Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
May 08, 2017 Zani i Nalte Përkthime 0
nga Turki El-Hamed
Abstrakt
Urtësia hyjnore thelbësore, të cilën e nxjerrim nga narrativa e krijimit, është se, prezenca e të kundërtave është e domosdoshme për të njohur thelbin e tyre, por pa pasur askush të drejtë të monopolizojë njohjen e natyrshme të të kundërtave. Gjërat e humbasin vlerën pa prezencën e të kundërtave. Diversiteti i ngjyrave është i domosdoshëm për të bërë dallimin mes tyre. Diversiteti mes njerëzve është i domosdoshëm për jetën dhe për ta çuar atë përpara. Në të kundërt, jeta shndërrohet në një pellg të qelbur, ku uji ka humbur shijen e tij karakteristike, por dhe ajri ka marrë erë të keqe. Pa pluralizëm, pa diversitet dhe pa të kundërtat, gjithçka e humb shijen dhe kuptimin, gjithësia shndërrohet në një akumulim pa formë dhe kuptim.
Në rrëfimin kuranor të krijimit të njeriut, histori të cilën e ka përshkruar në mënyrë të mrekullueshme Kur’ani fisnik, përballemi me disa fragmente, tek të cilat ia vlen të ndalemi, për të krijuar një kuptim më të thellë të disa pikave kyçe, të cilat mbeten enigmatike dhe polemike edhe sot e kësaj dite.
Fragmenti i parë tek i cili do të ndalojmë është debati që u zhvillua mes Zotit të lartësuar dhe mes shejtanit, kur ky i fundit refuzoi ti përulej Ademit, e për rrjedhojë u shndërrua nga Azazil engjëllor, në shejtan të mallkuar. Me këtë rast vlen të theksoj se emri Azazil nuk është cekur fare në Kur’an, por është futur si term nëpërmjet rrëfenjave izraelite të transmetuara nga Ibnu Abas, Ebu Hurejre, Kab El-Ahbar, Munebih ibnu Vehb, etj.
Urdhri hyjnor nga Krijuesi i Universit, drejtuar shejtanit, që ti përulej në shenjë respekti Ademit (a.s.), ishte i qartë dhe i prerë, e megjithatë, shejtani u rebelua ndaj këtij urdhri dhe refuzoi ti bindej, duke u bazuar në këndvështrimin e tij personal, i vetëdijshëm se po i flet Zotit dhe Krijuesit të tij.
Si reagoi Krijuesi i gjithësisë ndaj këtij refuzimi?
Zoti i madh e kishte në dorë që shejtanin ta flakë menjëherë në mes të zjarrit të xhehenemit. Madje, jo vetëm kaq, por e kishte në dorë ta zhdukë nga ekzistenca një herë e mirë, ashtu siç e kishte sjellë në ekzistencë nga hiçi. E megjithatë, Zoti nuk e bëri as njërën dhe as tjetrën. Jo vetëm kaq, por Zoti i lejoji shejtanit të shprehë edhe mendimin e vet dhe të justifikojë qëndrimin refuzues të urdhrit hyjnor. Edhe pse Zoti e dinte motivin e rebelimit të shejtanit, Ai e pyeste dhe dialogonte me të. Në fund, ai e përzuri nga mbretëritë qiellore dhe i dha afat deri në ditën e Kiametit, ditën e shuarjes së konceptit kohë dhe vend. Iblisi vazhdon edhe sot e kësaj dite me rebelimin dhe refuzimin e bindjes.
Madje, Zoti e lejoi që të hyjë dhe në parajsë, aty ku jetonte Ademi dhe Havaja, për ti helmuar dy bashkëshortët me helmin e tij të vesveseve, derisa i nxori nga parajsa. E megjithatë, Zoti i jep afat deri në ditën e Kiametit.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është: “Përse Zoti e la të lirë shejtanin, pavarësisht se është burim i ligësive, mëkateve, të këqijave dhe se përfaqëson opozitarin e urdhrave hyjnore?” Sigurisht që duhet të ekzistojë një urtësi në këtë mes. Zoti, nuk ka krijuar asgjë kot dhe në mënyrë abuzive. Por, cila është kjo urtësi? Askush nuk mund të pretendojë se e di këtë urtësi hyjnore të fshehtë, e megjithatë, s’ka përse të heqim dorë nga meditimi dhe përpjekja për ta kuptuar atë. Ashtu siç nuk është krijuar kot gjithçka tjetër, edhe mendja nuk është krijuar kot.
Liria për të zgjedhur
Liria për të zgjedhur është fjalëkalimi i gjithçkaje. Shejtani zgjodhi rebelimin dhe kundërshtimin e urdhrit për t’iu përulur Ademit (a.s.). Ademi dhe Havaja, më pas, gjithashtu, zgjodhën të hanë nga pema e ndaluar. Shejtani ishte përgjegjës për zgjedhjen që bëri, ashtu siç ishin përgjegjës dhe Ademi me të shoqen për zgjedhjen e tyre. Që këtu e kupton logjikën e drejtë të kërkimit të llogarisë dhe drejtësisë hyjnore Ditën e Gjyqit të Madh. Nuk ka përgjegjësi pa liri, nuk ka llogaridhënie pa përgjegjësi dhe për rrjedhojë, nuk ka llogaridhënie pa liri.
Problemi i krijesave njerëz qëndron te përpjekja e disave për të detyruar të tjerët që të ndjekin të njëjtën linjë me të tyren, të besojnë se linja e tyre është e vërteta absolute. Po, ata mund të jenë të sinqertë në qëllimet dhe objektivat e veta, por nuk është e thënë që objektivat e tyre të përshtaten me objektivat e njerëzve të tjerë.
Në një analizë më të thellë, kupton se këta “disa” me këtë gjest, realisht cenojnë vetë thelbin e urtësisë hyjnore të cilën e gjejmë të shpalosur në epikën kuranore të krijimit të njeriut. Të bindur se, me këtë akt, ata i binden Krijuesit, në fakt, ata kanë shkelur dhe cenuar urtësinë hyjnore të krijimit.
Edhe nëse janë në të drejtën absolute, siç besojnë me sinqeritet dhe me bindje, ata nuk i kanë trajtuar të tjerët me urtësinë dhe durimin që i madhi Zot trajtoi shejtanin e rebeluar.
Zoti është e vërteta absolute dhe pavarësisht kësaj, nuk iu imponua shejtanit dhe nuk e detyroi ti përulej Ademit, edhe pse është i Plotfuqishëm për këtë. Në vend të imponimit, Ai i hapi rrugën e dialogut dhe i dha afat deri ditën e Gjyqit të Madh. E nëse e vërteta absolute nuk i imponohet të pavërtetës absolute, si ia lejon krijesa njerëzore vetes që të veprojë atë që nuk e vepron as Krijuesi i saj nga hiçi?! Kjo nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, edhe nëse i justifikojmë këta “disa” në imponimin që duan tu bëjnë njerëzve për ti tërhequr në rrugën e tyre të vetme të së mirës dhe së vërtetës, e cila nuk ka të dytë, me këtë akt, ata bien ndesh me pluralizmin dhe diversitetin e natyrshëm, falë të cilit dallohet e mira nga e keqja, e vërteta nga e pavërteta dhe pas së cilës qëndron krijimi i tre botëve; engjëllore, njerëzore dhe djallëzore.
Këtu i kupton edhe fjalët e Zotit drejtuar engjëjve që e pyetën mbi qëllimin e krijimit të njeriut, para se ta krijonte atë, ku u përgjigjet: “Unë di atë që ju nuk e dini”. Ata ishin krijuar vetëm për të bërë mirë, prandaj edhe çuditeshin përse duhej një krijesë e re!
Zoti e kishte bashkëngjitur Azazil-in me engjëjt e tjerë adhurues, pavarësisht se e dinte në dijen e Tij të pafund se pikërisht ai do të shndërrohej në një shejtan rebel dhe nuk do i bënin fajde adhurimet e së shkuarës; pavarësisht se e dinte se ai do i nxirrte Ademin dhe Havanë nga xheneti me vesveset e tij. Por, e gjitha kjo ndodhi për një urtësi specifike. Po të mos ishte zbritja e çiftit të parë njerëzor nga xheneti, nuk do të ishte populluar toka, nuk do ishin ngritur civilizime, nuk do të kishim histori, gjë të cilat janë objektiva të krijimit të njeriut që para se të krijohej, e që shprehet në Kur’an me fjalët:
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”.[1]
Historia e krijimit
Çdo gjë në univers është e mirë-llogaritur nga Krijuesi që para se të ekzistojë, por, lind pyetja: A nuk kishte mundësi Zoti që ta krijojë gjithçka që donte të krijojë, pa u hyrë gjithë këtyre ngjarjeve dramatike, fundin e të cilave e dinte? Aq më tepër që ai i bën gjërat me një të thënë “bëhu”?!
Pikërisht për këtë edhe fragmenti i dytë, tek i cili do të ndalemi, është ai historisë interesante të krijimit. I Gjithë-urti dëshiron ti japë kuptim dhe qëllim robërve të Tij nëpërmjet një imazhi të prekshëm, i cili qartësohet falë ngjarjeve dhe fragmenteve të krijimit. Këtë njeri, i cili do të bëjë shkatërrim, do të derdhë gjak e do të veprojë çfarë i lejohet e çfarë nuk i lejohet (historia), pavarësisht kësaj, Zoti do e nderojë dhe lartësojë mbi krijesat e tjera, madje edhe mbi vetë engjëjt, të cilët nuk dalin nga vija që u është përcaktuar as sa maja e gishtit. Kjo shpaloset qartë me urdhrin hyjnor drejtuar engjëjve të krijuar nga drita, që ti përulen krijesës nga balta e zezë. Madje, edhe pas mëkatit të ngrënies nga pema e ndaluar dhe nxjerrjes nga parajsa, njeriu mbetet krijesa më e preferuar e Zotit.
“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.”[2]
Përse dhe mbi ç’bazë bëhet kjo preferencë, pavarësisht rebelimit të përhershëm, shkatërrimit të përsëritur dhe gjakderdhjes?
E gjitha kjo, për një arsye të vetme dhe kjo arsye është fakti që, kësaj krijese të re, i është dhënë një specifikë e re “arsyeja”, e cila ka si karakteristikë kryesore aftësinë për të zgjedhur. Që këtu, liria do të përbënte thelbin e sjelljes, pasi nuk ka aftësi për të zgjedhur pa pasur liri dhe nuk mund të mbahet përgjegjësi pa pasur arsye.
Engjëjt, si krijesat më sublime, nuk e kanë instinktin e të gabuarit, veprojnë dhe u binden urdhrave pa shtuar dhe hequr gjë prej tyre. Kështu, ata janë krijesa vetëm për tu bindur, nuk mund të zgjedhin dhe nuk kanë hapësirë lirie për të vendosur ndryshe.
Sakaq, krijesat më të ulëta në univers, kafshët, udhëhiqen vetëm nga instinktet, duke iu bindur instinkteve në gjithçka, pa pasur lirinë e zgjedhjes.
Ndërkohë që njeriu, i cili është mes dy të parave, gëzon lirinë dhe aftësitë për tu ngritur në statusin e sublimes, por edhe të zbresë në gradat më të ulëta, edhe më poshtë se kafshët. E gjitha kjo, me vullnetin e njeriut dhe pikërisht vullneti përbën shpirtin e lirisë. Është vullneti ai që bën zgjedhjen dhe në bazë të kësaj zgjedhjeje të lirë mban përgjegjësi. Në momentin që kemi të bëjmë me detyrim dhe imponim, zhbëhet logjika e përgjegjësisë dhe llogaridhënies.
Ti imponosh njeriut “engjëlloren” apo “kafshëroren” është shkelje e vullnetit të Krijuesit, i Cili deshi që kësaj krijese me emrin njeri, ti japë lirinë e zgjedhjes, sepse prej kësaj lirie buron dhe përgjegjësia e tij. Ai jep llogari vetëm në bazë të kriterit të lirisë.
Liria për të zgjedhur
Pasi përfundoi krijimi i Ademit (a.s.) dhe i dha shpirt, Zoti e vendosi në parajsën e amshuar. Më pas Ai i krijoi dhe bashkëshorten e tij. Për hir të së vërtetës, Kur’ani nuk e citon askund emrin që mbante e shoqja e Ademit (a.s.), duke e përmendur vetëm si bashkëshorte. Ademi dhe bashkëshortja e tij kishin të drejtë dhe liri për të shijuar gjithçka që gjendej në parajsë, përveç një peme të vetme. Ata jo vetëm që nuk duhet të hanin nga frutat e saj, por as edhe ti afroheshin asaj peme. Megjithatë, Ademi dhe e shoqja nuk mundën ti rezistojnë tundimit dhe hëngrën nga pema, si rrjedhojë zbuluan se tashmë kishin mbetur lakuriq. Ajo që kishte ndodhur kishte qenë një transformim në vetëdije. Të dy u zbritën në tokë, e cila u shndërrua në banesën e tyre. E njëjta gjë i ndodhi dhe shejtanit.
Në fragmentin e pemës së ndaluar, vlen të meditojmë te një pikë shumë e rëndësishme: Nëse Zoti i lartësuar nuk donte që çifti të hante nga kjo pemë e ndaluar, përse ua vendosi në mes të parajsës, aty ku e shihnin dhe u shkonte goja lëng nga frutat e saj? Ajo i joshte gjer në ekstrem edhe për faktin se ishte e ndaluar dhe nuk ia dinin shijen. Pika tjetër është prezenca e shejtanit në parajsë, pavarësisht se ishte dëbuar nga mbretëria qiellore pas refuzimit për t’iu përulur Ademit, “shejtani u bëri vesvese”.
Një pikë tjetër që meriton meditim rreth saj është dhe bindja e dy bashkëshortëve ndaj vesveseve të shejtanit. Kur’ani nuk e përmend që ishte e shoqja ajo që e nxiti Ademin të hajë nga pema e ndaluar, siç ceket në rrëfenjat izraelite. Çiftit i ishte thënë paraprakisht se shejtani ishte armiku i tyre, do i tundonte dhe se mund të bëhej shkak për ti nxjerrë nga parajsa. Besoj se vendosja e pemës së ndaluar në mes të parajsës ishte diçka e qëllimtë, pasi spontaniteti nuk është cilësi e Zotit. Pema ishte vendosur atje për të vënë në provë bindjen e Ademit ndaj urdhrave të Zotit, me vullnetin e tij të plotë dhe lirinë për të zgjedhur. Prezenca e pemës së ndaluar dhe e shejtanit ishte e domosdoshme për realizimin e përvojës së parë njerëzore. Pa këta dy elementë, njeriu do të mbetej i pafuqishëm për të bërë zgjedhje, për rrjedhojë, nuk do të dallonte me kafshët që udhëhiqen nga instinkti, apo nga një engjëll i programuar vetëm për tu bindur. Ai është njeri sepse është i lirë. Ai është i lirë sepse është i arsyeshëm. Për rrjedhojë, ai është njeri sepse është i arsyeshëm. Zoti e lartësoi dhe preferoi ndaj shumë krijesave për vetë faktin se është i lirë falë arsyes dhe përgjegjësisë. Që njeriu të jetë i përgjegjshëm për veprat e veta dhe i lirë në zgjedhjen e rrugës së vet, ishte një zgjedhje e lirë që në gjenezë.
“Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).”[3]
Ai ishte i paditur dhe i bëri padrejtësi vetes për faktin se nuk e vlerësoi madhësinë e përgjegjësisë që rridhte nga liria e dhënë; humbjen e qetësisë absolute që do të gëzonte në rastin e refuzimit të lirisë së zgjedhjes; shmangien e llogaridhënies, ndëshkimit dhe shpërblimit. Në fund, njeriu i lirë është përgjegjës për sjelljet e tij, edhe nëse këto sjellje bëhen gabimisht. Nga kjo përgjegjësi buron edhe madhështia e njeriut, i cili mbart në vetvete frymën e parë hyjnore. Nëse njeriu gëzon njëfarë lirie, Zoti gëzon lirinë absolute, vepron ç’të dojë, kur dëshiron diçka i thotë “Bëhu!” dhe ajo bëhet. Që këtu, mund të themi se njeriu mbart diçka nga hyjnorja dhe që këtu kuptojmë arsyen e përzgjedhjes dhe superioritetit të tij ndaj shumë krijesave të tjera. Një sjellje e zgjedhur nuk është si një sjellje e diktuar. Prandaj edhe shohim që shpërblimi është sipas mundit dhe mundi është më i madh në rastin e lirisë së zgjedhjes. Besimtari që zgjedh të jetë i devotshëm në një shoqëri që nuk e motivon devocionin, ka shpërblim më të madh se besimtari që e gjen veten të devotshëm për shkak të shoqërisë që e imponon devocionin.
Urtësia hyjnore thelbësore, të cilën e nxjerrim nga narrativa e krijimit, është se, prezenca e të kundërtave është e domosdoshme për të njohur thelbin e tyre, por pa pasur askush të drejtë të monopolizojë njohjen e natyrshme të të kundërtave. Gjërat e humbasin vlerën pa prezencën e të kundërtave. Diversiteti i ngjyrave është i domosdoshëm për të bërë dallimin mes tyre. Diversiteti mes njerëzve është i domosdoshëm për jetën dhe për ta çuar atë përpara. Në të kundërt, jeta shndërrohet në një pellg të qelbur, ku uji ka humbur shijen e tij karakteristike, por dhe ajri ka marrë erë të keqe. Pa pluralizëm, pa diversitet dhe pa të kundërtat, gjithçka e humb shijen dhe kuptimin, gjithësia shndërrohet në një akumulim pa formë dhe kuptim. Madje, edhe feja e humbet kuptimin kur shndërrohet në një mendim të vetëm, një metodë të vetme, një institucion të vetëm:
“Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort, duke i përdorur betimet tuaja si mjet mashtrimi të njëri-tjetrit, nga frika se mos një grup të jetë më i madh se tjetri. Allahu, me këtë, vetëm sa u vë në provë e, me siguri, Ai do t’jua tregojë në Ditën e Kiametit, çështjet për të cilat ju nuk pajtoheshit.”[4]
Fjala përfundimtare pas së cilës çdo fjalë tjetër e humbet kuptimin i përket vetëm Krijuesit të këtij universi dhe autorit të tij, Ditën e Gjyqit të Madh. Sakaq, para kësaj dite do të mbetet diversiteti dhe liria e diversitetit është tipar njerëzor. Organizimi dhe disiplinimi i këtij diversiteti, si dhe bashkekzistenca me të, mbetet një nga objektivat e ekzistencës njerëzore mbi tokë. Ndërsa zhdukja e diversitetit, qoftë dhe në emër të Zotit, bie ndesh me vullnetin e të Gjithëmëshirshmit dhe me natyrën e njeriut.[5]
Përktheu: Elmaz Fida
[1]. Kur’an, Bekare: 30.
[2]. Kur’an, Isra: 70.
[3]. Kur’an, Ahzab: 72.
[4]. Kur’an, Nahl: 92.
[5]. Artikull i marrë dhe përkthyer nga adresa: http://www.alarab.co.uk/?id=20079
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Nov 01, 2022 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...