Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jun 13, 2017 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Bidati (risitë), një prej çështjeve që mban peng unitetin e myslimanëve
Ervin Qylafku, Myftinia Durrës
Një nga argumentet kryesore që dëgjojmë shpesh prej atyre që çdo risi e konsiderojnë gjynah dhe humbje, është koncepti që, nëse Pejgamberi a.s. nuk e ka vepruar diçka, atëherë veprimi i saj konsiderohet i ndaluar dhe risi (bidat). Kjo është nga gjërat më të çuditshme që mund të thuhet për këtë çështje. Jo çdo gjë që nuk e ka vepruar Profeti a.s. konsiderohet e ndaluar, qoftë ai edhe adhurim, nëse ai nuk ka ndaluar nga veprimi i tij.
Kuptohet qartë se koncepti i dijetarëve të Islamit, përgjithësisht, në lidhje me çështjen e risisë (bidatit), është keqkuptuar, keqinterpretuar dhe injoruar shpesh nga studiues dhe autodidaktë gjithashtu, të cilët kanë krijuar një klimë konfliktuale. Prej tyre minimalisht kërkohet një heshtje ndaj lëshimit të akuzave, llagapeve dhe etiketimeve me gjasë se të gjithë ata që nuk mendojnë si ata, kanë devijuar nga rruga e Zotit dhe janë të rrezikuar të dënohen nga Ai në jetën e amshueshme për çështje të cilat i nënshtrohen arsyetimit njerëzor. Debati konstruktiv është ai që i hap rrugën mirëkuptimit dhe justifikimit të mendimit ndryshe, e për rrjedhojë, unifikimit dhe vëllazërimit të besimtarëve, veprim i cili kënaq Zotin e gjithësisë, Profetin e Tij të nderuar e të gjithë besimtarët gjithashtu. Allahu e di më së miri.
2. Të mësuarit e normave civile në medresetë e Shqipërisë
Prof. Asoc. Dr. Gentiana Skura, Universiteti i Tiranës
Dr. Robert Gjedia, Universiteti “Marin Barleti”
Dr. Genti Kruja, Universiteti “Bedër”
Kurrikula e edukimit qytetar në arsimin parauniversitar zhvillohet me anë të lëndëve “Edukim për shoqërinë” dhe “Qytetari” dhe synon formimin e njohurive, shkathtësive, qëndrimeve dhe vlerave qytetare te nxënësit e këtij cikli arsimor, duke u mbështetur fort te filozofitë, praktikat e mira dhe modelet e qytetarisë evropiane dhe botës demokratike në veçanti, ku në thelb të tyre mbeten të drejtat dhe përgjegjësitë individuale, zbatimi i ligjit, kujdesi ndaj mjedisit, e drejta për punësim, siguria njerëzore dhe bashkëjetesa në komunitet. Përmbajtja e lëndëve të përmendura më lart nuk prek asnjë informacion ose praktikë edukimi, që lidhet me çështje të mësimit dhe edukimit fetar. Gjithashtu ky edukim ka një vend të posaçëm në kurrikul, që është i mjaftueshëm për të realizuar synimet dhe kompetencat e dëshiruara për nxënësit, kur kemi parasysh sasinë e orëve, peshën specifike të fushës kurrikulare, por edhe të lëndëve të mirëfillta të formimit qytetar që zhvillohen në të tria ciklet e arsimit parauniversitar, e krahasuar edhe me kurrikulat e sistemeve arsimore evropiane.
Medresetë zhvillojnë kurrikulën zyrtare për ciklet e arsimit parauniversitar, por gjithashtu kanë dhe pjesën e kurrikulës me orientim fetar, e cila edhe kjo miratohet nga Ministria e Arsimit.
Lëndët fetare janë integruar në kurrikulat zyrtare të medreseve në mënyrë të tillë që të jenë mbështetëse edhe të tematikave të trajtuara nga lëndët e edukatës qytetare. Meqenëse njeriu që jeton në sistemin demokratik ka shumë përputhje me besimtarin (pavarësisht përkatësisë fetare), tematikat e përbashkëta të këtyre lëndëve janë të shumta.
3. Vakëfet në Shqipëri nga periudha osmane deri në regjimin komunist
MA. Uran Kalej, KMSH
Krijimi i vakëfeve dhe i institucioneve vakëfnore në territoret shqiptare, fillon pas ardhjes së osmanëve në Ballkan, duke nisur që nga gjysma e dytë e shek. XV. Këto institucione kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në jetën social-ekonomike dhe religjioze të popullsisë shqiptare. Madje, nga studime të ndryshme, rezulton se disa nga qendrat urbane mesjetare shqiptare janë krijuar nga vakëfet. Kjo vlen edhe për Tiranën, e cila sot është kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë.
Në periudhën osmane, sasia e pronave bujqësore, xhamive, çezmave apo objekteve që dhuroheshin si vakëf, gjeti shtrirje të gjerë në të gjitha qendrat urbane dhe rurale të Shqipërisë. Kjo evidentohet edhe nga emërtimet që ato mbajnë, të cilat, në shumicën e rasteve, i përkasin personave që i kanë dhuruar apo ndërtuar.
Pas shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, tradita e dhurimit të pronave vakëf vazhdoi me të njëjtin intensitet. Por, vakëfet tani administroheshin nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, i cili ishte një institucion i pavarur nga Kalifati Osman. Në periudhën 1920-1944 vihet re një rritje e nivelit të administrimit të vakëfeve. Për menaxhimin e tyre u hartuan rregullore të posaçme, të cilat përcaktonin me rigorozitet mënyrën e funksionimit. Të ardhurat që vinin prej tyre shkonin për restaurimin dhe ndërtimin e xhamive, për hapjen e kurseve dhe shkollave fetare, për kualifikimin e personelit, apo për zgjidhjen e problemeve të bashkësisë islame.
Një situatë aspak e favorshme për vakëfet në Shqipëri u krijua pas vitit 1945, kur u instalua regjimi komunist. Masat represive që qeveria shqiptare ndoqi në këtë periudhë fillimisht konsistonin në kufizimin, e më pas në asgjësimin e institucioneve fetare. Në këtë periudhë u hartuan ligje, të cilat pjesën dërrmuese të pronave vakëfnore ia kaluan shtetit; ndërkohë që, në vitin 1967, feja u ndalua me ligj dhe pjesa dërrmuese e xhamive u prishën. Ndërsa në ditët e sotme, qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj rikthimit të pronave vakëfnore është konfuz.
4. 100-vjetori i shkollës normale të Shkodrës
Prof. dr. Njazi Kazazi, Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Siç dihet gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u kthye në një shesh lufte. Në vitin 1916, në territorin e Shqipërisë ndodheshin ushtritë e 5 shteteve të ndryshme. Me gjithë kushtet e vështira të luftës, ku vendi ynë pësoi dëme shumë të mëdha ekonomike dhe ishte i ndarë në tri zona pushtimi, forcat përparimtare, atdhetarët dhe mësuesit popullorë, u përpoqën të shfrytëzonin ato mundësi të krijuara, në dobi të zhvillimit të kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar.
5. Teknologjizimi i arsimit, sfidë apo progres?
Nuredin Nazarko
Të arsimohesh sot konsiderohet si një nga gjërat më se normale, madje edhe më të rëndësishmet. Rëndësia e arsimimit të qenies njerëzore është kthyer në një bindje aksiomatike, aq sa nuk na intereson më nëse dikush i ka kapacitetet dhe potencialet për të përthithur dhe shprehur njohuritë. Të bindur katërçipërisht se pa kaluar nga hallkat e zinxhirit arsimor nuk ka shans të jesh një qenie njerëzore, të gjithë po rendin të arsimohen, duke ëndërruar më pas një fund të suksesshëm përgjatë përkohësisë. Njeriut i pëlqen të ëndërrojë, të imagjinojë dhe suksese imagjinare, sepse kështu ndoshta lehtëson barrën dhe peshën e tensionit, që buron nga vështirësitë e mëdha në rrugën e të arsimuarit. Evoluimi i shumë ideve dhe praktikave në shoqërinë njerëzore, nuk mund të mos prekte edhe arsimimin. Revolucioni tekniko-informatik ka gjeneruar shumë ëndërrime te shumë syresh, ëndërrime të cilat janë duke i dhënë formë realitetit të të arsimuarit. Ndërtimi i realiteteve mbi baza ëndërrimesh e përfytyrimesh të nxitura nga instrumente artificialë, nuk mund të zbresë në skenë asgjë më shumë përtej mundësive. Të ndodhur mes kësaj gjendje, është detyrë e jona, si qenie në botë, që të përpiqemi, sado flashkët, për të qartësuar idetë dhe përfytyrimet tona, për të larguar vellon e bukur të teknologjizimit, zbukuruar me lulet e progresit. Është më se e natyrshme që ne të përpiqemi t’i çojmë gjërat drejt përmirësimit, drejt lehtësimit. Nuk duhet që, për hir të këtij përmirësimi apo lehtësimi, t’i largohemi qëllimit të parëhershëm. Nuk duhet ta konsiderojmë veten të vetëmjaftueshëm dhe të panevojshëm për askënd, meqenëse tashmë zotërojmë shkencën, teknologjinë. Këndellja nga këto ëndrra është sfida jonë.
6. Korpusi i mbishkrimeve osmane në Vlorë dhe Gjirokastër
Dr. Mehmet Tütüncü
Qendra Botërore e Kërkimeve për Gjuhën Turke dhe Arabe, Haarlem, Hollandë
Ky është një studim dhe botim rreth mbishkrimeve osmane në jug të Shqipërisë, të përcaktuara si zona ndërmjet Vlorës dhe kufirit grek. Gjatë viteve të fundit, janë zbuluar shumë mbishkrime të reja (kryesisht të varreve), nga studiues të huaj dhe vendas. Mbishkrimeve të njohura nga literatura (Evlia Çelebi dhe të tjerë) u janë shtuar këto mbishkrime të reja të zbuluara. 25 mbishkrime nga kjo zonë, të cilat datojnë që nga viti 1542 deri në 1897, janë botuar këtu si pjesë e Korpusit të mbishkrimeve osmane në Shqipëri. Mbishkrimet janë studiuar në kontekstin e tyre historik dhe kulturor. Ato përmbajnë informacione në lidhje me aktivitetet në fushën e ndërtimit, jetën dhe kulturën e asaj zone gjatë shekujve të sundimit osman në Shqipëri.
7. “Drita Islame”, si mjet i përgjegjshëm komunikimi masiv në trendin e zhvillimeve aktuale
Doc. Dr. Ramadan Çipuri, Universiteti “Bedër”
“Drita Islame” nuk ka qenë thjesht një gazetë apo një revistë që botohej nga KMSH në formën klasike që ne jemi mësuar t’i njohim organet e shtypit fetar. Ajo ka qenë një dritare komunikimi midis institucionit më të lartë mysliman në vend me publikun në tërësi.
E veçanta këtu qëndron në atë se “Drita Islame” ka arritur që t’i flasë jo vetëm publikut tradicional, që ne jemi mësuar të njohim, por të ashtuquajturve në shkencat e komunikimit si “publikë”, pra lloje të ndryshme publikësh brenda dhe jashtë vendit tonë.
Mesazhi i përcjellë nga “Drita Islame” është jo vetëm ai fetar, por trajton një sërë çështjesh problemore që kanë të bëjnë me edukimin, ekonominë, normat e sjelljes komunitare, çështje me karakter social e politik, etj.
8. Gruaja dhe familja në institucione të rëndësishme të shoqërisë nën optikën e “Drita Islame”
Prof. Dr. Ruzhdie Qafmolla, Universiteti i Tiranës
Struktura e familjes nën këndvështrimin e “Drita Islame” duhet shikuar si nga aspekti i funksionit horizontal në dimensione mikro-sistemore dhe makro-sistemore. Çështja e familjes përgjithësisht në sociologji e sidomos në sociologjinë bashkëkohore dhe në etikën islame zë vend të rëndësishëm. Fenomeni i familjes në planin e mbrojtjes së moralit shqyrtohet ndër faktorët tejet fondamentalë, dinamik të shoqërisë dhe të pasurimit human të raporteve ndërnjerëzore në qenien njerëzore.
Pra familja është një lloj i veçantë i strukturës përmes lidhjes së gjakut dhe marrëdhënieve të moralshme bashkëshortore, në kërkesa të ndërsjella të përcaktuara nga feja, të përforcuara nga ligji i sheriatit dhe të rindërtuara nga vetë individi.
Gruaja përbën një kontribut të një rëndësie të veçantë për rinovimin e shoqërisë. Nga ajo kërkohet që të njohë fenë, që të jetë prej atyre që pa i ndarë i kryejnë detyrat ndaj Allahut të Madhëruar, ndaj burrit, ndaj fëmijëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj atdheut. Emancipimi dhe përparimi i gruas, brenda normave islame, e bëjnë një shoqëri më të emancipuar, që kërkon afrimin e gruas në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe eliminimin e botëkuptimit të gabuar se gruaja është vetëm nënë, se funksioni i saj biologjik është vetëm të lindë fëmijë dhe se ajo duhet të jetë dhe të mbetet patjetër amvisë, e mbyllur dhe e lidhur vetëm me fëmijët. Gruaja bashkëkohore, e brumosur me ideologjinë islame, është gjithnjë e më shumë e emancipuar dhe me aftësi që i mundësojnë të jetë aktive në jetën ekonomike dhe politike.
9. Procesi i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe roli i saj në stabilitetin politik të Ballkanit dhe gjerë në Evropë
M.sc. Artan S. Mehmeti, Kosovë
Republika e Kosovës me sipërfaqe prej 10.907 km2, dhe rreth 2.2 milion banorë, është shteti më i ri në Botë. Procesi i pavarësisë së Kosovës ka kaluar nëpër një periudhë të gjatë dhe të vështirë, nga e cila mbetën shumë të vrarë dhe të zhdukur. Shteti më i ri në Botë është njohur nga 108 shtete. Shpallja e pavarësisë ka prodhuar stabilitet vendor dhe rajonal, këtë e ka vërtetuar edhe mendimi këshill-dhënës i GjND-së, duke e konstatuar edhe shumë politikanë dhe analistë të njohur ndërkombëtarë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë Republika e Kosovës po përballet me vështirësi të shumta si në aspektin ekonomik – social ashtu edhe atë politik. Institucioneve të Kosovës ju mbetet edhe shumë punë për të punuar, që Kosova të ecë drejt rrugëtimit për të aderuar në BE dhe NATO. Pavarësia e Kosovës është vetëm një përmirësim i padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar në Konferencën e ambasadorëve në Londër, nga e cila, Kosova dhe pjesë të tjera shqiptare, iu shkëputën shtetit shqiptar dhe iu dhanë shteteve fqinje.
10. Haxhi Ismail B. Rexhepi (3.11. 1947 – 13. 11. 2016)
nga Akademik Feti Mehdiu
Imami i xhamisë “Haxhi Ramadan” në Prizren dhe i xhamisë “Hadim Aga” në Gjakovë. Njeriu i palodhur, i cili kreu edhe funksionin e kryeimamit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë. Sa ishte me detyrë në Gjakovë dha kontribut të veçantë në organizimin e shumë aktiviteteve të rëndësishme për popullatën e këtij rajoni. U kujdes sidomos për t’u ardhur në ndihmë familjarëve të dëshmorëve e viktimave të luftës, për grumbullimin e mjeteve për ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën iu dha edhe Mirënjohje në Ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1997, nga Këshilli Komunal në Prizren. Mori pjesë edhe në aksionin e faljes së gjaqeve dhe në takime zyrtare në misione ndërkombëtare, që vëzhgonin situatën e zhvillimeve të luftës në Kosovë.
11. Kush njef vet-vedin njef Zotin
قال عليه الصلاة و السلام: «من عرف نفسه فقد عرف ربه»
Këtu qellimi me kët mësim Profetik, «Kush njef vet-vedin njef Zotin» nuk âsht se aj qi njef figuren e vet, përfaqe, njef Perendín, por aj njeri qi të ketë nji mendje të mpreftë e të kthjellët, nji trû të shendoshë, e, mbassi t’a analizojë, me nji vëmendje e interesë të gjallë, organizimin dhe funksjonimin filosofik të trupit të vet, do t’a detyrojë ndërgjegj-ja e vet të pyes vet-vehten: «Kush âsht Artisti filosof i këtij arti kaq mrekullues, qi qenka jasht rrethit të kompetencës njerzore?»
Pra po qe se i pergjigjet kush kësaj pyetje, tue thânë: «une jam në pozitë të krijoj të tillë art, pa ndjekë ligjin, qi ka caktue Artisti i parë» d.m.th. të thotë: «une jam i Zoti të krijoj njerës, pa ndjekë ligjin Hyjnuer», le t’i krijoj pra se edhe neve, qysh tash e sihariqojmë se aj do të fitojë rekordin në gjith botën mbarë dhe se dot të bâhet Mbreti i gjith njerzisë, mbassi ja kalon gjith Mbretënve të tjerë, si me dijení, ushtrí, forcë… e tjera e tjera; gjâ kjo qi âsht imposibël të jetë në kompetencën njerzore.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...