Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 28, 2017 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Doc. Dr. Ramadan Çipuri, Universiteti Bedër
1. Hyrje
Humbja e kufijve hapësinorë dhe kohorë, sidomos në një kohë kur e gjithë bota ndodhet nën ndikimin e stereotipave të shumtë, që mund të rrezikojnë ekuilibrat e brishtë që kanë ekzistuar dikur, por që sot shfaqen të ekspozuar ndaj mundësisë për të dështuar, duket se i kanë dhënë një tjetër dimension medias tradicionale. Sidomos, me zhvillimin e mediave të reja, kjo ka përparuar akoma më shumë, duke ofruar platforma komunikimi akoma më të mëdha, zhvillim ky që studiues të ndryshëm e vlerësojnë si fuqi prej pushteti “të pestë”, që media zotëron në ditët e sotme. Përgjegjësia e këtyre mjeteve të komunikimit masiv fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në kushte të tilla, ku përmes një dritareje të vetme në Internet, mediumi arrin të mbërrijë te çdo qytetar global, tek të cilët mund të ndikojë në edukimin dhe në opinion e tyre, në qasjet që ata mund të kenë ndaj situatave, konflikteve dhe zhvillimeve të kohës.
Rëndësia është akoma më e madhe kur flitet për çështje të ndjeshme, që vënë përballë njëri tjetrit komunitete, kultura, ideologji dhe hapësira të mëdha gjeografike, të cilat formësohen nga besimi fetar, element ky që lidhet drejtpërsëdrejti me “gjuhën e zemrës” dhe që mund të reflektojë dhe ndikojë më shumë se gjithçka tjetër në komunikimin dhe reagimin qytetar. Në këtu punim do të analizohet rasti i gazetës, së fundmi prej disa vitesh revistës “Drita Islame”, si një mjet i rëndësishëm shtypi i Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH), mënyra se si ajo ka pasqyruar aktualitetin lokal dhe global nën misionin e një mediumi fetar të përgjegjshëm, si edhe përshtatja e saj me zhvillimet bashkëkohore të sektorit të medias.
Qasja e analizës është kryesisht cilësore, e mbështetur në një vështrim të detajuar të përmbajtjes së publikuar nga viti 1992 e deri më sot.
2. Tipare të rrugëtimit 25 vjeçar të gazetës – revistës “Drita Islame”
2.1. “Drita Islame” si zë publik i KMSH
Ka qenë traditë e kahershme që institucionet përfaqësuese të komuniteteve fetare të kenë mjetet e tyre të komunikimit masiv, kryesisht ato të shkruara në formën e gazetës, revistës, buletineve, etj., si dhe së fundmi të radiove, faqeve të internetit, etj. Drita Islame, ishte i pari organ shtypi zyrtar i KMSH-së pas rënies së regjimit totalitar, i cili duke nisur nga janari i vitit 1992 doli në mënyrë periodike çdo dy javë. Përmbajtja e gazetës karakterizohej jo vetëm nga botimi i mesazhit islam për një popull të etur për besim, por përmes analizave, sugjerimeve dhe kritikave të ndryshme ka funksionuar edhe si një zë publik dhe elitar i klerit mysliman me besimtarët, shtresat e shoqërisë dhe institucionet publike e private, të gjitha këto në lidhje me çështje të nxehta që preknin realitetin shqiptar. Që në numrin e parë, gazeta shpalosi misionin e saj shoqëror dhe kombëtar, ku “synonte zgjimin e ndërgjegjes fetare në besimtarët e saj në bazë të mësimeve morale të Kur’anit, duke e zhveshur nga të gjitha mbresat e dëmshme të lëna nga ateizmi për afro gjysmë shekulli.”[1]
Siç ka vijuar edhe më vonë, me raste të ngjashme, në numrin e dytë të saj “Drita Islame” solli në vëmendje të opinionit publik dhe institucioneve shtetërore rëndësinë e pronave që KMSH kishte gëzuar dikur. Kështu përmes titullit “Një e drejtë që duhet rikthyer”, “Drita Islame” që në fillim mbajti qëndrim ndaj pronave të KMSH-së, ku në krye të një liste të detajuar të pronave të dikurshme, do të shkruante se “në mjaft rrethe të vendit tonë, Komuniteti Mysliman ka patur para çlirimit prona vakëfnore, të cilat përbëheshin nga dyqane, shtëpi banimi, hotele, hane, troje, ullinj dhe toka bujqësore”[2].
Në një moment kur Shqipëria po përballej me një nga krizat më të mëdha të periudhës paskomuniste, atë të firmave piramidale në vitin 1997, KMSH përmes “Drita Islame” sqaroi pozicionin e saj ndaj kësaj çështjeje, duke i ofruar çdo besimtari të vërtetën islame ndaj kamatës apo fajdesë. “Si fe humanitare që është, Islami e ndalon marrjen e interesit përkundrejt një huaje të dhënë dhe e konsideron atë si një akt që shkon në kundërshtim me atributin e Zotit”[3], thuhet në një editorial të posaçëm të publikuar në shkurt të 1997-ës.
Përmes “Drita Islame”, KMSH ka bërë zyrtare edhe qëndrimin e tij ndaj terrorizmit dhe akteve terroriste, që duke nisur nga mesi i viteve ‘90, shumëkush i atashoi ato me Islamin. Kështu, disa tituj të botuar në mënyrë periodike gjatë këtyre viteve janë “Islami nuk është sinonim i terrorizmit” (nëntor, 1995), “Islami është kundër dhunës dhe terrorit” (prill, 1997), “Zhurma e shtypit mbi terroristët islamikë” (shtator, 1998), poezia “Nuk jemi terroristë, o botë, pa feniksë të këtij ar(b)dheut” (tetor 1998), duke vijuar më tej me artikuj të ngjashëm pas vitit 2000 me “Keqkuptimet ndaj Islamit dhe lufta kundër terrorizmit” (dhjetor, 2002), “Terrori nga këndvështrimi islam” (nëntor, 2003), etj. Situata është pothuajse e njëjtë edhe në vitet e fundit, ku në “Drita Islame” gjenden qëndrime të drejtuesve të KMSH në lidhje me çështjen në fjalë, por edhe problematika të tjera që shqetësojnë vendin tonë.
2.2. “Drita Islame” si një mjet i marrëdhënieve me publikun
“Drita Islame” nuk ka qenë thjesht një gazetë apo një revistë që botohej nga KMSH në formën klasike që ne jemi mësuar t’i njohim organet e shtypit fetar. Ajo ka qenë një dritare komunikimi midis institucionit më të lartë mysliman në vend me publikun në tërësi. I intervistuar në kuadër të këtij punimi, Alban Tartari, studiues i medias dhe komunikimit, e vlerëson “Drita Islame” si një mjet të rëndësishëm të marrëdhënieve publike të KMSH-së me komunitetin vendas e më gjerë, mysliman dhe jo vetëm, etj.
Në kushtet e reja të zhvillimeve në sektorin e medias dhe komunikimit, redaksia e “Drita Islame” ka ditur më së miri të përshtatet me këto risi. Në përmbajtjen e botuar në print, por edhe në faqen e saj online, gjen jo pak artikuj, analiza dhe mesazhe të ndryshme që synojnë lexues që i përkasin një grupi gjithnjë e më shumë heterogjen në tiparet karakterizuese. Njohja e mirë e publikëve dhe audiencave vlerësohet si një çelës suksesi në fushën e marrëdhënieve publike.
E veçanta këtu qëndron në atë se “Drita Islame” ka arritur që t’i flasë jo vetëm publikut tradicional, që ne jemi mësuar të njohim, por të ashtuquajturve në shkencat e komunikimit si “publikë”, pra lloje të ndryshme publikësh brenda dhe jashtë vendit tonë. Sipas Alban Tartarit, studiues dhe specialist i komunikimit, “në termin ‘publikë’, në këtë rast nuk hyjnë vetëm besimtarët myslimanë, por edhe njerëz që nuk janë pjesë e këtij komuniteti, njerëz që nuk besojnë, apo që janë besimtarë por që nuk e praktikojnë besimin islam. Përmes natyrës së këtij lloj informacioni, “Drita Islame” ka synuar shoqërinë në përgjithësi, e veçanërisht publikët potencialë që mund të ndjekin mesazhin e saj.”[4]
Mesazhi i përcjellë nga “Drita Islame” është jo vetëm ai fetar, por trajton një sërë çështjesh problemore që kanë të bëjnë me edukimin, ekonominë, normat e sjelljes komunitare, çështje me karakter social e politik, etj. Mjafton të shfletosh faqet e gazetës/revistës dhe që nga viti 1992 e deri më sot gjen tema nga më të larmishmet, të cilat synojnë lexues të profesioneve, etnive dhe besimeve të ndryshme.
2.3. “Drita Islame” si një manual mbi çështjet e besimit
Gazeta/revista “Drita Islame” i ka shërbyer besimtarëve myslimanë shqiptarë për të gjetur përgjigje në lidhje me çështjet e besimit. Ajo ka shërbyer si një burim i rëndësishëm informacioni për gjëra nga më themeloret e deri në çështje të komplikuara të besimit.
Kjo gjë ka qenë mjaft e rëndësishme sidomos gjatë viteve 1990, ku shqiptarët vinin nga një shkuar që u kishte fshirë çdo informacion dhe orientim mbi jetën fetare. Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve kanë ardhur në mënyrë periodike varësisht problematikave më të rëndësishme të kohës, si p.sh. “Jo besimeve të kota” (shkurt, 1992), “Familja – e vetmja vatër e lumturisë” (shkurt 1994), “Familja – bazë e një edukimi të shëndoshë për të rinjtë” (dhjetor, 1997), “Islami nuk është sinonim i terrorizmit” (nëntor, 1995), “Zhurma e shtypit mbi terroristët islamikë” (shtator 1998), “Fikhu – Sunneh – Legjislacioni i Traditës Profetike” (qershor, 2005), “Argumentet mbi namazin e teravive” (shtator, 2008), por edhe shumë çështje të tjera që kanë pasur të bëjnë me zhvillimet e nxehta globale që kanë nxitur konflikte të gjera.
2.4. “Drita Islame” si një bazë arkivore e mendimit islam në Shqipëri
Dalja e “Drita Islame” në një periudhë mjaft të rëndësishme për popullin shqiptar, analiza që u është bërë situatave të ndryshme, në momente të rëndësishme, përmes të cilave ka kaluar Shqipëria dhe këshillat fetare, që kanë ndihmuar besimtarët myslimanë shqiptarë, do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme të dhënash arkivore për grupet e studiuesve në të ardhmen. Për 25 vjet me radhë, “Drita Islame” ka dokumentuar ngjarjet më të rëndësishme që kanë shoqëruar tranzicionin shqiptar të kësaj periudhe, u ka dhënë përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve të besimtarëve myslimanë rreth çështjeve të caktuara, ka qenë një zë zyrtar i KMSH-së ndaj zhvillimeve të rëndësishme etj., duke u kthyer kështu në një burim të rëndësishëm të dhënash për të ardhmen.
Në këtë aspekt, për t’u vlerësuar mbetet puna e bërë nga Drejtoria e Kulturës së KMSH-së, e cila ka arritur të digjitalizojë të gjitha ato përmbajtje të shtypura, si edhe të mbledhin në mënyrë të detajuar çdo titull të sjellë përmes gazetës/revistës. Në vitin 2015, nën kujdesin e Kryetarit të KMSH-së, H. Skënder Bruçaj, Drejtoria në fjalë përmes një përmbledhjeje prej rreth 500 faqesh ka arritur të dokumentojë të gjithë bibliografinë e gazetës “Drita Islame” nga viti 1992 deri në vitin 2011[5].
E gjitha kjo është një punë për t’u lavdëruar, e ngjashme me përmbledhjen e bërë në formën e një kolane gjithëpërfshirëse të gjithë numrave të revistës “Zani i Naltë” midis viteve 1923-1939, e cila sot është kthyer në një thesar të dhënash mbi qasjet e asaj kohe ndaj zhvillimeve socio-ekonomiko-politike në vend.
2.5. “Drita Islame” si një medium elitar
Në kushtet kur njerëzit po i largohen gjithnjë e më shumë librit dhe letrës, duke iu drejtuar burimeve alternative të informimit përmes rrjetit, gazeta dhe revista mbeten mjete komunikimi për vetëm një grup të caktuar më dashamirës ndaj informacionit. Duke kuptuar këtë trend dhe veçori të revistës, drejtuesit e KMSH-së dhe të “Drita Islame” e kthyen këtë të fundit nga një gazetë periodike në një revistë të rëndësishme që ndikon në ndërtimin e opinionit publik, duke iu drejtuar disa shtresave më elitare. Nga një vështrim i thjeshtë që mund t’i bësh çdo numri të revistës, vihet re një larmi e gjerë analizash mbi çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me besimin, artin, kulturën, ekonominë, kombin, etj. “Drita Islame” është kthyer në një udhëzues për shumë njerëz të mirë edukuar, të cilët gjejnë aty analiza të shkruara nga emra të njohur shqiptarë dhe jo vetëm.
2.6. “Drita Islame” ndjek hapin e kohës edhe në Internet
Duke nisur nga nëntori i vitit 2011, “Drita Islame” nisi publikimin e saj edhe përmes internetit. Në këtë mënyrë, ajo u bë pjesë e pozicionimit të medias si një pushtet i pestë në shoqëri, ku përmes kanaleve virtuale arriti të komunikojë me lexues përtej çdo kufiri kohor apo hapësinor.
Përmes një dizajni mjaft të kuruar, përmes adresës zyrtare të saj www.dritaislame.al, ajo përcjell te vizitorët jo vetëm informacion fetar mbi Kur’anin, Hadithin, çështjet shpirtërore, por edhe zhvillime nga vendi, bota, rajoni, myftinitë, tematika sociale mbi shoqërinë dhe familjen, risi e kuriozitete, etj.
Së fundmi, në vend të përfundimeve duhet theksuar se gazeta/revista “Drita Islame” është një medium i rëndësishëm, i cili përmbush suazën e shtypit fetar në Shqipëri. Ajo i vjen në ndihmë të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, dhe jo vetëm.
Bibliografi
“Drita Islame” 7 janar 1992: 1.
“Drita Islame”, «Kamata apo fajdeja sipas Islamit», shkurt 1997: 1.
“Drita Islame”, «Një e drejtë që duhet rikthyer», 24 janar 1992: 1.
KMSH, “Bibliografia e gazetës Drita Islame, janar 1992 – dhjetor 2011”, Tiranë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, 2015.
Tartari, Alban, intervista nga Ramadan Çipuri. (25 shkurt 2017).
[1]. Redaksionale. 1992. «Drita Islame.» Drita Islame, 7 janar: 1.
[2]. Drita Islame, 1992, «Një e drejtë që duhet rikthyer», 24 janar: 1.
[3]. Drita Islame, 1997, «Kamata apo fajdeja sipas Islamit», shkurt: 1.
[4]. Tartari, Alban, intervista nga Ramadan Çipuri. (25 shkurt 2017).
[5]. KMSH, “Bibliografia e gazetës Drita Islame, janar 1992 – dhjetor 2011”, Tiranë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, 2015.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Oct 23, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Mar 21, 2016 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...