ideografia, në nivelin më esencial të saj, është manifestimi retorik i një ideologjie të caktuar të një komuniteti. Ajo përdoret për të shprehur vlera abstrakte të atij komuniteti të tilla si“barazia” dhe “paqja” dhe janë një slogan politik me anën e të cilit argumentet ideologjike komunikohen. Ideografët janë “ideologjitë” e njohura që ekzistojnë në ndonjë kulturë specifike në një moment të caktuar.
Sipas McGee, ideografët funksionojnë së bashku me ideografë të tjerë dhe kështu formojnë një gjuhë politike dhe ideologjike. Politika e ushtron aktivitetin e saj duke propaganduar “bindje të përbashkëta” dhe këtë e bën përmes retorikës, kështu ajo (politika) ia del të sanksionojë një sistem bindjesh dhe kodesh. Ideografia në këtë rast përbën argumentin ideologjik i cili shpjegon, justifikon këto bindje e kode në situata specifike. Pra ideografët jo vetëm që përfaqësojnë ide politike por edhe legjitimojnë veprime në emër të ideologjisë. Ato janë pararendëse të veprimeve komunikuese dhe politike. Është lehtësisht e provueshme fuqia e imazheve në kohët e sotme. Në këtë botë komunikimi, ku gjithçka dihet tashmë, imazhi është kthyer në gjuhën më efikase të komunikimit duke thyer barriera kulturore e gjuhësore, e në të njëjtën kohë, imazhi është bërë mjeti më i zgjedhur i hegjemonisë kulturore, të atyre kulturave imponuese të boshteve qytetërimore dominuese sot në planet, karshi qytetërimeve të ashtuquajtura inferiore. Imazhi sot të lejon që përmes tij të përcjellësh domethënie ideologjike të të gjitha llojeve, të cilat nga ana e tyre ndikojnë realitetet sociale dhe politike duke u bërë kështu promotorë për lëvizje dhe veprime të audiencave tashmë të ndikuara prej tyre. Pra, imazhi nuk është thjesht një pasqyrim, por në vetvete ai përmban një bashkësi kuptimesh të cilat të alternuara me njëra-tjetrën formojnë domethënien e tij, e cila kulmon me fuqinë e kësaj domethënie për të ndikuar një individ apo një bashkësi individësh, që gjejnë veten e tyre në këtë domethënie të imazhit duke krijuar familjaritet dhe pika lidhjeje afektive. Autorë të shquar të cilët kanë shkruar për fuqinë e retorikës vizuale janë edhe Lucaites dhe Hariman, të cilët analizojnë ikonat fotografike duke sjellë ndikimet që ato kanë në fotogazetari. Sipas tyre, imazhet njihen nga secili brenda një kulture publike dhe kuptohen si përfaqësuese të një ngjarjeje historike. Ato theksojnë se imazhet janë objekt i një identifikimi emocional shumë të fortë në rastet kur botohen e ribotohen në disa lloje mediash. Pra, imazhet ikonografike janë simbole të fuqishme brenda një kulture të caktuar, dhe për autorët e mësipërm, një imazh mund të veprojë si një “estetikë politike”, e cila siguron burime emocionale ndaj një shoqërie për të mbajtur gjallë identitetin dhe veprimin politik, e cila pastaj mund të transformohet në një model social të kuptuari dhe vepruari. Kështu, imazhi transformohet në një shprehje konsensuale të të kuptuarit të përbashkët, një lloj gjuhe e shoqërisë me të cilën komunikon me veten dhe të tjerët jashtë saj, për të negociuar kuptime kulturore mes kulturave të ndryshme. Ndërsa kur flet për karikaturat Roy Morris thotë se karikatura përfshin procesin e kondensimit dhe kombinimit, ku me kondensim ai nënkupton ndërthurjen e fenomeneve komplekse në një imazh të vetëm i cili përpiqet të paraqesë thelbin e vet grafikisht në mënyrë që të dërgojë mesazhe komplekse, ndërsa me kombinimin, ai kupton marrjen e elementeve dhe ideve nga fusha me ndikime të ndryshme dhe futjen e tyre brenda një kompozimi qartësisht të identifikueshëm. Si përfundim karikatura ka mundësinë që të transmetojë shumë metafora duke përfshirë kombinimin e shumë elementëve njëkohësisht.
Duke qenë kështu, ky zhanër përdoret gjerësisht në gjuhën politike për të simbolizuar veti apo vese të liderëve, partive apo grupimeve të cilat kanë në pushtetin e tyre fatet e shoqërive. Ai përdoret gjithashtu edhe për të stabilizuar një gjuhë komunikimi ndërkulturor. Aq sa ka fuqi retorika vizuale për t’i bërë kulturat të negociojnë me njëra-tjetrën, aq fuqi ka kjo retorikë për të ndezur konflikte ndërkulturore. Në rastin e karikaturës, si pjesë e grupit të retorikës vizuale dhe ideografëve, në sajë të vetive të veta për të kondensuar dhe kombinuar (sipas Morris) shumë fenomene, elemente dhe metafora, fuqia e saj është akoma më e madhe në krijimin e shkaqeve konfliktuale, sepse përmes retorikës politike, racore apo edhe religjioze ajo mund të kthehet në burimin e përplasjeve qytetërimore nëse nuk administrohet si duhet. Nëse karikaturës me temë religjioze i bashkëngjitet edhe kriticizmi sekular, atëherë mund të themi se ky lloj kombinimi transformohet në një investim të sigurt për përplasje, sepse karikatura shtrihet në sferën publike aty ku liria e shprehjes është në podiumin e vet publik, por me gjuhë dhe kombinime të cilat direkt dëmtojnë sferën private të religjionit të individit. Në këtë kuptim, një non-sens merr udhë për sa kohë kërkohet që individi ta gjejë veten te retorika vizuale përmes asaj që thamë më lart, ta shohë imazhin si pikë referimi të vetvetes, sepse tashmë vetvetja religjioze është bërë subjekt i kritizicmit kolektiv në hapësirën publike. Karikaturimi i privatësisë përmes kondensimit dhe kombinimit, çon në përplasje të pashmangshme sociale sepse hapësira private individuale është dhunuar hapur nga hapësira publike e kriticismit sekular, që në rastin konkret ka përdorur një zhanër si karikatura për të sanksionuar dominimin e vet në shoqëritë sekulare dhe për t’i prishur kufijtë e komunikimit në emër të të ashtuquajturës luftë kundra “auto-censurës”. Po në emër të kësaj lufte prishet edhe kufiri i dëmit ndaj hapësirës private e cila është tashmë e dënuar të jetë më publike se kurrë.
Karikaturat daneze dhe retorika vizuale
Përmendëm më sipër që karikatura bën pjesë në aktet e artikulimit politik, por jo vetëm, dhe një ndër cilësitë e saj ishte edhe sfida që ajo i bën normave sociale. Në rastin e karikaturave ndaj Profetit Muhamed, sfida këtu qëndron ndaj normave të përbashkëta të shoqërisë myslimane. Organet që i botuan përdorën justifikimin e luftës kundra censurës, duke nënkuptuar se normat e përbashkëta të shoqërisë myslimane ishin ato të cilat kishin shkaktuar censurë ndaj kriticizmit sekular, i cili është në kërkim gjithnjë e më shumë të hapësirave të reja publike për dominim. Për këtë arsye, karikaturimi në këtë rast u pa si luftë çliruese, si vlerë e shoqërive moderne ndaj disa normave arkaike. Kështu, në emër të çlirimit, u përçmua një normë tjetër e përbashkët e të gjitha shoqërive siç ishte liria e besimit dhe praktikimit të saj edhe në sferën publike. Në këtë rast, si subjekt i karikaturës duhej zgjedhur një formë përfaqësuese e cila duhej t’i nënshtrohej kondensimit dhe kombinimit të metaforave për të dhënë një produkt karikaturesk. Për këtë, u pa Profeti Muhamed si formë përfaqësuese e ideologjisë islame. Këtu një gabim konceptual mori udhë, sepse Profeti Muhamed nuk është formë përfaqësuese vizuale e normës së përbashkët sociale siç është Islami, por ai është përfaqësues si frymë dhe moral i kësaj norme. Pra gabimi i subjektit fillon me dhënien formë të një fryme dhe morali. Prandaj karikaturat, të cilat quheshin “Muhamed ansight” – “Fytyra e Muhamedit”, ishin pashmangshmërisht të paarrira në pikturimin e një forme e cila nuk ekzistonte si e tillë. Për rrjedhojë të gjitha elementët që do të duhej të vini më pas, e të kondensoheshin ishin që në premisë të gabuara dhe kështu në fakt për atë që i sodit këto karikatura, arrin në perceptimin se ato janë në të vërtetë karikaturë brenda karikaturës. Nëse do t’i referoheshim teorisë së Morris mbi ikonografinë, do të thonim se karikaturat daneze nuk përbëjnë aspak “estetikë politike” si burim emocional nga ku duhej mbajtur gjallë identiteti i një shoqërie, as edhe imazhet e karikaturave nuk ekzistonin më parë si shprehje konsensuale të të kuptuarit dhe vepruarit të përbashkët prej së cilës shoqëria komunikon me vetveten. Imazhet e karikaturave u sajuan në kohën që u porositën prandaj ato nuk vinin si simbole nga historia për t’u kondensuar me metafora dhe risjellë në vëmendjen e shoqërisë si “estetikë”. Karikaturat përdorën subjektin e profetit për të satirizuar fenë islame. Mirëpo, për ta bërë këtë do të duhej të merrej për bazë interpretimi që shoqëritë kanë për Islamin. Në rastin konkret u morën për bazë disa interpretime të elitave në lidhje me Islamin dhe u kontekstualizuan në retorikë vizuale. Atëherë këto karikatura dolën nga funksioni i tyre si burim dhe negocim kulturor dhe u kthyen në mjete të disa elitave për t’i imponuar audiencave domethënie të ndryshme kulturore duke zgjedhur subjektin e gabuar.
Një tjetër problem me retorikën vizuale të karikaturave është mosrespektimi i një norme konsensuale shoqërore siç është mos pikturimi i Profetit Muhamed. Normë e cila qe respektuar prej shekujsh nga myslimanët dhe jo-myslimanët. Për më tepër retorika vizuale e karikaturave nuk respekton asnjë normë religjioze konsensuale dhe është tërësisht e bazuar mbi një gjuhë politike metaforash në formë ordinere. Është interesant fakti se qoftë te karikaturat daneze, qoftë edhe te filmi i Sam Bacile, përmbajtja dhe forma janë tërësisht ordinere, sepse mungesa e elementëve të cilat i përmendëm më lart, e varfëron misionin e karikaturës dhe e kthen atë në një slogan politik për qëllime tërësisht politike duke përdor formën irracionale të lirisë të zhveshur nga çdo formë racionale e moralitetit të lirisë. Një moment tjetër ku karikaturat daneze shkaktojnë përzierje sociale, është edhe prishja e asaj marrëdhënieje të intimitetit që besimtari mysliman ka ndërtuar me Profetin e tij. Duke qenë së Profeti për myslimanin nuk është thjesht një porositës komandamentesh hyjnore, i cili qëndron i distancuar nga besimtarët, por është vula e ngjashmërisë që secili nga praktikantët mban me vete si model i mimetizuar sjelljeje dhe etike të përditshme, duke njësuar identitetin personal të tyre me atë të Profetit. Prandaj, përdorimi i karikaturave të ndërtuar me një strukturë konceptimi të një kulture tjetër ndaj po një kulture tjetër pa kuptuar logjikën dhe kontekstin e saj, shkakton “plagosje morale” të pariparueshme sepse tashmë nuk bëhet fjalë se është dëmtuar perceptimi për një subjekt imazherie siç është fjala për Profetin Muhamed, por është cenuar rëndë lidhja intime, vula e ngjashmërisë, përkatësia identitare e çdo njërit që ka ndërtuar këto marrëdhënie mimetizimi.
Retorika vizuale si retorikë e shpëtimtarit kundra auto-censurës
Karikaturat qenë një akt gjithëpërfshirjeje. Trajtimi i barabartë është mënyra më demokratike për të kapërcyer barrierat tradicionale racore dhe etnike për të sapoardhurit. Kjo, për mua është t’i trajtosh emigrantët njësoj si çdo danez– Fleming Rose.
Mënyra se si shprehet Fleming Rose, si botues i karikaturave te “Jyllands-Posten”, të lë përshtypjen e një njeriu mbushur me humanizëm dhe që do të meritonte një duartrokitje për altruizmin e tij. Por duket se nuk ishin të të njëjtit mendim gazetat prestigjioze në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe të cilat nuk i botuan karikaturat. Po flasim për vende të cilat dinë diçka më shumë se Rose dhe danezët në lidhje me atë se çdo të thotë emigrant. I gjithë aksioni i Rose dhe gazetës së tij mbështetej në mbrojte të vlerave të lirisë në luftë kundër auto-censurës e cila është tipar i mentalitetit totalitarist. Për ta vërtetuar pikëpamjen e tij, Fleming Rose duhet që të vërtetojë bindshëm se, që në burimet tekstuale si dhe praktikat universale, Islami është i barasvlershëm me totalitarizmin. Gjithashtu ai duhet të tregonte se kush i përcakton caqet e auto-censurës dhe mbi cilin bie barra e çlirimit ndaj saj? Dhe, a është vërtet publikimi i karikaturave mjeti i duhur për të luftuar totalitarizmin si dhe eliminuar censurën? I gjithë problemi qëndron në keqvendosjen e pritshmërive të Perëndimit në raport me kulturat e tjera migratore. Nuk janë të paktë ata që tregojnë një gatishmëri ekzemplare për të projektuar radikalizmin islam si kundërpalë e demokracisë dhe si kërcënim për rendin demokratik. Për këtë duhet përdorimi në mënyrë abuzive i informacionit mbi religjionin, ashtu edhe të drejtave kushtetuese mbi liritë e të shprehurit e bazuar kjo në pakënaqësinë populiste të prezencës së kulturave të huaja në vendet respektive. Kështu, ndërtohet goxha mirë një ngrehinë urrejtjeje e cila për ironi mbështetet në gjithpërfshirjen dhe trajtimin e barabartë të anëtarëve të shoqërisë.
Pyetja që shtrohet për Rose është se, kundër cilës auto-censure i drejtohet? Asaj daneze? Nëse është kështu atëherë duhet vërtet të shqetësohemi sepse Danimarka nuk qenka një vend me demokraci të konsoliduar kushtetuese dhe iniciativa e tij, e zanafilluar pikërisht në kryeqytetin danez, qenka një mesazh në radhë të parë për shoqërinë e “censuruar” daneze. Por, nëse iniciativa e Rose tenton të shtrijë përpjekjet e veta anticensurë edhe në vendet e tjera, atëherë së pari do të duhej të bënte hesapet me ligjet “censuruese” kundra anti-semitizmit, por jo vetëm kaq, do të duhej që së pari t’i drejtohej bashkatdhetares së vet Pia Kjaergaard dhe partisë së saj e cila mblodhi mbi 15 për qind të votave daneze pikërisht me iniciativën e kësaj të fundit për të censuruar prezencën e të huajve në Danimarkë përmes iniciativave ligjore bllokuese si dyfishimi apo trefishimi i kohës së marrjes së leje-qëndrimeve, ndalesave të martesave të emigrantëve nën 24 vjeç etj. Gjithashtu përpjekjet anti totalitariste dhe anti-censurë të Rose, duhet të shtrihen edhe ndaj autoriteteve britanike të cilat i refuzuan vizën politikanit të ekstremit të djathtë holandez Geert Widers si pasojë e filmit të tij anti mysliman “Fitna” në vitin 2008, apo edhe thirrjeve të tij për të ndaluar Kur’anin dhe publikimin e tij. Censurën, së pari Fleming Rose dhe mbështetësit e tij, duhet ta gjejnë në shtëpinë e tyre. Ish-ministri i Jashtëm asokohe i Britanisë, David Miliband duke folur për refuzimin e vizës për Wilders, i dha një leksion etike karikaturistëve, pikërisht duke përdorur shembullin e J. S. Mill i cili thotë se nuk është e nevojshme të bërtasësh “Zjarr!” në një sallë teatri të mbushur plot, duke iu referuar urrejtjes racore dhe religjioze.
Karikaturat: Liri e fjalës apo fobi emigrantësh?
Fleming Rose e konsideronte publikimin e karikaturave si një “akt gjithëpërfshirjeje” duke bërë dallime racore dhe religjioze. Vetë shënjestra e karikaturave është e ndarë nga konteksti shoqëror dhe qëllimi që përmes kësaj ndarjeje të qartë të arrihet gjithëpërfshirja, duket aq sa qesharak aq edhe jo bindës. E vetmja gjithëpërfshirje që mund të konsiderohet këtu, është bashkimi i ndjenjave anti-emigrante në Perëndim. Nëse Rose e ka pasur fjalën për këtë të fundit, atëherë ai ka plotësisht të drejtë. Por nëse i referohemi intervistave të tij në “Washington Post” dhe “Spegel Online”, shqetësimi i tij përmes frazave të tilla si “shkalla e lartë e kriminalitetit tek emigrantët” apo “përmbytja demografike nga emigrantët”, hedhin hije dyshimi mbi dëshirën e mirë të tij në lidhje me gjithëpërfshirjen kulturore e racore. Këtë mendim na e përforcon edhe një fakt tjetër ku i njëjti Fleming Rose refuzoi të botonte në të njëjtën gazetë “Jyllands-Posten” karikaturat që satirizonin holokaustin, ndoshta sepse identiteti i tij hebre prevaloi mbi lirinë e shprehjes! Parë në këtë dritë të respektimit të tabuve të të tjerëve, atëherë përse publikimi i karikaturave të Profetit Muhamed ishte kaq ndryshe ndaj këtij principi? Në logjikën e thjeshtë nuk duket se publikimi i karikaturave të tilla do të ndihmonte në krijimin e një atmosfere gjithëpërfshirjeje. Thirrjet për zjarr në mesin e një teatri evropian të mbushur plot me emigrantë, nuk ndihmojnë në dekurajimin e grupeve ekstremiste qofshin këto politike apo jo, as edhe në krijimin e një perspektive të re në marrëdhëniet delikate ndërkulturore. Aq më tepër kur parlamentarë të së djathtës ekstreme daneze i krahasojnë myslimanët me “qeliza kancerogjene”, apo Geert Wilders në Holandë dhe partia e tij, të cilat haptazi kanë krahasuar Kur’anin me Mein Kampf duke kërkuar fundin e “inkursionit islamik” në Evropë. Këtë deklaratë Wilders e pasoi me publikimin e filmit “Fitna” tërësisht fyes e denigrues në raport me myslimanët. Ngjarjet që rrodhën pas publikimit të karikaturave, konfliktet, bojkotet, protestat dhe shumë prishje të marrëdhënieve diplomatike, në fakt vërtetuan se gjithëpërfshirja e “Jyllands-Posten” luhatej mes fobisë ndaj emigrantëve dhe hipokrizisë së mbrojtjes së të drejtave të tyre në Danimarkë. Fakti që këto karikatura u publikuan në vigjilje të nismës parlamentare për ligjin e ri ndaj emigracionit, ishin një sinjal i qartë i dëshirës së munguar dhe dështimin e autoriteteve daneze për të vazhduar në rrugën e komunikimit ndërkulturor. Në një sondazh të organizuar nga Komisioni Evropian mbi sjelljet raciste në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, del se në vitin 1997, niveli i racizmit në shoqërinë daneze ishte tejet i lartë. Vetëm 17% e danezëve e identifikonin veten si “jo-racistë”, çka e bënte këtë përqindjen më të ulët në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas të njëjtit burim, del se nga studime të ndryshme të organizuara në Danimarkë, 85% e danezëve nuk kishin ndërveprim apo komunikim me minoritetet etnike, ku ndjenja raciste ishte më e zhvilluar ndaj minoritetit mysliman se sa ndaj minoriteteve të tjera. Duket se është ky formacion homogjen i kulturës daneze të mbyllur në vetvete dhe jo komunikues, i cili e ka kthyer situatën të favorshme për racizëm kulturor ndaj kulturave të tjera migratore si formë e gabuar e ruajtjes së identiteteve vetjake. Është pikërisht kjo ndjenjë e fortë përjashtuese brenda danezëve e cila përdoret politikisht nga partitë si dhe nga mediat e shkruara. Kur 83% e danezëve rezultojnë si “pro-racistë”, atëherë imagjinoni se çfarë artikulimi përhapet në mediat on-line dhe në hapësirën private daneze. Kjo përqindje e frikshme e racizmit detyrimisht shpërfaqet si gjuhë zyrtare edhe në hapësirën publike e cila si gjithmonë përdor kritikën sekulare si gardiane të fjalës së lirë dhe të sekularizmit si sistem. Kështu, ky masivitet dhe intensitet me promotore të herëpashershme median, çon në institucionalizimin e fshehtë të racizmit si kulturë alternative në Danimarkë. Publikimi i karikaturave në “Jyllands-Posten”, që është gazeta më e madhe e Danimarkës, shënoi edhe kulmin e racizmit mediatik nën emër të lirisë së shprehjes, liri e cila për hir të së vërtetës, nuk u përdor për të botuar karikaturat kundra hebrenjve pak javë më parë se të botoheshin ato të Profetit Muhamed.
Konkluzioni
Përmes metodologjisë krahasuese fenomenologjike, pamë se si në përgjithësi liria e shprehjes është një e drejtë e cila është e kufizuar nga të drejta të tjera të individëve të komunitetit bashkëpjesëtar të një shoqërie. Pra, kjo e drejtë mbështillet nga e drejta e të tjerëve dhe pikërisht kjo balancë të drejtash, përcakton edhe legjitimitetin e fjalës së lirë në marrëdhëniet e saja në një shoqëri, përndryshe tejkalimi i kufirit të njërës liri ndaj tjetrës do të thotë sakrifikim i lirisë së tjetrit. Në këtë kuptim, të drejtat e të dy grupimeve, të para në konceptin modern juridik, mund të konsiderohen në të njëjtën kohë si interesa shoqërore dhe roli i shtetit qëndron pikërisht në mbrojtjen e tyre, sepse interesi shtetëror është i pandarë nga interesi publik (social). Pra, fenomeni duhet parë si ndërveprim të drejtash dhe lirish, i cili shndërrohen në konflikt në momentin që shteti si rregullator i këtyre të drejtave, që në të njëjtën kohë janë edhe interesa, të sigurojë mbrojtje ligjore vetëm për njërën dhe duke e lënë tjetrin të pambuluar ose pjesërisht të mbuluar ligjërisht. Për këtë arsye edhe argumentimi absolutist që vihet re kur përdoret Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane si shembull i lirisë së pakushtëzuar të shprehjes, duhet parë më me objektivitet, sepse shembujt e mësipërm tregojnë që edhe vetë Amendamenti i Parë, funksionon si garantues lirie në formë parimore, por jo përcaktues dhe përkufizues eksplicit në vetvete.
Është pak e vështirë të argumentosh faktin, se liria si koncept duhet të qëndrojë e shkëputur, apo thënë ndryshe, e emancipuar nga rendi dhe renditja, nga norma dhe rregulli, për sa kohë ajo si kategori merr formë brenda këtij realiteti. Është pikërisht këtu gabimi që bën Evropa sot kur i qaset marrëdhënieve me myslimanët në rastin e karikaturave, sepse ajo mbron lirinë e shprehjes jo se nuk e kupton që ajo duhet të ketë kufij por e konsideron si kufirin mbrojtës ndaj religjionit. Gabimi qëndron në të konsideruarit të fenomenit mysliman me konceptimin dhe këndvështrimin që ata kanë për Krishterimin dhe historinë e tij nga këndvështrimi i frikës që shkaktoi pushteti i Kishës në Evropën mesjetare.
Duhet vështruar marrëdhënia e cila është ndërtuar mes myslimanit dhe Profetit të tij, se si sjelljet, fjalët, veprimet apo mosveprimet e tij janë kthyer në një kushtetutë etike për besimtarët, në një ndërveprim intimiteti e dashurie, sepse ai është ligji, ai është liria. Vetëm duke kuptuar se si praktikohet dhe përjetohet liria e çdo myslimani, atëherë do të kuptohet edhe shkalla e dëmit të shkaktuar me publikimin e vizatimeve denigruese, do të kuptohet se sa është shprishur vija e dëmit për shkak të keqkuptimit të lirive. Liria e shprehjes transformohet në liri irracionale, në momentin kur e prish ekuilibrin, çorienton vijën e dëmit dhe del nga përgjegjshmëria duke u bërë pre’ e pasioneve dhe dëshirave. Pra, kthehet në irracionale për sa kohë ndërhyn në territorin e lirisë së tjetrit, për sa kohë sfera publike konsiderohet si disiplinuese vetëm për të dëgjuar një argument dhe për të qenë e shurdhët ndaj argumentit tjetër. Prandaj qëndrojmë brenda racionalitet kur përpiqemi të kuptojmë dhe të interpretojmë sa më mirë pretendimin e tjetrit dhe kthehemi në irracionalë kur imponojmë pretendimin tonë mbi të drejtën e tjetrit.
Pamë gjithashtu se sa i domosdoshëm është një riformatim dhe rimoralizim i strukturës së kritikës dhe kriticizmit, mbështetur mbi faktin se njerëzimi është tashmë i vetëdijshëm se “hegjemonia e arsyes” nuk është e vetmja rrugëzgjidhje e të fshehtave të pafundme që bashkëjetojnë me njeriun. Në momentin kur njeriu ndërtoi hegjemoninë e arsyes së tij dhe e meremetoi atë përmes vetëm një lloji të kritikës, totalisht në funksion të kësaj hegjemonie, ai padashur e reduktoi qenien njerëzore nga një qenie shumëdimensionale, e cila ngrihej mbi imagjinatën, në një qenie të dënuar brenda qelisë së arsyes së vet. Kjo krijon tension mes idesë së të drejtës së qytetarit për privatësi të plotë, ku përplotëson lirinë dhe moralin e vet, dhe mënyrës se si ligji ndërhyn në këtë privatësi. Pra, kemi moralin në sferën private i cili teorikisht njihet, por që në mënyrë paradoksale zgjidhet me ligje që gjykojnë privaten me pyetje publike. Kështu individi dhe hapësira e tij nuk kanë rrugë tjetër vetëm se të transformohen në hapësirë publike brenda llojit të vet. Prandaj e gjejmë artikulimin justifikues të mbështetësve të publikimit të karikaturave, si procedurë e cila justifikon lirinë për të ndërhyrë te sfera private e tjetrit nën emrin e një të mire publike siç është liria e shprehjes. Por çështja e karikaturave, ndryshon nga sjellja rutinë e hapësirës publike sekulare, sepse tashmë ky konflikt nuk ka të bëjë me një shoqëri brenda llojit të vet, por i drejtohet disa modeleve të tjera shoqërore, siç janë shoqëritë myslimane, të cilat kanë një mënyrë tjetër të të konceptuarit të hapësirës publike e private. Për këtë arsye palët nuk kuptonin njëra-tjetrën për pasojat e konfliktit sepse më shumë se çështje skicimi artistik, karikaturat përbënin në vetvete konflikt për mënyrën se si konceptohej hapësira publike e private në dy modele shoqërore të ndryshme, ku sekularizmi e kishte shtyrë religjionin në kufijtë e individit, ndërsa shoqëritë myslimane religjionin e kishin moral publik.
Sot, bota në sajë të kanaleve masive të komunikimit, internetit, satelitit dhe shumë formave të tjera ndërmjetësuese mes njerëzve, nuk mund të konsiderohet një realitet lokalitetesh të veçuara në të cilat ligje lokale mbizotërojnë. Në kohët tona kur i gjithë planeti tashmë është kthyer në një Agora’ të përbashkët, ato që duhet të prevalojnë mbi vlerat lokale, duhet të jenë vlerat universale si përbashkuese të realiteteve multikulturore. Në këtë kuptim, konflikti mes dy formave të të kuptuarit të moralit të publikes e privates, në qytetetërime të ndryshme, rezultonte i pashmangshëm.
Karikaturimi i privatësisë përmes kondensimit dhe kombinimit, çon në përplasje të pashmangshme sociale, sepse hapësira private individuale është dhunuar hapur nga hapësira publike e kriticizmit sekular, që në rastin konkret ka përdorur një zhanër si karikatura për të sanksionuar dominimin e vet në shoqëritë sekulare dhe për t’i prishur kufijtë e komunikimit në emër të të ashtuquajturës luftë kundra “auto-censurës”. Po në emër të kësaj lufte, prishet edhe kufiri i dëmit ndaj hapësirës private e cila është tashmë e dënuar të jetë më publike se kurrë. Prandaj përdorimi i karikaturave të ndërtuar me një strukturë konceptimi të një kulture tjetër ndaj po një kulture tjetër, pa kuptuar logjikën dhe kontekstin e saj, shkakton “plagosje morale” të pariparueshme sepse tashmë nuk bëhet fjalë se është dëmtuar perceptimi për një subjekt imazherie siç është fjala për Profetin Muhamed, por është cenuar rëndë lidhja intime, vula e ngjashmërisë, përkatësia identitare e çdonjërit që ka ndërtuar këto marrëdhënie mimetizimi.
Për ta vërtetuar pikëpamjen e tij, Fleming Rose duhet që të vërtetojë bindshëm se, që në burimet tekstuale si dhe praktikat universale, Islami të ishte i barasvlershëm me totalitarizmin. Gjithashtu ai duhet të tregonte se kush i përcakton caqet e auto-censurës dhe mbi cilin bie barra e çlirimit ndaj saj? Dhe, a është vërtet publikimi i karikaturave mjeti i duhur për të luftuar totalitarizmin si dhe eliminuar censurën? I gjithë problemi qëndron në keqvendosjen e pritshmërive të Perëndimit në raport me kulturat e tjera migratore. Nuk janë të paktë ata që tregojnë një gatishmëri ekzemplare për të projektuar radikalizmin islam si kundërpalë të demokracisë dhe si kërcënim për rendin demokratik. Për këtë, një hulumtim më i thellë dhe më specifik është i nevojshëm lidhur me faktin se sa shkrirja e kufinjve të të kuptuarit të lirisë në kontekstet ndërkulturore, transformohet në balsamin e zgjidhjes së problemit.
Liri e besimit nuk mundet kurrë të trajtohet si oponente e lirisë së fjalës. Sepse liria e fjalës është pjesë përbërëse e lirisë së besimit dhe anasjelltas. Ndaj edhe dilema liri e fjalës apo liri e besimit ngrihet vetëm nga një këndvështrim sekularist dhe teorive liberale. Kurse kufizimet që natyrshmërisht ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë brenda lirisë së fjalës kur preken dhe cenohen kufij të rëndësishëm të shoqërisë njerëzore, në të cilin përfshihet edhe besimi, përkundrejt të qenurit problematikë janë një garanci e ruajtjes së sistemit dhe mbarëvajtjes shoqërore. Ashtu siç ka kufij në lirinë e fjalës në një shoqëri sekulariste kur cenohet struktura dhe funksionimi i saj pikërisht si pasojë e kësaj lirie, ashtu ka dhe duhet të ketë kufizime në shoqëritë liberal demokratike dhe sekulariste kur cenohet liria e besimit, ngase kjo e fundit është pjesë integrale e saj, është frymëzuesja shpirtërore për lëvizjen e ingranazhit të stërmadh të kësaj shoqërie.
Bibliografia
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...