Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Apr 11, 2017 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Dr. Muhamed Mustafi, Fakulteti i Shkencave Islame, Shkup
Hyrje
Në botën e mendimeve ekzistojnë shumë ide, çështje dhe problematika që shqyrtohen për masën e ndikimit të tyre në shoqëri dhe në të shumtën e rasteve më së shumti vlerësohen idetë dhe mendimet që kanë ndikimin më të fuqishëm në botë. Ndryshimet shoqërore dhe politike në botë janë të llojeve të ndryshme, por në bazë të kësaj që përjetojmë edhe ne sot, vërehet qartë se asnjë prej tyre nuk ka tejkaluar masën e kohës, kjo sepse kanë kohë dhe periudhë të caktuar funksionaliteti. Sistemet shoqërore dhe politike janë funksionale për aq kohë sa kanë pushtetin dhe kur humbin e humbasin atë, humbin ndikimin dhe kështu, për teori të tilla, mund të lexojmë vetëm në literaturën historisë së zhvillimit të mendimit njerëzor.
Të njëjtin fat po përjeton edhe mendimi fetar perëndimor, sepse, siç shohim, në Perëndim, ai nuk ndikon në nxitjen e lëvizjeve të mendimit.
Të tilla mendime janë funksionale nëse kanë përkrahje nga institucionet e ndryshme, në të kundërt, jo.
Vlen të theksohet se kur diskutohet për funksionalitetin e mendimit islam asnjëherë nuk kemi hasur në histori, madje as sot nuk vërejmë ndonjë dobësim të tij, pa marrë parasysh nëse përshtatet apo jo me ambientin e jashtëm. Në shumë shoqëri myslimani jeton dhe vepron sipas mendimit islam, si në shoqërinë islame ashtu edhe në atë joislame. Funksionaliteti i tillë nuk është i dobët nëse bisedohet për dëshminë fetare dhe për jetën fetare, madje ka të njëjtën fuqi në botën islame dhe në atë joislame.
Lëvizja e jetës private, familjare dhe shoqërore brenda parimeve të mendimit islam është vërtet multifunksionale dhe çdo mysliman i aplikon parimet e fesë islame, sepse në trurin e tij mendimi islam është funksional.
Mendimi islam
Funksionaliteti i mendimit të tij është i qëndrueshëm dhe konstant edhe pse “armiqtë e Islamit mundohen që ta prezantojnë keq dhe ta nënçmojnë Islamin që ta bëjnë më pak atraktiv për gjeneratën e njerëzve dhe për ata që tentojnë të largohen nga shoqëria e tyre.”[1]
Një opsion i tillë u ofrohet atyre që jetojnë në zbrazëtirë dhe në mendjet e të cilëve nuk ekziston një bindje e thellë islame.
Në një fushë konfliktesh të tilla, as individi e as shoqëria nuk mund të bien në kurthin e keqinterpretimeve të tilla nëse në mendjet e tyre funksionon mentaliteti islam.
Në këtë kontekst, Marzouq thotë:
“Sikur të praktikohet Islami në mënyrë korrekte nga ana e myslimanëve, atëherë, ata do të bëhen mrekulli dhe krenari e historisë, por nëse e braktisin dhe anojnë nga regresi dhe apatia, në këtë mënyrë, faji i pafalshëm do të ishte i tyre e jo i Islamit.”[2]
Sa më funksional të jetë mendimi islam aq më funksional do të jetë edhe myslimani, sepse fuqia lidhëse ndërmjet këtyre dy komponentëve është shumë e madhe dhe e pandashme. Nuk mund të pritet ndonjë rezultat pozitiv nëse ky raport është i ndërprerë dhe nuk funksionon si duhet. Disfunksionaliteti i mendimit do të vërtetonte të kundërtën e asaj që kemi obligim si myslimanë, arabë qofshim ose jo. Ky funksionalitet do t’i detyrojë njerëzit që “të mos e shikojnë me indiferencë botën aktuale. Sqarimi i islamit ashtu siç është do të vërtetojë se kjo e vërtetë ende jeton në nivelin individual dhe atë shoqëror, i plotë dhe i pakompromis.”[3]
Ndikimi i së vërtetës së Islamit mund të jetë i fuqishëm apo i zbehtë, në varësi të funksionalitetit të mendimit islam në trurin e myslimanit. Pra, ky funksionalitet e bën atë të ndihet i gjallë në shoqëri, nëse vepron me një energji teorike dhe praktike.
Ndryshe nga të tjerët, të cilët mendojnë se mendimi fetar është i përqendruar vetëm në botën shpirtërore, ne mendojmë se mendimi fetar nuk është aq i ngushtë dhe njëdimensional. Nëse nuk funksionon në këtë mënyrë, atëherë do të ndodhë njësoj siç ndodhi me të tjerët, të cilët e lidhën vetëm me botën njëdimensionale dhe në këtë rast për shoqërinë do të ketë vetëm një alternativë, gjegjësisht mbështetjen në diçka që nuk është e afërt me natyrën e botës sonë. “Feja është sistem shoqëror, legjislativ e moral, dhe nëse e braktisim një sistemin të tillë me çfarë do ta zëvendësonim dhe në ç’parime do të mbështeteshim për të përfituar qetësinë në shoqëri? Në këtë mënyrë, alternativa e vetme do të ishte mbështetja në racionalitet dhe në ndërgjegje”.[4]
Ndryshimi i të menduarit duhet të fillohet nga brenda e drejt Islamit e jo nga jashtë, sepse çdo efekt i huaj mund të fshijë natyrën specifike të mendimit islam. “Ne sigurisht, që mund të marrim impulse nga kulturat e huaja, por nuk mund ta kompletojmë Islamin e përkryer me diçka joislame, qoftë nga Perëndimi ose nga Lindja. Islami si institucion shpirtëror e shoqëror nuk mund të “përmirësohet”. Çdo ndryshim në konceptet apo organizimin shoqëror të tij përmes huazimit nga ndikimet e kulturave të huaja, do t’i shkaktonte atij një dëm të madh. Patjetër që duhet të ketë ndryshim, por duke filluar nga vetvetja dhe duke u drejtuar drejt Islamit e jo larg tij.”[5]
Nuk kemi të drejtë të mendojmë se mendimi islam mund të funksionojë përmes evolucionit të mendimeve, veçanërisht nëpërmjet zëvendësimit të tij me mendime kalimtare e të përkohshme, sepse në mendime të tilla qëndrimet do të ishin kalimtare dhe me vlerë të përkohshme. Çdo ripërtëritje e mendimeve nënkupton se ka gabim të vazhdueshëm dhe se nuk mund të shërohet një gabimi tillë nëpërmjet evoluimit të ideve. Në këtë mënyrë nuk do të kishte stabilitet as në fe e as në moral.”[6]
Mendimet e ndryshme që janë prodhim i trurit të njeriut janë gjithmonë në lëvizje e sipër, sepse çdo mendim korrigjon të parin dhe kështu ka ndodhur gjer më sot, por, kur bëhet fjalë për mendimin islam, koncepti ndryshon, sepse nuk ai buron nga truri i njeriut, por nga Zoti i Madhëruar. “Ne nuk kemi nevojë të ‘reformojmë’ Islamin ashtu siç mendojnë shumë myslimanë, por ajo që duhet ndryshuar është sjellja jonë ndaj fesë, përtacia jonë, plogështia jonë, shkurtpamësia jonë. Pra, ne duhet të reformojmë gabimet tona e jo defektet e Islamit. Nëse dëshirojmë të fitojmë zgjim islamik, nuk duhet të kërkojmë parime të reja mënyre sjelljeje nga jashtë, por vetëm duhet të aplikojmë parimet e hershme dhe të harruara.”[7]
Parimet e funksionimit të mendimit islam
Mendimi islam nuk do të ishte funksional nëse mbështetet në parime të ndryshueshme që janë pjellë e mendjeve njerëzore. Parimet e Islamit janë ndryshe, sepse kanë funksionuar në një mënyrë unike gjatë tërë historisë së njerëzimit. Diçka është islame kur bazohet në mësimet e Ku’ranit dhe të pejgamberit Muhamed a.s. Sigurisht, Kur’ani dhe literatura e hadithit janë përplot me këshilla e nxitje për të kërkuar diturinë dhe përmirësuar veten nëpërmjet përputhjes së normave të siguruara nga Zoti dhe pejgamberi i Tij. Por, dija edhe përmirësimi kuptohen gjithmonë në terma të një synimi të posaçëm dhe ky synim është që të bëhemi plotësisht njerëzorë në këtë botë e të arrijmë lumturinë e përjetshme në tjetrën.
Në vetvete dhe për vetvete dija s’ka vlerë, përndryshe, pejgamberi nuk do të ishte lutur: “O Zot, kërkoj mbrojtje nga dija e padobishme.”[8]
Pra, funksionaliteti i mendimit islam varet nga raporti që ekziston mes diturisë në kokën e myslimanit dhe mes jetës praktike të tij. Asgjë nuk mund të jetë funksionale nëse është e mbyllur brenda kufijve të njohurive teorike e të thata, që nuk mund të zbatohen në jetën praktike individuale e shoqërore.
Burimi i mendimit islam është hyjnor dhe ka për qëllim aplikimin e tillë në jetën e përditshme normative, individuale dhe shoqërore. Ky mendim nuk mund të jetë thjesht një teori që mund të pranohet apo jo, por është obligim dhe përgjegjësi, që duhet të realizohet me fjalë dhe vepra. Mendimi islam është i frymëzuar nga shpallja dhe është shpjeguar nga Pejgamberi a.s. “…për t’i kontrolluar forcat e historisë dhe në këtë mënyrë për të formuar një botë të re të idealeve. E tillë është edhe përgjegjësia e myslimanit, pra të mendojë për shenjat që i sheh e jo të kalojë pranë tyre si të ishte i shurdhër dhe i verbër. Ai që është i verbër në këtë botë, do të jetë i verbër në botën tjetër.”[9]
Meqenëse qëllimi kryesor i shpalljes së Islamit është udhëzimi i njerëzve në këtë botë, atëherë nuk kemi të drejtë të formojmë vetëm mendime teorike jofunksionale, sepse, në të kundërt, do të humbim rolin që kemi në këtë botë. Nuk kemi të drejtë të mendojmë jashtë botës dhe jashtë jetës, sepse nuk jemi njerëz që jetojmë me ëndrra e shpresa. Lidhja mes mendimit islam dhe realitetit është shumë e fuqishme dhe pa kurrfarë kontradiktash. “Në Islam, ideali dhe realiteti nuk janë dy fuqi kontradiktore që nuk mund të pajtohen. Jeta ideale nuk mund të formohet përmes braktisjes së plotë të realitetit, sepse në këtë mënyrë shkatërrohet uniteti organik i jetës. Ideali gjithmonë tenton që të përshtatet me realitetin për ta absorbuar, për ta transformuar dhe për ta ndriçuar në tërësi.”[10] Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Ne nuk i krijuam qiejt dhe tokën dhe atë që është në mes tyre për të luajtur.”[11]
Ne jemi njerëz që bartim përgjegjësinë e Islamit dhe nëse mendojmë se vetëm me mendimet tona jofunksionale do të mund të ndryshojmë realitetin, gabojmë, sepse ajo që quhet mendim islam, duhet të ketë edhe funksion islam.
Nëse mendimin islam e largojmë për t’u mbështetur në ndonjë parim tjetër, atëherë natyra e tij do të ndryshojë, sepse me ndryshimin e besimit ndryshon edhe efekti. “Në këtë mënyrë, intelekti do të bëhet udhëheqës e jo feja dhe në këtë mënyrë do të ndryshonte natyra e fesë dhe do të largoheshim nga rruga e drejtë. Kjo rrugë e drejtë, që në arabisht quhet “siratun mustakim” nënkupton lidhshmërinë e ngushtë mes fesë dhe intelektit.”[12]
Feja është shpallur për të udhëzuar intelektin rreth çështjeve konkrete që kanë të bëjnë me botën e metafizikës, veçanërisht sqaron çështjet që kanë të bëjnë me Zotin, pejgamberin e ditën e gjykimit.
Feja ka të bëjë me çështjet e moralit e veçanërisht me të mirën e të keqen, me vlerat që e bëjnë njeriun të devotshëm, të sinqertë, besnik e të mirë.
Feja ka të bëjë me çështjet legjislative që e rregullojnë shoqërinë dhe e bëjnë atë të lumtur nëpërmjet normave të tilla.
Pra, feja është shpallur për të udhëzuar intelektin pikërisht në këtë çështje.
Mënyra e funksionimit të mendimit islam
Mendimi islam është funksional sepse ka një synim dhe nuk formohet pa pasur ndonjë dobi konkrete, sepse në të kundërt, do të ishte steril dhe i pafrytshëm. Këtë çështje e analizon shumë bukur studiuesi i njohur islam William Chittick: “Thashë se ka një dallim themelor midis traditës intelektuale islame dhe diturisë moderne. Për ta kuptuar këtë, duhet theksuar se intelektualët myslimanë përpiqeshin të arrinin një vizion njësues dhe të njësuar të të gjitha gjërave duke aktualizuar intelektin tejpersonal, shpirtin hyjnor (ruhin) të fshehur në veten njerëzore.
Përkundrazi, shkencëtarët modernë kërkojnë të arrijnë një të kuptuar gjithnjë e më të përpiktë të gjërave, që t’u lejojë (të kenë) kontroll në rritje mbi mjedisin, trupin e njeriut dhe shoqërinë. Mirëpo, ky kontroll arrin në atë shkallë sa i dorëzohet egoizmit injorant dhe harraq, që tekstet e quajnë ‘kaprico’ (hawa) ose ‘neps’ (shahwa).
Ai nuk vihet në duart e inteligjencës plotësisht të aktualizuar të mëkëmbësit të Zotit mbi tokë. Kjo shihet veçanërisht qartë në botën moderne, ku të gjithë kanë shfrytëzuar fuqinë shkencore, teknologjike e burokratike për të ngulitur bindjet te të nënshtruarit e tyre.”[13]
Horizonti i mendimit islam nuk ka vetëm një funksion, por është shumëfunksional, sepse mbështetet në parimin që nuk sheh përkufizim konkret, veçanërisht në fe. “Feja nuk është diçka e kufizuar, nuk është vetëm mendim, as vetëm ndjenjë e as vetëm vepër, por është pasqyrë e tërë njeriut dhe për këtë shkak, nuk ka arsye që të mendohet se kuptimi dhe intuita pengojnë njëri-tjetrin, sepse kanë një origjinë që vjen nga një burim.”[14]
Kjo mënyrë e funksionalizimit të mendimit islam nuk përkufizohet vetëm në një shtresë njerëzish. Këtë botëkuptim e ka edhe intelektuali edhe i rëndomti, i pasuri dhe i varfri. Ky mendim funksionon te të gjithë, sepse bindja islame është në shpirtin e të gjithëve. “Islami në esencën e vet nuk i ndan njerëzit përpos në bazë të devotshmërisë ndaj Allahut dhe kryerjes së veprave të mira.
Sipas Islamit, njerëzit janë të barabartë si dhëmbëzat e krehrit. Arabi nuk ka asnjë dallim kundrejt njerëzve të tjerë përveçse në bazë të devotshmërisë. Që aty, Islami e zgjeroi hapësirën në drejtimin që nënkupton se çdokush ka të drejtë të mendojë, të përsiatë, të hulumtojë dhe të punojë, qoftë ai pjesëtar i udhëheqësve ose rob ose i mbrojtur.”[15]
Myslimani formon vetveten nëpërmes funksionalitetit të mendimit të tij islam. Sa më autentik të jetë mendimi i tij, aq më funksional do të jetë në botë, si dhe sa më të pasur ta ketë diapazonin e mendimit, aq më shumë do të ketë ndikim në lëvizjet botërore bashkëkohore.
Kështu vepruan myslimanët e hershëm dhe kështu u bënë udhëheqës në botën e mendimeve dhe lëvizjeve politike. Ata formuan një ndikim të dukshëm nëpërmjet kulturës së tyre dhe, (falë kësaj), sot e kësaj dite, vazhdojnë të ndikojnë në botë me anë të veprave të tyre të shkruara. Ata i zbërthyen mendimet e hershme filozofike greke duke formuar mendimin autentik islam. Ata e kuptuan mirë se si funksionon mendimi islam dhe për këtë shkak, sot, ashtu siç thotë Akkadi: “Përballë islamit ekzistojnë dy gjëra të rëndësishme, që nuk duhen vonuar e injoruar. E para ka të bëjë me mbrojtjen e vetes para ambicieve të të huajve, kurse e dyta ka të bëjë me bashkëpunimin për t’i përfituar mjetet e përparimit dhe zhvillimit.”[16]
Mendimi islam nuk përqendrohet vetëm në një popull, sepse shpallja nxit fuqinë e mendimit te të gjithë. “Shpallja, pra, nuk është shpallje e vetëm një populli, por është një shpallje themelore”[17], që vlen për të gjithë. Nuk mund të thuhet se shpallja i takon vetëm një populli, por të gjithë i shijojnë rrezet e ngrohta të saj dhe të gjithë inspirohen prej saj. Kjo ishte një analizë e mënyrës më të mirë për të qenë mendimi islam funksional ashtu siç ka qenë në kohën e kaluar, veçanërisht në kohën e Pejgamberit a.s., e më vonë. Studimi i kësaj çështje erdhi si shkak i keqardhjes sonë kur vështrojmë se si sot, edhe pse jemi të shumtë në numër, jemi shumë të kufizuar në ndikim, ndërsa, për sa i përket temës, ashtu si thotë edhe Ibn Halduni në Mukaddime, “shpresoj që ata që do të vijnë pas nesh, Zoti do t’iu dhurojë mendim korrekt dhe me një shkencë të pastër do t’i shqyrtojnë të gjitha çështjet e një disipline. Ata që do të vijnë më vonë, do të shtojnë fakte pas fakti derisa shkenca të kompletohet.”[18]
Përfundim
Sot, nga e gjithë sa u tha në këtë elaborate, vërehet qartë se shtrimi i rrugës për të depërtuar nëpër mendimin funksional islam në botë është shumë i vështirë. Pra, ashtu siç pejgamberi a.s. u ballafaqua me realitetin e ngadhënjeu, ashtu duhet vepruar edhe në realitetin tonë. Ne nuk jemi ata që ndryshojmë mendimet e njerëzve, por nëse ofrojmë mendim të pastër e funksional, atëherë do të jemi të suksesshëm, sepse do t’i ofrojmë njeriut bashkëkohor një ideal që është më i lartë se ai material, në mënyrë të veçantë do ta mbulojmë zbrazëtirën që ekziston në mendimin njerëzor ashtu siç ekzistonte edhe në shoqërinë para se të vinte shpallja kuranore.
Funksionalizmi i mendimit islam mund t’i dhurojë mendimit teknologjik, ekonomik dhe politik ndërkombëtar shpirtin human dhe të mbulojë zbrazëtirën që ekziston në natyrën e tyre.
Vetëm nëpërmjet funksionalitetit të mendimit islam mund të përfitohet pozita e hershme që zotëronin myslimanët dhe vetëm në këtë mënyrë mund të dilet në mejdan me të tjerët, përndryshe do të vazhdohet edhe më tej pa fjalën kryesore dhe pa ndikim në lëvizjet botërore.
L I T E R A T U R A
[1]. Abdussabour Marzouq, Conquest through ideas, end and means, Muslim World League, Maqqah, f. 29.
[2]. Po aty, f. 28.
[3]. Roger du Pasquier, Unvailing Islam, The Islamic Texts Society, Cambridge, 1992, f. 8.
[4]. Abdulhalim Mahmud, El-islam vel-aklu, Darul-Me’aref, Kajro, f. 17.
[5]. Muhammad Asad, Islam at the crossroads, Noor Publishin house, Delhi, 1987, f. 154.
[6]. Abdulhalim Mahmud, op. cit, f. 226.
[7]. Muhammad Asad, op. cit, f. 154.
[8]. William Chittick, Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit, Zemra e Traditës, Tiranë, 2011, f. 162.
[9]. Muhamed Ikbal, Obnova vjerske misli u Islam, Sarajevo, 1979, f. 95.
[10]. Muhamed Ikbal, op. cit., f. 18.
[11]. Ku’ran, 44:38.
[12]. Abdulhalim Mahmud, El-Islam vel-aklu, f. 17.
[13]. William Chittick, op. cit, f. 81-82.
[14]. Muhamed Ikbal, op. cit, f. 14.
[15]. Ahmed Fuad El-Ehvani, Filozofia Islame, BIM-FSHI, Shkup, 2002, f. 126.
[16]. Abbas Mahmud Akkad, El-Islam vel-hadaret-insanijjetu, El-Mektebetul-asrijje, S’ajda, Bejrut, f. 12.
[17]. Eva de Vitrej Mejerovic, Poetika islama, (Julija Krsteva, Prelazenje znakova), Svjetlost, Sarajevo, 1979, f. 203.
[18]. Ibn Haldun, Mquaddima, Veselin Maslesha, Sarajevo, 1982, f. 125.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...