Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jan 11, 2016 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Ma. Gazmend Leçini
Hyrje
Historia e pavarësisë së Shqipërisë ka njohur ngjarje, problematika dhe vështirësi të panumërta. Ajo që më së shumti i ka shqetësuar “Rilindësit” tanë ka qenë pikërisht ngulitja në popull e ndjesisë kombëtare. Kjo nuk ka qenë e lehtë, duke pasur parasysh dhe të veçantën e popullit tonë, i cili është homogjen në etni (me përjashtim të disa pakicave të etnive të tjera), por është heterogjen në përbërjen fetare. Për këtë arsye identiteti kombëtar i shqiptarëve nuk mund të konsiderohej si një identitet i shkëputur nga pjesët e tjera përbërëse të atij që ne e quajmë “IDENTITET”. Ndaj dhe u desh një punë e madhe nga të gjithë patriotët për të nxjerrë në pah, në këto momente kyçe të ekzistencës sonë si popull, pikërisht identitetin kombëtar.
Janë tashmë të njohura vargjet e Vaso Pashës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që u bë motoja kryesore e atyre viteve të fillim-shekullit të kaluar. Duket sikur autori kërkon që t’ua zëvendësojë shqiptarëve fenë e tyre që ata e praktikojnë, aq sa e praktikojnë, me një “Fe” të re e kjo është “Shqiptaria”. Mund të duket e pranueshme për shqiptarin e thjeshtë (jo dhe aq fetar dhe aq më pak teolog), që siç e tregon dhe Edith Durham “Shqiptari mbetet gjithnjë shqiptar. Ai është në radhë të parë shqiptar. Feja vjen në radhë të dytë”[1]. Por kjo nuk është aspak në përputhje me parimet e të gjitha feve, ku teologët shqiptarë të këtyre besimeve, siç dhe do e shohim në këtë punim, kanë mbrojtur një ide tjetër, duke menduar se nuk ka mbivendosje identitetesh, por ka pjesë përbërëse të tij.
Këtë mendim e shohim dhe nga studimet e mëvonshme siç është rasti i Amin Maalouf-it që thotë: “Identiteti i dikujt përcaktohet dhe nga shumë elementë të tjerë si: kombësia, përkatësia fetare, një grup etnik a gjuhësor, profesioni, grupi social, bindjet politike, preferenca të ndryshme etj… Të gjitha përkatësitë kanë rëndësinë e tyre, por jo në të njëjtën kohë. Asnjëra në veçanti nuk e përmbush identitetin e dikujt.”[2]
Të njëjtën ide e hasim dhe te Mid’hat Frashëri: “Feja mund t’i ngjitet mirë një kombësie, pa ia ndryshuar kësaj karakterin etnik. Grekët e konvertuar të Kretës na japin edhe një provë më shumë, megjithëse të myslimanizuar, askush nuk i quan turq”.[3]
Nisur nga kjo, mendoj se intelektualët teologë të të gjitha feve, pikërisht ata që mbajtën barrën kryesore në ngritjen në këmbë të popullit në luftë për pavarësi, menduan se feja nuk përbën pengesë për shkëputjen nga Turqia, edhe pse për shumicën e popullsisë myslimane, pushtuesi kishte të njëjtin besim me ta. Është me vend të përmendim figurën e myftiut, Haxhi Vehbi Dibrës, i cili dha “Fetvanë”, vendimin ligjor fetar (teologjik), “për shqiponjën dy krenare në mes fushës së kuqe”, si dhe punoi për bindjen e popullit se “Pamëvarësia” është në të mirë të popullit tonë.
Kjo figurë do të ishte dhe kryetari i parë i Komunitetit Musliman Shqiptar që u formua në vitin 1923.[4]
Nuk ngelen pas dhe figurat e Fishtës apo Nolit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në arritjen e kësaj dite, por u ndala te figura e Vehbi Dibrës, pasi bëhej fjalë për shkëputjen nga “vëllezërit e një besimi”, por me kombësi të ndryshme.
Janë pikërisht këta teologë atdhetarë, që me organet e shtypit të bashkësive fetare që ata drejtuan, brumosën te shqiptarët ndjenjën e respektit dhe bindjes ndaj institucioneve shqiptare dhe atdhedashurinë, e cila, në masën e saj të duhur, nuk bie aspak në kundërshtim më frymën e asnjë feje.
Për të parë se si i kanë pasqyruar përvjetorët e pavarësisë mediat fetare të kësaj periudhe, cilat kanë qenë llojet e shkrimeve të përdorura për t’ia sjellë sa më pranë lexuesit ngjarjet historike, kam ndjekur këtë metodologji:
Revista “Hylli i Dritës”, organi zyrtar i Françeskanëve, i ka kushtuar një vend të veçantë pasqyrimit të pavarësisë që në numrin e dytë, i cili përkon pikërisht me përvjetorin e parë të ngritjes së flamurit. Ashtu siç e bën të ditur në akt-themelimin e kësaj të përkohshmeje: “se tuj dashtë qi edhe n’kohë t’liriës Fretnit e Sh’Franceskut t’u përkujdesshin për t’marë e t’mirë t’kombit shqyptar si nder kohë t’kaluem: e tuj dijtë edhe sa randësi t’madhe kan n’gjytetnim t’nji komit Perkohshmjet, me letër çarkore t’15. t’Gushtit t’ktii vjetit (1913) tfaqi dishirin qi Provinca e Shqypniës t’a themelojte nji Perkohshme t’veten…”[5]
Duke qenë se revista ishte në shtyp para 28 Nëntorit, drejtuesit e revistës në numrin e saj të tretë të dhjetorit të po atij viti, i rezervojnë një shkrim editorial me titull “KREMTIMI I KRYEVJETIT T’PARË T’INDEPENDENCJES S’SHQIPNIËS N’SHKODËR”. Në këtë shkrim tregohet gëzimi dhe hareja që ka përfshirë qytetin e Shkodrës në ditën e Flamurit, “si një provë e fortë kundër atyre që thonë se populli shqiptar nuk e do lirinë”[6] Përvjetori i parë i Flamurit është festuar gjatë gjithë ditës në Shkodër ku i madh e i vogël, mysliman e katolik njëzëri brohorisnin “Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë flamuri i sajë!”[7]
Po në këtë numër kjo revistë boton vjershën “E 28 E NANDORIT T’VJETIT 1913”, ku me një ndjenjë mërzie dhe keqardhjeje të thurur në vargje, pasqyrohet gjendja kaotike që mbizotëronte Shqipërinë e asaj kohe, e cila “për një motmot te rriin aj n’anarkië / e t’bahet prralla e gazi i rruzullimit”.[8]
Duke hulumtuar numrat e nëntorit të kësaj reviste, shohim se festimin madhështor të përvjetorit të parë në Shkodër e hasim edhe në numrin e nëntorit të vitit 1937. Ja një detaj i kremtimit të asaj dite: “Kumbanarja e kishës së Gjuhadolit qe lidhur me minaren e xhamisë së Fushës së Çelës me një tel mbi të cilin valvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave kuq e zi”.[9]
Pas një ndërprerjeje të gjatë “Hylli i Dritës” i rikthehet botimit në vitin 1921. Në numrin e nëntorit të atij viti botohet një shkrim historik për Lidhjen e Prizrenit.[10]
Revista ndërpret sërish botimin në vitin 1924, pasi është i njohur qëndrimi i saj antizogist, dhe rifillon botimin në vitin 1930.
Një shkrim analitik “A jemi shqyptarë a por do të bahemi?”, diskutohen termat shtet, popull e komb ku mbrohet ideja se Shqipëria fare mirë mund të ekzistojë dhe duhet të ekzistojë si shtet i pavarur, edhe pse brenda saj mund të ketë pakica të kombeve të tjera, duke e argumentuar këtë ide dhe me rastin e Anglisë, Gjermanisë apo Spanjës ku në përbërje të tyre ka popuj të kombësive të ndryshme, duke e ndarë kështu nocionin shtet me atë komb.[11]
Një nga format që kjo revistë përdor për të evokuar pavarësinë është dhe vjersha, siç e quan redaksia. Këtë e shohim në numrin e nëntorit të vitit 1933, ku botohet një vjershë nga P. Vinçenc Prenushi “NANA SHQYPTARE”, ku pasqyrohet në vargje lufta e popullit shqiptar për liri.[12] Në të njëjtin numër kemi dhe dy shkrime të tjera historike njëri “Për historinë e Alfabetit shqip” dhe tjetri “Njëzet e pesë vjetori i Kongresit të Manastirit”.[13]
Njëzetepesë vjetori i pavarësisë si vit jubilar do të ketë një vend të veçantë në faqet e “Hylli i Dritës”. Redaksia duket se e parapërgatit lexuesin e saj që në numrin shtator-tetor të vitit 1937 me një studim me titull “Pse u ngrit Flamuri në Vlorë dhe jo në Durrës”. Aty i bëhet një përshkrim itinerarit të ndjekur nga Ismail Qemali deri në Vlorë. Autori tregon se çfarë u tha në një mbledhje të zhvilluar me parinë e qytetit ku “Ismail Qemali foli për situatën dhe rrezikun që i kanosej Shqipërisë. Pastaj zuri Myftiu të flasë gjësendi, por nuk u foli dot, pastaj u ngrit Dhespoti i Durrësit Jakovi dhe tha me zë të fortë: Zotërinj. Unë që kur kam lindur, që kur kam ardhur ndër ment e gjer më sot, vetëm një flamur kam njohur, kam dashur dhe kam nderuar, dhe ky është flamuri i Osmanllisë! Nenë këtë flamur dua të vdes. Mjerisht kjo fjalë e tërhoqi tërë mbledhjen për vete dhe filluan të propozonin që të njihnin vetëm flamurin e Osmanllisë. Atëherë Ismail Qemali e humbi pontin në Durrës por jo shpresën”.[14]
Më pas në numrin e nëntorit janë një seri shkrimesh të karakterit historik, poetik dhe informativ. Revista hapet me një përkushtim: “Dëshmorëve, Veteranëve, Fatosave që me gjak, djersë e burrni, me pupël, besë e trimni, vllaznuen zemrat shqiptare kputën prangat e robnis qindravjeçare, tuj shpejtue agimin e Hyllit të liris”.[15]
Më pas jepet një vjershë për Flamurin Kombëtar e një autori me pseudonimin Costandinus. Ja një strofë prej saj: “A thua dielli ndonjë herë shndriti / më me uzdajë për kombin tonë / sa atë herë kur për së pari valviti / kuq e zi Flamurin në Vlorë”.[16]
Në një studim mbi historikun e flamurit kombëtar në qytetin e Shkodrës, hasim në një sërë faktesh se si flamuri kuq e zi ishte tashmë i përhapur nëpër bajraqet e veriut. Ja çfarë shkruhet në të: “Ka të gjitha gjasat që flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 të ketë qenë pikërisht ai që vetë Ismail Qemali mori nga Lec Shkjezi në Kotorr pak përpara. Nuk e dua – i pat thënë Plaku – as tepër të madh, as tepër të vogël. E Leci, që kishte flamuj me shumë përmasa, i dha një flamur të thjeshtë 2 m të gjatë”.[17]
I shprehur në vargje, gëzimi që ka shqiptari për këtë ditë tingëllon shumë prekës dhe për ne pas kaq e kaq vitesh. “Ma e lumja ditë, shejmire e me oguër/ Për te me u gzue dhe gjarpni per nën guër / Paj edhe t’deknit n’vorre, / Se jo ma fmija, qi kcejnë n’per oborre.”[18]
Ndërsa në numrin e dhjetorit kjo revistë pasqyron një festë madhështore që u organizua me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, në Komunën e Kastratit.[19]
Në vitin 1939, kur Shqipëria gjendej nën pushtimin e Italisë, në numrin e saj të prillit 1939, del qartë qëndrimi që kjo revistë do të mbajë ndaj pushtuesit fashist italian: “Dita 7 Prill shenjon fillesën e nji epoke të re e fatbardhë për popullin shqyptar… Shqypnin e flamurit të Vlonës e mbyti nji Esat Toptan; Shqypnin e Luigj Gurakuqit e Bajram Currit e mbyti Ahmet Zogu i Matës, por ksaj Shqypnije oksidentale, Shqypnis së gjith shqiptarëve qi do të mkambet me pagjë, me drejtësi e me rregull të njij Benito Mussolinit, s’ka me pas çka me i ba as nji Esad e as nji Ahmet i kësaj bote”.[20]
“Hylli i Dritës” i kushton një shkrim 28 nëntorit të vitit 1925, kur Ahmet Zogu e rimori dhe një herë pushtetin pas dështimit të “Revolucionit të Qershorit”. Në shkrimin “Nji 28 Nanduer gjaku (1926) tregohet: “Ky (festim i përvitshëm i pavarësisë) nuk ndodhi në vitin 1925 kur qeverinë e vendit e kishte në dorë Ahmet Zogu, i ardhur atëherë në fuqi me ndihmë e armë të huaja. Kjo nuk ndodhi as në nëndorin e vitin 1926 …”[21]
Ky shkrim tregon se edhe pas ribotimit të kësaj reviste nën regjimin e Zogut, 1930-1939, përsëri “urrejtja e vjetër” e drejtuesve të saj ndaj Zogut akoma nuk ishte shuar.
Po në këtë numër botohet shkrimi “Dita e Flamurit”, ku tregohen disa veprime diplomatike të italianëve në raport me flamurin shqiptar. I tillë ishte rasti kur më 8 prill, Kolonel Scattini vendos në Shkodër krahas flamurit italian, edhe atë shqiptar, duke thënë: “…kemi ardhur tek ju jo si një popull i panjohur dhe armik. Ne ju konsiderojmë popull mik dhe vëlla… Këta dy flamuj do të valëviten për jetë së bashku në shenjë të kësaj lidhjeje vëllazërore…”[22]
Gjithashtu pasqyrohet gjerësisht ceremonia e kremtimit të 28 nëntorit ku Françesko Jakomoni i dorëzon kryeministrit shqiptar, Shefqet Vërlacit, flamurin e ri kombëtar, e që nga ajo ditë, siç ishte dhe më parë, do të njihej ditë feste më emrin ‘Dita e Flamurit’. Më pas, po në këtë shkrim përshkruhet e gjithë ceremonia e organizuar “nën kujdesin” e veçantë të Mëkëmbësit të Italisë. Në këtë shkrim të gjatë dhe analitik, përshkruhen dhe ndryshimet që ka pësuar ndër vite deri në kohën e Italisë ku “iu shtuen shenjat e Liktorit e sipër tij Kunora e Shtëpisë së Savoia”.[23]
Dilemës sonë se si mund të jetë festuar ky përvjetor i pavarësisë ndërkohë që ne kemi qenë të pushtuar nga Italia, na i përgjigjet po në këtë shkrim Dom Lazër Shantoja. Ja një pjesë e fjalimit të tij (i cituar në normën e sotme letrare): “Ja vëllezër shqiptarë situata; kemi humbur për këtë punë pavarësinë tonë kombëtare? Manifestimi i sotëm do të konsiderohet një anakronizëm grotesk si një farsë politike. Po flas më qartë e po ju pyes: thua populli shqiptar është mbledhur sot në sheshin e kryeqytetit e në sheshet e qyteteve e të katundeve të ndryshme të Shqipërisë për të dhënë shembullin më dallkauk kolektiv e zyrtar që ka njohur historia e Shqipërisë? Ju përgjigjem: Jo! Unë do të turpërohesha sot para bashkatdhetarëve të mi, përpara vëllezërve të mi të Italisë, po të doja të luaja rolin e një xhongleri fjalësh. Unë ju them me bindjen më të plotë e më të sinqertë se sot më shumë se kurrë populli shqiptarë ka arsye dhe ka të drejtë ta kremtojë ditën e 28 Nëntorit.”[24]
“Hylli i Dritës” numrin e nëntorit 1941, e hap me një poezi të Fan Nolit “28 Nanduer”. Në artikullin “Kunora e Flamurit” bëhet një paralelizëm me 28 nëntorin e vitit 1443, kur Skënderbeu e ngriti flamurin në Krujë. Ndërsa duke folur për “Nëntorin e dytë” atë të vitit 1912, u bëhet jehonë, përveç figurës së Ismail Qemalit, edhe figurave të besimit katolik si Luigj Gurakuqit, Zef Harapit, Dedë Gjo’ Lulit, përmendet dhe kontributi i patriotëve Pandeli Sotiri dhe Themistokli Germenji.[25]
Në një shkrim me stil rrëfimtar, i ndërtuar në formën e një tregimi, si përgjigje për pyetjen e bërë nga bija, tregohet rëndësia që ka festa e pavarësisë për çdo popull. Artikulli është i mbushur plot me informacione dhe data historike si evokim i historisë së popullit tonë që nga koha e Skënderbeut.[26]
Llojet e shkrimeve të përdorura në revistën “Hylli i Dritës”
Nr. i bot. të shqyrtuara | Editoriale | Vjersha | Histori | Studime | Lajme (Rrotull Shqypnisë) |
12 | 2 | 7 | 3 | 5 | 4 |
Tabela Nr. 1
“Zani i Naltë”, revistë fetare, organ zyrtar i “Komunitetit Musliman Shqiptar”. Botimin e saj të parë e pati në tetor të vitin 1923. Karakteri i saj ishte kryesisht fetar, por në numrin e saj të parë lexojme se: “Merret edhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji dhe del një herë në muaj”.[27]
Festa e flamurit zë vend të rëndësishëm në faqet e kësaj reviste. Flamuri konsiderohet simbol i bashkimit kombëtar “Përpara këtij bashkimi çduket çdo dasi krahinore e religjoze”.[28]
Në një poezi të drejtorit të përgjithshëm të kësaj reviste, Haki Sharofi, “Flamuri Kombëtar” ndër të tjera autori thur lavde dhe ndaj Mbretit Zogu i Parë: “Shqipëri ngreje ballin kryelartë / Mbretërinë ke kuror / Dhe mburojës, shtyllë hekuri dhe të zjarrtë / E ke Zogun Arbënor!…[29]
Në editorialin “28 Nanduer 1932. Ç’kuptim ka festa e Flamurit?” vlerësohet kjo ditë feste dhe gëzimi për mbarë popullin. Pyetjes së shtruar në titull, redaksia i përgjigjet: “Sot kësaj pyetjeje nuk mund t’i japim përgjigje, sepse fuqia mendore nuk punon, mirëpo shpirti, i cili vetë nuk shihet dhe që efektet nuk i fsheh, na e tregon përgjigjen. Ai nëpërmjet syrit derdh dy pika lot. Ky lot na tregon pse bëhet gjithë kjo festë kaq e madhe. Loti i parë tregon se sot u mbushën plot 20 vjet që Kombi Shqiptar fitoi Lirinë e vet. Ndërsa loti i dytë tregon se ideali i dëshmorëve të Atdheut, që dhanë jetën për liri, është nderuar…”[30]
Me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë, në numrin e saj të nëntorit, revista i kushton gati të gjithë hapësirën e saj përkujtimit të këtij përvjetori jubilar. Në editorialin prej 8 faqesh “Dy fjalë mbi 25 vjetorin”, i bëhet një panoramë historisë sonë, duke u ndalur pastaj në ngjarjet e vrullshme të fillim-shekullit të shkuar. Herë me nota poetike e herë historike, shkrimi i përcjell lexuesit një panoramë të gjallë të asaj dite gëzimi mbarëkombëtare. Shkrimi i kujton lexuesit vargjet e njohura nga poema “Bagëti e Bujqësi”: “Ti Shqipëri me jep nder / më jep emrin shqipëtar / zemrën ti ma gatove / plot më dëshirë e me zjarr.” Në shkrim nuk mungojnë dhe nderimet për Mbretin Zog. Autori u drejtohet dëshmorëve të kombit duke u thënë: “Prehuni të qetësuar dhe kaloni çaste gëzimi se Shqipëria u bë dhe shkon drejt Qytetërimit nën drejtimin e Prijësit Gjenial të Saj, Nalt Madhërisë Tij Zogut I-rë, Mbret i Shqiptarëve.[31]
Po në këtë numër, revista ka një rubrikë të sajën me titull “Veteranët e Klerit Musliman”. Shkrimi ka një qasje unike në trajtimin e problematikës së prezencës së fesë islame edhe para ardhjes së osmanëve si dhe të pranimit të fesë nga pushtuesi, duke e konsideruar fenë si “një çështje individuale, që çdo person duhet ta zgjedhë sipas dëshirës dhe ndërgjegjes së tij. Feja është një institut, që ka për qëllim me ia përgatitë njeriut jetën pas vdekjes në një mënyrë të lumtur. Për këtë feja nuk ka lidhje me kombësinë. Kjo është arsyeja që shumica e pranoi Fenë Islame, megjithëse iu komunikua nëpëmjet armikut kombëtar… Kjo fe e naltë s’mundi me e afru shqiptarin me turkun, sepse turku nuk ndoqi një politikë fetare islame, por një politikë kombëtare turke. Prandaj shqiptarët pranuan Fenë Islame por qëndruan larg nga influenca kombëtare e turqve”.[32]
Nga sa më sipër, ky shkrim i redaksisë na tregon se klerikët muslimanë shqiptarë nuk gjenin pengesë nga parimet e fesë islame për t’iu kundërvënë atij që nuk respekton të drejtat dhe liritë që Zoti ia ka falur, siç është ndër të tjera dhe mësimi i gjuhës amtare.
Më tej në shkrim lexojmë disa prej emrave (43 emra) të këtij kleri, që kontriboi për çështjen kombëtare. Ndër ta lexojmë: Hafiz Vehbi Dibra, firmosësi i aktit të pavarësisë dhe kryetari i parë i Pleqësisë, Hafiz Ali Korça, anëtar i Kongresit të Manastirit, Hafiz Ibrahim Dalliu, mësues i Normales së Elbasanit.[33]
Në shkrimin “28 Nandori Fatbardhsija e Shqipërisë” përmendet sërish akti i pavarësisë: “…del në Vlorë një Plak mjekër-bardhë, Ismail Qemali dhe me 28 Nëntor 1912, bashkë me një grup shqiponjash, ngre Flamurin Kuq e Zi, atë që sot na valon mbi krye”. Nuk mungojnë dhe lavdet për Mbretin Zog që konsiderohet nga autori mbrojtës i sovranitetit të Shqipërisë.[34]
Kjo revistë ndërpritet në muajin prill 1939 për t’ia lënë vendin pasardhëses së saj “Kultura Islame” në shtator 1939.
Llojet e shkrimeve të përdorura në revistën “Zani i Naltë”
Nr. i bot. të shqyrtuara | Editoriale | Poezi | Histori | Studime | Lajme |
6 | 2 | 2 | 2 |
Tabela Nr. 2
Shtypi ortodoks në këtë periudhë prezantohet me organin e saj të shtypit, Fletore “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, Organ Shpirtnuer për Orthodoksët e Shqipnisë”. Themelues, pronar, drejtues dhe artikull-shkrues Vissarion Xhuvani, teolog. Kjo “Fletore” u shtyp në shtypshkronjën “Gjirokastra” në maj të vitit 1924 me 4 faqe. Emri i saj, siç e sqaron dhe botuesi, është vendosur në nder të heroit tonë kombëtar. Fillimisht u botua një herë në javë, më 7 korrik të po atij viti del 3 herë në muaj. Më 19 tetor 1924 fillon të dalë sërish një herë në javë çdo të diel. Ka një ndërprerje deri më 11 janar 1925, ku ndryshon dhe emrin në “Skënderbeu” nga “Gjergj Kastrioti” që ishte, dhe më 18 janar 1925 drejtohet nga një komision i posaçëm. Më 2 mars 1925, ditën e hënë del dhe numri i saj i fundit (me numër 23) ku lajmërohet se “Për shkaqe teknike, nuk ka për t’u botuar më Fletore “Skënderbeu”.[35]
Siç shihet dhe nga ky historik i kësaj fletoreje, i marrë nga leximi i të gjithë numrave të saj që gjenden në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, periudha e nëntorit ka pasur ndërprerje dhe nuk kam arritur të shoh ndonjë pasqyrim të pavarësisë në këtë fletore.
Organ tjetër i shtypit Orthodhoks ka qenë dhe “ZERI I ORTHODHOKSISË”, revistë fetare, botohet me përkujdesjen e Metropolitit të Korçës z. Jerotheut. Në arkivin e Bibliotekës Kombëtare gjendet vetëm numri 3 i saj i botuar më 1 Janar 1925 në Korçë me Drejtor dhe Kryeredaktor Pandeli Kotoku. Në të lajmërohet se “Botohet përkohësisht dy herë në muaj”. Edhe nga kjo revistë nuk ekziston në Bibliotekën Kombëtare asnjë numër i muajit nëntor, për të parë si pasqyrohet përvjetori i pavarësisë.[36]
Nuk ka dyshim se dhe Kleri Orthodoks Shqiptar nuk ngelet pas nga ndjenja e tij kombëtare. Këtë e tregon më së miri zgjedhja e ditës dhe e datës së organizimit të ceremonisë për ta shpallur Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare, “KOASH”. Kjo ndodhi pikërisht “ditën e ngritjes së flamurit kombëtar më 28 Nëntor 1921 në Kishën e Evangjelizmos në Tiranë ku morën vendimin për shpalljen e KOASH”.[37]
Revista “Leka”, organi zyrtar i “Urdhrit Jezuit”, njoftoi botimin e saj në vitin 1929 me 32 faqe, por numrin e saj të parë e pati në janar të vitit 1930. Vitin e parë u botua çdo dy muaj, ndërsa nga viti i dytë i botimit (1931) doli çdo muaj. U botua në Shkodër në shtypshkronjën “Zoja e Papërlyme”.
Kjo revistë me materialet e saj ka dhënë nje ndihmesë të vyer në ngulitjen e ndërgjegjes kombëtare. Që në numrin e saj të parë, Janar 1930, boton një artikull me titull “Ndjesia instiktive e atdheut” ku tregon se malli për atdheun e djek shpirtin e mërgimtarit”.[38]
Në rubrikën ‘kulturë’ në numrin e nëntorit të vitit 1930, botohet një studim për problemet e gjuhës shqipe, e cila, siç dhe shkruhet, “Gjuha po na bastardohet”. Këtu u bëhet thirrje intelektualëve të japin kontributin e tyre në mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare.[39]
Në nëntor të vitit 1931 revista “Leka” në rubrikën EDUKATË boton shkrimin “Dita 28 Nanduer”, duke shkruar se “Kjo ditë është një fotografi e këndshme, një kujtim i pashlyer i ditës 28 Nëntor 1912 në të cilën ai plak i ndershëm, Ismail Qemali bashkë me atdhetarë të tjerë të njohur nga populli, të besimeve të ndryshme, shpallën pavarsinë…”[40]
Po atë vit në numrin e dhjetorit në rubrikën EDUKATË, botohet një shkrim sa edukativ aq dhe historik, duke u përpjekur që me anë të historisë, të zgjojë ndërgjegjen kombëtare te brezi i ri. Ky shkrim “Shka pret prej nesh Atdheu i lir” na bën një paralelizëm se si ishte Shqipëria gjatë 500 viteve, si është sot dhe si duhet përdorur liria e fituar. Në të lexojmë: “Për ta rigjallëruar e përparuar Kombin nuk mjafton vetëm liria, por duhet vepruar”.[41]
Në vitin 1942 revista “Leka” del me një “NUMËR TË VEÇANTË në vazhdim të numrave kujtimorë të 25-vjetorit të pavarësisë kombëtare” siç dhe e titullon redaksia. Është një numër me shumë materiale me vlera historike, të cilat redaksia i ka mbledhur për vite të tëra nga arkivat personale të protagonistëve të atyre ngjarjeve. Një pjesë e mirë e këtyre dokumenteve botohen për herë të parë pasi, siç njofton redaksia, tashmë jemi në vitin 1942 ku regjimi i Zogut nuk ekzistonte dhe kishte një farë lirie shtypi më të madhe për sa u përket atyre materialeve, që preknin drejtpërdrejt atë figurë. Redaksia njofton se ky është numri i dytë i veçantë me dokumente historike. Numri i parë ështe botuar me rastin e 25 vjetorit, në vitin 1937, ku janë botuar shkrime që nga Lidhja e Prizrenit, si dhe shkrime të tjera të cilat nuk preknin regjimin në fuqi, e në disa raste janë përdorur dhe pseudonime për autorët.[42]
Redaksia njofton se “Në këtë volum do të mbledhim material për vitet nga 1908-1915. Shumë dokumente në gjuhë të huaj menduam më mirë t’i botonim të përkthyera besnikërisht në shqip, siç kemi bërë dhe në vëllimin e vitit 1937, (numri i veçantë i këtij viti nuk gjendet në Bibliotekën Kombëtare, edhe pse është i skeduar). Ndërsa materialet në shqip i kemi botuar ashtu siç ishin duke ruajtur jo vetëm fjalët, por edhe ortografinë dhe pikësimin origjinal edhe pse me gabime, duke menduar se për veç vlerave historike do të kenë dhe vlera gjuhësore”.[43]
Janë plot 285 dokumente dhe korrespondenca të ndryshme të botuara në 247 faqet e këtij numri të veçantë.
Llojet e shkrimeve të përdoruara në revistën “Leka”
Nr. i bot. të shqyrtuara | Editoriale | Edukatë/Kulturë | Histori | Studime | Lajme |
5 | 1 | 4 | 285 dokumente historike | 5 |
Tabela Nr. 3
Revista Fetaro-Kulturore “Kultura Islame” organ i Komunitetit Musliman Shqiptar, e cila zëvendësoi revistën “Zani i Naltë”, numrin e saj të parë e pati në shtator 1939. Kjo revistë ishte mujore, me disa përjashtime dhe vazhdoi deri në muajin shkurt të vitit 1946.
Në rubrikën e saj “Të ndryshme” revista citon si lajm festimin e pavarësisë. “Kjo ditë e pavdekshme e madhështore për Shqipërinë tonë të shenjtë, sivjet u kremtua me një madhështi shembullore. Në Xhaminë e Vjetër u kënduan Himne fetare nga kori i medresesë dhe fjalën e rastit e mbajti myftiu i Tiranës Muharrem Mullahi. Shkrimet që kanë ardhur për rëndësinë e kësaj ditë janë të shumta, por revista ishte vënë në shtyp”.[44]
Në poezinë “Dëshmorët e kombit” poeti u drejtohet dëshmorëve me disa pyetje retorike “A kujtoni se krejt jini harruar / A thoni se të zhdukur juve jini,/ a besoni vallë se s’ju kemi kujtuar / A thoni se emrin të humb’ e kini / Jo, jo, o burra, vëllazër të shtrenjtë / Kurr’ s’ju harrojmë, kurrë s’humbisni …”[45]
Në një shkrim të karakterit historik për ngjarjen e pavarësisë, i bëhet jehonë festimit të kësaj feste “sot të bashkuar me Perandorinë Fashiste, më të fortë se çdo herë, jemi të sigurtë e të bindur se Shqipëria do të gëzojë liri dhe paqe, duke përmbledhur në gjirin e saj edhe tokat ku flitet shqipja e ku banojnë shqiptarë, për t’u bërë një Shqipëri e madhe, e fortë dhe ideale”.[46]
Në rubrikën të “Ndryshme” jepet njoftimi për festimin e kësaj dite “në një mënyrë të thjeshtë prej popullit të kryeqytetit në xhaminë e vjetër ku merr pjesë dhe Mëkëmbësi i mbretit të Italisë Françesko Jakomoni bashkë me suitën e tij, i cili u prit nga zyrtarët më të lartë Komunitetit Musliman, dhe një shumicë njerëzish, intelektualë, klerikë etj.”[47]
Në kujtimin e festës së pavarësisë revista boton një poezi “28 Nëntori” ku i këndohet bashkimit të trojeve shqiptare “Flamuri Shqiptar kryelartë / Valon n’erë dhe nën ngjyrat e tij / Vllaznit e shpërndam bashkon ma s’fundi …”[48]
Me një shkrim replikues “Një përpjekje” ndaj atyre që e konsiderojnë revistën “Kultura Islame” me kuptimin pezhorativ “fetare”, lexojmë se “Përpjekja jonë është një përpjeke fetare, pse jo? Por është dhe një Përpjekje Shqiptare”. Në këtë shkrim theksohet kontributi i intelektualëve muslimanë në interes të pavarësisë kombëtare.[49]
Në kujtim të dashurisë për Atdheun në këtë numër botohet nje shkrim me karakter historik ku tregohet momenti që Profeti Muhamed, pasi e detyruan të largohej nga vendlindja e tij, thotë “Ti je vendi më i dashur në sipërfaqen e tokës dhe më i zgjedhur për mua. Po të mos më kishin përzënë larg teje, unë kurrë nuk do të largohesha nga ti.”[50]
Po në këtë numër botohet poezia “Jeni të gabuar”, vazhdimi i replikës ndaj atyre, që mundohen të fusin përçarje mes myslimanëve dhe besimeve të tjera, duke na kujtuar se shqiptarët u bashkuan të gjithë kundër pushtuesit pa dallim feje, “ishin gjithë shqiptarë, nuk dallonin Fe / Feja për ta ishte Liri e Atdhe”.[51] Kjo ndjenjë urrejtjeje është e re për Shqiptarin “Çajupi nga Jugu, Fishta nga veriu / pse kjo farë e hidhur ndër Ta nuk mbiu? / Si këta dhe shumë, kemi dhe të tjerë / po të kësaj toke, të Shqipërisë së mjerë.”[52]
Në numrin tetor-nëntor 1943 në rubrikën “Pjesa Letrare” botohet një prozë e shkurtër “Flamuri” ku tregohet rëndësia që ka ky simbol për shtetet e ndryshme. Gjithashtu sqarohet dhe domethënia e flamurit tonë kombëtar “Më mirë me vdek duke derdhur gjak se sa të jetosh me fytyrë të zezë”.[53]
Llojet e shkrimeve të përdorura në revistën “Kultura Islame”
Nr. i bot. të shqyrtuara | Editoriale | Poezi | Histori | Studime | Lajme |
6 | 1 | 3 | 2 | 2 |
Tabela Nr. 4
8- Përfundime
Nga shkrimet e pasqyruara në organet fetare të kësaj periudhe 1913-1944, vërejmë se teologët e të gjitha besimeve kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në shpalljen e pavarësisë. Ky kontribut, në të mirë të vendit, ka vazhduar për gjatë gjithë periudhës së botimit të këtij shtypi, duke ngulitur, me shkrime të zhanreve të ndryshme, tek lexuesit e tyre ndjesinë kombëtare dhe respektin për institucionet e shtetit. Ky shtyp nëpërmjet botimeve të tij ka ndihmuar që në mes shqiptarëve të mos ekzistojnë ndjenja urrejtjeje apo fobie ndaj anëtarëve të besimeve të ndryshme, vlerë kjo për të cilën krenohemi të gjithë. Të mos harrojmë se ishin pikërisht këta patriotë dhe këto organe shtypi të kësaj periudhe që dhanë kontributin e tyre në ngulitjen e kësaj vlere kombëtare. Uroj që këto parime të ndiqen në vijimësi dhe shpresoj që ky punin t’i shërbejë sadopak këtij qëllimi.
Bibliografia:
1- Edith Durham “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët”. Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1991.
2- Amin Maalouf “Identitete Vrastare” Botimet Onufri, Bot. i 2-të. Tiranë, 2006.
3- Mid’hat Frashëri, Shqiptarë dhe Sllavë. Tiranë, shkurt 1998.
4- Enciklopedi, “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame, Shekulli XIX-XX”. Botues Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2012:9.
5- Revista “Hylli i Dritës” 1913-1944.
6-Revista “Zani i Naltë” 1923-1939.
7- Revista “LEKA” 1930-1944.
8- Fletore “Gjergj Kastrioti” më pas, Skënderbeu, Organ Shpirtnuer për Orthodoksët e Shqipnisë, 19 tetor 1924 – 2 mars 1925.
9- Revista Fetare “ZËRI I ORTHODHOKSISË”, Nr. 3, 1 janar 1925. Botuar në Korçë.
10- Shyqyri Hysi, Histori e Komuniteteve Fetare Shqiptare, Tiranë, 2006.
11- Revista “Kultura Islame”, shtator 1939-1945.
12- Della Rocca, Roberto Morozzo. Pa vit botimi. Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Elena Gjika, Tiranë.
13- Prof. Dr. Hamit Boriçi, Dr. Mark Marku, “Histori e Shtypit Shqiptar, Nga fillimet deri në ditët tona”, Sh.B.L.U, Tiranë, 2010.
14- http://www.parlament.al/web/Kuvendi_i_Shqiperise_1_1.php.
[1]. Edith Durham “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët”. Shtëpia Botuese “8 Nëntori” Tiranë, 1991, f. 45.
[2]. Amin Maalouf “Identitete Vrastare” Botimet Onufri, Bot. i 2-të. Tiranë, 2006. f. 16.
[3]. Mid’hat Frashëri, Shqiptarë dhe Sllavë. Tiranë, shkurt 1998. f. 52.
[4]. Enciklopedi “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame Shekulli XIX-XX”. Botues “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”, f. 256-260.
[5]. Revista “Hylli i Dritës” Nr. 1, 1 tetor 1913. “Themelimi i Perkohshmjes”, f. 1.
[6]. Hylli i Dritës, Nr. 3, 1 dhjetor 1913, f. 97.
[7]. Po aty.
[8]. Hylli i Dritës, Nr. 3, 1 dhjetor 1913, f. 98.
[9]. Hylli i Dritës, Nr. 11, 1 nëntor 1937, “Flamuri kombëtar në krahinë të Shkodrës”, f. 535.
[10]. Hylli i Dritës, Nr. 7, 1 nëntor 1921, “Lidhja e Prizrenit”, f. 307.
[11]. Hylli i Dritës, Nr. 12, 1 dhjetor 1930, f. 650-656.
[12]. Hylli i Dritës, Nr. 11, 1 nëntor 1933, f. 508.
[13]. Hylli i Dritës, Nr. 11, 1 nëntor 1933, f. 514-524.
[14]. Hylli i Dritës, Nr. 9-10, shtator-tetor 1937, Dr. Nikolaq P. Zografi “Pse u ngrit Flamuri në Vlorë dhe jo në Durrës”, f. 441-444.
[15]. Hylli i Dritës, Nr. 11, 1 nëntor 1937, “Kushtim”, f. 501.
[16]. Hylli i Dritës, Nr. 11, 1 nëntor 1937, “Kuq e zi, epopeja e flamurit Shqiptar”, f. 501.
[17]. Hylli i Dritës, Nr. 11, 1 Nëntor 1937, P. Donat Kurti. “Flamuri kombëtar në krahinë të Shkodrës”, f. 515-537.
[18]. Hylli i Dritës, Nr. 11, 1 Nëntor 1937, “Vorreve të Flamurit, 28 Nanduer 1912-1937”, f. 537.
[19]. Hylli i Dritës, Nr. 12, 1 Dhjetor 1937, “Myllja Sensacionale e 25 vjetorit në Komunën e Kastratit”, f. 588.
[20]. Hylli i Dritës, Nr. 3-7, Mars-Korrik 1939, “Lajme rrokull Shqypnis”, f. 358.
[21]. Hylli i Dritës, Nr.i 11-12, Nëntor-Dhjetor 1939, Autori, Pseud. Gjikam “Nji “28 Nanduer” gjaku (1926)”, fq. 539-542.
[22]. Hylli i Dritës, Nr. 11-12, Nëntor-Dhjetor 1939, P. Marin Sirdani, “Dita e Flamurit”, f. 611-620.
[23]. Po aty.
[24]. Po aty.
[25]. Hylli i Dritës, Nr. 11-12, nëntor-dhjetor 1941, F. A “Kunora e Flamurit”, f. 462-463.
[26]. Hylli i Dritës, Nr. 11-12, nëntor-dhjetor 1939, Bardhyli, “Kujtime për Lirinë dhe Vetëqeverimin e Shqipërisë”, f. 484-492.
[27]. Zani i Naltë, Nr. 1, tetor 1923, “Parathënie dhe qëllim”, f. 2.
[28]. Zani i Naltë, Nr. 3, nëntor 1931, “Valo Flamur!”, f. 76.
[29]. Zani i Naltë, Nr. 3, nëntor 1931, Haki Sharofi “Flamuri Kombëtar!”, f. 77.
[30]. Zani i Naltë, Nr. 3-4, nëntor-dhjetor 1932, “28 Nanduer 1932. Ç’kuptim ka festa e Flamurit?”, f. 452.
[31]. Zani i Naltë, Nr. 11, nëntor 1937, Neshet Çami “Dy fjalë mbi 25 vjetorin”, f 321-328.
[32]. Zani i Naltë, Nr. 11, nëntor 1937, “Veteranët e Klerit Musliman”, f 329-331.
[33]. Për më tepër lexo: “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame Shekulli XIX-XX”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, shtator 2012.
[34]. Zani i Naltë, Nr. 12, dhjetor 1938, Hysni Hoxha, “28 Nandori Fatbardhsija e Shqipërisë”, f. 163-165.
[35]. Fletore “Gjergj Kastrioti” më pas, Skënderbeu, Organ Shpirtnuer për Orthodoksët e Shqipnisë. 19 tetor 1924 – 2 mars 1925.
[36]. Revista Fetare “ZËRI I ORTHODHOKSISË”, Nr. 3, 1 janar 1925, botuar në Korçë.
[37]. Shyqyri Hysi, Histori e Komuniteteve Fetare Shqiptare, Tiranë, 2006, f. 174.
[38]. Leka, Nr. 1, janar 1930, Z. Mark Harapi, “Ndjesia instiktive e atdheut”, f. 3.
[39]. Leka, Nr. 6, nëntor 1930, “Gjuha po na bastardohet”, f. 161-168.
[40]. Leka, Nr. 11, nëntor 1931, “Dita 28 Nanduer”, f. 323-329.
[41]. Leka, Nr. 12, dhjetor 1931, “Shka pret prej nesh Atdheu i lir”, f. 359.
[42]. Leka, numër i vetëm 1942 Mbas pesë Vjetësh, “NUMËR TË VEÇANTË në vazhdim të numrave kujtimorë të 25-vjetorit të pavarësisë kombëtare”, f. 3.
[43]. Po aty, f. 5.
[44]. Kultura Islame, Viti I. Nr.3 nëntor 1939, f. 124.
[45]. Kultura Islame, Viti I. Nr.4 nëntor 1939, Refik H. Bezhanit “Dëshmorët e kombit”, f. 153.
[46]. Kultura Islame, Viti II. Nr.15 nëntor 1940, Refik H. Bezhanit “Përvjetori i Njëzetetetë i Pamvarësis 28 Nëntor 1912”, f. 75.
[47]. Kultura Islame, Viti II. Nr.15 nëntor 1940, “Të ndryshme”, f. 80.
[48]. Kultura Islame, Viti III. Nr.3-4 nëntor-dhjetor 1941, J. Kodra Guazzoni, “28 Nëntori”, f. 73.
[49]. Kultura Islame, Viti III. Nr.3-4 nëntor-dhjetor 1941, Pseudonimi A.S, “Një përpjekje”, f. 83.
[50]. Kultura Islame, Viti III. Nr.3-4 nëntor-dhjetor 1941, “Përhapja e Islamizmës”, f. 85.
[51]. Kultura Islame, Viti III. Nr.3-4 nëntor-dhjetor 1941, Pseudonimi Kom. “Jeni të gabuar!”, f. 86.
[52]. Po aty.
[53]. Kultura Islame, viti V. Nr. 2-3 tetor-nëntor 1943, Veli Hafizi, “Flamuri”, f. 50.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...