Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 10, 2016 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Një vështrim i përgjithshëm mbi besimin në jetën e përtejme
Ali Zaimi, KMSH
Abstrakt
Është gati e pamundur që njeriu, i cili nuk beson se do të japë llogari për ato çfarë kryen, ta ketë jetën të drejtë. Ndërsa jeta e njeriut që nuk e heq nga mendja se do të dalë një ditë përpara Allahut e do të japë llogari një më një, është e shoqëruar me vetëdijen e llogaridhënies dhe rrjedhimisht e drejtë. Natyrisht, njeriu do të jetë i tillë në raport edhe me vetëdijen për llogarinë përtej. Besimi se do të shpërblehet një ditë e motivon njeriun e mirë për punë; ideja e ndëshkimit për mëkatet e frenon të jetë dhunues e i shkujdesur; frika e llogaridhënies e frenon të bëjë keq edhe atje ku askush nuk mund ta shikojë; besimi se do të takohet përsëri në botën tjetër e ngushëllon një fëmijë që ka humbur një të afërm apo një të moshuar që është, si i thonë, me një këmbë në atë botë, etj.
2. Qëndrimi i Ebu Hanifes gjatë zhvillimeve politike të kohës
Dorian Demetja, KMSH
Abstrakt
Njerëzit e mëdhenj që shënon historia, dalin në pah pikërisht në kohën kur çrregullimet në shoqëri arrijnë kulmin. Për të vënë rregull në botën e jashtme, njeriu në fillim duhet të vendosë rregull dhe ekuilibër brenda vetes së vet. Parë në këtë këndvështrim, Ebu Hanifja ishte njeri i rrugës së mesme dhe para së gjithash ishte një personalitet me ekuilibër e vendosmëri të lartë. Po të analizojmë kohën në të cilën ai jetoi, do të gjendemi përballë problemeve të mëdha politike e shoqërore, për më tepër përplasje dhe konflikte ndërmjet grupeve të besimeve e sekteve të ndryshme fetare. Ai shumë mirë mund t’i binte shkurt duke u bërë palë por që nga fillimi, ai nuk e ndryshoi asnjëherë vijën e rrugës së vet duke sakrifikuar shumë për tek e drejta, si dhe duke u përpjekur që t’ua jetësonte edhe të tjerëve këtë të drejtë. Nisur nga kjo, nuk është gabim të themi se Ebu Hanifja jetoi ashtu si mendoi e besoi, si dhe besoi ashtu si jetoi e mendoi.
3. Hz. Muhamedi a.s., shembull për t’u ndjekur
Imam Muhamed Sytari, Myftinia Shkodër
Abstrakt
Traditat e tij në të folur e në të vepruar plotësojnë njëra-tjetrën. Duket sikur çdo kërkesë prej kërkesave shpirtërore është paracaktuar dhe parallogaritur. Çdo gjë, me të cilën përballet njeriu në jetën e tij, shfaqet në pasqyrën e jetës së tij a.s.
Ndërkohë, Zoti i gjithësisë, me mirësinë e Tij ndaj nesh, e dërgoi Hz. Muhamedin a.s., si Vulën e të dërguarve të Tij të mirë, udhërrëfyesin dhe plotësuesin e mirësive, për të cilat ka nevojë realisht bota e sotme.
4. Njolla në Biografi
Fatos A. Kopliku MS/MA, Washington, DC
Abstrakt
Diktatura e proletariatit kishte absurditete plot, dhe ajo e “njollës në biografi” është patjetër njëra prej tyre. Siç dihet, “njolla në biografi” ishte një damkosje e shekullit të XX-të që e ndiqte “të njollosurin” gjatë gjithë jetës, e bashkë me të edhe fëmijët e të afërmit, duke iu mohuar të drejtat e barabarta si qytetarë… Në fakt, gjuetia e “njollave” në biografi vazhdon dhe historia e tyre nuk ka mbaruar, çka dëshmon se ne shqiptarët akoma përballemi me pasojat e mentalitetit të latuar gjatë dekadave indoktrinimi sistematik masiv. Ka më se një çerek shekulli që shqiptarët, sipas disave, duhet të shqiten nga një tjetër njollë, ajo e Islamit. Narrativi ka kaluar stafetë me fare pak ndryshime në formë e aspak në thelb dhe na thotë se Islami na qenka arsyeja e prapambetjes, mentalitetit, mungesës së kulturës, apo deri edhe turbulluesi i dëlirësisë së gjakut arbëror…
Një retorikë e tillë të shtyn të besosh se “njeriu ynë ri, vepra më e ndritur e partisë” është akoma shëndoshë e mirë mes shqiptarëve dhe vigjilenca e gjuetia ndaj njollave, në thelb, nuk ka reshtur; thjesht ka ndryshuar trajtë. Diçka e tillë doemos që nuk mund të mos jetë shqetësuese.
5. POEMA “ERVEHEJA” – BOTË E KATËRT QË SUBLIMOI MUNGESËN E JETËS SHQIPTARE
Prof. Dr. Rahim Ombashi, Universiteti Bedër
Abstrakt
Kryevepra e vjershëtarit Muhamed Kyçyku (1784-1844) Erveheja vijoi të mbetej vepra më e popullarizuar në periudhën e letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pas botimit të parë të saj, më 1888 në Bukuresht, nga Jani Vretoja. Ndonëse numri i atyre që lexonin me alfabet arab ishte shumë i pakët, poema tregimtare me vetëm 214 strofa katërshe, me varg tetërrokësh, u shijua dhe u kuptua duke u vlerësuar nga masa e madhe e adhuruesve. Shkaku i përhapjes masive duhet parë te thjeshtëzimi i krijimit poetik, veçmas pas dy përshtatjeve: “Mbaruarë prej Hajdar Argirokastritit edhe qëruarë fjalët’ e huaja prej J. Vretosë”, por edhe te misioni utopik social i kësaj lloj letërsie. Duke qenë letërsi e qëllimshme, mbi dëgjuesin ndikoi më fort konteksti socio-kulturor, i cili u bë përcaktues, sesa teksti. Pas zbulimit dhe botimit të tekstit origjinal të “Ervehesë”, u zgjua edhe vetë lloji i kritikës, sepse tharmi sesi lexohet kuptimisht një vepër artistike fshihet brenda vetë krijimit, që do të interpretohet me metodën semiotike. Iu mëshua tekstit, duke anashkaluar tematikën universale, si fushë nga e cila merret lënda letrare, duke iu qasur më fort me tematikën e saj kulturore, që lidhet me besimin islam dhe me kulturën islame. Ideja mbizotëruese del individuale, kurse tema lidhet me dhembjet e jetës dhe disa nëntema e motive që rrjedhin prej saj. Pas mbledhjes së informacionit do të kalohet në analizën reflektive, e cila ndihmon në qasjen e ëndrrës, trillit dhe fantazisë me realitetin social.
6. Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri
Vlash Plepi, Akademia Teologjike Orthodhokse
Abstrakt
Bashkëbisedimi dhe komunikimi me ndjekësit e feve të tjera bëhet më i lehtë kur ne pranojmë tjetrin si vëllain dhe motrën tonë, duke respektuar lirinë, sidomos lirinë e ndërgjegjes së tyre. Ne i pranojmë ata siç janë, me dashuri të sinqertë, duke i ndarë së bashku eksperiencat e tyre fetare, që kanë qenë më të rëndësishmet në kërkimet tona për kuptimin e jetës dhe vdekjes dhe në dëshirën tonë për të përjetshmen, Perëndinë.
Zhvillimi i dialogut dhe tolerancës fetare nuk imponon marrëveshje të përbashkëta, por respektimin e lirisë fetare dhe të së drejtës së çdo njeriu të zgjedhë vizionin dhe rrugën që ai bindet të ndjekë në afrimin e tij me Hyjninë.
7. Imazhi i fesë islame në median shqiptare, Rasti Charlie Hebdo
MSc. Qani Sulku
Abstrakt
Sa e lehtë apo e vështirë është të ruash apo të përmirësosh imazhin pas një përbaltjeje me të drejtë apo pa të drejtë? Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), i vetmi institucion përfaqësues i myslimanëve të Republikës së Shqipërisë, çfarë roli luajti në paraqitjen e imazhit të fesë islame dhe të myslimanëve, nëpërmjet pjesëmarrjes së përfaqësuesve të tij në programet televizive gjatë trajtimit të temave të ndryshme, të cilat patën në fokus rastin Charlie Hebdo? Sa profesionistë u treguan drejtuesit e programeve në trajtimin e të tilla temave, për të mos qenë të një-anshëm, apo për të mos krijuar perceptime dhe qëndrime të gabuara? Nga të ftuarit në programet analitike, a pati nga ata që kishin ardhur me qëllimin për të përbaltur fenë islame dhe vetë myslimanët? Vetë emërtimi i temave bazë të programeve, a ishte i duhuri dhe i përzgjedhur me kujdes, apo kishte dhe emërtime temash që cenonin përkatësinë fetare të besimtarëve myslimanë? Këto janë disa prej pyetjeve, rreth të cilave do të përpiqem që të hedh dritë në këtë punim, duke vëzhguar, studiuar, krahasuar programet mediatike shqiptare të datës 7 janar 2015 e tutje, që patën si fokus të tyre rastin Charlie Hebdo dhe tema që ndërlidheshin me shkaqet që çuan në këtë akt tragjik.
8. Moderniteti dhe ideologjia në tekstet shkollore të Perandorisë Osmane (-Shqipëria dhe shqiptarët në tekstet e shkollave osmane-)
Dr. Hasan BELLO
Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë-Tiranë
Abstrakt
Në tekstet shkollore osmane nuk mund të thuhet se flitej hapur mbi racat dhe kombet, por kishte raste kur në kuadër të trajtimit të aspekteve të veçanta me karakter gjeografik, përshkruheshin edhe detaje me interes për kombin tonë. Kështu, në tekstin “Gjeografia osmane” (“Coğrafya-yı Osmani”) në të cilin trajtoheshin karakteristikat e disa krahinave dhe popujve të Perandorisë, si shembull i mikpritjes dhe bujarisë merrej populli shqiptar. Mungesën e bujtinave (haneve) në qytetet shqiptare, autori e shpjegonte me faktin se te ky popull kjo traditë zinte një vend të rëndësishëm. Sipas tij, çdokush që udhëtonte nëpër Shqipëri dhe ngelte në mes të rrugës, qoftë ky mysliman ose i krishterë, nëse trokiste në derën e shqiptarit bëhej mysafir në shtëpinë e tij. Bujtësi ishte i detyruar që mikut t`i siguronte ushqim për aq ditë sa ai do të qëndronte.
9. Roli i klerikëve myslimanë në formimin e shtetit të parë shqiptar.
Dr. Mois Kamberi
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
Abstrakt
Ngjarjet, lëvizjet politike, zhvillimet diplomatike që çuan në shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit dhe qeverisë së parë shqiptare nuk mund të kuptohen pa kontributin e klerikëve, që ishin shtresa më intelektuale shqiptare. Në ngjarje shumë të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kongreset e Manastirit, Dibrës, Elbasanit dhe në kryengritjet e mëdha shqiptare të viteve 1910-1912, këta klerikë qenë dhe udhëheqësit e tyre. Ky kontribut patriotik, me mendimet dhe idealet kombëtare, rriti rolin e tyre në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe zgjedhjen e tyre si përfaqësues në kongrese e kuvende me shumë peshë për fatet e Shqipërisë. Për këto merita ata janë zgjedhur dhe në organet drejtuese të tyre. Haxhi Ymer Prizreni – Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Lidhjes Shqiptare, Haxhi Zeka – kryetar i Lidhjes së Pejës, Haxhi Vehbi Dibra – Kryetar i Kongresit të Dibrës etj. Këto klerikë do të jenë të pranishëm me kontributin e tyre në sukseset që arritën kryengritjet e mëdha të shqiptarëve kundër politikave të monarkive ballkanike e Fuqive të Mëdha, kryengritje që çuan në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe formimit e Qeverisë së parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali. Kontributi patriotik i klerikëve u pa qartë dhe në zgjedhjen e tyre si drejtues në postet më të larta të qeverisë së parë shqiptare si: Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) kryetari i Pleqësisë Shqiptare dhe Dom Nikoll Kaçorri nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ato janë të parët që hodhën idenë e formimit të një qeverie mbarë shqiptare.
10. Kur’ani, shpirti i umetit mysliman
Prof. Dr. Shahid Bushihi, Marok
Abstrakt
Shpirti i Kur’anit shkakton një transformim, i cili, ashtu siç ndodh tek individët, ndodh edhe me komunitetet. Edhe kur flitet për një komunitet, Kur’ani shkakton të njëjtin ndryshim dhe transformim që ka shpirti për trupin. Ai i bashkon pjesët e ndara të shoqërisë dhe të ofron një model unik dhe bashkëpunues të saj. Trupi i të vdekurit, i braktisur nga shpirti i tij tashmë, fillon dhe dekompozohet dhe shkrihet për t’iu kthyer elementëve të parë nga të cilët u krijua, ku secili element i kthehet origjinës së tij në tokë. Vallë çfarë i ndodhi këtij trupi në rastin e vdekjes? Vdes dikush dhe ne e shohim që nuk ka ndryshuar asgjë tek ai, është po ai që ishte para se të vdesë. Nga ana tjetër, tek ai ka ndryshuar gjithçka. Çfarë u largua prej tij që nga aspekti aparencial nuk ka ndryshuar gjë, por që ka ndryshuar gjithçka? Është larguar ai që ne e njohim me emrin shpirt. Ishte shpirti ai që e kishte unifikuar qenien dhe strukturën e saj fizike. Ishte shpirti që frenonte dekompozimin e trupit dhe shpërbërjen e tij, por edhe ndihmonte shërimin e tij në raste sëmundjesh. Ishte shpirti ai që i kishte dhënë ndjesitë dhe aftësitë.
11. Hafiz Bajram ef. Agani, nismëtar dhe projektues i riorganizimit të Bashkësisë Islame të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore (1947-1951)
Ramadan Shkodra, Bashkësia Islame e Kosovës
Abstrakt
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova edhe njëherë padrejtësisht ndahet nga e ëma e saj, Shqipëria, dhe futet dhunshëm nën administrimin e sajesës artificiale të quajtur Jugosllavi. Me këtë akt edhe Bashkësia e Fesë Islame në Kosovë detyrimisht do të ndryshojë qendrën nga Tirana në Sarajevë dhe, që nga viti 1945 e deri më 1990, do të veprojë si Bashkësia e Fesë Islame për Serbinë, respektivisht për Kosovën, Serbinë dhe Vojvodinën, me seli në Prishtinë, në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Federatës Jugosllave me qendër në Sarajevë.
Në këto rrethana të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, në organizimin, funksionalizimin, strukturimin në terren dhe drejtimin e Bashkësisë Islame, kontribut determinues ka dhënë brezi i ulemasë shqiptare, në mesin e tyre edhe vizionari i shquar Hafiz Bajram ef. Agani, të cilit do t’i binte barra kryesore, sepse do të vihej në krye të këtij institucioni dhe strukturave të tij.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...