Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 03, 2016 Zani i Nalte Studime 0
nga Ilir Akshija, M.D., M.Sc.,
Qendra Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, Departamenti i Statistikës, Tiranë
Abstrakt
Myslimanët përbëjnë 24% të popullsisë së botës dhe numri i tyre në vitin 2020 pritet të jetë rreth 2 miliardë ose 26% e popullsisë së përgjithshme. Një popullatë e tillë, me një shtrirje në të gjithë kontinentet, sjell me vete edhe kulturën e veçantë të besimit të tyre, ku koncepti i kohës, matja dhe menaxhimi i saj merr ngjyrimet islame. Zbatimi i urdhëresave transhendentale të Kur’anit janë të mirëpërcaktuara për ymetin e Muhamedit a.s., duke qenë të urdhëruar gjithashtu të bashkëjetojnë me të tjerët pa iu imponuar me dhunë besimin e tyre. Ekzistenca e shoqërisë islame në një balancë të tillë nuk bën përjashtim për nocionin e kohës, të përmendur gjerësisht nga Kur’ani dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në praktikimin e detyrimeve fetare. Njohja dhe studimi i saj kthehet minimalisht në detyrë së pari për përditshmërinë dhe gjithashtu për organizimin e raporteve me të tjerët. Parimi mbetet i njëllojtë për të gjithë myslimanët, ndërsa projektimi në realitet merr vlera të ndryshme që varen nga gjeografia, periudha historike dhe deri te marrëdhëniet sociale. Në Mekë mund të llogaritet që koha që duhet marrë nga një vit hënor për agjërim është mesatarisht 4.7% dhe në Tiranë 4.9% e gjithë kohës së vitit. Nga ana tjetër mund të shohim ndryshimin e detyruar gjatë historisë kur myslimanët, matjes së tyre standard të kohës nëpërmjet kalendarit hënor dhe kohëve të faljes, i kanë shtuar kombinimin me kalendarin diellor, ose me komponentë të tillë si ndryshimi periodik i orës dy herë në vit. Ky ndryshim i përhershëm kërkon studim të vazhdueshëm të fenomenit dhe përshtatje të herëpashershme.
Fjalë kyçe
Kalendar, namaz, agjërim, haxh, zekat, myslimanë, kohë.
Namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi janë obligime për besimtarët myslimanë. Koha e tyre është e përcaktuar dhe mosrespektimi i kohës së zbatimit të tyre pa arsye çon në anullimin e tyre dhe përgjegjësitë përkatëse. Diskutimi rreth kohëve të adhurimeve nuk mund të mos diskutohet, dhe as të diskutohet në mënyrë të pavarur nga përditshmëria, të cilën myslimanët janë të detyruar ta ndajnë me pjesëtarë të besimeve të tjera ose me jobesimtarë dhe të bashkëveprojnë me rregullat e një shteti laik. Në një situatë të tillë, i vendosur midis dy palë detyrimesh, më së paku qytetari mysliman duhet të ketë dijeni rreth obligimeve fetare dhe përcaktimit të kohëve kur ato praktikohen. Në një botë ku 24% e popullsisë janë myslimanë secila nga problematikat në lidhje me Islamin tashmë është globale. Në këtë perspektivë jemi munduar të analizojmë oraret e kohëve referencë të faljeve përgjatë ditëve të kalendarit Hixhri. Kalendari islam është kalendar hënor që përbëhet nga 354 ose 355 ditë duke krijuar një cikël prej rreth 33 vitesh gjatë 32 viteve të kalendarit Gregorian.[1]
Kohët e praktikimit të adhurimeve në Islam janë të varura nga ndryshimet e pozicioneve të diellit dhe hënës duke krijuar gjatë kohës zhvendosje ciklike si brenda ditës dhe gjatë njësive më të gjata të kohës. Me qëllim paraqitjen e thjeshtuar të këtyre cikleve dhe ndryshimeve që paraqesin, ne kemi marrë në shqyrtim katër qytete, Mekën, Jeruzalemin, Tiranën dhe Londrën. Meka dhe Jeruzalemi janë marrë si referencë për rëndësinë e tyre në Islam dhe Tirana me Londrën si dy qytete Evropiane, por edhe si gjerësi gjeografike në vazhdim të dy të parave për të zgjeruar spektrin e paraqitjes së rezultateve. Llogaritjet në pjesën e parë i kushtohen ndryshimit gjatë një cikli prej 34 vitesh të kohëve të faljeve dhe të agjërimit. Haxhi dhe zekati gjithashtu kanë kohë të caktuar në kalendarin hënor, por nuk janë paraqitur në mënyrë të hollësishme. Në pjesën e fundit kemi praqitur grafikisht, sipas të dhënave në dispozicion, numrin e popullatës së myslimanëve në botë në raport me përkatësitë e tjera fetare.
Myslimanët dhe koha
Koha përmendet shpesh në Kur’an dhe është i famshëm betimi i sures Asr, ‘Pasha kohën!’[2] Pa pasur mundësi ta analizojmë temën e kohës në Kur’an mund të themi që ky betim nuk kufizohet vetëm në këtë sure. Objektet referencë të kohës, pasojat e lëvizjes së tyre dhe kohët që kufizohen prej tyre, ‘qiellin me plot yje (85:1), diellin (91:1), hënën (91:2), yllin ndriçues (të natës) (86:1), qiellin (91:5), tokën (91:6), ditën (91:3), natën (91:4), paraditen (93:1), agimin (89:1), dhjetë netët (89:2) dhe ditën e premtuar (85:2)’ rreshtohen në Kur’an përkrah betimeve të tjera madhështore.[3]
Të fokusuar shumë mirë në besimin e tyre dhe të lokalizuar gjeografikisht, myslimanët e parë e ndanin mirë ditën sipas pesë kohëve të faljes me referencë këndimin e ezanit. Pas zgjerimit të kufijve të Islamit bëhet e domosdoshme kombinimi i matjes së kohës edhe sipas kërkesave që imponohen nga marrëdhënit politike, tregtare dhe shoqërore. Në tre perandori të ndërtuara mbi kulturën islame, atë Osmane, Safavide dhe Mugale vërejmë karakteristikën e përbashkët të ruajtjes së kalendarit hënor për efekte liturgjike dhe organzimin e jetës së përditshme, megjithatë nuk kanë mundur të qëndrojnë të pandikuar nga traditat e popullatave vendore në llogaritjen e kohës dhe numërimin e viteve.[4] Baburi (1483-1530), perandori i parë Mogul, shkruante: … në vendin tonë ajo që njihet si … nychtemeron [një ditë-natë] ndahet në 24 pjesë, secila quhet orë [saat], dhe ora ndahet në 60 pjesë, secila quhet minutë [dakika] … (Autori vëren për shprehjen dakika) Dakika është e gjatë sa përsëritja gjashtë herë e Fatihasë bashkë me Bismil’lahin, kështu që ditë-nata zgjat sa përsëritja e 8640 Fatihave me Bismi’lah.[5] Safavidët e ruajtën definicionin islam të perëndimit të diellit dhe njëlloj si Mugalët e ndanë 24 orëshin në 8 pjesë, katër për orët me dritë dhe katër për orët e natës. Kalendari Zoroastrian kishte 365 ditë, 12 muaj nga tridhjetë ditë dhe pesë shtesë në fund. Ndërsa Osmanët e ndanë ditën në dy pjesë me nga 12 orë. Në të tre perandoritë eksperti që merrej me studimin e kohës quhej munaxhxhim.[6] Shumë prej këtyre nocioneve hasen edhe sot si alternativa ndërmjet sistemeve të ndryshme për matjen e kohës. Gjatë llogaritjeve tona kemi marrë parasysh pikërisht këtë fakt të pozicionimit të kalendarit hënor (Islam) dhe atij diellor (Gregorian).
Gjatë diçka më shumë se 33 viteve kalendari hënor vjen dhe mbivendoset përsëri mbi kalendarin Gregorian, duke krijuar një cikël që përsëritet. Ne kemi marrë si bazë për llogaritjet të dhënat e kalendarëve të faqes së internetit IslamicFinder, ku për secilin qytet kemi marrë sipas datave oraret referencë të faljeve dhe agjërimit. Të dhënat janë përpunuar nga ana statistikore dhe janë paraqitur edhe grafikisht. Disa konkluzione interesante janë paraqitur në vazhdim. Tabela më poshtë tregon të gjitha të dhënat në lidhje me koordinatat dhe metodën e llogaritjeve të qyteteve të analizuara.
Figura 1. Pozita gjeografike e vendeve të marra në konsideratë dhe të dhënat bazë të llogaritjes së kohëve të faljes sipas IslamicFinder[7]
Imsaku, L. Diellit, Yleja, Ikindia, Akshami dhe Jacia janë kohët referencë të faljeve ditore për besimtarët myslimanë. Emërtesat e tyre janë marrë nga faqja zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në tabelën më poshtë janë përmbledhur për secilin qytet dhe kohë reference, ora më e vogël dhe më e madhe gjatë vitit e secilit vakt. P.sh., hyrja e Akshamit në Mekë ndryshon nga ora 17:38 deri në orën 19:08 gjatë një viti, në vazhdim në tabelë tregohet diferenca midis këtyre dy orareve ekstreme, 1:30.
Tabela 1. Oraret minimale dhe maksimale referencë të faljeve sipas qyteteve.
Koha e agjërimit është paraqitur më poshtë në orë dhe minuta që janë të detyrueshme për mbajtjen e tij. Gjatë ciklit të zhvendosjes së Ramazanit gjatë muajve të kalendarit diellor koha ditore e agjërimit rritet ose zvogëlohet. P.sh., Tirana minimumin e agjërimit e ka rreth 11 orë dhe maksimumin rreth 17.5 orë me një diferencë ndërmjet kohëve maksimale dhe minimale të agjërimit (rangu) prej rreth 6.5 orë. Mesatarisht në Tiranë gjatë gjithë viteve të analizuara agjërohet rreth 14 orë në ditë.
Sa për qind të kohës së një viti duhet ta kalojmë në agjërim? Londra është rasti më ekstrem nga 4 qytetet e analizuar ku mesatarisht në vit konsumohet 5.1% e kohës vjetore dhe 60.7% e kohës së muajit të Ramazanit. Sa më afër Mekës aq më e shkurtër është koha e agjërimit. Në paraqitjen grafike shikohet që sa më shumë rritet gjerësia gjeografike aq më shumë oshilon koha e duhur për agjërim. Londra në ekstrem ka vitet me kohën më të shkurtër por edhe më të gjatë të agjërimit, ndërkohë që Meka ka më pak ndryshime.
Tabela 2. Llogaritje rreth kohëve të agjërimit të një dite Ramazani gjatë ciklit prej rreth 33 viteve.
Tabela 3. Përqindja e kohës së kaluar në agjërim gjatë një viti dhe gjatë Ramazanit
Figura 2. Ndryshimi sipas kalendarit hënor i kohës mesatare në agjërim (% e kohës së vitit)
Katër paraqitjet grafike në vazhdim kanë marrë në konsideratë ndryshimin ditë pas dite të orareve referencë të faljeve dhe agjërimit për vitin 2016 në 4 qytetet. Secili nga oraret referencë të faljeve është paraqitur me një vijë të pandërprerë. Vihen re ndryshimet e orareve të faljeve dhe agjërimit sipas stinëve, duke kapur maksimunin e tyre në periudhën e verës dhe minimumin në dimër. Me vija të ndërprera në anësore janë kufijtë e kalendarit islam dhe me vija të ndërprera në qendër tregohet pozicionimi i muajit të Ramazanit për vitin 2016, duke qenë edhe këtë vit një ndër më të gjatët për agjërim. Në 16 vitet e ardhshme koha e Ramazanit vjen duke u zvogëluar, dhe ky cikël përsëritet vazhdimisht. Thyerjet e vazhdimësisë së vijave janë ndryshimet e orës dy herë në vit me përjashtim të Mekës ku nuk ka ndryshim të orës. Zona me ngjyrim të errët mund të konsiderohet si zonë e natës së plotë ndërkohë që zona me ngjyrim të bardhë përfshin kohët nga Imsaku deri në Jaci. Versioni i animuar vit pas viti është paraqitja më e mirë e mundshme duke marrë parasysh që kemi vendosur në një grafik të vetëm: vitin diellor, vitin hënor, orët e ditës, kohët referencë të faljeve dhe agjërimit, muajin e Ramazanit dhe 4 pozita të ndryshme gjeografike që përfaqësojnë Mekën, Jeruzalemin, Tiranën dhe Londrën.
Figura 3. Paraqitje grafike e kohëve referencë të faljeve gjatë vitit 2016 në Mekë, Jeruzalem, Tiranë dhe Londër. Me vija të ndërprera është paraqitur muaji i Ramazanit.
Myslimanët në kohë
Fillimi i Islamit daton me pejgamberinë e Muhamedis s.a.v.s. (570-632 e.r.), dhe në vitin 2010 rezultojnë 1,65 miliardë myslimanë. Islami është i fundmi i ‘qytetërimeve fetare’ dhe përgjithësisht ka një rritje të vazhdueshme të ndjekësve të tij. Rritja e popullsisë së botës në shekullin e XIX-të e në vazhdim është reflektuar edhe me rritjen numrit të myslimanëve në botë duke arritur në vitin 2010 në 24% të popullatës së planetit. Paraqitjet grafike tregojnë rritjen e vazhdueshme të Krishterimit dhe Islamit, dhe gjithashtu shfaqjen e fenomenin të ateizmit me përmasa të dukshme globale, duke përafruar në vitin 2010 një numër prej 662 milion pasuesish.
Pjesa më e madhe e myslimanëve është e vendosur më së shumti në Azi (69%) dhe Afrikë (27%). Europa në vitin 2010 kishte 734,602,633 banorë (6.47% myslimanë) ose e thënë ndryshe në Evropë jetojnë 49,545,462 myslimanë ose 2.99% e myslimanëve të botës.[8]
Tabela 4. Rritja e qytetërimevefetare (në milionë), 0-2000 e.r.[9]
Figura 4. Qytetërimet fetare, treguar në % të popullsisë së botës viti 1-2010 e.r.
Figura 5. Qytetërimet sipas përkatësisë fetare (në milionë), viti 0-2010 e.r..
Konkluzione
Në Kur’an, për Diellin dhe Hënën, Allahu xh.sh. sqaron në mënyrë eksplicite se një ndër arsyet që i ka krijuar, është “për llogaritje të kohës” (6:96). Në vazhdim përmendet nata dhe dita si standard për “njehsimin e viteve dhe llogaritjen (e kohës)” (17:12) dhe “Tek Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë” (9:36).[10] Ajetet e Kur’anit janë mjaft të qartë që dielli dhe hëna përdoren për llogaritjen e kohës dhe gjithashtu për njehsimin e viteve, por në momnetin kur përmendet numri i muajve dhe katër muajt e shenjtë, mbështetur kjo dhe me hadithe vendoset edhe standardi i veçantë për vitin hënor.
Kohët e faljeve varen ekskluzivisht nga kalendari diellor dhe ndryshimet e tij periodike duke përjashtuar ndërhyrjen e kalendarit hënor në përcaktimin e tyre dhe këtu kemi reflektimin e plotë praktik të ajetit të mësipërm. Agjërimi është një kombinim i kalendarit hënor dhe diellor duke e bërë një fenomen që përsëritet periodikisht dhe projektohet në segmente të ndryshme të kalendarit diellor. Në këtë mënyrë koha e agjërimit është e ndryshme nga viti në vit. Gjithashtu edhe haxhi dhe zekati janë fenomene të përsëritura në mënyrë periodike sipas kalendarit hënor. Pra adhurimet që përsëriten në cikle vjetore kanë për bazë kalendarin hënor.
Pas këtij caktimi nga Allahu xh.sh. dhe pranimi nga myslimanët, le të shohim disa karakteristika të ndikimit të kalendarit islam, kur merret në konsideratë për t’u përdorur në disa aspekte si ekonomia, shëndeti dhe sjellja shoqërore. Përgjithësish edhe kur ky kalendar nuk përdoret në mënyrë zyrtare ka funksione pothuajse të plota nga myslimanët praktikantë.
Së pari, zhvendosja e orës dy herë në vit nga një orë duket fenomen që ndërhyn në natyrshmërinë e rrjedhjes së kohës duke krijuar përshtypjen në grafik (fig. 2) për zhvendosje në boshtin e kohës. Në të vërtetë namazi dhe agjërimi janë të lidhura me këtë fenomen. Ato nuk ndikohen nga ndryshimi i orës, por me aktivitetet e tjera ditore po. Pra me 26 mars 2016, në Tiranë, Ikindia hyn në orën 15:17, të nesërmen, më datë 27, hyn në orën 16:18. Nëse ndërmjet të tjerash ndryshimi gradual i orareve të faljeve dhe agjërimit ka urtësi në vetvete, ndryshimi akut i aktiviteteve të tjera të përditshme dhe sidomos oraret e punës, sigurisht që nuk janë një rekomandim i mirë për myslimanët. Gjithashtu njerëzit që ndodhen larg Islamit mund të mendojnë që financat janë larg ndikimit të kalendarit islam, aty ku ka popullatë myslimane, por studimet tregojnë se ka efekt të pas Ramazanit në bursa.[11] Gjithashtu vërehet impakt pozitiv në ruajtjen e vlerës së parasë dhe impakt negativ në depozita. Mosmarrja në konsideratë e muajit të Ramazanit dhe karakteristikave të tjera të kalendarit hënor më së paku do të sillte parashikime të shtrembëruara.[12] Impakti i muajit të Ramazanit shikohet edhe në çmimin e ushqimeve.[13] Indikatorët e përmendur më sipër që nga tregjet financiare e deri te çmimi i ushqimeve janë të pastudiuara në Shqipëri.
Nga ekonomia të vazhdojmë me ciklet cirkadiene të trupit të njeriut, cikle të proceseve jetësore tashmë të provuara që ndryshojnë gjatë cikleve të kohës, si p.sh., ulja e rrahjeve të zemrës gjatë natës dhe gjumit. Që nga momenti që myslimanët kanë adaptuar mënyrën e jetesës sipas rekomandimeve të fesë islame automatikisht kanë adoptuar edhe ciklet ditore deri vjetore sipas kalendarit islam. Duke filluar nga muskujt e skeletit dhe deri tek aktiviteti kardiovaskular e mendor janë pjesë e ndryshimeve cirkadiane, madje provohet se edhe efektet shëndetësore janë të ndikueshme nga ato[14].[15] Çfarë do të mendohej nëse dy regjime kohore ushtrohen mbi këto ritme natyrore, ai Islam dhe tjetër?! Sigurisht që këtu ka vend për studim. Efektet pozitive të dukshme të agjërimit janë të njohura, përveç përfitimeve të premtuara. Një studim tregon përfitimet në kontrollin e obezitetit, ndërkohë që të gjitha matjet para dhe pas agjërimit nuk tregojnë ndryshime të rëndësishme të parametrave në mostrat e gjakut të marra tek agjëruesit. Një terapi me efekte dhe pa pasoja, një terapi e përsosur![16] Për astronominë dhe trupin e njeriut duket që orët gjatë ditës dhe natës dhe vit pas viti nuk janë të njëllojta, diku një orë është më e gjatë e diku më e shkurtër.
Treguesit e mësipërm dhe të tjerë që duhen studiuar e bëjnë të domosdoshme njohjen në detaje të ndryshimeve të kalendarit islam dhe marrëdhënjeve me metodat e tjera të matjes së kohës, për individin dhe për gjithë shoqërinë. Vetëm 4.9 %, ose nga 3.7-6.1% të kohës vjetore gjatë 34 viteve duhet të harxhojë individi për agjërim në Tiranë (tab. 2). Kurse shoqëria, në një kohë dyndjesh nga fshatrat në qytete, nuk duhet të harrojë që numri i myslimanëve në vitin 2020 projektohet 2,050,085,347 ose 26.01% e popullsisë së botës[17].[18] Hadithi “Përfito nga pesë gjëra para pesë të tjerave: nga jeta para vdekjes, nga shëndeti para sëmundjes, nga koha e lirë para angazhimit, nga rinia para pleqërisë dhe nga pasuria para varfërisë”, i lidh këto begati në mënyrë të pandashme me kohën.[19] Ka një kohë kur i kemi dhe një kohë kur mungojnë, duke qenë bekimi më i madh kur i ke dhe mund t’i përdorësh.*
* Artikull i botuar në revistën “Zani i Naltë”, nr. 15 (168), janar, shkurt, mars 2016.
[1]. “calendar.” The Columbia Encyclopedia, 6th ed.. 2015. Encyclopedia.com. 23 Feb. 2016 <http://www.encyclopedia.com>.
[2]. Kur’ani, Asr, 1. http://www.kuranifisnik.net/KuraniFisnik/Ballina/
[3]. Kur’ani, (85:1), (91:1), (91:2), (86:1), (91:5), (91:6), (91:3), (91:4), (93:1), (89:1), (89:2) (85:2) http://www.kuranifisnik.net/KuraniFisnik/Ballina/
[4]. Blake, Stephen P. Time in Early Modern Islam: Calendar, Ceremony, and Chronology in the Safavid, Mughal and Ottoman Empires. (Cambridge University Press, 2013), 48.
[5]. Zahir al-Din Muhammad Babur Padshah, Babur Nama (Memoirs of Babur), trans. Annette Susannah Beveridge, trans. (New Delhi, 1970), 516.
[6]. Blake, Stephen P., 49, 52, 66.
[7]. IslamicFinder http://www.islamicfinder.org/
[8]. Kettani, Houssain. “2010 World Muslim Population.” Proceedings of the 8th Hawaii international conference on arts and humanities. 2010.
[9]. Princi Ghazi bin Muhammad, Ibrahim Kalin, Mohammad Hashim Kamai. “Lufta dhe paqja në Islam.” Logos-A, Shkup (2015).
[10]. Kur’ani, (6:96), (17:12), (9:36) http://www.kuranifisnik.net/KuraniFisnik/Ballina/
[11]. It shows that there is after Ramdhan effect in Karachi Stock market. Mustafa, Khalid. “The Islamic calendar effect on Karachi stock market.” 8th International Business Research Conference on March. 2008.
[12]. Bukhari, Syed Kalim Hyder, Jalil Abdul, and Nasir Hamid Rao. “Detection and Forecasting of Islamic Calendar Effects in Time Series Data: Revisited.”MPRA Paper 31124 (2011).
[13]. Yucel, Eray M. “Does Ramadan have any effect on food prices: A dual-calendar perspective on the Turkish data.” MPRA Paper 1141 (2005).
[14]. Harfmann, Brianna D., Elizabeth A. Schroder, and Karyn A. Esser. “Circadian rhythms, the molecular clock, and skeletal muscle.” Journal of biological rhythms (2014): 0748730414561638
[15]. Chen, Lihong, and Guangrui Yang. “Recent advances in circadian rhythms in cardiovascular system.” Frontiers in pharmacology 6 (2015).
[16]. Khan, Alam, and M. M. A. K. Khattak. “Islamic fasting: An effective strategy for prevention and control of obesity.” Pakistan Journal of Nutrition 1.4 (2002): 185-187.
[17]. Buhaug, Halvard, and Henrik Urdal. “An urbanization bomb? Population growth and social disorder in cities.” Global Environmental Change 23.1 (2013): 1-10.
[18]. Kettani, Houssain. “2010 World Muslim Population.” Proceedings of the 8th Hawaii international conference on arts and humanities. 2010.
[19]. Hakimi, nga Ibni Abbasi (r.a).Etj. http://www.islampress.info/2015/02/18/perfito-nga-pese-gjera-para-pese-te-tjerave/
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...