Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jan 12, 2016 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Prof. Assoc. Dr. Mark Marku
Zani i Naltë, produkt i një filozofie mirëkuptimi: Zot i përbashkët, atdhe i përbashkët, besime të ndryshme.
Në historinë e besimeve të popullit shqiptar, pa dyshim, një moment të rëndësishëm përbën periudha nga viti 1878 deri në vitin 1925, në të cilën shqiptarët u vunë para sfidës së krijimit të shtetit kombëtar shqiptar dhe konsolidimit të tij. Dobësimi dhe më pas rënia e Perandorisë Osmane shkoi paralelisht me konsolidimin e lëvizjeve kombëtare të popujve të Ballkanit, grekëve, rumunëve, serbëve, malazezëve, bullgarëve, shqiptarëve, për krijimin e shteteve kombëtare. Shqiptarët, në ndryshim nga popujt e tjerë ballkanikë, kishin në këtë proces një sfidë shtesë për ta tejkaluar: problemin fetar. Ndryshe nga popujt e tjerë ballkanikë, që ishin kryesisht homogjenë për sa i përket besimit, pasi popullsia e tyre ishte kryesisht ortodokse, shqiptarët, për shkak të rrethanave historike, ndaheshin në katër komunitete fetare: myslimanë, bektashi, ortodoksë dhe katolikë, me myslimanët shumicë mbizotëruese.
Sfida e krijimit të një shteti kombëtar unitar me tre besime të popullsisë së tij ishte një sfidë jo e vogël, qoftë për krijimin e identitetit kombëtar, qoftë për organizimin e lëvizjes kombëtare shqiptare, qoftë për organizimin e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e tij. Dihet që feja është një element që ka luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjet kombëtare që sollën krijimin e shteteve kombëtare nga 1700 e këtej në Evropë. Feja ka qenë një element i rëndësishëm kombformues krahas elementeve të tjerë identitarë si: raca, gjuha, territori, kultura, historia e përbashkët. Madje ka kombe, ku ajo ka shërbyer si element parësor identifikues siç ndodh për shembull te fqinjët tanë ballkanas: kroatët, boshnjakët dhe serbët. Këta të fundit i përkasin të njëjtës racë, asaj sllave, flasin thuajse të njëjtën gjuhë, ndajnë mes tyre një territor të përbashkët por, u identifikuan si kombi kroat, serb dhe boshnjak, pikërisht për shkak se ndjekin besime të ndryshme; serbët besimin ortodoks, kroatët besimin katolik dhe boshnjakët besimin mysliman.
Elita kulturore dhe politike e Rilindjes e kishte parashikuar këtë pengesë që në fillim të shfaqjes së idesë kombëtare shqiptare, por kjo nuk e dekurajoi atë për realizimin e tij. Hobsbaum në librin e tij Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780-ta vëren: “Nacionalizmi modern sidomos në fazat e veta prozelite e ka parë fenë me shumë rezervë, si një forcë që mund ta sfidonte monopolin e besnikërisë që kombi e kërkon nga besimtarët e vet… Fetë e ndryshme që u shpikën në kohë të ndryshme midis shekullit VI para Krishtit dhe shekullit VII pas Krishtit janë universale për nga vetë përkufizimi i tyre dhe kësisoj janë krijuar për të shuar dallimet etnike, gjuhësore, politike apo të tjetërllojta”.[1] Për këtë arsye, rilindësit i kushtonin jo pak rëndësi problemit të fesë dhe raporteve të saj me shtetin e ardhshëm shqiptar. Garantimi i të gjitha besimeve se asnjëri prej tyre nuk do të kishte pozita mbizotëruese në shtetin e ardhshëm kombëtar dhe se, me krijimin e tij, mund të sigurohej jeta normale e besimtarëve të të gjitha besimeve, ka qenë edhe problemi themelor që shtrohej para ideatorëve dhe themeluesve të shtetit shqiptar. Sami Frashëri, që në vitin 1891 në veprën e tij “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, pasi përshkruan organizimin e jetës fetare në shtetin e ardhshëm, thotë se: “të parët e besëve, domethënë myftiu i madh, eksarku dhe kryepeshkopi do të jenë me nder të madh por nuk do të përzjehenë përveçse në punërat e besësë. Ulemaja, dervishëtë e priftëria do të mos përzjehenë as në mësimet e në shkollat përveç mësimit të fesë që do të bëjnë nëpër xhamit, medreset, kishat”[2]. Kërkesa për një shtet ku feja të ishte e ndarë nga shteti është artikuluar nga thuajse të gjithë aktorët kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe për këtë arsye shteti shqiptar, i krijuar në vitin 1912, ishte një shtet par exellence laik. Një pjesë e konsiderueshme e elitës politike të lëvizjes kombëtare vinte nga Perandoria Osmane dhe nga përvoja kishte mësuar se besimet e ndryshme mund të bashkëjetojnë njëri me tjetrin nën kupolën shtetërore, me kushtin e vetëm që shteti të mos ishte abuziv me ndonjërin prej tyre. Historiani italian Antonio Biagini vëren në librin e tij Historia e Shqipërisë nga zanafilla në ditët tona se, “Në Perandorinë Osmane nuk ishin besimet fetare ato që bënin të pamundur bashkëjetesën e racave të ndryshme, por ishin dallimet në trajtimin e tyre nga ana e qeverisë ato që ngjallnin dhe ushqenin urrejtjen. Sikur të gjithë të ishin trajtuar në të njëjtën mënyrë, toleranca do të kishte mbretëruar ashtu si mbretëronte në malet shqiptare”. [3]
Studiuesit që janë marrë me historinë e krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, si dhe me rolin që kanë pasur besimet fetare të shqiptarëve në këtë proces, e shpjegojnë fenomenin shqiptar të kombformimit në mënyrë sipërfaqësore dhe thuajse të gjithë njëzëri e shpjegojnë këtë me karakterin afetar të shqiptarëve. Duke iu referuar një modeli mbizotërues të lëvizjeve kombëtare evropiane, ku identiteti fetar dhe ai gjuhësor apo racor thuajse përputhen, ata mendojnë se, shqiptarët u bashkuan në lëvizjen kombëtare, sepse identifikohen më shumë përmes racës dhe gjuhës dhe fare pak përmes besimit. Roberto Morozzo della Rocca në librin e tij Kombësia dhe Feja në Shqipëri, e përmbledh kështu këtë konsideratë të përgjithshme të të gjithë studiuesve: “Të vjetrit kanë thënë se populli shqiptar është më shumë popull luftëtar se popull fetar. Nganjëherë, – thotë ai, – është theksuar se feja e vërtetë e shqiptarëve qëndron në krenarinë, në besën për fjalën e dhënë, në ndjenjën e nderit, në lidhjen me traditat, me pak fjalë feja tek shqiptarët ishte fe e karakterit dhe temperamentit. Bajroni gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan dyshonte shumë për interesin e shqiptarëve ndaj fesë. Ministri italian Ciano, farkëtues i pushtimit italian të 1939-ës, ishte krejt i bindur për ateizmin e shqiptarëve dhe synonte të vepronte duke e pasur parasysh këtë”.[4]
Personalisht mendoj se, pavarësisht një doze të vërtete që përmban një konstatim i tillë, ai nuk e sqaron arsyen e konvergimit të besimtarëve të ndryshëm shqiptarë për sa i përket çështjes kombëtare. Mundet që elitat klerikale, kulturore dhe politike te shqiptarët të kenë kuptuar filozofinë e një historie mbijetese të përbashkët të shqiptarëve përgjatë gjithë historisë së tyre të ndërlikuar, që i ka bërë ata të orientohen drejt besimeve të ndryshme, por të mbeten njëherësh shqiptarë. Kjo filozofi mbijetese dhe bashkëjetese fetare bën të mundur që në shtetin e parë shqiptar zëvendëskryeministër të jetë një prift katolik, Dom Nikoll Kaçorri, dhe kryetar i senatit të jetë myftiu Vehbi Dibra.
Formula shqiptare: Zot i përbashkët, atdhe i përbashkët, besime të ndryshme, qe formula e përballimit të sfidës kombformuese e shqiptarëve dhe u përqafua nga elita klerikale e të gjitha besimeve, pavarësisht hezitimeve, rezistencës apo pasigurisë që ajo mbartte. Elita klerikale, politike dhe kulturore myslimane është një nga ideatoret dhe zbatueset e kësaj formule. Historiani Peter Bartl thotë se, “qenë pikërisht shkrimtarët myslimanë që mund të cilësohen si nacionalistë të vërtetë ata që dolën si luftëtarë të mendimit kombëtar shqiptar. Me anë të shkrimeve të tyre ata ushtruan në kohën e Rilindjes kombëtare një ndikim të madh mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”[5].
Mjafton të kujtojmë se grupi kulturor i Stambollit përbëhej nga shkrimtarë, dijetarë, klerikë, intelektualë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin funksionarë të aparatit burokratik perandorak. Në këtë grup bënin pjesë Sami, Naim e Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Ismail Qemali, Hasan Prishtina. Elita kulturore dhe politike e Stambollit krijoi Shoqërinë e Stambollit (1879), e cila u ndalua në vitin 1881, por që u zhvendos në Bukuresht ku kishte kushte më të favorshme për të ushtruar veprimtarinë e saj. Në 23 vitet e ekzistencës së kësaj shoqërie u botuan 25 libra në gjuhën shqipe. Si rezultat i aktivitetit të kësaj veprimtarie, u hap gazeta “Drita” dhe një sërë shkollash në gjuhën shqipe në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Edhe pse mjaft të kushtëzuar për shkak të qëndrimit refraktar të pushtetit perandorak ndaj çdo tentative për shtrimin e çështjes shqiptare, për shkak se Perandoria Osmane e shihte çështjen shqiptare si çështje të mbyllur për shkak të islamizimit të shqiptarëve, kjo elitë shkoi në mënyrë graduale drejt radikalizimit të qëndrimit të saj ndaj Perandorisë Osmane dhe u bë një nga komponentët e rëndësishëm të lëvizjes kulturore, politike për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Zani i Naltë: model etik dhe përgjegjës në komunikimin fetar shqiptar.
Botimi i “Zani i Naltë” në vitin 1923 përkon me një fazë të rëndësishme të shtetit shqiptar dhe komunitetit mysliman shqiptar. Në këtë vit shoqëria shqiptare e organizuar nën shtetin shqiptar dhe jashtë kufijve të tij po kalonte një fazë delikate e të rëndësishme të historisë së tij. Pas gati një dekade prej themelimit të tij në vitin 1912, periudhë e mbushur me rreziqe për ekzistencën e shtetit të ri shqiptar, por edhe me dështime, shteti shqiptar po kalonte një proces të vështirë stabilizimi, proces ky i rrezikuar tashmë jo nga faktori i jashtëm, por nga tensionimi i faktorëve të brendshëm. Ndërkohë që komuniteti mysliman shqiptar në të njëjtën periudhë po kalonte një proces gjithashtu historik: riorganizimin si komunitet mysliman shqiptar autonom. Studiuesi Ali M. Basha në librin e tij “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”, thotë se “qysh në vitet 1916-1917, ndonëse periudhë lufte, u bënë disa hapa të rëndësishëm për organizimin dhe strukturimin e fesë islame në vendin tonë”.[6] Në vitin 1923, më 24 shkurt, u mbajt Kongresi Mysliman Shqiptar, i cili de facto shënoi krijimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar të shkëputur nga Kalifati i Stambollit një vit para se parlamenti turk të merrte vendim për dhënien fund të Kalifatit të Stambollit në vitin 1924.
Ky akt i përgjigjej jo vetëm një nevoje të brendshme organizimi të myslimanëve shqiptarë, por edhe vetëdijes, përgjegjësisë dhe luajalitetit ndaj shtetit të ri shqiptar dhe shoqërisë së re. “Zani i Naltë”, që me themelimin e saj në vitin 1923 dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij, përmbushi pikërisht këtë nevojë dhe këtë përgjegjësi. Ai qe dhe vazhdon të jetë një instrument i rëndësishëm komunikimi për bashkësinë e besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe një zë i respektuar në shoqërinë shqiptare. “Zani i Naltë” i ka qëndruar besnik programit të shpallur që me themelimin e tij. Ky program konsistonte në këto pika:
Gjithë koleksioni i pasur i kësaj reviste ndër vite dëshmon pikërisht realizimin hap pas hapi të vizionit që kanë pasur themeluesit e saj në fillim të jetës së revistës, besnikërinë ndaj këtij vizioni.
Si instrument komunikimi revista është një model mjaft i mirë i komunikimit efikas fetar në Shqipëri. I mbështetur në fjalën e tij, besimi ka institucionet e veta: librat e shenjtë, institucionet e kultit dhe më vonë mediat. Libri dhe shtypi i shkruar si formë e përhapjes së besimit janë përvetësuar shumë shpejt nga institucionet fetare. Komuniteti Mysliman Shqiptar, si komunitet fetar, e nis jetën e tij duke i dhënë një rëndësi të veçantë shtypit si element efikas për përhapjen e besimit dhe di ta përdorë atë me efikasitet. Shndërrimi i diskursit religjioz në një diskurs mediatik realizohet në mënyrë mjaft efikase te “Zani i Naltë”. Mes revistave fetare të botuara në Shqipëri ai përbën një model më vete. Besimtari mysliman, por jo vetëm ai, komunikon me institucionet e tij në mënyrë të ndërmjetësuar përmes mediave me një gjuhë që është e tija, pra e thjeshtë, e kuptueshme, por jo e thjeshtëzuar. Është një komunikim që krijon njëherësh vetveten si kod komunikimi dhe komunitetin e përdoruesve të këtij kodi, komunikuesit besimtarë. Parë nga ky këndvështrim, “Zani i Naltë” përbën një model mjaft interesant studimor.
Por revista “Zani i Naltë”, si dhe një pjesë e mirë mediave fetare në Shqipëri, paraqet një simbiozë mes botës së kulturës dhe botës së besimit. Kjo revistë shndërrohet në një instrument të rëndësishëm jo vetëm komunikimi religjioz, por edhe në një forum kulturor. Si revistë fetare, asaj i duhet të përballojë sfidën e shekullarizimit dhe të laicizimit të kulturës, trend ky mbizotërues në kulturën e shekullit të njëzet. Ky trend me anët pozitive dhe negative të vetat (sipas këndvështrimit), ka sjellë një delegjitimim të përmbajtjeve fetare në produktet kulturore, madje në ekstremin e vet shkon deri në paradoks: kundërvënien mes fesë dhe kulturës, a thua se prania e njërës përjashton automatikisht tjetrën, a thua se besimi nuk është pjesë e sferës së kulturës së përgjithshme të njerëzimit. “Zani i Naltë”, si revistë fetare, është natyrshëm kundër një trendi të tillë, ashtu sikurse janë të gjitha revistat fetare pavarësisht besimit që i përkasin. Ajo mban gjallë një koncept kulturor për botën, një mënyrë të vështruari të botës dhe trajtimi të dukurive të saj nisur nga këndvështrimi i besimit islam. Ajo i pasuron këndvështrimet për botën me këndvështrimin e saj dhe me këtë u shërben si besimtarëve myslimanë shqiptarë, ashtu edhe kulturës shqipe.
Por, dhe këtu, ajo shfaqet si model etik. “Zani i Naltë” e nxjerr zërin e saj, jo “nalt” në kuptimin e tonalitetit, jo ekskluzivisht, jo agresivisht. Ajo është e vetëdijshme për një realitet multikulturor, multifetar, për një realitet plural nga pikëpamja e ideve dhe këndvështrimeve. Ajo zgjedh rrugën e respektit për këtë realitet. Pikërisht mbi këtë vetëdije ndërton një model etik që e respekton “zanin” e të tjerëve. Një model i tillë që e respekton zërin e tjetrit në komunikimin mediatik shqiptar dhe në hapësirën tonë publike mbështetet jo në hipokrizinë, as në “tradhtinë” ndaj besimit tënd. Ajo mbështetet në kurajën qytetare, në besimin e thellë, në kulturën e vërtetë. Nisur nga një praktikë sociale e ndërlikuar, ajo shkon drejt një modeli etik të komunikimit ndërreligjioz. Kontributi i “Zani i Naltë” për ndërtimin e këtij modeli është i rëndësishëm dhe tashmë përbën një traditë që duhet njohur dhe ndjekur. Botimi i plotë i koleksionit të kësaj reviste i shërben pikërisht këtij qëllimi.
[1]. Erik Hobsbaum, “Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780-ta e këtej”, f. 68, Toena, Tiranë, 1996.
[2]. Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, f. 83, Kapitulli XV, Punërat e besëvet, Sh. B. Naim Frashëri, 1962.
[3]. Antonio Biagini, “Historia e Shqipërisë nga zanafilla në ditët tona”, f. 95, Shtëpia e librit dhe komunikimit, 2000.
[4]. Roberto Morozzo Della Rocca, “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”, f. 7, Elena Gjika, Tiranë, 1994.
[5]. Bartl, P. “Myslimanët shqiptarë në luftën për pavarësi kombëtare”, Dituria, 2006, f. 160.
[6]. Ali M. Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”, Tiranë, 2000, f. 116.
[7]. Zani i naltë, nr. 1, Tetor 1923, Tiranë, f. 5-6.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...