Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 18, 2015 Zani i Nalte Histori 0
Ma. Sc. Refik Gërbeshi
Hyrje
Popujt përreth apo edhe me gjerë identifikohen me një fe të caktuar, ndërsa te shqiptarët, komponentët komb e fe kanë qenë gjithnjë unikë dhe fati ka dashur që t’i përkasim llojllojshmërisë apo trillojshmërisë, që janë pasuri kombëtare, kurse ndikimi dhe roli i fesë ndër kohëra ka kontribuar për ruajtjen e kombit. Qasja e historisë shqiptare sidomos në këndin e zhvillimit të bashkësive fetare ndikimin e tyre, si dhe karakteristikën e dominimit kombëtar tek ata, nuk është e paktë, por dominon vija e bashkëjetesës, duke mos i shpëtuar edhe keqpërdorimit sidomos të të huajve, si edhe lakmitarëve që të jenë në shërbim të përçarjes.
Në historinë tonë kombëtare ekzistojnë shumë prej figurave fetare, që dhanë kontributin e rrallë, por që historianët e studiuesit shpesh janë të prirur t’i mohojnë, apo së paku t’u fshehin titullin fetar nën pretendimin e ruajtjes së imazhit kombëtar laik. Por ndikimi gjeostrategjik dhe efekti kombëtar e politik ishte dhe është i dukshëm, sidomos pas shkëputjes së Kosovës nga Shqipëria dhe pushtimi nga serbët, të cilët për politikën e tyre përdorën edhe fenë. Nuk do të thotë që edhe shqiptarët gjegjësisht prijësit fetarë shqiptarë, sidomos ata myslimanë, nuk e përdorën fenë si gjeostrategji për dallimin nga armiku. Nga ana tjetër, prirja për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përkatësitë fetare në interes të unitetit rreth çështjes kombëtare zë fill gjatë kohës së Rilindjes dhe vazhdimësia e saj ishte gjithnjë në funksion me kalimin e kohës. Tema e bashkëjetesës ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve, në 15 shekujt e kaluar e deri sot, është prej çështjeve, që kanë një rëndësi të veçantë për një shoqëri përparimtare.[1]
Kleri, prijësit fetarë shqiptarë nga të tre komunitetet përkatëse më të mëdha të Shqipërisë u përfshinë në fillimet e luftës për pavarësinë e Shqipërisë. Që me themelimin e Komitetit të Stambollit, përfshirja ishte e përgjithshme, nga të gjitha besimet edhe Lidhja e Prizrenit e kuvendet e tjera të njohura në histori, si edhe ai i Vlorës e tutje përbënin larushinë fetare brendapërbrenda vetes, duke qenë funksionale dhe reflektuese. Por shteti e shoqëria shqiptare ishte dhe është multireligjioze dhe kur dikush donte ta identifikonte me njërën nga fetë, apo ta përdorte fenë për ta përçarë kombin tonë, intelektualët ngrinin zërin duke qenë shembull botëror për tolerancë e respektim të njëri-tjetrit. Myslimanë, ortodoksë e katolikë kishte si në frontin e rezistencës shqiptare, ashtu edhe midis përkrahësve të qeverisë së Tiranës, si dhe të organizatave të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, Xhemijeti etj. Prijësit fetarë nuk ishin të lokalizuar me rajon as të përkufizuar me përkatësinë e tyre fetare. Ata dëshironin dhe ishin të angazhuar për bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje e rajoni. Prandaj kontributi i tyre ishte i madh pavarësisht se tendencat për minimizimin e këtij angazhimi ishin dhe janë aktuale. Jam i vetëdijshëm se kjo temë kërkon hapësirë dhe përkushtim edhe më të madh në të ardhmen dhe do të jetë obligim jo vetëm individual, por edhe institucional e kolektiv, pasi kemi fatin që jetojmë në këtë kohë kur mundësitë dhe liria na e lejojnë një gjë të tillë. Nga ana tjetër ekziston tendenca edhe e keqpërdorimit nga jodashamirësit e kombit apo ata që, nën shërbimin e të huajve, duan të fusin përçarje përmes fesë. Prandaj duhen vënë çështjet në binarët e vet dhe strategjia e fesë, në mënyrë që gjithnjë të jetë siç ka qenë në shërbim të atdheut.
Elita shqiptare e historisë moderne fetë e sidomos institucionet dhe prijësit islamë i kishte bastion të aktiviteteve kombëtare jo vetëm politike, por edhe kulturore. E, nga ana tjetër, hoxhallarët ishin gjithnjë në shërbim dhe kontributdhënës për çështjen kombëtare. Pas shkëputjes së Kosovës nga trungu amë dhe pushtimit të dhunshëm nga serbët nga 1913 e këtej, xhamitë e mejtepet ishin vendtakim i popullit si edhe edukim e mësim shqip për brezat. Edhe pas ripushtimit 1945, rezistenca ndaj Serbisë dhe kundër propaganda ndaj ortodoksisë sllave udhëhiqej nga hoxhallarët. Jo vetëm lufta e armatosur, por edhe thirrja për qëndrimin në atdhe, si edhe mësimi i gjuhës shqipe. Edhe pse përjetuan burgosje, internime, akuza dhe ndalime me ligj duke quajtur vepër penale mësimin nëpër mejtepe, ata rrezikonin e sakrifikonin jetën e tyre duke shfrytëzuar mundësinë e edukimit të popullit, sepse shteti i atëhershëm nuk lejonte hapjen e shkollave shqipe. Megjithatë, në këtë punim mbeten edhe të pathëna, që na i kufizon qasja konkrete këtu, apo kategoria e punimit. Mbetem me shpresë që në të ardhmen të kontribuoj edhe më tej në këtë lëmë.
Feja, ndikuese në shoqëri
Civilizimet e vjetra babilonase, asiriane, hinduse etj., kanë për fillesë bindjen apo besimin në Zot. Besimtarët janë ata që ditën të qëndronin pranë shumë figurave të mëdha intelektuale dhe luftëtarëve të kohës, për të sjellë integrim, liri dhe edukim. Përveç borxhit, nënshtrimit dhe prirjes së natyrshme, feja shënon edhe drejtësinë, gjykimin e drejtë, masën e drejtë, harmoninë dhe drejtpeshimin[2]. Kontributi gjeopolitik e gjeostrategjik përmes feve është marrë si pretekst i zhvillimeve të shumta botërore në shoqërinë njerëzore qoftë në këndin e ngritjes kulturore e politike, qoftë edhe në atë luftarak. Në qarqet fetare sqarohet se feja ka lindur së bashku me njeriun dhe pavarësisht zhvillimeve të mëvonshme, njerëzimi që në lashtësi kishte besimin dhe ngriti tempujt fetarë. S’ka dyshim se fetë janë themeluese të civilizimeve dhe bartëse të tyre dhe qëllimi i tyre është edukimi i njeriut. Shoqëria njerëzore ka gjurmët e veta historike, sidomos në aspektin e zgjerimit të tyre gjeostrategjik e gjeopolitik. “Në të kaluarën, por edhe sot, edhe pse mundë të haset në njerëz që nuk kanë pranuar ndonjë fe, nuk mund të haset edhe në shoqëri jofetare”.[3]
Nga ana tjetër, gjurmët më të theksuara janë të atyre që besuan, sepse feja apo besimi në Zot stimulon besimtarët me diçka të shenjtë më të madhe sesa interesi i jetës. Ajo nxit besimtarët për punë të mira humanitare e çlirimtare duke e obliguar me misionin e kontributit për paqe e liri, për dallim nga ideologjitë njerëzore, që ofrojnë diçka më të ngushtë, më minore, bindja fetare ofron edhe amshueshmërinë. Zakonisht fetarët apo prijësit e feve ndodhen edhe në ballë të revolucioneve, luftërave për liri, si dhe në nxitjen drejt prosperitetit e integrimeve shoqërore. “Përvoja historike e pjesës më të madhe të popujve dëshmon se njësia e fesë ishte ndër faktorët e rëndësishëm në procesin e integrimit të perandorive mesjetare, kurse roli i feve në integrimin e njësive etnokulturore e gjeopolitike kombëtare do të shfaqet në fillet e kohës së re në periudhën e renesancës, me një rëndësi të shtuar gjatë humanizmit, iluminizmit dhe rilindjes kombëtare”.[4] Kështu që dihet se në mesjetë udhëheqja dhe drejtimi i shtetit konsiderohej si vullnet i Zotit apo çështje hyjnore “Që nënkuptonte një përzierje të fuqishme të ‘fesë’ në udhëheqjen dhe drejtimin e atyre rrjedhave dhe proceseve”. Por etapa e reformizmit sjell koncept tjetër, atë të ndarjes së Papatit nga Perandoria “Reformistët protestantë e shihnin perandorinë më shumë si udhëheqëse ushtarake, e më pak si përfaqësuese e Zotit me çka edhe janë personifikuar”[5]*. Megjithatë, gjatë kohërave, feja është përdorur për pushtete e strategji ideologjike e politike, si nga të krishterët me Kryqëzatat, ashtu edhe nga myslimanët me kalifatin, apo edhe të tjera pretendime.
Huntingtoni parasheh në “Përplasjen e qytetërimeve” edhe ndarje gjeostrategjike sipas religjioneve “Në kohën kur në botën perëndimore do të lindnin veçanti në qytetërime si njësi të veçanta gjeografike përkatësisht hapësira të veçanta gjeopolitike, këto njësi gjeografike mbi bazën e përkatësive të besimit fetar do të jenë më pas edhe determinuese të gjeopolitikave të reja”[6]. Në rendin e ri gjeopolitik, ndër aktorët e këtij rendi të “Karakterit jo territorial numërohen edhe institucionet fetare”, edhe pse orientimet drejt rendit të ri botëror të sigurisë nuk kanë të bëjnë me këtë çështje, por më shumë janë të ngritura në konceptet “shtet-komb” ekuilibër i forcës apo Koncepti Evropian.
Gjeostrategjia dhe gjenealogjia e përbashkët e feve
Përgjithësisht fetë kanë fillimet e tyre gjeostrategjike ndër popujt e lashtë e të mëvonshëm, duke filluar e funksionuar nëpër hapësirat e mundësisë së përhapjes dhe zgjerimit të tyre. Qoftë ato të mëdha, më dominuese, apo më të përhapura, qoftë ato të lindjes së largët nga themeluesit e tyre kërkonin hapësirën gjeografike. Kurse te fetë e shpallura apo më të njohurat siç janë: Hebraizmi, Krishterimi e Islami, hapësira e tyre ka pozitë të përshtatshme për përhapje tokësore e detare. Gjeostrategjia e shpalljes dhe përhapjes së feve i ka fillesat nga Gadishulli Arabik, një hapësirë shumë e përshtatshme për zgjerimin global. Kështu, nëse shikojmë Ibrahimin (Abrahamin), që vjen në Gadishullin Arabik si vend strategjik për përhapjen, duke pasur parasysh pozitën gjeografike, edhe këndi tjetër ku paraardhësit e këtyre tri feve te mëdha lidhen me këtë pjesë jo vetëm gjeostrategjike, por edhe gjenealogjike, ngase nga Ibrahimi rrjedhin të zgjedhurit e tjerë si për hebrenjtë Musai (Moisiu), për të krishterët Isai (Jezusi), ashtu edhe për myslimanët Muhamedi. Meka, Vatikani apo Jerusalemi u paraprijnë qendrave të shumta botërore të cilat gjithsesi kanë tempuj fetarë krahas atyre kulturore e institucionalë. Në shekullin e X, Kordoba ka qenë qyteti më i civilizuar në Evropë dhe bashkë me Stambollin, Bagdadin e Kajron, është konsideruar një nga katër qendrat më të rëndësishme kulturore të botës. Me 70 biblioteka dhe me shumë libra që ka pasur në të, me shumë xhami dhe pallate, Kordoba ka fituar atë kohë një famë botërore. Në qarqet historike është studiuar aktiviteti i shumë figurave që lanë gjurmë në jetën shoqërore e në shoqërinë njerëzore në përgjithësi, apo edhe në atë shqiptare në veçanti, por ata ishin të nxitur nga bindja në amshueshmëri, apo edhe nga obligimi që njeriut t’i ofrohet e drejta, liria, informimi e integrimi, duke qenë mision i krijimit nga Zoti. Duke kërkuar pikat e përbashkëta të feve gjejmë fillesat: Besimin në krijimin nga Zoti, nga dy prindërit Ademi-Adami e Hava-Eva, besimi në Engjëjt, Librat e Shenjtë, Vdekjen, ringjalljen etj. Kurse më vonë fetarët, apo shoqëritë i përdorën ato për strategjitë e pushteteve. Karakteristika shqiptare e multireligjiozitetit megjithatë kishte fenë si element gjeohapësinor për mbrojtjen e pjesës së besimtarëve të vet për integrimin dhe kontributin e nevojave të kohës.
Pushtuesit kujdeseshin për bashkësitë fetare
Që në lashtësi, Ballkani ishte vend grindjesh ndërmjet pasardhësve të Aleksandrit që i dhanë rastin Senatit Romak për të ndërhyrë në gadishull, “ata e konsideronin veten të vetmit sundimtarë mbi gadishull, deri në pushtimin osman 1453, që ishte ndryshimi i dytë. Kurse ndryshimi i tretë u shoqërua me vendosjen e sllavëve në Ballkan”. Duke filluar që nga romakët, sllavët, osmanlinjtë e përsëri sllavët, më pas italianët përmes feve mendonin ta mbajnë nën kontroll popullatën edhe pse në ditët e para nuk kishte ndonjë vend të veçantë”. “Duhet shumë dinjitet e shumë stil nga ana jonë, sidomos respekt absolut për gratë e për fetë”-mendonte gjenerali Badolio në ditën e dytë të pushtimit të Shqipërisë. “Objekt i një kujdesi të madh ishte që të vendosej një marrëveshje e plotë në mes të ithtarëve të katolicizmit, të ortodoksisë dhe të fesë myslimane. Me këtë rend idesh qe ndërmarrë ndërtimi i kishave qoftë katolike ashtu edhe ortodokse si dhe i xhamive”. Shumë xhami u restauruan e u ndërtuan në të gjithë Shqipërinë me paratë e qeverisë së Romës, ashtu sikurse edhe Kisha të të dyja riteve. Italia përdori edhe këndin politik për të nënshtruar më lehtë shqiptarët duke pretenduar bashkimin kombëtar. Edhe gjermanët premtonin autonomi për shqiptarët si “Arianë të Ballkanit”, ndërsa për sa i përket Islamit, ajo (Shqipëria) kishte lidhje me Turqinë, madje në një shkrim nga Komandanti i Vermahti thuhej: “Shqipëria në kuadrin e politikës tërësore islamike të Gjermanisë dhe sidomos me lidhjet me Turqinë kërkonte një trajtim të posaçëm politik”. Mirëpo, “pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dalin në skenë dy fuqi të dalluara që pretendonin ta prezantonin veten e tyre si simbolet ‘e vërteta’ të botës së lirë”[7]. Ato ishin SHBA dhe BRSS*. Kurse serbët kishin një pretendim krejt ndryshe, sa i përket propagandës politike rreth posedimit të “Tokës së shenjtë” të Kosovës përmes gjeostrategjisë politike, si dhe trysnisë ndaj feve shqiptare, Islamit e Krishterimit.
Ndikimi i fesë në çështjen kombëtare shqiptare
Pozita gjeografike, gjeopolitike e gjeostrategjike e vendit tonë ishte e atillë që lidhte detin me tokën, si edhe tokën mes vete duke qenë epiqendër e takimeve relievore, por jo vetëm kaq, sepse ky reliev ofronte mundësinë e zgjerimeve dhe shpërndarjeve ideologjike kulturore e tregtare, e pse jo edhe fetare. Prandaj, trojet shqiptare janë vend-takim i kulturave, politikave e interesave të shumta si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, kështu që shpesh ishin vatër e atakimeve, interesave, politikave dhe luftërave. Në këtë këndvështrim ia vlen që të shikohet hapësira e fushës politike duke gjetur pikat e përbashkëta që na çojnë drejt unitetit e jo përçarjes. E kjo është mençuria kur politika udhëhiqet nga largpamësit.
“Njerëzimi kurrë nuk do ta shohë fundin e problemeve të veta deri sa…mençuria (urtësia) nuk e merr pushtetin politik, apo pushteti politik nuk bëhet tërheqës për mençurinë”[8]. Në trojet shqiptare dominon Islami pastaj krishterimi e sekte të tjera. Krishterimi te shqiptarët daton që nga koha apostolike në shekujt e parë të pas Krishtit përmes të cilit shqiptarët përforcuan identitetin e tyre. “Ishte krishterimi ai që me elementet e kulturës greke e romake që bartte i dha një identitet më të fortë popullit shqiptar”. Kurse riti ortodoks ishte i lidhur me Kostandinopojën. Por në 1922, kongresi i ortodoksëve shqiptarë shpalli pavarësinë e kishës kombëtare autoqefale, “duke afirmuar ndër të tjera të drejtën e vet për të emëruar peshkopë dhe për të përdorur shqipen si gjuhë liturgjike”. Ndërsa ndikimi, roli dhe kontributi i Islamit për ruajtjen e kombit, sidomos pas shek. XIX, ishte shtytësi kryesor. Islami ishte ai që diferencoi shqiptarët nga popullsia përreth, duke shërbyer në njëfarë mënyre si një pritë e padepërtueshme ndaj dyndjes së kulturave të jashtme, funksion kulturor ruajtës.” Përdorimi strategjik i fesë ndikoi mjaft në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe dallimin nga sllavët. Duke qenë në shërbim të feve dhe në unitetin kombëtar, rilindësit tanë ditën ta përdorin fenë për të mirën e kombit. Kështu, duke thirrur për unitet, Konica thoshte: “Është nevojë të përpiqen atdhetarët e vërtetë të largojnë cmirën nga zëmra e tyre e të qasen më tepër njëri-tjatrit”. Apo edhe “gjithë shqiptarët të çdo fesë e çdo anës të bashkohen me ne.”[9]
Ideja e startuar nga rilindësit nuk ishte tendencë për laicitet kombëtar, por vështrim i kombit nëpërmjet besimeve të ndryshme, që në këtë rast na del si identitet i larmishëm fetar. Kështu që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, bashkësitë fetare ndër shqiptarë kishin filluar një pavarësim nga qendrat botërore fetare “organizmat fetare si dhe institucionet e kultit dhe ato arsimore islame u ndodhën para detyrash shumë urgjente dhe shumë të rëndësishme lidhur me të mbijetuarit e doktrinës së tyre dhe ruajtjen e identitetit shqiptar”. Identiteti islam, edhe pse ndonjëherë ishte si identitet shqiptar në krahasim me fqinjët, prapëseprapë nuk ishte tërësia kombëtare, sepse pasuria religjioze shkonte edhe më tej, duke unifikuar gjuhën, kulturën e kombin. “Qëllime të tilla që tregojnë forcën bashkuese të nacionalizmit virulent shqiptar, i kanë rrënjët në vetë historinë e popullit shqiptar, në të cilën shpesh fetë i janë nënshtruar ideologjisë dhe praktikës nacionaliste.”[10] Nga ana tjetër, shqiptarët kurrsesi nuk mund të identifikohen me njërën nga fetë, kurse ajo e masës, feja islame, nuk ishte fe kombëtare, apo më mirë të themi nuk përkufizohej vetëm me kombin sikurse kishin bërë fqinjët me fetë e tyre. Shqiptarët nuk kishin strategji të mbështetur fetare sikurse fqinjët, grekët me “Megali idhea” dhe serbët me “Naçertanien”, prandaj zgjedhjen më të mirë e ofronte toleranca fetare, sepse vetë përbërja nga tri përkatësi fetare të ndryshme kërkonte një lloj ngjizje. Ekzistonin shumë medrese dhe mektebe të cilat në kohën e robërisë së popullit tonë shërbyen si përhapëse të diturisë që i ndritnin kokat dhe i hapnin zemrat e popullit tonë. Organizimi i Lidhjes së Prizrenit në xhaminë e Mehmet Pashës në Prizren; mësimi i Shkronjave Shqipe, kur kjo veprimtari ishte e ndaluar nga pushtues të ndryshëm; njëherazi xhamia te ne shërbeu edhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e atdheut, e vlen të përmendet koha nën pushtimin e egër serbosllav.*
[1]. Shan Sokoli http://www.shqiperia-etnike.com/
[2]. Xhemaludin Latiç “ISLAMI DHE RELIGJIONET BOTRORE” 1, përkth. Urim Poshka, m.d. Tiranë, 16.
[3]. Ekrem Sarëkçëogllu “HISTORIA E FEVE-Prej fillimit deri sot”. Prishtinë, 2010: 27.
[4]. Dr. Muhamet Pirraku “ROLI I ISLAMIT NË INTEGRIMIN E SHQIPËRISË ETNIKE DHE TË KOMBIT SHQIPTAR” në seminarin “Feja, Kultura dhe tradita Islame ndër Shqiptarët”, Prishtinë, 1995: 41.
[5]. Prof. Dr. Haxhi Ferati “GJEOPOLITIKA DHE GJEOSTRATEGJIA” (Teoria dhe praktika) Prishtinë, 2013: 167.
* Edhe koncepti “Arsyeja e Shtetit – Raison d’Etat” i shërbeu Francës për krijimin e njё Europe qendrore të dobët… për këtë qëllim Franca e stimulonte luftën në mes Protestantëve dhe Katolikëve. Shih Haxhi Ferati, vep. e cit., 169.
[6]. Prof. Dr. Haxhi Ferati, vep. e cit., 90.
[7]. Prof. Dr. H. Ferat, vep. e cit., 179.
* Fillon një luftë mbi baza ideologjike, BRSS-ja kishte për qëllim shtrirjen e ideologjisë komuniste, ndërsa SHBA-ja kishte për qëllim të ruante dhe ta forconte demokracinë. Shiko H. Ferati, cit. 194.
[8]. Po aty, 122. Sipas Platonit, Republika 360 p.e.s.
[9]. Pirraku, vep. e cit., 17 sipas Albania 8, 1900: 9.
[10]. Roberto Maroko Dela Roka, “KOMBI DHE FEJA NË SHQIPËRI 1920-1944”, Tiranë, m.d., 5.
* Revista Zani i Naltë, nr. 12 (165), korrik, gusht, shtator 2015: 36-43.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...