Perditësimi i fundit May 2nd, 2022 12:17 PM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • Aspektet sociologjike në Kur’an (Xhuzi i XXV-të)
  • Biologjia Moderne si Shprehje Kulturore
  • Recensë e librit “Hoxhë Kadri Prishtina Mendimtar Islam” me autor Qemajl Morina
  • Politika e PPSH-së kundër besimeve fetare: masat me karakter ligjor dhe fushata propagandistike në vitin 1967
  • Çështjet sociale të gjendura në ajetet e Kur’anit Fisnik
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Sanxhaku i Shkupit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX

Mar 23, 2017 Zani i Nalte Histori 0


shkup

nga Dr. Hasan Bello, Instituti i Historisë, QSA

Abstrakt

Vilajeti i Kosovës pjesë e të cilit ishte Sanxhaku i Shkupit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shtrihej në pjesën perëndimore të territoreve evropiane të Perandorisë Osmane, me një sipërfaqe prej 32.000 km. Në Lindje ai kufizohej me Bullgarinë, në Perëndim me Vilajetin e Shkodrës, Bosnjën dhe Malin e Zi, në Jug me Selanikun, ndërsa në Veri me Serbinë. Për shkak të pozitës gjeopolitike që zinte ky vilajet, e në këtë kuadër edhe Sanxhaku i Shkupit, e kishin kthyer atë në vilajetin më të rëndësishëm e njëkohësisht një nga më problematikët e perandorisë.

            Duke pasur parasysh infrastrukturën (stacionin hekurudhor), shëndetësinë, rrjetin telegrafik, kushtet e nevojshme që evitonin harxhimet suplementare, si dhe faktin se ky qytet nuk gjendej në zonë kufitare, Shkupi – sipas tij – i kishte të gjitha premisat për t`u bërë qendër vilajeti. Në vitin 1888, qeveria osmane, me të drejtë vendosi që qendra e Vilajetit të Kosovës të zhvendosej në Sanxhakun e Shkupit.

 

I.-Struktura administrative e Sanxhakut të Shkupit

Vilajeti i Kosovës pjesë e të cilit ishte Sanxhaku1 i Shkupit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shtrihej në pjesën perëndimore të territoreve evropiane të Perandorisë Osmane, me një sipërfaqe prej 32.000 km2. Në Lindje ai kufizohej me Bullgarinë, në Perëndim me Vilajetin e Shkodrës, Bosnjën dhe Malin e Zi, në Jug me Selanikun, ndërsa në Veri me Serbinë. Për shkak të pozitës gjeopolitike që zinte ky vilajet, e në këtë kuadër edhe Sanxhaku i Shkupit, e kishin kthyer atë në vilajetin më të rëndësishëm e njëkohësisht një nga më problematikët e perandorisë.

Megjithëse qendra e vilajetit ishte në Sanxhakun e Prishtinës, nga dokumentacioni i kohës vihet re se më 4 gusht 1878 disa persona nga paria e Prizrenit i drejtojnë autoriteteve të kohës kërkesën që qendra e vilajetit të zhvendosej në këtë qytetet me justifikimin se, në Prishtinë, nuk ekzistonin kushte të përshtatshme për administratën dhe nëpunësit. Ndërsa në Prizren ato ishin më të mira për shkak se ky qytet kishte qenë edhe më parë qendër vilajeti.2

Në vitin 1888 u ngrit përsëri si çështje që qendra e vilajetit të zhvendosej në Sanxhakun e Shkupit, sepse Shkupi shërbente si nyje lidhëse për të gjithë zonën, aty gjendeshin edhe disa konsullata të huaja, si konsullata austriake, ruse, serbe, greke, etj.3 Në një shkresë që valiu i Kosovës i dërgoi kryeministrisë më 18 gusht 1887, duke mbështetur variantin e mësipërm, argumentonte se, që kur Nishi i ishte aneksuar Serbisë, Prishtina e kishte humbur peshën dhe rëndësinë politiko-administrative. Duke pasur parasysh infrastrukturën (stacionin hekurudhor), shëndetësinë, rrjetin telegrafik, kushtet e nevojshme që evitonin harxhimet suplementare, si dhe faktin se ky qytet nuk gjendej në zonë kufitare, Shkupi – sipas tij – i kishte të gjitha premisat për t`u bërë qendër vilajeti.4 Në vitin 1888, qeveria osmane, me të drejtë vendosi që qendra e Vilajetit të Kosovës të zhvendosej në Sanxhakun e Shkupit.5

Nga pikëpamja administrative, Vilajeti i Kosovës, në vitet 1877-1878 përbëhej gjithsej nga shtatë sanxhaqe (nga Sanxhaku i Prishtinës, Sanxhaku i Prizrenit, Sanxhaku i Shkupit, Sanxhaku i Nishit, Sanxhaku i Shehirkojit, Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe Sanxhaku i Dibrës), të cilët, përfshinin gjithashtu edhe disa njësi më të vogla administrative si: 27 kaza6, 8 nahije7 dhe 1400 fshatra.8

Pas luftës Ruso-Turke nga ky vilajet do të shkëputet Sanxhaku i Nishit dhe Sanxhaku i Shehirkojit të cilët do t`i aneksohen Serbisë duke e zbritur në pesë numrin e sanxhaqeve.

Ndërsa në vitet 1878-1879 Vilajeti i Kosovës përbëhej nga:

  1. Sanxhaku i Prishtinës (si qendër vilajeti), me kazanë e Prishtinës, Pejës, Vulçtrinës, Gjilanit dhe Preshevës.
  2. Sanxhaku i Shkupit, me kazanë e Shkupit, Kumanovës, Koçanës, Kratovës, Palankës, Ishtipit, Radovishtës dhe nahijen e Kaçanikut.
  3. Sanxhaku i Prizrenit, me kazanë e Prizrenit, Tetovës, Gjakovës, Lumës, Gucisë dhe nahijet e Gostivarit, Kalishës e Rahofçës.
  4. Sanxhaku i Dibrës, me kazanë e Dibrës, Elbasanit, Dibrës së poshtme (Debre-i Zir) dhe Matit.
  5. Sanxhaku i Pazarit të Ri, me kazanë e Pazarit të Ri, Senicës, Prepolit, Mitrovicës, Varoshit të Ri, Tashllëxhës, Tragovishtës, Beranës, Akovës dhe Majkovaçit.9

Pra, sipas listës së mësipërme, ky vilajet përbëhej nga 5 sanxhaqe, 31 kaza dhe 4 nahije. Ndërsa po t`i referohemi vjetarëve statistikorë (salnameve)10 të Perandorisë Osmane duke marrë në konsideratë vetëm Sanxhakun e Shkupit për vitet 1882-1883, ky sanxhak përbëhej nga Kazaja e Shkupit që ishte njëkohësisht edhe qendër e këtij sanxhaku, Kazaja e Ishtipit, Kumanovës, Radovishtës dhe Palankës. Në këtë sanxhak gjithashtu bënin pjesë edhe Nahija e Kaçanikut, Maleshit dhe Bijanicës.11

Tabela .1.

Struktura administrative e Sanxhakut të Shkupit 1882-188312

 

Sanxhaku Kazaja Nahija
 

 

 

Shkup

Shkup Kaçanik
Ishtip  
Kumanovë  
Radovishtë  
Palankë  
Koçanë Malesh, Bijanicë
Kratovë  

 

Në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX, në strukturën administrative të Sanxhakut të Shkupit vihet re një rritje e numrit të kazave dhe nahijeve, nga 7 dhe 3 që kishin qenë në fund të shek. XIX (shiko: Tabelën .1.) në 10 dhe 9 të tilla (shiko: Tabelën .2.). Kjo rritje, së bashku me numrin e fshatrave, erdhi si rezultat i shtimit të numrit të popullsisë.

Në vitet 1908-1909 Sanxhaku i Shkupit vazhdoi të mbetej qendër e Vilajetit të Kosovës, në përbërje të të cilit bënin pjesë Kazaja e Shkupit, përsëri si qendër sanxhaku, Kazaja e Ishtipit, Koçanës, Kyprylysë, Kratovës, Kumanovës, Orhanijes, Osmanije-Maleshit, Palankës dhe Radovishtës. Në këtë sanxhak bënin pjesë edhe nahijet e Bereketlisë, Ishtipit, Leskovicës, Koçanës, Bijanicës, Bogomilit, Kyprylysë, Nikodimit dhe Kumanovës, si dhe 660 fshatra.13

Tabela .2.

Struktura administrative e Sanxhakut të Shkupit 1908-190914

 

Sanxhaku Kazaja Nahija Nr. i fshatrave
 

 

 

 

 

 

Shkup

Ishtip Bereketli, Ishtip, Leskovicë 140
Koçanë Koçanë, Bijanice 92
Kypryly Bogomil, Kypryly, Nikodim 91
Kratovë   69
Kumanovë Kumanovë  
Orhanije   19
Osmanije-Malesh   3
Palankë   46
Radovishtë   54
Shkup   152

II.-Struktura demografike dhe religjioze e Sanxhakut të Shkupit

Një nga vështirësitë më të mëdha për studiuesit dhe historianët është dhe përcaktimi i strukturës demografike të Perandorinë Osmane. Kjo për faktin se, të dhënat shpesh herë na paraqiten kontradiktore, qoftë për arsye objektive (teknike), të cilat kanë të bëjnë me mënyrat se si është realizuar regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, qoftë për arsye subjektive, sepse në vilajetet shqiptare, apo në disa vilajete të tjera të kësaj perandorie, pjesa dërrmuese e popullsisë, si ajo myslimane ashtu edhe ajo e krishterë, nuk pranonte për arsye fanatizmi të tregonte numrin e grave apo të vajzave që kishte çdo shtëpi.

Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në Perandorinë Osmane, për herë të parë është kryer në vitin 1831.15 Sipas shumë studiuesve në këtë regjistrim nuk u arrit të përfshiheshin të gjitha njësitë administrative të perandorisë. Regjistrimi i dytë daton në vitin 1844, i treti në vitin 1859-186016, i katërti në vitin 1885 dhe i pesti në vitin 1907. Këta dy të fundit janë dhe më të rëndësishmit për arsye se përfshijnë të dhëna specifike mbi moshën, gjininë, vendlindjen, profesionin, statusin civil, etninë dhe fenë.17

Kosova për herë të parë përmendet si vilajet më vete në vjetarin statistikor të Perandorisë Osmane (Salname-i Devlet-i Aliye-yi Osmâniye) të vitit 1878, sipas të cilit numri i përgjithshëm i popullsisë në këtë vilajet ishte 898.772 banorë, nga të cilët në Sanxhakun e Shkupit gjendeshin 104.123 banorë.18 Siç e kemi përmendur dhe më sipër pas përfundimit të luftës Ruso-Turke dhe aneksimit të Sanxhakut të Nishit dhe Sanxhakut të Shehirkojit në rang vilajeti kemi një pakësim të numrit të përgjithshëm të popullsisë në 496.078 banorë.19 Ndërsa e kundërta ka ndodhur me popullsinë e Sanxhakut të Shkupit për shkak të muhaxhirëve të ardhur nga Serbia dhe Bullgaria. Pas një viti ajo ka pësuar një rritje të ndjeshme prej 8.424 banorësh, me gjithsej 112.547 banorë (shiko: Tabelën .3.).

Sipas ndarjes religjioze, pjesën dërrmuese në këtë sanxhak e zinte popullsia ortodokse me 67.204 banorë, pas tyre vinin myslimanët me 43.303 banor dhe hebrenjtë me 420 banorë.

Tabela .3.

Struktura demografike dhe religjoze e popullsisë së Sanxhakut të Shkupit 1878-187920

Sanxhaku Kazaja Myslimanë Ortodoksë Hebrenj Evgjitë
 

 

 

Shkup

Shkup 16.462 14.586 160 307
Kumanovë 5.264 14.360 – 156
Ishtip 11.400 10.750 260 230
Palankë 510 15.000 – 267
Radovishtë 4.398 3.016 – 269
Koçanë 239 6.205 – 4.232
Kratovë 1.037 3.287 – 61
  Gjithsej 43.303 67.204 420 1.620

Popullsia e Sanxhakut të Shkupit do të vijë duke u rritur gjithnjë e më shumë. Pas katër vitesh, sipas vjetarit statistikor (salnames) të vitit 1882-1883, ky sanxhak kishte gjithsej 126.657 banorë, nga të cilët jo myslimanët zinin pjesën dërrmuese me 77.754 banorë dhe myslimanët vinin përsëri pas tyre me 48.543 banorë.21

Ndërsa pas dhjetë vitesh vëmë re se popullsia e këtij sanxhaku është dyfishuar në 267.008 banorë, nga të cilët, duke i qëndruar besnik artikulimit të tyre etnik dhe religjioz, sipas vjetarëve osmanë (salnameve), 113.926 ishin myslimanë, 7.016 rum (ortodoksë ose grekë?), 143.917 bullgarë, 1.265 hebrenj, 103 protestantë, 35 katolikë dhe 746 evgjitë jo myslimanë.22

Tabela .4.

Struktura etnike dhe religjioze e popullsisë së Sanxhakut të Shkupit 1893-189423

Sanxhaku Kazaja

 

Nr. i pop* M* R* B* H* P* K* E jo m*
 

 

 

 

Shkup

Shkup 63.331 34.863 6.307 21.265 723 – 24 148
Ishtip 42.227 23.970 – 17.714 542 – – –
Kumanovë 41.189 12.362 87 28.729 – – 11 –
Koçanë 27.800 11.120 90 16.590 – – – 230
Radovishtë 18.273 10.571 – 7.599 – 103 – –
Palankë 22.725 2.203 426 19.937 – – – 159
Kratovë 21.333 3.396 37 17.691 – – – 209
Kaçanik 6.649 6.580 69 – – – – –
Malesh 24.052 8.860 – 15.192 – – – –
  Gjithsej 267.008 113.926 7.016 143.917 1.265 103 35 746

Në Sanxhakun e Shkupit ekzistonte edhe një numër i konsiderueshëm objektesh kulti. Kështu në vitet 1878-1879 në Shkup kishte gjithsej 30 xhami, 1 kishë dhe 1 sinagogë; në Kazanë e Radovishtës 6 xhami, 2 teqe dhe 1 kishë; në Kazanë e Kratovës 5 xhami; në Kazanë e Koçanës 3 xhami; në Kazanë e Palankës 2 xhami; në Kazanë Ishtipit 5 xhami dhe 9 teqe; në Kazanë e Kumanovës 4 xhami dhe 1 kishë. Gjithsej në këtë sanxhak kishte 55 xhami, 11 teqe, 3 kisha dhe 1 sinagogë, pra në total 70 objekte kulti.24

Tabela .6.

Sasia e objekteve të kultit sipas kazave në Sanxhakun e Shkupit 1878-187925

 

Sanxhaku i Shkupit Xhami Teqe Kisha Sinagoga
Shkup 30 – 1 1
Radovishtë 6 2 1 –
Kratovë 5 – – –
Koçanë 3 – – –
Palankë 2 – – –
Ishtip 5 9 – –
Kumanovë 4 – 1 –
Shuma 55 11 3 1

Në vitet 1896-1897, në këtë sanxhak kemi një shtim të objekteve të kultit. Kështu numri i xhamive shkon në 108, i mesxhideve (objekte që shërbejnë pak a shumë si xhamitë, por pa minare) 17, i teqeve 31, i kishave 29 dhe i sinagogave 2.26 Pra, në total kishte 187 objekte kulti, duke e kthyer këtë sanxhak në një nga sanxhaqet me më shumë faltore në Vilajetin e Kosovës.

 

 

III.-Shkollat, medresetë dhe bibliotekat në Sanxhakun e Shkupit

 

Në Sanxhakun e Shkupit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX ekzistonin gjithashtu edhe një numër i madh shkollash fillore, të cilat, në gjuhën turke njihen me emrat Sëbjan (Sıbyan mektepleri)27 dhe Iptidaie (Iptidai mektepleri).28

Në bazë të Rregullores së Arsimit Publik (Maarif-i Umûmiye Nizamnâmesi) të vitit 1869 këtyre shkollave u jepej një rëndësi e veçantë. Seksioni i rregullave, që kishin të bënin me shkollat fillore, ndahej në katër pjesë: në rregulla të përgjithshme, të orëve të mësimit dhe provimeve, të mësuesve dhe të çështjeve financiare. Rregullat e përgjithshme përfshinin gjëra të tilla si: në çdo lagje apo fshat duhet të hapej të paktën një shkollë fillore që të ofronte një arsim katër vjeçar, djemtë duhet të ndiqnin shkollën nga mosha 6-10 vjeç kurse vajzat nga 7-11 vjeç dhe nëse kishte dy shkolla në një lagje, një duhet të ishte për djem dhe tjetra për vajza. Në rregullat e orëve të mësimit dhe provimeve kërkohej një plan mësimor dhe ky plan mund të ndryshohej vetëm me lejen e Ministrisë së Arsimit (Maarif Nazırlığı). Provimet duhet të bëheshin në prani të këshillit të lagjes apo fshatit, mësuesit duhet të ishin të diplomuar në Shkollën Normale të Djemve. Të ardhurat e këtyre shkollave duhet të vinin nga burimet e vakëfeve, taksat lokale, pronat e atyre që nuk linin trashëgimtarë, lëmosha e Ramazanit, etj.29

Në kushtetutën e vitit 1876 (Kânûn-i Esâsî) arsimi fillor zinte një vend të rëndësishëm. Një nen i Kushtetutës e bënte atë të detyrueshëm, sipas tij, të gjithë rinisë osmane i kërkohej të përfundonte fazën e parë të sistemit arsimor.30 Në vitin 1879 u formua dhe një zyrë e shkollave fillore (Mekatib-i Sıbyaniye Dairesi), e cila u nda në dy departamente, një për shkollat Sëbjan, që ofronte arsimin tradicional, dhe tjetra për shkollat Iptidaie, që ishin hapur gjatë kësaj periudhe. Ndërsa, në vitin 1882, ministri i Arsimit u përpoq që të hiqte këtë sistem të dyfishtë, duke i shndërruar të gjitha shkollat Sëbjan në shkolla Iptidaie. Programi mësimor në këto shkolla përfshinte mësimin e abetares, leximin, shkrimin, moralin, matematikën, historinë, gjeografinë, lëndët fetare, si dhe leximin e Kur`anit.

Në Sanxhakun e Shkupit, përgjatë viteve 1893-1894, sipas kazave, kishte 8 shkolla Sëbjan në Shkup, 1 në Koçanë, 2 në Radovishtë, 2 në Palankë, 2 në Kratovë dhe 2 në nahijen e Maleshit.31 Pra, gjithsej 17 shkolla Sëbjan me përafërsisht 371 nxënës.

Tabela .7.

Shkollat Sëbjan në Sanxhakun e Shkupit 1893-189432

Sanxhaku Kazaja (ose Nahija) Nr. i shkollave Sëbjan Nr. i nxënësve
 

 

Shkup

Shkup 8 –
Koçanë 1 44
Radovishtë 2 82
Palankë 2 145
Kratovë 2 100
Malesh (N) 2 –
  Gjithsej 17 371

Ndërsa shkolla fillore të tipit Iptidaie, të cilat, ishin hapur në kuadër të reformave arsimore të ndërmarra nga sulltan Abdylhamidi i II (1876-1909) në zonat ku ishte përqendruar kryesisht popullsia myslimane (sidomos në Rumeli), po për të njëjtën periudhë kohore, kishte një numër më të madh. Sipas të dhënave, në Kazanë e Shkupit kishte 29, në Kazanë e Ishtipit 6, në Kazanë e Koçanës 31, në Kazanë Kumanovës 4, në Kazanë e Kratovës 7, në Kazanë e Radovishtës 30, në Kazanë e Palankës 3, në Nahijen e Kaçanikut 1 dhe të Maleshit 2. Gjithsej në këtë sanxhak kishte 113 shkolla Iptidaie, të cilat frekuentoheshin nga 5840 nxënës dhe 130 mësues.33 Edhe në këto shkolla programi mësimor, pak a shumë, ishte i ngjashëm me atë që zhvillohej në shkollat Sëbjan (Sıbyan mektepleri).

Tabela .8.

Shkollat Iptidaie në Sanxhakun e Shkupit 1893-189434

Sanxhaku Kazaja

(ose Nahija)

Nr. i shkollave

Ibtidaie

Nr. i nxënësve Nr. i mësuesve
 

 

Shkup

Shkup 29 2154 40
Ishtip 6 569 9
Koçanë 31 1375 31
Kumanovë 4 316 5
Kratovë 7 254 7
Radovishtë 30 283 31
Palankë 3 215 4
Kaçanik (N) 1 40 1
Malesh (N) 2 30 2
  Gjithsej 113 5840 130

Në strukturën e sistemit arsimor osman, pas shkollave fillore që përmendëm më sipër, vinin shkollat e ndërmjetme ryshdije (Rüştiye Mektepleri), të cilat ishin institucione përgatitore për shkollat e mesme. Në vitin 1847 kishte vetëm katër ryshdije në Stamboll, ndërsa në vitin 1848 qeveria osmane vendosi që të hapte edhe 25 të tilla në qendrat kryesore të vilajeteve. Duke filluar që nga viti 1867 në këto shkolla filluan të pranoheshin edhe nxënës jo myslimanë.35 Sipas Rregullores së Arsimit Publik (Maarif-i Umûmiye Nizamnâmesi) të vitit 1869, në çdo vend që kishte të paktën 500 shtëpi, duhej të ndërtohej nga një ryshdije, për të cilat, shpenzimet e ndërtimit, do të paguheshin nga Arka e Arsimit të provincës (Maarif Sandığı). Në varësi të numrit të nxënësve, në shkolla do të kishte një ose dy mësues, një mbikëqyrës dhe një roje. Gjatësia e ciklit të shkollave ryshdije ishte caktuar të ishte katër vjet dhe ata që e përfundonin me sukses do të pranoheshin në shkollat e mesme.36 Sipas nenit 23 të rregullores, programi mësimor i shkollave ryshdijeve përfshinte lëndë të tilla si: principet e fesë islame, gramatikë osmane, bukurshkrim, krijimtari, gramatikë arabe dhe perse, kaligrafi, aritmetikë, metoda për mbajtjen e librave të llogarisë, bazat e gjeometrisë, histori botërore, histori osmane, gjeografi, gjimnastikë dhe së fundmi, në vitin e katërt, mësim të gjuhës së vendit përkatës dhe mësim të gjuhës frënge.

Sipas vjetarit statistikor (Salname-i Devlet-i Aliye-yi Osmâniye) në kufijtë e perandorisë, në vitit 1876, kishte gjithsej 423 shkolla ryshdije, të cilat frekuentoheshin nga rreth 20.000 nxënës.37

Në vitin 1881, Komisioni mbi Arsimimin e reduktoi në dy numrin e viteve të programit të ryshdijeve dhe i kombinoi këto shkolla me idadijet, që ishin shkolla të mesme. Në vendet ku nuk kishte shumë nxënës u vendos që godinat e ryshdijeve të ktheheshin në idadije. Në vitin 1892 programet u rishikuan dhe cikli i studimeve u rrit nga dy në tre vjet, ku lëndët fetare dhe të etikës zinin vend të dukshëm. Në të njëjtën kohë edhe jo myslimanët u pajisën me shkollat e tyre, duke bërë që ryshdijet të merrnin një karakter më kombëtar.38

Në Vilajetin e Kosovës në vitet 1878-1879 kishte gjithsej 14 shkolla ryshdije, 5 në Shkup, 4 në Dibër, 3 në Prizren, 1 në Prishtinë dhe 1 në Pazarin e Ri.39 Numri i tyre në këtë vilajet do të vijë duke u rritur në 18 në vitet 1886-188740, në 23 në vitet 1893-1894 nga të cilat 8 vetëm në Sanxhakun e Shkupit41 dhe në 35 në vitet 1906-1907 (24 për djem dhe 11 ryshdije për vajza) nga të cilat 10 në Sanxhakun e Shkupit, 8 në Prishtinë, 6 në Pejë, 4 në Prizren, 4 në Tashllëxha dhe 3 në Senicë.42

Sipas kombësive jo myslimane, në Sanxhakun e Shkupit, numrin më të madh të shkollave për vitet 1898-1899 e zinin shkollat e komunitetit bullgar me 6 ryshdije dhe 1 idadije (shkollë e mesme), pastaj vinin ato të komunitetit grek, serb dhe hebre me nga 1 shkollë secili.43

Tabela .9.

Shkollat e popullsive jo myslimane në Sanxhakun e Shkupit 1898-189944

Sanxhaku Kazaja Komuniteti Kategoria Nr. i nxënësve Data e hapjes
 

 

 

 

Shkup

Shkup Serb ortodoks Ryshdije 97 djem 1889-1890
Shkup Hebrenj Ryshdije 150 djem 1888-1889
Shkup Bullgar Idadije 390 djem 1839-1940
Shkup Bullgar Ryshdije 200 djem dhe 150 vajza 1872-1873
Shkup Grek Ryshdije 50 djem 1876-1877
Koçanë Bullgar Ryshdije 50 djem 1856-1857
Palankë Bullgar Ryshdije 100 djem dhe 60 vajza 1844-1845
Ishtip Bullgar Ryshdije 90 djem dhe 35 vajza 1875-1876
Kumanovë Bullgar Ryshdije 190 djem 1872-1873
Kratovë Bullgar Ryshdije 153 djem 54 vajza 1877-1878

Në Vilajetin e Kosovës, shkolla e parë idadije (idadi mektebi), e cila ishte një shkollë e nivelit të mesëm në sistemin arsimor osman, për herë të parë u hap në Sanxhakun e Shkupit në vitin 1891, 18 vjet pas hapjes së idadijes së parë në Perandorinë Osmane, me drejtim kryesor kualifikimin e brezit të ri si nëpunës të administratës. Në vitet 1898-1899 shkolla idadije e Shkupit kishte 121 nxënës, nga të cilët 111 ishin myslimanë dhe 10 jo myslimanë45, ndërsa në vitet 1903-1904 kishte 222 nxënës dhe vetëm 17 ishin jo myslimanë.46 Programi mësimor i shkollave idadije përfshinte lëndët: hartim, kaligrafi, frëngjisht, jurisprudencë, ekonomi, gjeografi, histori, shkenca natyrore, algjebër, kontabilitet, gjeometri, planimetri, filozofi, kimi dhe pikturë.47

Në Sanxhakun e Shkupit ekzistonin gjithashtu edhe një numër medresesh, shkolla të cilat kishin si drejtim kryesor arsimimin e brezit të ri si kuadro fetarë. Nga 35 medrese që kishte në Vilajetin e Kosovës në vitet 1893-1894, 12 prej tyre ndodheshin vetëm në këtë sanxhak.48

Tabela .10.

Medresetë e Sanxhakut të Shkupit 1893-189449

Sanxhaku Kazaja Nr. i medreseve Nr. i mësuesve Nr. i nxënësve
 

 

 

Shkup

Shkup 7 7 160
Ishtip 1 1 20
Kumanovë 1 1 50
Kratovë 1 1 5
Radovishtë 1 1 11
Palankë 1 – –
  Gjithsej 12 11 246

Nga vjetari statistikor i Ministrisë së Arsimit (Maarif Salnamesi) i viteve 1898-1899 vëmë re se në këtë njësi administrative ka pasur dhe disa biblioteka, prej të cilave më e vjetra daton të jetë themeluar në vitin 1773-1774.

Tabela .11.

Bibliotekat e Sanxhakut të Shkupit 1898-189950

Sanxhaku Kazaja Emri i bibliotekës Lagjja ku ndodhej Themelues Nr. i librave Data e themelimit
 

Shkup

Radovishtë Xhamia e Madhe Xhamia e Madhe Sekretari i Komandës Ushtarake 534 1773-1774
Kratovë Ahmed efendi Mustafa bej Ahmed

efendi

100 1859-1860
Palankë Bajram pasha Bajram pasha Hysein efendi 300 1853-854
Koçanë Ebubekir efendi Esbak pasha Myftiu Esbak Ebubekir efendi 300 1895-1896

  1. 1. Sanxhaku ishte një nga njësitë administrative më të rëndësishme të strukturës së Perandorisë Osmane. Kuptimi etimologjik i kësaj fjale turke vjen nga shkopi me majë të mprehtë në të cilin vendoset flamuri. Shih: J. Deny, “Sancak”, Islam Ansiklopedesi, İstanbul: Türkiye Diyanet Vakfı, 1988, X. cilt, s. 187; M. Fuad Köprülü, “Bayrak”, Islam Ansiklopedesi, İstanbul: Türkiye Diyanet Vakfı, 1988, II. cilt, s. 401; Ismail Hakkı Uzunçarşılı, Osmanlı devleti teşkilâtına medhal, Istanbul: Türk Tarih Kurumu, 1970, s. 73; Metin Kunt, Sancaktan Eyalete 1550-1650 Arasında Osmanlı Ümerası ve Il Idaresi, Istanbul: Boğaziçi Üniversitesi, 1978, s. 16.
  2. 2. Başbakanlık Osmanlı Arşivi (Arkivi i Kryeministrisë së Perandorisë Osmane, më tej: BOA), ŞD. MLK 1965/12.
  3. 3. Kosova Vilayeti Salnamesi, Hicri 1314 (1896-1897), s. 178-179.
  4. 4. BOA, IRADE MECLIS-I MAHSUS 4241.
  5. 5. Përpjekjet për zhvendosjen e qendrës së vilajetit nga popullsia e qytetit të Prishtinës dhe Prizrenit vazhduan në mënyrë të pandërprerë, duke i dërguar vazhdimisht kërkesa dhe lutje qeverisë osmane, por, megjithatë ato nuk u morën në konsideratë dhe deri në vitin 1912 qendra e vilajetit vazhdoi të mbetej Sanxhaku i Shkupit. BOA, YA-Hus. 405/88; H. D. Andreasyan, “Osmanlı Rumelisi Tarih ve Coğrafyası”, Güney Doğu Avrupa Araştırmaları Dergisi 2-3, (1972-1974), s. 11-88 dhe 4-5 (1975-1976), s. 101-152.
  6. 6. Kazaja ishte pjesë përbërëse e sanxhakut dhe në krye të saj qëndronte kadiu; si njësi administrative ajo filloi të aplikohej në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe në fillim të shek. XVII, ndërsa pas shek. XVIII atë e gjejmë kudo nëpër territoret e Perandorisë Osmane. Shih: Mehmet Ali Ünal, Osmanlı Müesseseleri Tarihi, Isparta: “Fakülte Kitabevi”, 1997, s. 235.
  7. 7. Nahija bashkë me fshatin ishte njësia më e vogël administrative, kryesisht ajo përfshinte një zonë me karakteristika të veçanta gjeografike dhe sipas rregullores së organizimit administrativ të vitit 1864, çdo fshat popullsia e të cilit kalonte 500 frymë, kishte të drejtën të formonte një nahije. Shih: M. Tayyib Gökbilgin, “Nâhiye”, Islam Ansiklopedesi, İstanbul: “Türkiye Diyanet Vakfı”, 1988, IX. cilt, s. 36-37; Ilber Ortaylı, Tanzimat`tan Cumhuriyete Yerel Yönetim Geleneği, Istanbul: “Hil”, 1985, s. 92-93.
  8. 8. Salname-i Devlet-i Aliye-yi Osmâniye, H. 1295 (1877-1878), s. 336-338.
  9. 9. Kosova Vilayeti Salnamesi, Hicri 1296 (1878-1879), s. 60-120.
  10. 10. Fjala salname (vjetar) e ka prejardhjen nga persishtja “sal” që do të thotë vit dhe “name” që do të thotë libër. Në gjuhët perëndimore kjo haset me emrat “annuaire”, “annus”, “annale” dhe “almanac”. Salnameja e parë e Perandorisë Osmane doli në vitin 1847, ndërsa salnamet e vilajeteve filluan të dalin në vitin 1866. Disa vilajete kanë botuar vetëm nga një të tillë, e disa të tjerë mund të kenë botuar deri në mbi njëzet salname. Vilajetet që kanë botuar më shumë të tilla janë Vilajeti i Bursës dhe ai i Selanikut. Për historianët, këto vjetarë, kanë rëndësi të dorës së parë. Shih: Hasan Duman, Ottoman year-books: (salname and nevsal), Istanbul: “Research Centre for Islamic History, Art and Culture (IRCICA)”, 1982, p. 5-7; Hasan R. Ertuğ, “Osmanlı Devrinde Salnameler”, Hayat Tarih Mecmuası 10, no: 103, 104 (1973); Justin McCarthy & J. Denis Hyde, “Ottoman Imperial and Provincial Salnames”, Middle East Studies Association Bulletin 13, no. 2, 1976, p. 10-20.
  11. 11. Kosova Vilayeti Salnamesi, Hicri 1300 (1882-1883), s. 60-120.
  12. 12. Po aty.
  13. 13. Osmanlı Asırlarında Türk Devletinin Mülki idare Taksimatı ve Yer isimlerinin. Mukayeseli Tahlili, Ankara: “Başbakanlık Devlet Arşivleri Genel Müdürlüğü”, 1989, s. 1-3.
  14. 14. Po aty.
  15. 15. Shih: Enver Ziya Karal, Osmanlı İmparatorluğu’nda ilk nüfus sayımı 1831, Ankara: “C. Başbakanlık Devlet İstatistik Enstitüsü”, 1997, s. 3-4; Justin McCarthy, The Arab World, Turkey and the Balkans (1878-1914): A Handbook of Historical Statistics, Boston: “G.K.Hail and Co”, 1982.
  16. 16. Vedat Eldem, Osmanlı Imparatorluğu`nun Iktisadi Şartları Hakkında Bir Tetkik, Ankara: “Türk Tarih Kurumu Basımevi”, 1994, s. 10.
  17. 17. Cem Behar, “Osmalı Nüfus Istatistikleri ve 1831 Sonrası Modernleşmesi”, Osmanlı Devleti`nde Bilgi ve Istatistik, Ankara: “Devlet Istatistik Enstitüsü”, 2000 , s. 70-71.
  18. 18. Salname-i Devlet-i Aliye-yi Osmâniye, H.1295 (1878), s. 336-338.
  19. 19. Kosova Vilayeti Salnamesi, 1296 (1878-1879), s. 121-123.
  20. 20. Po aty.
  21. 21. Kosova Vilayeti Salnamesi, 1300 (1882-1883), s. 138-139.
  22. 22. Kosova Vilayeti Salnamesi, Hicri 1311 (1893-1894), s. 220-223.
  23. 23. Po aty.

*Numri i përgjithshëm i popullsisë

*M-Myslimanë

*R-Rum

*B-Bullgarë

*H-Hebrenj

*P-Protestantë

*K-Katolikë

*E-Evgjitë jo myslimanë

  1. 24. Kosova Vilayeti Salnamesi, Hicri 1296 (1878-1879), s. 124-125.
  2. 25. Po aty.
  3. 26. Kosova Vilayeti Salnamesi, Hicri 1314 (1896-1897), s. 211.
  4. 27. Shih: Osman Nuri Ergin, Türk Maarif Tarihi, Istanbul: “Eser Neşriyat”, 1977, I-II.cilt, s. 82; Mehmet Zeki Pakalın, Osmanlı Tarih Deyimleri ve Terimleri Sözlüğü, III.cilt, Istanbul, “Milli Eğitim Basımevi”, 1971, 201.
  5. 28. Yahya Akyüz, Türk Eğitim Tarihi, Ankara: “ Ü. E.B. F. Yayınları”, 1989, s. 182.
  6. 29. Isa Halis, Tanzimat Dönemi Eğitim Sistemi ve Yeniden Yapılanma Çabaları, Konya: “Serhat Kitabevi”, 2005, s. 53-59.
  7. 30. Bayram Kodaman, Abdülhamid Devri Eğitim Sistemi, Ankara: “Türk Tarih Kurumu”, 1999, 67.
  8. 31. Kosova Vilayeti Salnamesi, Hicri 1311(1893-1894), s. 130-135.
  9. 32. Po aty.
  10. 33. Po aty, s. 224-227.
  11. 34. Po aty.
  12. 35. Isa Halis, e cituar., s. 66-67.
  13. 36. Selçuk Akşin Somel, The Modernization of Public Education in the Ottoman Empire 1839-1908: Islamization, Autocracy and Discipline, Leiden: “E. J. Brill”, 2001, 145.
  14. 37. Bayram Kodaman, e cituar., s. 95.
  15. 38. Po aty, s. 112-113.
  16. 39. Kosova Vilayeti Salnamesi, 1296 (1878-1879), s. 124-125.
  17. 40. Kosova Vilayeti Salnamesi, 1304 (1886-1887), s. 74-111.
  18. 41. Kosova Vilayeti Salnamesi, 1311 (1893-1894), s. 224-227.
  19. 42. Bayram Kodaman, e cituar., s. 103.
  20. 43. Maarif Salnamesi, Istanbul: “Matbaa-i Amire”, 1316 (1898-1899), s. 1142-1143.
  21. 44. Po aty.
  22. 45. Po aty, s. 1134-1135.
  23. 46. Maarif Salnamesi, Istanbul: “Matbaa-i Amire”, 1321 (1903-1904), s. 626-628.
  24. 47. Bayram Kodaman, e cituar., s. 222-223.
  25. 48. Kosova Vilayeti Salnamesi, 1311 (1893-1894), s. 224-227.
  26. 49. Po aty.
  27. 50. Maarif Salnamesi, Istanbul: Matbaa-i Amire, Hicri 1316 (1898-1899), s. 1142.
Share

  • tweet
Seminar “Kur librat flasin” mbi veprën e H. Vehbi Dibrës Vetmitarë të shkretëtirës virtuale ose murgjër wireless

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • Aspektet sociologjike në Kur’an (Xhuzi i XXV-të)
    Aspektet sociologjike në Kur’an...

    May 02, 2022 0

  • Biologjia Moderne si Shprehje Kulturore
    Biologjia Moderne si Shprehje Kulturore

    Apr 27, 2022 0

  • Recensë e librit “Hoxhë Kadri Prishtina Mendimtar Islam” me autor Qemajl Morina
    Recensë e librit “Hoxhë Kadri...

    Apr 24, 2022 0

  • Politika e PPSH-së kundër besimeve fetare: masat me karakter ligjor dhe fushata propagandistike në vitin 1967
    Politika e PPSH-së kundër besimeve...

    Apr 18, 2022 0

Me shumë në këtë kategori
  • Medreseja “Alaudin” e Prishtinës dhe kontributi i saj në formimin e inteligjencies fetare islame
    Medreseja “Alaudin” e Prishtinës...

    Nov 24, 2021 0

  • Kriza e familjes shqiptare në vitet e regjimit komunist: Divorcet në vitet 60-të
    Kriza e familjes shqiptare në vitet e...

    Nov 17, 2021 0

  • Kur ulqinakët kërkonin bashkimin me Shqipërinë në vitin 1919
    Kur ulqinakët kërkonin bashkimin me...

    May 07, 2021 0

  • Shqiptarët e Çamërisë në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme
    Shqiptarët e Çamërisë në rrjedhat...

    May 28, 2020 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në...

Apr 01, 2022 0

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...
Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Forum i hapur: “Roli i institucioneve arsimore në zhvillimin e kombeve, modeli i Ez’herit”

Forum i hapur: “Roli i institucioneve...

Jun 18, 2021 0

“Karta e Mekës”, si një dokument historik i botës islame në kohë moderne

“Karta e Mekës”, si një dokument...

Jun 16, 2021 0

Studime

Aspektet sociologjike në Kur’an (Xhuzi i XXV-të)

Aspektet sociologjike në Kur’an (Xhuzi i XXV-të)

May 02, 2022 0

nga Msc. Ada Qama, Medreseja e Tiranës “H. Mahmud Dashi”   Abstrakt Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj...
Biologjia Moderne si Shprehje Kulturore

Biologjia Moderne si Shprehje Kulturore

Apr 27, 2022 0

Recensë e librit “Hoxhë Kadri Prishtina Mendimtar Islam” me autor Qemajl Morina

Recensë e librit “Hoxhë Kadri Prishtina...

Apr 24, 2022 0

Politika e PPSH-së kundër besimeve fetare: masat me karakter ligjor dhe fushata propagandistike në vitin 1967

Politika e PPSH-së kundër besimeve...

Apr 18, 2022 0

Gjuhë-letërsi

Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

 nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...
Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare

Historiku i revistave si historishkrim i...

Jul 10, 2020 0

Sociologji

Një këndvështrim sociologjik i familjes në Islam

Një këndvështrim sociologjik i familjes në Islam

Dec 16, 2021 0

Dr. Genti Kruja, Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti Bedër Msc. Mehmet Disha, Drejtoria e Kulturës, KMSH   Abstrakt Familja është bërthama e shoqërisë. Edukimi dhe...
Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit në shoqërinë shqiptare

Analizim i dinamikës së fenomenit të emigrimit...

Dec 06, 2020 0

Shtegdalja midis civilizimeve të mileniumit tonë, nga përplasja në dialog ndërcivilizues

Shtegdalja midis civilizimeve të mileniumit...

May 16, 2019 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (33)

Me te lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

  • Përshëndetja e kryetarit H. Selim Muça në promovim
    Përshëndetja e kryetarit H. Selim Muça në promovim

    Jul 06, 2013 0

  • nga Prof. Dr. Ferit Duka
    nga Prof. Dr. Ferit Duka

    Jul 06, 2013 0

  • nga Besnik Mustafaj
    nga Besnik Mustafaj

    Jul 08, 2013 0

  • nga Dr. Agron Tufa
    nga Dr. Agron Tufa

    Jul 11, 2013 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • Aspektet sociologjike në Kur’an (Xhuzi i XXV-të)
  • Biologjia Moderne si Shprehje Kulturore
  • Recensë e librit “Hoxhë Kadri Prishtina Mendimtar Islam” me autor Qemajl Morina
  • Politika e PPSH-së kundër besimeve fetare: masat me karakter ligjor dhe fushata propagandistike në vitin 1967
  • Çështjet sociale të gjendura në ajetet e Kur’anit Fisnik

Na ndiqni ne Facebook

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al