Perditësimi i fundit September 11th, 2024 8:31 AM
May 19, 2017 Zani i Nalte Personalitete 0
nga Muharrem Shqarri
Abstrakt
Hamid Kraja i përket atij brezi që jetoi dhe veproi në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe periudhën e parë të pavarësisë së vendit. Ai ka punuar dhe ka luftuar me të gjitha forcat e mundësitë e tij fizike dhe mendore duke u vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ishte njohës i mirë i jurisprudencës, i ligjeve dhe kodeve zakonore, një teolog i shkallës së lartë, por ai ishte njëkohësisht edhe një atdhetar i flaktë, që punoi me shpirt e me mendje për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje për të fituar dhe për të mbrojtur pavarësinë e vendit nga pushtuesit, që krijuan ndarje e përçarje deri brenda Islamit.
Sistemi monist që u vendos pas çlirimit të vendit, ndoqi një politikë përzgjedhëse ndaj veprimtarëve e atdhetarëve që qenë përkushtuar për çështjen kombëtare e rilindëse. Ai e pakësoi në maksimumin më të skajshëm listën e atdhetarëve klerikë që kishin dhënë ndihmesë për pavarësinë e përparimin e Shqipërisë, për bashkimin rreth shtetit amë të trojeve kombëtare të lëna jashtë kufirit dhe kishin shfaqur prirje demokratike. Nga ky kriter nuk bëri përjashtim edhe figura e Sheh Hamid Krajës.
Hamid Kraja ose siç njihej, Sheh Hamidi, lindi në Kavajë në vitin 1870[1]. Ai ishte i biri i sheh Mahmudit. Familja Kraja mendohet të jetë me origjinë të hershme nga krahina e Krajës, e cila ndodhet në verilindje të liqenit të Shkodrës, aktualisht bën pjesë në Republikën e Malit të Zi. Shkaqet e largimit të saj nga trojet e hershme nuk dihen, por mendohet të jenë për arsye të kontradiktave që ka pasur me fqinjët malazezë, të cilët synonin epërsinë e tyre ndaj banorëve shqiptarë ose detyrave që mund t’u jenë ngarkuar si nëpunës administrate në kuadër të Perandorisë Osmane apo të funksioneve fetare.
Fillimisht familja Kraja u vendos në qytetin e Krujës, ku besohet se të parët e saj kanë ushtruar e përhapur tarikatin Halveti të fesë myslimane, që është një nga dy tarikatet më të rëndësishme (pas atij Bektashi), që gjetën vend në Shqipëri.
Familja Kraja u vendos përfundimisht në qytetin e Kavajës, besohet, për arsye fetare (ose të ndonjë funksioni në administratën e Perandorisë).
Pozicioni dhe kompleksi i ndërtimeve të bëra në Kavajë nga kjo familje si: ndërtimi i shtëpisë, ndërtimi i teqesë, ndërtimi i një hani dhe i disa dyqaneve paralel me rrugën kryesore të qytetit, që ndodhen rreth 200 metra nga Xhamia Kubelie, në qendër të qytetit, të bëjnë të mendosh e të pranosh hershmërinë e vendosjes së të parëve të kësaj familjeje në qytetin e Kavajës, atëherë kur qyteti ishte duke u formësuar.
Që në krye të herës, në burime të shkruara, familja mbajti mbiemrin Kraja, që ishte toponimi i origjinës së largët të saj.
Evlia Çelebiu në shënimet e tij për Kavajën e gjysmës së dytë të shekullit XVII përmend dy teqe.[2] Kemi mendimin se njëra prej tyre ishte ajo e ndërtuar nga paraardhësit e Hamid Krajës. Ndërtimi i teqesë së familjes Kraja në krye të një rruge që nis nga rruga kryesore, i dha emrin asaj duke u emërtuar “Rruga e Teqesë”. Pranë saj ishte edhe tyrbja me varret e paraardhësve.
Hamid Kraja vinte nga një familje e nderuar me tradita patriotike e fetare të qytetit të Kavajës. Ai ishte djali i vetëm i Sheh Mahmudit dhe i Zades. Ndjenjat atdhetare e fetare ia ushqyen prindërit që në fëmijëri dhe ai vetë i thelloi dhe i plotësoi me studimet që bëri.
Ky personalitet jetoi dhe veproi në kapërcyell të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, atëherë kur lufta për liri kombëtare kërkonte angazhim mendor e praktik. Prandaj, ky gërshetim do të vihet re gjatë gjithë veprimtarisë së Sheh Hamidit.
Në jetëshkrimin e tij, Hamid Kraja, na bën me dije se ka kryer “shkollën mestare të qytetit të Kavajës” ku studioi dhe “mori diplomën”.[3]
Më pas studioi në Stamboll për teologji dhe sheriat (ligjshmëri), në një kohë kur Rilindja Kombëtare Shqiptare kishte arritur pjekurinë e saj dhe ka ndikuar në edukimin e tij patriotik. Burime të tërthorta na bëjnë me dije se ai e ka shkruar herët gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit.
Hamid Kraja i përket atij brezi që jetoi dhe veproi në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe periudhën e parë të pavarësisë së vendit. Ai ka punuar dhe ka luftuar me të gjitha forcat e mundësitë e tij fizike dhe mendore duke u vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ishte njohës i mirë i jurisprudencës, i ligjeve dhe kodeve zakonore, një teolog i shkallës së lartë, po ai ishte njëkohësisht dhe atdhetar i flaktë, që punoi me shpirt e me mendje për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje për të fituar dhe për të mbrojtur pavarësinë e vendit nga pushtuesit, që krijuan ndarje e përçarje deri brenda Islamit.
Veprimtaria si mësues, drejtues i arsimit, i zgjedhur në pushtetin vendor, kadi, gjyqtar dhe përfaqësues i qarkut të Kavajës në kuvendet rajonale e kombëtare
Në jetëshkrimin e tij Sheh Hamidi shkruan se, pasi mori diplomën, hyri në Medrese, në të cilën vazhdoi 10 vjet, nga viti 1309 deri më 1319 allaturka.[4]
Veprimtaria mësimore e Hamid Krajës në Medresenë e Kavajës përfshin një periudhë 10-vjeçare. Nga një dokument arkivor i shkruar në osmanisht, që ndodhet në dosjen mbi biografinë e tij, mësojmë se Hamid Kraja është personi më i rëndësishëm (drejtues) i këshillit të zyrës së arsimit në Kavajë, i cili jep pëlqimin për programet mësimore, miraton afatet e kohëzgjatjes së mësimeve dhe përcakton rregullat për zhvillimin e provimit në shkollat ruzhdije. Në këtë dokument (Paraqitje) tregohet se ai është kujdesur që nxënësit në shkollë (medrese) të marrin njohuri të gjera duke u dhënë rëndësi lëndëve gjuhësore, shkencore dhe teknike. Tërheq vëmendjen fakti se qysh në atë periudhë të largët është vlerësuar dhe janë hedhur hapa konkrete për mësimin e profesioneve, duke futur në program dhe lëndë teknike profesionale që nxënësi të aftësohej për jetën, duke pasur parasysh se jemi rreth 20 vite para ditës së pavarësisë.
Në dokument shkruhet: “[…] Hamid efendiu e vlerëson të rëndësishëm nivelin e shkollave profesionale.”[5]
Edhe të dhënat gojore e sjellin Hamid Krajën si një mësues e drejtues të përgatitur, serioz, të përkushtuar, kompetent në trajtimin e çështjeve të sistemit arsimor, të ligjshmërisë, atyre fetare dhe administrator i zoti. Nëpërmjet edukimit që bëhej në shkollë realizohej, krahas të tjerave, edhe edukimi atdhetar sipas motos islame “për fe dhe atdhe”. Dashuria për gjuhën amtare dhe dashuria për atdheun u mbajt e ndezur në këtë vatër të dijes dhe të edukimit.
Në periudhën para shpalljes së pavarësisë, më e rëndësishmja e kësaj kohe është përpjekja e tij e vazhdueshme, krahas kolegëve të tjerë, për t’u mësuar nxënësve gjuhën shqipe në medrese, në shtëpinë e tij e kudo. Në këtë vështrim, ai, si dhe kolegët e tij, është cilësuar me të drejtë ndër të parët atdhetarë kavajas që hodhën themelet për t’u mësuar nxënësve të vet gjuhën shqipe.
Qysh në moshë të re Hamid Kraja u dallua për zgjuarsi e mprehtësi. Gjatë gjithë periudhës së mësuesisë ai e prezantoi veten në të gjitha aspektet jo vetëm si njeri i aftë e i kompletuar në fushën e njohurive, por edhe i ndershëm, komunikues, i ëmbël, zemërmadh e autoritar. Për këto e të tjera cilësi, ai qysh në moshë të re gëzoi respektin, mirënjohjen dhe besimin e bashkëqytetarëve të tij, të cilët nuk nguruan të kërkonin emërimin e tij në pushtetin vendor të qytetit të Kavajës.
Pas një periudhe pune të suksesshme dhe futjes së një fryme të re në medrese, Hamid Kraja do të shkëputet nga medreseja dhe do të bëhet pjesë e administratës drejtuese në Katundarinë (bashkinë-M. Sh.) e Kavajës. “Më 1320 deri më 1324 u emnuesh me pëlqim të popllitë antarë në Katundarit Kavajës,”[6] shkruan ai në jetëshkrimin e tij.
Pas ndarjes nga jeta të babait të tij, sheh Mahmudit, në sajë të njohurive e formimit të tij, Hamid Kraja mori titullin fetar “Sheh”. Që nga ajo kohë ai mori administrimin e Teqesë Halvetiane që ndodhej pranë shtëpisë së tij në lagjen Sharrë të qytetit të Kavajës dhe, që nga ajo kohë, do të thirrej “Sheh Hamid” nga besimtarët e bashkëqytetarët e tij.
Sheh Hamidi, besimtar jofanatik e “njeri me parime moderne”, ishte një atdhetar i devotshëm, po ashtu, atdhetarë i kishte edhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ai do të shquhej si një veprimtar aktiv në shërbim të lëvizjes për çështjen kombëtare, që zhvillohej në Kavajë, përkrah patriotëve demokratë të qytetit si: Bajram Xhanit, Ahmet Bejtagës, Andrea Ekonomit, Mustë Carës, haxhi Isuf Kazazit, Abdurrahim Sedjes, Stavro Stavrit, Besim Sinellës, Hasan Elhykës, Pal Xhumarit, av. Haxhi Nijazit, Hasan Gjeçit, Qazim Fortuzit, Hamdi Ohrit, Mehmet Rreshkës (Hushi) etj. Krahas bashkëpunimit me patriotët kavajas, në veprimtarinë e tij në dobi të atdheut të dashur, Hamid Kraja – Sheh Hamidi, pati kontakte e bashkëpunoi me mjaft patriotë brenda e jashtë Atdheut.
Ashtu siç ishin të shumta problemet që kishte Shqipëria e atyre viteve, edhe fushat ku u përfshi kontributi i Sheh Hamidit, qenë të shumta.
Ai e shkriu jetën e tij për “shqiptarizmën”, për përhapjen e gjuhës shqipe, për shkrimin dhe leximin e saj, për hapjen e shkollave shqipe në vend, për pavarësinë e vendit, për stabilitetin e qeverisjes dhe zhvillimin e institucioneve vendore, në ngritjen, organizimin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, për zhvillimin e demokracisë në Shqipërinë feudale, për ruajtjen dhe forcimin e zakoneve e të traditave më të mira fetare e kombëtare të popullit shqiptar. Cilësi të figurës së Sheh Hamidit si teolog ishin dashuria për njerëzit, zemërgjerësia, thjeshtësia dhe durimi. Këto janë parime të rëndësishme të fesë islame dhe me ato ai pasuronte vazhdimisht jetën e tij shpirtërore, duke ushqyer edhe besimtarët me këto cilësi.
Brenda e jashtë Shqipërisë në rend të ditës shtrohej çështja e çlirimit kombëtar. Pjesë e lëvizjes së gjerë iluministe, letrare, kulturore, në fushën diplomatike etj., për fitoren e pavarësisë kombëtare, kanë qenë edhe përpjekjet dhe aktiviteti i rilindësve tanë, të cilët shkrinë energjitë e tyre për edukimin e popullit shqiptar me ndjenjën kombëtare. Ai u bë pjesë e gjithë lëvizjes kombëtare që zhvillohej në vendin tonë dhe qe në vijën e parë të kësaj lëvizjeje në qytetin e tij të lindjes. Sheh Hamidi përqafoi dhe vuri në jetë moton e Rilindjes Kombëtare: “Dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”.
Sheh Hamidi, ashtu si shumë mëmëdhetarë që dinin të shkruanin gjuhën shqipe, është përpjekur dhe ka punuar për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në kohën e sundimit osman. Nga dëshmi të bashkëkohësve të tij kemi mundur të faktojmë se “Sheh Hamidi ka qenë një patriot i flaktë për çështjen e pamvartësisë së Shqipërisë dhe aktivitetin e ka filluar që para vitit 1912 për përhapjen e gjuhës shqipe”.[7] Sheh Hamidi e kishte kthyer shtëpinë dhe teqenë e tij në një shkollë ilegale, ku u mësohej shqipja fëmijëve dhe të rriturve.
Ai ka qenë anëtar i një klubi mëmëdhetarësh “qi kishte përmbledh në gji shqiptarët e vërtet dhe s’ka mungue të përqafojë me kurajo çdo vendim të grupit shqiptar të Kavajës”.[8] “Shpallja e Hyrietit, – thuhet në një material, – u dha mundësi patriotëve të Kavajës me punue lirisht për çashtjen kombëtare. Ata çelën shpejt një klub, që u ba vatra e gjithë atyne që punojshin për shqipen e Shqipërinë. Kështu lëvizja kombëtare rritej dita-ditës. Patriotët Ahmet Haxhiu, haxhi Isuf Kazazi, Sheh Hamidi, Haxhi Niaziu, Besim Sinella dhe Hasan Gjeçi, u munduan me çelë nji shkollë shqipe, por mjerisht autoritet u qitshin shumë pengime, prandaj këta abetaren ua mësojshin njerëzve nëpër shtëpitë e tyre, tue marrë masa qi kjo punë të mos i vente në vesh qeverisë.”[9]
Librat dhe materialet e tjera shqipe silleshin në Shqipëri fshehurazi me kuaj nga qiraxhinjtë dhe tregtarët shqiptarë që bënin rrugë nga Manastiri, Ohri, Elbasani, Berati etj. Kjo ishte një punë mjaft e vështirë dhe e rrezikshme.
Sheh Hamidi i vlerësonte librat, revistat e gazetat e shkruara në shqip, si sendet më të çmuara. Abetarja e vogël shqipe ruhej si një gjë e shenjtë, me të cilën mund të mësoheshin gjëra të mëdha: mund të ndihmohej atdheu. Duke shfrytëzuar petkun fetar dhe respektin që gëzonte në popull, ai shkonte në fshatrat e zonës së Kavajës, të Rrogozhinës deri në Çermë të Lushnjës, ku kishte influencë fetare e lidhje miqësore dhe përhapte idetë kombëtare e domosdoshmërinë e shkrimit të shqipes me alfabetin që përcaktoi Kongresi i Manastirit. Përveç kësaj, edhe ceremonitë e ritet fetare në teqenë e tij, Sheh Hamidi, i zhvillonte në gjuhën shqipe.
Mësuesi veteran Zenel Shehu shkruan: “Sheh Hamidi nuk ka qenë vetëm një patriot atdhetar, por është përpjekur dhe për përhapjen e gjuhës shqipe. Këto i mbaj mend dhe i di fare mirë”.[10] Madhështia e rilindësve qëndron në faktin se ata e kuptuan që shqiptarët mund të bashkoheshin, të çliroheshin e të zhvilloheshin vetëm duke i kapërcyer ndasitë fetare, duke e vënë kombësinë mbi fenë, pavarësisht se qenë besimtarë e shpesh herë edhe klerikë.
I tillë ishte edhe Sheh Hamidi. Në tërë veprimtarinë e tij ai u përpoq me energji për bashkimin e popullit shqiptar pa dallim feje, por edhe për bashkimin e trojeve shqiptare në një qeverisje shqiptare.
Sheh Hamidi godiste herë pas here veprimet dhe propagandën antikombëtare të shkollës greke në Kavajë.
Fillimi i Luftës Ballkanike në tetor 1912 dhe sulmi i ushtrisë serbo-malazeze nuk ishte i papritur për atdhetarët shqiptarë. Për të realizuar qëllimin e tyre, trupat malazeze i përqendruan përpjekjet ushtarake kundër qytetit të Shkodrës dhe, që në ditët e para të luftës, më 15 tetor 1912, e patën rrethuar atë.
Sheh Hamidi dhe atdhetarët e tjerë kavajas krijuan një komision që do të organizonte mobilizimin e luftëtarëve kavajas për mbrojtjen e Shkodrës. Krahas kësaj, në teqenë e tij ai bënte thirrje për mbrojtjen e qytetit verior, madje, thuhet se ai dhe atdhetarë të tjerë ndihmuan edhe materialisht familjet e luftëtarëve që niseshin drejt Shkodrës.
Duke vlerësuar rrezikun që i kanosej Shqipërisë, diplomati Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë shqiptarë vendosën të shpallnin mëvetësinë e Shqipërisë. Ata u nisën drejt Shqipërisë dhe zbritën në Durrës. Ismail Qemali, duke parë gjendjen e rëndë në Durrës, vendosi që të nisej për në Vlorë.
Në udhëtimin historik drejt Vlorës, Ismail Qemali pati një qëndrim të shkurtër në Kavajë, ku arriti në paraditen e 23 nëntorit 1912 dhe pati një takim me patriotët kavajas, si: Qazim Fortuzi, Sheh Hamidi, Mustë Cara, haxhi Isuf Kazazi, Andrea Ekonomi, Zenel Biturku, Pal Xhumari, Haxhi Xhoi, Besim Sinella e të tjerë. Në grupin e patriotëve që morën pjesë në takimin që Ismail Qemali zhvilloi te Hani i Trujës, mori pjesë dhe Sheh Hamid Kraja, kujtojnë bashkëkohësit e tij.
Ismail Qemali i njohu atdhetarët kavajas me gjendjen kritike në të cilën ndodhej Shqipëria dhe masat që duhet të merreshin sa më parë. Ai i porositi ata të ngrinin sa më parë flamurin kombëtar, sepse serbët kishin vendosur të mësynin drejt Shqipërisë së Mesme. Ishte e rëndësishme që, kur serbët të hynin në Kavajë dhe në qytetet e tjera ku do të kalonin, të gjenin të ngritur flamurin kombëtar, që tregonte se populli e kishte bërë zgjedhjen e tij, atë të shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe pavarësinë.
Pas takimit të zhvilluar në Kavajë, Ismail Qemali mori udhën për në Vlorë, atje ku do të mblidheshin përfaqësuesit e kombit shqiptar.
Patriotët kavajas u kujdesën për sigurimin e udhëtimit dhe shoqërimin e Ismail Qemalit edhe për faktin se situata në vend ishte e ngarkuar me ngjarje të shumta dhe të papritura.
“Meqenëse Sheh Hamidi ishte një person me mjaft ndikim në Kavajë, është kujdesur për përcjelljen e plakut mjekërsermë me anën e miqve të tij si Bajram Xhani e të tjerë”.[11]
Pas takimit me Ismail Qemalin, grupi i njerëzve me mendje të kthjellët dhe largpamës për të ardhmen e Shqipërisë, u përgatitën për ngritjen e flamurit kombëtar në Kavajë, sipas porosisë së Plakut të Vlorës. Por nuk ishte e lehtë. Më 27 nëntor 1912, patriotët kavajas Qazim Fortuzi, Sheh Hamidi, Mustë Cara, Andrea Ekonomi, haxhi Isuf Kazazi, Pal Xhumari, Besim Sinella, Haxhi Xhoi, Zenel Biturku etj., dolën në ballkonin e katit të dytë të nënprefekturës së Kavajës dhe ngritën flamurin kombëtar. Për rolin dhe ndihmesën që dha Sheh Hamidi në këtë periudhë, një dokument i hershëm arkivor, duke karakterizuar figurën e tij, shkruan:
“…Sheh. Njeri me parime moderne, iden kombëtare e ka pranue qysh në kohrat e errta të sundimit osman […] Shqiptar i flaktë dhe atdhetar i deklaruem…”[12]
Të nesërmen e ngritjes së flamurit në Kavajë, u krye akti final në Vlorë. Shqipëria më 28 nëntor 1912 shpalli pavarësinë.
Gëzimi për ngritjen e flamurit kuq e zi për popullin e Kavajës nuk zgjati shumë. Forcat serbe po përparonin dita-ditës në brendësi të trojeve shqiptare, gjatë luginës së Shkumbinit.
Më 17/30 vjeshta e tretë 1328/1912 bëhet ky njoftim: “Ju bajmë me ditë se pas lajmimit të komandës së gjindarmëriës së Lushnjes, ushtria serbe e shkeli Kavajën”.[13]
Në mënyrë që të protestohej pranë autoriteteve serbe për heqjen e flamurit kuq e zi në qytetet ku kishin hyrë serbët, duke kërkuar prej tyre të respektonin të drejtën e shqiptarëve për vetëqeverisje, pushimin e veprimeve armiqësore dhe largimin e forcave serbe, pasi Shqipëria ishte një shtet i pavarur, Ismail Qemali, në emër të Qeverisë së Vlorës, përgatiti tekstin e një telegrami. Këtë telegram të Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, me porosi të tij, Sheh Hamidi ia paraqiti vetë komandantit të forcave serbe në Kavajë duke protestuar për pushtimin e qytetit dhe heqjen e flamurit kombëtar.
Me gjithë protestën e bërë nga Sheh Hamidi në emër të Qeverisë Provizore Shqiptare për të kundërshtuar heqjen e flamurit kombëtar prej ushtrisë serbe nga ndërtesa e nënprefekturës, zaptuesit serbë vazhduan në të tyren. Flamuri kuq e zi u hoq. Kjo tronditi mjaft zemrat e atdhetarëve e të patriotëve kavajas. Dhimbjen e shkaktuar nga ky akt i serbëve, Sheh Hamidi u përpoq ta lehtësojë disi duke e mbajtur flamurin kombëtar në shtëpinë e tij. Që nga kjo kohë Sheh Hamidi e bëri flamurin kuq e zi pjesë të pandarë të jetës.
Në një dokument që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit mësojmë se Sheh Hamidi “flamurin kombëtar e mbante në shtëpi me nderim të madh mbas Shpalljes së Indipendencës.”[14] Qeveria e Vlorës siguroi disa rezultate të dukshme në përpjekjet për t’i bashkuar tokat shqiptare nën pushtetin e saj. Vëmendje të posaçme ajo i kushtoi organizimit të shtetit shqiptar. U krijuan gjykatat shtetërore, u përcaktuan detyrat e tyre etj.
Për kontributin dhe vlerat e tij, pjesë e administratës së re të Shqipërisë së pavarur do të ishte dhe sheh Hamid Kraja, i cili u ngarkua për të shërbyer në organet e drejtësisë shqiptare të ngritur nga Qeveria e Vlorës.
Nisur nga cilësitë morale, njohja e sheriatit (ligjeve), formimi kulturor dhe përvoja e tij, Sheh Hamidi emërohet gjyqtar në gjykatën e Kavajës.
Detyrën si gjyqtar Fillore në Kavajë, në Qeverinë e Ismail Qemal Vlorës, Sheh Hamidi do ta kryejë për 5 muaj.[15] Shkaku i ndërprerjes së detyrës si anëtar i gjykatës pas pesë muajve ka qenë shkëputja e Kavajës nga juridiksioni i Qeverisë së Vlorës, ngaqë Esat Toptani formoi në tetor 1913 “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme”, me të cilën Sheh Hamidi nuk u pajtua kurrë.
Si mbështetës i qeverisë së Vlorës, ai mbante një qëndrim kundërshtues ndaj veprimtarisë dhe propagandës antikombëtare të Esat Toptanit, e cila helmonte mendjet dhe zemrat e njerëzve.
Me këtë qëndrim e veprimtari Sheh Hamidi kishte fituar respektin dhe besimin e njerëzve të thjeshtë për virtytet e larta të karakterit të tij. Duke qenë se ai ishte mbështetës i Qeverisë së Ismail Qemalit, Sheh Hamidi “ka qenë kundërshtar i seperatizmës esadiste dhe njeri me ideal patriotik”. Për këtë arsye ai nuk mund të ishte pjesë e qeverisjes esadiste.
Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, e mbledhur në Londër, mori vendimin përfundimtar për Shqipërinë: Fuqitë e Mëdha vendosën formimin e një “principate autonome; sovrane, trashëgimore dhe neutrale, nën garancinë e 6 Fuqive. Ndonëse vendimi i 29 korrikut 1913 ishte një akt ndërkombëtar shumë i rëndësishëm për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, çështja shqiptare mbeti e pazgjidhur plotësisht. Gjysma e territoreve shqiptare nuk e fitoi lirinë.
Për Sheh Hamidin, sikurse për gjithë atdhetarët e vërtetë, ky fakt ishte i trishtueshëm dhe kërkonte zgjidhje sa më të afërt dhe të drejtë.
Në nëntor 1913, Fuqitë e Mëdha emëruan gjermanin Vilhelm Vidi si princ të Shqipërisë. Qeveria e Përkohshme e Vlorës prirej ta shikonte ardhjen e një princi të huaj, ashtu si ishte vendosur nga Fuqitë e Mëdha, si një operacion që nuk do të bëhej duke përjashtuar Qeverinë e Përkohshme.
Më 7 mars 1914, Princ Vidi, me emrin Vilhelmi I, dhe Princeshë Sofia arritën në Shqipëri. Princi Vidi u prit në portin e Durrësit nga delegacione të shumta shqiptarësh nga vendi dhe diaspora, ku bënin pjesë figura të njohura të luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi. Ndër ta ishte dhe Sheh Hamidi dhe grupi i Kavajës. Sheh Hamidi ishte një nga ata që shpresonin e besonin se do të formohej një qeveri kombëtare, do të vendosej qëndrueshmëria e vendit dhe Shqipëria do të ecte krahas vendeve të zhvilluara të Evropës. Me këtë rast do të merrte fund gjendja e paqëndrueshme që ishte krijuar në vend.
Nga tre vizita që Princ Vidi bëri jashtë Durrësit, të parën e bëri në Kavajë, më 20 prill të vitit 1914. Bashkë me familjen e tij dhe i shoqëruar nga oborri mbretëror ai erdhi në Kavajë, ku u prit me entuziazëm nga mbarë populli i qytetit dhe zonave rreth tij. Vendin kryesor në programin e vizitës së Princ Vidit në Kavajë do ta zinte vizita e tij në Teqenë e Sheh Hamidit, i cili do të mbante edhe fjalën përshëndetëse në emër të popullit të Kavajës. Sheh Hamidi e priti “shkëlqyeshëm” e me nderime në teqenë e vet Mbretin Vid dhe mbretëreshën Sofi në pranverën e 1914-s. Pas urimit të mirëseardhjes që u bëri “mysafirëve”, Sheh Hamidi iu drejtua me një fjalim të ngrohtë të pranishmëve dhe bashkëqytetarëve të tij, të cilët e kishin zgjedhur disa herë si përfaqësues të tyre. Oratoria e Sheh Hamidit la përshtypje të mirë te Princ Vidi dhe shoqëruesit e tij. Përshtypjet për vizitën e Princ Vidit në Kavajë, sekretari i tij H. Armstrong i pasqyron në librin “Gjashtë muaj mbretëri 1914”.
Me predikimin e tij paqësor dhe shpirtin human Sheh Hamidi do të ngelet kultivues i frymës afruese, mirëkuptuese dhe pluraliste në shoqërinë e kohës, duke i shërbyer paqes dhe harmonisë ndërfetare në qytetin e tij e më gjerë.
Mbreti nuk e njihte vendin dhe kjo e kishte shtyrë të mbështetej shumë te Esat Pasha, ndërsa Esati po përgatitej të përmbyste Mbretin. E nxitur nga Esat Toptani, i cili synonte të ishte ai drejtuesi i vendit, më 17 maj 1914 shpërtheu lëvizja kryengritëse e quajtur Kryengritja e Shqipërisë së Mesme. Xhandarmëria e Durrësit e arrestoi Esat Toptanin në shtëpinë e tij dhe ai u detyrua të largohej në Itali. Zjarri i kryengritjes u përhap edhe në krahinat e tjera.
Duke parë gjendjen kritike të krijuar në Shqipëri, Fuqitë e Mëdha nuk dhanë asnjë lloj ndihme dhe këshilluan Mbretin që të hiqet ca kohë nga Shqipëria dhe qeverinë ta marrë në dorë KNK-ja, derisa të zbutej zemërimi i popullit të egërsuar. Në këto rrethana, Princ Vidi u detyrua të largohej nga Durrësi më 3 shtator 1914, pas një memorandumi drejtuar popullit shqiptar. Bashkë me të iku dhe qeveria duke lënë pas një zbrazëti pushteti, të cilën u thirr ta mbushte KNK-ja edhe një herë.
Me largimin e Princ Vidit, Esati filloi menjëherë përgatitjet për të realizuar synimet e tij. Sapo arriti në Durrës, ai e detyroi Këshillin e Përgjithshëm të kryengritjes ta kalonte pushtetin në duart e tij dhe shpalli veten kryetar të “Qeverisë së Përkohshme” dhe komandant të përgjithshëm të ushtrisë. Në të gjithë Shqipërinë e Mesme ai vuri administratën e tij. Esat Toptani filloi eliminimin e kundërshtarëve të tij në gjirin e Lëvizjes Fshatare.
Sheh Hamidi dhe patriotët e tjerë kavajas ndiqnin me vëmendje zhvillimin e situatës. Këta morën nismën për të dalë me një program të ri, që t’u përshtatej interesave kombëtare. Ata deklaronin se nuk ishin të shtyrë nga asnjë fuqi e huaj, se në konfliktin botëror mbanin asnjanësinë dhe se qëllimi i vetëm i Lëvizjes së tyre ishte rrëzimi i E. Toptanit dhe kërkuan rikthimin e Princ Vidit në Shqipëri.
Duke u njohur me këto kërkesa dhe qëndrim të ri të krerëve të kryengritjes, pjesëmarrës aktivë të lëvizjes patriotike në Kavajë, u përpoqën të afroheshin me kryengritësit. Sheh Hamidi, Bajram Xhani, Ahmet Bejtaga, haxhi Isuf Kazazi e ndonjë tjetër morën kontakte me krerët e kryengritjes, Haxhi Qamilin, Sadi Tatanin, etj., dhe me maturi e pjekuri ia arritën që ta drejtonin Lëvizjen në dobi të qytetit dhe në favor të çështjes kombëtare.
Sheh Hamidi u përpoq që të ishte sa më aktiv dhe të ndikonte që kjo kryengritje të kishte si qëllim kryesor rrëzimin e E. Toptanit dhe formimin e një qeverie të ligjshme në vend.
Në prill të vitit 1915, kur kryengritësit forcuan dhe e ngushtuan rrethimin e Durrësit ku ndodhej Esat Toptani, atëherë ai iu drejtua me kërkesën për ndihmë miqve të tij, Malit të Zi dhe Serbisë. Ata ishin të gatshëm për të ndërhyrë në Shqipëri, sepse kështu realizonin synimet e tyre të vjetra për t’u vendosur në trojet shqiptare.
Për të penguar hyrjen e serbëve, atdhetarët kavajas Bajram Xhani, Ahmet Bejtaga, Sheh Hamidi, Mehmet Sheshi, Mehmet Perçemi, Besim Sinella, Hasan Elhyka, etj., u aktivizuan për organizimin e qëndresës popullore kundër pushtuesve, jo vetëm në Kavajë, por edhe në zonat përreth saj. Sheh Hamidi ishte ndër iniciatorët e organizimit të kësaj qëndrese. Kavaja formoi dy komisione: njëri do të shkonte në Peqin dhe tjetri në Shijak.
Në komisionin e Peqinit që përbëhej prej 6 vetash bënte pjesë edhe Sheh Hamidi. Ai bënte gjithçka për të ruajtur harmoninë ndërmjet popullsisë së qytetit. Me zgjuarsinë natyrore, inteligjencën dhe përgatitjen intelektuale ai ndërthurte thëniet e mesazhet fetare me këshilla të moralit dhe të atdhedashurisë, duke synuar rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin e popullsisë për gjendjen e turbullt të vendit. Por veprimtaria e esadistëve dhe qëndrimi nënshtrues i krerëve në këto qytete bënë çmos për ta penguar punën e këtyre komisioneve.
Serbët e kaluan kufirin më 2 qershor 1915, kurse më 13 qershor ata mbërritën në afërsi të Durrësit. Kudo që kaluan, ata ushtruan terror të egër jo vetëm ndaj kryengritësve, por edhe ndaj popullsisë.
Ushtria serbe shpërndau fuqitë kryengritëse dhe sundimin e vendit e mori në dorë Esat Toptani. Ndaj aktivistëve dhe pjesëmarrësve në Lëvizjen Fshatare të Shqipërisë së Mesme shpërtheu një valë e pashembullt terrori serbo-esadist. Edhe Sheh Hamidi nuk mundi të shpëtonte pa u ndëshkuar për shkak të bashkëpunimit me kryengritësit dhe kundërvënies ndaj planeve antikombëtare të Pashës. Ai do të burgoset nga ana e E. Toptanit dhe do t’i bastiset shtëpia duke i marrë materiale dhe dokumente që ai mbante aty.
Për pasojat që rënduan mbi Sheh Hamidin bën fjalë dokumenti arkivor, në të cilin, ndër të tjera thuhet: “Në kohën e rebelëve është burgosur dy herë rresht. Ishte kundërshtar i separatizmës esadiste dhe njeri me ideal patriotik.”[16]
Në janar 1916, ushtritë austro-hungareze hynë në Shkodër dhe marshuan për në Durrës. Serbia ishte thyer. Esat Toptani me pasanikët e tij, bashkë me ushtrinë italiane, kaluan detin. Pas hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në vend, u bënë përpjekje për krijimin e një qeverie apo administrate shqiptare. Gjuha dhe veprimet administrative gjatë pushtimit austro-hungarez ishin kombëtare. Kultura juridike, përvoja e fituar si anëtar në gjykatën e Kavajës në kohën e Qeverisë së Përkohshme dhe respekti e besimi që ushqenin banorët e qytetit për Sheh Hamidin, bënë që ai të rifillojë punë në organet e administratës së qytetit. Më 1.5.1916 ai do të fillojë të kryejë detyrën si gjykatës paqtues dhe nga data 9.7.1916 do të caktohet si kadi[17], duke qenë i zgjedhuri i “Këshillit të Naltë”, që ishte instanca më e lartë për çështjet e fesë islame në Shqipëri.
Sheh Hamidi shërbeu si gjykatës feje në Kavajë nga qershori i vitit 1916 e deri më 8 gusht 1917, i cili “detyrën e ka kryë plotësisht e s’i ka mbetë ndonji pengim, dhe asht njeri me moral të pëlqyeshëm”.[18] Qarqe të ndryshme antishqiptare u shprehën hapur për copëtimin e Shqipërisë. Ministri i Bullgarisë në Berlin, dr. Dimitri Rizoff (Dimitri Rizali), botoi një libër në të cilin shprehej për copëtimin e Shqipërisë midis shteteve të ndryshme të Ballkanit. Ky botim ngjalli zemërim e protesta kudo në Shqipëri. Për të protestuar kundër mendimeve të shfaqura nga dr. Rizoff lidhur me kufijtë e Shqipërisë në mbledhjen që u organizua në Durrës më 26 shkurt 1918, populli i Kavajës edhe këtë herë, autorizoi si anëtar të delegacionit Sheh Hamidin për të marrë pjesë atje.
Sheh Hamidi (nr. 13) në takimin për të protestuar kundër copëtimit të Shqipërisë
Mbarimi i Luftës I Botërore më 11 nëntor të 1918-s me fitoren e Antantës e gjeti Shqipërinë të copëtuar politikisht, të pushtuar ushtarakisht nga disa shtete fituese dhe në një gjendje të vështirë ekonomike.
Më 28 nëntor 1918, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, në të gjitha qytetet u organizuan manifestime të fuqishme, sidomos në Vlorë.[19]
Në Kavajë përpjekjet për një manifestim patriotik për 28 nëntorin u bënë nga atdhetarët B. Xhani, Sheh Hamidi, etj.[20]
“Për kremtimin e festës së Flamurit” Sheh Hamidi, me autoritetin që e karakterizonte, dhe patriotët e tjerë kavajas arritën që të bindin autoritetet vendore për kremtimin e përvjetorit të gjashtë të Shpalljes së Pavarësisë. Ata ia arritën që me financimin e administratës vendore të sigurojnë “23 kuaj me lara nga katundi i Bagosit”[21], me të cilët parakaluan në qytet, si dhe të shtrojnë një drekë përkujtimore me këtë rast ku morën pjesë autoritetet vendore. Në kushtet kur fati i Shqipërisë ndodhej në udhëkryq, zhvillimi i këtij manifestimi në Kavajë merrte një rëndësi të veçantë: përkujtonte Ditën e Flamurit duke bërë të njohur para opinionit ndërkombëtar se Shqipëria ishte një shtet më vete e i pavarur që prej 6 vjetësh.
Konferenca e Paqes, që do t’i fillonte punimet më 18 janar 1919 dhe do të shqyrtonte situatën pas Luftës Botërore, ishte në prag, kurse Shqipëria nuk kishte një qeveri kombëtare legjitime dhe, për pasojë, as përfaqësues legjitimë që do ta përfaqësonin në këtë konferencë dhe do të mbronin interesat e saj. Duke qenë kështu, hija e Traktatit të Fshehtë të Londrës endej shqetësueshëm mbi shqiptarët.
Pikërisht për formimin e një qeverie shqiptare që do të përfaqësonte interesat dhe do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar para Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes, miku i Sheh Hamidit, kryetari i katundarisë së Tiranës, Ismail Ndroqi, dhe një grup patriotësh në Tiranë marrin nismën që të thërrasin një kongres “për me siguruar bashkimin e njësin e kombit dhe me pre propagandat e huaja”, e cila do të bëhej “më 19 Shindre (dhjetor) 1918 allafranga…”[22]
Për të marrë pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme në Tiranë, edhe këtë herë populli i qarkut të Kavajës dërgoi si përfaqësues birin e tij besnik Sheh Hamidin dhe Qazim bej Elbasanin.
Në kuvendin e Tiranës u morën vendime të rëndësishme për kohën dhe situatën në të cilën ndodhej vendi ynë. U përcaktuan masat organizative për përgatitjen e një kongresi që do të mbahej në Krujë dhe do të vendoste për formimin e një qeverie shqiptare që do të përfaqësonte interesat e do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar në Konferencën e Paqes.
U vendos që në kongresin e ardhshëm që do të mbahej në Krujë më 11 janar 1919, Kavajën ta përfaqësonin përsëri Sheh Hamidi dhe Qazim Hydi.[23] Mirëpo autoritetet italiane pëlqyen që një mbledhje e tillë të bëhej në Durrës më 25 dhjetor 1918 dhe për këtë qëllim prunë edhe delegatët në këtë qytet. Kongresi i planifikuar për në Krujë më 11 janar 1919, ia la vendin Kongresit të Durrësit që u mbajt më 25 dhjetor 1918.
Sheh Hamidi si përfaqësues i Kavajës në Kongresin e Durrësit dhe anëtarët e tjerë të grupit që kishin marrë pjesë në Kongresin e Tiranës, ishin të vendosur që të realizonin qëllimin për “formimin e një kabineti të përgjithshëm, i cili të përfaqësonte gjithë Shqipërinë e të mbronte të drejtat dhe interesat kombëtare përpara qeverive të huaja dhe Kongresit të Paqes” në Paris.
Në kongres morën pjesë 50 delegatë, pothuajse nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës.
Italia, për të realizuar pikësynimet e saj, kishte punuar me krerët organizues të kongresit, Mehmet Konica dhe Myfit Libohova, duke shpresuar që të gjente përkrahjen e shqiptarëve për formimin e një “komiteti” a një qeverie proitaliane. Duke parë vendosmërinë e delegatëve, drejtuesit e kongresit nuk mundën të realizonin udhëzimet që u kishte dhënë Qeveria e Romës. Ditën e parë të Kongresit u vendos formimi i një qeverie të përkohshme. Sheh Hamidi ishte në favor të këtij vendimi. Në Kongresin e Durrësit proklamohet qeveria provizore e Shqipërisë, e kryesuar nga Turhan Pasha, ish-kryeministër në qeverinë e Princ Vidit. Kongresi i Durrësit goditi Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e Shqipërisë dhe caktoi delegacionin që do të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris për të paraqitur pikëpamjet shqiptare.
Sheh Hamidi dhe delegatë të Kongresit të Durrësit
Një nga pikat e programit të qeverisë provizore ishte “ruajtja e qetësisë, e rregullit dhe riorganizimi i degëve të ndryshme të administrimit brenda”. Për këtë qëllim kudo u organizuan zgjedhjet e pleqësive (organeve drejtuese që vendosnin për punët etj.) dhe të kryepleqve.
Hamid Kraja do të jetë mjaft aktiv për të vënë në jetë këto vendime dhe për të marrë përsipër përgjegjësi. Në listën e kandidatëve për zgjedhjet e organizuara në Kavajë më 10 shkurt 1919, për zgjedhjen e pleqësisë me 12 anëtarë, ishte edhe emri i Sheh Hamidit. Pas përfundimit të votimit Sheh Hamidi do të jetë në grupin e 12 më të votuarve të qytetit. Ai do të renditet i treti sipas numrit të votave të numëruara.[24] Në këtë mënyrë, ai së bashku me anëtarët e tjerë të pleqësisë merrnin përsipër barrën e rëndë të drejtimit të qytetit, të ruajtjes së rregullit e të qetësisë në vend, të zgjidhjes së problemeve e mosmarrëveshjeve etj., detyrë të cilën e kishte ushtruar edhe më parë.
Në mbështetje të kërkesave të delegacionit qeveritar shqiptar në Konferencën e Paqes kundër copëtimit të Shqipërisë, populli i Kavajës organizoi një miting masiv me rreth 4000 vetë. Nga ky miting, që u organizua më 12 mars 1919, iu drejtua një protestë me shkrim Konferencës së Paqes në Paris.
Sheh Hamidi dhe Qazim Hydi, si pjesëmarrës në Kongresin e Tiranës dhe të Durrësit, si dhe patriotë të tjerë të qytetit, si: A. Tirana, M. Cara, Q. Fortuzi, H. I. Kazazi etj., dhanë ndihmesën e tyre në hartimin dhe frymën e tekstit të protestës.
Ndonëse po bëheshin afro shtatë vjet nga Shpallja e Pavarësisë, çështja shqiptare nuk kishte marrë ende një zgjidhje përfundimtare. Viset shqiptare të Kosovës dhe të Çamërisë ndodheshin të ndara nga trungu amë. Kërkesën për unifikimin e trojeve shqiptare Sheh Hamidi e kishte parashtruar në tubime të ndryshme si në qarkun e Kavajës, ashtu dhe në ato në shkallë rajonale e kombëtare. Si person me ndikim dhe me mbështetje të gjerë në qarkun e Kavajës, Sheh Hamidi vihet në krye të një komisioni për organizimin e një mitingu më 6 gusht 1919 në Kavajë, në të cilin u protestua dhe u formulua një kërkesë drejtuar Konferencës së Paqes për përfshirjen e Kosovës e të Çamërisë në shtetin amë.[25]
Ashtu si një vit më parë, në prag të Ditës së Flamurit, Sheh Hamidi organizoi një komision dhe me autoritetin që kishte në organet e pushtetit vendor (në bashki e në nënprefekturë), së bashku hartuan një program zyrtar për festimin e 28 nëntorit 1919 në Kavajë, duke përfshirë dhe nxënësit e shkollave të qytetit. Festa kombëtare e 28 nëntorit do të fillojë me vendosjen e flamujve kombëtarë kudo në qytet, në çdo dyqan e çdo shtëpi, qysh më 27 nëntor, që ishte dita e ngritjes së flamurit kuq e zi në Kavajë nga Sheh Hamidi dhe atdhetarët e tjerë të qytetit.[26]
Ndërkohë që Sheh Hamidi dhe patriotët shqiptarë, kudo ku ndodheshin, bënin përpjekje për ruajtjen e mbajtjen e qetësisë e të rregullit në vend, si dhe për bashkimin e trojeve shqiptare “në caqet e kufijve etnikë” me Shtetin Shqiptar, Qeveria e Durrësit nuk po e kryente rolin që duhej. Ajo dilte e vepronte jashtë programit të dhënë nga Kongresi i Durrësit, delegat i të cilit kishte qenë edhe Sheh Hamidi. Në kushtet e mosthirrjes së senatit nga Qeveria e Durrësit, kudo u shtrua kërkesa tjetër për thirrjen e një kongresi të ri kombëtar dhe formimin e një qeverie që të merrte në dorë fatet e vendit. Për këtë u ngrit një komision organizues me qendër në Lushnjë. Kongresi u mbajt më 21 janar 1920 në Lushnjë. Ai vendosi rrëzimin e qeverisë së Durrësit me argumentin se kishte shkelur programin e Kongresit të Durrësit dhe zgjodhi kryetar të qeverisë së re Sulejman Delvinën. Vendi i Princ Vidit që ishte bosh, do të plotësohej me një kandidat që do të miratohej në një Asamble Kushtetuese, e cila do të mblidhej në një kohë të përshtatshme, me votim të lirë e të përgjithshëm të popullsisë. Deri atëherë, rolin e Kryetarit të Shtetit do ta luante Këshilli i Lartë, apo Regjenca (që përfaqësonte mbretin), i përbërë nga katër atdhetarë të sprovuar për urtësi e drejtësi, përfaqësues edhe të katër besimeve fetare të popullit shqiptar. Në maj të 1920-ës, kur po organizohej gjykata e Kavajës, Sheh Hamidi u propozua nga Këshilli i Lartë (Regjenca) për të qenë anëtar i gjykatës së shkallës së parë dhe u emërua në gjykatën e Kavajës. Sheh Hamidi e mori këtë detyrë dhe punoi me përkushtim e devotshmëri për kryerjen e saj.[27]
Ai u bë një nga nismëtarët dhe nxitësit për hapjen e shkollave shqipe në nënprefekturën e Kavajës në ato vite. Shehu qëndronte në radhën e njerëzve që shqetësoheshin për mbarëvajtjen e vendit dhe mori pjesë aktive në lëvizjen demokratike të asaj kohe.
Në Kavajë ishte një xhami e njohur si Xhamia Plakë (Xhamia e Vjetër), ndërtuar në vitin 1561. Në mëngjesin e 1 qershorit 1922 banorët nuk po u besonin syve, faltorja e vjetër nuk bënte më hije në qytet. Me urdhër të nënprefektit të Kavajës ajo ishte rrënuar dhe kthyer në një grumbull mbeturinash të materialeve me të cilat ishte ndërtuar xhamia, duke thyer me kazma e lopata gjithçka ndodhej brenda mureve: orenditë e mjetet e saj dhe librat fetarë. Sheh Hamidi, si jurist e si anëtar i zgjedhur në pleqësinë e qytetit, kryepleqtë e lagjeve, tregtarë të qytetit të Kavajës dhe të tjerë, i drejtuan organeve qendrore më 1.IX.1922 një protestë me shkrim, ku nënvizonin se të tilla veprime si ai i nënprefektit nuk janë bërë e nuk mund të bëheshin as “në ndonji shtet […] pa ndonji istori ose me ndonji libër fetar…”[28]
Si “njeri me parime moderne” e me bindje demokratike, në tetor të vitit 1923, Sheh Hamidi mbështeti dhe u bë një nga anëtarët më aktivë të shoqërisë “Xhoka”, si një forcë opozitare e qeverisë e me program demokratik. Ai u caktua nga Shoqëria “Xhoka” kandidat për zgjedhës të dytë në Gërmaj të Kavajës për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese që u shpallën në shtator 1923.[29] Kandidat i kësaj shoqërie ishte edhe H. Isuf Kazazi. Kundërshtarët e tyre politikë përdorën dhunën, presionin, deri në zhdukjen fizike ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të “Xhokës” e të grupimeve të tjera opozitare. Ishte një mrekulli që Sheh Hamidi do të shpëtonte gjallë nga prita që iu bë, por pasojë e atentatit që u organizua ndaj tij, qe plagosja në këmbë. Po atë ditë, dy orë pas atentatit, në Kavajë vunë në shënjestër dhe haxhi Isuf Kazazin, që e vranë bashkë me bashkëshorten pranë shtëpisë së tij më 25 dhjetor 1923. Në të tilla kushte dhune e terrori, rezultati i zgjedhjeve nuk tregonte realitetin.
Edhe pas këtyre ngjarjeve e rezultateve, Sheh Hamidi nuk i braktisi idealet e tij progresiste e demokratike, por mbeti një faktor me rëndësi në jetën e qytetit.
Më 22 janar 1924 në bashkinë e Kavajës u bë një mbledhje ku u diskutua për çështjen e kryeqytetit dhe u vendos që të dërgohej në Tiranë një delegacion, në përbërje të të cilit ishin Sheh Hamidi, Kleanti Mineu, Mustafa Cara. Qëllimi i delegacionit ishte “që të bajn demarshat e nevojshme e të kërkojn prej Kuvendit Kushtetuës për kryeqytet Kavajën, simbas dëshirës popullit”.[30]
Në vitin 1924 në Kavajë erdhën figura politike të njohura për prirjet e tyre demokratike, si: Mehdi Frashëri, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, haxhi Ibrahim Dalliu, haxhi Jusuf Banka, Haki Tefik, Mustafa Mara, Xhemal Kondi, Dervish Hima, Ali Mulleti, Qazim Mulleti, Salih Hoxha Elbasani, Qamil Bala, Ismail Petrela, Rexhep Jella, Mitat Kulliçi, Reshat Kulliçi, Mymtaz Vrioni, Selim Kukaleshi, Xhafer Hakani, Hashim Hakani, Selim Shpuza, Sheh Myslimi, Xhafer Zilka, Shaqir Preza, Beqir Valteri, Vahid Tivari, Ali Ndroqi, Haki Stërmilli, Bajram Curri etj.
Si një nga njerëzit që shquhej për pikëpamjet demokratike në qytetin e tij, Sheh Hamidi u takua e pati shkëmbim mendimesh me ta.
Në një periudhë të shkurtër të Qeverisë së Fan S. Nolit, të formuar në qershor të 1924-ës, ishin profilizuar katër grupe kryesore politike; përveç “Bashkimit” dhe grupit nolist, u krijuan për herë të parë dy forca të reja politike me programe të qarta e të përcaktuara. U krijua Partia Nacionale Demokrate e, më pas, më 18 tetor të 1924-ës, në Tiranë, u themelua Partia Radikal-Demokrate.
Në Partinë Radikal-Demokrate morën pjesë shumë intelektualë të njohur. Anëtar i saj u bë edhe Sheh Hamidi.
Për të bërë të mundur shtrirjen e Partisë Radikal-Demokrate, Sheh Hamidi ndërmori nismën për formimin e degës së kësaj partie edhe në Kavajë. Ai gjeti mbështetjen dhe mirëkuptimin e intelektualëve dhe të demokratëve të qytetit, ndërmjet të cilëve edhe të anëtarëve aktivë e të nderit të shoqërisë “Bashkimi”, me të cilët ai kishte bashkëpunuar edhe më parë. Në “nji mbledhje të mbajtun prej popullit të Kavajës ashtë formuë dega e Partis Radikale. Këshilla ashtë zgjedhun si vijon: “Kryetar: Sheh Hamidi; Anëtarë: H. Kariqi, Mustafa Cara, H. Nijazi, Sulejman Rrena, Kasëm Xhihani, Mustafa Turra”.[31]
Pas rënies së Qeverisë së Nolit dhe pas triumfit të “Legalitetit”, frenat e pushtetit i kishte Ahmet Zogu. Menjëherë qeveria ndërmori disa veprime për të shtypur forcat kundërshtare dhe mori masa për riorganizimin e pushtetit.
Pas vendosjes së pushtetit të A. Zogut, ndaj Sheh Hamidit do të merren masa duke e shkarkuar nga funksionet në gjykatë dhe duke bërë sekuestrim të një pjese të pasurisë, si kundërshtar politik i tij. Gjendja shpirtërore dhe shëndetësore e Sheh Hamidit sa vinte e përkeqësohej. Ai ndërroi jetë më 15 dhjetor 1926.
Vlerësimi për këtë figurë atdhetare shprehet dhe në këtë përmbledhje të shkurtër biografike të përgatitur nga n/prefektura Kavajë pas vdekjes së tij, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë:
‘I ndyeri Sheh Hamid ka qenë Sheh. Njeri me parime moderne, idenë kombëtare e ka pranue qysh në kohrat e errta të sundimit osman. Ka qenë antar i Klubit t’Itilafçive qi kishte përmbledh në gji shqiptarët e vërtet dhe s’ka mungue të përqafojë me kurajo çdo vendim të grupit shqiptar të Kavajës. Shqiptar i flaktë e atdhetar i deklaruem, asht dërgue në Durrës si përfaqësues i Kavajës në Kongresin e Durrësit më 1918 për zgjedhjen e përfaqësis kombëtare në Konferencën e Paqes. Flamurin kombëtar e mbante në shtëpi me adhurim (nderim) të madh mbas shpalljes s’Indipendencës dhe në kohën e rebelëve asht burgos dy herë rresht. I ndyeri ka qenë kundërshtar i separatizmës esadiste dhe njeri me ideal patriotik’.[32]
Me rrëzimin e sistemit monist dhe fitoren e pluralizmit në vitet ‘90, u krijua një klimë e re për shoshitjen, vlerësimin dhe vënien në piedestalin e merituar të nderit të atyre që politika e së shkuarës i mohoi padrejtësisht. Pavarësisht nga kalimi i shumë viteve, faktet e dokumentet i kanë përjetësuar dhe komuniteti nuk i harroi këta figura atdhedashurie.
Qeverisja vendore në Kavajë pas vitit 1990, në bashkëpunim me historianë, studiues, punonjës të Muzeut Historik të rrethit e veteranë, ka nxjerrë në pah figurat e shquara të qytetit dhe ka bërë përpjekje për vlerësimin e rivlerësimin e tyre. Kështu, me rastin e 90-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Sheh Hamidit iu dha titulli “Mirënjohje e Qytetit” nga këshilli bashkiak i Kavajës.
Gjithashtu, një nga rrugët e qytetit të Kavajës, e cila njihej si “Rruga e Teqesë”, është emërtuar: Rruga “Sheh Hamid Kraja”.
Me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, me propozim të Bashkisë së Kavajës, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, i jep Sheh Hamid Krajës titullin e lartë “Qytetar Nderi” me motivacion:
“Për kontribut të shquar në mbrojtjen dhe propagandimin e gjuhës shqipe. Atdhetar dhe pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 27 nëntor 1912 në qytetin e Kavajës”.
Duke njohur dhe kujtuar të kaluarën, brezat do të ndërtojnë më mirë të ardhmen.
[1]. AQSH, F. 266, V. 1926, D. 329, fl. 1.
[2]. Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mal i Zi, Ohër, përgatitur nga Robert Elsie, Sh. B. “55”, Tiranë, 2008, f. 101.
[3]. AQSH, Fondi 803, Dosja I-15, fl. 31.
[4]. Po aty, fl. 30.
[5]. AQSH, F. 803, D. I-15, fl. 30.
[6]. Po aty, fl. 31.
[7]. Deklaratë e veteranit Y. Ejupi.
[8]. AQSH, F. 266, V. 1926, D. 329, fl. 1.
[9]. Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912. (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar), Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe i Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, Shtypshkronja “M. Duri”, Tiranë, 1962, f. 263.
[10]. Kujtime të mësuesit veteran Z. Shehu.
[11]. Deklaratë e veteranit Y. Ejupi.
[12]. AQSH, Fondi 266, viti 1926, D. 167, fl. 1.
[13]. Lef Nosi, Proklamimi i Indipendencës shqiptare, në “Dokumenta Historike për t’i shërbye historisë tonë kombëtare”, Elbasan, Shtypshkronja “Elbasani”, Nr. 9, viti I, Vjesht’ III (Nëntor ) 1924, f. 269.
[14]. AQSH, Fondi 266, viti 1926, D. 167, fl. 1.
[15]. AQSH, F. 803, D. I – 15, fl. 30.
[16]. Po aty.
[17]. AQSH, F. 266, V. 1916, D. 7, fl. 1.
[18]. AQSH, Fondi 803, Dosja I-15, fl. 31.
[19]. Historia e popullit shqiptar, T. 2004, f. 187.
[20]. R. Hoxha, Kavaja në shekuj, Sh. B. “Bota shqiptare”, Tiranë, 1995, f. 124.
[21]. AQSH, F. 235, D. 12, V. 1918, fl. 1.
[22]. L. Nosi, Kongresi i Tiranës, në “Dokumente Historike…”, viti I, Nr. 1, Mars 1924, f. 27.
[23]. Lef Nosi (Instituti i Historisë), Dokumente historike – Për t’i shërbye historisë tonë kombëtare – (1912-1918), Botim i dytë me rastin e 95-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Tiranë, 2007, f. 286-287.
[24]. AQSH, F. 266, V. 1919, D. 4, fl. 1.
[25]. Z. Shehi, Kavaja – Figura të shquara, f. 164.
[26]. AQSH, F. 266, V. 1919, D. 80, fl. 2.
[27]. AQSH, F. 803, D. I-15, fl. 30.
[28]. AQSH, F.1152, V. 1922, D. 1369.
[29]. “Fletorja Zyrtare”, Nr. 69, Tiranë, e shtunë 15 dhjetor 1923, f. 4
[30]. Z. Shehi, Kavaja – Figura të shquara, vep. e cituar, f. 164.
[31]. Dega Radikale në Kavajë, në gazetën “Xhoka”, Nr. 3 (19), 13 dhjetor 1924, f. 1
[32]. AQSH, F. 266, V. 1926, D. 329, fl. 1.
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Jul 02, 2024 0
Mr. Habib Ebibi Hyrje Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...